Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Autoambulanca e bllokuar dje në autostradë për shkak të protestës, po dërgonte në Spitalin Ushtarak të Tiranës, një qytetar nga Fieri të aksidentuar në punë. Qytetari me dëmtime të rënda të qafës e për pasojë paralizë të duarve, rrezikoi seriozisht jetën nga vonesa prej rreth një ore në afërsi të rrethrrotullimit tek “Shqiponja”.
Të detyruar nga rrethanat, dhe nën presionin e kohës, familjarët informuan përmes një mesazhi Kryeministrin Edi Rama për ngjarjen, i cili angazhoi Ministren e Shëndetësisë e përmes saj strukturat spitalore për t’ju përkushtuar në mënyrë të veçantë këtij rasti të rëndë.
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme Kryeministri Rama shkoi vetë në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku u takua me stafin mjekësor dhe familjarët që prej orësh presin përmirësimin e gjendjes së të aksidentuarit, i cili aktualisht ndodhet në reanimacion. “Ma çoi djali mesazhin dhe isha rrugës pasi po vija nga Vlora. I thash ministres të vinte e më tregoi për historinë që jeni bllokuar në rrugë tek mbikalimi pa vajtur tek Shqiponja.” – tha kryeministri. Ndërsa u informua prej ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu se i aksidentuari është transferuar në këtë spital për ekzaminime të mëtejshme. “Ka qënë një aksident duke punuar. Më pas është transferuar tek trauma për të bërë ekzaminime të mëtejshme. Praktikisht rreth 55 minuta ka ndenjur në autostradë.”
Ndërkohë mjeku roje shpjegon se dëmtimi që ka pësuar është shumë i rëndë. “Pacienti ka një traumë të palcës së qafës. Siç duket nga shenjat klinike është një dëmtim i pjesës centrale të shtyllës kurrizore. Tani është në reanimacion. Është një pacient që duart i ka të palëvizshme, sepse është dëmtimi i atillë dhe këmbët i ka të lëvizshme. Është një dëmtim shumë i rëndë.”
Megjithë angazhimin e mjekëve për të stabilizuar gjendjen e të aksidentuarit, shqetësimi i familjarëve është ende shumë i madh. Ankthit të tyre për jetën e të afërmit, iu bashkëngjit stresi i një situate krejt të pazakontë dhe sipas tyre, të padrejtë. “Të gjithë e duam jetën. Nuk ma ka dhënë ai që të ma marrë. Rrugën lëre të lirë. Do të protestosh, le të jete i kujtdo partie, mua mos më zë rrugën e urgjencës. Pse duhet të rri një orë në autostradë unë kur ai ishte në një gjendje skandaloze. – Pse me nxore, – më tha – të me vdisje rrugëve? Të vdisja në shtëpi të paktën, në Fier, -më tha. Unë e kam lënë në stres atë dhe kam kaluar dhe traumë për vete. Dola, – u thash- “hapeni rrugën”. Dil protesto ku të duash. Ne ishim në ambulancë brenda, me doktorin. Ndërkohë tensioni fluturoi… ishte shume i sëmurë. Unë e kam lënë në një gjendje stresi.” – u shpreh bashkëshortja e të aksidentuarit.
Ndërkaq, Kryeministri siguroi  familjarët se përkushtimi ndaj rastit të tyre dhe do të jetë maksimal “Ne do bëjmë gjithçka që kemi mundësi. Këtu mjekët janë me shumë eksperiencë. Më vjen shumë keq që ka ndodhur. Nuk duhet të ndodhte. Ne i vetmi merak që kishim, ishte kjo e ambulancave. Megjithatë kam shumë shpresë, këtu jam, në dispozicion.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.