Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Kryeministri Edi Rama firmosi sot peticionin e shoqërisë civile për nisjen e zbatimit të Vetting-ut në funksion të zbatimit të reformës në drejtësi, të miratuar me konsensus në parlament. Kryeministri e konsideroi nisjen e procesit të Vetting-ut me rëndësi parësore, një vijë ndarëse me të shkuarën në sistemin e drejtësisë.   

Kryeministri Rama: Ka një vullnet mbarëpopullor, të shprehur në të gjitha format, edhe përmes kësaj forme, me një nisëm të shoqërisë civile që Partia Socialiste e mbështet plotësisht dhe fuqimisht, në funksion të çlirimit të këtij vendi nga diktatura e korrupsionit dhe e kriminalitetit në sistemin e drejtësisë. Është një diktaturë që “de fato” ka bërë shumë viktima në këto 20 e kusur vite dhe  të cilës i ka ardhur fundi, falë kësaj reforme jetike, transformuese dhe shtetndërtuese. Është momenti për të filluar ta zbatojmë përmes zbatimit të ligjit të vetting-ut, që do të vendosi një vijë të qartë ndarëse mes të ardhmes dhe së shkuarës, mes gjykatësve dhe prokurorëve me integritet, me profesionalizëm, me eksperiencë dhe kurajo, për të sjell në këtë vend epokën e një drejtësie të re dhe barazisë para ligjit në sallat e gjykatave.

Kjo nuk është një reformë thjesht për të pastruar pallatin e drejtësisë nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit që e kanë mbajtur peng këtë popull dhe kanë penguar zhvillimin e çdo sektori, por është një reformë për t’i dhënë një nxitje të re dhe shumë të fuqishme ekonomisë, punësimit e padyshim integrimit të vendit.

Mbrëmë, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian foli troç dhe qartë. Fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi përmes fillimit të zbatimit të ligjit të vetting-ut përkon edhe me fillimin e negociatave për anëtarësim. Të gjithë ata që u përpoqën dhe përpiqen që ta mjegullojnë këtë fakt dhe këtë të vërtetë të thjeshtë, besoj që nga mbrëmë do ta kenë më të vështirë, pasi shqiptarët panë dhe dëgjuan drejtpërdrejtë nga Përfaqësuesja e Lartë se Bashkimi Europian është gati të çelë negociatat për anëtarësim, duke i qëndruar deklaratës së fundvitit të shkuar, kur pranoi rekomandimin pozitiv të Komisionit, me mirëkuptimin se Shqipëria do fillojë zbatimin e ligjit të vettingut.

Do nisin negociatat që sot me zotin Basha, jeni të gatshëm?

Kryeministri Rama: Negociatat me Bashkimin Europian do të nisin në momentin që fillon zbatimi i ligjit të vetting-ut. Me opozitën nuk kemi çfarë negociojmë, por kemi çfarë bisedojmë. Nëse opozita është vërtet e shqetësuar për zgjedhje të lira e të ndershme, me standarde edhe më të larta se ato që kemi pasur më parë, është e mirëseardhur. Ne jemi të tërë sy e veshë për të parë dhe për të dëgjuar propozime konkrete dhe realiste, në mënyrë që t’i bëjmë menjëherë pjesë të legjislacionit të zgjedhjeve. Po ashtu, ne jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe të bisedojmë me opozitën për çdo gjë tjetër, pa asnjë lloj problemi.

Opozita do kërkojë qeveri teknike z. Rama. Është i dështuar që këtu ky dialog?

Kryeministri Rama: E vetmja gjë që ne nuk bisedojmë dot, ose ne mund ta bisedojmë, por nuk vendosim dot ne, është ajo çka me Kushtetutë i takon sovranit. Është sovrani që vendos kush është në qeveri dhe kush është në opozitë. Është populli me votën e vet që e ndan këtë punë një herë në katër vjet. Kjo punë është ndarë dhe ne jemi në procesin e zbatimit të një kontrate që nuk ka skaduar akoma, por skadon në momentin kur populli rigjykon e rivendos. Populli e cakton kush është në qeveri dhe kush në opozitë. Qeveria dhe opozita pastaj janë të detyruar të bashkëbisedojnë.

Zoti Rama, çfarë do të ndodhë në Kuvend të hënën, opozita ka deklaruar se nuk do të jetë e pranishme?

Kryeministri Rama: Është momenti për të zbatuar ligjin e vetting-ut, në bazë të Kushtetutës së ndryshuar nga 140 deputetë. Është momenti që Partia Demokratike të mos abuzojë dhe mos shpërdorojë mekanizmin e kompromisit të nevojshëm dhe të shëndetshëm, që është i shkruar në Kushtetutë, duke i dhënë qeverisë dhe opozitës akses të barabartë në përzgjedhjen e anëtarëve të komisioneve të vetting-ut. Opozita ka detyrimin të zbatojë Kushtetutën në afatet e përcaktuara dhe të mos fshehë kokën përball këtij detyrimi të madh kombëtar e publik, duke qëndruar në çadër. Në çadër mund të qëndrojë sa ta shohë të arsyeshme për çështje të tjera, por jo për këtë çështje, besoj unë. Sidoqoftë veting-un nuk e ndal dot. Ju siguroj, nuk e ndal dot askush, sepse është një domosdoshmëri historike. Sikundër nuk ndali dot askush, ndryshimet kushtetuese dhe reformën e madhe në letër për ndryshmin e Kushtetutës, nuk do të ndali askush edhe vetting-un, ju siguroj për këtë.

Por mund të vonohet në kohë…

Kryeministri Rama: Kjo mbetet për t’u parë. Nuk është absolutisht e sigurt që mund të vonohet, por mbetet për t’u parë. Ju e dini, nuk flas për atë që vjen nesër. Sot jemi këtu për të nënvizuar detyrimin e sotëm. Nesër të jeni të sigurt që do të kemi gjithë përgjigjet dhe gjithë idetë e duhura, për të vazhduar më tutje në një rrugë që është rrugë e vendosur nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, socialistë dhe demokratë, të cilët mund të jenë ndarë në shumë gjëra të tjera, por nuk janë ndarë në domosdoshmërinë që kur shkojnë nëpër gjykata të trajtohen si të barabartë dhe të mos përdhunohen nga prokurorë e gjykatës të korruptuar dhe të inkriminuar.

Procedura në parlament do të vijojë të hënën, edhe nëse opozita nuk është e pranishme? Sepse në axhendën e punimeve është vendosur tashëm zyrtarisht.

Kryeministri Rama: Nuk thashë këtë. Unë thash atë që kam thënë edhe përpara sesa të votohej reforma në drejtësi. Kur ju të gjithë thoshit se nuk kalon, unë ju thosha se “o do bëhet, o do bëhet”. Nuk e kam zbuluar unë, është zbulim i vjetër i historisë njerëzore dhe politike, se gjërave që u vjen koha, nuk ka asgjë që mund t’i ndalojë. Vetting-ut dhe reformës në drejtësi është një gjë të cilës i ka ardhur koha pas 20 e kusur vitesh pengmarrje, viktima dhe rrënim i potencialeve të mëdha të zhvillimit.

Ju akuzoni opozitën se po e bllokon. Ka edhe një mangësi procedurale, se nuk keni numrin e mjaftueshëm. Si zgjidhet kjo?

Kryeministri Rama: Unë nuk akuzova askënd. Unë thjesht shpreha pikëpamjen time. Kur flisni për mangësi procedurale, lexoni më mirë dokumentet, referojuni më saktësisht ligjeve dhe të shikoni se nuk ka asnjë mangësi procedurale, sepse kemi të gjithë bazën e nevojshme për të bërë përzgjedhjen e duhur. Fakti që kaq shumë shqiptarë dhe shqiptare aplikuan tregon se ka një vullnet të madh për të bërë reformën në drejtësi.

Opozita do kërkojë qeveri teknike në tryezën e dialogut. A është i dështuar që në nisje ky dialog?

Kryeministri  Rama: Unë nuk përsëris qëndrimet refraktare dhe të gabuara të paraardhësit tim, që vinte kushte për të diskutuar. Ne nuk kemi asnjë kusht për të diskutuar. Ne diskutojmë çdo gjë. Por jo çdo gjë ne mund ta plotësojmë. Opozita ka të drejtën e vet të kërkojë qeveri teknike, të kërkojë qeveri inxhinierike, qeveri hidraulike, qeveri energjetike apo qeveri astronomike. Janë të drejtat  e opozitës. Ne kemi detyrimin që t’i konsiderojmë me shumë seriozitet kërkesat e opozitës dhe çfarë mund ta plotësojë, ta plotësojmë, çfarë s’mund ta plotësojmë, nuk e plotësojmë dot.

Keni përcaktuar ju si mazhorancë një grup negocimi, për t’u ulur konkretisht  në tryezë?

Kryeministri  Rama: Nuk kemi nevojë të përcaktojmë asnjë grup negocimi. Ne jemi gati të ulemi vetë,  ballë për ballë me këdo që paraqitet nga çadra dhe jemi gati të diskutojmë çdo gjë, pa kushte. Por bëhet fjalë për dialog, pra, bëhet fjalë për dy palë dhe ka gjëra që mund të biem në dakord, ka gjëra që s’mund të biem dakord dhe ka gjëra që edhe po të duam të biem dakord, nuk biem dot dakord, sepse i kalojnë përgjegjësitë dhe kompetencat tona. Është kompetencë e popullit shqiptar ta ndajë se kush është në qeveri dhe kush është në opozitë. Nuk është kompetencë e askujt.

Do hyni pa opozitën në zgjedhje?

Kryeministri  Rama: Ne nuk hyjmë në zgjedhje me opozitën apo pa opozitën. Ne hyjmë në zgjedhje si parti, secila bazuar në vendimmarrjen e vet. A do hyjë apo s’do hyjë opozita në zgjedhje, kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni opozitës. Nëse doni mendimin tim, opozita do hyjë në zgjedhje, se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të qenë opozitë. Kështu që unë nuk e kam këtë shqetësim, por është e drejta e tyre të marrin vendim dh të mos hyjnë në zgjedhje. Nuk ka asnjë problem për mua.

E keni mbyllur marrëveshjen me aleatin për koalicionin?

Kryeministri Rama: Më kujtohet që ditën e parë që ne kemi filluar të qeverisim, pyetja është bërë “kur do ndaheni me LSI-në” Përgjigja ime ka qenë dhe mbetet që ju keni të drejtën tuaj të bëni pyetje interesante për të shitur gazeta dhe për të konkurruar me njëri-tjetrin portal më portal e kronikë më kronikë, por ju siguroj se ka një të drejtë më të madhe sesa e drejta juaj dhe e drejta imja, që është e drejta e shqiptarëve që të qeverisen nga ata që kanë zgjedhur. Shqiptarët kanë zgjedhur këtë koalicion dhe do të qeverisen nga ky koalicion.

Z. Kryeministër, pas deklaratës me Zonjën Mogherini mbrëmë, diskutuat për çështjet e rajonit? Cili është  qëndrimi?

Kryeministri Rama:  Sigurisht që kemi diskutuar, por ju e dini që nuk e kam asnjëherë zakon të tregoj çfarë diskutoj për çdo çështje me partnerët tanë. Ky është një zakon i vjetër i paraardhësit tim, ish Kryeministrit, por unë nuk kam zakonet e tij.

Do të mbajë Shqipëria të njëjtin qëndrim në lidhje me shqiptarët?

Kryeministri Rama: Shqipëria është e shqiptarëve dhe Shqipëria mban qëndrime në mbështetje të shqiptarëve, nuk mund të mbajë qëndrime tjera.

Si mund të ulen ata në dialog, kur ju nuk afroni asgjë konkrete deri tani?

Kryeministri Rama: Jo, e keni gabim. Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo kërkese të opozitës që ne mund ta plotësojmë.

Cilat janë këto që ju mund të plotësoni?

Kryeministri Rama:  Duhet të na e thotë opozita se çfarë kërkese ka.

Ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë pa kushte. Nuk i themi opozitës që eja në tryezë, por ti s’duhet të flasësh për këtë, por duhet të flasësh për atë. Opozita, nëse do të ulet në tryezë, mund të fasë me ne për çdo gjë.  Por në tryezë do të themi edhe ne ato që kemi për të thënë, se nuk është se ne vetëm do dëgjojmë. Çfarë është e mundshëm dhe çfarë konvergon në funksion të interesit kombëtar dhe interesit publik do ta bëjmë së bashku. Çfarë nuk është e mundshme, nuk është e mundshme. Ajo që ka rëndësi është që asgjë nuk na pengon dhe nuk kemi nevojë fare madje të takohemi për të zbatuar ligjin e vettingut, nuk kemi nevojë të takohemi për t’i hapur rrugë drejtësisë së re, nuk kemi nevojë të takohemi për të çliruar shqiptarët nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe të inkriminuar, nuk kemi nevojë të takohemi, sepse jemi takuar në korrikun e shkuar dhe kemi votuar bashkërisht që të bëhet vetting-u. Të thuash që dua këtë dhe atë, pastaj dua vetting-un, do të thotë që thjesht të thuash nuk dua vettingun. Dhe të mos duash vetting-un, do të thotë të pengosh zhvillimin e mëtejshëm të vendit me edhe më shumë intensitet, me edhe më shumë rezultate dhe të pengosh patjetër, edhe procesin e integrimit të vendit, por kjo është diçka që është pasojë. Unë nuk hyj tek ata që thonë se opozita është anti shqiptare, është anti europiane, siç na thoshin ne dikur. Opozita ka të drejtën e saj të marrë vendimet e veta. Janë të respektueshme, i kuptoj, nuk i mirëkuptoj, por ata nuk kanë nevojë për mirëkuptimin tim. Në fund fare, populli shqiptar sheh, dëgjon, gjykon dhe vendos.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.