Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vizita që Kryeministri Rama po bën në qytetin e Përmetit vijon me takimin me ekipin e vajzave të basketbollit dhe klubin e pingpongut të qytetit në Pallatin e Sportit, ku kultivohet pasioni për sportin dhe edukata sportive për fëmijët e këtij qyteti.

Në kuadër të Programit Kombëtar të Sportit në Shkollë, në qytet janë krijuar ekipet e basketbollit dhe volejbollit, respektivisht 3 ekipe djemsh dhe 3 vajzash. “Tani ne do bëjmë gati uniformat për të gjitha skuadrat e shkollave, me uniforma, me çanta, me tuta, me të gjitha”, – tha Kryeministri Rama.

Modeli që po ndiqet me basketbollin dhe volejbollin, synohet të shtrihet edhe në futboll ku mbështetja e bashkive nuk do të mungojë si me bazën materiale, ashtu dhe me infrastrukturën.

“Në rastin e sporteve të tjera, ne kemi vendos këto të dyja si kolona, pastaj një bashki ka ekipin e pingpongut, mbështet ekipin e pingpongut, një tjetër janë ata në zonën e Shtërmetit që bëjnë peshëngritje, ata nxjerrin kampionë atje”, – nënvizoi Kryeministri.

Klubi i Pingpong-ut i qytetit të Përmetit ka fituar dhe kampionatin ballkanik për moshat nën 15 vjeç.

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.