Kryeministri Edi Rama prezanton në Kuvend sintezën e programit të qeverisë së re:
I nderuar Kuvendi i Shqipërisë,
Shkëlqesi ambasadorë,
Miq të ftuar,
Përsëpari, në emër të shumicës së re kuvendore dhe të të gjithë zgjedhësve tanë, i uroj zyrtarisht Kryetarit të Kuvendit, zgjedhjen në detyrën e lartë.
I nderuar kryetar,
Asnjëherë s’kam qenë më i sigurt sesa në votimin e dy ditëve më parë, që investimi i votës sime për një individ, do të kthehet plotësisht në një përfitim publik.
E dëgjova me vëmendje fjalën tuaj inauguruese dhe e nënshkruaj çdo rresht të saj.
Jam i bindur se nën drejtimin tuaj, kjo shumicë qeverisëse nuk do të tolerohet në asnjë rast dhe për asnjë arsye, të përdorë forcën e numrave, për të shkelur vijat e kuqe që përcakton libri i rregullave të bashkëjetesës në këtë Kuvend.
Jam po njësoj i bindur që nën drejtimin tuaj, axhendat partiake apo kuturisjet individuale nuk do të marrin më peng rendin e punëve të ditës së këtij Kuvendi.
Ne do të vijmë këtu çdo ditë, për katër vjet me radhë, në seancën plenare e në komisionet parlamentare, me qëllimet e mëdha të programit tonë qeverisës.
Jemi të vetëdijshëm për gabimet dhe për defektet tona në aktivitetin parlamentar dhe politik të katër viteve të shkuara; ashtu siç jemi të vetëdijshëm, për barrën e shtuar të përgjegjësisë së këtij mandati të ri, ku nuk ka as kohë, as arsye, po mbi të gjitha as moral, për të vazhduar në rrugën “Avazi i Vjetër”.
Me këto parasysh do të synojmë të jemi, sot e katër vjet me radhë, forca e shembullit, jo shembulli i forcës.
E di që është shumë më e lehtë ta thuash, sesa ta bësh. Por ne hyjmë në këtë legjislaturë të re me të gjithë vullnetin e mirë, për ta bërë ndryshimin që Shqipëria kërkon edhe nga ky Kuvend, nga kjo sallë, duke e nisur nga vetja këtë ndryshim të domosdoshëm.
Ky vit, ku konflikti dhe mirëkuptimi mes nesh, qeverisë dhe opozitës, kulmuan që të dyja, si asnjëherë më parë, brenda një harku shumë të shkurtër kohe, na ka dhënë një mësim të rëndësishëm. Uroj që edhe kolegët opozitarë ta kenë marrë dhe ta kenë kuptuar këtë mësim.
Ne kemi kuptuar që e kemi pasur gabim, kur mendonim se durimi me këtë opozitë që kemi nuk i’a vlen, se në fund asgjë nuk ndryshon.
Kemi gjykuar gabim, kur çdo sulm përtej kufijve etike të opozitës e kemi skualifikuar për shkak të shëmtisë së pajustifikueshme të formës, pa e analizuar sidoqoftë, arsyen burimore të sulmit.
Personalisht, kam mësuar edhe të tjera gjëra me rëndësi nga ky vit, por ndjesë që nuk i ndaj dot me ju, sepse konkurrentëve u tregohen vetëm ato që duken.
Ja edhe diçka tjetër që doli vetiu, duke e shkruar këtë fjalë; jo armiq, asnjëherë, po as kundërshtarë. Ju jeni konkurrentë dhe ne nuk kemi ardhur këtu për të luftuar me ju, po me idetë e me politikat tuaja. Shpresoj të jetë kështu edhe për ju!
Ne jemi me ju në një garë, shpesh me gjakra të ndezur, se kush i fiton zemrat e mendjet e njerëzve, duke luftuar secili me të tijën dhe secili duke menduar se e tija është më e mirë se e tjetrit, për njerëzit e për vendin.
Në këtë pikë vlen të përmendet një tjetër mësim i këtij viti:
25 qershori provoi edhe njëherë, këtë herë edhe më qartë se të tjera herë, se në Shqipëri nuk fiton kush i fryn më shumë zjarrit të konfliktit; kush akuzon, shan e fyen më shumë tjetrin dhe bllofon më shumë me kartat e veta; kush i qan më shumë ditën hallet e miletit, pasi ka numëruar natën sa ka nxjerrë për vete nga shqepja e shtetit dhe zhdëpja e qytetarit.
Në një nga ditët e protestës së opozitës, e cila pararendi për disa muaj me radhë zgjedhjet, kryetari Basha doli në protestë bashkë me vajzën e tij të vogël.
Nuk e risjell këtu atë episod për ta komentuar, aq më pak për ta gjykuar. Por sepse, në fund fare, qofshim në qetësi, a qofshim në konflikt, qofshim në të drejtë, a qofshim në gabim, gjithçka që ne bëjmë, lidhet me fëmijët tanë. E në këtë punën tonë, e cila është shumë më shumë sesa e jona, ne duhet të mos e harrojmë asnjëherë, se në çdo gjë që bëjmë keq, u bëjmë keq fëmijëve të gjithë Shqipërisë.
E ardhmja e fëmijëve tanë është prioriteti ynë themelor si prindër dhe përpjekjet tona si individë, po në rastin konkret, edhe si udhëheqës apo përfaqësues të partive e të mbarë popullit shqiptar këtu në Kuvend, janë përpjekje që përcaktojnë shumëçka, për të sotmen dhe gjithçka për të ardhmen e mbarë fëmijëve të Shqipërisë.
Ata ushqehen, vishen, kanë nevojë për kukulla, libra, klasa të mira, topa e fusha sporti dhe nevojat e pritshmëritë e tyre rriten dora – dorës, bashkë me ta. Nëse ne realisht duam të bëjmë më shumë për ta dhe nuk diskutohet që çdokush në këtë sallë do që të bëjë më shumë, le të mbajmë në radhë të parë parasysh më kryesoren; atë që nuk kushton asnjë qindarkë, teksa jeta jonë politike zhvillohet përmes përpjekjeve e kundërshtive tona. Le të mbajmë parasysh, se askush prej nesh këtu, në këtë sallë, nuk u mëson fëmijëve në shtëpi tabiatet e vjetra të bashkëjetesës së degraduar brenda këtyre mureve. Askush prej nesh, sado të ndryshëm e në kundërshti me njëri-tjetrin, nuk ua miraton fëmijëve të vet brenda mureve të shtëpisë, atë që rëndom, kush më shumë e kush më pak, ne e bëjmë këtu, me fjalorin joetik e me sjelljen shpesh agresive ndaj njëri-tjetrit, në sytë e mbarë opinionit tonë publik, edhe të vetë fëmijëve tanë.
Shqipëria është një vend i pasur në burime natyrore, po pasuria jonë më e madhe janë njerëzit – dhe ç’është më e rëndësishmja, ne kemi shumë fëmijë, shumë të rinj, me një qasje pozitive, ambicioze, ndaj të ardhmes. Vajza e djem që besojnë tek e ardhmja dhe e duan shumë Shqipërinë.
Shumë prej tyre e kanë lënë vendin në këto dekada, po nuk e kanë zëvendësuar atë në zemrën e në mendjen e tyre. Ata janë larguar e largohen në kërkim të një jete më të mirë diku tjetër. Po ka prej tyre që rikthehen e do të donin edhe më shumë të riktheheshin, për të investuar këtu eksperiencën dhe aftësitë e fituara në vende më të zhvilluara se i ky yni.
Mund të ketë ende plot gjëra në këtë vend, që i pengojnë shumë prej tyre ta konsiderojnë vendimin për t’u rikthyer.
Por le të jemi deri në fund të vërtetë, me veten dhe me ta.
Pengesa më e madhe për rikthimin e tyre, ashtu sikundër dhe shtysa më e fortë për largimin e tyre, i ka themelet këtu, në këtë sallë dhe mbahet në këmbë nga ne, përmes shfaqjeve të përjavshme të këtij Kuvendi dhe të thënave të jetës së përditshme të katundit tonë politik; ku del në pah në mënyrë vrastare për ëndrrat e shpresat e njerëzve dhe e më të rinjve sidomos, hendeku mes katundit të politikës dhe botës së fëmijëve e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.
Unë dëshiroj me gjithë shpirt dhe do të bëjmë çmos, që fituesit e këtyre zgjedhjeve të jenë në radhë të parë, ata që nuk votuan, sepse ende nuk janë në moshën për të votuar: Fëmijët e gjithë Shqipërisë!
Unë dua që kjo qeveri, kjo shumicë qeverisëse të vendosë interesin e fëmijëve në qendër të politikës dhe të shtetbërjes.
Kjo për mua do të thotë shumë më shumë përpjekje të drejtpërdrejta, në funksion të fëmijëve, shumë më shumë shpejtësi e thellësi në reformat që bëjnë shtet, në emër të fëmijëve.
Nuk do ta harroj asnjëherë një stërgjyshe, që gjatë një takimi me pensionistë më tha: “Çdo gjë që ti do t’u shtosh çiliminjve të mi, do të jetë si të më kesh dyfishuar pensionin tim!”
Për çdo familje me tre ose më shumë fëmijë, ne i japim falas librat për fëmijën e tretë, apo të tjerët pas tij.
Ne duam që në harkun e këtij mandati t’ia dalim t’i japim të gjithë këtyre familjeve, me tre ose më shumë fëmijë, një bonus mujor. Ky Bonus i Fëmijës, nuk është vetëm një mbështetje financiare për familjet me shumë fëmijë, por edhe një instrument i provuar në nxitjen e rritjes ekonomike dhe stimulimin pozitiv të demografisë.
Shumë vite më parë, kur drejtoja Bashkinë e Tiranës, u krijua Çeku i Bebes. Një politikë e re, timide padyshim për vetë mundësitë financiare, në mbështetje të fëmijëve të porsalindur e të çifteve të reja, e cila më pas u shtri në të gjithë Shqipërinë. Po qysh atëherë, megjithëse kjo u kthye copy-paste në një politikë qeveritare, jo vetëm shuma ka mbetur fiks po ajo, por edhe zbatimi i kësaj politike ka degraduar. Mjafton të kujtoj se në 2013, në malin e borxheve që trashëguam, një pirg prej afro 6 milionë dollarë ishte borxh ndaj bebeve, prej moslëvrimit të çekut nga qeveria.
Po, ç’është e vërteta, edhe gjatë mandatit tonë të parë, ky detyrim nuk është përmbushur plotësisht dhe me korrektesë të plotë. U kërkoj ndjesë sot, të gjithë fëmijëve dhe prindërve që nuk e kanë marrë në kohë, apo që ende nuk e kanë marrë fare, çekun e tyre.
Padiskutim që, do ta marrin çdo qindarkë që u takon, po ndërkohë ne do të marrim masa që këto vonesa e moskorrektesa, aspak të denja për qeverinë, të mos ndodhin më. Por gjithashtu, ne do ta rrisim çdo vit vlerën financiare të Çekut të Bebes, duke nisur që nga projektbuxheti i vitit të ardhshëm.
Së dyti, ne do të përqendrojmë më shumë vëmendje, energji e burime financiare, tek shkollat dhe edukimi. Mësuesit duhet të bëhen heronjtë tanë në përpjekjen e përbashkët për rritjen e cilësisë së edukimit. U uroj sot, të gjithë atyre, njësoj si edhe nxënësve e nxënëseve, bashkë me prindërit natyrisht, një vit shkollor sa më të mbarë, sa më të suksesshëm, sa më argëtues për të gjithë.
Mësuesit duhet të ndjejnë jo vetëm mbështetjen e qeverisë, po të të gjithëve ne këtu dhe të të gjithë kombit.
Pagat e mësuesve janë rritur, vijimësisht, në vite. Këtë vit ato u rritën shumë ndjeshëm e do të rriten sërish gjatë këtij mandati. Por, po aq e rëndësishme, është të rritet mbështetja morale e publike për ta. Ne duhet t’i mbështesim mësuesit kundër çdo shfaqjeje agresiviteti, apo shprehje mosrespekti në klasë, – qoftë midis nxënësve apo nxënësve ndaj mësuesve, po edhe anasjelltas, kur siç ka ndodhur, mësues të padenjë njollosin të gjithë kategorinë e tyre – çka lejomëni ta rikujtoj, është bërë normë mes politikanëve, edhe në këtë “klasën” tonë këtu.
Prandaj u bëj thirrje sot, kryetarëve të partive dhe të gjithë deputetëve në këtë sallë, – në interes të fëmijëve të Shqipërisë dhe të gjeneratave të tjera – që të rritemi e të vetëdijesohemi të gjithë sëbashku, për dëmin e madh që u bëhet fëmijëve, që u bëhet vajzave dhe djemve të këtij vendi, si pasojë e shfaqjeve të agresivitetit dhe të shprehjeve të mosrespektit mes nesh.
Le të debatojmë me pasion, le t’i mbrojmë me zjarr pozicionet tona të kundërta, le ta kundërshtojmë njëri-tjetrin edhe me ashpërsi, po ju lutem, të mos lejojmë të gjithë së bashku, që bashkëjetesa jonë politike të jetë barku që prodhon modele e shembuj të këqij për fëmijët e Shqipërisë.
Në këtë kontekst do t’ju ftoja të reflektonim edhe më gjerë, për influencën negative mbi gjithë shoqërinë, të modeleve dhunënxitëse të komunikimit e të shembujve të këqij të bashkëjetesës, që ky Kuvend dhe katundi ynë politik ka prodhuar.
Natyrisht, asnjë dyshim, barra më e madhe e përgjegjësisë edhe në këtë drejtim sot na bie ne, shumicës parlamentare dhe qeverisë. Ne do ta mbajmë këtë barrë, duke kultivuar sensin e tolerancës, frymën e dialogut, ndjenjën e mirëkuptimit me konkurrentët tanë, në këtë sallë e jashtë kësaj salle.
Dikur, shumë vite të shkuara, i ndjeri dhe i paharruari Gramoz Pashko, në mesin e të parit konflikt të brendshëm brenda partisë, pat përdorur i pari një shprehje që më vonë e kemi dëgjuar shpesh: “Gjërat që na bashkojnë janë më shumë se ato që na ndajnë.”
E risolla këtu shprehjen e tij, jo për t’ju thënë juve, konkurrentë të respektuar, që kemi më shumë gjëra që na bashkojnë, se gjëra që na ndajnë. Jo! Gramozi dhe Saliu asokohe, si pjesë të së njëjtës parti, kishin më shumë gjëra që i bashkonin, se gjëra që i ndanin. Ndërsa ne jo, ne kemi më shumë gjëra që na ndajnë, se gjëra që na bashkojnë. Por ama, gjërat që ne na bashkojnë janë më të mëdha, sesa gjërat që ne na ndajnë.
Shqipëria dhe reputacioni i saj në botë është një gjë e madhe që na bashkon, apo jo? Unë nuk dua ta besoj kurrsesi se ju e doni më pak se ne Shqipërinë dhe se jeni të qëllimshëm, kur kontribuoni në cenimin e reputacionit të saj në sytë e botës.
Po atëherë, si ka mundësi, pse jemi ne të ndarë tash sa e sa vite, për këtë gjë kaq të madhe?
Kush prej nesh fiton dhe çfarë dreqin fiton, duke e dëmtuar reputacionin e Shqipërisë në sytë e botës?
Absolutisht, askush këtu nuk fiton asgjë. Të tjerë po, dashakeqë të këtij vendi, fitojnë prej shfrimeve të mllefeve të brendshme nëpër kanalet mediatike të botës. Ndërsa Shqipëria veç humbet. Shqiptarët, jashtë a brenda Shqipërisë, veç humbasin.
Atyre që mund të më thonë se i paguajnë lobistët nëpër botë apo media të huaja, për të diskredituar qeverinë e korruptuar e të inkriminuar të Shqipërisë, po jo Shqipërinë, sot unë mund t’u them vetëm një gjë prej gjërave të shumtë që mund të thuhen kundër këtij argumenti joserioz.
Le të mos bëjmë emra vendesh, gjenden kollaj, qoftë shumë afër nesh, apo më larg nesh, ku qeveria dhe opozita përlahen mesvedi bajagi fort. Por ama nga ku, kurrë, për asnjë arsye, konkurrentët politikë nuk marrin rrugët e botës për të njollosur njëri-tjetrin, duke njollosur në fakt vendin e tyre. Madje asnjëherë, si rregull, nuk i artikulojnë në një gjuhë tjetër, kusuret që s’i lënë pa thënë njëri-tjetrit, në gjuhën amtare.
Votat nuk merren, duke mbushur veshët e të huajve me baltë ndaj njëri – tjetrit. Zgjedhjet nuk fitohen, duke financuar apo nxitur të huajt të deklarojnë e të publikojnë sensacione të zymta për këtë vend, që është njësoj i të gjithëve ne, yni dhe i juaji. Pushteti nuk merret, duke shkuar në Bruksel të ndarë si të ishim përfaqësi grupimesh në një konflikt ndëretnik.
Të jem i qartë fare:
Mos të mendojë askush se po i bie vërdallë, duke pasur parasysh thjesht dekriminalizimin a kanabisin, të dyja tema të ngritura me shumë forcë nga Partia Demokratike; problematika reale padyshim, por që sipas meje u frynë, duke kaluar çdo cak e masë në veshët e në sytë e botës.
Hiri i të vërtetës e do të thuhet sot, se opozita luajti një rol real, në shkundjen tonë karshi të dyja këtyre problematikave. Nëse sot, ne jemi në një ofensivë totale dhe me rezultate të paimagjinueshme kundër kanabisit, e kotë të mohohet se edhe opozita pati kontributin e saj.
Dikush prej kolegëve opozitarë, apo të gjithë bashkë mund të ngrihen tani në këmbë e të thonë se po mos ua kishim fryrë kokën partnerëve ndërkombëtarë, s’do ishte ngritur diga e ligjit të pastërtisë së figurës. E cila pengon sot, çdo individ me rekorde kriminale të hyjë në parlament, në këshilla bashkiakë, në administratë.
Dakord, le të mos e debatojmë këtë e ta marrim të mirëqenë kështu siç mendoni ju, por le të provojmë të paktën që problemet e një përmase të caktuar, t’i diskutojmë njëherë së bashku. Të përpiqemi njëherë t’i adresojmë e t’i zgjidhim në shqip, me durim e mirëbesim.
Ashtu sikundër të përpiqemi, dreqi e mori, të ndajmë raportimet e fakteve nga kriminalizimi i shqiptarëve në burimet e huaja të informimit, ku sot flitet paturpësisht në disa qytete për krim etnik shqiptar! Ndaj kësaj besoj se nuk ka asnjë diskutim që ne duhet të jemi bashkë.
Shteti ynë, kushtetuta e tij, drejtësia në këtë shtet, procesi zgjedhor në Shqipëri, paraja e zezë në politikë, media, ekonomi, apo transparenca në përdorimin e fondeve publike, janë gjëra të mëdha që parimisht nuk na ndajnë, por na bashkojnë, apo jo?
Çfarë na pengon të hapim një dialog serioz, të organizuar, të vazhdueshëm dhe të duruar për të mos vijuar edhe katër vjet të tjera në rrugën “Avazi i Vjetër”; për të mos i lënë këto problematika në rrjedhje të lirë, duke u shtrënguar pastaj të gjejmë zgjidhje të minutës së fundit pasi jemi bërë gazi i mbarë botës.
Kush prej nesh fiton dhe çfarë fiton konkretisht, nëse mund të ma thotë, nga barrikadimi për gjithçka dhe gjithnjë përballë njëri-tjetrit me grykët e zjarrit mbi njëri-tjetrin? Absolutisht askush asgjë nuk fiton.
Në emër të shumicës qeverisëse, unë ju shpreh sot të nderuar kolegë, të gjithëve pa përjashtim, opozitarë tradicionalë, apo sezonalë të Partisë Socialiste, gatishmërinë tonë, që të ndërmarrim një nismë të përbashkët, një tryezë të hapur për gjërat e mëdha që duhet të na bashkojnë, të cilat, e përsëris, në numër janë shumë më pak sesa ato që na ndajnë, po në thelbin, në peshën e tyre janë paketa e detyrimeve madhore të partive të vërteta politike dhe të politikanëve seriozë të çdo vendi.
Shqipëria e bashkuar me Europën dhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve janë, apo nuk janë pjesë e kësaj pakete detyruese për të gjithë ne?
Kush prej nesh fiton dhe çfarë fiton konkretisht nga mosmarrëveshjet e konfliktet tona, që kthehen rëndom në pengesa në rrugën e integrimit europian, apo, po njësoj, në vonesa të pajustifikueshme për ta zotëruar axhendën kombëtare të bashkimit të shqiptarëve?
Me të parën dihet dhe gjithkush e kupton çfarë dua të them. Edhe me të dytën dihet se çfarë po them, por që të mos ketë keqkuptime të pafajshme, apo keqinterpretime të qëllimshme, po e bëj të qartë:
Nuk po flas për Shqipëri të madhe, por për një popull të vetëm shqiptar, i cili, edhe pse sot ka dy shtete dhe jeton shumë më mirë se dje edhe në shtetet e tjera rrotull nesh, apo larg nesh, është ende larg së qeni i lidhur në të drejta dhe në detyrime, kompakt në qëllimet e mëdha dhe i unifikuar në përpjekjet drejt tyre, siç janë plot kombe të tjera të zhvilluara.
Madje, edhe vetë gjuha jonë sot, gjuha e unifikuar shqipe është e kërcënuar, pak nga inercia e boshllëkut të shumë viteve tranzicioni ku shkolla e humbi misionin e funksionin e saj, pak nga çorodia vlerore e pjellë prej tranzicionit, e cila vazhdon sot e tërë ditën të na shfaqet në disa forma shqetësuese marrëzie, siç qe së fundmi ajo që përfshiu edhe vetë Heroin tonë Kombëtar Skënderbeun! Njerëz që, për hir të të vërtetës, nuk mund të maten as me zgjatimin e fundbarkut të kalit të Gjergjit, mbinë nga dheu nëpër ekrane, portale dhe ballina për t’i bërë karshillëk historisë së tij, historisë tonë, historisë së të gjithë fëmijëve tanë.
Aq sa qesharak në marrëzinë e vet, ai episod kërkon analizë, reflektim, reagim, aspak për t’u marrë me perden që, në fakt, nuk e mbuloi monumentin, por, me çka u shfaq duke e përdorur atë perde të montuar mediatikisht, si embrioni i një krimbi kërcënues, dhe dëgjojeni me vëmendje, i një krimbi kërcënues për një ndër kolonat më të rënda mbajtëse të shtëpisë tonë: harmonisë fetare dhe përkatësisë europiane të shqiptarëve.
A e kemi ne, i nderuar Kuvend i Shqipërisë, luksin që të mos bëhemi bashkë për gjëra kaq të mëdha sa vlerat tona identitare dhe sfidat tona, si komb dhe si shtet në Europën ku jetojmë?
Po edhe sikur të çirremi e të shqyhemi për pikëpamjet tona politike dhe për argumentet tona mbi taksat apo mbi koncesionet, kjo nuk duhet të na pengojë të gjejmë të njëjtin zë dhe të qëndrojmë krah për krah, kur duhet folur për Shqipërinë, në emër të vendit tonë, të kombit tonë; kur duhet folur për integrimin europian të Shqipërisë dhe duhen mbrojtur vlerat, liritë dhe të drejtat e çdo shqiptari, të çdo fëmije me gjakun tonë, kudo që jeton mbi tokë.
Një shembull ulëritës:
Flasim dhe flasim, nuk reshtim, për shqiptarët që largohen, por a do fillojmë të flasim pa humbur kohë dhe për fuqinë vendimmarrëse të tyre në këtë vend, e cila do t’i lidhë ata kudo që të jenë, edhe moralisht, përveçse shpirtërisht dhe mendërisht siç janë të lidhur sot me Shqipërinë?
E kam fjalën për jetësimin e të drejtës së votës të çdo shqiptari në emigracion, duke i mundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje drejt e nga aty ku banon, kujtdo ndër bijtë e bijat e këtij populli që dëshiron të zgjedhë parlamentin dhe qeverinë e vendit të vet.
A nuk është kjo një gjë tjetër e madhe që na bashkon dhe për të cilën të gjithë flasim prej kaq vitesh, duke fajësuar në fund të çdo mandati njëri-tjetrin pse nuk u bë edhe kësaj radhe?
Ju ftoj të gjithëve të mos humbasim më kohë, por të ulemi dhe ta bëjmë së bashku realitet votimin e emigrantëve në zgjedhjet politike të vitit 2021.
Kush prej nesh fiton dhe çfarë fiton konkretisht, nëse kjo nuk bëhet? Absolutisht, askush nuk fiton asgjë. Shqipëria po, humbet, humbet shumë më shumë se sa thjesht një pjesë votuesish në zgjedhjet parlamentare. Humbet lidhjen morale të bijve të vet me vendin amë.
Ne do të vazhdojmë ta dinamizojmë politikën tonë të jashtme, duke fuqizuar edhe dimensionin e diplomacisë ekonomike. Nuk dua të zgjatem me detaje në fushat që mbulojnë dhe do të trajtojnë vetë ministrat, një e nga një.
Do të nënvizoj vetëm gjëra shumë kryesore.
Së pari, ne do të punojmë shumë fort për konkretizimin e disa nismave në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, në radhë të parë, brenda suazës së Procesit të Berlinit.
Do të shumëfishojmë gjithashtu përpjekjet, për të konkretizuar më shpejt dhe më shumë prej nismave, tanimë të dakordësuara me Kosovën në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive.
I uroj kryeministrit Haradinaj urtësi, fuqi dhe shëndet në të mirën e Kosovës. Uroj njëkohësisht që të biem dakord për kthimin e kufirit tokësor mes dy shteteve në një kufi europian; pa radha kilometrike dhe kontrolle të tepërta policore, mundësisht qysh prej 1 janarit 2018. Ne jemi gati. Shpresoj që edhe Kosova të jetë gati. Gjithashtu, uroj që bashkimin doganor të Shqipërisë me Kosovën ta bëjmë fakt të kryer një orë e më parë, duke i kthyer doganat në portet e Shqipërisë në dogana edhe të Kosovës. Projekti është gati, i punuar, i konsultuar dhe i dakordësuar mes dy palëve në nivelin teknik. Miratimi nga ana jonë në nivelin politik është gati. Presim vetëm miratimin e Qeverisë së Kosovës.
Së dyti, ne vazhdojmë të besojmë në devizën tonë, “Zero probleme me fqinjët” dhe do të intensifikojmë përpjekjet për të zgjidhur përmes strukturës tanimë të dakordësuar të dialogut problemet e mbartura me të vetmin fqinj sot që kemi probleme, Greqinë.
Mesazhi im për fqinjin jugor është i thjeshtë dhe i qartë: Ne duam miqësi reciproke, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim strategjik.
Për ne, çdo grek që jeton në Shqipëri është anëtar, apo anëtare me liri dhe me të drejta të barabarta i familjes sonë dhe minoriteti grek në tërësi, është një urë tejet e vyer lidhëse mes të dy vendeve dhe popujve tanë, urë për të cilën kujdesi i qeverisë dhe i shtetit shqiptar vetëm do të vijojë të rritet. Por, Shqipëria, pavarësisht halleve dhe nevojave të saj, nuk do të mbyllë asnjëherë as sytë, as gojën, në mbrojtje të të vërtetave dhe të drejtave të veta.
Lejomëni sot të shprehem besimplotë se koha që kemi përpara do të sjellë zgjidhjet e dëshiruara për të dyja palët me dialog real, me këmbë në tokë, jo me deklarata fluturake në distancë dhe marrëdhëniet mes nesh do të ngrihen në një nivel të ri miqësie, respekti dhe bashkëpunimi strategjik.
Së treti, po e nis me një parantezë:
Sot është dita e një kujtimi thellësisht të përzishëm për Shtetet e Bashkuara, 11 shtatorit dhe duke rikonfirmuar në këtë ditë angazhimin tonë të palëkundshëm në krah të aleatit tonë të madh strategjik, dua gjithashtu të informoj se qeveria e re do t’i dedikojë një fond solidariteti viktimave të shkatërrimeve kolosale që fatkeqësia natyrore po shkakton prej ditësh mbi Shtetet e Bashkuara.
Ne do të vazhdojmë të mbështetemi fort tek aleanca strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europian, duke u pozicionuar pa asnjë ekuivok dhe kontribuar me të gjitha mundësitë në çdo front të përbashkët diplomatik, apo ushtarak.
Për ne, sidoqoftë, historia e integrimit europian të Shqipërisë është historia jonë; historia e reformave që duhet të shkruajmë dhe zbatojmë këtu në Shqipëri; historia e demokratizimit dhe modernizimit të këtij vendi, jo sepse na e kërkon Brukseli, apo e gjithë bota bashkë, por sepse Shqipëria Europiane është amaneti i rilindësve tanë dhe detyrimi ynë ndaj fëmijëve tanë.
Padiskutim, çelja zyrtarisht e negociatave vitin e ardhshëm është ajo çka Shqipëria pret dhe meriton dhe është e padrejtë, sipas nesh, që kjo çështje të vazhdojë të zvarritet për arsye që s’kanë lidhje me Shqipërinë, duke nxjerrë në çdo hap sebepe të reja. Megjithatë, asgjë për t’u hatërmbetur. Dihet si funksionon Bashkimi i sotëm Europian dhe vetë ky proces gjithnjë e më i paparashikueshëm si integrimi. Kështu që, nuk na mbetet veçse të bëjmë sa më mirë atë që kemi ne në dorë dhe pavarësisht zyrtarizimit dhe fazave të zyrtarizuara në proces ne ta bëjmë Shqipërinë një vend me standarde, norma dhe mirësjellje si në Bashkimin Europian.
E kemi ne në dorë të reformojmë rrënjësisht qeverisjen, institucionet e gërryera prej vitesh e vitesh të tëra nga korrupsioni dhe sistemin e degraduar prej vitesh e vitesh të tëra të shërbimeve për qytetarët. Dhe do ta bëjmë! Kjo është pjesë e shtetbërjes që nënkupton në çdo hap edhe vetë procesi i integrimit europian. Ne do të shtyjmë fort në këtë drejtim.
Kemi një vizion të plotë dhe një plan të qartë që ka nisur të jetësohet me strukturën e re të qeverisë dhe do të vazhdojë kaskadë deri në bazën e piramidës së shtetit. Parimi i qeverisjes tonë do të jetë: “Më shumë me më pak!”
E kemi ne në dorë të vigjëlojmë mbi procesin e Vetting-ut dhe të shtyjmë përpara në tërësi Reformën në Drejtësi, duke lehtësuar paralelisht barrën e rëndë të shumë hallkave të sistemit të drejtësisë mbi qytetarët dhe mbi vendin në tërësi. Përqendrimi tek Vetting-u është mëse normal. Fokusimi edhe i opinionit publik tek peshqit e mëdhenj është mëse i kuptueshëm. Por, ndërkohë, sistemi ynë i drejtësisë shkatërron përditë shpresa dhe të drejta të shumë e shumë njerëzve të zakonshëm. Ne do të shtyjmë fort, jo vetëm që opinioni publik të shohë prova konkrete të dobisë kombëtare të Vetting-ut, por edhe që në tërësi drejtësia që duam pas katër vjetësh të mos duket më një utopi për njeriun e zakonshëm, siç është dukur sot e 27 vjet.
E kemi ne në dorë të rimëkëmbim çdo shkollë ekzistuese që ende kërkon, edhe pse prej shumë vitesh, dorën e shtetit; çdo dhomë dhe mjedis spitali që po ashtu ende pret prej shumë vitesh dorën e shtetit; çdo rrugë kombëtare që sot lëngon prej dorës së një shteti që në infrastrukturën rrugore në këto 20 e kusur vite ka lënë gjurmët e gishtave të një papërgjegjshmërie dhe paaftësie spektakolare. Dhe do t’i bëjmë!
Një program i madh investimesh do të nisë të zbatohet gjatë këtij mandati në infrastrukturën rrugore, shkollore dhe shëndetësore të vendit, falë të cilit do të hapen edhe shumë vende të reja pune, si dhe do të ndikohet ndjeshëm rritja ekonomike e Shqipërisë.
Partneriteti me biznesin do të hyjë në një fazë të re. Qeveria e re do të ketë një Ministre Shteti për mbrojtjen e sipërmarrjes, de facto figurën e Ombudsmanit, Avokatit të Sipërmarrjes brenda qeverisë.
Edhe bashkëpunimi me sipërmarrjen për të luftuar korrupsionin në administratë, për të pastruar grabitqarët nga zyrat e shtetit, për të lehtësuar ndjeshëm ndërveprimin e biznesit me shtetin do të hyjë në një fazë të re dhe ne nuk do ngurrojmë të përdorim të gjitha metodat e nevojshme jokonvencionale.
Nga ana tjetër, edhe lufta kundër informalitetit do të hyjë po ashtu në një fazë të re, qysh në 100 ditët e para të qeverisjes dhe do të nisë me një ndryshim të ndjeshëm në qasje dhe në rezultate që do të konsolidohet pa ndërprerje për katër vite me radhë.
E kemi ne në dorë të rrisim ende shumë më lart nivelin e sigurisë në vend, të shërbimit policor në territor; të godasim fort çdo “të fortë” që sfidon rendin dhe qetësinë e njerëzve të zakonshëm në komunitet; të vazhdojmë ta ripërtërijmë trupën tonë policore, duke e ulur sistematikisht më tej moshën dhe duke rritur profesionalizmin e saj. Dhe do ta bëjmë!
E kemi ne në dorë të rrisim volumin e investimeve, duke mos e rritur, por duke e ulur borxhin; të kapërcejmë nivelin 5% të rritjes ekonomike në vitin e tretë të këtij mandati; të krijojmë mundësi për 220 mijë vende pune më shumë në librat e llogarive të shtetit; të rrisim përsëri rroga e pensione në harkun e katërvjeçarit, përsëri pa e rritur borxhin; të rrisim më tutje eksportet bujqësore, duke i stimuluar ato dhe më fort dhe duke hequr dorë nga subvencionimet joeficente me frymëzim partiak. Dhe do ta bëjmë!
Do të angazhohemi fuqimisht, në bashkëpunim me pushtetin vendor, pa dallim majtas, apo djathtas, për të mbyllur përfundimisht kapitullin kaq shumëvjeçar të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Po ashtu, do të mbyllim edhe procesin e legalizimeve. Një strukturë e posaçme do të bëjë inventarin e pronave të shtetit që nga rrugët që janë ende, thuhet pronë publike, por mish për topat e sekserëve nëpër hipoteka, deri tek të gjitha tokat e lira bujqësore, apo turistike, të cilat nuk mund të lihen më në dorën e grabitqarëve dhe sekserëve të këtij vendi.
E kemi ne në dorë që turizmin ta kthejmë në një nga burimet më të shtuara të rritjes ekonomike dhe të punësimit në katër vitet e ardhshme. Ta ndryshojmë fort qasjen në këtë sektor. Ta ngremë në një nivel të ri bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe me të gjithë industrinë. T’i rrisim ndjeshëm investimet e brendshme dhe të huaja në turizëm. Dhe do ta bëjmë!
Qysh vitin e ardhshëm, mos prenotoni ikje jashtë, sezoni turistik do të sjellë një erë të re në Shqipëri me siguri të lartë, pastërti shembullore dhe shërbime shëndetësore dinjitoze. Kjo është e arkivuar. Shkollëshumtit në opozitë ta mbajnë mend edhe pastaj ballafaqohemi me realitetin. Unë po ju them mos u harxhoni kot për të ikur jashtë vitin tjetër. Ju si të doni.
Djegia e pyjeve gjatë këtij sezoni meriton një analizë shumë serioze dhe një reagim të fortë dhe efikas qysh vitin që vjen. Reformimi dhe ngritja në një nivel krejt tjetër i Emergjencave Civile është një domosdoshmëri imediate. Dhe do ta bëjmë!
Qasja jonë ndaj mjedisit do të jetë një qasje e re dhe pastërtia e vendit dhe mbrojtja e burimeve tona natyrore do të vihet menjëherë dhe nuk do të lëvizë për asnjë ditë gjatë katër viteve nga rendi i ditës. Shqipëria mund të jetë ende e varfër, por s’ka pse të mos jetë që sot e pastër; mund të jetë një treg shumë i vogël, por s’ka pse të mos jetë një vend shumë i sigurt; mund të mos ketë raketa, avionë, trena të shpejtë, por s’ka asnjë arsye të mos ketë ujë dhe energji për të gjithë, në të gjithë territorin, siguri të garantuar dhe mundësi të barabarta për secilin, zhvillim ekonomik dhe social shumë më domethënës për njeriun e zakonshëm.
E kemi ne në dorë dhe do ta bëjmë!
Natyrisht, çdo dorë që do të na jepni në këtë proces dhe në këtë rrugë ku ne duam të bëjmë një ndryshim historik, ne do ta puthim dhe asnjëherë nuk do ta kafshojmë.
Faleminderit!
***
Kryeministri Edi Rama i përgjigjet pyetjeve të parashtruara nga grupet parlamentare në Kuvend mbi programin e qeverisë:
Duke i falënderuar të dyja grupimet që kanë marrë mundimin të bëjnë pyetjet e tyre e të gjithë autorët apo autoret e pyetjeve, po e filloj me pyetjet e grupit politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si më poshtë:
– Cilat janë prioritet e qeverisë për investimet publike?
E thashë shkurt në paraqitjen time sot paradite, infrastruktura rrugore, arsimore dhe shëndetësore. Për më shumë them që prioritare mbetet sigurimi i financimeve publike në nivelin e 5% të Prodhimit të Brendshëm për Investimet, duke dhënë mbështetjen e duhur buxhetore të rritjes ekonomike. Përsa i përket infrastrukturës thelbi mbetet garantimi i lëvizshmërisë dhe i ndërlidhjes që do të orientojë investimet, me synim zhvillimin e sektorëve të turizmit, të bujqësisë dhe të trashëgimisë kulturore, përveçse atë që nënvizova, rimëkëmbjen tërësore të gjithë sistemit të rrugëve kombëtare. Do të ndërhyjmë në sistemin e rrugëve kombëtare me një projekt madhor që po përgatitet dhe besoj do ta sjellim edhe në këtë Parlament. Ndryshimi në qasje do të jetë thelbësor dhe sektorët prioritarë do të mbështeten jo vetëm nga investimet publike të financuara prej buxhetit të shtetit, por edhe përmes partneritetit publik-privat, si dhe tërheqjes së investimeve të huaja nëpërmjet një sërë lehtësirash specifike për sektorët e rëndësisë së veçantë, që po ashtu do t’ia paraqesim Kuvendit me paketën e re fiskale.
– Sa për qind e Prodhimit të Brendshëm do të dedikohet për arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë, sepse nga programi nuk ka asnjë qartësi si do prioritarizohen me financime këta sektorë?
Leximi i vëmendshëm i programit mbase do ta kishte ezauruar këtë pyetje, po unë jam këtu për t’u përgjigjur. Gjatë gjithë mandatit të parë kemi pasur rritje të konsiderueshme të mbështetjes për shëndetësinë në 3% të Prodhimit të Brendshëm dhe vazhdojmë të shikojmë në drejtim të këtij sektori, me bindjen që për kujdesin shëndetësor të arrijmë në 60-65% të shpenzimeve të përgjithshme të shqiptarëve për shëndetësinë, një shifër që, për kujtesë, e gjetëm vetëm 43% në vitin 2013 dhe të sigurojmë që asnjë familje shqiptare të mos bjerë në varfëri për shkak të shpenzimeve për kujdes shëndetësor. Përsa im përket arsimit dhe shëndetësisë po ashtu jemi të qartë për domosdoshmërinë vazhdimit të mbështetjes prioritare ndaj mësuesve, po edhe mjekëve dhe infermierëve, duke e konsideruar si synim plotësisht të realizueshëm rritjen e pagave të tyre deri në 40% brenda këtij mandati. Po ashtu jemi duke punuar për një skemë të re financimi, për të nxitur mjekët specialistë që të punojnë pranë spitaleve rajonale, apo spitaleve bashkiake jashtë Tiranës. Është ende në diskutim, por ideja është që t’ju ofrojmë këtyre mjekëve specialistë, një pagë të përafërt me atë që mund të përfitojnë pa llogaritur taksat, nëse shkojnë të punojmë ne Itali, për shembull.
Bujqësia do të vijojë të mbetet një degë shumë e rëndësishme në këndvështrimin tonë. Qëllimi është që të ecim shumë më shpejt, me një riorganizim tërësor dhe me fokus të posaçëm në fermat mbi 5 ha dhe zmadhimin e tyre të vijueshëm. Nga ana tjetër, tanimë jemi shumë të qartë që 100% e tokës bujqësore nën ujë është një angazhim tërësisht i arritshëm dhe brenda dy viteve të para të mandatit do të jetë një realitet. Në katër vite, sipërfaqja e tokës bujqësore e ujitshme u dyfishua dhe sot janë 225 mijë ha që vaditen dhe kullohen normalisht, krahasuar me 110 mijë në vitin 2013. Por objektivi mbetet për të mbuluar 100% të asaj toke që është në dispozicion dhe është një tokë bujqësore e punueshme që kërkon ujitje.
– Si do të shpërndahet buxheti i arsimit sipas sektorëve që e përbejnë atë dhe cila nga ministritë është përgjegjësja për arsimin profesional?
Në fakt nuk duhet një njohuri shumë e thellë e reformës dhe e politikës së koalicionit tonë të deridjeshëm mbi arsimin profesional, për të kuptuar se ka vetëm një ministri që mund ta marrë përgjegjësinë e rritjes së mëtejshme të arsimit profesional dhe kjo është Ministria që ka edhe përgjegjësinë e ekonomisë, pra, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila do të vazhdojë punën e nisur për ngritjen e qendrave për arsimit profesional, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe sipërmarrjen pranë secilës prej 61 bashkive, duke vazhduar të thellojmë një proces që ka filluar të japë rezultate shumë inkurajuese. Nga ana tjetër, përsa i përket asaj që në pyetje quhet shpërndarje, por në fakt është nënndarje e buxhetit total për arsimin, 76.7% shkojnë në arsimin parauniversitar, 21% shkojnë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, pjesa tjetër mbetet për sportin dhe për rininë.
– Premtimi juaj është që për katër vitet e ardhshme do të mbulojmë plotësisht 75% të nevojave për ujë në të gjithë territorin. Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë që të shtrish këmbët sa e ke jorganin dhe padyshim që mund ta kishim jorganin sot jorganin ca më gjatë, nëse qeveria jonë e përbashkët e mandatit të parë do të kishte qenë më e përqendruar tek jetësimi i reformës së ujit. Sidoqoftë dua të saktësoj se 75% e nevojave nuk do të thotë që 25% e popullsisë do ta pinë ujin direkt nga shtrati i lumit, apo do ta marrin direkt nga qielli nëpërmjet shiut, por që niveli i furnizimit do të arrijë 75% në raport me 100% që është një normë optimale e vendeve normale të Europës.
Çfarë mund të ketë më të rëndësishme sesa uji për qytetarët shqiptarë?
Në fakt e pranoj, është një pyetje mbi niveli tim dhe mbase Akademia e Shkencave, përpara se të reformohet, mund t’ju japë një përgjigje në nivelin e emocioneve të pyetjes.
– Për familjet në nevojë, cila është paketa sociale, apo sërish do të kemi paketën e lëmoshës?
Programi tradicional i ndihmës ekonomike do të zëvendësohet nga programi mbështetje për riintegrim, i cili do të kushtëzojë dhe njëkoheshiosht do të rrisë ndihmën financiare për familjet e varfra, me përfshirjen e tyre në programe apo në shërbime të ndryshme të personalizuara arsimore, shëndetësore, formimi e punësimi. Po ashtu synojmë rritjen e aksesit në ndërmarrjet sociale, në biznesin sociale dhe në punët komunitare. Besoj që ju që e keni bërë pyetjen e dini, se kemi qenë bashkë një mandat të tërë, që ne e trefishuam ndihmën ekonomike nga 1.5 mijë në 4.5 mijë lekë. Është padyshim pak, po është shumë më shumë seç ishte, ashtu sikundër nga 3 mijë në 8 mijë lekë. Edhe 8 mijë nuk janë aspak shumë, po janë shumë më tepër se 3 mijë lekë. Deri në vitin 2021, ajo që ne kemi qëllim, me programin e ri që e transformon qasjen ndaj familjeve në nevojë dhe e vë fokusin tek riintegrimi, është që në dy familje, një të jetë përfituese e kësaj mbështetjeje për riintegrim dhe e përfshirë në nënprogramin “Shqipëria punon”, me synimin që deri në vitin 2025, shtrirja në kohë e këtij programi të bëjë të mundur që tre në katër familje të përfshihen në këtë kategori përfituesish. Paketa e re e riintegrimit parashikon një rritje të masës së ndihmës, duke e hequr tavanin 8 mijë lekë, që është maksimumi sot për familje. Nga ana tjetër, skema sot është goxha e pastruar në raport me 4 vite më parë, por kërkon rritje të mëtejshme të transparencës dhe kjo do të bëhet si rezultat i shtrirjes kapilare të programit të nisur me projektet pilot të Bankës Botërore në të gjithë territorin.
Do të kemi një paketë të re vlerësimi të aftësisë së kufizuar për 154 mijë invalidë dhe persona me aftësi të kufizuar, duke i rishikuar pagesat e tyre dhe duke ofruar shërbime të plota rehabilituese për ta. E një nga mekanizmat e shumtë që do të ndryshojnë në ristrukturimin tërësor të qeverisë dhe të qeverisjes është se nuk do të lëmë më një hapësirë boshe për aq shumë pisllëk dhe korrupsion midis kërkesave për statusin e aftësisë së kufizuar dhe kempeve, komisioneve, historive me nuk e di sesa vula, që me siguri do kemi rastin t’ia numërojmë publikut, por do ta ristrukturojmë gjithë këtë proces dhe do të krijojmë një lidhje të drejtpërdrejtë midis atyre që janë në nevojë për këtë status dhe spitaleve në mënyre të drejtpërdrejtë, pasi faktikisht spitalet e bëjnë punën e tyre, por pastaj duhet të futet në mes një lojtar gri, njësoj si policia gri për të riverifikuar shumë vulat që merren ndërkohë nëpër spitale.
– A do kemi më shëndetësi falas, apo qeveria është bërë pishman?
Ne s’jemi bërë pishman që qeverisim bashkë katër vjet, jo më të bëhemi pishman për këtë qëllim kaq të lartë të shërbimit shëndetësor falas. Kështu që politika jonë e mbulimit universal në shëndetësi do të vijojë, duke rritur investimet në të gjithë sektorët që lidhen me shëndetin për të ecur sistematikisht drejt horizontit të shërbimit të plotë me mbulim universal. Do vijojmë të mbështesim fort parandalimin dhe diagnostifikimin e hershëm. Financimin publik për kujdesin shëndetsor synojmë ta cojmë në 60-65 % të shpenzimeve totale të shqiptarëve për shëndetsinë. E po ashtu do vazhdojmë ta zgjerojmë ndjeshëm kujdesin shëndetësor pa pagesë sepse faktikisht sot ka një pjesë shumë më të konsiderueshme të kujdesit shëndetësor pa pagesë sesa ç ‘kishte 4 vite më parë.
Dhe për fazën e rehabilitimit të sëmundjes në funksion të shkurtimit të kohës së qëndrimit në institucionet shëndetësore dhe për të pakësuar barrën, që deri më sot përballohet nga vetë buxhetet familjare, ka një hapësirë të konsiderueshme sipas dhe shumë konsultave që kemi bërë me profesionistët e fushës.
Patjetër që do vijojmë bashkëpunimin me institucionet jo publike shëndetësore për të shtuar ofertën e financuar me paratë publike, si edhe për të ulur në afate të pranueshme kohën e pritjes për ekzaminime apo trajtime te specializuara. Kantierin do vazhdojmë ta zgjerojmë me vepra të reja të infrastrukturës spitalore dhe siç e thashë edhe me një program rindërtimi, në të gjithë ato pjesë të spitaleve ekzistuese, duke filluar nga ato rajonale që ende kanë nevojë për dorën e shtetit pas shumë e shumë vitesh.
– Investime për kanalizime dhe largimi i ujërave të ndotura urbane, premtoni deri në fund të mandatit vetëm në nivelin 48 %. Cila është harta e investimeve?
Do tua dërgojmë hartën sapo të hyjmë në zyrë, natyrisht nëse do të gjejmë një të tillë në agjencinë e ujësjellës kanalizimeve, ku me siguri drejtori i emëruar nga ju do na e vërë në dispozicion po qe se kjo hartë ekziston.
– A do kemi prapë në Sarandë, në Ksamil etj, çarje kanalizimesh në kulmin e sezonit turistik? (Një pyetje që kërkon një dell profetik)
Tani të them të drejtën nëse do çahen apo jo tubacionet e ujësjellës-kanalizimeve në zonën e Sarandës, të Ksamilit etj, ku zbatimi i projektit është kontraktuar, financohet dhe supervizohet nga Komisioni Europian, për këtë hidhni një fall pa pjesëmarrjen e shumicës dhe të njëjtën gjë mund të bëni dhe për zonën ‘etj’ që është një zonë e paidentifikuar.
– Çfarë mund të jetë më prioritare sesa uji? Pyetje tjetër, unë besoj se kësaj pyetje iu përgjigja.
-Po bujqësia si mund të konsiderohet sërish prioritet kur thoni që në 4 vitet e ardhshme do buxhetojmë 25 miliardë lek dhe pastaj lidhet dhe me pyetjen tjetër:
– Rreth 200 milionë euro në 4 vite janë më pak se sa buxhetohet sot 50 milionë euro në vit. E dini këtë?
Sesi 200 në 4 vite janë më pak sesa 50 herë 4, këtë, unë nuk e gjej dot. Është një aritmetikë kreative që LSI e ka gjithmonë kur vjen puna te llogaritë.
Ndërkohë ju kujtoj se financimet e sektorëve përfshirë dhe bujqësinë nuk janë vetëm nga buxheti i shtetit dhe këtu mund t’ju llogaris se përveç angazhimit prej 225 milionë dollarësh, janë tre programe mbështetje të drejtpërdrejta për bujqit me 14 milionë.Mbështetja për sektorin dhe zhvillimin rural në tërësi nga fondet europiane me 69 milionë. Mbështetja e Bankës Botërore me 100 milionë. Rreth 95 milionë janë fonde të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për kreditimin e sektorit dhe janë në dispozicion. Kështu që këto janë të gjitha fonde në dispozicion dhe po të shikoni rritja është shumë e konsiderueshme dhe këtu sigurisht është dhe një trashëgimi pozitive për të cilën dua ta falënderoj mikun tim, profesor Panaritin.
– Sa projektohet të jetë minimumi jetik në 4 vitet, nga sot deri në mbyllje të mandatit?
Në fakt nuk ka patur një përllogaritje zyrtare të minimumit jetik në Shqipëri sepse përllogaritja do marrë për bazë disa indikatorë që janë të lidhur me punësimin, me zhvillimin ekonomik, me asistencën sociale dhe mbi të gjitha duhet të marrë për bazë pjesën e fshehur të parasë që paguhet, por nuk deklarohet dhe ne këtë e dimë shumë mirë, që është një fenomen me të cilin kemi marrë disa masa në letër për t’u marrë shumë seriozisht.
-Sa e ka impaktin në buxhet qeveria eksperimentale? Sa largime nga puna, kosto?
Unë nuk e di cila është qeveria eksperimentale, këtë duhet të na i thotë autori ose autorja e pyetjes. Unë nuk mund t’i përgjigjem për një qeveri që s’ka lidhje me mua. Unë këtu jam për t’u përgjigjur për qeverinë e Shqipërisë. Qeveria eksperimentale mund të jetë një fantazi, mund të jetë një realitet, por këtë e di autori apo autorja e pyetjes.
Përsa i përket largimeve nga puna, mos u shqetësoni, administrata për ne është një aset. Padiskutim që pjesa e shëndetshme e administratës është më e madhe sesa pjesa e kalbur dhe padiskutim që në gjithë rikonstruksionin tërësor të mekanizmave qeverisës do të ketë një vëmendje të posaçme për të ruajtur çdo aset me vlerë në administratën tonë, qoftë në shërbimin civil, qoftë në administratën shtetërore që funksionon me kod pune.
-Cilat do të jenë masat që do të merren nga qeveria për eliminimin e analfabetizmit funksional dhe braktisjes së shkollës?
Në fakt rezultatet e para të betejës ndaj analfabetizmit funksional kanë nisur të shfaqen me zbatimin e kurrikulës së re, bazuar në kompetenca. Faktikisht, ne jemi të bindur që brenda këtij mandati me mbylljen e kurrikulës bazuar tek kompetencat, bashkë me mbylljen e ciklit të gjithë teksteve të reja që për fat të mirë nuk i ka aprovuar Akademia e Shkencave, por vijnë nga Oxfordi, nga Cambridge, nga Pearson, – do të kemi përsëri tregues progresi, që kemi shumë besim do të na i japë dhe PISA 2018, që mat edhe analfabetizmin funksional.
Nga ana tjetër, për të reduktuar fenomenin e braktisjes së shkollës kemi një plan konkret, i cili përfshin instrumenta identifikues, skema parandaluese, përmirësim të sistemit EMIS, sistemi i menaxhimit të shkollave dhe një dokument politik ndërministror që adreson problemin në shumë nivele. Por, po ashtu ka një fletë të bardhë në dosje në funksion të arsimit, në dispozicion të gjithë deputeteve dhe deputetëve aktivistë, të LSI që duan të japin kontributin e tyre dhe ne i mirëpresim me krahë hapur.
– Në kuadrin e integrimit europian, barazia gjinore dhe strategjia e luftës kundër dhunës, janë çështje të kapitullit 23 te drejtësia, – cila nga ministritë do të jetë ajo që do të ketë përgjegjësi për çështjet e barazisë gjinore, pasi në programet e paraqitura asgjë nuk ishte e qartë.
As ish-presidenti nuk e kishte të qartë mesa e ndoqa sot dhe faleminderit për këtë pyetje që të sqarojmë edhe ish presidentin. Çështja e barazisë gjinore do të trajtohet si një komponent shumë i rëndësishëm nga 3 ministri. Nga ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme, që për dijeninë tuaj nuk është një shpikje e jona, nuk është një dikaster që nuk ekziston asgjëkundi, ekziston në Europë. E si prioritet të pestë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kuadër të 5 prioriteteve do ta ketë fokus, pasi besoj është bërë e qartë që sot Ministria për Europën dhe Punët e jashtme do të jetë ministria që do të udhëheqë edhe procesin e integrimit. Integrimi nuk është çështje ministrie se po të ishte çështje ministrie Kroacia nuk do ishte në BE se faktikisht për shumë vite para anëtarësimit nuk kishte ministri të integrimit Europian, për të mos përmendur vende të tjera.
Ministria e drejtësisë po ashtu, lidhur me ruajtjen dhe forcimin e mekanizmave për sistemin e mbrojtjes ligjore, në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të grupeve vunerabël. Edhe ministria e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale shumë natyrshëm, në lidhje me politikat e përfshirjes dhe të barazisë sociale, krijimit dhe forcimit të mekanizmave koordinues për barazinë gjinore dhe dhunën në familje. Në programin tonë mbetet objektiv kryesor përmirësimi i kuadrit ligjor dhe institucional si edhe rritja e ndërgjegjësimit për mos diskriminim dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, por mbi të gjitha padiskutim të grave. Ne do vijojmë vendosmërisht ta vlerësojmë barazinë gjinore si një kusht të domosdoshëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm, duke vijuar të promovojmë fort këtë barazi në jetën politike, në jetën administrative dhe sociale dhe duke koordinuar me të gjitha palët këtu, me të gjithë aktorët socialë për qëndrime, nisma, veprime me tolerancë zero, kundër dhunës me bazë ligjore dhe dhunës në familje. Besoj që qeveria e re me barazinë ligjore të plotë, flet më mirë se çdo koment që unë mund të bëj.
– Çfarë mekanizmi do të përdorni për thithjen e 100 miliard lekë investime ?
Partneriteti publik privat dhe financimet nga buxheti i shtetit.
– Në program flisni për investime publike në energjetikë rreth 50 miliardë, ndërkohë premtoni korridorin Adriatik-Jonian i cili kërkon rreth 80 miliardë. A e keni bërë aritmetikën e këtyre investimeve?
Tani ndjesë, u përpoqa u konsultova, por nuk arritëm ta kuptojmë çfarë lidhje ka midis një korridori rrugor dhe një rrjeti energjetik nga pikëpamja aritmetike. Realisht nuk arritëm ta kuptojmë. Ajo që mbase kemi kuptuar është që kush e ka formuluar pyetjen, nuk e ka kuptuar që këto investime nuk kanë lidhje me buxhetin e shtetit.
-Në program nuk përmendi trajtimin e mbetjeve, nuk keni asnjë politikë për to?
Në fakt kemi një politikë shumë të strukturuar të kolegut tonë që tanimë është në radhët tuaja dhe që për shkak të pengesave brenda partisë së tij nuk arriti dot të realizojë një pjesë të mirë të kësaj politike që ne do ta çojmë përpara me shumë vendosmëri.
– Në program nuk keni asnjë incentivë për punësimin.
Ajo që mund t’ju them është që për shkak të injektimit prej 1 miliardë në Programin për Rindërtim si program komplementar me programin e buxhetit të shtetit, do kemi një rritje shumë të konsiderueshme të vendeve të punës.
Tani dhe disa pyetje nga grupimi i PS që përkojnë çuditërisht me një pjesë të konsiderueshme të tërhequra nga një tjetër ish aleat i yni, miku ynë Vangjel Dule. Pyetja e parë është:
-Çfarë do të bëjë qeveria më mirë për të hapur negociatat me BE?
Ajo që unë mund të them shumë hapur dhe shumë drejtpërdrejtë, pastaj është temë për diskutim, çelja e negociatave nuk është më një çështje që lidhet me çfarë bëjmë ne më mirë. Po kthehem pak pas dhe po ju kujtoj që ecuria me 5 prioritetet ishte e tillë që nga komisioni u vendos si pikë fundore, reforma kushtetuese në drejtësi për të hapur negociatat. Reforma kushtetuese në drejtësi kaloi, negociatat nuk u hapën. Pastaj u vu vettingu. Vettingu kaloi dhe sigurisht pritet implementimi i vettingut, por kjo është si ta marrësh, sepse implementimi i vettingut ka nisur. Rezultatet e para do të vijnë shumë shpejt, por nëse për arsyet e veta Bashkimi Europian do kërkojë më shumë kohë, atëherë mund të vazhdojë të thotë, “ vazhdoni thellohuni, thellohuni, me implementimin”. Ne e dimë mirë këtë “thellohuni” se çfarë do të thotë. (Nëse nuk e dini, Luan Rama mund t’jua shpjegojë.)
Pastaj dolën zgjedhjet e lira. Edhe zgjedhjet kaluan dhe të paktën në kuptimin tonë, janë vlerësuar pozitivisht.
Ndërkohë hyri dhe doli, hyri dhe doli, por është dhe aty, s’është dhe aty, – kanabisi. Besoj që, jo ne, por vetë Komisioni Europian, vetë partnerët ndërkombëtarë, do të kenë të gjithë mundësinë të konstatojnë faktikisht në fund të këtij sezoni mbjelljesh, kultivimesh dhe beteje kundër kanabisit, rezultatin spektakolar të kësaj beteje. A do të mjaftojë kjo? Nuk e di.
Tani ka dalë, – nuk e thonë zyrtarisht, s’mund të them, – por ka dalë dhe vërtitet fantazma e “krimit etnik” shqiptar. Sigurisht në media të caktuara e nxitur nga burime, forca të caktuara, por çështja është si dhe sa kjo temë do të mbetet në atë nivel, apo do të kthehet edhe ajo në një lloj kushtëzimi që, “zgjidhni njëherë problemin e krimit etnik shqiptar, pastaj shohim e bëjmë”.
Sidoqoftë, përgjigja ime është gjithashtu e thjeshtë dhe optimiste, sepse reformat e thella që ne po vazhdojmë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit që do ta përshkallëzojmë, implementimi i mëtejshëm i vetting-ut dhe i Reformës në Drejtësi që ne do ta shtyjmë shumë fort, në tërësi modernizmi i shtetit dhe demokratizimi, për të cilin ne do bëjmë gjithçka mundemi dhe shpresoj të kemi dhe mbështetjen, sugjerimet, këshillat e opozitës janë vetë procesi i integrimit europian. Shqipëria europiane është ajo që iu detyrohemi të parëve dhe fëmijëve tanë. Nuk është një detyrë që na e jep Brukseli dhe ne duhet ta përmbushim me siklete dhe buzët varur.
-Si i përgjigjeni pretendimeve se në bregdetin Jon, përkatësisht në zonën e Himarës ka zhvillime urbanistike që bien ndesh me të drejtat e minoritetit, shfaqje arrogance dhe harbutërie nga forcat e rendit dhe të Inspektoratit dhe po ashtu një proces planifikimi për zhvillim në funksion të interesave të të ashtuquajturve “oligarkë”?
Përgjigja mund të jetë e gjatë, mund të jetë dhe shumë e shkurtër. Në atë zonë, si në të gjithë zonat e Shqipërisë po zhvillohet një proces krejt normal dhe krejt integral me atë që po bëhet në të gjithë Shqipërinë në funksion të Rilindjes Urbane, të rigjenerimit urban, të ripërtëritjes urbane. Nuk ka absolutisht asnjë tendence dhe më kujtohet që kam bërë një interpelancë këtu me Vangjelin, i kam thënë dhe përsëri ua përsëris të gjithë atyre që janë të interesuar për këtë temë, qofshin deputetë të Partisë Socialiste, qofshin deputetë të Partisë Demokratike, qofshin të partive të tjera, qoftë dhe vetë Vangjeli që nuk e di i kujt partie është në këtë moment që, të sjellin një dokument të vetëm, një provë te vetme dokumentare që tregon se në atë zonë ka një qasje, apo një veprim asimetrik me çfarë ndodh nga Tropoja deri në Konispol.
Nga ana tjetër, unë nuk e kam dëgjuar kurrë, është hera e parë që e dëgjoj që planifikimi, pra një Plan Rregullues të bëhet për të dëmtuar interesa të caktuara njerëzish që kanë pronë. Kjo nuk ekziston. Është një koncept që nuk ka lidhje me si funksionon një Plan Rregullues, aq më tepër që studioja e projektimit është një studio e njohur dhe drejtuesi i të gjithë procesit të Planit është një vëlla grek.
-A do të sjellë qeveria në parlament gjatë këtij sesioni ligjin e të drejtave të minoriteteve?
Këtu mund të flisja më gjatë, por e vërteta është që ne e kemi miratuar që në muajin prill të këtij viti projektligjin “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë”. I ka ardhur Kuvendit. Pra është në Kuvend. Projektligji është produkt i një konsultimi shumë të gjerë ndërinstitucional. Duhet thënë se premtimi për një projektligj të tillë është dhënë 10 vjet më parë, jo nga ne. Për këtë arsye, ky është një angazhim madhor që besoj është i të gjithëve dhe është një provë e prekshme e faktit që kjo qeveri ka vërtet në fokus të drejtat e njeriut dhe objektivin për të reflektuar në legjislacionin kombëtar një realitet historik të bashkëjetesës në shoqërinë tonë. Do kemi kohë të flasim për projektligjin. E thashë, është në Kuvend, në procedurë. Besoj që s’ia vlen të marrim të gjithë kohën që do doja të shfrytëzoja për të folur këtë projekt. Por projektligji në tërësi ka specifikisht një sërë risish të konsiderueshme, të cilat, ma ha mendja që japin një tjetër shembull të Shqipërisë si një vend me vullnetin e plotë për të rrezatuar një model që, ju siguroj, në rajon duhet ta kenë zili për sa iu përket standardeve më të larta europiane në respektimin e të drejtave të pakicave.
– A mund të jeni më specifik mbi idenë e parandalimit të zjarreve, përmes një organizmi rrënjësor, sikurse u nënkuptua në fjalën e paraqitjes së programit, ndërkohë që u përmend thjesht kalimi i Emergjencave Civile në varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes?
Brenda 100 ditëve të para, ne do të paraqesim në shumë aspekte dhe për çdo sektor planet e ristrukturimit dhe riorganizimit. Në këtë rast, mund të them vetëm se, ka një ligj në Republikën e Shqipërisë që nuk e kemi miratuar ne, kohë më parë, që është një bazë e mirë për të zhvilluar më tej një proces përfshirje në raste emergjencash, jo vetëm të forcave të angazhuara përditë, që kemi në dispozicion, por edhe të grupeve të ndryshme, qofshin grupe punonjësish, qofshin grupe qytetarësh, gjë që e bën e gjithë bota e qytetëruar.
Në asnjë vend të Bashkimit Europian, kur ka një emergjencë civile reagimi nuk mbetet vetëm i forcave të organizuara brenda strukturave shtetërore për Emergjencat Civile. Por, përkundrazi, ka një mobilizim më të gjerë që bën të mundur edhe një rezultat shumë më të mirë se rezultatet që kemi ne, përballë disa fenomeneve që kanë nevojë për një adresim, natyrisht, shumë më të gjerë se kaq, siç janë zjarret në këtë rast.