Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Shtator 2020:
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT OSE TË RIPARIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) SI DHE MJEDISEVE NË BASHKËPRONËSI OSE TË PËRBASHKËTA NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË KRUJË, SHIJAK, DURRËS DHE TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, në masën 1 442 493 401 (një miliard e katërqind e dyzet e dy milionë e katërqind e nëntëdhjetë e tre mijë e katërqind e një) lekë, për financimin e rikonstruksionit ose riparimit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, dhe rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat) në bashkitë Krujë, Shijak, Durrës dhe Tiranë.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2020, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Krujë i transferohet fondi prej 86 000 000 (tetëdhjetë e gjashtë milionë) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para;
b) Bashkisë Shijak i transferohet fondi prej 63 588 401 (gjashtëdhjetë e tre milionë e pesëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e katërqind e një) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat);
c) Bashkisë Durrës i transferohet fondi prej 763 250 000 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para;
ç) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi prej 529 655 000 (pesëqind e njëzet e nëntë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë mijë) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Krujë, Shijak, Durrës dhe Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E PËRGATITJES SË SHESHEVE TË NDËRTIMIT NË BASHKITË KURBIN, LEZHË DHE DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, pika 3, dhe 36, pika 1, shkronja “a”, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 191 253 259 lekë (njëqind e nëntëdhjetë e një milionë e dyqind e pesëdhjetë e tre mijë e dyqind e pesëdhjetë e nëntë) lekësh, për financimin e përgatitjes së shesheve të ndërtimit në bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Durrës.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2020, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi prej 49 633 459 (dyzet e nëntë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e tre mijë e katërqind e pesëdhjetë e nëntë) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e shembjeve të objekteve të pabanueshme të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019 dhe transportimin e materialeve të dala nga shembja e tyre.
b) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi prej 65 164 800 (gjashtëdhjetë e pesë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e tetëqind) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e shembjeve të objekteve të pabanueshme të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019 dhe transportimin e materialeve të dala nga shembja e tyre.
c) Bashkisë Durrës i transferohet fondi prej 76 455 000 (shtatëdhjetë e gjashtë milionë e katërqind e pesëdhjetë e pesë mijë) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e procesit të transportit të materialeve të dala nga shembja e objekteve të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kurbin, Lezhë dhe Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE MANËZ, BASHKIA DURRËS, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” dhe “iv”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen zonë e re për zhvillim të territorit, me sipërfaqe prej 20 847 (njëzet mijë e tetëqind e dyzet e shtatë) m2, si zonë e përshtatshme për zhvillimin e detyruar, sipas hartës dhe koordinatave bashkëlidhur këtij vendimi, në njësinë administrative Manëz, Bashkia Durrës.
2. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për këtë zonë, si njësi zbatuese, për:
a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;
b) ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike,
c) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;
ç) çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS PERËNDIMOR” SHKODËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “By-Pass perëndimor” Shkodër.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelat bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “Arë”, tokë “Truall” dhe “Objekt (njësi shërbimi)”, me vlerë 304 021 890 (treqind e katër milionë e njëzet e një mijë e tetëqind e nëntëdhjetë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 304 021 890 (treqind e katër milionë e njëzet e një mijë e tetëqind e nëntëdhjetë) lekësh, do të përballohet nga fondet e miratuara për Autoritetin Rrugor Shqiptar, për vitin 2020.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelat që i bashkëlidhen këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë si dhe hartën treguese të regjistrimit, në Autoritetin Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Përfundimi i punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara në kontratat e lidhura nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, me sipërmarrësit e punimeve.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë në favor të shtetit.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0B2002, PËR FINANCIMIN SHTESË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA AGJENCIA PËR ZHVILLIMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR (SIDA), NËN FONDIN SUEDEZ TË BESIMIT, PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes së grantit nr.TF0B2002, për financimin shtesë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga Agjencia për Zhvillimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA), nën Fondin Suedez të Besimit, për projektin e shërbimeve mjedisore në Shqipëri, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.328, DATË 22.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, PA SHPËRBLIM, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE SHËRBIMI INFORMATIV I SHTETIT, TË KATIT PËRDHES, NË OBJEKTIN NR.1, TRE KAT, PJESË TË PRONËS NR.1047, ME EMËRTIM “REPARTI USHTARAK NR.6620 (PU)”, ME VENDNDODHJE NË LAGJEN “30-VJETORI”, BERAT, DHE SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.114, DATË 17.2.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, PA SHPËRBLIM, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E ARKIVAVE, PËR DEGËN E ARKIVIT SHTETËROR VENDOR NË BERAT, TË KATIT TË PARË E TË KATIT TË DYTË TË OBJEKTIT NR.1, DHE OBJEKTIT NR.2, PJESË TË PRONЁS NR.1047, ME EMERTIM “QENDËR MOBILIZIMI”, ME VENDNDODHJE NЁ BERAT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.328, datë 22.4.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Dhënien në përdorim të përkohshëm, pa shpërblim, për një periudhë 20-vjeçare, nga Ministria e Mbrojtjes te Shërbimi Informativ i Shtetit, të katit përdhes, me sipërfaqe 198 (njëqind e nëntëdhjetë e tetë) m2, në objektin nr.1, tre kat, pjesë të pronës nr.1047, me emërtim “Reparti ushtarak nr.6620 (PU)”, me vendndodhje në lagjen “30-Vjetori”, Berat, sipas planrilevimit dhe planimetrisë që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, si dhe të sipërfaqes truall (oborr) prej 312 (treqind e dymbëdhjetë) m2, pjesë e pronës nr.1047, sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse të tij, për ta përdorur për vendosjen dhe zhvillimin e aktivitetit të administratës së Drejtorisë Vendore të Shërbimit Informativ të Shtetit, në Berat.”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3.Ministria e Mbrojtjes, e përfaqësuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Policia Ushtarake dhe Shërbimi Informativ i Shtetit të lidhin aktmarrëveshje ndërmjet palëve për dhënien në përdorim të përkohshëm, pa shpërblim, të katit përdhes, me sipërfaqe 198 (njëqind e nëntëdhjetë e tetë) m2, në objektin nr.1, tre kat, pjesë të pronës nr.1047, me emërtim “Reparti ushtarak nr.6620 (PU)”, sipas planimetrisë, si dhe të sipërfaqes truall (oborr) prej 312 (treqind e dymbëdhjetë) m2, pjesë e pronës nr.1047, sipas planrilevimit, me vendndodhje në lagjen “30-Vjetori”, Berat, duke përcaktuar kushtet dhe detyrimet e ndërsjella ndërmjet palëve.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE TË EKSPERTIT PËR PËRGATITJEN E PROGRAMIT TË MENAXHIMIT TË QËNDRUESHËM TË MBETJEVE TË NGURTA DHE MIQËSOR NDAJ KLIMËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi), dhe KFW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e shërbimeve të ekspertit për përgatitjen e programit të menaxhimit të qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta dhe miqësor ndaj klimës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR NJË NDRYSHIM NË KONTRATËN E QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, TË MIRATUAR ME VENDIMIN NR.668, DATË 29.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, emfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për një ndryshim në kontratën e qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, miratuar me vendimin nr.668, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “MUKA”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Magazina nr.145”, në Ndërmarrjen e Prodhimit të Çeliqeve, Elbasan”, sipas projektkontratës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ndërmarrja e Prodhimit të Çeliqeve Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.77, DATË 28.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KONTRIBUTET E DETYRUESHME DHE PËRFITIMET NGA SISTEMI I SIGURIMEVE SHOQËRORE DHE SIGURIMI I KUJDESIT SHËNDETËSOR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 9, 10, 11, 13, 15 dhe 99, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të nenit 4, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”, të nenit 6, të ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve të nëntokës”, të nenit 8, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, dhe të neneve 6, 8 e 9, të ligjit nr.9136, datë 1.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “e”, e pikës “1”, të kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“e) Personat e vetëpunësuar si shitës ambulantë, sipas përkufizimit të dhënë në shkronjën “j”, të nenit 5, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për degën e pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor.”.
2. Në kreun II bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, të jetë, si më poshtë vijon:
a) Jo më pak se sa paga minimale mujore në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në zbatim të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, dhe deri në një pagë maksimale që llogaritet sipas përcaktimeve në paragrafin e dytë, të nenit nr.10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për personat e punësuar;
b) Jo më pak se sa paga minimale në shkallë vendi, dhe nëse e kërkon vetë personi deri në pagën maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve;
c) E barabartë me pagën minimale mujore në shkallë vendi për punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht;
ç) Mund të jetë më e ulët se paga minimale në shkallë vendi, në varësi të kohës efektive të punës, për invalidët e punësuar, të vetëpunësuar dhe anëtarë të papaguar të familjes, të cilët marrin pension invaliditeti të pjesshëm, si më poshtë vijon:
i. Për invalidët e vetëpunësuar dhe anëtarët e papaguar të familjes invalidë, të cilët marrin pension invaliditeti të pjesshëm, mund të jetë deri në 25% më e ulët se paga minimale.
ii. Për invalidët e punësuar, të cilët marrin pension invaliditeti të pjesshëm, të jetë sipas kohës së punës dhe pagës faktike, por jo më pak se 50% e pagës minimale dhe jo më shumë se paga maksimale e përcaktuar për efekt të derdhjes së kontributeve.”.
b) Shkronjat “ a” dhe “b”, të pikës 4, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“a) jo më pak se sa paga minimale në shkallë vendi dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listëpagesës, për personat e punësuar;
b) sa dyfishi i pagës minimale në shkallë vendi, për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht;”.
c) Fjalia e parë, e pikës 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve suplementare të detyrueshme, të jetë jo më pak se sa paga minimale në shkallë vendi dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listëpagesës.”.
ç) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Paga, për efekt të llogaritjes së kontributeve shtesë, në zbatim të ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, dhe nenit 8, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, të jetë sipas përcaktimeve në shkronjën “a”, të pikës 3, të këtij kreu.”.
3. Në kreun III bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 11, fjalët “… të jetë 0.3% e pagës bruto minimale e barabartë me 66 (gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj …” zëvendësohen me “… është 0.3% e pagës bruto minimale në shkallë vendi …”.
b) Në pikën 12, fjalët “… e barabartë me 66 (gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj.” hiqen.
c) Në pikën 15, pas shkronjës “d” shtohen shkronjat “ dh”, “e” dhe “ë”, me këtë përmbajtje:
“dh) Për personat me titull shkencor, të punësuar në një ose më shumë subjekte, sipas përcaktimeve në ligjin nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar, të cilët realizojnë një pagë mujore gjithsej të barabartë ose më të madhe se paga e përcaktuar për titullin shkencor përkatës në sektorin publik, kontributi i sigurimit suplementar llogaritet bazuar në pagën referuese të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, sipas titujve, në institucionet publike. Nëse paga referuese e titullit arrihet nga puna vetëm në njërin prej subjekteve, kontributi suplementar përllogaritet vetëm në subjektin e parë, ndërsa në subjektin e dytë nuk llogaritet kontribut. Në rastet kur paga mujore gjithsej, e realizuar në një ose më shumë subjekte, është më e vogël se paga referuese e përcaktuar për titullin shkencor, subjektet përkatëse nuk llogarisin kontribut suplementar dhe për rrjedhojë muaji pa kontribut, nuk njihet si periudhë për përfitime suplementare.
e) Kur i njëjti person i plotëson kushtet për pjesëmarrje në më shumë se një nga skemat e sigurimit suplementar, në të njëjtin muaj, ai ka të drejtën të zgjedhë pjesëmarrjen dhe pagesën e kontributeve, vetëm në njërën nga skemat suplementare. Zgjedhja e skemës bëhet nga personi i interesuar dhe i njoftohet punëdhënësit.
ë) Rimbursimi i kontributeve të paguara më tepër se kontributi i llogaritur mbi pagën maksimale mujore mbi të cilën llogariten kontributet bëhet nga subjekti përkatës me kërkesë e miratim në organet tatimore, nëpërmjet rivlerësimit të listëpagesave, duke e kaluar shumën e mbipaguar të kontributit të sigurimeve shoqërore:
i. në mbulim të detyrimeve kontributive të personit për periudhat e ardhshme;
ii. duke kthyer shumat e mbipaguara;
iii. rregullat e llogaritjes së kontributeve, të deklarimit dhe të rimbursimit të kontributeve të paguara më tepër se detyrimet ligjore, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.”.
ç) Pikat 18 dhe 19 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“18. Për personat që kryejnë funksione kushtetuese si dhe punonjësit e lartë të shtetit, për ish-ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Gardës së Republikës, të Policisë së Burgjeve, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, gjatë kohës së trajtimit me pagesë kalimtare ose pension të parakohshëm, buxheti i shtetit derdh kontribute, për degën e pensioneve, në masën 21.6% të pagës mesatare referuese, sipas gradës dhe funksionit në momentin e përfundimit të funksionit, e indeksuar çdo vit me koeficientët e indeksimit të bazës së vlerësuar.
19. Për ish-punonjësit që kanë punuar në miniera në nëntokë dhe ish-punonjësit e industrisë ushtarake që përfitojnë trajtim financiar të veçantë, personat që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë e tetraplegjikë dhe gratë që dalin në pension, për periudhën e kryerjes së arsimit të lartë, buxheti i shtetit derdh kontribute për degën e pensioneve në masën 21.6% të pagës minimale në shkallë vendi. Për personat që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, duke filluar nga data 1.1.2015 e në vazhdim, buxheti i shtetit derdh kontribute edhe për degën e barrëlindjeve dhe aksidenteve në punë në masën 1.7 % të pagës minimale në shkallë vendi.”.
d) Në fund të pikës 20 shtohen fjalët “… në shkallë vendi.”.
4. Në pikën 11, të kreut IV, fjalët “… për vitin 2016 …” zëvendësohen me “… për vitin 2020 …”.
5. Në kreun VII bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Baza e vlerësuar mesatare mujore, për efekt të llogaritjes së përfitimit, është e barabartë me pagën bruto mujore, mbi të cilën janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore të periudhës, të realizuar në një ose më shumë subjekte, por jo më shumë se paga maksimale e përcaktuar në kreun II, të këtij vendimi, pjesëtuar me shumën e muajve të periudhës së përcaktuar.”.
b) Në fund të pikës 6 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Baza e vlerësuar mujore, për efekt të llogaritjes të të ardhurave për sëmundje, nga dita e 15 (pesëmbëdhjetë) e raportit mjekësor e në vazhdim, për kompensim sëmundjeje dhe për llogaritjen e të ardhurave për paaftësi të përkohshme në punë, nga aksidentet ose sëmundjet profesionale, për rastet kur e drejta e përfitimit ka lindur, por përfituesi nuk ka pagë gjatë 6 (gjashtë) muajve të fundit ose për disa muaj, nga data e lindjes të së drejtës për pagesë, për arsye se ka qenë në periudhë përfitimi në një nga degët e sigurimit të detyrueshëm shoqëror është e barabartë me bazën e vlerësuar mujore të llogaritur për efekt të përfitimeve të mëparshme. Përfitimet afatshkurtra përllogariten bazuar në bazën e vlerësuar mesatare neto.”.
6. Në kreun VIII bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 3 bëhen këto ndryshime:
i. Në paragrafin e parë, fjalët “… nga data 1.8.2016 e në vazhdim, të jetë 12 635 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e pesë) lekë …” zëvendësohen me “… nga data 1.4.2020 e në vazhdim përcaktohet në vendimet e Këshillit të Ministrave për indeksimin e pensioneve, bazuar në ndryshimin e indeksit të çmimeve të shportës së pensionistëve …”.
ii. Në paragrafin e tretë, fjalët “… 14 285 (katërmbëdhjetë mijë e dyqind e tetёdhjetë e pesë) lekë në muaj.” zëvendësohen me “… shuma sipas periudhave, e përcaktuar në vendimet e Këshillit të Ministrave për indeksimin e pensioneve, bazuar në ndryshimin e indeksit të çmimeve të shportës së pensionistëve.”.
b) Në pikën 4 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
i. Fjalët “… nga data 1.8.2016 e në vazhdim, përfshi edhe këtë datë, të jetë 6 858 (gjashtë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tetë) lekë.” zëvendësohen me “… nga data 1.4.2020 e në vazhdim, përfshi edhe këtë datë, të jetë 7 637 (shtatë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e shtatë lekë).”.
ii. Në fund të pikës shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Për vitet në vazhdim, kur plotësohet periudha e sigurimit sipas përcaktimeve në nenin 92, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shuma bazë do të jetë e barabartë me masën e pensionit të plotë social të përcaktuar për atë periudhë me vendim të Këshillit të Ministrave për indeksimin e pensioneve, bazuar në ndryshimin e indeksit të çmimeve të shportës së pensionistëve.”.
7. Në kreun XI shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Në mbështetje të paragrafit të fundit, të nenit 6, dhe të paragrafit të dytë të nenit 98, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar:
Personat që përfitojnë pension invaliditeti të pjesshëm kanë të drejtë ta marrin pensionin e invaliditetit edhe kur janë të punësuar ose të vetëpunësuar. Këta persona kur punojnë si të punësuar apo të vetëpunësuar në sektorin privat, e marrin pensionin mujor të caktuar, pavarësisht nga shuma e të ardhurave mujore që realizojnë nga punësimi apo vetëpunësimi. Ndërprerja e përfitimit të kësteve mujore të pensionit të invaliditetit përcaktohet vetëm me vendim të arsyetuar të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, pas shqyrtimit të gjendjes aktuale shëndetësore të invalidit, zbatimit prej tij të këshillave mjekësore të përcaktuara lidhur me punën dhe kohëzgjatjen e saj, aftësisë për të kryer punë të përshtatshme në varësi të gjendjes shëndetësore dhe respektimit të kritereve ligjore të përfitimit, të përcaktuara në ligjin nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR SHMANGIEN E TATIMIT TË DYFISHTË LIDHUR ME TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE MBI KAPITALIN DHE PËR PARANDALIMIN E EVAZIONIT FISKAL, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.62/2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal, ratifikuar me ligjin nr.62/2014, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.236, DATË 30.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI, RIKONSTRUKSIONI DHE RINOVIMI I UNAZËS SË VOGËL, LOTI 3”, TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.236, datë 30.3.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Tabelës me listën e pronarëve dhe të pasurive që preken nga projekti “Ndërtimi, rikonstruksioni dhe rinovimi i Unazës së Vogël, loti 3”, i bëhen shtesa dhe ndryshime sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Në pikat 3 dhe 4, vlerës së përgjithshme të shpronësimit i shtohet vlera prej 17 948 901 (shtatëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e dyzet e tetë mijë e nëntëqind e një) lekësh, e cila do të përballohet nga Bashkia Tiranë.
3. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1056, DATË 14.12.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS FIER”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1056, datë 14.12.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Pikat 3 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për “tokë bujqësore” me sipërfaqe 769 447.83 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e katërqind e dyzet e shtatë pikë tetëdhjetë e tre) m², me vlerë 373 890 193.7 (treqind e shtatëdhjetë e tre milionë e tetëqind e nëntëdhjetë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e tre pikë shtatë) lekë, për “tokë truall” me sipërfaqe 170 (njëqind e shtatëdhjetë) m², me vlerë 406 300 (katërqind e gjashtë mijë e treqind) lekë, si dhe objekte me vlerë 16 282 001 (gjashtëmbëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e dy mijë e një) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 390 578 495 (treqind e nëntëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e pesë) lekësh.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, në shumën 390 578 495 (treqind e nëntëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e pesë) lekë, të përballohet nga fondet e planifikuara për Autoritetin Rrugor Shqiptar.”.
2. Vlera e shpenzimeve procedurale, prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, të përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E VEPRIMTARISË SË INSTITUCIONEVE ARSIMORE PRIVATE PARAUNIVERSITARE, “MEMORIAL INTERNATIONAL SCHOOL OF TIRANA (MIST)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore private parauniversitare, “Memorial International School of Tirana (MIST)”, në të gjitha nivelet arsimore (arsim fillor, arsim i mesëm i ulët, arsim i mesëm i lartë).
2. Institucionet arsimore private parauniversitare, “Memorial International School of Tirana (MIST)”, kanë këto detyrime:
a) Të pajisin çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar;
b) Të mbulojnë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, në zbatim të këtij vendimi;
c) Të kthejnë pagesat e kryera (nëse ka) nga prindi/përfaqësuesi ligjor i nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj nxënësit;
ç) Të vënë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim;
d) Të dorëzojnë në Arkivin Shtetëror Vendor dokumentacionin dhe të paraqesin në institucionin arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar një kopje të dokumentacionit dhe të procesverbalit të dorëzimit të tij, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
3. Institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, nën juridiksionin e të cilit ndodhet shkolla, ka për detyrë:
a) të ngrejë grup pune brenda 3 (tri) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe të marrë masat për mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore private parauniversitare, “Memorial International School of Tirana (MIST)”.
b) Të marrë masat për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar në këto institucione arsimore;
c) Të administrojë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer nga këto institucione arsimore private parauniversitare.
4. Institucioni arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar të marrë të gjitha masat sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
5. Vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.25, datë 28.1.2002, “Për dhënien e lejes së funksionimit të institucionit arsimor jopublik, “Memorial International School of Tirana””, nr.545, datë 3.8.2005, “Për dhënien e lejes për hapjen e institucionit arsimor jopublik parauniversitar, shkollë 9-vjeçare, cikël i lartë “Memorial International School”, që do ta zhvillojë mësimin edhe në gjuhën angleze””, si dhe nr.134, datë 8.3.2006, “Për dhënien e lejes për hapjen e institucionit arsimor privat parauniversitar, si shkollë e mesme e përgjithshme, e profilizuar “Memorial International School”, që do ta zhvillojë mësimin edhe në gjuhën angleze”, shfuqizohen.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP), institucioni arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar, institucionet arsimore private parauniversitare, “Memorial International School of Tirana (MIST)” dhe shoqëria “Turgut Ozal Education”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.795, DATË 22.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR, “UNAZA LINDORE TIRANË (LOTET I, II)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.795, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pikat 3, 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “arë”, “truall”, “pyll” dhe “objekte”, në vlerën 278 268 838 (dyqind e shtatëdhjetë e tetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e tridhjetë e tetë) lekë, nga të cilat:
– tokë “arë”, “truall” dhe “pyll”, me sipërfaqe 133 620,6 (njëqind e tridhjetë e tre mijë e gjashtëqind e njëzet pikë gjashtë) m2, me vlerë 63 028 626 (gjashtëdhjetë e tre milionë e njëzet e tetë mijë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë) lekë;
– “objekte”, me vlerë 215 240 212 (dyqind e pesëmbëdhjetë milionë e dyqind e dyzet mijë e dyqind e dymbëdhjetë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë “arë”, “truall”, “pyll” dhe “objekte”, prej 278 268 838 (dyqind e shtatëdhjetë e tetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e tridhjetë e tetë) lekësh, të përballohet, si më poshtë vijon:
• 129 673 059 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e pesëdhjetë e nëntë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar;
• 148 595 779 (njëqind e dyzet e tetë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë, të përballohet nga fondet buxhetore për vitin 2020, të miratuar në zërin “Shpronësime”, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, në programin buxhetor “Transporti rrugor”.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë, të përballohen si më poshtë vijon:
⦁ 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar;
⦁ 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë”.
b) Tabelës bashkëlidhur vendimit nr.795, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, i shtohet tabela bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE NDIHME FINANCIARE NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR MBËSHTETJEN E FUNKSIONIMIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR SHQIPTAR NË SERBI DHE ZYRAVE TË TIJ NË PRESHEVË E MEDVEGJË DHE KËSHILLIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI E ZYRËS KOORDINUESE TË TIJ NË PLAVË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e ndihmës financiare nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për mbështetjen e funksionimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi dhe të zyrave të tij në Preshevë e Medvegjë dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi e të zyrës koordinuese të tij në Plavë, në masën:
a) 40 000 (dyzet mijë) euro, për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi dhe të zyrave të tij në Preshevë e Medvegjë;
b) 30 000 (tridhjetë mijë) euro për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe të zyrës koordinuese të tij në Plavë.
2. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në programin “Shpenzime diplomatike jashtë shtetit”, në zërin “Shpenzime korrente”, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 70 000 (shtatëdhjetë mijë) eurosh, sipas pikës 1, të këtij vendimi.
3. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE “QENDËR HISTORIKE” TË FSHATIT KANINË, ZONËS MBROJTËSE TË SAJ, DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, pika 3, shkronjat “a” e “ç”, 62, pika 3, dhe 96, pika 1, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore “Qendër historike” të fshatit Kaninë dhe përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Ngarkohet ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, me propozim të strukturave të specializuara, të përcaktojë zonat mbrojtëse të monumenteve të kulturës, të ndodhura brenda pasurisë kulturore.
4. Vendimi nr.581, datë 13.10.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Kaninë e të zonës së mbrojtur rreth saj dhe miratimin e rregullores për administrimin e Qendrës Historike të fshatit Kaninë dhe zonës së mbrojtur rreth saj”, shfuqizohet.
5. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartën e “Qendrës historike” të fshatit Kaninë dhe zonës mbrojtëse të saj në Gjeoportalin Kombëtar.
6. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE