Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi dhe ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi drekoi në familjen fermere të Nderim Marrës në Kozarë, Kuçovë, i cili është një shembull suksesi për zonën, pasi falë punës së tij ka ngritur 5 dynymë sera të mbjellë me perime. Gjatë drekës u fol për skemat e mbështetjes edhe për fermerët e këtij fshati që është përfshirë edhe në listën e “100 fshatrave”.
Kryeministri Rama nxiti edhe njëherë fermerët të bashkohen në mënyrë që të përfitojnë subvencione nga qeveria. “Ne duam të ndihmojmë vetëm ata që duan të rriten, jo ata që duan të mbeten të vegjël. Të rritesh duke u bashkuar, të marrësh shumë më tepër subvencion, të mos paguash TVSH dhe të zhvillohesh,” u shpreh Kryeministri, duke risjellë në vëmendje edhe orientimin e fermerëve drejt kulturave produktive bujqësore. “Historia e patates në Maliq që kthehet gjithmonë në problem dhe është shumë e qartë pse kthehet në problem, se nuk ka mundësi të dalë në treg, jo se nuk i japim ne mundësi, por s’ka treg, se konkurrenca është shumë e fortë, ka Divjakën, ka Kukësin, ka Kosovën. Ndërkohë që, nëse ata mbjellin mollë, ata janë fitimtarë. Janë përcaktuar të gjitha drejtimet. Ne do subvenciojmë aty ku janë drejtimet. Ti je i lirë të dalësh nga drejtimet. Do të eksperimentosh, të mbjellësh mollë në Divjakë? Është puna jote, por këtu mos kërko. Ndërkohë që, duke u mbështetur në këto drejtime, jemi të sigurt që rrisim eksportin dhe nuk diskutohet që kemi mbështetur tregun”, theksoi më tej kryeministri Edi Rama.
Edhe kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani u shpreh se kjo zonë ka potenciale për eksport, ndërsa theksoi se është punuar edhe në sistemin e ujitjes dhe të kullimit, gjë që ka sjellë si rezultat rritjen e sipërfaqeve të serave. “Kjo zona këtu është një zonë që e ka kuptuar dhe janë orientuar për kulturat. Kur flasim për sera, sigurisht që sot kultivohen ato që janë për tregun e brendshëm, nesër, edhe ato që janë për eksport, siç është zona e Kutallisë. Por ajo që ka shumë rëndësi është që çdo vit, këtu rriten sipërfaqet me sera. Njerëzit e kuptuan që ka goxha interes. Vitin e kaluar kemi bërë goxha punë të mira për sistemin e kullimit dhe vaditjes. Kemi sivjet një projekt shumë të mirë që do financohet nga Ministria e Bujqësisë,” tha Kapllani.