Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kisha e Shën Mërisë në qendër fshatit Labovë, në Gjirokastër, si dhe rruga Kthesa e Labovës – Labovë e Kryqit i janë nënshtruar një projekti të restaurimit të kishës dhe rehabilitimit të rrugës. Punimet për rikonstruksionin e restaurimin e Kishës përfshijnë rregullimin e kupolës, shtresat mbrojtëse për pikturën, restaurimin e dyshemesë, çatisë, dritareve, si dhe konsolidimin e murit rrethues. Ndërhyrjet restauruese kanë si qëllim ruajtjen e vlerave origjinale dhe ekspozimin e tyre në mënyrë sa më dinjitoze, për vizitorët vendas dhe të huaj. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vizitoi Kishën e Shën Mërisë dhe pa nga afër punimet për restaurimin e saj.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës shpjegoi se tashmë ka përfunduar restaurimi i jashtëm i saj dhe se punimet po vijojnë në mjediset e brendshme me një teknologji të përparuar “Është një nga kishat më të rralla që kemi, të periudhës bizantine e rrallë sepse ka portretin e Justinianit dhe vetëm dy të tilla janë të faktuara. Kishte probleme strukturale shumë të rënda, kupola ishte zhvendosur nga vertikaliteti prej qindra vitesh e tashmë po e konsolidojmë. Tani po kalojmë në restaurimin e pjesës së brendshme.”

Paralelisht me restaurimin e Kishës së Shën Mërisë po bëhet edhe rikonstruksioni i rrugës Kthesa e Labovës – Labovë e Kryqit, me gjatësi 7.9 km. Rruga nis me kryqëzimin e rrugës nacionale Libohovë-Poliçan, deri në fund tek fshati Labove pranë Kishës. Përmirësimi i gjurmës ekzistuese, shtresave dhe sinjalistikës së rrugës, ndriçimi dhe rritja e sigurisë, janë synim i projektit.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro u shpreh se infrastruktura e dëmtuar e kësaj zone ka qenë një pengesë e madhe për turizmin. “Është një investim prej 230 mijë eurosh, vetëm për kishën. Ndërkohë që bashkë me infrastrukturën dhe me rrugën shkon rreth 1 milion euro. Për shkak se këtu vinin turistët dhe ngelnin në mes të rrugës.”

Nga qytetarët është mirëpritur restaurimi i Kishës dhe rikonstruksioni i rrugës, të cilat prej dekadash ishin lënë në harresë. “25 vjet asnjeri nuk vuri dorë këtu,” – u shpreh një nga banorët.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.