Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bashkia e Durrësit ka nisur procesin e shpërndarjes së granteve të rikonstruksionit dhe riparimit të banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, proces nga i cili përfitojnë 7449 familje. Kryeministri Edi Rama, i cili, sëbashku me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishte në Durrës për të ndjekur nga afër këtë proces, u shpreh se qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët në nevojë për riparime të dëmeve të tërmetit, duke nënvizuar se janë plot 2.5 miliardë lekë që do të shkojnë direkt në arkën e familjeve.
“Kemi filluar punën intensivisht për shpërndarjen e granteve. Jemi shumë të vetëdijshëm se çdo ditë është shumë për njerëzit që presin të hyjnë në shtëpi dhe kemi bërë çmos për ta bërë procesin sa më shpejt dhe sa më mirë. Pengesa që krijoi periudha e mbylljes ka qenë e konsiderueshme, megjithatë po e kapim pak nga pak kohën e humbur. Janë 25 milionë dollarë që do shpërndahen në dorë për të gjitha familjet që kanë të domosdoshme të përmbyllin riparimet në banesat, ku dëmet janë të konsiderueshme,” u shpreh Kryeministri. Ndërr të tjera, ai theksoi se paralelisht po ecet edhe me procesin e rindërtimit, ku në Durrës ka nisur tashmë puna për të vënë në zbatim planin e parë të miratuar, atë të Spitallës.
“Ndërkohë është punuar intensivisht me planet dhe kemi miratuar planin e Spitallës. Kemi një sërë godinash të tjera që do ndërtohen individualisht në pikat ku janë prishur, në mënyrë që familjet e dëmtuara të rikthehen jo thjesht në një shtëpi të rindërtuar, më të mirë dhe më të fortë, por dhe po në atë lagje. Jemi në fazën e procedurës ku do fillojmë me garat, ndërkohë që po ecim shpejt me projekt zbatimin e Spitallës, ku do angazhojmë grupin e krijuar nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara,” u shpreh Kryeministri duke shtuar, se ndërkohë po ecet intensivisht kudo ku tërmeti ka shkaktuar dëme.
“Është një shumë e konsiderueshme prej rreth 80 milionë dollarë që do shkojnë drejtëpërdrejtë si pagesë për qytetarët në Tiranë, në Vorë, në Kavajë, në Shijak, Durrës, Kamzë, Krujë, Fushë Krujë, Kurbin, Mirditë dhe në Lezhë. Ka filluar puna konkrete për shtëpitë individuale. Gara ka përfunduar. Janë lidhur marrëveshjet për lotet e para dhe shumë shpejt do të jemi në terren. Fillimi i vjeshtës do jetë dhe fillimi i hapjes së dyerve për banesat individuale. Për banesat kolektive do duhet pak më shumë durim nga të gjithë, por ajo që të gjithë duhet të dinë është se ne nuk po i lëmë asgjë mangët këtij procesi,” deklaroi Kryeministri.
“Ky është një proces që jo thjesht do na ndihmojë të mbyllim një plagë që hapi 26 Nëntori i vitit të shkuar, por do na sjellë edhe një impakt të rëndësishëm në ekonominë tonë, e cila ka nevojë sot më shumë se asnjëherë më parë për injeksion, për mundësi të reja, për punësim dhe investime. Impakti në ekonominë lokale dhe në ekonominë kombëtare i gjithë këtij plani “Marshall” rindërtimi do të jetë i konsiderueshëm,” shtoi Kryeministri.
Ndërsa ministri Ahmetaj deklaroi se kjo shifër përllogaritet të shkojë në rreth 1 miliardë dollarë, apo më shumë se 7% e PBB-së. Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, nga ana e saj u shpreh se kjo bashki deri tani ka lidhur 3270 kontrata. “Kemi bërë likujdimin familjeve të para përfituese, rreth 60 milionë lekë. Kemi marrë gjithashtu fondin për riparimin e ambienteve të përbashkëta për rreth 790 godina,” tha Sako.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.