Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Zëvendës Kryeministres Senida Mesi në Takimin e Shtatë të Grupit të Posaçëm të Reformës në Administratën Publike:

Mirëmëngjes të gjithëve,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

E dashur Znj. Matuella,

Kam nderin që t’i drejtohem sot kësaj audience të nderuar në një moment të rëndësishëm të rrugëtimit evropian të vendit, dhe ku vëmendja e Qeverisë Shqiptare ndaj rolit të Administratës Publike, në funksion të përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe biznesit përbën prioritet absolut.

Ky takim, si dhe angazhimi i vazhdueshëm i Qeverisë Shqiptare përballë partnerëve tanë është dëshmi e përkujdesjes së veçantë ndaj Administratës Publike dhe reformës së saj, jo vetëm si një kriter kyç në procesin e integrimit evropian, por edhe si një vlerë e veçantë për shtet-konsolidimin.

Kjo platformë diskutimi shërben për të çuar përpara punën në kuadër të Reformës në Administratën Publike, duke përbërë një mbështetje të rëndësishme dhe një ndihmë në përpjekjet tona për të zhvilluar një administratë publike funksionale, efikase, transparente dhe të qëndrueshme.

Reforma e Administratës Publike është një proces i vazhdueshëm dhe i lidhur ngushtë me përpjekjet e vendit tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Niveli i lartë i përfaqësimit nga qeveria konfirmon edhe njëherë vendosmërinë tonë për një bashkëpunim ndërqeveritar sa më efektiv dhe të koordinuar.

Që prej vitit 2015, kur Shqipëria miratoi Strategjinë Ndër-sektoriale për Reformën në Administratën Publike për periudhën 2015-2020, janë evidentuar hapa konkret dhe pozitiv në zhvillimin e një administrate publike e cila siguron:

– shërbime transparente dhe efektive nëpërmjet përdorimit të teknologjive inovative në përputhje me kërkesat e integrimit evropian;

– forcim të rolit të nëpunësve civilë të paanshëm, profesionalë e të përgjegjshëm;

– përmirësim të cilësisë së politikë-bërjes dhe legjislacionit, duke përmirësuar funksionet e qeverisjes qendrore;

– rritje të transparencës dhe llogari-dhënies ndaj taksapaguesve dhe qytetarëve shqiptarë, duke rritur shkallën e raportimit dhe monitorimit në nivel qendror.

Gjatë katër viteve të fundit të qeverisjes është bërë reforma më rrënjësore në Administratën Publike e këtyre 15 viteve:

– Kjo reformë fillon që nga konkurset e rekrutimit, të cilat për herë të parë bëhen krejtësisht të hapura dhe kanë thithur një numër të madh aplikantësh;

– Vijon me Modernizimin e Shkollës së Administratës Publike (ASPA), e cila ka bërë të mundur realizimin e qindra orëve trajnimi dhe ngritjen e kapaciteteve të mijëra nëpunësve civilë;

– Gjithashtu, një pjesë tjetër shumë e rëndësishme e reformimit të Administratës Publike ka të bëjë me realizimin e reformës ligjore, fillimisht me vënien në zbatim të Ligjit për Nëpunësin Civil, hartimin dhe zbatimin e Kodit të Administratës Publike, si dhe hartimin e zbatimin e akteve nën-ligjore.

Qeveria jonë siguron vazhdimësinë e reformave të ndërmarra edhe në strukturën e re organizative. Vijimi i kësaj reforme është në fokusin e veçantë të Kryeministrit Rama, kabinetit qeveritar dhe timin personal.

Plani i Veprimit 2015-2017, i ngritur në kuadër të Strategjisë Ndër-Sektoriale për Reformën në Administratën Publike, e cila përfshin periudhën 2015-2020, parashikon implementimin e 53 aktiviteteve kryesore dhe 82 nën/aktiviteteve. Sipas progres-raportit të BE-së, që prej fillimit të implementimit të kësaj strategjie, 76% e nën/aktiviteteve të përfshira në këtë plan janë në zbatim, ndërsa 50% e aktiviteteve kryesore janë përmbushur plotësisht.

Ne çmojmë vlerësimin pozitiv të progres-raportit të fundit të Komisionit Evropian për Reformën në Administratën Publike në Shqipëri, si dhe jemi të vendosur që të ruajmë këtë trend, i cili e pozicionon aktualisht Shqipërinë në të njëjtin stad me Serbinë dhe Malin e Zi, të cilët ndodhen tashmë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim.

Përtej problematikave me të cilat përballen shpesh qytetarët, kemi një pjesë të konsiderueshme e të shëndetshme të Administratës Publike që shërben dhe zbaton ligjet tona, e cila përbën një garanci për shtet-konsolidimin. Falë edhe investimit të partnerëve dhe donatorëve, ata kanë ditur të qëndrojnë në lartësinë dhe prestigjin e nëpunësit të shtetit, duke përbërë kështu një shembull inkurajues për të gjithë.

Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një plan ambicioz në kuadër të  bashkëqeverisjes me qytetarët, i cili ka nisur me riorganizimin institucional, rishikimin e funksioneve të të gjitha institucioneve dhe agjencive të varësisë, me qëllim ristrukturimin e tyre për të rritur efiçiencën, çka do të rindërtojë nga themelet marrëdhënien e qytetarit me shtetin në favor të qytetarit.

Pjesë e këtij plani janë:

– Shtimi i numrit të shërbimeve publike online që do të kontribuojnë në modernizimin dhe uljen e korrupsionit;

– Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe verifikimi i cilësisë së tyre, nëpërmjet Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit;

– Modernizimi i shërbimeve me objektiv kryesor evitimin e sporteleve fizike;

– Reduktimi i liçencave, lejeve dhe autorizimeve që nevojiten për kryerjen e nje aktiviteti, si dhe ulja në maksimum e afateve të zbatimit për to.

Por ky plan,  përbën një sfidë që kërkon një angazhim tërësor të Administratës Publike, pasi në themel të këtij procesi qëndron forcimi i lidhjes mes administratës dhe qytetarëve, si dhe ruajtja e komunikimit për adresimin e problematikave që hasin qytetarët në raport me shërbimet që ofrohen.

Së fundmi, në një pjesë të opinionit publik është përcjellë me shqetësim ristrukturimi rrënjësor i sistemit të ministrive e të institucioneve, si dhe impakti që mund të ketë mbi Administratën Publike.

Përfitoj nga rasti që të siguroj çdo nëpunës të administratës, të cilët me korrektësi dhe profesionalizëm kryejnë detyrën kundrejt qytetarëve, se qeveria është e angazhuar për t’i mbështetur dhe promovuar më tej ata. Në të njëjtën kohë, ne do të modernizojmë shërbimet, lehtësojmë punën e tyre dhe do të ulim burokracinë për qytetarët tanë në të gjitha pikat ku shteti u  shërben atyre.

Dëshiroj të theksoj se Komisioni Evropian me strukturat përkatëse të interesuara, do të vazhdojë bashkëpunimin me të njëjtët aktorë nga pala shqiptare, të cilët ndër vite kanë kontribuar në mbarëvajtjen e këtyre reformave si Znj. Koçiu – nga DAP dhe bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët i falenderoj dhe inkurajoj në zbatimin e kësaj reforme.

Ne jemi të angazhuar dhe kemi vullnetin politik për zbatimin e Ligjit të Nëpunësit Civil dhe akteve nënligjore, si dhe do të vijojmë mbështetjen maksimale në:

– Forcimin e një shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike;

– Përmirësimin e mëtejshëm të mënyrës së organizimit të  procedurave të rekrutimit;

– Forcimin e kapaciteteve të Departamentit të Administratës Publike, duke përdorur dhe teknikat e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore;

– Përmirësimin e cilësisë së legjislacionit dhe mirë-menaxhimin financiar.

Me kënaqësi konstatojmë së reforma e rekrutimit në administratën publike po jep frytet e saj të para drejt ndërtimit të një shërbimi civil evropian.

Qeveria Shqiptare vlerëson maksimalisht mbështetjen dhe asistencën që Bashkimi Evropian i ka dhënë vendit tonë në përmbushjen e këtij prioriteti dhe në adresimin e sfidave që përfshin një reformë e nivelit të tillë.

Kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa ndihmën ë Komisionit Evropian dhe mbështetjen financiare të dhënë nga një sërë projektesh dhe programesh si:

– “IPA 2012” (Projekti i Binjakëzimit me Francën dhe Italinë), nga i cili janë arritur rezultate të dukshme;

– “IPA 2015” (Programi për Mbështetjen Financiare për Reformën në Administratën Publike);

– Dhe gjithashtu programet më të fundit të asistencës teknike IPA, si ai që ka filluar së fundmi në lidhje me shërbimet publike dhe ai që pritet të fillojë në kuadër të mbështetjes ndaj shërbimit civil.

Mbështetja dhe asistenca nga ana e Bashkimit Evropian ngelet gjithmonë e vyer për realizimin e reformave që vijojnë, si dhe në përgatitjen e Strategjisë 2020-2025.

Duke ju falenderuar të gjithëve për kontributin tuaj, ju uroj punë të mbarë gjatë këtij takimi dhe shpresoj që diskutimet të jenë të frytshme dhe të vlefshme për të dyja palët, në interes të zhvillimit të Shqipërisë në rrugën evropiane.

Ju faleminderit!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.