Zëvendëskryeministrja znj. Ledina Mandija në prani të drejtorëve të drejtorive dhe përgjegjësve të sektorëve prezantoi sot drejtuesin e ri të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, z. Fadil Shahini.
Gjatë prezantimit zëvendëskryeministrja Mandija u shpreh se ky emërim është bërë në kuadër të marrëveshjes politike të 18 majit ndërmjet palëve politike, në kuadër të garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për qytetarët shqiptarë. Është detyrë e z. Shahini dhe punonjësve të agjencisë të zbatojnë me korrektësi detyrimet që rrjedhin nga Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017, “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, si dhe të kuadrit ligjor në fuqi për zgjedhjet.
Në mënyrë të veçantë znj. Mandija cilësoi mos fillimin e asnjë procedure prokurimi, koncesioni apo partneriteti publik–privat deri në përfundim të fushatës zgjedhore si dhe u bëri thirrje punonjësve të agjencisë të mos angazhohen në aktivitete elektorale gjatë orarit të punës, dhe që pas orarit të punës të respektojnë kufizimet e përcaktuara nga kuadri ligjor në fuqi, për të mos shprehur publikisht bindjet dhe preferencat e tyre politike, duke ndërmarrë veprime që konsistojnë në bërjen fushatë për një subjekt politik/zgjedhor apo kandidat, qënien protagonist në aktivitete/veprimtari politike apo manifestimin me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht.
Zëvendëskryeministrja i shprehu mbështetjen e saj drejtorit të ri të AZHBR-së, si dhe e inkurajoi të veprojë në përputhje me VKM-në, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në fund të këtij prezantimi zëvendëskryeministrja i kujtoi edhe njëherë administratës të vijojë punën si dhe të zbatojë me përpikmëri detyrat që u ngarkon ligji në ushtrim të funksioneve të tyre.