Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku vizitoi të lënduarit nga tërmeti i djeshëm dhe u njoh nga stafi mjekësor me gjendjen e tyre shëndetësore. Pasi u takua me të lënduarit dhe u interesua nga afër për situatën në të cilën ndodhen aktualisht, në përfundim, kryeministri Edi Rama u shpreh për mediat e pranishme:

Kjo është një nga ato ditë ku na  jepet mundësia të gjithëve të vlerësojmë si duhet mjekët, infermierët dhe të gjithë trupën e kujdesit shëndetësor që në të përditshmen marrin shumë shqetësime dhe marrin shumë ngacmime të padrejta, por në një rast si ky është momenti për t’i falënderuar për të gjitha dhe për t’u shprehur të gjithë mirënjohjen. Dje ka qenë një ditë pushimi dhe është fakt që pavarësisht kohës së dhënies së alarmit të gjithë janë nisur për të ardhur nëpër pikat kyçe këtu të QSUT, spitalin e Durrësit e gjetkë. Janë gjendur në krye të detyrës, pranë kolegëve të tyre pa pritur t’u vijë njoftimi. Është një shprehje shumë domethënëse dhe e vetëdijes së solidaritet dhe shërbimit ndaj njerëzve. Fluksi i parë ka qenë i madh dhe është përballuar me sukses. Lavdi Zotit nuk ka qenë një goditje fatale dhe përgjithësisht problemet e natyrë mjekësore nuk janë ekstreme, por patjetër kujdesi ka qenë maksimal. Sot, gatishmëria është maksimale, numri fatmirësisht ka rënë fare megjithatë secili prej atyre që vazhdon të jetë nën vëzhgimin e mjekëve është një bashkëqytetar që meriton vëmendjen, sepse nuk janë numrat që kërkojnë vëmendjen, por nevoja për t’i shërbyer qoftë edhe një njeriu të vetëm.

-Strukturat që kanë qenë në gatishmëri ditën e djeshme, kanë mundur ta përballojnë situatën?

Kryeministri Edi Rama: Besoj që kjo është një pyetje për të vazhduar bisedën. Pavarësisht përgjigjes time, e panë të gjithë që kemi qenë menjëherë të organizuar sepse qoftë ministrja e Shëndetësisë, e Mbrojtjes, qoftë dhe prefektët kanë punuar në vijimësi të trajnimeve dhe stimulimeva të protokolleve që janë gati për momentet e emergjencave. Në momentin që emergjencat janë shfaqur, gjithçka ka funksionuar më së miri. Në këtë rast edhe falë faktit që nuk ka patur një goditje fatale me pasoja ekstreme, gjithçka është përballuar më së miri.

-Për qytetarë do të vazhdojë shqetësimi?

Kryeministri Edi Rama: Është gjëja më legjitime dhe më normale që periudha e menjëhershme pas tërmeteve të shoqërohet me ankth, pasiguri, stres dhe patjetër edhe me nevojën e madhe për t’iu komunikuar të gjithëve që duhet sa më shumë qetësi dhe pak durim sepse situata është e kapërcyeshme. Nuk kemi dëmtime të natyrës së humbjes së jetës së njerëzve. Në radhe të dytë, nuk kemi dëmtime të strukturave të banimit, të atilla që të kenë lënë familje pa strehë. Çdo dëmtim do të verifikohet. Njerëzit nuk duhet të shqetësohen për plasaritjen e dukshme apo shenjat e pallateve sepse jo domosdoshmërish ato janë shenja kërcënuese. Përgjithësisht janë sipërfaqësore. Nuk ka rrezik që një  krisje e dukshme të shoqërohet me një hapje më dysh të strukturës. Çdo godinë, qoftë shtëpi apo pallat do të verifikohet nga specialistët për të dhënë  konkluzione nëse është një krisje, plasaritje apo diçka sipërfaqësore dhe pastaj do të ndërhyhet një nga një për të riparuar dëmet. Kështu që nuk ka vend për panik. Natyrisht që askush nuk mund të parashikojë tërmetet. Njerëzimi akoma nuk e ka arritur parashikimin e tërmeteve. Nuk ka asnjë arsye të mendohet që meqë ndodhi dje, do ndodhi dhe sot. Lëkundjet e mëpastajme janë pjesë e mënyrës sesi zhvillohet procesi i stabilizimit të pllakave tektonike pas goditjes së rëndë. Kështu që,  në kushtet që jemi duhet të marrim frymë të lehtësuar që ka qenë me kaq dhe për sa na takon do të jemi në territor, siç kemi qenë që nga momenti i parë për t’i lehtësuar shpirtërisht  njerëzit, për t’i asistuar njerëzit dhe kush e ka problem që të qëndrojë në shtëpi, për arsye të frikës për arsye të fëmijëve, ka në dispozicion në Durrës dy kovalishencat, me rreth 700 shtretër, me kushtet optimale. Ashtu sikundër, do të ketë të gjithë asistencën e nevojshme tek stadiumi, aty ku është bërë natyrshëm një pikë grumbullimi e njerëzve ose në Tiranë tek qendrat e ngritura enkas për këtë. Kështu që po bëhet maksimumi. E mira nuk ka fund, por besoj që thjesht dhe vetëm duhet t’i shtrëngojmë radhët pranë njëri-tjetrit dhe t’i lehtësojmë në maksimum njerëzit. Do t’u lutesha edhe atyre që bëjnë kronikat nga terreni që të luajnë një rol dhe të mos ekzaltojnë aspektet negative të frikës apo të ankthit, duke i dhënë proporcione të panevojshme alarmi një plasaritjeje në mur, apo një shkëputje të një fuge sizmike.

-Situata ka qenë frikshme. Nëse keni parë pallate në Durrës që kanë patur çarje në shtesa, nuk ka qenë thjesht një plasaritje.

Kryeministri Edi Rama: Edhe njëherë tjetër, këtë gjë t’ia lemë inxhinierëve, konstruktorëve, t’ia lëmë specialistëve. Që situata ka qenë e frikshme, kjo nuk diskutohet, por që orët më pas kanë qenë orë për të ushqyer qetësinë dhe jo  për të ushqyer frikën edhe kjo besoj nuk ka pse të diskutohet. E po ju them përsëri që, jo çdo gjë që duket në sipërfaqen e godinave është një shenjë alarmi. Sepse godinat që kur konstruktohen, kanë në konstruksionin e tyre edhe elementë të mbrojtjes nga tërmeti.  Kanë të ashtuquajturat fuga sizmike që janë enkas për këtë punë. Dhe kur shikojmë një pallat të shkëputur nuk është një pallat i çarë, por është një strukturë që ka reaguar si duhet ndaj tërmetit, duke rritur fleksibilitetin e gjithë volumit. Natyrisht që, thashë, për rastet kur ka shtesa që mund të manifestojnë një situatë të natyrës së cenimit strukturor, do të jemi aty do t’i verifikojmë, por mund të jetë dhe e kundërta  sepse në momentin kur ndërtohet një shtesë, ndërtohet pikërisht mbi këtë princip që thashë. Pra nuk është një ngjitje me çamçakëz, por është në përputhje me një projekt. Ka ndodhur në Shqipëri që të bëhen edhe pa projekt?! Ka ndodhur në Shqipëri që të bëhen edhe shto ujë e shto miell?! Të gjitha këto do të verifikohen. Por nuk duhet të rrisim ndjenjën e alarmit.

-Çfarë do të ndodhë për objektet që janë shembur apo ka patur dëmtime?

Kryeministri Edi Rama: Do të ndodhë ajo që duhet të ndodhë. Askush nuk do të harrohet. Çdokush do të mbështetet dhe do të kryhen të gjitha riparimet e nevojshme se nuk ka çfarë të ndodhë tjetër. Por duhet pak durim sepse nuk mund të bëhet inspektimi teknik  menjëherë në të gjitha pikat. Nuk ndodh në asnjë vend të botës, edhe në vende shumë më të zhvilluara se i joni. E nga ana tjetër, ajo që dua të përsëris dhe njëherë tjetër, nuk ka rrezik eminent për sa i përket natyrës fizike të godinave. Kjo është ajo që do të ndodhë, ne nuk do të lëmë asnjë mbrapa. Prandaj i kemi ftuar dhe ftojmë që të gjithë qytetarët që të bëjnë me dije problemet, pra në numrat që kemi vënë në dispozicion në strukturat që kemi vënë në dispozicion, t’i bëjnë me dije problemet në shtëpinë e tyre, në rast se ende nuk ka trokitur dikush dhe askush nuk do të mbetet mbrapa. Nëse doni, shkoni të shikoni në fshatrat e fshatit të Korçës, kur ra një tërmet që faktikisht nxori treçerekun e komunitetit nga shtëpitë dhe ku po rindërtohen të gjitha shtëpitë dhe ku para fillimit të shirave, familjet që janë akoma sot që po flasim , nëpër tenda, – do të hynë në shtëpi. Këta jemi ne. Po ju lutem shumë  pak durim, pak kohë sepse nuk kemi as shkopin magjik, as nuk i dimë të gjitha, as nuk jemi të pagabueshëm. Prandaj bashkërisht ta kapërcejmë këtë situatë.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.