Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Gjatë vizitës së tij në Vatikan, me ftesë nga Selia e Shenjtë, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Linda Rama u mikprit në Pallatin Apostolik në oborrin “San Damaso”, nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij.

Në vijim, Kryeministri Rama u prit në një audiencë nga Papa Leoni XIV në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik.

Homazhin në vendvarrimin e Papa Françeskut, vendosur në bazilikën Santa Maria Maggiore, Kryeministri Rama e ka veçuar si një moment të veçantë të vizitës në Selinë e Shenjtë. “Mik i paharruar i Shqipërisë dhe i familjes sonë, që nuk harronte kurrë të lutej për popullin tonë e të na dërgonte mesazhet e tij të miqësisë” – u shpreh Kryeministri Rama në një postim të tij në rrjetet sociale.

Kryeministri vizitoi gjatë ditës së sotme edhe Bazilikën e Shën Pjetrit, ndërsa më herët, Kryeministri Rama, bashkëshortja e tij Linda Rama, si dhe djali i tyre Zaho Rama vizituan në Genazzano, bazilikën e famshme, ku gjendet shëmbëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, mbi një copë të shkëputur nga muri i Kishës së Shkodrës në vitin 1467.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.