Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikim i përjavshëm i Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Bujqësisë, Blendi Çuçi dhe Drejtores së Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca me gazetarët për ekonominë:

 

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje dhe faleminderit që jeni të pranishëm në këtë të përjavshme për ekonominë!

Sot kemi një tjetër lajm besoj shumë pozitiv dhe të shumëpritur nga fermerët dhe ka të bëjë pikërisht me karburantin. Përpara sesa ta shpjegoj konkretisht, dua të përsëris se, nëse qeveria jonë në këtë fazë po hedh hapa të shumëpritur në drejtim të njerëzve të punës, këtu kam parasysh zerimin e taksës mbi fitimin dhe TVSH-së për biznesin e vogël deri në 100 milionë, zerimin e taksës për fitimin për biznesin deri në 140 milionë, rritjen e pagave 40% për mjekët dhe infermierët, rritjen e pagave 15% për arsimtarët. Ashtu sikundër kam parasysh edhe një sërë investimesh me rëndësi të madhe për ekonominë e vendit. Kjo vjen si rezultat i faktit që reformat, konsolidimi i gjithë strukturës së shtetit, konsolidimi i financave publike, rritja e konkurrencës, rritja e të ardhurave, kanë krijuar kushtet që ne ti bëjmë këto.

Nuk mund të bëheshin as vjet, as parvjet, 5 apo 7 vjet më parë jo e jo, pasi e gjithë lëvizja jonë drejt ë ardhmes ka qenë e bazuar mbi një plan strategjik, hapa konsekuencialë, të cilat janë hedhur me radhë, për të ardhur në kushtet kur krijojnë një mundësi të re për vendin dhe njerëzit.

Sot jemi në kushtet kur mund e do të ndërhyjmë për të filluar qysh nga fillimi i vitit të ardhëm me një regjim të ri mbi karburantin për prodhimin bujqësor. E faktikisht do të heqim nga karburanti për prodhimin bujqësor akcizën;

Do të heqim nga karburanti për prodhimin bujqësor taksën e qarkullimit;

Do të heqim nga karburanti për prodhimin bujqësor dhe taksën e karbonit.

Do të ulim gjysmë për gjysmë, mesatarisht, çmimin e karburantit për fermerët.

Për çdo fermer që punon tokën, llogaritet sasia e naftës që i duhet për sipërfaqe dhe kulturat e deklaruara në bazë të një normative të miratuar për punime tipike me mekanizim. Për atë sasi nafte llogaritet vlera e barrës fiskale, e cila do të përjashtohet. Kjo vlerë e përjashtuar do të konvertohet në sasinë e përcaktuar në bazë të kritereve që thashë të naftës që do të jepet falas përmes një karte të veçantë për çdo fermer.

Çdo fermer që ka tokë në pronësi apo me qera dhe që e punon atë është përfitues potencial i kësaj skeme, duke u siguruar që të ketë NIPT-in e fermerit sipas procedurave aktuale, të cilën sot e disponojnë mbi 47 mijë fermerë dhe të bëjë aplikimin online për naftën falas. Shumë e thjeshtë, pa asnjë vështirësi dhe ngarkesë.

Sot, ne besojmë që menjëherë, skema mund të përfshijë rreth 70 mijë fermerë të regjistruar dhe potenciali i skemës është për të shkuar më tej, 47mijë fermerë, të cilët e kanë tanimë NIPT-in prej kohësh, e kanë parë që NIPT-i nuk sjell asgjë tjetër, përveçse mundësisë për të pasur akses në të gjitha mbështetjet e ndryshme financiare që mund të merren nga shteti dhe ndryshe nga çfarë u tha kur ne kërkuam NIPT-in, nuk sjell asnjë barrë detyruese të asnjë natyre për fermerin, përveç detyrimit për të qenë i formalizuar dhe i identifikuar në rastin kur kërkon çdo lloj mbështetjeje.

Nga ana tjetër, ne besojmë që kjo është rruga për ta formalizuar më tutje të gjithë procesin e transaksioneve në bujqësi dhe për të mbrojtur deri në fund, çdo fermer dhe prodhimin e çdo fermeri nga ata që janë më të mëdhenj në raport me të, në sensin e grumbulluesve apo shpërndarësve të prodhimit.

Gjithçka do të jetë online. Të dhënat do të grumbullohen në bazë të një protokolli të programuar në një tabletë, për të cilën ka filluar puna nga Ministria e Bujqësisë. Ashtu sikundër Ministria e Bujqësisë ka disa kohe që po punon për të përfshirë teknologji të reja të monitorimit të mbjelljeve me anë të imazheve termike, apo fotografive ajrore.

Natyrisht që të gjithë ata që tërheqin naftën dhe nuk kryejnë punimet e deklaruara, përjashtohen nga skema për një numër vitesh, por që ky është aspekt i parëndësishëm në këtë moment.

Pra, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm, nafta, karburanti për prodhimet bujqësore do të jepet falas pa akcizë, pa taksën e karbonit, pa taksën e qarkullimit dhe kur them do të jepet falas, kini parasysh që sasia kompensuese e çmimit për sasinë e tokës së punuar do të jepet nga shteti. Që do të thotë që nuk do të ketë nevojë fare për merr, rimburso, ço fatura, histori që kanë krijuar problematikën e rëndë të skemës së naftës pa akcizë në të shkuarën dhe që e kanë bërë një skemë skandaloze humbjesh, korrupsioni dhe furnizimi të Benz-ave me magnetofon me zë të lartë në rrugët lidhëse mes fshatrave dhe qyteteve.

Me teknologjinë dhe me këtë skemë, ne t u japim fermerëve mundësinë të jenë pa asnjë ngarkesë burokratike, drejtpërdrejtë. thjesht kanë NIPT-in, futen në platformë, bëjnë deklarimin e sasisë së tokës. Mbi sasinë e tokës ka një kalkulim shumë të thjeshtë për litrat e naftës që duhet. Sasia që përndryshe do të harxhohej për barrën 50% mesatarisht mbi çmimin, do të jepet falas.

Përpara se t’i kaloj fjalën drejtores së AZHBR-së që ka mundësuar një ndryshim nata me ditën me të shkuarën, në funksion të njerëzve dhe në funksion të sektorit, dua t’ju tërheq vëmendjen në faktin që shifra e deficitit tregtar në ushqim nuk është një shifër e zakonshme që mund të kalohet kështu, ndërkohë rrëzon komplet përtokë të gjithë propagandën banale dhe argumentet idiotike për gjoja braktisjen e fermerëve, për gjoja ditët e zeza të bujqësisë e gjithë këto përralla me gogol, sepse është shumë e thjeshtë dhe flet shumë edhe për faktin që sot, Shqipëria dhe shqiptarët ushqehen shumë më tepër me prodhimet vendase sesa me prodhime të huaja, që në shumë aspekte është pozitive. Një kilogram ushqim prodhohej këtu, 7 kilogram ushqim merreshin nga jashtë në vitin 2013. Në 2019-ën, 2020-ën do ta kemi në fund, 1 kilogram prodhohet këtu, vetëm 3 merren nga jashtë.

Tjetra që lidhet po me këtë, por në aspektin cilësor, është se sot, kontrolli i sigurisë ushqimore nuk ka të krahasuar me 7 vite më parë. Në 300 mijë ton eksporte të prodhimeve shqiptare nuk kemi një kamion të reklamuar nga Bashkimi Europian për çështje sigurie. Pavarësisht se çfarë mund të thonë për arsyet e tyre edhe burimet e ndotura të informimit, nuk ka nëpër arat e Shqipërisë e unë kam parë shumë ara në Shqipëri, një parcelë me domate për në BE dhe një parcelë me domate për Shqipëri, në sensin e përmbajtjes. Është absolutisht një marrëzi. Është i njëjti prodhim që shkon në tregun tonë, shkon edhe në tregjet e huaja. Në 7 vjet, ta çosh në kushtet jo të lehta që kemi pasur, këtë deficit në gjysmë për gjysmë, është një e dhënë e jashtëzakonshme, jo për atë që është arritur, po për atë që do të arrihet. Siç janë të gjithë të dhënat e këtij momenti në rrugën tonë drejt të ardhmes në çdo sektor. Asnjë nga të dhënat e këtij momenti nuk është plotësisht e kuptueshme dhe inkurajuese për çka është arritur, por për çka do të arrihet mbi këtë bazë të ndërtuar me vështirësi, vit pas viti. Dallimi nga 97 mijë ton eksporte në 300 mijë në një vit është dallim i madh, që flet për faktin se sot, në fshat punohet më shumë sesa 7 vite më parë, se sot, në fshat prodhohet më shumë sesa 7 vjet më parë. Skenat me zhurmë dhe me hedhje prodhimesh në lumë, jo vetëm janë shumë më të pakta sa ishin, por nuk tregojnë asgjë tjetër, përveç se prapambetje të trashëguar në një sistem që po krijohet dhe po integron forcat e prodhimit. Që do të thotë, nuk mundet dot sot të prodhosh vetëm në një ngastër e të pretendosh të ta shesë shteti pataten apo mollën. E fatmirësisht sot, ndryshe nga dje, shembujt e bashkimit, shembujt e suksesit, shembujt e fitimit janë në territor.

Shkoni shikoni vetë terrenin, aty ku prodhohet, aty ku eksportohet. Pyesni, sa paguhen punëtorët në fshat, sot? Flas për të deklaruarat, nuk flas për pjesën e padeklaruar se është edhe ajo brenda. Sa a paguheshin dje?

Vërtetë që ne e kemi rritur pakrahasimisht investimet publike dhe kemi financuar pakrahasimisht për sistemin e ujitjes dhe kullimit. Nuk është rastësi që shirat dje përmbytnin, sot nuk përmbytin. Natyrisht flas për reshje relative, nuk flas për ato reshje që përmbytin edhe Francën. Kjo, sepse është punuar për sistemin e ujitje-kullimit dhe nuk është thjesht shifra e deklaruar këtu, 1200 me 3500, por është cilësia. Investimet e tyre në sistemin e kullimit nuk i kemi gjetur. Kemi gjetur ferra dhe manaferra, në rastin më të mirë, por punët e bëra atje e të deklaruara në letër nuk rezultojnë se janë bërë si të gjitha gjërat që bënin ata, që tani bëjnë halleqarësin e popullit dhe qajnë 6 halle në 4. Ndërkohë që sot është ndryshim premtues, jo ndryshim për t’u kënaqur, nuk kënaqem unë, nuk kënaqemi ne dhe nuk kënaqet askush, por është ndryshim premtues.

Ne dimë çfarë bëjmë, dimë ku duam të shkojmë dhe dimë si arrihet atje.

Këto që po bëjmë tani në fazën përmbyllëse të mandatit janë  arritje për të cilat është punuar jo 4 vjet, është punuar 7 vjet. E lehtë të dalësh e të thuash hiqeni akcizën e naftës për fermerin, por si hiqet?

Si bëhet një skemë funksionale, që nafta të shkojë tek fermeri, pa u kthyer mbrapsht në historitë e llumit të korrupsionit me skemat e subvencionimit të naftës?

Si bëhet kjo pa cenuar dikë tjetër?

Si rriten pagat pa cenuar investimet publike, pa cenuar të tjera detyrime që ka shteti?

Si ulet taksat zero, – që kemi shkuar përtej premtimit, pa cenuar buxhetin dhe pa cenuar të tjera nevoja, vetëm duke i thënë, apo duke pasur letrat, librat e llogarive në rregull? E librat e llogarive në rregull nuk vihen se kështu do ti, por vihen me shumë mundim, vihen me strategji dhe me hapa të mirëkalkuluar, për të mos e hedhur hapin e gjashtë nga katër me idenë që do arrish më shpejt, se pastaj përfundon gjashtë metra nga gjashtë në gropë, me gjithë vendin mbrapa.

Drejtorja e AZHBR-së duhet të flasë për punën e jashtëzakonshme, kuptimplotë që është bërë në aspekt të financimit të drejtpërdrejtë nga qeveria të fermerëve dhe si është kryer ky financim në funksion të krijimit të zinxhirit të vlerës dhe si përmes financimit të disa bujtinave, të disa pikave të grumbullimit, të disa dhomave frigoriferike, është krijuar një impakt shumë më i madh, sesa thjesht dhe vetëm impakti i atij financimi, duke ndërtuar sistem. Ne ndërtojmë sistem, ne nuk ndërtojmë qytete pa leje.

Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca: Drejtoresha e AZHBR Frida Krifca: Përshëndetje! Në këtë periudhë pandemie për të gjithë botën, ku ekonomi të fuqishme janë kërrusur, në vendin tonë bujqësia rezultoi, në fakt jo një surprize, që është një sektor solid dhe një ndër ekonomitë më të qëndrueshme me potenciale për rritje në vend.

Eshte bërë shumë për bujqësinë dhe është thënë pak. Akoma edhe më shumë na duhet të bëjmë, por dhe të themi për t’i dhënë vemendjen që i takon. Kemi punuar dhe po punojmë fort që të jemi krahu i mbeshtetjes se fermerëve në punën e tyre dhe pika e parë e takimit për agropërpunuesit. Kemi trashëguar një bujqësi me siperfaqen mesatare më të vogël te fermes bujqesore, e cila administrohet dhe zhvillohet gjerësisht mbi bazë familjare. Siperfaqja e fermës shqiptare është 1,2 ha kur mesatarja e vendeve te rajonit është 2,6 ha, pra, sa dyfishi i fermës sone. Mekanizimi, modernizimi dhe masa të tjera të zhvillimit sipas modeleve europiane varen ndër të tjera dhe nga forma dhe madhësia dhe struktura e pronës. Për shkak të kësaj problematike po përpiqemi që fondet që administrojmë t’i drejtojmë drejt veprave të mëdha me një influencë të ndjeshme mbi prodhimin sicc janë pikat e grumbullimit të fruta perimeve me ambjente ftohëse, linjat e përpunimit dhe paketimit, fabrika komplekse për përpunim të thelluar, por sigurisht duke mbështetur dhe nevojat imediate të fermës së vogël si psh duke mbështetur rinovimin e plasmasit në sera apo instalimin e ujitjes me pika apo mbështetjen per mbjellje të kulturave të kërkuara nga tregu, mbështetjen për shtimin e krerëve në blegtori, shtimin e koshereve në bletari apo grumbullimin e qumështit.

Kjo është bërë përmes një dedikimi të vetmohueshem ndaj progresit dhe zhvillimit të sektorit kemi implementuar politika të qeverisë shqiptare që kanë dhënë rezultate të pa arritura ndonjëherë në historinë e mbështetjes se AZHBR.

(2007-2012 me 2013-2020) Nëse i hedhim një sy të dhënave të agjencise per fonde te disbursuara në   mandatin qeverises se periudhes mes 2007-2012 gjithsej janë   vene 40 milionë euro në dispozicion të fermerëve ndërsa në mandatin qeverisës 2013-2020 janë alokuar 110 milionë euro mbështetje për fermerë dhe agropërpunues përmes mbështetjes direkte dhe me grant sipërmarresve. Pra, kemi një rritje të fondit të vënë në dispozicion të fermerëve prej 175%.

Nëse krahasojme vit me vit, buxheti që ne kemi alokuar te fermerët ka pasur një rritje mbi 300%. Siç edhe mund ta shihni në grafik,  në vitin 2013  fondet ne dispozicion kanë qenë në shifrën e 6.5 milionë euro në dispozicion, ndërkohë që në vitin 2020 jemi në 27 milionë euro te alokuara. Në 2013 pagesa mesatare që përfitonte një fermer në mbështetje direkte ishte 115 mije lekë, nderkohë ne 2020 mesatarisht një fermer përfiton 222 mijë lekë në mbeshtetje direkte.

Buxheti për mbështetje direkte është pothuajse dyfishuar, ndërkohë që në 2013 nuk kishte asnjë lloj mbështetje për investime. Në 2020 mbi 17 milione Euro jane investime në ngritje kapacitetesh përpunuese me vlerë granti mesatare mbi 11,7 milione leke për subjekt.

A mjafton kjo? Jo! Jemi në sfide me kohen për të perthithur fondet.

Ky volum pune na ka bërë mire, pasi na ka bërë një institucion më të zhdërvjellet, dhe më pranë fermerit. Jo rastësisht fituam besueshmerinë e BE për të administruar fonde të taksapaguesve europiane në favor të fermereve shqiptarë.

– Mbështetja direkte:

Nga 2013 deri me sot, rreth 54,000 fermerë kanë marrë mbështetje direkte me një financim prej 75 milionë euro. Ndër të tjera, janë shtuar 2000 hektarë sipërfaqe mbjellje të reja, subvencionuar ndër vite 1,3 milionë krerë gjedhë dhe të imta, 164 mijë koshere bletësh, subvencionuar 1,090 ton dorëzim fruta-perime, si dhe subvencionuar 3,4 milionë litra qumësht të grumbulluar nga blegtore e dorëzuar në fabrika përpunimi të qumështit, e shumë masa të tjera.

Kemi formalizuar proceset dhe krijuar kushte tepër të favorshme për të bërë aplikime të thjeshta dhe pa burokraci në skemën kombëtare të mbështetjes. Ne kemi punuar fort që t’i lehtësojmë jetën fermerëve, ndaj në vitin 2018 sollëm aplikimin me zero dokumente. Tanimë, pas dy vitesh fermerët mund të aplikojnë online vetëm me kartën e identitetit dhe NIPT-in e fermerit, duke shmangur konfuzionin, radhët, duke kursyer kohë dhe  kosto administrative shtesë. Vetëm nëpërmjet këtij faciliteti, fermeri kursen mbi 5,500 lek të reja shpenzime për aplikim.

Prej vitit 2019, në 20 qytete të Shqipërisë kemi krijuar 20 dritare shërbimi për fermerët të quajtura -agropika, të cilat ofrojnë shërbime, informacion, aplikime, akeses në financë, mbështetje me ekstensionionistë etj.

Vetëm për vitin 2020 kemi pasur 7,657 aplikime ku deri sot kanë përfituar 4,933 fermerë, në vlerën e 9.1 milionë euro dhe kemi disbursuar buxhetin ne masën 91%.

Mbështetja nëe agropërpunim:

Kemi mbështetur 871 agropërpunues me një vlere në grant prej 75 milionë euro.  Kjo mbështetje ka bërë që agregatorët dhe përpunuesit në këtë fushë të rriten së tepërmi.

Kemi 135 magazina grumbullimi, 29 fabrika përpunimi mishi dhe thertore të reja, 50 sera, 105 ferma bujqësore dhe blegtorale, 128 pajisje dhe linja prodhimi e përpunimi bujqësor të produkteve primare, si dhe 206 mekanike bujqësore.

Konkretisht impakti i mbështetjes në agropërpunim:

Pikat e grumbullimit janë shtuar me një sipërfaqe ndërtimi të ri prej 110,514 m2.

Shtim kapacitetesh për ambiente ftohëse prej 32,535  m3 volum me dhoma frigoriferike,

362 hektarë janë investime në sera të reja me teknologji të avancuar e precize

81 sipërmarrje të reja të mbështetura në turizmin rural dhe diversifikimin e fermës. Aksesi ne financë është facilituar edhe nëpërmjet fondit të garancisë të vënë në dispozicion, ku deri më tani janë disbursuar rreth 56 milionë Euro. Duke qenë të vetëdijshëm për aksesin e kufizuar në finance kemi prezantuar një procedure duke mundësuar 10% paradhënie investimeve të kontraktuara nëpërmjet një garancie bankare apo kompanie sigurimi.

Kemi negociuar me Brukselin ta rrisim paradhënien nga 30-50%.

Mbështetja ndaj investimeve në shërbimet mjedisore

Duke e parë sektorin bujqësor, një fushë të pandashme nga pika kryesore e saj, toka, kemi dhëne mbështetjen tonë edhe në fushën mjedisore. Me një bashkëfinancim me Bankën Botërore dhe Qeverinë Suedeze, kemi mbështetur projekte, të cilat kanë bërë që të ketë një përmirësim në pyje në një sipërfaqe prej më shumë se 3800 hektarë. Pyllëzimi është shtuar me 220 hektarë, kullotat janë përmirësuar me 387 hektarë, ndërsa 48 projekte janë bërë për lera për bagëti dhe 86 të tilla për sistemime malore.

– Mbështetja nga IPARD

Nga momenti i akreditimit, ne 490 ditë pune, kemi mundur te lidhim 202 kontrata. Kemi injektuar financim ne ekonomi një shifër prej 77 milionë euro prej te cilave 34,4 milionë euro janë grant për persona fizike, juridike, Shbb e Sh.p.k. Kjo përkthehet ne 70,200 euro kontraktime në ditë për fermerët.

Kemi paguar rreth 55 nga këto kontrata me një shumë prej 7,6 milionë euro. Janë 12,650 euro në ditë që alokohen në llogaritë bankare të fermerëve aplikantë çdo ditë nga kjo agjenci. Jemi në përmirësim të vazhdueshëm të procedurave tona dhe lehtësim të barrës administrative për fermerët.

Parashikojmë që shuma e grantit brenda vitit të arrijë shifrën e 50 milionë euro kontraktime me 120 milionë euro injektim kapitali në ekonomi.  Kemi objektiv të përthithim të gjithë fondin prej 94 milionë euro brenda vitit 2022. Do ta përfundojmë programin me mbi 500 kontrata e subjekte të mbështetura me investime nga 10,000 euro në 2 milionë euro.

Mbështetja që AZHBR do të japë në këtë drejtim, por jo vetëm do të jetë akoma më e madhe. Në objektivat tona me akreditimin për IPARD III parashikojmë të kemi një rritje të buxhetit me 38.4 %, ndaj kemi kërkuar një fond prej 166 milionë euro per IPARD 3 dhe shtimin e mbështetjes, duke punuar për akreditimin e masave të reja:

  • Implementimin e strategjive lokale të zhvillimit-leader approach
  • Pyllëzim
  • Infrastrukturë rurale
  • Shërbimet këshillimore
  • Masat mjedisore për fermat organike

Sigurisht, që synimi ynë por, njëkohësisht edhe sfida jonë është që të ndihmojmë fermerët të përthithin më tepër fonde, të rrisim sa më shumë konkurrencë dhe të garantojmë standarde për produktet shqiptare. Puna jonë vazhdon dhe kjo është vetëm dëshmi e mentaliteti që bujqësia jonë po ndryshon në drejtimin e duhur.

Kryeministri Edi Rama: Kjo është pasqyra. Ndoshta pak e gjerë, por shumë e ngushtë në raport me çfarë mund të themi akoma për bujqësinë. Pa dashur të përsëris drejtoren, apo të humbas më shumë nga koha juaj, dua të theksoj për ata miqtë e mi në Facebook që thonë “ku janë fabrikat”, që në sektorin e bujqësisë kemi realisht një rrjet të tërë fabrikash që janë ndërtuar, po ndërtohen dhe do të ndërtohen.

– Duke qenë se dhe drejtoresha ishte shumë e detajuar, unë nuk kam më asnjë pyetje për bujqësinë. Do kërkoja mirëkuptimin tuaj për të bërë dy pyetje, të cilat besoj që dhe këto janë me interes për publikun.

Kryeministri Edi Rama: Ka vetëm një mundësi që të bëhen pyetje jashtë kësaj, të mos cenohet kronika për këtë. Në rast se ju vini këtu për bujqësinë, e bëni një pyetje për kallinjtë me dy këmbë në bulevard dhe pastaj jepni lajmin për kallirin në fjalë dhe nuk merreni me bujqësinë, unë nuk i përgjigjen pyetjeve. Ma garantoni që kronika për bujqësinë me të dhënat, sepse janë një audiencë shumë e madhe e TV-ve tuaja fermerët, do të jepet e paprekur, unë ju jap dhe një kronikë tjetër, pa merak.

– Ju keni lajmëruar se të enjten do të vihen me detyrim maskat, jo vetëm në ambientet e brendshme, por dhe jashtë dhe keni deklaruar që do të ketë edhe gjoba për këtë. Pyetja ime është sa serioze,  është kjo Zoti kryeministër, duke patur parasysh që ju vetëm javën e shkuar falët të gjitha gjobat e ndërmarra në shkelje të masave anti COVID?

Dje paradite deklaruat që nuk e kishit parë Lulzim Bashën dhe planin e tij me 5 pika për ekonominë, por më pas, pasdite, edhe ju vetë pranuat se kishit ndjekur konferencën e radhës të Zotit Basha, sepse nxorët një nga lapsuset e tij gjatë konferencës për shtyp. Tani jeni më shumë i informuar për planin me 5 pika. A mund të jepni një koment për të?

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk është e vërtetë kjo. Thjesht kam parë siç kanë parë të gjithë atë që në fakt nuk është lapsus, por është trendi. Kur vjen puna te aritmetika, kur vjen puna te shifrat, te numrat, tek pikat, aty pastaj jemi në kushtet e komedisë, nuk jemi në kushtet e bisedës serioze. Nuk kam parë asgjë. Përsa i përket maskave, po. Do të jenë të detyrueshme për të gjithë. Nuk është gjoba motivi pse njerëzit duhet të mbajnë maskën. Motivi kryesor, pse njerëzit duhet të mbajnë maskën edhe jashtë, edhe unë i pari, sapo dalim nga shtëpia, është që të shmangim, – larg qoftë, – edhe një mbyllje tjetër, që do të ishte, – mos qoftë kurrë, – shumë e rëndë për të gjithë. Nuk kuptoj se cila mendje mund të të thotë që për këtë bezdi të riskosh një goditje si mbyllja e detyruar. Nuk është çështja fare tek gjoba.

– Naftëtarët janë në ditën e 16-të dhe kanë kërkuar ndërhyrjen tuaj për të gjetur një zgjidhje, pasi janë në ditën e 16 në grevë dhe ende nuk kanë gjetur një zgjidhje nga kompania private, pavarësisht se ju keni deklaruar që është përgjegjësi e kompanisë private. A do të qëndrojnë ata në mëshirë të fatit?

Kryeministri Edi Rama: Unë e kam dhënë përgjigjen time. Sapo të kem një përgjigje të re, do ua jap atyre. Mendoj që kjo është një marrëdhënie kapitaliste, nuk është marrëdhënie me shtetin. Përsa më takon, unë po bëj gjithçka që të gjejmë një zgjidhje, por deri tani nuk e kemi zgjidhjen. Nuk kemi mundësi të zgjidhim atë problem, nëse nuk kemi një fuqi që e merr përsipër nga pikëpamja private, është një kompani private, është një marrëdhënie private. Të gjithë çfarë kemi bërë, meqë disa mi numërojnë mua si mëkate, ka qenë përpjekje ekstra për të ndihmuar pikërisht ata njerëz që, nëse nuk do t’i kishim ndihmuar, siç i kemi ndihmuar, nuk do gjendeshin në këtë situatë pas 7 vjetësh, por do të kishin 7 vjet në këtë situatë. Unë i mirëkuptoj plotësisht dhe nuk ka nevojë t’i them me fjalë ndjenjat që kam për shqetësimin e tyre, sepse e kam shqetësim vetë. Po bëjmë çdo përpjekje, por format e tilla të protestës nuk janë të nevojshme me mua, sepse nuk kam nevojë të shoh njerëzit në grevë për të luftuar për interesat e tyre dhe për të gjetur zgjidhje për ta. Është e drejta e tyre për të bërë grevë, por mendoj që, nëse e bëjnë për të më sensibilizuar mua, është një mundim krejt i panevojshëm, sepse unë jam plotësisht i sensibilizuar. Nuk do jap detaje, por me ndihmën e Zotit ndoshta e zgjidhim shpejt dhe pastaj do t’i them te gjitha detajet dhe do t’i jap të gjitha përgjigjet për xhagajdurët që i nxisin dhe i mbajnë në atë greve.

– Kam një pyetje në lidhje me bujqësinë. Është një kërkese e hershme kjo e heqjes së akcizës së naftës për fermerët, por dhe një premtim i hershëm i juaji. Mbaj mend që e keni premtuar vite më parë dhe po e miratoni 6 muaj përpara zgjedhjeve. Mos ndoshta është një vendim që ka qëllim politik?

Kryeministri Edi Rama: Çfarë lidhjeje kanë zgjedhjet! Zgjedhjet, unë dhe Partia Socialiste do t’i fitojmë pa patur nevojë fare të marrim asnjë vendim dhe të bëjmë asgjë nga këto që disa thonë që po i bëjmë për zgjedhje. Ne nuk punojmë për zgjedhje. Ne punojmë për njerëzit dhe janë njerëzit pastaj që zgjedhin, duan të vazhdojnë me ne, apo duan të shkojnë e të kërkojnë 6 të mira në 4 pika. Ne po bëjmë gjënë e duhur, në kohën e duhur, sepse tani i kemi mundësitë për këtë dhe për të tjera. Unë kam bërë premtimet e mia, kam folur për një vizion, për një program dhe për një rrugë të përbashkët. Gjykimet se çfarë kam thënë dhe çfarë kam bërë, do t’i i bëni të gjithë kur misioni im të jetë i kryer dhe misioni im është larg së qeni i kryer.

Mos i lidhni më ne zgjedhjet, se unë nuk e di ku jetojnë disa që më shikojnë mua në terren, apo në kantiere, apo në shi dhe thonë “dole tani se erdhën zgjedhjet”. Unë rrugëve kam qëkur kam marrë detyrën e drejtoj Partinë Socialiste e si Kryeministër nuk është ndonjë meritë, thjesht kam bërë detyrën, sipas meje. Kam bërë më shumë kilometra në territorin e Shqipërisë, sa të gjithë kryeministrat të marrë së bashku, qysh kur është krijuar shteti shqiptar në vitin 1912. E këtë mund ta provoj me fakte.

Zgjedhjet janë një proces i popullit, ku populli vendos. Puna jonë është e përditshme, puna ime është edhe e përnatshme. Nuk kam lidhje fare me zgjedhjet në këto. Tani janë krijuar kushtet dhe tani po i bëjmë. Si do e bënim heqjen e taksës për biznesin e vogël më parë, mbi ç’baza? Apo me 5 pikat?

– Heqja e akcizës është premtuar mandatin e parë qeverisës, apo jo?

Kryeministri Edi Rama:  Është premtuar në vitin 2013 dhe mbahet sot. Unë jam ai që e kam premtuar dhe jam po unë, ai që e mbaj. Unë nuk bëj premtime për të gënjyer, nuk bëj premtime për të hedhur lumin, nuk bëj premtime për të marrë votat. Unë premtimet i bëj sepse jam i bindur se i realizoj dhe i realizoj. Koha e realizmit të tyre nuk është gjithmonë në dorën e kryeministrit, apo të qeverisë, apo të parlamentit, sepse jeta është dinamike, ngjarjet janë dinamike, situata është dinamike. Ama, rëndësi ka që çdo gjë që unë kam thënë, unë e kam bërë, po e bëj, apo do ta bëj dhe këtë shqiptarët në shumicë, nëse nuk e dinë të  gjithë, e ndjejnë të gjithë dhe kjo është arsyeja pse më besojnë mua shumë herë më tepër se të gjithë atyre të tjerëve, të marrë së bashku.

– Nga të dhënat rezulton se 18 mijë fermerë kanë dalë nga skema  e sigurimeve shoqërore, ndërkohë që ju deklaruat dhe zoti ministër deklaroi më herët se është një nga sektorët që ka perfomuar më mirë gjatë pandemisë. A do të mendoni ndonjë paketë të re stimuluese, apo do të mjaftoheni vetëm me akcizën?

Kryeministri Edi Rama: Këto paketat, këto dhuratat e rëna nga qielli duhet t’i harrojmë për një arsye shumë të thjeshtë, sepse sot jemi në kushtet kur të gjithë kemi mundësi të punojmë, natyrisht të shtrënguar. Por, nëse flasim për paketa, atëherë mendojmë për sot dhe harrojmë që ka ditë prapë nesër, ka jetë prapë nesër dhe ka nevojë prapë nesër. Kështu që heqja e akcizës, e taksës së karbonit, e taksës ë qarkullimit nga nafta e fermerëve është paketë direkte për të gjithë , por nuk është vetëm për sot, por është edhe për nesër.

Kur ne e bëjmë llogarinë, e bëjmë jo për zgjedhje, por e bëjmë që të jetë aty për një kohë të gjatë. Heqja e taksës ë biznesit të vogël nuk është vetëm për zgjedhje. As heqja e TVSH-së për bizneset deri në 100 milionë nuk është për zgjedhje. Është aty për sa më takon mua deri në vitin 2029. Kjo tjetra po njësoj. Nuk janë, jep tani e po ta marr pas zgjedhjeve dhe nuk janë as jep tani të kalojmë ditën, se nesër flasim. Atyre që thonë “s’ka bukë”, ju përsëris dhe njëherë tjetër, se, nëse dje kishte buke dhe me një kile ushqim të prodhuar në vend dhe 7 kile ushqim të prodhuar jashtë, sot, kur raporti është përgjysmuar, d.m.th, ka më shumë bukë. Këtu nuk është çështja e bukës dhe e mbijetesës. Këtu është çështja e pritshmërisë legjitime të njerëzve për të patur më shumë. E natyrisht, kjo pritshmëri për të patur më shumë vjen se këtu jam unë dhe është PS-ja. Po të ishin të tjerët, pritshmëria do të ishte “shyqyr mos na vrasin, mos na rrahin, mos na telendisin”. Me ne është “sa keq, se ka edhe më mirë”. Sfidë e madhe është dhe unë e kam pranuar deri në fund. Më vonë, kur të mos jem këtu, ju të parët do t’ju marrë aq shumë malli, sa nuk e imagjinoni dot sot. Ku do ta gjeni ju gazetarët një tjetër si puna ime?

– Zoti Kryeministër, buxheti për bujqësinë në vendin tonë është më i ulëti në rajon. Kosova e ka 100 milionë, Maqedonia e Veriut e ka rreth 80 milionë në vit. Do të ketë rritje të buxhetit vitin tjetër?

Kryeministri Edi Rama: Studioni shifrat mirë, se kjo historia e milionave u bë si historia e farave të kungullit dhe të lulediellit dhe do të shikoni se do të arrini në përfundime të tjera. Shumë miqësisht jua them këtë. I kam dëgjuar këto milionat dhe qindra milionat dhe miliardat e paketave të pandemisë dhe kur vjen puna tek paratë e dhëna drejtpërdrejtë për  njerëzit,  llogaritë janë shumë më ndryshe. Kështu që nuk është e vërtetë kjo që thatë ju dhe faktikisht, buxheti për bujqësinë i këtij viti që po mbyllet, po të ndiqni këto që u thanë këtu, ju del një shifër më shumë sesa një shifër që përmendët ju.

– Jo shifrat e IPARD, Zoti Kryeministër. Ato janë paratë e BE-së. Po flasim për buxhetin që qeveria ka.

Kryeministri Edi Rama:  Nuk ka para të ndara këtu. Ne flasim për paratë që ju japim fermerëve, paratë që i japim bujqësisë dhe ndarjet sipas dëshirës mund t’i bëni ju, paratë që i japim bujqësisë, paratë që i japim prodhimit. Ne kemi komplet planin tonë si do të ecim me bujqësinë. Ne nuk subvencionojmë mbijetesën që të le po aty ku je. Ne subvencionojmë zinxhirin e vlerës, ne financojmë konkurrencën, ne stimulojmë kulturat konkurruese që sjellin më shumë për njerëzit dhe për vendin, ne stimulojmë bashkimet. Natyrisht, koha do të flasë e po flet ndërkohë. Mjaftojmë të shikojmë raportet.

Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi: Në lidhje me  këtë po ju them vetëm një shembull që e kam nga java e kaluar me homologun tim maqedonas. Nuk ka rëndësi se sa lekë jep, rëndësi ka se ku i çon lekët. Maqedonia që ju e merrni si shembull që jep shumë subvencione, ministri vetë me gojën e tij më tha që nga momenti që kemi vënë skemën e ndihmës direkte për fermerët para 9 viteve, para 9 viteve kemi patur 2 milionë e 300 mijë krerë të imta, sot, 9 vite me skemë dhe nuk japim pak, kemi 600 mijë krerë të imta. Kjo tregon – tha – që politikat që kemi ndjekur për të dhënë subvencione kanë shkuar në drejtimin e kundërt, jo aty ku  duhet. Prandaj është shumë rëndësishme që të dëgjoni këto që thamë këtu, janë shumë të rëndësishme sepse kanë të bëjnë me mënyrën ku shkon buxheti publik, a shkon për të rritur vlerën, a shkon në zinxhirin e rritjes së vlerës dhe të prodhimit. Prandaj, ministri i Maqedonisë tha se ajo skemë është kthyer në skemë të asistencës sociale dhe po e varros bujqësinë. Ai është ministër i ri, sapo ka ardhur dhe një nga politikat që do të ndjekë dhe që e ka prioritet lidhet pikërisht me ndryshimin e skemës së financimit. Sigurisht kemi vendosur kontaktet që të shkëmbejmë me njeri-tjetrin çdo eksperiencë të përbashkët, sepse kanë edhe ata eksperienca shumë të mira. Por meqë e përmendët, po ju them këtë, që është një fakt, nuk është opinion. Maqedonia, nga 2 milionë e 300 mijë krerë ka zbritur në 600 mijë me skemën e ndihmës direkte.

Kryeministri Edi Rama: Ka një tregues të treguesve. Shikoni sa eksporton, sa importon Shqipëria sot, në raport me dje dhe sa ushqim e tregton në vend dhe sa ushqim e blen nga jashtë. Shikoni këto dhe krahasojini prapë. Ne kemi tjetër strategji. Ne nuk jemi për lëmosha që i mbajnë njerëzit të mpirë, në kushtet kur kemi zgjedhur që në vitin 1990 një sistem konkurrence, një sistem ku kush vrapon më shpejtë arrin më parë dhe të tjerët duhen ndihmuar të vrapojnë më shpejt, por nuk duhen lënë ulok në vend, duke u krijuar iluzionin se po i mbështet. Mbështetja jonë për bujqësinë nuk është asistencë sociale, është mbështetje pikërisht për të gjitha këto rezultate që kemi arritur dhe është vetëm një kantier. Nuk është proces i përfunduar, prandaj na duhet dhe mandati tjetër e kështu me radhë.

– Një pyetje pikërisht për eksportet dhe për ministrin Çuçi. Deri në çfarë faze jeni për certifikatën fitosanitare për pjesën e produkteve që nuk i eksportojmë dot, i referohem mishit, qumështit, që nuk dalin dot nga territori shqiptar. Çfarë po bëhet me këtë, duke qenë se ka kërkesë për eksport dhe grupet e interesit janë të shqetësuara?

Zonja Krifca, duke qenë se ju u shprehët pak më herët se do të bëhet dhe thirrja e IPARD 3, a janë lehtësuar kushtet për shqiptarët që të mund të përthithin fondet dhe a do të ndryshojë niveli dysheme e tavan për aplikantët?

Kryeministri Edi Rama: Shqipëria, sot është në vendin e parë në rajon për përthithje të fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë. Mësojeni këtë. Ishim bishti i fundit i një kavalli të humbur, sot jemi vendi  parë në rajon për nivelin e përthithjes së fondeve të Bashkimit Europian falë kësaj qeverie dhe falë kësaj zonjës që është në krah e që mund  të të japi një përgjigje më shëruese.

Drjetoresha e AZHBR-së, Frida Krifca: Programi IPARD është bashkëfinancim, pra, nuk është vetëm i mbështetur nga fondet e Bashkimit Europian. 25% janë nga buxheti i shtetit. Kështu që ato ecin bashkarish. Në programin IPARD 3, ne do të kërkojmë 166 milionë euro, i cili fillon në 2022, do fillojmë ta implementojmë. Njëkohësisht do të hapim një thirrje të tretë brenda këtij viti. Kemi rreth 25 milionë euro që mbeten të paangazhuara akoma deri më tani nga gjithë lëvrimi i fondeve dhe mendoj që do të jetë një buxheti i mjaftueshëm, i cili do të sigurojë përthithjen brenda 4-vjeçarit ku ne duhet të disbursojmë fondet.

Ki parasysh që ne jemi 2 vjet me vonësë në akreditim e kjo ka sjellë një barrë shumë të rëndë mbi Agjencinë dhe stafin, por nga ana tjetër, pa mbështetjen e qeverisë, ne nuk do kishim pasur mundësinë të merrnim 40% staf shtesë në dy vjet. Nuk di të ketë ndonjë institucion tjetër shtetëror që të ketë marrë këtë mbështetje, se edhe këto janë kosto dhe buxhet shtesë, pasi pa staf, kjo punë nuk bëhet dot. Gjithashtu jemi duke punuar fortësisht për të rritur infrastrukturën që aplikimet të kryhen online, duke rritur dhe sistemet e kontrollit dhe mekanizmat e sigurisë për këto aplikime, të lehtësojmë procedurat për aplikantët. Jam e sigurt që IPARD 3, ne patjetër do ta kemi të dixhitalizuar dhe do ta kemi online. Po punojmë që ta bëjmë që në thirrjen e tretë mundësisht.

Tavani jo, ai është i përcaktuar në program, ndoshta në programin IPARD 3, i cili aktualisht po punohet, minimumi është  10.000 euro investim në programin IPADR dhe maksimumi është 2 milionë euro vlera e investimit për grante që shkojnë nga 50% deri në 70% në zonat malore.

Ministri i Bujqësisë Beldi Çuçii: Për certifikatat fitosanitare, ne kemi certifikata tashmë të përbashkëta me Kosovën dhe së fundmi me Maqedoninë, ku unë nënshkrova marrëveshjen para 1 jave me homologun maqedonas. Shpresojmë ta bëjmë këtë për gjithë rajonin, edhe në kuadër të Shengenit Rajonal. Për njohjen reciproke të certifikatave, nëse i referoheni kësaj, sigurisht që BE-ja ka një regjim tjetër dhe ajo do të ndodhë në momentin kur ne do të hyjmë në Bashkimin Europian.

Përsa i takon fruta perimeve ka një qarkullim krejtësisht të lirë në të gjithë Europën. Produktet tona bujqësore shkojnë që nga Greqia deri në Norvegji, Suedi dhe Finlandë pa asnjë pengesë. Siç e tha dhe Kryeministri, nuk kemi pasur reklamime dhe ky është një lajm shumë i mirë dhe një reklamë shumë e mirë për produktet bujqësore shqiptare. Për pjesën e produkteve me origjinë shtazore ka një regjim tjetër, sepse kryesisht lidhur me BE-në, sepse tregjet e Amerikës, Arabisë Saudite dhe së fundi Kinës i kemi zhbllokuar, presim me Kinën vetëm një marrëveshje të fundit doganore dhe me Arabinë Saudite marrëveshjen e fundit. Presim që brenda dy muajsh, nëse do lehtësohet dhe qarkullimi për shkak të pandemisë, e kemi gati për të çuar eksportet e para të produkteve shtazore. Me Europën është një regjim tjetër, i cili diktohet jo vetëm për Shqipërinë, por diktohet në përgjithësi për vende të tjera që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian. Për njohje të certifikatës fitosantiare për sa i takon produkteve blegtorale me Maqedoninë, ne e hapëm diskutimin me ministrin dhe besoj që shumë shpejt, ashtu siç qarkullojnë produktet bujqësore pa pasur asnjë pengesë në doganë, ashtu do të veprojmë dhe me produktet shtazore.

Kryeministri Edi Rama: Ka dhe një element tjetër, se përmendët mishin. Ia vlen për të pasur një retrospektivë dhe një perspektivë. Nuk pranon kush të shesësh mish në vendin e tij, nëse ti e ther rrugëve në vendin tënd. Ne kemi ndërmarrë një nismë të tërë për të kaluar nga therja barbare në rrugë, tek therja me standarde. Sot, me mbështetjen tonë janë ngritur 29 thertore moderne. Po sigurisht që nuk ka përfunduar odiseja e therjes së kafshëve të shkreta nëpër kthesa apo nëpër oborre pa asnjë kusht, në kushte e metoda barbare, gjë që është pengesë. Por disa vende janë zhbllokuar, ndërsa me Bashkimin Europian do të ndodhë vetëm kur të jemi në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Mjafton t’ju kujtoj këtu rastin e Bullgarisë, që u bllokua në fund sepse u llahtaris Europa nga kurbanet e festave nëpër rrugë. Kështu që janë të gjitha proces që shkon përpara dhe shkon mirë përpara. Përndryshe, nëse e krahasojmë me shtatë vite më parë, nuk ka lidhje fare as bujqësia, as blegtoria, as arsimi, as shëndetësia e as Shqipëria me shtatë vite më para, por natyrisht e keqa harrohet shpejt, e mira s’ka fund. Kjo nuk diskutohet.

Zoti Kryeministër, jo më larg se sa javën e kaluar, Zoti Basha ishte me fermerët dhe u premtoi atyre heqjen e akcizës, ndërkohë që ju sot e bëtë fakt të kryer, duke njoftuar që prej fillimit të vitit të ardhshëm do të bëhet heqja e akcizës dhe heqja e dy taksave për naftën për fermerët. Ndërkohë, ajo çfarë shtoi Zoti Basha lidhet me faktin se do të ishte një paketë investimesh prej 150 milionë eurosh për fermerët, duke i shndërruar ata në një shtresë të mesme. A do ta bëni edhe këtë gjë ju? Një shifër nëse e keni, sa do të jetë kostoja totale për 70 mijë fermerët që do të përfitojnë nga skema?

Kryeministri Edi Rama: Ndryshimi është i vogël, por domethënës. Kur unë dal këtu dhe them do bëhet kjo, janë bërë shumë punë përpara, janë bërë shumë analiza dhe është dalë në një konkluzion të përgjegjshëm. Kur Luli del dhe thotë do bëj kështu, është çka del nga goja pas gjumit të sapodalë. Janë gjëra atë ndryshme dhe jo, nuk do ta bëjmë ne atë planin 150 milionë e shumë pak paska thënë, se unë jam i bindur që deri në mars do shkojë 1 miliardë e 500 milionë ai plani. Jo, atë nuk do ta bëjmë. Ndërsa heqjen jo vetëm të akcizës, po edhe taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit në çmimin e naftës, ne e kemi studiuar, analizuar dhe projektuar si do bëhet. Nuk mjafton të thuash do ta heqësh, po si do ta heqësh e si do të funksionojë që mos kthehet në një tjetër histori si ajo e tmerrshmja që ndodhi kur ishte në fuqi një masë e tillë dhe ishte një tmerr, u bë furnizim Benz-ash dhe historish që nuk kishin lidhje fare me tokën dhe bujqësinë. Të gjitha këto, ne i kemi bërë përpara, kur dal këtu dhe ju them se çfarë do bëjmë, është një vendim i marrë. Nuk është një “dëgjova Lulin dhe dola këtu”.

Duke u ndalur tek premtimet, Zoti Kryeministër, në 2017 ju keni pretuar 232 milionë dollarë mbështetje direkt për fermerët. Sa e keni mbajtur sot, këtë premtim?

Më 2 mars, ju u thoshit shqiptarëve se maska nuk duhet përdorur pasi nuk kishte një studim që ajo të mbronte, madje ju kërkonit atyre që të mos harxhonin asnjë lek për të blerë maska.

Kryeministri Edi Rama: Për të parën bjeri pak lapsit dhe do të dalë llogaria që është më shumë se sa kam premtuar në 7 vjet.

Për pjesën e maskës, unë nuk kam thënë dhe nuk them asnjëherë gjëra që i mendoj unë, sepse nuk janë fusha ime çështjet e epidemisë, të pandemisë, të, maskave, të terapisë etj.. Unë kam thënë dhe them atë që mësoj para se të dal të flas nga ata që kanë detyrën të më thonë mua si Kryeministër dhe Ministres së Shëndetësisë, çfarë duhet bërë sot, çfarë do bëhet javën tjetër, çfarë do bëhet mbas një muaji. Kështu që, maska, në atë kohë kur kemi folur, jo në Shqipëri, po kudo ka pasur atë status. Sot ka një status tjetër e këto janë çështje të eksperteve, çështje të shkencës, nuk janë problemet e mia t’i zgjidh unë. Unë kam detyrën të dëgjoj çfarë thonë ekspertët, çfarë thonë ata që e kanë me ligj detyrimin të më orientojnë mua dhe të orientojnë politikën e qeverisë në këtë aspekt dhe unë ta përcjell. Nuk ka qenë e domosdoshme të mbahej maska jashtë mjediseve të mbyllura dhe tani është e domosdoshme. Unë i pari do ta mbaj. Shumë e thjeshtë.

Përsa i përket ndihmës nuk ka nevojë që të jetë një maskë që blihet në dyqan, mund të prodhohet vetë. Kjo [maska personale] është e prodhuar vetë. Një beze, tekstil shumë i thjeshtë, dy lidhëse dhe e prodhon. Unë kam zgjedhur t’i vejë trëndafilin e 25 prillit, që është trëndafili i socialistëve, lule e bukur ….[e nuk dëgjohet]

Ilir mund të vendosi Vojo Kushin. Secili vendos çfarë ka qejf, ose nuk vendos gjë fare. I them këto, për ta thënë shumë thjeshtë që maska prodhohet vetë. Është thjeshtë një mbrojtëse tekstili, nuk ka nevojë fare të harxhosh asgjë, përveçse një shami ta përthyesh e ta lidhësh. Historitë që do jepni lek këtu e do jepni lek atje janë mënyra më e keqe për t’ju qasur këtij sistemi që kemi zgjedhur. Sistemin e kemi zgjedhur në vitin 1990, kur një pjesë e juaja, o ishin duke lindur, ose nuk kishin lindur akoma dhe akoma sot bëhen biseda sikur shteti është një shpellë e madhe me lekë e vetëm nxjerr lekë dhe tjerët marrin lekë. E thjeshtë, maska prodhohet vetë, ose blihet mbrojtëse tekstili dhe e kryen detyrën e vet, sepse nuk ka ndonjë mision të pamundur, por thjeshtë të të mbrojë nga kontakti i afërt nga spërklat.

Heqja e akcizës dhe dy taksave të tjera në fakt do të jetë një lehtësi për bizneset, por që do të ketë një kosto për buxhetin e shtetit. Cilat janë pritshmëritë tuaja me këtë vendim që do të hyjë në fuqi në 2021-in, duke qenë se jemi në raportin një e prodhojmë dhe tre importojmë? Sa mundë ta balancojë edhe këtë pjesë heqja e këtyre tre taksave?

Kryeministri Edi Rama: Këtë dhimbje na e lërë ne. Rëndësi ka që kjo masë, sot është gati, është e aplikueshme, është e thjeshtë, nuk është devijueshme në kanale tjera, do të shkojë drejtpërdrejtë, jo tek biznesi, por do të shkojë drejtpërdrejtë tek fermerët, të cilët do të kenë një kartë e do ta marrin naftën falas në çdo distributor me kartën e fermerit, ose do t’ia japin mekanizatorit të tyre dhe do t’i thonë shko mbush zetorin. Thjeshtë do të kenë vetëm NIPT-in dhe do të deklarojnë sipërfaqen e tokës që ata punojnë. Të tjerat janë të zgjidhura sepse janë të studiuara, nuk janë 6 taksa për 4 pika.

Faleminderit! Më vjen shumë mirë që po futeni dhe po interesoheni për aspektet e ekonomisë dhe dhëntë Zoti, të kenë më shumë vend në emisionet,  kronikat dhe lajmet tuaja.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.