Vendime të miratuara në mbledhjen e këshillit të ministrave, datë 13 Korrik 2016
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.325, DATË 19.3.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PRANIMIN NË VEPRIMTARINË E OPERATORIT TË TRANSPORTIT RRUGOR TË MALLRAVE DHE TË UDHËTARËVE, SI DHE PËR NJOHJEN E DOKUMENTEVE ZYRTARE, TË CAKTUARA PËR KËTA OPERATORË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6 e 43, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, dhe neneve 83 e 87, të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në rregulloren që i bashkëlidhet vendimit nr.325, datë 19.3.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
I. Në kapitullin II bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “b”, në pikën 1, riformulohet, me këtë përmbajtje:
“b) të ketë qëndrueshmërinë e duhur financiare;”.
2. Pas shkronjës “c”, në pikën 1, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) të ketë vendosje efektive dhe të qëndrueshme në Shqipëri.”.
3. Shkronja “c”, në pikën 2.2, riformulohet, si më poshtë vijon:
“c) me aftësinë e tij si drejtues veprimtarie, personi i përmendur sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, lejohet të drejtojë veprimtarinë e transportit deri në 3 (tri) ndërmarrje të ndryshme, me një numër të përgjithshëm maksimal të mjeteve motorike dhe/ose kombinimit të mjeteve, prej 36 mjetesh.”.
4. Pika 2.3 riformulohet, si më poshtë vijon:
“2.3 Drejtuesi i veprimtarisë, i caktuar në përputhje me pikën 2.1, të këtij kapitulli, mund të caktohet në përputhje me shkronjën “c”, të pikës 2.2, të këtij kapitulli, edhe në një ndërmarrje ose filial tjetër, përveç asaj të përmendur në pikën 2.1, të këtij kapitulli, veprimtaritë e të cilave kryhen me një numër të përgjithshëm maksimal të mjeteve motorike dhe/ose kombinimit të mjeteve, prej 30 mjetesh.”.
5. Pas pikës 3.5 shtohet pika 3.5.1, me këtë përmbajtje:
“3.5.1 Operatori i transportit informon me shkrim organin e transportit të lëshimit të licencës për ndonjë dënim të vendosur ndaj tij ose të ndonjë personi të përmendur në pikën 2.1 dhe në shkronjën “a”, të pikës 2.2, të këtij kapitulli, brenda 28 ditëve, nga dita që ka marrë dënimin ose nga dita që e ka apeluar dënimin.”.
6. Shkronja “a”, në pikën 4.1, riformulohet, si më poshtë vijon:
“a) 2-vjeçare, për shkelje të nënpikave të shkronjës “a”, të pikës 3.1, me përjashtim të nënpikave (xi) dhe (xv);”.
7. Titulli i pikës 5 riformulohet, si më poshtë vijon:
“5. Plotësimi i kushtit për qëndrueshmërinë e duhur financiare”.
8. Shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 5.2, riformulohen, me këtë përmbajtje:
“a) 7 200 euro, për mjetin e parë, dhe 4 000 euro për çdo mjet shtesë, të autorizuar për t’u përdorur në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarëve;
b) 140 000 lekë, për mjetin e parë, dhe 70 000 lekë për çdo mjet shtesë, të përdorur kur kryen transport të mallrave e të udhëtarëve brenda vendit.”.
9. Pika 5.4 riformulohet, me këtë përmbajtje:
“5.4 Kushti, në lidhje me kapitalin minimal të vlefshëm dhe rezervë të qëndrueshmërisë financiare, të veprimtarisë së ndërmarrjes në transportin rrugor ndërkombëtar dhe brenda vendit të mallrave dhe udhëtarëve, i përcaktuar sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 5.2, do të arrihet një vit nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje.”.
10. Pika 6.4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6.4 Kualifikimi dhe trajnimi periodik i kandidatëve që kërkojnë të pajisen me certifikatën e kompetencës profesionale (CKP) për drejtues veprimtarie të ndërmarrjeve të transportit rrugor zhvillohet në qendrat e trajnimit, të miratuara nga ministri përgjegjës për transportin.
6.4.1 Qendër trajnimi nënkupton një person, entitet ose organizatë, e miratuar për zhvillimin e kurseve të trajnimit profesional të kandidatëve që dëshirojnë të pajisen me certifikatën e kompetencës profesionale për drejtues veprimtarie në transportin rrugor dhe në përputhje me kërkesat e rregulloreve evropiane përkatëse, organizmave ndërkombëtare të transportit si dhe kërkesat e legjislacionit shqiptar.
6.4.2 Kushtet bazë të pranimit si qendër trajnimi janë:
a) Reputacioni i mirë i drejtuesit të veprimtarisë së qendrës, drejtuesve të programeve dhe instruktorëve, sipas pikës 3, të kapitullit II, të kësaj rregulloreje;
b) Plotësimi i kushteve të mjaftueshme për mjedisin, infrastrukturën dhe bazën didaktike;
c) Kompetenca profesionale e stafit të qendrës së trajnimit, në përputhje me programin e trajnimit;
ç) Programet e trajnimit, të miratuara nga ministri përgjegjës për transportin.
6.4.3 Kriteret që duhet të përmbushë qendra e trajnimit, kërkesat që duhet të plotësojnë instruktorët e trajnimit si dhe verifikimi në vazhdimësi i përmbushjes së këtyre kritereve nga qendra e trajnimit, e miratuar, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin.
6.4.4 Modeli i certifikatës së kompetencës profesionale (CKP) për drejtues veprimtarie të ndërmarrjeve të transportit rrugor miratohet nga ministri përgjegjës për transportin, në përputhje me rregulloren evropiane përkatëse dhe organizmat ndërkombëtare, ku bën pjesë Republika e Shqipërisë.”.
11. Pika 6.5 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“6.5 Me qëllim përditësimin e njohurive në fushën e transportit, drejtuesit e veprimtarisë kryejnë trajnimin e reduktuar, pasi janë plotësuar 5 vjet nga lëshimi i certifikatës së kompetencës profesionale që ata zotërojnë.
6.5.1 Qendra e trajnimit e autorizuar harton programe të veçanta për trajnimin e reduktuar, që burojnë nga programi bazë. Kandidati duhet të aplikojë, të paktën, 2 muaj para përfundimit të afatit të vlefshmërisë së certifikatës. Tarifat për trajnim caktohen në udhëzimin e përbashkët të ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrit të Financave.”.
12. Pika 7.2 riformulohet, si më poshtë vijon:
“7.2 Komisioni i vlerësimit të provimit, sipas pikës 7.1, emërohet nga ministri përgjegjës për transportin dhe përbëhet nga kryetari dhe dy anëtarë. Kryetari dhe anëtarët e komisionit duhet të jenë persona me integritet të lartë moral e profesional në fushën e transportit. Anëtarët e komisionit duhet të jenë të pajisur me diploma të shkollave të larta, të përmendura në pikën 8.1, të këtij kapitulli.”.
13. Pika 7.3 shfuqizohet.
14. Pika 7.4 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Provimi i kandidatëve zhvillohet në një nga ambientet e qendrave të trajnimit, të miratuara.”.
15. Pika 8.4 riformulohet, si më poshtë vijon:
“8.4 Organet e transportit dhe ose QKL-ja do të pranojnë si provë të mjaftueshme të kompetencës profesionale një certifikatë që përputhet me certifikatën model, të përcaktuar në shtojcën III, të Regullores Evropiane 1071/2009, dhe që lëshohet nga autoriteti ose organi i autorizuar për këtë qëllim nga shteti anëtar i BE-së.”.
16. Pas pikës 8 shtohet pika 9, me këtë përmbajtje:
“9. Kushtet në lidhje me kërkesën e vendosjes.
Për plotësimin e kërkesave të shkronjës “d”, të pikës 1, ndërmarrja e transportit duhet:
a) të jetë e vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë, me ambiente në të cilat ajo mban dokumentet kryesore të biznesit, në veçanti dokumentet e kontabilitetit, të personelit, dokumentet që përmbajnë të dhëna në lidhje me orët e drejtuesve të mjeteve dhe ndonjë dokument tjetër, tek i cili autoriteti përgjegjës duhet të ketë akses, me qëllim verifikimin e përputhjes me kushtet e vendosura në këtë rregullore;
b) pas marrjes së licencës, të ketë në dispozicion të saj një ose më shumë mjete rrugore të vëna në qarkullim, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të regjistruara, qofshin në pronësi, me kontrata blerjeje me këste ose me qira;
c) të drejtojë efektivisht dhe në vazhdimësi, me pajisje administrative të nevojshme, operacionet e saj në lidhje me mjetet e përmendura në shkronjën “b”, të kësaj pike, në një qendër operative të vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë.”.
II. Në kapitullin IV bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1.1, e këtij kapitulli, riformulohet, si më poshtë vijon:
“1.1 Në zbatim të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, krijohet regjistri elektronik kombëtar për ndërmarrjet e transportit rrugor. Regjistri përmban të dhënat lidhur me drejtuesit e veprimtarisë së transportit, drejtuesit e mjeteve, licencat dhe dokumentet e nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë për të gjithë operatorët e transportit rrugor.”.
2. Pika 1.2 riformulohet, si më poshtë vijon:
“1.2 Regjistri elektronik kombëtar vendoset në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Të dhënat që përmban regjistri elektronik kombëtar trajtohen dhe mbikëqyren vetëm nga personat përgjegjës, të caktuar për këtë qëllim, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale”.”
3. Pika 1.3 riformulohet, me këtë përmbajtje:
“1.3 Të gjitha ndërmarrjet e transportit rrugor, të vendosura në Shqipëri, janë të detyruara të regjistrohen në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Transportit Rrugor.
Pas licencimit të subjektit transportues, organi që e ka licencuar atë dërgon informacion te mbajtësi i Regjistrit Elektronik Kombëtar të Transportit Rrugor për ndërmarrjen e transportit dhe çdo ndryshim që mund të ndodhë gjatë ushtrimit të veprimtarisë.”.
4. Pika 1.6 riformulohet, si më poshtë vijon:
“1.6. Të dhënat në lidhje me një ndërmarrje, së cilës i është pezulluar ose i është hequr licenca apo kur drejtuesi i veprimtarisë është deklaruar i papërshtatshëm, do të mbahen në regjistër për një periudhë dyvjeçare, nga data e pezullimit ose e heqjes së licencës, dhe më pas do të fshihen menjëherë. Të dhënat duhet të shoqërohen në regjistër me arsyet e heqjes së licencës ose deklarimin e papërshtatshmërisë së drejtuesit të veprimtarisë.”.
5. Pika 1.8 riformulohet, si më poshtë vijon:
“1.8 Ministria përgjegjëse për transportin të marrë masat për ngritjen e regjistrit elektronik kombëtar deri më 1 janar 2017.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE “SISTEMI I MENAXHIMIT TË KARTELAVE INFORMATIVE PËR SHËRBIMET PUBLIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e bazës të të dhënave shtetërore “Sistemi i Menaxhimit të Kartelave Informative për Shërbimet Publike” (këtu e në vijim “SMKISHP”).
2. Institucioni administrues i SMKISHP-së është Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (këtu e në vijim “ADISA”).
3. Dhënës të informacionit për SMKISHP-në janë institucionet e administratës shtetërore që ofrojnë shërbimet publike ndaj personave fizikë dhe personave juridikë.
4. Të dhëna parësore konsiderohen të dhënat e grumbulluara nga vetë kjo bazë të dhënash, të cilat përfshijnë:
a) emrin e shërbimit publik;
b) kodin e shërbimit publik;
c) klasifikimin e shërbimit publik sipas:
i. funksionit;
ii. grupit të shërbimeve;
ç) përshkrimin e shërbimit publik, i cili përmban:
i. kërkesat që duhen plotësuar për marrjen e shërbimit publik;
ii. mënyrën e marrjes së shërbimit publik;
iii. listën e dokumentacionit të nevojshëm për marrjen e shërbimit (emërtimi i dokumentit 1, emërtimi i dokumentit 2, emërtimi i dokumentit 3);
iv. informacion për dokumentin përfundimtar që vërteton marrjen e shërbimit publik;
v. afatin e vlefshmërisë së dokumentit përfundimtar që vërteton marrjen e shërbimit publik;
vi. përfituesit e shërbimit;
vii. kohën e marrjes së shërbimit publik;
viii. tarifën e shërbimit publik;
ix. informacion për mënyrën e trajtimit të ankesave;
d) datën e fundit të ndryshimeve;
dh) formularin e aplikimit për marrjen e shërbimit publik;
e) kanalet e ofrimit të shërbimit publik.
5. Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat që merren nga baza të tjera të dhënash, të cilat përfshijnë:
a) informacionin për organin kompetent që ofron shërbimin publik;
b) adresën e organit kompetent që ofron shërbimin publik;
c) shërbimet elektronike (këtu e në vijim “e-shërbimet”).
6. Baza e të dhënave të SMKISHP-së shkëmben informacion me institucionet publike, sipas ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, lidhur me shërbimet që ofrohen bazuar në legjislacionin nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit.
7. Bazat e të dhënave shtetërore të institucioneve përkatëse, nga të cilat SMKISHP-ja merr të dhëna parësore, janë, si më poshtë vijon:
a) Departamenti i Administratës Publike, HRMIS, informacion për institucionet.
b) Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, RKA, adresat e institucioneve.
c) Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e-Albania GG, e-shërbimet.
ç) Institucione të tjera, me të cilat SMKISHP-ja mund të ndërveprojë dhe që mund të ngarkohen me akte të tjera, ligjore e nënligjore.
8. Niveli i aksesit në bazën e të dhënave të SMKISHP-së është, si më poshtë vijon:
a) Subjektet e përcaktuara në pikën 3 kanë të drejtë vetëm të marrin informacion përmes kanaleve të komunikimit e të ndërveprimit lidhur me të dhënat parësore.
b) ADISA ka të drejta të plota administrative mbi bazën e të dhënave, në rolet:
i. administrator;
ii. raportues;
iii. auditues;
iv. aprovues;
v. lexues të informacionit.
c) Institucionet e tjera shtetërore, që ofrojnë shërbime publike ndaj subjekteve të përcaktuara në pikën 3, kanë të drejtë të lexojnë informacionin, të hedhin të dhënat apo të modifikojnë informacionin vetëm në lidhje me shërbimet publike respektive të institucionit përkatës, i cili më pas miratohet nga ADISA.
9. Organizimi dhe funksionimi i brendshëm i bazës të të dhënave të SMKISHP-së përcaktohen me rregullore të brendshme të institucionit administrues dhe miratohet nga drejtori Ekzekutiv i ADISA-s, në përputhje me rregullat e parashikuara në ligjin nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”.
10. Ngarkohet Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MODELIT TË TREGUT TË ENERGJISË ELEKTRIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 97, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e modelit të tregut të energjisë elektrike, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, OSHEE, sh.a.-ja, OST, sh.a.-ja dhe KESH, sh.a.-ja për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË TREGTIMIT E CERTIFIKIMIT TË MATERIALEVE TË SHUMËZIMIT DHE TË FIDANËVE TË BIMËVE ZBUKURUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 9, 14, pika 3, dhe 15, pika 3, të ligjit nr.l0416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
I.1. Qëllimi dhe zbatimi
1. Qëllimi i këtij vendimi është që të përcaktojë kërkesat në lidhje me prodhimin e tregtimin e materialeve të shumëzimit dhe të fidanëve të bimëve zbukuruese, kërkesat për furnizuesit, për paketimin dhe etiketimin, si dhe kërkesat e procedurat e kryerjes së certifikimit.
2. Ky vendim zbatohet për gjinitë dhe speciet e listuara në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi, si dhe për hibridet dhe nënshartesat e tyre.
I.2. Përkufizime
Të gjithë termat e përcaktuar në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa termat e mëposhtëm nënkuptojnë:
1. “Bimë zbukuruese”, bimët që kultivohen për pamjen e tyre tërheqëse dhe që shërbejnë për zbukurimin e kopshteve, mjediseve të banuara, për krijimin e peizazheve të projektuara dhe për lule të prera, për krijimin e buqetave.
2. “Material shumëzimi”, materiali bimor i destinuar për shumëzimin e bimëve zbukuruese ose prodhimin e bimëve zbukuruese (fidanëve), të destinuara për tregtim të mëtejshëm, të tilla si:
a) farëra për prodhim fidanësh direkt ose për prodhim filizash për nënshartesa;
b) bulba, qafë rrënje dhe zhardhokë, për prodhim bimësh direkt;
c) filiza dhe copa për nënshartesa;
ç) fundakë, kamza, lastunja dhe kalema për rrënjëzim, për prodhim fidanësh direkt;
d) kalema për shartim dhe sytha për shartim, si mbishartesë, për fidanë të shartuar;
dh) meristema rritje për shtim in vitro, për prodhim nënshartesash ose dhe mbishartesash ose dhe fidanësh.
3. “Fidanë”, bimë zbukuruese, të prejardhura nga materialet e shumëzimit të certifikuara sipas këtij vendimi, të cilët, pas tregtimit të tyre, destinohen për mbjellje ose rimbjellje në vendin e përhershëm.
4. “Bllok mëmë”, plantacioni i mbjellë me bimë zbukuruese shumëvjeçare, i destinuar për marrjen e materialit shumëzues që plotëson kërkesat e këtij vendimi.
5. “Parcelë për farë”, plantacioni i mbjellë me bimë zbukuruese njëvjeçare, që plotësojnë kërkesat e këtij vendimi, të destinuara për prodhim fare.
6. “Fidanishte”, vendi i prodhimit të materialeve të shumëzimit (përveç farës) dhe fidanëve të bimëve zbukuruese, që plotësojnë kërkesat e këtij vendimi për tregtim.
7. “Materiale shumëzimi dhe fidanë të certifikuar”, materialet e shumëzimit dhe fidanët e pajisur me certifikatë zyrtare, që vërteton identitetin, pastërtinë varietore dhe pastërtinë fitosanitare nga organizmat dhe sëmundjet e dëmshme, të listuara në aneksin 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
8. “Shumëzim”, riprodhimi me mënyrë vegjetative ose mënyra të tjera i bimëve zbukuruese.
9. “Ngarkesë”, sasia ose numri i njësive të materialeve të shumëzimit dhe fidanëve, të përbërë nga një ose më shumë lote, që transportohen së bashku.
10. “Numër i referencës së lotit” ose “numër i referencës së ngarkesës”, çdo shenjë numerike ose alfanumerike, e cila mundëson që lotet ose ngarkesat të dallohen dhe të gjurmohen.
11. “Organizmat e dëmshme karantinore”, organizmat që specifikohen në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e bimëve, futja dhe përhapja e të cilave ndalohet.
12. “Identitet varietor”, tërësia e veçorive botanike, morfologjike, biologjike dhe agroteknologjike që zotëron një varietet, vlera e të cilit është e njohur dhe plotëson qëllimet e përdorimit.
13. “Pastërti varietore”, kërkesa për gjendjen e materialeve të shumëzimit dhe fidanëve të bimëve zbukuruese pa përzierje me varietete e specie që nuk janë deklaruar në dokumentacionin përkatës ose dhe nuk janë shënuar si të tilla.
14. “Pastërti shëndetësore”, kërkesa për gjendjen e materialeve të shumëzimit dhe fidanëve të bimëve zbukuruese pa infeksione ose dhe pa simptoma të organizmave e të sëmundjeve të dëmshme, të listuara në aneksin 2, të këtij vendimi, dhe në legjislacionin për mbrojtjen e bimëve.
15. “Treguesit e cilësisë”, kërkesat që duhen plotësuar nga materialet e shumëzimit dhe fidanët e bimëve zbukuruese në lidhje me cilësinë e anës pamore dhe zhvillimin e tyre, në funksion të përdorimit.
16. “Person përgjegjës i kualifikuar”, çdo person, fizik ose juridik, me profesion agronom ose inxhinier për mbarështimin e pyjeve, me arsim të lartë, në cilësinë e furnizuesit ose i punësuar prej tij, dhe që ka aktpërfaqësimi nga furnizuesi për të vepruar në emër të tij për detyrimet që rrjedhin nga ligji nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, të ndryshuar.
II. KËRKESAT PËR TREGTIMIN E MATERIALEVE TË SHUMËZIMIT DHE FIDANËVE
1. Materialet e shumëzimit dhe fidanët e bimëve zbukuruese mund të tregtohen nëse:
a) i përkasin varieteteve ose hibrideve ndërvarietore apo, në rastin e nënshartesave, i përkasin specieve ose hibrideve ndërmjet specieve, të regjistruara në katalogun kombëtar;
b) plotësojnë kërkesat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e bimëve dhe janë të pastër nga organizmat dhe sëmundjet e dëmshme, të listuara, për çdo specie, në aneksin 2, bashkëngjitur këtij vendimi;
c) plotësojnë kërkesat e përcaktuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d”, të pikës 2, të këtij kreu, për treguesit e cilësisë, identitetin dhe pastërtinë varietore;
ç) janë paketuar dhe etiketuar në përputhje me kërkesat e përcaktuara në aneksin 3, bashkëngjitur këtij vendimi;
d) janë pajisur me certifikatë fitosanitare, sipas modelit të përcaktuar në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e bimëve, dhe me certifikatë zyrtare, të lëshuar nga autoriteti certifikues, sipas modeleve 2 dhe 3, të aneksit 4, bashkëngjitur këtij vendimi.
2. Kërkesat e mësipërme vlerësohen të plotësuara nëse, gjatë verifikimeve të kryera nga furnizuesi, në përputhje me planin e prodhimit, dhe nga mbikëqyrjet e kryera nga inspektori fitosanitar e nga autoriteti certifikues, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim, është vendosur se:
a) nga ana pamore, materialet e shumëzimit dhe fidanët janë të pastër nga organizmat dhe sëmundjet karantinore ose ndonjë shenjë apo simptomë e tyre;
b) gjatë sezonit të rritjes, materialet e shumëzimit dhe/ose fidanët kanë rezultuar të pastër nga organizmat dhe sëmundjet e dëmshme, që dëmtojnë cilësinë, të listuara në aneksin 2, të këtij vendimi;
c) në lidhje me treguesit e cilësisë, materialet e shumëzimit dhe/ose fidanët e bimëve zbukuruese, nga ana pamore, kanë zhvillim dhe dimensione të kënaqshme për përdorim dhe nuk kanë defekte që dëmtojnë cilësinë ose që ulin vlerën e përdorimit;
ç) në lidhje me identitetin varietor, nga ana pamore, varieteti dallohet nga veçoritë botanike, morfologjike, biologjike e agroteknologjike dhe plotëson qëllimin e përdorimit;
d) në lidhje me pastërtinë varietore, plotësohen kërkesat e përcaktuara në pikën 2, të kreut III, të këtij vendimi, për mbajtjen të papërziera të varieteteve dhe specieve të materialeve të shumëzimit e fidanëve të bimëve zbukuruese;
dh) në rastin e farërave, nga ana pamore kanë pamje dhe zhvillim të kënaqshëm.
3. Materialet e shumëzimit dhe fidanët që tregojnë shenja ose simptoma të dukshme të organizmave dhe sëmundjeve të dëmshme, të listuara në aneksin 2, të këtij vendimi, trajtohen menjëherë dhe, nëse kërkesat për pastërtinë nga organizmat dhe sëmundjet e dëmshme përsëri nuk mund të plotësohen, materialet e shumëzimit ose dhe fidanët hiqen dhe shkatërrohen.
4. Përveç kërkesave të përcaktuara në pikën 2, të këtij kreu, materialet shumëzuese dhe fidanët e specieve të gjinisë Citrus L. duhet të plotësojnë edhe kërkesat e mëposhtme:
a) Të kenë prejardhje nga material fillestar, që është kontrolluar dhe është konstatuar se nuk tregon simptoma të ndonjë virusi ose organizmi të ngjashëm me viruset;
b) Të jenë kontrolluar dhe gjetur se janë të pastër nga viruset ose nga organizmat e ngjashme me viruset që nga fillimi deri në fund të ciklit të fundit të vegjetacionit;
c) Në rastin e shartimit, materiali shumëzues të jetë shartuar mbi nënshartesë rezistente ndaj virozave;
ç) Të jenë certifikuar në përputhje me kërkesat dhe sipas procedurave të përcaktuara për materialet e shumëzimit dhe fidanët e bimëve drufrutore, sipas legjislacionit në fuqi.
5. Përveç kërkesave të përcaktuara në pikën 2, të këtij kreu, në rastin e bulbave dhe zhardhokëve të luleve, materialet e shumëzimit dhe fidanët duhet të kenë prejardhje të drejtpërdrejtë nga një material, i cili, gjatë fazës së rritjes, është kontrolluar dhe ka rezultuar i pastër nga organizmat dhe sëmundjet karantinore si dhe nga organizmat dhe sëmundjet e dëmshme, të listuara në aneksin 2, të këtij vendimi.
6. Me përjashtim të kërkesës të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij kreu, kërkesat e mësipërme nuk zbatohen për materialet e shumëzimit dhe fidanët e destinuar për prova krahasimi e për qëllime shkencore.
III. KËRKESAT PËR FURNIZUESIT
1. Furnizuesit që prodhojnë, përgatisin për treg, importojnë dhe/ose tregtojnë materiale shumëzimi dhe fidanë të bimëve zbukuruese, duhet të plotësojnë kërkesat e mëposhtme:
a) Të jenë të regjistruar dhe të licencuar në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi;
b) Të regjistrohen në regjistrin e furnizuesve, që mbahet nga autoriteti certifikues;
c) Të regjistrohen në regjistrin e mbajtësve të bimëve të caktuara, produkteve bimore dhe objekteve të rregulluara për qëllimet e shëndetit të bimëve, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e shëndetit të bimëve;
ç) Kur është e nevojshme, të autorizohen nga struktura përkatëse e mbrojtjes së bimëve për lëshimin e pasaportës bimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e bimëve.
2. Furnizuesit sigurojnë përputhshmërinë e materialeve të shumëzimit dhe/ose të fidanëve me kërkesat e këtij vendimi, duke përmbushur detyrimet e mëposhtme:
a) Të kenë planin e prodhimit, i cili të përmbajë informacion për shqyrtim, kur kërkohet nga organi përgjegjës zyrtar për monitorimin, si më poshtë vijon:
i. Një kopje të planimetrisë kadastrale të vendndodhjes së veprimtarisë së furnizuesit, ku tregohen me saktësi objektet dhe fushat e tokës bujqësore që përdoren për prodhimin e materialeve të shumëzimit dhe/ose të fidanëve, duke përfshirë edhe zonën mbrojtëse përkatëse;
ii. Planin e mbjelljes;
iii. Planin teknologjik;
iv. Planin për kryerjen e identifikimit dhe mbikëqyrjes së organizmave të dëmshme në bimët, që ndikojnë në cilësinë e materialit, në objektet dhe në tokën ku materialet e shumëzimit dhe/ose fidanët prodhohen ose përgatiten për treg.
b) Në mënyrë të përshtatshme, sipas planit të prodhimit, të përcaktuar në shkronjën “a”, të kësaj pike, të kryejnë:
i. procedurat e planifikuara teknologjike dhe të mbajnë të dhënat për zbatimin e tyre, sipas datave dhe llojit të procedurës, ose detyrat e kryera dhe metodën e zbatimit;
ii. mbikëqyrjen e rregullt për organizmat dhe sëmundjet e dëmshme, të listuara në aneksin 2, të këtij vendimi;
iii. marrjen e mostrave dhe t’i dërgojnë ato në laboratorin e akredituar për analizat, si dhe të marrin masat e nevojshme për zvogëlimin e rrezikut të shfaqjes ose përhapjes së tyre.
c) Mbajtjen e regjistrit të të dhënave për mbikëqyrjen e organizmave dhe të sëmundjeve të dëmshme, në lidhje me:
i. datën e shfaqjes së mundshme për çdo organizëm dhe sëmundje të dëmshme, të listuar në aneksin 2, të këtij vendimi, dhe të gjitha masat që merren për parandalimin e përhapjen e tij, veçanërisht në lidhje me trajtimet ose heqjen dhe shkatërrimin e materialeve të shumëzimit dhe/ose të fidanëve;
ii. datën dhe metodën e marrjes së mostrave të bimëve ose të tokës.
ç) Të njoftojnë, menjëherë, inspektorin përgjegjës fitosanitar, në rast të shfaqjes ose dyshimit të shfaqjes së organizmave karantinorë;
d) Të mundësojnë kryerjen e mbikëqyrjes ose inspektimit zyrtar, marrjen e mostrave zyrtare, kur është e nevojshme për analiza në një laborator me pajisje dhe ekspertizë të përshtatshme, dhe, menjëherë pas inspektimit, të marrin masat për zbatimin e detyrave të lëna nga inspektori përgjegjës fitosanitar;
dh) Të sigurojnë që lotet ose porcionet e veçanta të materialeve të shumëzimit dhe/ose të fidanëve, gjatë prodhimit, magazinimit, përgatitjes për treg dhe tregtimit, janë të ndara;
e) Të mbajnë shënime për origjinën e materialeve të shumëzimit të përdorura për prodhimin e fidanëve të bimëve zbukuruese. Furnizuesit duhet të mbajnë shënime për speciet, varietetin, numrin referues të lotit ose porcionit, sasinë, datën e marrjes ose blerjes dhe të dhënat e prejardhjes së materialeve të shumëzimit dhe/ose të fidanëve në lidhje me furnizuesin dhe vendin e prodhimit;
ë) Të mbajnë shënime për prodhimin, blerjen, specien, varietetin, sasinë, numrin referues të lotit ose porcionit, sasinë dhe datën e prodhimit ose të blerjes së materialeve të shumëzimit dhe/ose të fidanëve;
f) Të mbajnë të dhëna për përbërjen e ngarkesave me materiale shumëzimi dhe/ose fidanë që shesin ose shpërndajnë, për datën e shitjes e të shpërndarjes si dhe numrin referues të lotit ose porcionit, sipas specieve dhe varieteteve;
g) Në rastet kur, para tregtimit, lotet ose porcionet e materialeve të shumëzimit dhe/ose të fidanëve me prejardhje të ndryshme vihen të përziera së bashku, furnizuesi të mbajë regjistrin e përbërjes së një ngarkese, me të dhëna për sasinë, numrin e njësive të loteve ose të porcioneve të veçanta që përbëjnë lotin ose porcionin e përzier;
gj) Të mbajnë të dhënat për dokumentet dhe etiketat e furnizuesit, të nxjerra në përputhje me kërkesat e përcaktuara për materialet e shumëzimit dhe/ose fidanët që tregtohen në porcione, sipas përcaktimit të këtij vendimi për paketimin dhe etiketimin.
3. Furnizuesit ruajnë të dhënat e përcaktuara në shkronjat “b”, ”c”, “e”, “ë”, “f”, “g” dhe “gj”, të pikës 2, të këtij kreu, si dhe provat në bazë të të cilave ata i kanë regjistruar të dhënat për, të paktën, tre vjet pas kalimit të vitit kalendarik, kur të dhënat janë regjistruar.
4. Furnizuesit, veprimtaria e të cilëve përqendrohet vetëm në tregtimin e materialeve të shumëzimit dhe të fidanëve në blerjen me shumicë, brenda dhe jashtë vendit, si dhe shitjen me shumicë e pakicë, mbajnë të regjistruara, për të paktën 12 muaj, shënimet përkatëse për datën dhe sasinë e blerjeve, shitjeve, shpërndarjeve të tyre sipas specieve, varieteteve e numrit të referencës për lotin ose porcionin.
IV. KËRKESAT PËR CERTIFIKIMIN E MATERIALEVE TË SHUMËZIMIT DHE FIDANËVE TË BIMËVE ZBUKURUESE
IV.1 Kërkesa për certifikim
1. Certifikimi i materialeve të shumëzimit dhe/ose të fidanëve të bimëve zbukuruese kryhet mbi bazën e prodhimit të deklaruar nga furnizuesi në kërkesën e paraqitur tek autoriteti certifikues, sipas rregullave të mëposhtme:
a) Kërkesa paraqitet çdo vit, jo më vonë se data 30 prill ose, në rastin e bimëve me disa cikle vegjetacioni në një vit, jo më vonë se një muaj para fillimit të prodhimit, dhe përmban të dhëna për:
i. furnizuesin;
ii. aktivitetin që kryhet;
iii. personin përgjegjës të kualifikuar;
iv. materialet e shumëzimit dhe/ose fidanët e bimëve zbukuruese.
b) Forma, përmbajtja e kërkesës dhe dokumentacioni që i bashkëngjitet kërkesës është sipas modelit 1, të aneksit 4, bashkëngjitur këtij vendimi;
c) Autoriteti certifikues shqyrton kërkesën për certifikim brenda 20 ditëve pune nga paraqitja e saj dhe njofton zyrtarisht furnizuesit për pranimin ose jo të kërkesës, brenda 10 ditëve pune pas përfundimit të shqyrtimit;
ç) Kërkesa e furnizuesit për certifikim pranohet nëse:
i. është paraqitur dhe plotësuar në përputhje me kërkesat e përcaktuara në shkronjën “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij kreu;
ii. materialet e shumëzimit dhe fidanët prodhohen, etiketohen dhe vendosen në treg nga persona përgjegjës të kualifikuar;
iii. materialet e shumëzimit dhe/ose fidanët që kërkohen për certifikim i përkasin varieteteve ose, në rastin e nënshartesave, i përkasin specieve dhe hibrideve ndërmjet tyre e që janë regjistruar në katalogun kombëtar;
iv. modeli i etiketës së propozuar nga furnizuesi është në përputhje me kërkesat e këtij vendimi dhe modeli i certifikatës së origjinës është sipas modelit 5, të aneksit 4, të këtij vendimi.
2. Në rastet kur, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e bimëve, materialet e shumëzimit dhe/ose fidanët e bimëve zbukuruese duhet të shoqërohen me pasaportë bimore, së bashku me kërkesën e përcaktuar në pikën 1, të këtij kreu, furnizuesi paraqet kërkesë pranë strukturave të shërbimit të mbrojtjes së bimëve për pajisjen me pasaportë bimore.
IV.2 Procedurat e lëshimit të certifikatës zyrtare për materialet e shumëzimit dhe/ose për fidanët e bimëve zbukuruese
1. Furnizuesi që prodhon materiale shumëzimi dhe/ose fidanë të bimëve zbukuruese për tregtim lejohet t’i tregtojë ato pasi të jenë certifikuar nga autoriteti certifikues dhe të jetë autorizuar për nxjerrjen dhe lëshimin e etiketave e të dokumenteve të tjera të furnizuesit.
2. Autoriteti certifikues lëshon certifikatën kur, nga mbikëqyrja e ushtruar, rezulton se plotësohen kërkesat e përcaktuara në këtë vendim.
3. Autoriteti certifikues, të paktën një herë gjatë ciklit të vegjetacionit, kryen mbikëqyrje për të verifikuar nëse furnizuesi plotëson detyrimet e përcaktuara në kreun III, të këtij vendimi, e, veçanërisht, nëse:
a) materialet e shumëzimit dhe/ose fidanët që prodhon janë në përputhje me planin e prodhimit, të përcaktuar në pikën 2, të kreut III, të këtij vendimi;
b) kryen me korrektësi vrojtimet për organizmat dhe sëmundjet e dëmshme të bimëve, në vendin dhe objektet ku materialet e shumëzimit dhe/ose fidanët prodhohen e përgatiten për treg;
c) mban të dhënat e përcaktuara dhe ruan evidencën, në përputhje me pikën 4, të kreut III, të këtij vendimi;
ç) mostrat për analiza janë marrë në përputhje me planin e prodhimit, si më poshtë vijon:
i. në kohën e duhur;
ii. në mënyrën e duhur teknike;
iii. duke përdorur metodë statistikore të besueshme.
d) analiza e mostrës është kryer nga laboratori i akredituar.
4. Gjatë mbikëqyrjes që autoriteti certifikues kryen te furnizuesi, në përputhje me përcaktimet e pikës më lart, kontrollon planin e prodhimit, veçanërisht për sa i përket përshtatshmërisë dhe besueshmërisë së metodave të përdorura për monitorimin dhe mbikëqyrjen e organizmave e të sëmundjeve të dëmshme, të specifikuara në aneksin 2, të këtij vendimi, duke përfshirë planin për marrjen e mostrave në faza të ndryshme të prodhimit ose në intervale të përshtatshme kohore.
5. Në bazë të të dhënave nga mbikëqyrjet e kryera dhe nga aktverifikimet e mbajtura në vend, sipas modeleve 2/1 dhe 3/1, të aneksit 4, autoriteti certifikues i lëshon furnizuesit certifikatën zyrtare sipas modeleve 2 e 3, të aneksit 4, të këtij vendimi.
6. Nëse vërtetohet se materialet e shumëzimit, që përdoren për prodhimin e fidanëve, plotësojnë kërkesat dhe gjatë rritjes, jo më pak se dy muaj para shkuljes ose lëvizjes së fidanëve për tregtim, autoriteti certifikues autorizon furnizuesin për nxjerrjen e etiketës dhe të certifikatës së origjinës. Përmbajtja dhe forma e autorizimit është sipas modelit 4, të aneksit 4, të këtij vendimi.
7. Gjatë paketimit dhe vendosjes së etiketave furnizuesi mbikëqyret nga autoriteti certifikues, i cili vërteton sasinë përfundimtare të materialeve të shumëzimit dhe të fidanëve të prodhuar në fidanishte, plotësimin e kërkesave të cilësisë, paketimin dhe etiketimin si dhe numrin e etiketave të lëshuara nga furnizuesi.
8. Për speciet e gjinive Malus Mill., Prunus L., Pyrus L. dhe Citrus, që përfshihen në listën e aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi, certifikimi kryhet sipas kritereve të përcaktuara për materialet e shumëzimit dhe fidanët e bimëve drufrutore, sipas legjislacionit në fuqi, ndërsa për speciet e gjinive që i përkasin bimëve pyjore, si Pinus nigra etj, certifikimi kryhet sipas kritereve të përcaktuara për materialet riprodhuese pyjore, sipas legjislacionit në fuqi.
V. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Materialet e shumëzimit dhe fidanët e bimëve zbukuruese, të cilët deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi janë prodhuar në përputhje me legjislacionin e mëparshëm, mund të tregtohen deri më 30 shtator 2016.
2. Materialet e shumëzimit dhe fidanët e pa shitur, pas datës 30 shtator 2016, ricertifikohen, për të plotësuar kërkesat për tregtim dhe certifikim sipas këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.55, DATË 5.2.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E ANËTARËVE TË KOMISIONIT TË NDIHMËS SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 16, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 1, të vendimit nr.55, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, nëndarjet me fjalët “znj. Dareka Dariu – anëtar” dhe “znj. Anduena Dedja – anëtar” zëvendësohen, përkatësisht, me “z. Petrit Bakiu – anëtar” dhe “z. Gramoz Hoxha – anëtar”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RAPORTIT TË MONITORIMIT TË NDIHMËS SHTETËRORE PËR VITIN 2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17, shkronja “dh”, 18, shkronja “e”, e 32, pika 2, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e raportit të monitorimit të ndihmës shtetërore për vitin 2015, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PJESËMARRJEN E NJË TOGE KËMBËSORIE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ME MISION, NË KOMANDËN E TRAJNIM-KËSHILLIMIT DHE NDIHMËS NË HERAT, NË KUADËR TË OPERACIONIT TË NATO-S “RSM”, AFGANISTAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, pika 5, dhe 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dërgimin, me mision, të një toge këmbësorie të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të përbërë nga 40 (dyzet) ushtarakë, pranë Komandës së Trajnim-Këshillimit dhe Ndihmës në Herat, Afganistan.
2. Misioni i togës është ruajtje baze (force protection) në Komandën e Trajnim-Këshillimit dhe Ndihmës në Herat, në kuadër të operacionit të NATO-s “RSM”, në Afganistan.
3. Toga nuk mund të përdoret për detyra të tjera, përveç ruajtjes, brenda perimetrit, të bazës ushtarake të Komandës së Trajnim-Këshillimit dhe Ndihmës në Herat, Afganistan.
4. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri në 4 (katër) vjet, afat, i cili fillon të llogaritet nga data e dërgimit të kontingjentit të parë në Afganistan. Periudha e qëndrimit në mision, për çdo kontingjent, do të jetë me sistem rotacioni në çdo 6 (gjashtë) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrjen dhe dorëzimin e detyrës, vonesa të transportit strategjik).
5. Venddislokimi i kësaj toge do të jetë në Komandën e Trajnim-Këshillimit dhe Ndihmës në Herat, Afganistan.
6. Ministria e Mbrojtjes, për ushtarakët pjesëmarrës në këtë operacion, të përballojë shpenzimet për:
a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) sigurimin e jetës;
c) siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
ç) mbështetje shëndetësore;
d) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
dh) transport;
e) transportimin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerje disipline;
ë) aktivitete social-kulturore, në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së misionit;
f) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.
7. Transportimi i personelit, që do të shërbejë në Afganistan, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanteria, transportimi i individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, me përjashtim të rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër të përballojë këto shpenzime.
8. Ministria e Mbrojtjes të bëjë sigurimin e jetës nga aksidentet për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët do të marrin pjesë në këtë mision.
9. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
10. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E TAVANEVE PËRFUNDIMTARE TË SHPENZIMEVE TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2017-2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 23, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e tavaneve përfundimtare të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2017-2019, sipas lidhjes nr.1, “Tavanet e ministrive dhe institucioneve buxhetore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vendimi nr.230, datë 30.3.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për tavanet përgatitore të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2017-2019”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.418, DATË 27.6.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLAVE, BORDEVE OSE KOMISIONEVE TË NJËSIVE TË QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 5, të vendimit nr.418, datë 27.6.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronjat “c” dhe “ç” riformulohen, si më poshtë vijon:
“c) Për Komisionin Rajonal Mjekësor për Caktimin e Aftësisë për Punë, në varësi të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, dhe për Komisionin Mjekësor Qendror për Përcaktimin e Verbërisë, në varësi të Shërbimit Social Shtetëror, masa e shpërblimit është 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj, për kryetarin, dhe 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj për anëtarin, pavarësisht nga numri i mbledhjeve të kryera në një muaj;
ç) Për Komisionin Epror Mjekësor për Caktimin e Aftësisë për Punë, në varësi të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe të Shërbimit Social Shtetëror, masa e shpërblimit është 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë në muaj, për kryetarin, dhe 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj, për anëtarin, pavarësisht nga numri i mbledhjeve të kryera në një muaj;”.
2. Shkronja “d” shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROJEKTDOKUMENTIT TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2017-2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e projektdokumentit të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2017-2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE “SISTEMI I MENAXHIMIT TË KARTELAVE INFORMATIVE PËR SHËRBIMET PUBLIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
11. Krijimin e bazës të të dhënave shtetërore “Sistemi i Menaxhimit të Kartelave Informative për Shërbimet Publike” (këtu e në vijim “SMKISHP”).
12. Institucioni administrues i SMKISHP-së është Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (këtu e në vijim “ADISA”).
13. Dhënës të informacionit për SMKISHP-në janë institucionet e administratës shtetërore që ofrojnë shërbimet publike ndaj personave fizikë dhe personave juridikë.
14. Të dhëna parësore konsiderohen të dhënat e grumbulluara nga vetë kjo bazë të dhënash, të cilat përfshijnë:
f) emrin e shërbimit publik;
g) kodin e shërbimit publik;
h) klasifikimin e shërbimit publik sipas:
i. funksionit;
ii. grupit të shërbimeve;
ç) përshkrimin e shërbimit publik, i cili përmban:
x. kërkesat që duhen plotësuar për marrjen e shërbimit publik;
xi. mënyrën e marrjes së shërbimit publik;
xii. listën e dokumentacionit të nevojshëm për marrjen e shërbimit (emërtimi i dokumentit 1, emërtimi i dokumentit 2, emërtimi i dokumentit 3);
xiii. informacion për dokumentin përfundimtar që vërteton marrjen e shërbimit publik;
xiv. afatin e vlefshmërisë së dokumentit përfundimtar që vërteton marrjen e shërbimit publik;
xv. përfituesit e shërbimit;
xvi. kohën e marrjes së shërbimit publik;
xvii. tarifën e shërbimit publik;
xviii. informacion për mënyrën e trajtimit të ankesave;
i) datën e fundit të ndryshimeve;
dh) formularin e aplikimit për marrjen e shërbimit publik;
j) kanalet e ofrimit të shërbimit publik.
15. Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat që merren nga baza të tjera të dhënash, të cilat përfshijnë:
d) informacionin për organin kompetent që ofron shërbimin publik;
e) adresën e organit kompetent që ofron shërbimin publik;
f) shërbimet elektronike (këtu e në vijim “e-shërbimet”).
16. Baza e të dhënave të SMKISHP-së shkëmben informacion me institucionet publike, sipas ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, lidhur me shërbimet që ofrohen bazuar në legjislacionin nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit.
17. Bazat e të dhënave shtetërore të institucioneve përkatëse, nga të cilat SMKISHP-ja merr të dhëna parësore, janë, si më poshtë vijon:
d) Departamenti i Administratës Publike, HRMIS, informacion për institucionet.
e) Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, RKA, adresat e institucioneve.
f) Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e-Albania GG, e-shërbimet.
ç) Institucione të tjera, me të cilat SMKISHP-ja mund të ndërveprojë dhe që mund të ngarkohen me akte të tjera, ligjore e nënligjore.
18. Niveli i aksesit në bazën e të dhënave të SMKISHP-së është, si më poshtë vijon:
d) Subjektet e përcaktuara në pikën 3 kanë të drejtë vetëm të marrin informacion përmes kanaleve të komunikimit e të ndërveprimit lidhur me të dhënat parësore.
e) ADISA ka të drejta të plota administrative mbi bazën e të dhënave, në rolet:
vi. administrator;
vii. raportues;
viii. auditues;
ix. aprovues;
x. lexues të informacionit.
f) Institucionet e tjera shtetërore, që ofrojnë shërbime publike ndaj subjekteve të përcaktuara në pikën 3, kanë të drejtë të lexojnë informacionin, të hedhin të dhënat apo të modifikojnë informacionin vetëm në lidhje me shërbimet publike respektive të institucionit përkatës, i cili më pas miratohet nga ADISA.
19. Organizimi dhe funksionimi i brendshëm i bazës të të dhënave të SMKISHP-së përcaktohen me rregullore të brendshme të institucionit administrues dhe miratohet nga drejtori Ekzekutiv i ADISA-s, në përputhje me rregullat e parashikuara në ligjin nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”.
20. Ngarkohet Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.