Zona e Shëtitores së Plazhit të Durrësit ishte ndalesa e radhës e kryeministrit Edi Rama në vazhdën e inspektimeve që po zhvillon në qytet. Shëtitorja nga Ura e Dajlanit deri tek Godina e Kavalishencës po i nënshtrohet rehabilitimit dhe fytyra e re që do të marrë, do t’i japë më shumë vlerë si shtëpive, ashtu dhe hoteleve dhe bizneseve të tjera të zonës.
“Jemi në dy kantiere që janë të vendosura paralelisht. Njëra është vazhdimi i shëtitores e cila mbyll pjesën e shëtitores. Një pjese e shëtitores bashke me pjesën e aktiviteteve përgjatë shëtitores, gjelbërimin. Ndërkohë që trajton dhe pjesën e fasadave, një pjese të mirë të fasadave të pallateve me sistem termo izolim kapot. Kontrata e dytë është kontrata e rehabilitimit të bregut. Këtu ka patur një fenomen në vite të erozionit dhe praktikisht deti kishte ardhur deri afër pallateve dhe do mbushet rëra duke krijuar një hapësirë rreth 100m gjerësi e cila praktikisht ka për ta bërë një nga plazhet më të bukur në gjithë rajonin për shkak të gjerësisë së saj. Aktualisht jemi duke punuar për një projekt të tretë që është në një fazë konceptimi për të krijuar dhe njësi shërbimi turistike përgjatë gjithë kësaj vijës së re bregdetare që na është krijuar. Kjo kompleton gjithë ndërhyrjen në këtë zonë”, – tha drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.
Shëtitorja do të kompletohet me 520 pemë dhe palma të cilat do të mbillen përgjatë gjithë vijës së saj. “Për të gjithë frekuentuesit e plazhit të Durrësit dhe për të gjithë ata që prej vitesh ndjekin çfarë ndodh, falë kësaj zonjës këtu, kryetares së bashkisë, shoqes sime Anit dhe me mbështetjen time dhe tonën, dhe falë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, plazhin do ta zgjerojmë duke marrë det 100 metra dhe do të kemi një plazh të jashtëzakonshëm dhe gjithë ajo ‘ngrënia’ që ju bë plazhit me katrahurën e viteve të lirisë, demokracisë dhe çmendurisë do të mbetet histori dhe vetvetiu i gjithë brezi i parë do të fitojë një plazh shumë më të gjerë, ndërkohë që në mes, bashkia do ketë pronën e vetë ku do të krijojë bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me Agjencinë Kombëtare të Investimeve një sistem pikash shërbimi të bukura siç janë në plazhet më prestigjioze të botës. Pika shërbimi dhe pika për fëmijë, të moshuar, në mënyrë që këtu të jetë një shpërthim i jetës turistike siç i takon Durrësit”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Projekti pritet të mbarojë para hapjes së sezonit të ri turistik. Kjo pjesë e bregut të Durrësit ka qenë shumë e amortizuar, ndërkohë që me përfundimin e ndërhyrjes, zona pritet të marrë një hov të ri zhvillimi.