Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Raportin Publik të 300 ditëve të Ministrisë së Brendshme:

Së pari, Raportimi Publik i 300 ditëve të para të qeverisjes nuk është një paradë suksesesh, as një analizë e rëndomtë, por është një paraqitje përpara publikut e punës dhe e sfidave me të cilat qeveria është përballur, ashtu sikundër edhe një marrje përsipër e përgjegjësisë, për t’u përballur me sfidat që vazhdojnë.

Përpara disa ditësh, unë pata kënaqësinë që të jem në godinën e Akademisë së Policisë, ku u gjeta përballë 500 djemsh e vajzash, të përzgjedhur nga një aplikim masiv, si asnjëherë më parë, i afro 10 mijë të rinjve, për t’u bërë pjesë e gjeneratës së re të Policisë së Shtetit. 500 djem dhe vajza, të ndarë në mënyrë të barabartë, 50% me 50%, në një përpjekje që është vetëm në fillimet e saj, për të kapërcyer një hendek shumë të madh mes nesh dhe të ardhmes, që lidhet nga njëra anë, me faktin rrëqethës se kemi policinë me moshën më të lartë në Europë dhe në rajon dhe nga ana tjetër, me faktin ende më rrëqethës, se kemi policinë me nivelin më të ulët arsimor në Europë dhe në rajon.

Sot, unë dua ta vendos theksin tek domosdoshmëria që ne t’i japim fund, një periudhe paqartësie lidhur me edukimin e kuadrove të policisë. Kuadrot e policisë tonë nuk mund të edukohen me sistemin hibrid që ka qenë në fuqi deri sot. Ne duhet t’i japim vetes mundësinë që të përgatisim gjeneratën tjetër përmes një edukimi të plotë policor. Nuk është kjo një çështje kursesh, as tremujore, as gjashtëmujore. Ne nuk duam të bëjmë “policinë e plepave”. “Gjykatën e plepave” e kemi. Nga plepat e përpara dy dekadave, ja ku u katandisëm sot, nën plep. Presim në hije të plepit, drejtësi. Çfarë drejtësie mund të presim ne nga gjykata e plepave dhe çfarë sigurie do të presim ne, nesër, nga një polici plepash! Duhet të ndërtojmë universitetin e sigurisë. Duhet të ndërtojmë shkollën e lartë të Policisë së Shtetit, me të gjitha standardet, bazuar në eksperiencën më të mirë shqiptare, se kjo nuk është një gjë që shpiket për herë të pare, dhe bazuar në standardet më të larta të vendeve fqinje e partnere. Në mënyrë që, të mos kemi policë që nuk dinë të flasin shqip, në mënyrë që të mos kemi më policë që nuk dinë si t’i drejtohen qytetarit që ndalojnë në rrugë dhe që thonë “mirëmbrëma” kur është mëngjes.

Duke filluar që nga këtu dhe deri tek ajo që e tha Ministri, domosdoshmëria për të kuptuar se ne nuk kemi përballë më rrugaçë. Kemi përballë një sistem të mirëfinancuar dhe të mirëkoordinuar globalisht të krimit. Jeni dëshmitarë të gjithë që në rrugët e trafiqeve, të kontrabandës dhe të krimit nuk kapni më, celularë me një prefiks dhe nuk ka më, në celularë, numra që janë vetëm brenda për brenda vendit, por i kalojnë kufijtë.

Ato miliarda që, përndryshe, sot do të ishin duke ushqyer makinerinë e krimit dhe që i mori lumi në operacionin fantastik të Lazaratit, prodhojnë sofistikim të mëtejshëm të krimit. Ne nuk mund të ndodhemi përballë krimit, thjesht e vetëm me vullnet, me trimëri, me kurajo, por na duhet më shumë përgatitje e gjithanshme. Këtu nuk kam fjalën thjesht për krimin në formën e vet më brutale, por e kam fjalën për krimin që është nëpër zyra, e kam fjalën për krimin që është në të gjitha kanalet e qarkullimit të parasë, e kam fjalën për krimin që është në lidhjet që bëjnë që ekonomia kombëtare të ketë brenda një farë të dëmshme dhe shkatërruese të kriminalizimit të vet.

E si luftohet ky krim? Me kurse gjashtë mujore, apo me eksperiencën që e merr gjatë jetës? Jo! Na duhet të një universitet i sigurisë. Unë, bashkë me ministrin e kemi përkrahur fuqimisht, edhe shprehjen e vullnetit të deputetëve të Komisionit të Sigurisë, për ta përfshirë në ligjin e ri të policisë, këtë strukturë të re, e cila duhet të ngrihet mbi traditën më të mirë, këtu ka për fat të mirë kuadro që i përkasin asaj tradite dhe pavarësisht dallgëve në karrierën e tyre, që nuk kanë qenë të lidhura me dallgëzimet profesionale, por me dallgëzimet politike, janë një aset i çmuar për të nesërmen e Policisë së Shtetit, por ka edhe plot vajza e djem pasionantë, që meritojnë një edukim të një niveli tjetër.

Vendet nuk dallohen sot nga njëri-tjetri për atë që kanë, por për atë që dinë. Shqipëria me atë që ka, duhet të ishte në 10 vendet më të përparuara të Europës, por, në qoftë se është në bishtin e fundit të kavallit, është se Shqipëria nuk di. Sepse, Shqipëria është lënë në errësirën e inercisë së një injorance që ka përpirë energji të pafundme dhe në inercinë e një rrënimi që ka shkatërruar potenciale të pafundme. Ne duhet të investojmë në dije, në dije, në dije dhe në dijen e betejës sonë të përditshme. E, dija e betejës sonë së përditshme me krimin, për sigurinë, duhet të fokusohet në radhë të parë, tek ushqimi i gjeneratës më të re me nivelin më të lartë të edukimit, duke ndërtuar dhe një sistem, partneriteti, që në të shkuarën jo shumë të largët ekzistonte, u shkatërrua edhe ai, me akademitë dhe universitetet e vendeve partnere, për të mundur që të përfitojmë nga eksperienca e tyre. Por, si të mund të përfitojmë ne, nga eksperienca e tyre, kur ne kemi dalë jashtë sistemit ?! Si mund të shkëmbejmë ne, dije dhe studentë, kur ne kemi plepa?! Plep me plep. S’ka plepa atje.

Së dyti, ligji i ri për Policinë e Shtetit vendos një gur themeli edhe për karrierën, duke i dhënë fund hyrjeve e daljeve në polici, sikur të ishte policia “rifuxho pecatorium”. Kush largohet nga policia për arsye të shkeljes së ligjit, nuk mund të kthehet më kurrë, në polici. Kush largohet nga policia, për një periudhë të caktuar dhe të mirëpërkufizuar kohore, nuk mund të kthehet më në polici. Policia nuk është hyr e dil, shko bëj biznes dhe kthehu prapë. Se nuk mund të luftojmë për më shumë siguri për qytetarët, në rast se nuk e vendosim policinë mbi bazën e një karriere solide, bazuar tek integriteti, por dhe tek vazhdimësia.

Nga ana tjetër, po ashtu, sistemi i gradave, i përcaktuar në ligjin e ri, konsolidon meritokracinë dhe konsolidon domosdoshmërinë për vijimësinë, duke i dhënë mundësi atyre që dinë më shumë dhe kanë më shumë për të dhënë, që ta japin qoftë në terren, qoftë në universitet dhe duke i dhënë mundësi atyre që kanë pasion dhe vullnet që të ecin në një rrugë karriere që e garantojnë me rezultatet e tyre, jo me lidhjet e shkurtra që e kanë shkatërruar policinë, duke e bërë si gurin e Sizifit, bjer në fund dhe ngrije lart, bjer në fund e ngrije lart. Por sot, në këto 300 ditë, ne mund ta themi me plot gojën që policinë e kemi në krye të detyrës. Sigurisht, larg asaj që do të jetë nesër, sepse horizonti që i kemi vënë vetes është i qartë. Vizioni është i qartë, plani është i qartë, edhe burimet njerëzore në dispozicion janë të mjaftueshme sot, duke kombinuar eksperiencën me integritetin profesional, për të ecur në këtë rrugë. Duke shfrytëzuar edhe teknologjinë e re. Teknologjia e re është mjeti që kanë vendet e varfra dhe vendet e prapambetura, për të bërë kapërcime epokale, pa pasur nevojë të ecim me ritmin e detyruar të viteve kur teknologjia e re nuk ekzistonte.

Ato që pamë janë vetëm fillimi i një transformimi rrënjësor të funksionimit të policisë, ku çdo patrullë duhet të jetë e pajisur me kamera dhe ku çdo veprim i çdo polici dhe i çdo punonjësi policie në terren duhet të jetë i monitoruar me regji qendrore. E, ku çdo lëvizje në rrugët e qyteteve tona duhet të jetë nën “syrin” e kamerave të sigurisë.

Kjo nuk është utopi.

Kjo është Shqipëria që unë dëshiroj të kemi sot 1 vit, këtu. Nuk mund të presim 100 vjet. Sot 1 vit ne duhet të jemi këtu dhe duhet të themi se kemi bërë këtë investim të madh në teknologji, dhe jemi këtu me teknologjinë, dhe kemi arritur këto rezultate të reja, si pasojë e një transformimi të marrëdhënieve mes punonjësit të policisë dhe qytetarit, dhe si pasojë e një transformimi të raportit mes epërsisë që ka policia në terren dhe krimit që lëviz në terren. E, kjo epërsi do të vijë nga teknologjia. E, ne do t’ia japim policisë këtë epërsi në harkun e një viti. Me patjetër. Duke vendosur bazat në zonat kryesore të vendit dhe duke u shtrirë në të gjithë territorin e vendit. Ashtu sikundër, komisariati dixhital është një ide fantastike. Nuk ka nevojë për të pasur policë në çdo cep. Ka nevojë për të pasur akses në polici, të çdo individi. E, për këtë, sot, në botën e sotme, mjafton vetëm një click dhe ti e ke aksesin. Komisariati dixhital do të jetë një hap që, unë jam i bindur, do të bëhet shembull për rajonin dhe për më gjerë. Duke i dhënë mundësi çdo studenti dhe çdo nxënësi që t’i drejtohet komisariatit aty, brenda zyrës, hapësirës së shkollës, përmes një click-u dhe për ta pasur pastaj patrullën apo skuadrën e ndihmës reale brenda pak minutash.

Ne i rritëm pagat për policinë, siç premtuam. Madje, duke e kapërcyer zotimin tonë, sepse atë që u zotuam ta bëjmë për 4-vjet, duke iu përgjigjur asaj tabele pagash që ishte e përcaktuar nga ekspertiza e përbashkët, e brendshme dhe e huaj, në buxhetin e parë të një viti krize financiare, duke vendosur parakusht të negociatave me Fondin Monetar Ndërkombëtar rritjen e pagave për policinë. Ndërkohë që, kërkesa e parë ishte: “Ulni rrogat për të gjithë!”  “Nuk ulim asnjë rrogë dhe do të rrisim rrogat për policinë, në qoftë se doni të kemi program të përbashkët”. Sepse rritja e rrogave për policinë nuk është rritja e rrogave për një numër të caktuar nëpunësish të shtetit, por është financimi i sigurisë; është siguria për investime; është siguria për gjithë aktivitetin që pastaj prodhon të ardhura në të gjithë territorin e vendit, përmes punës së gjithsecilit.

Nga ana tjetër, futëm skemën e sigurimit shëndetësor suplementar për 500 punonjës të policisë, për Forcat Speciale, të cilët janë më të ekspozuar ndaj krimit, sigurisht, dhe ndaj vështirësive në detyrë. Por nuk do të ndalemi këtu! Sepse për ne kjo është një çështje dinjiteti dhe ç’ka e ka kthyer policinë në krye të detyrës brenda një kohe kaq të shkurtër është kthimi i dinjitetit. I dinjitetit, që nëpërkëmbej në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku s’kishte, jo policë, por ku s’kishte Ministër të Brendshëm që të mund të vinte dot rregull në parkimet mbi trotuar të të gjithë parlamentit. E, ku s’kishte zyrtar ordiner të shtetit që të mos t’i ikte policit, kur polici i thoshte ndalo. E ku e dinë mirë të gjithë ata që kanë pasur poste drejtuese në polici, që më shumë duhet të merreshin me deputetë, me ministra e me politikanë që i fyenin nëpër telefona se donin “carta bianca” për të bërë përshesh në çdo shesh, sesa të merreshin me punën e tyre. Perëndimi i menjëhershëm i asaj epoke i ktheu dinjitetin figurës së Policisë së Shtetit. Unë jam shumë krenar, që për herë të parë në historinë e Shqipërisë, jo të Shqipërisë që kur ka bërë shtet, ministrat filluan të paguajnë gjoba të vëna nga policia, deputetët dhe të gjithë, pa dallim. Do kisha dashur shumë që të numëroja dhe eskortën time në këtë çështje, por ata e dinë shumë mirë dhe prandaj respektojnë rregullat e qarkullimit.

 

Po ashtu, është e jashtëzakonshme ajo që ka ndodhur, që pas kaq shumë vitesh, në mos për herë të parë, qytetarët, publiku, përmes rrjeteve sociale mbështeti policinë duke vendosur togfjalëshin, hashtag-un, #mirënjohje, #policiaqëduam, e kështu me radhë, në aksionin e Lazaratit, që nuk ishte thjesht një aksion kundër një baze droge, por ishte fundi i fillimit të një pune që është transformuese për shtetin shqiptar. Ishte momenti i rivendosjes së dinjitetit të shtetit shqiptar brenda territorit të vet, që u bë i mundur falë jush, falë drejtuesve dhe drejtimit të ri të Policisë së Shtetit, kaq shumë i anatemuar padrejtësisht, politikisht, brutalisht dhe kaq shumë i ngritur mbi baltën e akuzave të rëndomta të ditës, për të provuar faktin e thjeshtë se; Po, ne mund të bëjmë shtet në këtë vend, ku shteti është vënë gjithmonë përpara nga interesat e të fortëve, të çfarëdolloj niveli dhe natyre! Kjo ka ardhur si rezultat i një fakti shumë të thjeshtë, në radhë të parë; Në këtë telefon nuk ka asnjë numër policie, asnjë! Nuk ka asnjë drejtor policie, duke filluar që nga Drejtori i Përgjithshëm të mund të dëshmojë se i ka rënë një herë telefoni im. Kam besuar dhe besoj se suksesi i Policisë së Shtetit bazohet tek lënia e plotë e përgjegjësisë tek profesionistët dhe tek mbështetja pa kushte e profesionistëve. Dhe, se detyra e Kryeministrit është vetëm një; Të mos lejojë që Policinë e Shtetit ta pengojnë! Kaq! Se ne u mësuam këtu, në këtë vend, me Kryeministra policë edhe me Ministra të Brendshëm që i dinë të gjitha dhe i bënin të gjitha. Sot, ne kemi një Ministër të Brendshëm që, pa as më të voglin dyshim, po bën histori në Policinë e Shtetit. E, përsëri, besoj, me vetëdijen e plotë se këtë histori po e bën fakti se ne e ndamë qartë dhe prerë politikën nga krimi, pushtetin e qytetarëve që ne përfaqësojmë nga pushteti i krimit dhe zyrën e Ministrit të Brendshëm nga lidhjet e shkurtra me strofullat, kafenetë, bilardot dhe të gjithë llojet e infrastrukturave sociale të krimit. E para, kjo. E dyta, u kthyem me fytyrë nga profesionistët, duke garantuar që gjithkush që ka diçka për të dhënë në Policinë e Shtetit, pavarësisht se çfarë mund të mendojë brenda kokës së vet apo çfarë mund të thuhet për të për 1001 arsye, ta japi. Po ashtu, nuk dua të ndalem tek u bë kjo, u bë ajo, u bë ajo.

Unë nuk jam i lumtur në qoftë se ne mbetemi tek përqindjet, u ulën kaq vrasjet, u ulën kaq këto, u ulën kaq ato. Të gjitha të vërteta, por jemi larg asaj që duam dhe që do të bëjmë sëbashku. Jemi larg asaj që ky popull meriton! Jemi larg asaj që sipërmarrësit në këtë vend meritojnë! Jemi larg asaj që çdo qytetar meriton, që kur të shohë policin të ndjehet krenar për këtë vend dhe për këtë shtet. Sigurisht, që pastaj, shifrat do të flasin për punën tonë dhe do të flasin gjithmonë e më mirë për punën tonë. Por, krahasimi ynë nuk është me të shkuarën. Krahasimi ynë nuk është me “plepat”. Krahasimi ynë nuk është me ç’nuk ishte fare. Ajo nuk ishte fare politikë për të luftuar krimin. Ajo ishte politikë e kriminalizuar. Për çfarë do të krahasohemi me atë ne?! Ne duhet të krahasohemi me ambicien tone. Ambicia jonë është ta bëjmë Policinë e Shtetit shqiptar një nga policitë model të rajonit dhe pastaj, ta rendisim Policinë e Shtetit shqiptar në policitë më të suksesshme të Bashkimit Europian. Kjo është ambicia! Do të duhen 3 vjet apo do të duhen 5 vjet, kjo është një çështje tjetër. Por ne, çdo ditë, duhet të shkojmë drejt të ardhmes dhe duhet të krahasohemi me horizontin që i kemi vënë vetes përpara. Jo më me të shkuarën! Nuk kemi ne asnjë betejë për të fituar me ata që e rrënuan Policinë e Shtetit. Ne kemi betejë për të fituar me të ardhmen dhe me të shkuarën si një fenomen që e ka penguar Policinë e Shtetit në gjithë rrugën e vetë, në gjithë vitet e fundit.

Së fundi, Policia e Shtetit ka disa sfida përpara dhe këto janë sfidat tuaja. Janë sfidat e Drejtorit të Përgjithshëm, janë sfidat e drejtorëve të Qarqeve, janë sfidat e çdo shefi Komisariati. Një Polici Shteti që nuk lufton dhëmbë për dhëmbë dhe me fakte dhe rezultate konkrete korrupsionin brenda vetvetes nuk mund dot të garantojë ambicien tonë për Policinë e Shtetit dhe për shtetin shqiptar. Këtu, ne do të jemi këmbëngulës deri në fund. Çdo drejtor, çdo shef komisariati duhet të provojë se është në krye të luftës kundër korrupsionit në strukturën e vet. Kush nuk e provon dot me fakte, me shifra dhe me nëpunës, punonjës, policë të arrestuar për korrupsion nuk ka pse të jetë më në krye të Drejtorisë apo të Komisariatit. Sepse ne nuk mund t’i themi vetes që do luftojmë korrupsionin jashtë nesh. E, Policia e Shtetit nuk mund t’i thotë dot vetes që po luftojmë korrupsionin jashtë. Policia e Shtetit duhet të luftojë korrupsionin si një të keqe që, në radhë të parë, duhet ta nxjerrë tërësisht jashtë vetes. E kur Policia e Shtetit të shfaqet në çdo front beteje, duhet të shihet nga opinioni publik si forca nuk ka lidhje me korrupsionin. Po ashtu, ky është një parametër që i duhet kërkuar çdo punonjësi policie, çdo punonjësi patrulle. Kush merr ryshfet duhet të shkojë në burg! Kush nuk arreston ryshfetdhënësin duhet të largohet nga policia! E, kush refuzon ryshfetin dhe arreston ryshfetdhënësin duhet të vlerësohet me stimuj financiarë! Kjo është rruga. Ne duhet ta përcaktojmë qartë këtë rrugë! Sa më shpejt dhe sa më mirë ta ndajmë Policinë e Shtetit nga ryshfeti, nga korrupsioni dhe nga gjithçka e cenon punën tonë dhe punën e pjesës së shëndetshme. Pjesës së shëndetshme, që nuk është një fantazi e jona, por që u shfaq përballë krimit në Lazarat dhe provoi se e mira mund ta mundë të keqen. Provoi se kur Policia e Shtetit dhe profesionistët e saj lihen të bëjnë punën e tyre, dinë ta bëjnë punën e tyre më mirë se ç’dinë ta bëjnë kriminelët punën e tyre. Sepse kjo është përballje.

 

Në këto konkluzione, sfida tjetër është ajo që ne e kemi përfshirë në ligjin e ri të policisë, si një sfidë të re të policisë; Krimi mjedisor. Nuk mund të ketë më në këtë vend pandëshkueshmëri për çdo individ që del nga radhët e përcaktuara prej ligjit dhe cenon pronën e përbashkët apo pronën e dikujt tjetër. Pandëshkueshmërinë që i është garantuar vite të tëra nga fakti se kjo nuk ka qenë detyra e Policisë së Shtetit. Po çfarë do presim ne? Do presim që pasuritë tona, pasuritë e këtij populli, pasuritë e fëmijëve tanë t’i gllabërojnë të gjithë llojet e xhagajdurëve dhe të brutalëve duke ndërtuar ku t’i teket; duke rrëmbyer plazhe të tëra; duke gërmuar e shkatërruar shtretërit e lumenjve; duke prerë pyjet; duke vjedhur energjinë elektrike, ku të munden; duke i hequr palcën ekonomisë së këtij vendi, për t’u kujtuar që këto janë krime dhe këto nuk janë kundërvajtje. Këto janë krime të përshkruara në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. E aty ku ka Kod Penal, aty duhet të ketë edhe një polici për të imponuar respektimin e Kodit Penal. Ndërtimtaria pa leje, me ligjin e ri, është objekt i Policisë së Shtetit. Jo për të shembur godina, ato janë punë që i bën Inspektorati, por për të arrestuar këdo që hedh një themel pa leje në pronën e popullit shqiptar, apo qoftë edhe në pronën e vet, pa marrë më parë leje; Për të arrestuar këdo që pret një pemë; Për të arrestuar këdo që dëmton një pyll apo një lum. Si mund të pranojmë ne apo si mund të pranojë policia e këtij shteti që mu nën hundët e gjithë këtyre mijëra policëve të vazhdojnë transportet e paligjshme të drurëve të pyjeve tona. Të zhvishen malet, kodrat, qytetet rreth tyre nga pyjet dhe përmasa e gjelbër dhe kjo të jetë një histori kundërvajtjesh. Jo, e kapa, jo shkoi në Prokurori, jo Prokuroria nuk vepron. Këto janë krime. Ne duhet të qëndrojmë të gjithë sëbashku përpara këtyre krimeve, sepse duhet të mbarojë epoka që qytetarët që respektojnë ligjin të ndjehen qytetarë të dorës së dytë në këtë vend. Duhet të mbarojë koha kur plaka dhe pleq, që nuk kanë as fuqi dhe as mend që të dëmtojnë një lule, të mos dalin dot në oborr, se ua merr oborrin një gangster. Duhet të mbarojë epoka kur prindërit dhe familjet të jenë nën terrorin e këtyre të fortëve që ndërtojë pa leje, kushdoqofshin. E, duhet të mbarojë epoka kur ndërtimi pa leje quhet normal edhe për shumë të tjerë që ndoshta s’janë të fortë, por të fortë bëhen për këtë shkak. Ne nuk mund ta lejojmë! Kjo është një gjë e çmendur që duhet të mbarojë.

Ne i kemi të gjitha mundësitë që në këtë vend, me një territor relativisht shumë të vogël, të vendosim në çdo kilometër/katror shtet, rregull, qetësi dhe të krijojmë për të gjithë hapësirën që me idetë e tyre, me punën e tyre, me vullnetin e tyre të bëjnë sukses, por jo me krimet e tyre, apo me paligjshmëritë e tyre. Kjo është sfida e të gjithëve sëbashku. Unë e di shumë mirë që kjo nuk është sfida thjesht e Policisë së Shtetit. Kjo është një sfidë e përbashkët e shoqërisë. Unë e di shumë mirë që krimi me të cilin përballet Policia e Shtetit është pasoja fundore e një sërë problemesh zinxhir, që janë të natyrës sociale, të natyrës ekonomike, të natyrës së keqqeverisjes në shumë pellgje të vendit, të natyrës së një dekurajimi të përgjithshëm psikologjik përballë zyrash dhe shërbimesh që shfaqen të korruptuara. Por, sidoqoftë, kjo është detyra e Policisë së Shtetit, e pashmangshme dhe patjetërsueshme.

Do të doja që sot 1 vit, kur të bëjmë raportin publik të periudhës në vijim të mund të themi se kemi hedhur bazat e një edukimi të standardeve europiane për Policinë e Shtetit; se kemi hedhur bazat e kontrollit të plotë të territorit, përmes teknologjisë së lartë; se kemi hedhur bazat e monitorimit të performancës së çdo punonjësi patrulle, përmes teknologjisë së lartë; se kemi hedhur bazat e një epoke të re kundër korrupsionit, përmes ç’korruptimit të plotë të Policisë së Shtetit; se kemi hedhur bazat e një Shqipërie solidare dhe të mbështetur tek ligji, duke i dhënë fund krimeve mjedisore; se kemi hedhur bazat e asaj Shqipërie që meritojnë fëmijët tanë, duke mos ua lënë trashëgim këtë vend copa e çika, por të kuruar dhe në shërim e sipër, për t’ua lënë fjalën pastaj gjeneratave të tjera.

Respekt dhe suksese!

 

***

Në vijim të raportimit publik të qeverisë për 300 ditët e para të qeverisjes, ishte Ministria e Brendshme që bëri sot raportimin para opinionit publik, të veprimtarisë së saj 300 ditore.

Nga drejtuesit e Ministrisë dhe të Policisë së Shtetit u theksua se gjatë kësaj periudhe janë hedhur bazat për një polici të reformuar dhe moderne, në shërbim të qytetarëve. Ndonëse një proces i vështirë dhe me sfida të mëdha, u ndërtua një marrëdhënie e re mes qytetarit dhe policisë, u arrit që Shqipëria të dalë nga lista e zezë për trafikimin e qenieve njerëzore, u arrit t’i jepet një përgjigje e fortë trafikut të lëndëve narkotike dhe të rivendosej sundimi i ligjit në Lazarat, por, mbi të  gjitha, Policia e Shtetit rifitoi besimin e publikut.

“Në 300 ditë, publiku i ka besuar Policisë së Shtetit shumë më shumë. Kjo, falë vullnetit tonë, për ta bërë mëse të qartë se jemi në shërbim të qytetarëve dhe për të garantuar që Policia e Shtetit të jetë vërtetë në shërbim të qytetarëve,” – u shpreh Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ndërsa theksoi se fokus, që ditën e parë, ka qenë dhe vazhdon të jetë lufta kundër korrupsionit brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Një betejë, për të cilën Ministri  tha se sapo ka nisur, por që është në rrugë të mbarë.

Ndërsa policia dixhitale; One Stop Shop për shërbime të shpejta dhe efektive; lufta kundër korrupsionit në polici; inkurajimi i një bashkëveprimi gjithnjë e më aktiv mes qytetarit dhe policisë, modernizimi dhe teknologjia janë sfidat e ardhshme të Policisë së Shtetit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.