Hotel “Bonita” në Durrës është një prej dhjetëra strukturave mikpritëse që kanë hapur dyert, në këto ditë dhimbje dhe solidariteti mes shqiptarëve. 12 familje, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar rëndë nga tërmeti, duke u kthyer në të pabanueshme, janë strehuar në këtë hotel, i cili ofron me bujari ushqimin, fjetjen, por edhe suportin moral në këto momente tejet të vështira.
Kryeministri Edi Rama ishte sot aty për të mbështetur këto familje dhe për të inkurajuar sipërmarrësin se shteti do të jetë krah tyre, për të plotësuar sa më mirë këtë mision fisnik humanitar. “Kjo është një histori që do të zgjasë dhe ne nuk do t’u bëhemi barrë. Do të arrijmë një marrëveshje parimore që të mbulojmë të gjithë kostot për të mbajtur në punë të gjithë stafin, por do t’u lutesha shumë t’i shërbehet njësoj si të ishin turistë të klasit të parë. Ata janë të stresuar, të ngarkuar, duhet të ndihen mirë, sepse janë të traumatizuar,”- tha kryeministri.
Sipërmarrës Astriti shprehet se përmes njoftimeve në media të ndryshme, ata kanë ofruar hotelin e tyre ku “deri tani janë 12 familje që kanë ardhur. Ndërkohë që ka një kapacitet deri në 100 familje.”
Kryeministri Edi Rama bisedoi me një çift të moshuarish që po drekonin, emocionet e të cilëve janë ende shumë të forta, për çfarë kanë kaluar. “Isha tani në banesë, sepse thashë ta shoh njëherë. Ishte bërë copa-copa. S’kam më shtëpi. S’kam ku të shkoj,” – tregoi kryefamiljari i përlotur.
Kryeministri këmbënguli që ata të mos rrezikonin duke hyrë në një ndërtesë të pasigurt dhe premtoi se shtëpia do t’u kthehej më e mirë se më parë.
“Ju lutem mos hyni në shtëpi. Duhet të qëndroni këtu. Shtëpinë do ta bëjmë siç ishte dhe më të mirë. Vetëm durim dhe mos shkoni më në shtëpi. Ju lutem. Ti je i fortë. Mbahu fort. Ke parë shumë, ke kaluar shumë. Rëndësi ka që nuk keni patur humbje jete. Këtu do të qetësoheni, do të rrini këtu sa të jetë nevoja.”