Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Një familje fermere në Baldushk mikpriti sot Kryeministrin Edi Rama, i cili së bashku me Saimir Tahirin dhe me përfaqësues lokal të zonës vizitoi këtë familje, e njohur për suksesin në prodhimtarinë e perimeve të kultivuara në sera. Kryeministri bashkëbisedoi me ta mbi mundësitë e zgjerimit të biznesit bujqësor, organizimin më të mirë të fermerëve në treg, si dhe mbështetjen që ofron qeveria përmes projekteve të ndryshme për bujqësinë.

Kryefamiljari tregoi se ka investuar shumë për serën e tij dhe suksesi i saj është falë një pune të jashtëzakonshme prej të gjithë familjes. “Fermën e kam bërë me forcat e mia. Kam investuar pa masë. Në këto serat që shihni këtu punohet katër-pesë herë në ditë”

Ndërsa interesimit të tij për ndihmë nga shteti, Kryeministri Rama iu përgjigj se Fondi Kombëtar i Garancisë është mekanizmi më i mirë që do të japë rezultatet të kënaqshme në konsolidimin e bizneseve fermere. Gjithashtu Kryeministri theksoi se ndërtimi i pikave të grumbullimit është i domosdoshëm për një treg të suksesshëm. “Ne kemi filluar me Fondin Kombëtar të Garancisë dhe janë mbi 300 aplikime edhe kredi me interesa shumë të ulëta ose zero, që janë dhënë. Është një mekanizëm që mund të na sjellë shumë rezultate. Por ndërkohë ajo që duam të bëjmë është që bashkia të hyjë në bashkëpunim me fermerët, sipas zonave. Nëse në këtë zonë mungon një pikë grumbullimi, pika e grumbullit do të ketë kushtet e veta dhe ti s’je i detyruar që ose ta shesësh tani me çfarëdo çmimi, se përndryshe detyrohesh që ta hedhësh në lumë.”

Kryeministri shpjegoi se për të pasur një sukses të garantuar në treg dhe jo prodhime të shkuara dëm, fermerët duhet të kenë dëshirën dhe vullnetin për t’u bashkuar dhe paraqitur kërkesat e nevojat e tyre si një organizëm i vetëm, ku një rol të rëndësishëm në ndihmë të tyre duhet të luajë bashkia. ”Të bashkohen bashkia me fermerët e interesuar e të bëjnë një projekt dhe një aplikim p.sh. për zetorin, për të shtuar metrat, për të shtuar më tutje këtë prodhim dhe për të garantuar mbledhjen e këtij prodhimi që pastaj të dalë në treg. Duke qenë e përfshirë edhe bashkia ka më shumë garanci financiare, megjithëse ato janë kredi të garantuara nga shteti dhe bankat janë shumë të interesuara e janë pa rëndesë te fermerët.

Kryeministri theksoi se roli i bashkisë duhet të jetë ndër të tjera edhe informues, në mënyrë që fermeri të orientohet drejt për kërkesat e tregut. “Ajo që është më e rëndësishmja është që nëpërmjet bashkisë ne t’i informojmë njerëzit. Të vijë këtu bashkia e të thotë, duke ditur zonat e caktuara, fermat, serat, të thotë “ja kush ideja”. Kjo bashkon edhe tokën. Nëse ne biem dakord bashkë që këtu do bëjmë sera, prodhimin e shesim bashkë, atëherë bëhet një fermë e madhe që ka sasi. Pastaj nëse ke pikën e grumbullimit vjen ta merr direkt tregtari e merr sepse është sasia.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.