NJOFTIM PËR APLIKIM PËR PËRZGJEDHJEN E KANDIDATËVE PËR ANËTARË TË KOMISIONIT TË PROKURIMIT PUBLIK
Në mbështetje të nenit 19/3 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe pikës 6 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 521, datë 20.09.2017, “Për miratimin e procedurës për përzgjedhjen e kandidaturave për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik”, si edhe në vijim të vendimeve të Kuvendit për mosmiratimin e kandidaturave të dërguara për miratim në Dhjetor 2017 rishpallim njoftimin për aplikim për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik për 4 (katër) pozicione.
I. Kriteret për aplikim:
Konkurimi është i hapur për personat që plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të ketë arsim të lartë në drejtësi;
ç) Me përjashtim të nënkryetarit, njëri prej anëtarëve mund të ketë diplomë në inxhinieri, ekonomi apo ndonjë fushë të ngjashme;
d) Të ketë mbi 8 vite përvojë pune, nga të cilat, të paktën, 3 vite në fushën e prokurimeve;
dh) Të jetë person i padënuar apo ndaj të cilit nuk janë dhënë masa sigurie apo dënim me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar.
e) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi si dhe të mos jetë larguar nga puna ose shërbimi civil me masë disiplinore.
II. Dokumentet që duhet të dorëzohen:
Aplikanti duhet të dorëzojë këto dokumente:
a. Kërkesë për aplikim ku të përcaktohen pozicioni për të cilin kandidon, si dhe të dhëna kontakti për komunikim të mëtejshëm;
b. Jetëshkrim (curriculum vitae) i kandidatit;
c. Diplomë e arsimit të lartë;
ç. Librezë pune ose dokument i ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
d. Vërtetim ose vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna ose shërbimi civil me masë disiplinore ose që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
dh. Vetëdeklarim që është person i padënuar apo ndaj të cilit nuk janë dhënë masa sigurie apo dënim me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar;
(Deklarimi i rremë, përveç përgjegjësisë penale sipas ligjit, sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme).
e. Çdo dokument tjetër shtesë që provon përmbushjen e kritereve të përzgjedhjes, sipas përcaktimit të pikës 11, të vendimit nr. 521, datë 20.9.2017, të Këshillit të Ministrave.
III. Vlerësimi:
Komisioni ad-hoc, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e mbylljes së aplikimeve, bën vlerësimin paraprak të dosjeve të aplikantëve dhe publikon në faqen e internetit të Kryeministrisë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret për t’u emëruar.
Komisioni ad-hoc, brenda 20 (njëzët) ditëve kalendarike nga data e mbylljes së vlerësimit paraprak të dosjeve, bën vlerësimin me pikë të tyre, sipas parashikimit të vendimit nr.521, datë 20.9.2017, të Këshillit të Ministrave.
Pas vlerësimit të jetëshkrimit, kandidatët mund t’i nënshtrohen intervistës së strukturuar me gojë, për të cilën do të njoftohen për datat përkatëse të zhvillimit të saj.
Lista e kandidatëve për anëtarë të KPP-së, renditur sipas pikëve të marra, do të publikohet në faqen e internetit të Kryeministrisë.
Me qëllim vijimin e procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik, Këshilli i Ministrave dërgon në Kuvend listën e kandidatëve të kualifikuar sipas renditjes dhe listën e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar.
Afati i dorëzimit të aplikimit: deri më 10 prill 2018
Adresa: Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nr. 1. 1000
Tiranë, Shqipëri
Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm
tel: 04 22 77 401
Shënim: Duke qenë se kriteret për aplikim nuk kanë ndryshuar, aplikantët, për të cilët Kuvendi ka marrë vendim për mosmiratimin e kandidaturës, nuk legjitimohen të aplikojnë.