Për të dytin vit rresht, Kryeministria iu bashkua fushatës vullnetare të Kryqit të Kuq Shqiptar për dhurimin e gjakut. Në ambientet e Kryeministrisë u vendos njësia e lëvizshme e Kryqit të Kuq Shqiptar, i cili nga këtu nisi sot fushatën e dhurimit të gjakut. Ndër të parët që dhuroi gjak ishte Kryeministri Edi Rama, i pasuar nga stafet e departamenteve të Kryeministrisë. Ky kontribut do të shkojë në mbështetje të jetës për fëmijët talasemikë.
Kryeministri Rama, një dhurues i rregullt i gjakut prej 15 vitesh për këta fëmijë, i bën apel qytetarëve t’i bashkohen kësaj fushate, në një akt solidariteti që i jep jetë jetës.
“I shpreh gjithë respektin Kryqit të Kuq Shqiptar për këtë përpjekje të vazhdueshme në mbështetje të fëmijëve talasemikë. Është viti i 15-të që jap gjak, por është njëkohësisht një akt dhurimi që e bëj dhe besoj duhet ta bëjmë të gjithë me shumë kënaqësi, sepse ndihmojmë fëmijë që kanë nevojë jetike për gjak dhe shpeshherë nga rënia e depozitës dhe nga mungesa e gjakut kërcënohen drejtpërdrejtë në jetën e tyre. Nga ana tjetër, siç thotë edhe doktoresha, dhurimi është një akt ripërtëritës për trupin e njeriut. Meqë jemi në prag të 1 Qershorit dhe meqë në periudhën e verës, nevoja për gjak është më kritike, unë i bëj thirrje të gjithëve që ta bëjnë këtë akt dhurimi, sepse jo vetëm do ndihmojnë fëmijët për të vazhduar të jetojnë, por edhe do të ripërtërijnë jetën në organizimin e tyre.”
Një kontribut jetik, e cilëson edhe përfaqësuesja e Kryqit të Kuq Shqiptar, mbështetjen që kanë gjetur tek Kryeministri, stafi i Kryeministrisë dhe të gjithë ata që vullnetarisht bëhen pjesë e dhurimit të gjaku.
“Është viti i dytë që në Kryeministri, ne organizojmë hapjen e fushatës së dhurimit vullnetar të gjakut me rastin e 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve dhe 14 Qershorit, Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut. Gjejmë rastin të falenderojmë Kryeministrin dhe gjithë stafin që i janë përgjigjur thirrjes tonë. Falenderojmë në veçanti, Kryeministrin që është një dhurues i rregullt prej 15 vitesh me Kryqin e Kuq Shqiptar, për të ndihmuar fëmijët talasemikë.”
Kësaj thirrjeje i bashkohet edhe stafi i Kryeministrisë. “Është hera e parë për mua dhe më vjen shumë mirë për institucionin tim që e ka marrë këtë nismë dhe uroj që ta marrin të gjithë njerëzit që kanë mundësi të dhurojnë gjak, se është një akt që i vjen në ndihmë atyre që e kanë të nevojshme,” – u shpreh një nga punonjëset. “Është hera e dytë që jap gjak dhe me shumë kënaqësi do të jepja çdo vit,” – u shpreh një tjetër nga nëpunësit e selisë së qeverisë.