Të rinjtë, përfitues të Programeve të Nxitjes së Punësimit ishin sot të ftuarit në takimin me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, në një diskutim mbi përfitimet nga programet e qeverisë mbi punësimin, dëshmi se Shqipëria ofron mundësi për të gjithë të rinjtë që duan vërtetë të punojnë, e të ndërtojnë një rrugë profesionale.
Kryeministri faktoi me shifra se “brenda këtyre 5 viteve të fundit, 42 mijë të reja dhe të rinj, janë punësuar përmes zyrave të punës dhe përmes këtyre shërbimeve nga të cilët 7500 janë individë, që kanë përfituar pikërisht nga programet dhe sot janë në punë”.
Ndërkohë që çdo muaj publikohen mesatarisht 5 mijë e 500 vende pune në portalin puna.gov.al, të të gjitha kategorive dhe profileve të punës.
* * *
Mirë, shumë faleminderit për këtë mundësi dhe për durimin, që nuk ju karakterizon dhe do doja të ndaja me ju disa informacione që janë të rëndësishme edhe për ata që na ndjeki , për të krijuar një ide se ku qëndrojmë ne si qeveri, por edhe se çfarë ka sot në këtë vend nga pikëpamja e shërbimeve të punësimit.
Dua ta filloj me një fakt që nuk është i njohur, Shqipëria sipas OECD, që është një burim shumë serioz të dhënash dhe vëzhgimesh mbi vendet, është vendi që zë vendin e parë në rajon për shërbimet e punësimit dhe kjo është diçka shumë pozitive sepse flet qartë, që puna që kemi bërë në gjithë këto vite për të ndërtuar një skemë shërbimesh punësimi, na ka dhënë një rezultat inkurajues.
Janë 7 programe që funksionojnë sot për nxitjen e punësimit që mbulojnë të gjitha kategoritë dhe që shkojnë nga praktikat profesionale, tek formimi në vendin e punës, nga vetëpunësimi siç e dëgjuat dhe këtu, tek ri integrimi social.
Dhe një tjetër e dhënë që është mirë ta dini dhe ta dinë të rinjtë, është që krejt normal janë skeptikë, janë mosbesues, madje janë edhe indiferentë ndaj këtyre skemave ose këtyre fjalëve, është që vetëm në 5 vitet e fundit, 42 mijë të reja dhe të rinj, janë punësuar përmes zyrave tona të punës dhe përmes këtyre shërbimeve. Është një numër jo i vogël dhe në këtë shifër, 7500 janë individë që kanë përfituar pikërisht nga programet dhe sot janë në punë.
Tani, përmbi këtë strukturë që ne kemi ndërtuar vit pas viti, kemi dhe garancinë rinore që është një model i suksesshëm europian që po zbatohet edhe në Shqipëri dhe janë 2200 vajza dhe djem të parë që po përfitojnë nga garancia rinore, objektivi i cilës, vetëm garancia rinore, është që 60 mijë vajza dhe djem të mbështeten në të gjithë vendin e në të gjitha kategoritë brenda viteve të këtij mandati qeverisës që ne sapo kemi nisur.
Përpara se të vija këtu, pashë me shumë kuriozitet një video të një prej zyrave të një banke të re dixhitale të sapo miratuar në Shqipëri nga Banka e Shqipërisë, edhe ishte vërtetë mbresëlënëse, që ato zyra në shumë pak ditë janë mbushur me vajzat dhe djem të rinj dhe më treguan numrin e aplikimeve. Ishte mbresëlënës dhe aktualisht, tani që flasim, banka kishte të intervistuar dhe në planin imediat të punësimit, 100 vajza dhe djem. Natyrisht, që është një punë shumë tërheqëse. Është një bankë e gjeneratës së re, inovative dhe patjetër është një vend pune që paguhesh mirë. Dhe pavarësisht se ne kemi bërë shumë progres në aspektin e pagave dhe pavarësisht se duke filluar nga janari do ta çojmë pagën minimale në 500 euro dhe pavarësisht se plani ynë është që brenda mandatit paga minimale të shkojë në 700 euro, 750 euro më saktë, jemi shumë të vetëdijshëm që ajo që na duhet dhe ajo që është një ofertë bindëse është oferta e vendeve të punës të paguara shumë mirë.
Pra, punësim shumë më cilësor i cili vjen natyrisht nga dija, nga dija profesionale. Nga dija profesionale e shtrirë nga inxhinieria dhe informatika deri tek kuzhina se ky këtu, që kemi të gjithë në xhep si spiun që na rri me vete, mund të bëjë mrekullira, por ky nuk do arrijë kurrë të gatuajë. Do duhet ky! Dhe sa më shumë ky do të zhvillohet dhe do të vijnë dhe robotët që do shërbejnë, aq më shumë do t’i rritet paga këtij. Aq më shumë do kërkohet njeriu i ditur që gatuan, që shërben dhe që bën ato punët që deri vonë janë parë nga lart poshtë po themi, punën e hidraulikut, punën e rrobaqepësit.
Të gjitha këto lidhen me dijen profesionale dhe më vjen shumë mirë që ne këtë vit kemi arritur nivelin më të lartë të regjistrimit në arsimin profesional. Jemi akoma larg nga ku duam të arrijmë. Kemi arritur thuajse në 20%, por nuk mjafton. Dhe për këtë arsye ajo që tha drejtori që dua ta përgëzoj për punën e mirë që ka bërë për këtë agjenci e cila përmes portalit të saj puna.gov.al publikon çdo muaj 5500 vende pune mesatarisht. Kjo është për të gjithë ata që thonë që s’ka punë. Ata që thonë s’ka punë, janë ata që nuk duan punë, pikë, sepse vetëm në portal janë 5500 vende pune mesatarisht çdo muaj të të gjitha kategorive, çdo gjë. Natyrisht që nuk është aq e lehtë sa të hapësh portalin, se e tha vajza më parë që kur shkon dhe troket ka vështirësi, ka pretendime, kërkesa etj, nuk po zbus asgjë nga këto, por po them që kush realisht do punë dhe kush realisht do të bëjë sukses në këtë vend, mund të bëjë sukses dhe nganjëherë mund të bëjë sukses për të cilin jashtë këtij vendi do duhen shumë më tepër vite, shumë më tepër sakrifica dhe shanset janë shumë më të vogla dhe këtu kam parasysh Europën e sotme. Nuk është më Europa që ishte. Problematikat e punësimit të të rinjve, problematikat e refuzimit të të rinjve për të bërë një numër gjithmonë e më të madh punësh janë problematika europiane sot dhe ky vend, pikërisht pse është në zhvillim e sipër, po pikërisht pse nuk është aq i strukturuar, sa ç’janë vendet më të zhvilluara, ka hapësira më shumë për ata të cilët kanë kurajo më shumë, kanë vullnet më shumë dhe janë të gatshëm të riskojnë më shumë.
Për të mos u zgjatur edhe unë më shumë, dua të shtoj që ne jemi fokusuar tek start-upet, do të shtojmë edhe më shumë mbështetjen. Janë më shumë se 200 start-upe të financuara drejtpërdrejt nga programet tona, por jemi mbrapa në këtë pjesë dhe jemi mbrapa edhe për një arsye tjetër, përveç shumë arsyeve, që nuk janë të lidhura me këtë që do të them, jemi mbrapa dhe për mosbesimin e shumë kujt që t’i referohet këtyre programeve dhe prandaj unë dua ta përsëris atë që tha vajza që – “kjo punë është mos beso, por provo”, nuk kushton asgjë që ti të mos besosh, sepse po besove mund të duket vetja jo në rregull, ndërkohë që unë personalisht e kam ndryshe, nisem nga besimi, jo nga mosbesimi, dhe pastaj apliko. Dhe janë 70 % e atyre që kanë përfituar nga këto programe nën moshën 29 vjeç dhe 37 % e këtyre start-upeve përbëhen në shumicë nga vajza ose drejtohen nga vajza, që është dyfishi i mesatares të Bashkimit Europian dhe që provon teorinë time që Shqipërinë do shpëtojnë gratë. Unë e kam bindje këtë, Shqipërinë do ta shpëtojnë përfundimisht vetëm gratë, me burrat e dini ju se si i kam unë problemet.
Ka dhe një tjetër program, që është ai i vetëpunësimit, që ka sjellë të dhëna shumë interesante dhe ne duam që në vijim të rrisim numrin, pikërisht të të rinjve që duan të vetëpunësohen. Dhe nuk flasim këtu për start-up, flasim për të gjitha llojet e gjërave. Të rinj që duan të vetëpunësohen dhe që duan të hapin një biznes të vogël, dua t’i vëmë në fokus të kësaj mbështetje që t’i japim, se gjithmonë në momentin e parë është një dorë që mund të jetë dorë fati, mund të jetë dora e prindit, mund të jetë dora e një shoku dhe këtyre duarve do t’i shtohet edhe mundësia që të jetë edhe dora e shtetit.
Buxheti i vitit që vjen është i konsiderueshëm dhe ajo që është e rëndësishme për këtë bisedë është që është buxheti më i madh ndonjëherë për të nxitur punësimin për të rinjtë. E kemi rritur me 60 % shumën e dedikuar për të rinjtë dhe prandaj jemi këtu sot, nuk jemi këtu sot për të bërë fushatë elektorale, se fushata ka mbaruar, nuk jemi këtu sot as për t’ju vendosur juve këtu në sfond dhe për t’u dukur bukur ne, po jemi për të shfrytëzuar çdo mundësi që të përcjellim tek gjithë bashkëmoshatarët tuaj dhe tek ju që jeni këtu patjetër këtë mesazh që t’i referohen programeve të punësimit, të aplikojnë në programet e punësimit është 60% më shumë financimi i programit të punësimit për të rinjtë vetëm për të rinjtë, por kërkon edhe më shumë aplikantë, se do ishte skandal që për mungesë të aplikimeve të mjaftueshme, ne mos i shpenzonim të gjitha këto fonde të cilat duam t’i trefishojmë në tre vitet e kusur që vijnë përpara.
Këto ishin ato që unë kisha për të thënë, ju falënderoj shumë për gjithë vëmendjen, shpresoj që diçka të ketë mbetur në mëndje, shpresoj, ishallah ekzakt, me kismet është kjo punë, jemi dakord bashkë. Dhe e përsëris, kjo botë është e guximtarëve dhe atyre që provojnë, provojnë, provojnë, provojnë deri sa ia dalin. Kjo botë nuk është e atyre që thonë, “nuk bëhet kjo punë mor jahu, na bjer një teke tjetër”.
Shumë faleminderit!