Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kampusi i ri i Fakultetit të Studimeve Profesionale që po ndërtohet në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, është një ndër investimet e qeverisë, pjesë e procesit të përmirësimit të infrastrukturës mësimore dhe laboratorike të institucioneve të arsimit të lartë.

Ky investim do të vihet në shërbim të 1700 studentëve dhe 80 pedagogëve të stafit akademik të këtij fakulteti dhe parashikon ndërtimin e një godine bashkëkohore me 30 auditorë, 15 laboratorë shkencorë, salla konferencash, terrene sportive dhe ambiente rekreative, pishinë dhe park. Zhvillimi i kampusit do të vijojë më tej me një kompleks rezidencial për akomodimin e studentëve që vijnë nga rrethet e tjera.

Kryeministri Rama ishte sot në Durrës, në kantierin ku aktualisht po punohet, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dhe Kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako, i shoqëruar nga Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Shkëlqim Fortuzi.

“Jemi në një prej investimeve të kantierit në universitetin e Durrësit, ku tashmë jemi në një fazë të avancuar të punimeve për ndërtimin e fakultetit të studimeve profesionale. Një fakultet i cili tashmë ka marrë vlerën e vet dhe për arsyen se numri i studentëve është në rritje për çdo vit.  Është vërtetë një investim që do ndryshojë rrënjësisht të gjithë cilësinë e mësimdhënies në studimet profesionale dhe jo vetëm sepse fakulteti do ketë 30 auditore, 15 laboratorë të shkencave teknike, duke përfshirë këtu laboratorë të mekanikes, të navigacionit, të shkencave mjekësore teknike sepse janë të gjithë të kombinuara. Gjithashtu, do ketë dhe ambiente rekreative për studentët. Janë planifikuar fushat sportive, por dhe një pishinë për ta bërë këtë kampus, një kampus vërtetë optimal me standardet më të mira europiane. Janë parashikuar tarracat e gjelbra, investimi për terrenet sportive. Ajo që është e rëndësishme është që ky objekt ka planifikuar dhe bibliotekën dhe laboratorët, gjë që është praktikisht zgjeron kapacitete e studimeve në degët profesionale.” – shpjegoi Ministrja Manastirliu, teksa theksoi se: “Janë mbi 1700 studentë, të cilët do të përfitojnë nga ky investim i ri dhe sigurisht ky investim i hap rrugën dhe investimit tjetër që së bashku me kryetaren e bashkisë e kemi diskutuar që në ambiente ku janë dhe prona të universitetit të mund të ketë një rezidencë për studentët duke kombinuar dhe me shërbime të tjera publike të vlefshme.” – u shpreh ajo.

Duke folur për investimin e ri dhe zgjerimin me një rezidencë për studentët, Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Shkëlqim Fortuzi tha se: “Nga jashtë Durrësit vijnë rreth 3000 studentë, nga rrethe të largëta si Peshkopia, Kukësi, Librazhdi plus kemi kërkesë dhe nga studentë të huaj. Aktualisht kemi 9 studentë nga La Sapienza, nga Gjermania dhe nga një universitet francez. Me investimin e ri do të ndërtohen 15 laboratorë të tjerë të rinj. Do të mbyllim ciklin si një universitet bashkëkohor modern. Sa i përket ndërkombëtarizimeve, aktualisht kemi eficente 7 programe studime të përbashkëta me universitete europiane.”

 

Nga ana e tij, kryeministri Rama tha se është diskutuar prej kohësh për një program të veccantë për të bërë rezidencat e studentëve. “Ne në fakt e kemi diskutuar, – na hyri në mes rindërtimi sepse ra tërmeti, – por e kemi diskutuar që do të ndërtojmë një program të veçantë për të bërë rezidencat e studentëve sepse është shumë më mirë të bëjë qeveria në bashkëpunim me bashkinë dhe natyrisht me një qera që është shumë më modeste se qeraja që detyrohen të marrin dhe në njëfarë mënyre dhe investimi lahet në një kohë të gjatë. Tani që përgjithësisht rindërtimi është mbyllur, ka dhe disa gjëra që kanë mbetur sepse ka një numër familjesh që nuk kanë aplikuar në kohë por ndërkohë u takon dhe me atë grup do merremi sepse dhe këtu në Durrës kemi dhe do ta bëjmë këtë. Këtu duhet marrë një arkitekt që bëjë një masterplan të plotë të të gjithës sepse këto janë bërë copa copa në kohë të ndryshme.” – u shpreh Kryeministri Rama.

 

 

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.