Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Rruga e Lumit të Vlorës, e shumëpremtuar ndër vite, por asnjëherë  e realizuar, po bëhet gati për t’iu zbuluar shqiptarëve e turistëve një thesar të fshehur të parajsës natyrore të Shqipërisë.

Në lotin e tretë të rrugës, ku punimet kanë nisur prej kohësh tashmë, ishte sot për inspektim, Kryeministri Edi Rama.

“Jemi në Lotin 3 të punimeve të rrugës së Lumit të Vlorës. Në Lotin 2 punimet janë thuajse në përfundim. Është realizuar 90% e asfaltit dhe për t’u përmbyllur vetëm nje segment i urës kryesore. Në Lotin 3 kanë kohë që kanë filluar punimet. Është hapur 80% e transhesë, ndërkohë ka filluar puna edhe për degëzimin. Njëra rrugë na çon në Qeparo, tjetra shkon në Kuç, duke u lidhur me rrugën e Gusmar Kuçit, që është 90% e mbyllur”, – shpjegoi ecurinë e deritanishme të punës, Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.

Lidhja e majave të Labërisë me Jonin në perëndim e me Gjirokastrën, Tepelenën e Përmetin në lindje i shton një motor të ri dhe shumë të fuqishëm ekonomisë së turizmit shqiptar.

“Jemi shumë të lumtur që po zbulojmë një copë parajse të Shqipërisë, që ishte plotësisht e panjohur, – u shpreh kryeministr Rama, – por jo vetëm kaq, por me këto dy rrugë të ëndërruara prej 100 vjetësh nga njerëzit e këtyre zonave, të premtuara denbabaden edhe nga vetë sekretari i parë i asaj kohe, largqoftit dhe pastaj nga të gjtihë të tjerët. Po krijojmë një pellg komplet të ri për turizmin, po krijojmë një hapsirë komplet të re që i shtohet hapësirës turistike të Shqipërisë. Po krijojmë një hapsirë komplet fituese për ekonominë rurale, për agroturizmin, për diversifikimin e portofolit tonë turistik, duke bërë të mundur që Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Saranda, Vlora, bregdeti Jon dhe majat e Labërisë të jenë brenda një oferte të vetme dhe e përsëris këtu me rrugën e re që tanimë është në fazën e procedurës kontratuale nga Erseka në Përmet dhe me Kolonjë-Korçën që përfundon vitin e ardhshëm kemi praktikisht të gjithë Jugun e Shqipërisë të lidhur në një kohë shumë të shkurtër që do të bëjë që gjatë sezonit turistët që vijnë poshtë në breg, të kalojnë dhe në krahun tjetër dhe gjatë gjithë vitit këtu të ketë jetë, të ketë ekonomi, të ketë agroturizëm dhe të gjitha produktet e kësaj zone të vihen në shërbim të ofertës tonë turistike.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.