Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Pas vizitave në orët e mbrëmjes në QSUT, Kryeministri Edi Rama sot në mbrëmje vizitoi urgjencën e spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, ku u takua me ekipin mjekësor në shërbim në turnin e natës. Kryeministri i falenderoi për transformim që ka pësuar ky spital, i kthyer  në një model të shërbimit publik, falë jo vetëm investimeve që janë kryer këto vite, por edhe përkushtimit të ekipit shëndetësor.

Më së pari ishin punonjëset e shërbimit, sanitaret dhe infermierët, ata që shfrytëzuam mundësinë e këtij takimi për të kënaqësinë për rritjen e pagave. “40 vjet kam që punoj këtu, – u shprehej një infermiere, – por asnjëherë nuk na është rritur rroga në këtë mënyrë.”

“Të gjithë e kanë kuptuar se përveç kushteve, pacientët duan edhe një buzëqeshje. Rritja e pagës e ka bërë më të dobishëm e frytdhënës shërbimin,” – u shpreh drejtori i spitalit.

“Për të gjithë pjesën e punonjësve që merren me garantimin e kushteve të higjienës edhe të punës, ishte tmerr paga. Infermierëve i është rritur paga me 36%. Qeveria gjykohet për çfarë bën, nuk gjykohet për çfarë eviton. Ne evituam në 2013-n që të uleshin rrogat, se ishte shumë e rëndë situata financiare. Beteja jonë me FMN në atë tetor-nëntor, kur ne e thirrëm për ndihmë se praktikisht gjetëm një borxh të fshehur shumë të madh, – ishin 40 milionë dollarë për ilaçe dhe shërbime të papaguara për spitalet dhe kompanitë nuk furnizonin më me ilaçe – ishte se FMN thoshte duhet të ulni rrogat, pensionet se nuk i paguani dot. Ne thamë do bëjmë reformën në energji, pasi energjia merrte 150 milionë dollarë çdo vit nga taksat, për të mbushur gropën në buxhet. Bëmë një luftë të madhe dhe rrogat nuk i ulëm. I’a dolëm.”

Mjekët roje nga ana e tyre vlerësuan faktin se për herë të parë është bërë edhe rritja e pagës së mjekut roje. “Për herë të parë është marrë në konsideratë rritja  e pagës së mjekut roje, pasi ka qenë shumë e ulët dhe shumë fyese për një mjek,” – u shpreh një mjeke. Tani sfida, tha Kryeministri, është motivimi i duhur për mjekët specialistë që të shkojnë të punojnë në spitale jashtë Tiranës.

“Është bërë rritja e pagës për rojet dhe rritja e pagës për mjekët që shkojnë në spitale të tjera për konsulta. Për çdo ditë që shkojnë në një spital tjetër për të ndihmuar, ata marrin 50 mijë lekë. Por na duhet të rrisim pagën për mjekët që shkojnë punojnë atje. Sfida është që mjekët që pranojnë të shkojnë të punojnë, p.sh, në Këlcyrë, Përmet, Gjirokastër, duhet të kenë një pagë specialisti, sa ç’mund ta merrnin nëse ikin në një spital publik jashtë.”

Mjekët pranuan se përmirësimi i kushteve dhe i trajtimit financiar të personelit mjekësor ka sjellë një përmirësim të dukshëm e të ndjeshëm të shërbimit për pacientët. “Ndryshimi ndihet dhe reflektohet edhe nga mjekët, edhe nga pacientët,” – tha një mjeke. Në spitalin “Shefqet Ndroqi” janë në fazën e instalimit të instrumenteve të rinj, që sipas mjekëve janë të spitaleve elitare.

Zëvendësimi i instrumenteve jashtë çdo standardi, veçanërisht ato të sallave të  operacionit, është një tjetër problematikë e rëndë që ka marrë zgjidhje. “Vetëm për shkak të instrumenteve të sallave të operacionit jashtë  standardit, – u shpreh Kryeministri, – konsekuencat për pacientët ishin katastrofike. Problemi ishte që duhet të gjenim një partneritet publik privat që të mund të kishim maksimumin e mundshëm të cilësisë. Në QSUT janë jashtëzakonisht të kënaqur, sepse është komplet botë tjetër. Janë instrumente fantastikë, standardet më të larta sot. Është një skemë shumë e mirë se ne nuk e bënim dot me buxhet shteti dhe jo vetëm në kuptimin e shumës, por dhe gjithë procesi i administrimit që bëhet bashkë me kompaninë është fantastik. Mësohen edhe të gjithë laborantët dhe të gjithë ata që do menaxhojnë këtë gjë kur të mbarojë partneriteti me privatin. Kushti për ta është që dy vjet përpara sesa ta mbarojnë, duhet të bëjnë të gjithë rinovimin e instrumenteve. Faktikisht, ndryshimi në sallat e operacionit sot në QSUT është nata me ditën.”

Një mjeke e re që kryen specializimin pranë këtij spitali tregoi sesi ishte ndjerë e befasuar kur e kishte parë veten fituese në konkurrimin për të fituar specializimin. “Nuk e prisja që do merrja specializimin. Unë bëra vetëm një zgjedhje, pasi mendoja se nuk do të fitoja, se nuk do ishte konkursi i drejtë. Por çdo gjë ishte elektronike. Çdo gjë e afishuar online, pikët, mesatarja. Ishte gjëja më e mirë që është bërë.”

Kryeministri shprehu bindjen se merita është ajo që ka çuar sot çdo të ri drejt auditorit “Po të shikosh sot të gjithë auditorët e universitetit, nuk gjen jashtë asnjë që nuk ka hyrë në auditore që ka pikë më shumë se ata që janë brenda. Kjo tregon që ka hyrë kush ka pasur meritë më shumë,” – tha Kryeministri.

Në mbyllje të bisedës, Kryeministri i siguroi për dedikimin ndaj sektorit të shëndetësisë, për ta kthyer në një shërbim publik të denjë, madje edhe konkurrues me atë privat. “E di shumë mirë që është një punë me sakrifica dhe me shumë përkushtim, pavarësisht se ka që ua turpërojnë figurën dhe ua baltosin përparësen, duke vazhduar me atë kulturën e ryshfetit, por aty ku, është bërë punë, aty realisht ka një ndryshim të madh dhe seriozisht njësoj si te privati, për të mos thënë që është një konkurrencë.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.