Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 3 Gusht 2016    

V E N D I M

PËR 

MIRATIMIN E UDHËRRËFYESIT TË POLITIKËS SË INVESTIMEVE   TË QEVERISË SHQIPTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Miratimin e udhërrëfyesit për politikën e investimeve të qeverisë shqiptare, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.    Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për bashkëveprimin dhe monitorimin e zbatimit të udhërrëfyesit.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

UDHËRRËFYESI I POLITIKËS SË INVESTIMEVE
TË QEVERISË SHQIPTARE

                
I.    HYRJE

Qeveria shqiptare me qëllim nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në sektorin privat në vend, me qëllim përshpejtimin e rritjes dhe nxitjes së punësimit, si një ndër prioritetet e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020, Strategjinë e Biznesit dhe Zhvillimit të Investimeve për periudhën 2014-2020, duke synuar zbatimin e programit të reformave për të nxitur investime vendase e të huaja dhe rritjen e përfitimeve për qytetarët shqiptarë ka përgatitur Udhërrëfyesin e politikës së investimeve. Ky udhërrëfyes parashtron parimet dhe disa prioritete të reformave për t’u zbatuar nga qeveria shqiptare për të mbështetur këtë objektiv.

Qeveria shqiptare njeh rolin kryesor që luan sektori privat vendas dhe i huaj në zhvillimin e vendit. Gjithashtu, qeveria shqiptare njeh rolin që luajnë investimet e huaja direkte, si edhe investimet jokapitale, këto të fundit duke iu referuar marrëdhënieve kontraktuale në mes të investitorëve të huaj dhe vendas në formën e franchising, licencimit, kontratave të prodhimit, dhënies së shërbimeve dhe formave të tjera të ngjashme, etj. në sjelljen e përfitimeve të shumëfishta për ekonominë. Këto përfitime përfshijnë rrjedhjen e kapitalit shtesë, krijimin e vendeve të reja të punës, duke përfshirë punë të lartë të kualifikuar, transferimin teknik dhe menaxherial të dijeve, përmirësimin e aksesit në zinxhirin e vlerave ndërkombëtare dhe rrjetet e shpërndarjes të ndërmarrjeve shumëkombëshe etj. 

Qeveria shqiptare është e angazhuar për të krijuar një klimë të favorshme për investimet vendase dhe të huaja, të cilat kanë efekt pozitiv në ekonominë vendase. Zbatimi i reformave të paraqitura në këtë udhërrëfyes synon tërheqjen e investimeve, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, rritjen e eksporteve dhe gjenerimin e punësimit.
Qeveria shqiptare synon:
(a)    të garantojë një sistem efikas, efektiv dhe transparent për tërheqjen dhe kryerjen e investimeve;
(b)    të përmirësojë dhe të modernizojë kuadrin ligjor për investimet në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare;
(c)    të promovojë zhvillimin dhe zbatimin e standardeve e të praktikave më të mira ndërkombëtare në lidhje me investimet.

II.    PARIMET E POLITIKAVE TË MIRA TË INVESTIMEVE

Në përputhje me praktikat e mira, qeveria shqiptare do t’u ofrojë investitorëve garancitë thelbësore të nevojshme për të investuar në vend, në përputhje me angazhimet që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare të investimeve ku Shqipëria është palë nënshkruese. 

Në përmbushje të reformave dhe politikave të investimeve, qeveria shqiptare do të promovojë parimet kryesore ndërkombëtare të politikave të investimeve, si më poshtë:
§    Sigurimin e mosdiskriminimit ndërmjet investitorëve vendas dhe të huaj: Të sigurojë  trajtim të barabartë për të gjithë investitorët/investimet vendase dhe të huaja në lidhje me zgjerimin, operimin dhe mbrojtjen e investimeve të tyre, jo më pak të favorshëm se ato të siguruara në situata të ngjashme me investitorët vendas, në përputhje me dispozitat e parashikuara në ligje, rregullore dhe politika. 
§    Ruajtjen  e mosdiskriminimit ndërmjet investitorëve të huaj: Të sigurojë trajtim jo më pak të favorshëm dhe pa diskriminim për investitorët/investimet e huaja të një vendi nga ai i një vendi tjetër të huaj në situata të ngjashme, në lidhje me themelimin, zgjerimin dhe operimin e investimeve të tyre, pa cenuar angazhimet dhe parimet ndërkombëtare.
§    Sigurimin e mbrojtjes efektive të pronësisë: Të sigurojë pronën private dhe investimet nga shpronësimi apo nga masa me efekt të ngjashëm, me përjashtim të rasteve, kur shpronësimi kryhet për një qëllim publik, mbi bazë jodiskriminuese dhe si alternativë e fundit, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe parimet e ligjit ndërkombëtar dhe nëpërmjet pagesës së menjëhershme, të përshtatshme dhe efektive të kompensimit.
§    Ndjekjen e praktikave të mira rregullatore: Të sigurojë që të gjitha ligjet, rregulloret, udhëzimet administrative dhe politikat në lidhje me investimet të miratohen pasi të jenë njoftuar, konsultuar dhe bërë publike në mënyrë të shpejtë, transparente si dhe të jenë lehtësisht të aksesueshme.
§    Nxitjen në mënyrë efektive të qëndrimi të investimit: Të zbatojë mekanizma të efektshëm për menaxhimin e ankesave të investitorëve me qëllim forcimin e besimit, për të siguruar që investimi të ruhet në kohë dhe të rritet transparenca rregullatore dhe administrative.
§    Përdorimin e stimujve të planifikuar kur është e nevojshme dhe nxitjen e transparencës së plotë në dhënien e stimujve: Të nxitë përdorimin e stimujve të planifikuar kur është e nevojshme, që synojnë të tërheqin investime vendase dhe të huaja, si dhe të nxitin reagimin e investitorit ndaj objektivave të politikave publike kyçe; të hartohet një inventar i konsoliduar i stimujve për investimet; dhe të sigurohet zbatimi i parimeve të llogaridhënies, mosdiskriminimit, qartësisë dhe transparencës në procesin e dhënies së stimujve për investitorët.
§    Garantimin e standardeve mjedisore dhe sociale: Të sigurojë që të gjitha rregulloret për punën, shëndetin, sigurinë dhe mjedisin të zbatohen nga investitorët vendas dhe të huaj.
§    Shmangien e kërkesave shtrembëruese që lidhen me performancën: Të mos vendosen apo të mos miratohen kërkesa për performancën të cilat prishin apo kufizojnë zgjerimin e tregtisë dhe investimit.
§    Lehtësimin e hyrjes dhe qëndrimit të përkohshëm të personelit: Të lehtësohet hyrja dhe qëndrimi i përkohshëm i personelit të huaj teknik dhe drejtues, si dhe i familjeve të tyre, me qëllim angazhimin në aktivitete që lidhen me investimet e huaja.
§    Zbatimi i standardeve të larta të qeverisjes: Të bëhen përpjekje për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe të bëhet çdo përpjekje për të siguruar që të gjitha agjencitë publike të ruajnë standardet e larta të qeverisjes.

III.    PLANI I VEPRIMIT TË REFORMAVE

Duke marrë në konsideratë  parimet e politikës së investimeve si më lart, si dhe objektivat e zhvillimit ekonomik e social kombëtar të Shqipërisë, qeveria shqiptare do të zbatojë planin e veprimit të reformës të përcaktuar në këtë Udhërrëfyes për periudhën 2016-2018. 

Konkurrenca midis vendeve për investime të huaja dhe ndryshimet në ekonominë botërore sjellin nevojën e një kuadri dinamik të politikës së investimeve. Për këtë, zhvillimi dhe zbatimi i mëtejshëm i reformave dhe planeve përkatëse të veprimit synojnë:
§    Përmirësimin, sipas nevojës, të të gjitha fushave me rëndësi për një kuadër politikash efektiv për investime, përfshirë vizionin dhe strategjinë për investime, politika, ligje dhe rregullore që përkthejnë këtë vizion dhe strategji në terma ligjorë, si dhe institucionet dhe mekanizmat që do të sigurojnë zbatimin e duhur të tyre. 
§    Maksimizimin e efektivitetit të investimeve në faza të ndryshme të ciklit të investimit,  nga hyrja për herë të parë e investimeve të reja dhe mbrojtja e tyre, duke përfshirë edhe lidhjet me ekonominë e vendit, me synim lehtësimin e pengesave që vijnë  nga politikat.
§    Krijimin e një mjedisi të favorshëm për të gjitha investimet, veçanërisht investimet efikase që janë të orientuara drejt eksportit dhe janë forma më efikase e investimeve të cilat kërkojnë operacione efektive të import- eksportit, si dhe të vendosin standarde të përmirësuara për mbrojtjen e investitorit.  
Qeveria shqiptare në përcaktimin e reformave kyçe të paraqitura në këtë udhërrëfyes si dhe në fazat pasuese të zbatimit të vizionit të investimeve e vlerëson shumë të rëndësishëm konsultimin me sektorin privat. Gjatë periudhës 2016-2018, qeveria shqiptare do të zbatojë reformat e mëposhtme:

1.    Hartimi i një ligji të unifikuar për investimet

Qeveria shqiptare do të miratojë një ligj të unifikuar për investimet, i cili do të zëvendësojë ligjet ekzistuese që rregullojnë investimet, përfshirë: ligjin për investimet e huaja (1993) dhe ligjin për investimet strategjike (2015). Ligji i ri do të konkretizojë parimet e politikës së mirë për investime, të përcaktuara në këtë udhërrëfyes si dhe parimet e marrëveshjeve ndërkombëtare të investimeve të Shqipërisë me qëllim zbatimin e tyre nga gjykatat dhe arbitrazhi ndërkombëtar. 

Ligji i ri do të garantojë që në të ardhmen të mos kryhen shpronësime, përveçse në rrethana kur është mjeti i fundit i veprimit dhe është në përputhje me parimet e ligjit ndërkombëtar. Ligji do të sigurojë zbatimin e standardeve dhe rregulloreve të punës, sigurisë dhe mjedisit që përmban legjislacioni vendas dhe në përputhje me traktatet ndërkombëtare përkatëse, në të cilat Shqipëria është palë. Të gjitha ligjet, rregulloret dhe dekretet e miratuara në bazë të legjislacionit të mëparshëm të investimeve, përfshirë ligjin për investimet strategjike, do të harmonizohen dhe do të riformulohen për të siguruar respektimin e parimeve dhe praktikave të mira të paraqitura në këtë udhërrëfyes.

 
Aktivitete për hartimin e një ligji të unifikuar të investimeve    Afati kohor    Institucioni shtetëror përgjegjës    Burimi i financimit    Rezultati       
1.    Ngritja e një grupi pune për hartimin e ligjit të unifikuar të investimeve;
2.    Identifikimi i grupeve të  interesit brenda dhe jashtë qeverisë, rolet dhe mandatet e tyre në fushën e investimeve;
3.    Zhvillimi i një udhërrëfyesi për miratimin e ligjit të unifikuar të investimeve;
4.    Rishikimi i ligjeve dhe rregulloreve bazë, marrëveshjeve institucionale që rregullojnë investimet, përfshirë:
–    ligji për investimet e huaja;
–    ligji për investimet strategjike;
–    marrëveshjet ndërkombëtare të Shqipërisë;
Ligje të tjera që lidhen me zbatimin e investimeve dhe rregullore zbatuese, siç janë: ligjit për zonat e lira ekonomike, ligji për partneritetin publik privat dhe akte të tjera ligjore.
5.    Hartimi i ligjit të unifikuar për investimet. Nëse është e nevojshme, të zhvillohen dhe të përshtaten instrumente të tjera përkatëse ligjore për të siguruar koherencën me parimet dhe zbatimin e duhur. Të garantohet konsultimi me aktorë të tjerë (të brendshëm dhe të jashtëm), si pjesë e procesit.
6.    Miratimi i ligjit të ri të unifikuar për investimet    

1.    Korrik 2016

2.    Tetor 2016

3.    Nëntor 2016

4.    Maj 2017

5.    Dhjetor 2017

6.    Shkurt 2018    MZHETTS, ZKM
    Organizata donatore
    Miratimi i ligjit të unifikuar për Investimet dhe akteve ligjore  përkatëse, si dhe i ndryshimeve të akteve ligjore     

2.    Përmirësimi i besimit të investitorit duke krijuar mekanizma për ruajtjen/mbajtjen e investimeve 

Qeveria shqiptare do të krijojë mekanizma, të tilla si procedura për ndjekjen e trajtimit të ankesave të investitorëve dhe një sistem për trajtimin e ankesave të investitorëve i cili ndjek praktikat e mira të trajtimit të shqetësimeve e të ankesave me të cilat përballen investitorët gjatë ushtrimit të biznesit të tyre në vend. 

Në këtë mënyrë, synohet të rritet besueshmëria e investitorëve, të nxitet zgjerimi i investimeve tek investitorët ekzistues, duke trajtuar problemet sistematike në institucionet publike në Shqipëri.

 
Aktivitete për të përmirësuar besimin e investitorit duke krijuar mekanizma për ruajtjen e investimeve    Afati kohor    Institucioni shtetëror përgjegjës    Burimi i financimit    Rezultati       
1.    Vlerësimi i fizibilitetit të mekanizmit për ndjekjen dhe menaxhimin e ankesave të investitorëve.
2.    Miratimi i Urdhrit të Ministrit të MZHETTS për krijimin e mekanizmit për adresimin e shqetësimeve të investitorëve në AIDA”.
3.    Zhvillimi i një plani  për zbatimin e mekanizmit të menaxhimit të ankesave të investitorëve. 
4.    Miratimi i kuadrit ligjor  operues në mbështetje të mekanizmit për adresimin e shqetësimeve të investitorëve.
5.    Zbatimi praktik i mekanizmit. Sigurimi i konsultimeve me grupet e interesit (të brendshëm dhe të jashtëm) si pjesë e procesit.  

1.    Përfunduar

2.    Korrik 2016

3.    Dhjetor 2016

4.    Shtator 2017

5.    Shkurt 2018    MZHETTS, ZKM, AIDA
Organizata donatore
Miratimi i urdhrit të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për ngritjen e strukturës institucionale për mekanizmin e ankesave të investitorëve (MAI)
Miratimi i kuadrit ligjor në mbështetje të MAI.
Zbatimi efektiv i MAI në praktikë.
     

3.    Zhvillimi i një kuadri modern për nxitjen dhe ruajtjen/mbajtjen e investimeve

Në frymën e strategjisë së qeverisë shqiptare për nxitjen dhe ruajtjen e investimeve, do të përmirësohet kuadri institucional dhe kapacitetet e nevojshme për zbatimin e saj. Qeveria, në veçanti, do të ndërmarrë veprime për të rritur dhe përmirësuar funksionet e AIDA-s për promovimin e investimeve që kjo e fundit të angazhohet në mënyrë proaktive në nxitjen e investimeve, duke ndjekur praktikat e mira, siç është planifikimi i sektorit dhe kujdesi i mëvonshëm për investitorët. Kjo do të bëjë që të krijohen mekanizmat e duhur për koordinimin ndërmjet agjencive dhe planet për zbatimin me tregues të qartë për performancën për të siguruar rezultate dhe ndikime të përshtatshme.

Qeveria shqiptare do të rishikojë dhe do të përditësojë strategjinë për nxitjen dhe zhvillimin e investimeve për të siguruar një qartësim të roleve të investimeve vendase dhe të huaja në përmbushjen e vizionit të saj. Kjo strategji do të bëjë dallimin ndërmjet llojeve të ndryshme të investimeve, si dhe sektorëve të synuar për të tërhequr investime e për të identifikuar qartë rolet dhe përgjegjësitë e agjencive kyçe, të përfshira në nxitjen, lehtësimin dhe kujdesin e nevojshëm ndaj investitorëve. Qeveria shqiptare do të ndjekë progresin e objektivave të vendosur nëpërmjet një sistemi monitorimi e vlerësimi.

 
Aktivitete për të zhvilluar një kuadër modern për promovimin dhe zhvillimin e investimeve    Afati    Institucioni shtetëror përgjegjës    Burimi i financimit    Rezultati       
1.    Rishikimi i marrëveshjeve ekzistuese institucionale dhe efektiviteti  në zbatimin e strategjisë për promovimin dhe zhvillimin e investimeve.
2.    Zhvillimi i një udhërrëfyesi për përmirësimin e efektshmërisë së kuadrit zbatues dhe për forcimin e kapaciteteve të AIDA-s
3.    Zhvillimi dhe zbatimi i funksioneve bazë dhe mekanizmave të koordinimit për të zbatuar plotësisht strategjinë. Të sigurohet konsultimi me aktorët të tjerë (të brendshëm dhe të jashtëm) si pjesë e procesit.    

1.    Dhjetor 2016

2.    Qershor 2017

3.    Shtator 2017     MZHETTS, AIDA

Organizata donatore
Buxheti i AIDA
Miratimi i strategjisë për promovimin dhe zhvillimin e investimeve të huaja direkte (IHD).
Rritja e  kapaciteteve të AIDA-s si një promovuese kyçe dhe proaktive e investimeve në vend.

 ***

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.249, DATË 1.7.1980,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR VËNIEN NË MBROJTJE SHTETËRORE TË LAGJEVE DHE TË ANSAMBLEVE ARKITEKTONIKO-HISTORIKE NË QYTETET KORÇË, ELBASAN, SHKODËR, VLORË, TIRANË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 24, të  ligjit nr.9084, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave 

V E N D O S I:

1.    Pika 5, e vendimit nr.249, datë 1.7.1980, të Këshillit të Ministrave, shfuqizohet.
 
2.    Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
 
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, PËR SHOQËRINË “QENDRA SPORTIVE “KUQ E ZI””, SH.A., TË SIPËRFAQES SË PËRGJITHSHME PREJ   2800 M², PËR T’U PËRDORUR PËR NDËRTIMIN E OBJEKTIT “KOMPLEKSI I RI I STADIUMIT KOMBËTAR” DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.143, DATË 18.1.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PARAPRAKE (PJESA E PARË + PJESA E DYTË) TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË TIRANË, TË QARKUT TË TIRANËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10, 12 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1.    Kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, për shoqërinë “Qendra sportive “Kuq e Zi””, sh.a., të sipërfaqeve 2 711 (dy mijë e shtatëqind e njëmbëdhjetë) m², pjesë e pasurisë 7/6, dhe të sipërfaqes 89 (tetëdhjetë e nëntë) m², pjesë e pasurisë 6/24, në zonën kadastrale 8160, me sipërfaqe të përgjithshme prej                           2 800 (dy mijë e tetëqind) m² truall, sipas planrilevimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për t’u përdorur për ndërtimin e objektit “Kompleksi i ri i Stadiumit Kombëtar”.

2.    Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave shtetërore, miratuar me vendimin nr.143, datë 18.1.2012, të Këshillit të Ministrave.

3.    Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Bashkia e Tiranës dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. 
 
   Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

***

V E N D I M

LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË TEATRIT KOMBËTAR TË OPERAS, BALETIT DHE ANSAMBLIT POPULLOR

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 4, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Z. Ilir Kerni, drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, lirohet nga kjo detyrë.

2.    Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR
 
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TE MINISTRIA E DREJTËSISË, PËR AGJENCINË E TRAJTIMIT TË PRONAVE, DHE MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME, PËR INSPEKTORATIN KOMBËTAR TË MBROJTJES SË TERRITORIT, TË KATIT PËRDHES DHE TË KATIT TË TRETË E TË KATËRT    TË GODINËS SË INSTITUTIT TË NDËRTIMIT, TIRANË 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Kalimin në përgjegjësi administrimi të disa mjediseve të godinës së Institutit të Ndërtimit, Tiranë, për t’u përdorur për mjedise pune, institucioneve, sipas ndarjes së mëposhtme:

Ministrisë së Drejtësisë, për Agjencinë e Trajtimit të Pronave, kati përdhes i godinës, sipas planimetrisë që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
Ministrisë së Punëve të Brendshme, për Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kati i tretë dhe i katërt i godinës, sipas planimetrive që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2.    Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë ose t’ua japin në përdorim të tretëve.

3.    Ngarkohen ministri i Zhvillimit Urban, ministri i Drejtësisë, ministri i Punëve të Brendshme, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë, Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe Inspektorati  Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE                       TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN     NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËS ‘DERVISH HEKALI’, I HAPËSIRAVE PËRRETH SAJ                                     DHE REHABILITIMI I FASADAVE”, FIER

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të  ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugës ‘Dervish Hekali’, i hapësirave përreth saj dhe rehabilitimi i fasadave”, Fier.

2.    Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Fier.

3.    Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë sipërfaqe “tokë truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 28 382 143 (njëzet e tetë milionë e treqind e tetëdhjetë e dy mijë e njëqind e dyzet e tre) lekësh.

4.    Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 28 382 143 (njëzet e tetë milionë e treqind e tetëdhjetë e dy mijë e njëqind e dyzet e tre) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban. 

5.    Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

6.    Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Fier. 

7.    Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier, brenda                       30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Fier, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

8.    Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

9.    Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier dhe Bashkia Fier për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT  “RIKONSTRUKSION I RRUGËS ‘MUJO ULQINAKU’ (SEG. DYTË) DHE RRUGËS ‘JAKOV MILE’”, FIER

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të                                   ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

10.    Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugës ‘Mujo Ulqinaku’ (seg. dytë) dhe rrugës ‘Jakov Mile’”, Fier.

11.    Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Fier.

12.    Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë sipërfaqe “tokë truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 4 006 581 (katër milionë e gjashtë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e një) lekësh.

13.    Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 4 006 581 (katër milionë e gjashtë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e një) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban. 

14.    Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

15.    Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Fier. 

16.    Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Fier, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

17.    Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

18.    Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier dhe Bashkia Fier për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.999, 
DATË 9.12.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, 
“PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE 
TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “REHABILITIMI I SHËTITORES KRYESORE ANËS DETIT, HIMARË”  

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të                       ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave 

V E N D O S I:

Në vendimin nr.999, datë 9.12.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto  shtesa dhe ndryshime: 

19.    Në tabelën e përmendur në pikën 3 të vendimit në fuqi shtohen pronarët sipas tabelës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

20.    Në fund të pikës 3, fjalët “… vlerë të përgjithshme të shpronësimit  43 906 145 (dyzet e tre milionë e nëntëqind e gjashtë mijë e njëqind e dyzet e pesë) lekë …” zëvendësohen me “… vlerë të përgjithshme të shpronësimit                 64 471 942.48 (gjashtëdhjetë e katër milionë e katërqind e shtatëdhjetë e një mijë e nëntëqind e dyzet e dy pikë dyzet e tetë) lekë …”.

3. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit 64 471 942.48 (gjashtëdhjetë e katër milionë e katërqind e shtatëdhjetë e një mijë e nëntëqind e dyzet e dy pikë dyzet e tetë) lekë, të përballohet, si më poshtë vijon:
a)    Vlera 19 537 434 (nëntëmbëdhjetë milionë e pesëqind e tridhjetë e shtatë mijë e katëqind e tridhjetë e katër) lekë të përballohet, nga buxheti i Ministrisë së Zhvillimit Urban;
b)    Fondi i mbetur për likuidimin e pronarëve, në vlerën prej                              44 934 508.48 (dyzet e katër milionë e nëntëqind e tridhjetë e katër mijë e pesëqind e tetë pikë dyzet e tetë) lekë të përballohet nga “Fondi i shpronësimeve”, në llogarinë e shpronësimeve në Bankën e Shqipërisë.

Shpenzimet procedurale në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Zhvillimit Urban.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

***

V E N D I M 

PËR

MIRATIMIN E TRAJTIMIT FINANCIAR TË PERSONAVE PËRGJEGJËS PËR MENAXHIMIN E OPERATORIT TË SISTEMIT     TË SHPËRNDARJES, SH.A.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të pikës 3, të nenit 72, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave  

VENDOSI:

1. Miratimin e trajtimit financiar për kategoritë e punonjësve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a, sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 

2.    Fondi i pagave çdo vit indeksohet në mënyrë progresive me normën e inflacionit vjetor, të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

3.    Ngarkohet Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR 

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.378, DATË 12.8.1999,    TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN E SË DREJTËS     SË PËRFAQËSUESIT TË PRONARIT PËR DISA OBJEKTE, PRONË PUBLIKE, ORGANEVE TË QEVERISJES VENDORE”,   TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.7926,  datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, të neneve 3 e 4, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1.    Në listën e objekteve, që i bashkëlidhet vendimit nr.378, datë 12.8.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pasuria “Parku i Transportit, Tiranë”, që kalon në pronësi të Bashkisë Tiranë.

2.    Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Bashkia e Tiranës dhe Zyra Qendrore e Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR

TRAJTIMIN E VEÇANTË TË DREJTORIT TË POLICISË SË SHTETIT PAS PËRFUNDIMIT TË MANDATIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 15, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave 

V E N D O S I:

I.    Drejtori i Policisë së Shtetit, pas përfundimit të mandatit, gëzon trajtim të veçantë për:  
 
1.    Ruajtje të afërt fizike

1.1.    Ish-Drejtori i Policisë së Shtetit përfiton ruajtjen e afërt fizike, me shoqërues personal, për 2 vjet.

1.2.    Shoqëruesi, që merret me ruajtjen e ish-Drejtorit të Policisë së Shtetit, është punonjës i strukturave policore për mbrojtjen dhe sigurimin e personave me cilësi të veçanta.

1.3.    Policia e Shtetit merr përsipër caktimin e automjetit, të limitit të furnizimit me karburant dhe riparimin e saj.
 
1.4.    Kur paraqiten rrethana që rrezikojnë jetën e tij dhe të familjes, i sigurohen pjesëtarët e familjes dhe banesa, për aq kohë sa ekziston ky rrezik.

2.    Trajtim financiar për kurim
Ish-Drejtori i Policisë së Shtetit, në rast sëmundjeje, brenda 2 (dy) viteve pas lirimit nga detyra, përfiton trajtim financiar për kurim në institucionet e kujdesit shëndetësor në vend ose jashtë vendit. Shpenzimet për kurim në masën 100 për qind përballohen nga fondet e Policisë së Shtetit.

3.    Përparësi për emërimin në funksione këshillimore apo funksione pedagogjike.

Drejtori i Policisë, pas përfundimit të afatit të qëndrimit në detyrë, në interes të shërbimit të rendit e të sigurisë publike, mund të kryejë funksione të këshilltarit të personave që kryejnë funksione kushtetuese apo funksione të tjera këshillimore ose pedagogjike. 
 
II.    Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, sipas pikave 1 dhe 2, planifikohen dhe përballohen nga programi buxhetor “Policia e Shtetit”.

III. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR

Dhënien në përdorim të përkohshëm, nga Ministria e Mbrojtjes Ministrisë së Zhvillimit Urban, për Institutin e Ndërtimit, Tiranë, të objektit nr.2, me sipërfaqe 458 m2, komponent i pronës nr.90, me emërtim “Reparti Ushtarak Nr.4400 (Ish-Shtabi i KML-së)”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.88, DATË 30.1.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të   ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Dhënien në përdorim të përkohshëm, nga Ministria e Mbrojtjes Ministrisë së Zhvillimit Urban, për Institutin e Ndërtimit, Tiranë, për një                             periudhë 30-vjeçare, të objektit nr.2, me sipërfaqe 458 (katërqind e pesëdhjetë e tetë) m2, komponent i pronës nr.90, me emërtim “Reparti ushtarak nr.4400 (Ish-Shtabi i KML-së)”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, sipas planvendosjes dhe planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për ta përdorur në funksion të veprimtarisë së Institutit të Ndërtimit, Tiranë.  

2.    Ministrisë së Zhvillimit Urban i ndalohet të ndryshojë destinacionin e objektit nr.2, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë në përdorim të tretëve.

3.    Ministrisë së Kulturës i hiqet nga përdorimi objekti nr.2, me sipërfaqe 458 (katërqind e pesëdhjetë e tetë) m2, sipas planimetrisë, komponent i pronës    nr.90, me emërtim “Reparti ushtarak nr.4400 (Ish-Shtabi i KML-së)”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, miratuar me vendimin nr.88, datë 30.1.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përdorim, pa shpërblim, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, të objektit nr.2, pjesë e pronës nr.90, me emërtim “Shtabi i KML-së”, dhe të objekteve nr.21 e nr.35, pjesë e pronës nr.84, me emërtim “Ish-Regjimenti i Kimisë”, me vendndodhje në Tufinë, Tiranë, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes”. 

4.    Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Kulturës, ministri i Zhvillimit Urban, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR TRAJNIMIN DHE BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E SHËNDETËSISË USHTARAKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për trajnimin dhe bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë ushtarake, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN E PROGRAMIT PËR MBËSHTETJEN E EKONOMISË                              DHE PËRCAKTIMIN E PËRFITUESVE E TË RREGULLAVE                        PËR ZBATIMIN E TIJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.8957,                    datë  17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, të ndryshuar, dhe të    nenit 15, të aneksit 3, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Krijimin e programit për mbështetjen e ekonomisë, i përbërë nga dy                     nënprograme: 

a)    financimi i pjesëmarrjes në shoqëri tregtare dhe instrumente të financimit për bizneset start-up;
b)    mbështetje financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM).

2.    Programi për mbështetjen e ekonomisë ka burim financimi zërin “Shpenzime për buxhetin vendor: Fondi për Zhvillimin e Rajoneve”.

3.    Objekti kryesor i programit është:

–    të shoqërojë investimet infrastrukturore, vendore dhe rajonale, me masa nxitëse ndaj aktiviteteve ekonomike brenda dhe rreth zonës ku do të investohet, sipas objektivave të politikës së zhvillimit rajonal;
–    të nxitë krijimin e partneriteteve ndërvendore dhe rajonale me partnerë publikë dhe privatë;
–    të financojë projektet zhvillimore të cilat nxitin zhvillimin e ekonomisë rajonale dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

4.    Nënprogrami për financimin e pjesëmarrjes në shoqëri tregtare dhe instrumente të financimit për bizneset start-up do t’u ofrojë mbështetje financiare, në formë granti të drejtpërdrejtë, njësive të qeverisjes vendore dhe rajonale dhe/ose, në formë kapitali në këmbim të aksioneve/kuotave, sipërmarrjeve të reja (start-up).

4.1.    Objektivat kryesorë të nënprogramit për financimin e pjesëmarrjes në shoqëri tregtare dhe instrumente të financimit për bizneset start-up janë:

a)    mbështetja e partneriteteve midis entiteteve publike-publike si dhe publike-private;
b)    ngritja dhe rivitalizimi i infrastrukturave në ndihmë të biznesit;
c)    pjesëmarrja në formën e riskut të kapitalit;
ç)    investimi për rivitalizimin dhe zhvillimin e sipërmarrjes publike në vështirësi. 

4.2.    Gëzojnë të drejtën për të përfituar nga nënprogrami për financimin e pjesëmarrjes në shoqëri tregtare dhe instrumente të financimit për bizneset start-up:

a)    njësitë e qeverisjes vendore; 
b)    Agjencia për Zhvillim Ekonomik Rajonal (në vijim Agjencia),

pasi të kenë nënshkruar paraprakisht një marrëveshje bashkëpunimi/bashkëfinancimi me të paktën një nga entitetet e mëposhtme:

–    Njësi të qeverisjes vendore; 
–    Agjenci të zhvillimit rajonal;
–    Entitete publike; 
–    Sipërmarrje private;
–    Organizata jofitimprurëse; 
–    Donatorë;
–    Banka ndërkombëtare zhvillimi.

Numri minimal i partneritetit në një projekt është 2 (dy) entitete, përfshirë përfituesit direkt.

4.3.    Për skemën e financimit të pjesëmarrjes në shoqëri tregtare në varësi të  vlerësimit për projektin e dorëzuar, aplikanti përfiton, nëpërmjet                  bashkëfinancimit, në formën e grantit të drejtpërdrejtë, deri në 50% të  vlerës totale të investimit, por jo më shumë se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë/projekti.

4.4.    Për skemën instrumenteve të financimit për bizneset start-up, në varësi të  vlerësimit për projektin e dorëzuar, aplikanti përfiton deri në 50% të  vlerës totale të investimit, por jo më  shumë se 25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekë/projekti, në këmbim të aksioneve/kuotave të shoqërisë.

4.5.Në kostot e pranueshme, që mund të bashkëfinancohen për financimin për bizneset start-up, përfshihen kostot për:

a)    shërbime këshillimore për hartimin e planeve të biznesit; 
b)    projektimin për ndërtimin, zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së biznesit; 
c)    blerje makinerish/pajisjesh;
ç)    rikonstruksion të infrastrukturës së vendit të ushtrimit të aktivitetit.

4.6.    Sipërmarrjet e reja (start-up), për të përfituar nga instrumenti i financimit, duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

a)    Të jenë ndërmarrje të klasifikuara si ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), sipas ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar;
b)    Të kenë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të rajonit;
c)    Të kenë paguar të gjitha detyrimet e parashikuara nga legjislacioni doganor dhe tatimor;
ç) Të jenë në gjendje të financojnë 50% të të gjitha kostove të projektit në fazën e aplikimit.

5.    Nënprogrami i mbështetjes financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) u jep ndihmë mikrondërmarrjeve, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, nëpërmjet bashkëfinancimit.

5.1.    Gëzojnë të drejtën për të përfituar nga nënprogrami i mbështetjes financiare për NVM-të të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në marrëveshje bashkëpunimi me agjencinë, të cilat kanë siguruar paraprakisht shumën e bashkëfinancimit dhe kanë ekspertizën e duhur teknike për të zhvilluar me sukses projektin.
 
5.2.    Në  varësi të vlerësimit për projektin e dorëzuar, aplikanti përfiton deri në  50% të vlerës totale të investimit, por jo më shumë se 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë/projekti.
5.3.    Në kostot e pranueshme, që mund të bashkëfinancohen për këtë program, përfshihen kostot për:

a)    shërbime këshillimore për hartimin e planeve të biznesit; 
b)    projektimin për ndërtimin, zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së biznesit; 
c)    blerje makinerish/pajisjesh;
ç) rikonstruksion të infrastrukturës së vendit të ushtrimit të aktivitetit.

5.4.    Sipërmarrjet, për të përfituar nga nënprogrami i mbështetjes financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

a)    Të jenë ndërmarrje të klasifikuara si ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), sipas ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar;
b)    Të kenë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të rajonit;
c)    Të kenë paguar të gjitha detyrimet e parashikuara nga legjislacioni doganor dhe tatimor;
ç) Të jenë në gjendje të financojnë 50% të të gjitha kostove të projektit në fazën e aplikimit.

6.    Me qëllim zbatimin e programit për mbështetje për ekonominë, Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve i kalon Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Rajonal fondin e planifikuar për këtë program. 

6.1.    Agjencia, me qëllim pjesëmarrjen e saj në skema partneriteti financiar, krijon një shoqëri tregtare (në vijim shoqëria), me 100% aksione/kuota të zotëruara nga Agjencia, e cila operon dhe auditohet sipas legjislacionit në fuqi.

6.2.    Drejtori i Agjencisë vendos për themelimin e shoqërisë, nënshkruan aktet e themelimit të saj, emëron administratorin e shoqërisë dhe jep autorizimin për pjesëmarrjen e shoqërisë në projekte financimi të përbashkët.

6.3.    Detajet e partneritetit të shoqërisë me të tretë qartësohen paraprakisht në një kontratë bashkëpunimi midis palëve, në të cilën përcaktohen qartë detyrimet e palëve, mënyrat e monitorimit të performancës së projektit, garancitë e nevojshme dhe format e auditimit të flukseve monetare mbi baza 3-mujore.

6.4.    Shoqëria nuk ngarkohet me kosto shtesë për realizimin e një projekti, përveç atyre të parashikuara në kontratat përkatëse të bashkëpunimit.

6.5.    Ndërkohë, shoqëria mund të vendosë që, për të rritur performancën e projektit, të marrë pjesë edhe në formën e bashkëmenaxhuesit të projektit, përmes përfaqësuesit të shoqërisë, i cili caktohet nga administratori i shoqërisë dhe paguhet nga projekti.

6.6.    Format e pjesëmarrjes për programin për mbështetjen e ekonomisë janë:

a)    kontratë/marrëveshje partneriteti;
b)    shoqëria e qëllimit të veçantë (SPV), e krijuar për zbatimin e projektit;
c)    pjesëmarrja me aksione/kuota.

6.7.    Në rastet kur pjesëmarrja është në formën e aksioneve/kuotave, shoqëria kur e konsideron qëllimin e përmbushur mund të transferojë aksionet/kuotat, sipas vlerës aktuale të tregut (përfshirë fitimet), sipas legjislacionit në fuqi, fillimisht tek aksionarët/ortakët e tjerë të shoqërisë dhe në rast të mosblerjes nga ana e tyre te të tretët. Të ardhurat neto nga këto shitje i mbeten buxhetit të shoqërisë, me kapital 100% të zotëruara nga Agjencia, për përdorim në programe të tjera partneriteti.

6.8.    Për administrimin e pjesëmarrjes së saj në projekte partneriteti, qoftë me entitete publike ose private, shoqëria mund të përfitojë financim nga fondi i kontributit të saj, por jo më shumë se 5% të vlerës së fondit, për mbulimin e kostove të administrimit të shoqërisë, të marketingut, të shërbimeve mbështetëse si dhe të mjeteve të transportit, përfshirë kostot e mirëmbajtjes e të udhëtimit. Në përfundim të projektit, mjetet dhe pajisjet fizike të financuara nga projekti mbeten në administrim të shoqërisë për përdorim në projekte të tjera të ngjashme.

7.    Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve miraton financimin që do të administrojë Agjencia si dhe përcakton datën e fillimit të aplikimeve për të dyja                       nënprogramet. 

7.1.    Pas datës së parë të fillimit të aplikimeve, entitetet e përmendura në pikat 4.2 dhe 5.1, aplikojnë për projektet e tyre tek Agjencia, e cila luan rolin e sekretariatit teknik të programit për mbështetjen e ekonomisë.

7.2.    Agjencia pranon dosjet e projekteve sipas formatit të përcaktuar në formularin e aplikimit, të hartuar nga Agjencia, dhe krijon data-bazën e projektaplikimeve. Në këtë fazë Agjencia mund të këshillojë aplikuesit të përmirësojnë dhe të plotësojnë më tej aplikimin me detajet e nevojshme që mund të kërkohen për vlerësimin e projektit.

7.3.    Për vlerësimin paraprak teknik të projekteve, ngrihet Bordi i Këshillimit (në vijim Bordi), i përbërë prej 7 anëtarësh me të drejtë të barabartë vote. Në përbërjen e Bordit të Këshillimit do të ftohen të marrin pjesë, pas një marrëveshjeje paraprake bashkëpunimi, pa pagesë, me mandat 1-vjecar, personalitete të nivelit të lartë drejtues të institucioneve ndërkombëtare zhvillimore, financiare dhe të investimeve, që operojnë në Shqipëri.

8.    Dosjet e të gjitha projekteve i paraqiten Bordit të Këshillimit në mbledhjen e zakonshme të tij, çdo 3 muaj, për analizimin, rekomandimin dhe vlerësimin e tyre teknik. Në mbledhjet e Bordit, për paraqitjen dhe sqarimin e projekteve mund të ftohen edhe vetë aplikuesit.

8.1.    Për vlerësimin teknik të projekteve, Bordi miraton një metodologji të veçantë, ku ndër të tjera projektet vlerësohen edhe për:

a)    vendet e punës që synohet të krijohen nga projekti;
b)    vlerën e shtuar në rajonin përkatës, matur me numrin e sipërmarrjeve që mund të përfitojnë direkt dhe indirekt nga projekti;
c)    kohën e zbatueshmërisë së projektit, të shprehur në muaj;
ç) risqet operacionale dhe të performancës.

8.2.    Pas përfundimit të vlerësimit, Bordi miraton me shumicë votash listën e projekteve teknike të vlefshme që mund të propozohen për financim.
 
8.3.    Lista e projekteve të vlefshme teknikisht për financim i paraqitet Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, i cili, bazuar edhe në prioritetet e qeverisë, miraton listën përfundimtare të projekteve që do të financohen, të cilën ia përcjell Agjencisë.

8.4.    Pas miratimit të listës përfundimtare, drejtori i Agjencisë dhe përfaqësuesit e partneriteteve hartojnë kontratën specifike të bashkëpunimit në të cilën, ndër të tjera, përcaktohen kushtet e bashkëpunimit, detyrimet e ndërsjella, objektivat, menaxhimi, monitorimi si dhe afati për përfundimin e projektit.

9.    Procedurat dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve përcaktohen në rregulloren e funksionimit të programit për mbështetjen e ekonomisë, e cila miratohet me vendim të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve.
    
10.    Për çdo projekt të financuar në bazë të skemave të financimit, sipas këtij vendimi, duhet të njoftohet Komisioni i Ndihmës Shtetërore, në përputhje me legjislacionin për ndihmën shtetërore.

11.    Ngarkohen Ministria e Financave, Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve dhe Agjencia për Zhvillimin Ekonomik Rajonal për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
  EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.