Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

KRYEMINISTRI EDI RAMA, I SHOQËRUAR NGA ZËVENDËSKRYEMINISTRI NIKO PELESHI DHE MINISTRI I MIRËQENIES SOCIALE ERION VELIAJ, INAUGURUAN SOT ZYRËN E RE TË PUNËS NË KORÇË, E VENDOSUR NË QENDËR TË QYTETIT NË MJEDISET E NJË OBJEKTI QË MË PARË KA SHËRBYER SI KAZINO.

Kryeministri Rama veçanërisht vlerësoi simbolikën e vendit ku ngrihet kjo zyrë pune, për të përcjellë mesazhin se “s’ka mënyrë tjetër për të fituar veç punës.

“Për simbolikën që ka meriton një vëmendje të veçantë, pasi deri dje kjo hapësirë ishte një kazino e madhe e qytetit, ku të rinj apo njerëz në moshë pune dhe të papunë vinin këtu për të ndjekur iluzionin se paratë mund të fitohen edhe në një rrugë tjetër. Por në fakt nuk ka një rrugë tjetër përveç punës për të fituar në mënyrë të ndershme, në mënyrë të drejtë dhe mbi të gjitha në mënyrë dinjitoze, jetën dhe mirëqenien,” – u shpreh Kryeministri.

Edhe Ministri Veliaj theksoi simbolikën e kthimit të kazinosë në një zyrë pune. Ai tha se rezultati i parë u kësaj zyre në Korçë është që 100 vetë nisin punë këtë javë.

Zyra e re e Korçës është e 7-ta në vend. Kryeministri e vuri theksin tek forcimi i rolit të zyrave të punës si ura lidhjeje mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve, ndërsa rezultatet mbresëlënëse të 6 zyrave të para të punësimit flasin për një interes në rritje të kompanive e punëkërkuesve t’u drejtohen atyre.

“Ne nuk po hapim dyer zyrash, por po vendosim gur themeli në një ngrehinë të madhe të Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Këto pika ku punëkërkuesit dhe punëdhënësit takohen së bashku me kërkesat e tyre, do të transformojnë njëherë e mirë të gjithë panoramën e punës dhe të punësimit në Shqipëri për katër vitet e ardhshme.  Vetëm në 4 muajt e parë të vitit falë zyrave të tjera të hapura në Tiranë, Durrës, Vlorë, në Elbasan, Kavajë, Gjirokastër, janë afishuar afro 5 mijë vende të lira pune.” – u shpreh Kryeministri, pasi vizitoi zyrën e re.

Synimi ynë, tha Kryeministri, është të sigurojmë punësimin real. Kryeministri garantoi pavarësinë e Institutit të Statistikave, për t’iu larguar lojës së deritanishme me shifrat në kurriz të të papunëve.

“Në 4 muajt e parë, të këtij viti kemi 32 mijë të punësuar më shumë. 32 mije njerëz që paguajnë taksa dhe sigurime shoqërore, më shumë. Nuk janë shifra statistikore të prodhuara, siç prodhoheshin deri dje. Janë shifra lehtësisht të verifikueshme, nëpërmjet tabelave të sigurimeve shoqërore dhe të kontributeve me taksa të gjithë këtyre personave. Kush na thotë se e kemi ekzagjeruar, duke premtuar një numër të madh vendesh të reja pune, duhet të qetësohet dhe thjesht të shohë sesi hap pas hapi zotimi ynë do bëhet realitet. Në Shqipërinë që na la Saliu, numri i të papunëve ishte shumë herë më i lartë se ç’pretendohej dhe përqindja e papunësisë shumë më e lartë sesa ç’shkruhej. Praktikisht sot kemi një të dhënë që për ne është inkurajuese, që më shumë njerëz deklarohen të papunë sepse kërkojnë punë. Ndërkohë që deri dje as nuk i pyeste njeri fare sepse i konsideronin të gjithë të vetëpunësuar. Loja me shifrat e papunësisë në Shqipëri, që pretendohej se ishte 12, 13 e 14 %, ishte pikërisht kjo; numri i atyre që drejtoheshin për të kërkuar punë, ndërkohë që të papunët në Shqipëri nuk ishin dhe nuk janë vetëm ata që drejtoheshin për të kërkuar punë, por janë edhe ata që nuk kanë shpresë se mund ta gjejnë një punë duke e kërkuar në sistemin e punësimit dhe kështu janë jashtë regjistrit.

Ne e kemi thënë dhe po e bëjmë. INSTAT do ta transformojmë në një instrument të pavarur nga vullnetet politike dhe nga orekset elektorale dhe në funksion të statistikave reale. Unë dua që të gjithë të kuptojnë një gjë. Nëse do të ishte sot përsëri qeveria që ishte deri dje, shifra nuk do të kishte ndryshuar, madje do të ishte përmirësuar me dorë në zyrë nga ana e Institutit të Statistikave. Ndërkohë që sot shifra është më pranë realitetit sepse INSTAT nuk pyet më qeverinë dhe nuk merr miratimin në zyrën e kryeministrit për të publikuar apo mos publikuar një shifër që mund t’i pëlqejë ose mund të mos t‘i pëlqejë Kryeministrit. – u shpreh Rama.

Zyra të standardit europian që rrëzojnë muret mes sporteleve të shtetit dhe qytetarëve, e quajti edhe Zëvendëskryeministri Peleshi, rrjeti e zyrave të punësimit që po ngrihet në të gjithë vendin.

“Me këtë seri zyrash pune të standardit europian është treguar se me përkushtim gjërat janë të mundshme. Të rrezojmë muret mes sporteleve të shtetit dhe qytetarëve, për t’i thënë ‘jo’ edhe korrupsionit në shërbimin ndaj qytetarëve. Për këtë, do të vëmë në shërbim edhe teknologjinë,” – u shpreh Zëvendëskryeministri Peleshi.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.