Fjala e Kryeministrit Edi Rama në “Forumin Ekonomik të Vjenës” të zhvilluar në Tiranë:
Faleminderit shumë!
Shkëlqesi, të nderuar ministra, ambasadorë, delegatë të shquar, miq të Forumit Ekonomik të Vjenës, zonja dhe zotërinj!
Është një privilegj dhe një nder i madh për mua, që t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë, në këtë Konferencë shumë të rëndësishme në emër të qeverisë shqiptare.
Europa Juglindore sapo ka lënë pas vitin e parë që prej fillimit të shekullit të XX pa asnjë konflikt në kufijtë e rajonit. Mendoj se kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të aspiratës së popujve tanë për t’u integruar në Bashkimin Europian, çka shihet si një shans unik për një paqe të qëndrueshme, begati dhe demokraci. Kjo do të thotë që ne nuk kemi kohë të kthejmë kokën mbrapa, por na duhet të ecim përpara, në njërën anë duke e çuar bashkëpunimin në rajon në një fazë të re dhe në anën tjetër duke kontribuar në mënyrë aktive, për t’iu përgjigjur sfidave të përbashkëta. Për shkak të gjithë këtyre arsyeve, kjo Konferencë, apo le të themi ky proces i Vjenës, për ndërlidhjen e njohurive, vizioneve, përpjekjeve, projekteve është thelbësor në këtë moment dhe shënon zanafillën e një epoke të re për Ballkanin.
Ne kandidojmë për poste të ndryshme në vendet tona, parashtrojmë ato ku besojmë, sfidat ashtu siç i shohim dhe planet politike që besojmë se ndihmojnë vendin për të përballuar sfidat. Por le të hedhim një vështrim mbi disa premtime të mëdha që kemi bërë për të ndërtuar një ekonomi më të fortë dhe për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europain.
Për të perifrazuar këngën që këndohet në futboll, nuk mund të ecim të vetëm, duhet të ecim dhe të punojmë bashkë me të tjerët. Të gjitha ekonomitë tona janë të ndërlidhura. E kemi parë këtë në një shkallë të gjerë në krizën financiare botërore, ku askush nuk ishte i pacenueshëm. Askush nuk është i paprekshëm nga sukseset dhe nga dështimet e fuqive të mëdha ekonomike të botës. Ne duhet të inkurajojmë dhe të zhvillojmë më tej vetëdijen e asaj çka jemi, e asaj çka përfaqësojmë, asaj çka mund të ofrojmë dhe asaj çka mund të përfitojmë përmes partneritetit tonë me ta. Megjithatë, për mua, vendi ku bashkëpunimi lidhur me sfidat ekonomike dhe politike bëhet thelbësor është më pranë: është rajoni, është Europa.
Synimi ynë i përbashkët, synimi i të gjitha vendeve të pranishme këtu, është që të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian. Besoj fort që kjo do të jetë mirë për Shqipërinë, për rajonin, për të tërë Europën dhe po ashtu, edhe për botën. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që nuk është një rrugë e lehtë, por në fakt, sfida që na pret është që t’i përdorim në mënyrë të mençur sfidat që shtrihen përpara nesh. Edhe procesi që përfshin ndërmarrjen e hapave të nevojshme për anëtarësimin në BE, besoj se është i mirë për ne.
Konferenca e Berlinit vuri në lëvizje një proces që synon të gjenerojë përfitime konkrete e të prekshme për qytetarët tanë, gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Europian dhe procesit të bashkimit rajonal.
Ne jemi entuziastë për këtë perspektivë programesh që përfaqësojnë një partneritet strategjik midis Bashkimit Europian dhe shteteve anëtare, për të mbuluar projektet kryesore të infrastrukturës. Këto projekte të infrastrukturës jo vetëm do të nënvizojnë seriozitetin e qëllimeve të të gjitha palëve, por do të ofrojnë po ashtu, një perspektivë të prekshme për popullsitë tona dhe do t’i japim rajonit një shans për të rishpikur vetveten.
Kjo është arsyeja, përse finalizimi i rrjetit bazë të infrastrukturës sot, është kaq i rëndësishëm.
Paqja, stabiliteti dhe integrimi në Bashkimin Europian nuk mund të garantohen në planin afatgjatë, në qoftë se nuk kemi rritje të qëndrueshme ekonomike. Kjo vlen për çdo vend, por vlen po ashtu, edhe për rajonin. Është kjo arsyeja përse ne duhet të gjejmë mjete për të zbatuar projekte strategjike investimesh dhe përse procesi i zgjerimit të BE-së duhet të përkthehet në projekte konkrete financimi.
Ne kemi vendosur në favor të një qasje të re, për të parë jo vetëm mundësitë që kemi vetë në dispozicion, por përtej kësaj, për të parë mundësitë që kemi si rajon, si një treg dhe një ekonomi më e madhe, por padyshim, duke kërkuar edhe asistencë nga Europa, e cila do të na ndihmonte që të rritemi të gjithë sëbashku. I kemi propozuar Komisionit të na ndihmojë për ato punë, të cilat nuk mund t’i realizojmë me anë të buxheteve tona, por që do ta çojnë bashkëpunimin brenda rajonit në një nivel tjetër.
Samiti i 27 gushtit në Vjenë është një mundësi për të përkufizuar sëbashku ato përfitime konkrete, të cilat ne presim të vijnë nga ky proces. Kjo është po ashtu, një mundësi për të përcaktuar atë që mund dhe duhet të bëhet më mirë nisur nga ky vit i parë në historinë tonë, ku përjetojmë një nivel të tillë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi rajonal. Shtrirja e metodologjisë TEN-T për Ballkanin Perëndimor përbën një instrument thelbësor dhe presim me padurim të bashkëpunojmë për rrjetin bazë infrastrukturor të Ballkanit Perëndimor, i cili do të lidhë kryeqytetet e rajonit, qendrat ekonomike dhe portet kryesore.
Nga ana tjetër jemi shumë të ndërgjegjshëm se investimet e huaja direkte janë jetike për rivitalizimin e rajonit. Prandaj, në këtë Forum kemi zgjedhur të përqendrohemi në këto dy tema kryesore, infrastruktura dhe strategjia e përbashkët e investimeve, në mënyrë që të theksojmë edhe vullnetin e përbashkët për t’u rritur ekonomikisht përmes ndërlidhjes, jo vetëm të infrastrukturës, por gjithashtu edhe ndërlidhjes së synimeve, planeve e projekteve, që do të synojnë të sjellin më shumë investimeve të huaja direkte në secilin prej vendeve tona.
Ballkani është shumë i vogël që të konkurrojmë mes njëri-tjetrit për burime dhe investime të huaja të drejtpërdrejta. Këtë e kemi bërë në fakt, për goxha kohë deri më tani dhe ka qenë shumë e vështirë që të arrijmë zhvillim. Por, në qoftë se përpiqemi të tërë bashkë të tërheqim investime duke ofruar një treg më të gjerë, duke ofruar produkte më komplekse, qoftë në turizëm, infrastrukturë, bujqësi apo energji, mund të përfitojmë si rajon, por edhe si vende brenda rajonit. Si rajon kemi bërë përparim, qoftë edhe në bashkëpunimin që kemi pasur për të përgatitur Samitin e Vjenës. Kemi përgatitur pasaportat teknike për projektet tona të përbashkëta dhe kemi tejkaluar dallimet tona.
Ka ardhur tashmë koha që të kemi një angazhim të qartë nga Komisioni Europian, për të ndihmuar në zhvillimin e Ballkanit, si një rajon i përbashkët si kurrë më parë.
Për shumë vjet na është kërkuar që të sfidojmë vetveten e të shohim njëri-tjetrin në një qasje krejt të re, me sy të tjerë. Tashmë është koha që Europa të sfidojë veten e të na shohë ne me të tjerë sy.
Përgjigjja gjendet tek realiteti i botës moderne, politikës moderne, por rajoni ynë e gjen përgjigjen edhe tek përballja me realitete të reja, të krijuara nga vullnete e vizione të reja. Jetojmë në një botë, e cila është e ndërlidhur politikisht, ekonomikisht, më shumë sesa kurrë më parë dhe na duhet ta përkthejmë këtë në rezultate konkrete për Europën Juglindore. Sepse jemi të vetëdijshëm që ndërlidhja sjell të mira, apo ndoshta edhe të këqija, sepse ne jemi gjithnjë e më të ndërlidhur, por po kështu janë më të ndërlidhura edhe krimi organizuar, terrorizimi apo lloje të ndryshme kërcënimesh.
Europa, Bashkimi Europian ka qenë një fuqi për mirë në botë dhe ka ndihmuar të ruajë paqen midis kombeve, historia e të cilëve është shënjuar nga disa prej luftërave më të përgjakshme të të gjitha kohërave. Ka ndihmuar në përhapjen e rritjen e begatisë dhe ka ndihmuar për të ndërtuar një nga zonat më të mëdha të tregtisë së lirë në botë. Të gjithë kemi përfituar nga kjo, por ne si Ballkan Perëndimor duam të përfitojmë akoma më shumë. Ende sot, në shumë prej vendeve që janë me fat, sepse bëjnë pjesë në këtë union, qoftë në gjashtë vendet e para, ato që janë anëtarësuar më pas, apo ato që aspirojnë të integrohen, mbështetja për BE nuk mund të merret si e mirëqenë. Duke treguar se mund të bëjmë ndryshime, ne e kualifikojmë veten akoma më shumë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe garantojmë që aspirata për t’iu bashkuar BE-së, çka është një nxitje unike për paqen në rajonin tonë, të mbetet e paprekur.
Vitin e kaluar, ne përkujtuam 100 vjet nga Lufta e Parë Botërore, që në fakt shpërtheu në rajonin tonë dhe që përfshiu të gjithë kontinentin, duke sjellë vdekje e vuajtje të mëdha që janë të paimagjinueshme për brezin e ri, sot. Pas saktësisht 100 vitesh, në një kohë mjaft të veçantë për kontinentin europian, rajoni ynë po kalon një moment unik e pozitiv që, nëse kapet me vendosmëri, mund të ndezë shpresë dhe të rinovojë perspektivën e begatisë për Bashkimin Europian.
Ky takim është thelbësor, në mënyrë që të lehtësojë mbështetjen e të forcojë më tej këtë moment pozitiv. Prandaj do të doja sërish të theksoja se jemi këtu, sëbashku, jo sepse ne jemi engjëj, ndërsa paraardhësit tanë apo paraardhësit e paraardhësve tanë kanë qenë djaj, por për shkak të faktit se të gjithë njerëzit në rajon lidhen nga një ëndërr të përbashkët që është Europa dhe një perspektivë të përbashkët që është Europa. Duam që Europa ta kuptojë se në qoftë se brenda Bashkimit Europian ka një lodhje nga zgjerimi, që duhet përballuar, këtu në Europën Juglindore na duhet të përballojmë rrezikun e një lodhjeje nga durimi.
Le të mos ta lëmë lodhjen nga durimi të kthehet në armikun e përbashkët të ëndrrës sonë të përbashkët, që duket më e afërt sot dhe që na ka sjellë të gjithëve këtu, sëbashku.
Edhe njëherë ju uroj mirëseardhjen dhe ju uroj të gjithëve një takim mjaft të suksesshëm.
Faleminderit!
***
U zhvillua sot për herë të parë në Tiranë, Forumi Ekonomik i Vjenës “Tirana Talks 2015”, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Punëve të Jashtme, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Forumit Ekonomik të Vjenës, ish-Kancelarit Austriak Dr. Erhard Busek.
Forumi vjen pas Konferencës së Berlinit, organizuar një vit më parë me inistiavën e drejtpërdrejtë të Kancelares Gjermane Angela Merkel i paraprin Konferencës së Vjenës, që do të mbahet në 27-28 Gusht në Austri. Ky takim kishte në fokus nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e projekteve të ndwrlidhjes në rajon.
Në panelin e parë, ose panelin politik, me temë “Nga Berlini në Vjenë – Të rikthejmë sigurinë gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor”, morën pjesë Kryeministrat e 6 vendeve të rajonit, Kryeministri i Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë, nën moderimin e Joschka Fischer.
Paneli i dytë ishte ai ekonomik, ku u diskutua për Strategjinë e rajonit për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, përmes projekteve të përbashkëta të ndërlidhjes, të cilat do të ngushtonin hendekun mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Në panel diskutuan Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, ish-Kryeministri i Italisë Massimo D’Alema, Joschka Fisher, Hubert Vedrine, Gunther Rabensteiner dhe Heinz Messinger, nën moderimin e Prof. Ricardo Hausmann, Drejtor i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Harvardit.