Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 02 Nëntor 2016
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË KANDIDATURAVE ALTERNATIVE PËR ANËTARË TË KOMISIONIT TË KONKURRENCËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 21, të ligjit nr.9121, datë 28.7.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kandidaturave alternative për anëtarë të Komisionit të Konkurrencës, si më poshtë vijon:
– Për anëtarin e parë:
Znj. Juliana Latifi;
Znj. Leida Matja.
– Për anëtarin e dytë:
Z. Ilir Gëdeshi;
Z. Indrit Baholli.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E TRE ANËTARËVE TË KOMISIONIT KOMBËTAR TË PËRZGJEDHJES PËR TND-NË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 31, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Emërimin si anëtarë të Komisionit Kombëtar të Përzgjedhjes për TND-në të:
– Z. Hysen Çela për një mandat 5-vjeçar;
– Z. Erind Merkuri për një mandat 5-vjeçar;
– Z. Aleksandër Xhuvani, i cili do të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e mandatit të znj. Irena Beqiraj.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN INTERREG IPA TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR ITALI-SHQIPËRI-MAL I ZI, 2014-2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për programin INTERREG IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Itali-Shqipëri-Mal i Zi, 2014-2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “NDËRHYRJE REHABILITUESE NË ZONËN E MBROJTUR TË QENDRËS HISTORIKE TË DHËRMIUT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, në zonën kadastrale nr.1481, me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi 200 (dyqind) m2 dhe sipërfaqe trualli 270 (dyqind e shtatëdhjetë) m2, që preken nga zbatimi i projektit “Ndërhyrje rehabilituese në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Dhërmiut”, miratuar me vendimin nr.80, datë 13.4.2016, të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve (KKR).
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Vlorë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompesohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “njësi shërbimi”, me një vlerë të përgjithshme 7 464 400 (shtatë milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e katërqind) lekë.
4. Vlera totale e shpronësimit, prej 7 464 400 (shtatë milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e katërqind) lekësh, të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave pranë Bankës së Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.
5. Shpronësimi të fillojë në datën e botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
6. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Kulturës.
7. Pronarët e konfirmuar nga ZVRPP Vlorë, sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompesohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Vlorë.
8. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Paurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Vlorë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Vlorë, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
9. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Financave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Paurive të Paluajtshme Vlorë për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT, NGA BUXHETI I VITIT 2016, PËR KISHËN KATOLIKE NË SHQIPËRI, ME RASTIN E LUMTURIMIT TË MARTIRËVE SHQIPTARË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 2, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare tradicionale, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2016, në programin “Mbështetje për kultet fetare”, i shtohet fondi prej 3 000 000 (tre milionë) lekësh për financimin e Kishës Katolike në Shqipëri, me rastin e Lumturimit të Martirëve Shqiptarë.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2016.
3. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
HEQJEN NGA FONDI PYJOR E KULLOSOR PUBLIK DHE PAKËSIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQEVE PYJORE QË DO TË PËRDOREN NGA SHOQËRIA “TAP-AG” PËR NDËRTIMIN E RRUGËVE TË KALIMIT DHE URAVE TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP), PAKETA E KATËRT, NË QARQET KORÇË DHE BERAT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, të ligjit nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline Ag, lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), si dhe të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline Ag, në lidhje me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sipërfaqja pyjore prej 6.059 (gjashtë pikë pesëdhjetë e nëntë) ha, që do të përdoret nga shoqëria “TAP-AG” për ndërtimin e rrugëve të kalimit dhe urave të gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), paketa e katërt, të hiqet nga fondi pyjor e kullosor publik, të pakësohet në volum dhe të çregjistrohet nga regjistri i kadastrës së pyjeve dhe kullotave, sipas lidhjes 1, me të dhënat për sipërfaqet pyjore që pakësohen në volum dhe hiqen nga fondi pyjor e kullosor publik sipas qarqeve e bashkive dhe hartave topografike me gjurmën e ndërtimit të rrugëve dhe urave, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat përkatëse të pakësimit në volum të lëndës drusore, produkteve të tjera pyjore dhe investimeve të kryera në vite në pyje, objekt i këtij vendimi, paguhen nga shoqëria “TAP-AG”, në bazë të lidhjes 4, të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.
3. Shoqëria “TAP-AG”, brenda 2 (dy) viteve, të pyllëzojë, me fondet e veta, 8 (tetë) ha sipërfaqe me drurë pyjorë dhe të përmirësojë një sipërfaqe kullote prej 3 (tre) ha, në ekonomitë pyjore e kullosore të përcaktuara në marrëveshjen e lidhur ndërmjet shoqërisë “TAP-AG” dhe Ministrisë së Mjedisit.
4. Sipërfaqet pyjore e kullosore, sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
5. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme publike të bëjnë çregjistrimin e sipërfaqes pyjore e kullosore të identifikuar sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, nga kategoria “Tokë e zënë pyjore dhe kullosore” dhe ta regjistrojnë në kategorinë “Tokë e zënë, objekt ndërtimi i rrugëve dhe urave të gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP)”.
6. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, bashkitë Korçë, Poliçan, Çorovodë e Berat dhe shoqëria “TAP-AG”, zyra për Shqipërinë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT EKZEKUTIV TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, pika 1, 14 e 15, shkronja “a”, të ligjit nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Aleksandër Lipivani, drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Flamur Çelaj emërohet drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË RISHPËRNDARJE TË FONDEVE BUXHETORE PËR SHPENZIMET KORRENTE, BRENDA PROGRAMEVE TË MIRATUARA PËR MINISTRINË E DREJTËSISË, NË BUXHETIN E VITIT 2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 17, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Drejtësisë, zëri “Shpenzime korrente”, të bëhet rishpërndarja e fondeve buxhetore, brenda programeve, si më poshtë vijon:
a) Programit të Shërbimit të Provës, për vitin 2016, t’i pakësohet fondi prej 5 450 000 (pesë milionë e katërqind e pesëdhjetë mijë) lekësh në shpenzimet e personelit;
b) Programit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, për vitin 2016, t’i shtohet fondi në masën 5 450 000 (pesë milionë e katërqind e pesëdhjetë mijë) lekë për shpenzime operative.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE TË DREJTËSISË 2017-2020 DHE TË PLANIT TË SAJ TË VEPRIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2017- 2020 dhe të planit të saj të veprimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, ministritë e linjës dhe institucionet e drejtësisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.276, DATË 1.4.2015, Ë KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, NGA MINISTRIA E MBROJTJES MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES DHE MINISTRIT TË SHTETIT PËR INOVACIONIN DHE ADMINISTRATËN PUBLIKE, TË PRONËS NR.33, ME EMËRTIM “SHTËPIA E USHTARAKËVE”, ME VENDNDODHJE NË BULEVARDIN “ZHAN D’ARK”, TIRANË, PËR VENDOSJEN E QENDRËS KOMBËTARE TË REGJISTRIMIT (QKR), QENDRËS KOMBËTARE TË LICENCIMIT (QKL) DHE QENDRËS SË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA (ADISA), SI DHE DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË MARKAVE DHE PATENTAVE (DPPM) E AGJENCISË SË ZBATIMIT TË REFORMËS TERRITORIALE (AZRT)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.276, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat si më poshtë vijon:
1. Në titull dhe në të gjithë tekstin, fjalët “…Qendrës/a Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Qendrës/a Kombëtare të Licencimit (QKL)…” zëvendësohen me “…Qendrës/a Kombëtare të Biznesit (QKB)…”.
2. Në titull dhe në pikën 1 bëhen këto shtesa:
a) Pas emërtimit “…ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike…” shtohen fjalët “… si dhe Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit (STKKU)…”.
b) Pas emërtimit “…Drejtorisë së Përgjithshme të Patentave dhe Markave (DPPM) e Agjencisë së Zbatimit të Reformës Territoriale (AZRT)…” shtohen fjalët “…dhe Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit (STKKU)”.
3. Në pikën 2 bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në fjalinë e parë, pas fjalëve:
i. “…Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes…” shtohen fjalët “…dhe Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit (STKKU)…”;
ii. “…Drejtorisë së Përgjithshme të Patentave dhe Markave (DPPM)…” shtohen fjalët “…si dhe Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit (STKKU)”.
b) Në fund të shkronjës “a”, të pikës 2, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Kati përdhe të përdoret nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave (DPPM) si dhe Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit (STKKU), sipas planimetrisë bashkëlidhur, që është pjesë përbërëse e këtij vendimi.”.
4. Në pikën 4, pas fjalëve “…ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike…” shtohen fjalët “…ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore dhe Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit…”.
5. Në pikën 5, pas fjalëve “…ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike…” shtohen fjalët “…ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore dhe Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit…”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLIT TEKNIK “PËR INSTRUMENTET MATËSE”, PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1351, DATË 3.10.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KËRKESAT TEKNIKE DHE METROLOGJIKE PËR INSTRUMENTET MATËSE, LIGJËRISHT TË KONTROLLUARA”, DHE PЁRCAKTIMIN E LISTЁS SË STANDARDEVE TË HARMONIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.10489, datë 15.12.2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullit teknik “Për instrumentet matëse”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Përcaktimin e listës së standardeve të harmonizuara shqiptare, me karakter referues për prezumimin e konformitetit të instrumenteve referuar në pikën 1, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Standardet e harmonizuara shqiptare, numrat dhe titujt e të cilave janë përfshirë në listën e përmendur në pikën 2, të këtij vendimi, shërbejnë si dokumente reference për prezumimin e konformitetit të instrumenteve referuar në pikën 1 me kërkesat thelbësore të sigurisë, të përcaktuara në rregullin teknik, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Në vendimin nr.1351, datë 3.10.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në pjesën II “Matësit materialë të gjatësisë” shfuqizohen pjesët: “Përkufizime”, “Kërkesa teknike metrologjike” dhe “Vendosja në treg”.
b) Në pjesën III “Masat e kapacitetit të shërbimit dhe masat vëllimore” shfuqizohen dispozitat për masat e kapacitetit të shërbimit.
c) Në pjesën IV “Kontatorët e taksive (Taksimetrat)” shfuqizohen pjesët: “Përkufizime dhe përcaktime”, “Kërkesa teknike-metrologjike”, “Kërkesa të tjera dhe vendosja në treg”.
ç) Në pjesën V “Sistemet e matjes së sasive të lëngjeve përveç ujit” shfuqizohen pjesët: “Përkufizime-përcaktime”, “Kërkesat teknike metrologjike” dhe “Vendosja në treg”.
5. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1.1.2017. Deri në datën e fillimit të efekteve juridike të këtij vendimi, zbatohet vendimi nr.1055, datë 23.12.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për instrumentet matëse, një ndryshim në vendimin nr.1351, datë 3.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për kërkesat teknike dhe metrologjike për instrumentet matëse, ligjërisht të kontrolluara”, dhe përcaktimin e listës së standardeve të harmonizuara””.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2016, MIRATUAR PËR MINISTRINË E ENERGJISË DHE INDUSTRISË, NË CILËSINË E ORGANIT TË INTERESUAR, PËR PAGESËN E FATURAVE TË AVOKATËVE TË KONTRAKTUAR PËR PËRFAQËSIMIN DHE MBROJTJEN NË ÇËSHTJET E ARBITRAZHIT NDËRKOMBËRTAR ICC, NR.20564/EMT HYDRO S.R.L. KUNDËR REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE ICSID, NR.ARB/15/28 HYDRO S.R.L. & OTHERS KUNDËR REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE ÇDO SHPENZIMI TJETËR TË LIDHUR ME TO
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, në cilësinë e organit të interesuar, në buxhetin e miratuar për vitin 2016 i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 1 175 000.00 (një milion e njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) eurosh dhe 125 000.00 (njëqind e njëzet e pesë mijë) dollarësh për kryerjen e pagesave të faturave të avokatëve të kontraktuar për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjet e arbitrazhit ICC, nr.20564/EMT Hydro S.R.L. kundër Republikës së Shqipërisë, dhe ICSID, nr.ARB/15/28 Hydro S.R.L. & Others kundër Republikës së Shqipërisë, si dhe për çdo shpenzim tjetër të lidhur me to, në përputhje me faturat e miratuara nga Avokatura e Shtetit.
2. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2016.
3. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2016, MIRATUAR PËR KUVENDIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 dhe 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2016, miratuar për Kuvendin, të shtohet fondi prej 2 372 097 (dy milionë e treqind e shtatëdhjetë e dy mijë e nëntëdhjetë e shtatë) lekësh, për shpenzime kapitale.
2. Ky efekt financiar të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2016.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Kuvendi për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT 2 TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS SË ZVICRËS, PËR DHËNIEN E ASISTENCËS FINANCIARE PËR PROJEKTIN E REHABILITIMIT TË KASKADËS SË LUMIT DRIN, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.508, DATË 24.10.1994, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJEVE TË GRANTIT TË NDËRTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS SË ZVICRËS, PËR PROJEKTET E REHABILITIMIT TË HIDROCENTRALEVE DHE ZVOGËLIMIN E HUMBJEVE JOTEKNIKE NË ENERGJINË ELEKTRIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të ndryshimit 2 të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës, për dhënien e asistencës financiare për projektin e rehabilitimit të kaskadës së lumit Drin, miratuar me vendimin nr.508, datë 24.10.1994, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e marrëveshjeve të grantit të ndërtimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës, për projektet e rehabilitimit të hidrocentraleve dhe zvogëlimin e humbjeve joteknike në energjinë elektrike”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.663, DATË 17.7.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE TË LUFTËS KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR, TRAFIQEVE TË PALIGJSHME DHE TERRORIZMIT, 2013-2020, DHE PLANIT TË VEPRIMIT PËR VITET 2013-2016”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.663, datë 17.7.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet shtojca 2, me titull “Strategjia Ndërsektoriale e Luftës kundër Terrorizmit dhe Plani i Veprimit 2016-2020”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Shërbimi Informativ Shtetëror për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E NGJYRËS, SHENJAVE DHE PËRDORIMIN E MJETEVE TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit nr.100, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Policia e Shtetit në ushtrimin e funksioneve të saj përdor mjete lëvizëse të uniformuara dhe të pauniformuara, të ndara në:
a) mjete rrugore;
b) mjete lundruese.
2. Mjetet e uniformuara rrugore dhe lundruese, në përdorim të strukturave dhe të punonjësve të Policisë së Shtetit, kanë:
a) ngjyrë, disenjo dhe numër telefoni, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) pajisje sinjalizuese pamore dhe zanore me specifikimet teknike, sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Lloji i mjeteve të uniformuara sipas strukturave të Policisë së Shtetit, është sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Ngjyra, logoja dhe targat, në mjetet e uniformuara të Policisë së Shtetit, janë unike dhe me të drejtë përdorimi vetëm nga Policia e Shtetit.
5. Targa e mjeteve rrugore të Policisë së Shtetit është sipas legjislacionit në fuqi.
6. Mjetet e pauniformuara kanë logo dhe pajisje sinjalizuese portative.
7. Të gjitha mjetet e Policisë së Shtetit janë të kompletuara me pajisje speciale për sigurimin e jetës dhe realizimin e detyrës.
8. Mjetet e Policisë së Shtetit përdoren vetëm për nevoja pune dhe në funksion të përmbushjes së detyrës.
9. Drejtori i Policisë së Shtetit, miraton me urdhër të tij:
a) strukturat e Policisë së Shtetit, të ndryshme nga ato të përcaktuara në lidhjen nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi, që përdorin mjete të uniformuara dhe të pauniformuara, në funksion të zbatimit të detyrës;
b) mjetet e Policisë së Shtetit, sipas shërbimeve policore, të cilave do t’u lejohet përdorimi i logos dhe i shenjave të veçanta;
c) llojet, sasinë dhe afatin e përdorimit të pajisjeve që kanë mjetet e Policisë së Shtetit, sipas funksionit që do të përdorin;
ç) rregulloren e përdorimit të mjeteve dhe pajisjeve speciale për struktura të veçanta të Policisë së Shtetit.
10. Vendimi nr.538, datë 1.5.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pajisjeve të veçanta, të ngjyrave dhe shenjave për mjetet e Policisë së Shtetit”, i ndryshuar, shfuqizohet.
11. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NXJERRJEN NË SHITJE TË DISA MJETEVE TË TRANSPORTIT TË RËNDË, TË GRUPIT A, TË KALUARA NË FAVOR TË SHTETIT SI PASOJË E KONFISKIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit (DPRMSH) për të realizuar shitjen me ankand publik të mjeteve të transportit të rëndë, që plotësojnë kushtet për qarkullim, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. DPRMSH-ja, për llogaritjen e vlerës së mjetit të transportit që plotëson kushtet për qarkullim, i cili do të dalë në ankand, sipas pikës 1, të këtij vendimi, do t’i referohet tabelës së dërguar nga zyra doganore, e cila ka përdorur si burim informacioni buletinet që pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet evropiane. Vlerës së gjendur në tabelë i zbritet 50%, si koeficient amortizimi, për shkak të përdorimit të mjetit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Vlera e mbetur është vlera e mjetit të transportit, e cila do të jetë edhe vlera fillestare e ankandit.
3. Për mjetet e kategorizuara për qarkullim, të cilat nuk janë shitur pasi u janë nënshtruar procedurave të shitjes me ankand publik për tre herë me radhë, DPRMSH-ja vijon me procedurat e trajtimit për skrap dhe njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor për heqjen nga qarkullimi dhe çregjistrimin e këtyre mjeteve.
4. DPRMSH-ja lejohet të realizojë shitjen me ankand publik të mjeteve të transportit të rëndë që nuk plotësojnë kushtet për qarkullim, të destinuara për t’i trajtuar si skrap, sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. DPRMSH-ja, për llogaritjen e vlerës fillestare monetare të ankandit, sipas pikës 4, të këtij vendimi, do të bazohet në mesataren e çmimit për kategoritë përkatëse të skrapit, sipas të dhënave të dërguara nga zyra doganore më e afërt.
6. Të ardhurat e përfituara nga shitjet me ankand derdhen në buxhetin e shtetit.
7. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E QENDRËS HISTORIKE TË FSHATIT BËNJË DHE MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ADMINISTRIMIN E SAJ E TË ZONËS SË MBROJTUR PËRRETH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës , Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Bënjë, sipas hartës dhe koordinatave gjeografike, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Miratimin e rregullores “Për administrimin e Qendrës Historike të fshatit Bënjë dhe zonës së mbrojtur përreth”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Ministria e Zhvillimit Urban për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.402, DATË 1.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2016, MIRATUAR PËR KRYEMINISTRINË”
Në mbështetje të neneve 23 e 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 1, e vendimit nr.402, datë 1.6.2016, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Kryeministrisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2016, zëri “Shpenzime operative”, t’i shtohet fondi prej 105 000 000 (njëqind e pesë milionë) lekësh, për ministrin e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.