Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Plani i veprimit për pastrimin rrënjësor të territorit po vijon në të gjitha bashkitë e vendit, me prioritet Bregdetin. Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar në Durrës me kryetarët e bashkive dhe prefektët e qyteteve bregdetare për të nisur që tani punën për sezonin e ardhshëm turistik.

Zotimi është për plazhe të pastra përmes shtimit të mbështetjes financiare nga ana e qeverisë vetëm për këtë qëllim dhe mbi të gjitha të sigurta e të organizuara siç duhet.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama u shpreh:

 

Faleminderit! Praktikisht, jemi në një udhëkryq përsa i takon cilësisë të mjedisit për qytetarët, komunitetet, por edhe për turizmin.

Është e qartë që barra e kësaj peshe të madhe përgjegjësie nuk mund të mbetet e gjitha në supet e bashkive, pasi nuk janë vetëm bashkitë që mund ta përballojnë një peshë që akumulohet nga papërgjegjshmëria e shumëkujt që ndot mjedisin pa asnjë gajle, duke hedhur rrugëve plehrat dhe nga indiferenca e institucioneve të tjera, të cilat nuk mund të qëndrojnë në pozitat tradicionale të spektatorit, në raport me këtë sfidë qytetare, është një sfidë civilizimi në fund të fundit.

Këtu kam parasysh në radhë të pare, Policinë e Shtetit, dhe pastaj të gjitha institucionet e tjera.

Nga ana tjetër, është shumë e qartë që pastrimi ka një kosto që është më e lartë, përgjithësisht, sesa çfarë bashkitë i faturojnë qytetarëve  dhe biznesit në formën e tarifave të pastrimit. E them këtë për të gjithë ata që, në vend se ta fillojnë nga vetja, në vend se në radhë të parë mos hedhin plehrat kuturu, e fillojnë direkt me fjalinë “Ne paguajmë taksa, bashkitë nuk na përgjigjen”.

Që të jemi shumë të qartë, kontributet përmes tarifave të pastrimit të familjarëve dhe të bizneseve janë përgjigjësisht nën kostot e pastrimit për bashkitë. Kjo bën që, nga njëra anë, bashkitë të përballojnë me fonde extra një pjesë të kostos; nga ana tjetër të kemi territore të tëra të pa pastruar dhe nga ana tjetër, edhe qeveria të jetë e detyruar që të rishikojë të gjithë skemën e funksionimit të këtij procesi.

Patjetër që, në këtë proces gjobat janë të domosdoshme, por përsëri, atyre që në vend se ta fillojnë nga vetja dhe të thonë, në radhë të parë me veten, se sa shumë e kanë ndotur ata vetë këtë vend, duke hedhur plehrat e fillojnë me formulën “vini gjoba, mblidhni gjoba” që ose “Ka kosha, vini kosha”.

Plehrat, për shembull, në rrugë kombëtare nuk kanë lidhje me koshat sepse nuk ka kosha nëpër rrugët kombëtare të asnjë vendi dhe nuk ka plehra nëpër rrugët kombëtare të vendeve, të cilat i marrim si pikë referimi.

Plehrat në rrugë kombëtare janë akte papërgjegjshmëria të mijëra e mijëra njerëzve që hapin dritaren e makinës dhe i hedhin nga dritarja.

Thënë këto, ne na duhet  një qasje shumë më e organizuar dhe shumë më agresive në këtë fushë. Për këtë asye, ne kemi thënë që asnjë bashkie nuk do t’i miratojmë buxhetin, në nivelin e prefekturës, në rast se do ta miratojnë këshillat, po qe se buxheti nuk do të përmbajë  fondin e nevojshëm për pastrimin.

Është bërë një metodologji kostimi e pastrimit nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit. Mbi bazën e kësaj metodologjie, cdo bashki ka një target, një objektiv financiar dhe ky objektiv financiar duhet të jetë objektivi numër 1 i çdo bashkie. Në rast se një kryetar, dy, tre, pesë, bashkish do të shkojnë në Këshill dhe nuk do të kenë në buxhetin e propozuar këtë objektiv të parin, të palëvizshëm, të padiskutueshëm, ne do të punojmë me këshilltarët e bashkive që t’ia rrëzojnë buxhetin. Në rast se kjo nuk do ndodh, prefektët nuk kanë për ta firmosur atë buxhet, sepse pastrimi duhet të jetë i pari. Asgjë tjetër nuk na duhet në rast se vazhdojmë ta pranojmë këtë bashkëjetesë kompromisi me plehrat.

Aspekti tjetër ka të bëjë me pushtetin që do t’i japim ne bashkive sidomos bashkive, që për shkak të pozicionit të tyre gjeografik, që nga Shkodra deri në Sarandë, kanë një  mbingarkesë eksponenciale në periudhën e sezonit, që shumëfishon popullatën dhe e bën kapacitetin e bashkisë për ta përballuar këtë shumëfishim popullate me fondet që kanë në dispozicion, shumë më të dobët.

Edhe në këtë aspekt, do fillojmë një proces, fillimisht vitin e ardhshëm në katër zonat më kritike dhe pastaj me të gjitha zonat bregdetare, për t’u ardhur në ndihmë bashkive dhe për të krijuar një aleancë me to, në funksion të përballimit të asaj mbingarkese popullate që është përtej mundësive të një bashkie.

Ama, këtu ka një tjetër arsye për të reflektuar sepse kemi një model, që është një model që e bën edhe më shqetësues situatën, që tregon që përtej të gjitha shtrëngimeve financiare apo problemeve të natyrës subjektive, që lidhen me mendësinë e njerëzve, lidershipi i bashkisë dhe organizimi i bashkisë luan një rol që mund të arrijë deri në pikën që t’i kapërcejë këto probleme dhe të mos ua hedhë këto problem syve qytetarëve apo turistëve, që është bashkia e Lezhës.

Bashkinë e Lezhës kemi një pasqyrë komplet të ndryshme nga pjesa tjetër dhe bashkia e Lezhës, as nuk ka ndonjë taksë marramëndëse për pastrimin, as nuk ka ndonjë mbështetje speciale nga qeveria apo forca të tjera, por ka vetëm një skemë organizimi dhe menaxhimi të mbetjeve gjatë sezonit, përmes së cilës arrin të garantojë një mjedis, që në mos qoftë  100% i shkëlqyer nga pikëpamja e pastërtisë, është në një kuotë shumë të lartë pozitiviteti, në raport me pastërtinë. Që do të thotë që është dhe një çështje organizimi të brendshëm, padiskutim.

Për këtë besoj se të gjithë kryetarët e bashkive bregdetare, që janë përballë një sfide jashtëzakonisht të madhe dhe jo të zakonshme, në raport me të tjerët, sepse e thashë, përballet me një fluks shumë të rritur popullsie në periudhën e sezonit, ia vlen që ta shikojnë dhe ta kosnultojnë modelin që ka ngritur Lezha, në mënyrë që të përfitojnë prej tij ato elemente të praktikës së mirë që mund t’u shërbejë atyre.

Thënë kjo, është shumë e rëndësishme që ne në sezonin e ardhshëm të adresojmë dhe problemin e administrimit të plazheve në vetvete, në raport me ligjin, në raport me sensin e barazisë mes qytetarëve që kanë mundësi apo që duan të aksesojnë territore që administrohen nga privatët dhe të tjerëve që duan të jenë në plazhe publike, por dhe në raport me pastrimin, për të rritur cilësinë e mirëmbajtjes edhe të pastrimit, edhe në zonat e administruara nga privatët, që jo të gjitha janë shembull pastërtisë, që duhet të jenë faktikisht.

Është një e ardhur e konsiderueshme që marrin bashkitë për hir të vërtetës nga dhënia e plazheve në administrim dhe është një praktikë ndërkombëtare, e kanë të gjitha vendet, por nga ana tjetër, është e domosdoshme që sëbashku e këtu sigurisht roli i bashkive është kyç, të adresojmë edhe atë aspekt që qytetarët e kërkojnë me ngulm që është aspekti i ndëshkimit, i gjobave, por në fund të ditës, i gjithë ky zinxhir institucionesh që janë në përgjegjësi permanente, nuk funksionon në rast se policia e shtetit nuk e përfshin krimin mjedisor si pjesë të punës së vetë të përditshme, që e ka për detyrë me ligj, e ka për detyrë me të gjitha ndryshimet strukturore që janë bërë gjatë gjithë këtyre viteve, por që vazhdon ta ketë dobësi këtë aspekt sepse nuk është në traditën e vet. Deri përpara disa vitesh, policia e shtetit ishte komplet e shkëputur nga krimi mjedisor dhe krimi mjedisor supozohej se do luftohej me inspektorë apo me policë bashkiakë. Nuk është e mundur. Nuk ndodh, nuk është e mundur që kamionët e inerteve që venë e vinë lirshëm nëpër qytete e që hedhin inertet nëpër pika të paautorizuara, duke krijuar drama mjedisore të mund të kontrollohen nga policitë bashkiake apo nga inspektorët. Është policia e shtetit ajo që duhet të garantojë që asnjë kamion me inerte të mos shkojë askund tjetër përveçse në pikat e autorizuara nga bashkia dhe të autorizuara nga bashkia mbi bazën e të gjitha standardeve të miratuara nga Ministria e Mjedisit sepse për fat të keq, në një numër rastesh alarmante, ka bashki, të cilat autorizojnë pika të paligjshme. Pra, autorizojnë biznese që të hedhin inertet nëpër pika që janë komplet të paautorizuara e që nuk figurojnë as në hartë si pika fundore. Janë disa bashki, që nga bashkia e Malësisë së Madhe, deri tek bashki në qarkun e Elbasanit, po i marr dy shembuj nga veriu drejt jugut, deri tek bashkia e Himarës apo bashkia e Sarandës, që mbyllin sytë përballë situatave të tilla, ndërkohë që minimumi nuk duhet t’ia lejojnë kurrë vetes që t’u shkelin syrin atyre që disponojnë këta kamionë e maksimumi duhet menjëherë të vënë në dijeni Policinë e Shtetit për këtë situatë. Është e paimagjinueshme!

Për ta mbyllur sepse siç tha ministrja, është e rëndësishme që ta shfrytëzojmë këtë moment edhe për të folur të tjerët këtu, ne duam që ta fitojmë këtë sfidë që është një sfidë që nuk ka lidhje me politikën, nuk ka lidhje me partitë, nuk ka lidhje me asgjë tjetër, përveçse me të qenit njerëz të përgjegjshëm, qytetarë të denjë dhe një popull dinjitoz në raport me pastërtinë. Ne duam ta fitojmë këtë sfidë sepse është e paimagjinueshme që Shqipëria të njolloset nga pisllëku në sytë e turistëve.

Është e paimagjinueshme që Shqipëria të jetë një vend ku pisllëku është i legalizuar në sytë e fëmijëve.

Është e paimagjinueshme që Shqipëria të mos arrijë dot që gjithë këtë bukuri magjepsëse nga veriu në jug, të mos e vërë komplet në dispozicion të ekonomisë dhe të zhvillimit, gjë që fillon nga pastërtia.

Është tërësisht e provuar, të gjitha të dhënat e marra nga historia e zhvillimit të vendeve turistike që pastërtia është një nga elementët thelbësorë të rritjes së turizmit dhe të ekonomisë i njëjti vend i bekuar nga Zoti me bukuri mahnitëse, mund të ketë dy ekonomi të ndryshme në varësi nga fakti nëse është i pisët apo është i pastër.

Fatmirësisht, Shqipëria nuk është një vend i ndotur dhe nuk ka problem atë që kanë problem vendet e industrializuara me ndotjen. Shqipëria nuk e ka këtë problem, Shqipëria nuk është një vend i ndotur nga industritë.

Shqipëria nuk është një vend i ndotur nga zhvillimi që prodhon helme dhe që sjell pasoja të prodhimit e të përpunimit të kimikateve e kështu me radhë, që është një fat i madh, por Shqipëria ka problemin e ndotjes së krijuar nga njerëzit. Ky është një turp i madh që ne nuk mund ta lëmë që të bashkëshoqërojë të gjithë rrugën e gjeneratës sonë e nuk mund të kënaqemi me një progres relativ. Sigurisht, është sot më e pastër Shqipëria se sa ishte dje, por në raport me si duhet të jetë Shqipëria sot, me volumet e plehrave që vazhdojnë dergjen rrugëve, është absolutisht turp për ne të gjithë dhe kur them për ne të gjithë, e filloj nga vetja e deri tek qytetari më i fundit që e ka në ndërgjegjen e vetë hedhjen e mbeturinave në rrugë. Është e papranueshme. Ne duhet ta bëjmë këtë për fëmijët tanë, ne duhet ta bëjmë këtë për ekonominë tonë, ne duhet ta bëjmë këtë për dinjitetin tonë. Nuk mundet ne të pajtohemi më këtë.

Po ju them një fakt. E filluam këtë plan tek pylli i Sodës. Po bëhet afro 1 muaj. Tek pylli i Sodës, a e imagjinoni që vazhdon pastrimi? Domethënë që nga ajo ditë deri më tani, nuk kanë mbaruar akoma plehrat dhe çfarë është konkluzioni? Plehrat në pyllin e Sodës kanë 30 vjet, pra jemi duke pastruar një territor, ku hedhja e plehrave është kthyer në fenomen arkeologjik. 30 vjet! Domethënë 30 vjet nuk ka shkuar këmbë njeriu nga bashkia e Vlorës të pastrojë pyllin e Sodës dhe ajo që është akoma më e tmerrshme është që sa më thellë të futesh në atë pyll, aq më shumë ndeshesh me plehra, që do të thotë që dhe kur kanë bërë sikur kanë shkuar, i kanë marrë plehrat dhe i kanë shtyrë më thellë dhe ky është një moment që duhet ta kthejmë në një moment oportuniteti, sepse nuk mban më kjo punë. Është e paimagjinueshme!

Prandaj duhet të bashkojmë forcat. Bashkitë kanë kusuret e tyre, qeveria ka kusuret e veta. Të gjitha institucionet e tjera kanë kusuret e tyre. Policia e shtetit ka kusuret e veta, të gjithë sëbashku tani duhet të bëjmë çmos që në radhë të parë secili të bëjë të vetën, sepse kusurin më të madh këtu e kanë individët që e bëjnë të pamundur këtë betejë, pasi imagjinoni për një moment sikur në Gjermani apo në Francë apo dhe në Zvicër po të doni, të hidheshin plehra nga dritaret e makinave, nuk do mjaftonin dot ushtritë që të mund të pastronin.

Po ju tregoj një episod që e kam të fiksuar në kokë, që nga koha përpara përmbysjes së komunizmit, kur kemi shkuar të luajmë basketboll jashtë vendit dhe kemi kaluar në një park dhe dikush nga ne ka këputur një lule. Aty nuk kishte as polic. Në hotel na ka ardhur inspektori dhe pastaj mësuam që denoncimi ishte bërë nga një qytetar atje. Një qytetar, për një lule të këputur në anë të rrugës, kishte lajmëruar policinë. Policia kishte marrë të dhënat dhe na kishin ardhur nga mbrapa deri tek hoteli, për një lule. Që do të thotë që nuk është çështje policie, nuk është çështje bashkie, nuk është çështje ushtrie, nuk është çështje koshash, nuk është çështje gjobash, është çështje vetëdije qytetare. Në radhë të parë mos ndot vetë. Në radhë të dytë nëse shikon dikë që bën këtë gjë, mos hesht dhe kemi tek komisariati dixhital një rubrikë të veçantë për krimin mjedisor dhe të gjithë qytetarët që janë të interesuar të marrin pjesë në këtë përpjekje, mjafton që të fotografojnë një situatë kritike me plehra, të fotografojnë dikë që u vë zjarrin plehrave në mes të lagjes, të fotografojnë dikë që i hedh plehrat nga makina, të fotografojnë një kamion me inerte që i vjen aty tek fshati i vetë apo tek lagja e vet dhe hedh inertet e ta çojnë tek komisariati dixhital e policia pastaj të mund të reagojë.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.