Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Hyrja e qytetit të Fierit do të ketë së shpejti një pamje të re, falë një projekti transformues të shumëpritur nga komuniteti fierak. Ky projekt mundëson rikonstruksionin e rrugës “Çeligrad” me gjatësi rreth 1,2 kilometra, e cila  ndodhet në lagjen “Mbrostar Ferko” dhe shtrihet nga përfundimi i rrugës “Kastriot Muço” deri tek Bypass-i.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet në kantier, së bashku me Zv/Kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe Kryetarin e Bashkisë së qytetit Armando Subashi.

Aktualisht në kantier po kryhen punimet për vendosjen e shtyllave të ndriçimit publik dhe punime të gjelbërimit, si dhe janë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e trotuarëve.

“Kjo është një tjetër vepër e Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Vepër, e cila dorëzohet javën e ardhshme. Kjo është hyrja ose siç njihet nga zona, Çeligradi. Këtu është bërë gjithë mobilimi urban, jo vetëm rruga, jo vetëm zgjerimi. Më pas kemi ndryshuar projektin për të bërë dhe trotuaret, por dhe gjithë mobilimin urban, ndriçimin, pemët që janë mbjellë.”  – shpjegoi Zv/Kryeministrja Balluku.

Ndërkohë që, Kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi tha se kjo rrugë ka një rëndësi dyfishe, pasi është porta hyrëse dhe dalëse e qytetit.

“Çeligradi është porta hyrëse dhe dalëse e qytetit në raport me autostradën e bypass-it, qendra e qytetit që këtu është jo më shumë se 2 km. Gjerësia është rreth 10 metra. Në pjesën tjetër të rrugës, kemi parashikuar dhe është zbatuar një projekt. Shumë vite më parë, aty ka qenë kanal kullues, nuk e kemi eliminuar, e kemi futur të gjithën me turbino, me puseta kontrolli dhe kjo do të krijojë mundësinë që gjithë këto toka bujqësore, për aq kohë sa të jenë të tilla dhe të vazhdojnë të prodhojnë, do kenë mundësi të realizojnë kullimin me sukses duke u derdhur te kolektori në fund. Shpresojmë që për shumë pak ditë, kjo të përfundojë. Kjo ka qenë një zonë rurale, tani është duke marrë zhvillim.” – detajoi, Kryetari i Bashkisë Subashi, teksa theksoi se  “Është duke u zbatuar projekti për kanalizimin e ujërave të zeza dhe ujësjellsin në dy zonat periferike të Fierit, sepse qendra është e zgjidhur sot që flasim. Ka ujë 24 orë. Ka filluar këto ditë pastrimi, hapja e vendit për fazën e tretë të Gjanicës. Një nga projektet e shumëpritura dhe po të imagjinojmë, pas disa muajsh kur të përfundojë, krijojmë një shëtitore rreth 5 km nga jugu i qytetit në veri.” – u shpreh ai.

Ndërkohë ka filluar puna për një rrugë kryesore që do lidhë qytetin e Fierit me bregdetin, që është rruga e Darzezës. Është bërë një rikualifikim në parkun e Apollonisë për të lidhur bypass-in, parkimin dhe hyrjen e parkut të Apollonisë.

Në të gjithë pjesën përtej Fierit, janë duke u bërë ndërhyrje nëpër rrugë me shtresa asfaltimi, si rruga e Cakranit apo Ballshit. Gjiuthashtu, janë prekur të gjitha pikat në territor për të krijuar një lloj sinergjie, në raport me zhvillimin, jo vetëm në zonën e qytetit, por edhe zonën rurale, bujqësore.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.