Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Kryeministri Edi Rama në takimin me studentë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”:

 

Shumë faleminderit për ftesën dhe për praninë tuaj!

Po e nis duke ju thënë se i kam dhënë fjalën rektorit gjatë një takimi në Tiranë, për mbështetjen e qeverisë për të kompletuar godinën e Fakultetit Ekonomik. Ia dhashë fjalën sërish, në sy të Ministres së Arsimit dhe të kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe të zëvendësrektorit. Po ia jap për herë të tretë, përpara jush, që fondi për godinën është planifikuar dhe bëhet aktiv së shpejti, pasi javën e ardhshme është mbledhja e komitetit që ndjek gjithë programin e “Rilindjes Urbane” edhe për arsimin. Ministria e ka bërë kërkesën, kështu që rektorit nuk i ngelët gjë tjetër, vetëm të bëjë tenderin. Besoj se në fillim të sezonit të ardhshëm, godina do të jetë në dispozicion të studentëve dhe të pedagogëve.

Sot jemi këtu për të zhvilluar një bashkëbisedim dhe jeni të lutur të bëni çdo pyetje dhe  të shprehni çdo shqetësim që keni, duke u fokusuar tek reforma në arsim dhe tek reforma në drejtësi. Natyrisht, secili është i lirë të pyesë për gjithçka.

Ne kemi ndërmarrë një reformë në arsim, të cilën, e them me bindje të plotë, sikur të  ishte ndërmarrë 20 vite më parë, Shqipëria, sot do të ishte një vend tjetër. Sot nuk do të kishim pasojat dhe plagët e mëdha që hapi një sistem arsimor, i cili ishte vetëm me një korsi, atë të Arsimit të Lartë. Ndërsa korsia e Arsimit Profesional ishte e mbyllur, gjë që solli si rezultat një numër jashtëzakonisht të lartë  të rinjsh dhe të rejash me diploma të pavlera. Një vend si ky i yni, me numrin më të madh të  juristëve  për  kilometër katror në botë, në ndërkohë me një boshllëk katastrofik për ekonominë dhe punësimin për shkak të mungesës së shumë zanateve, nuk mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe nuk mund të garantojë një punësim real të qëndrueshëm. Jo vetëm kaq, por kjo do të thotë një humbje e madhe, në shumë vite, e cilësisë së kapitalit të njerëzor të vendit.

Ju jeni dëshmitarë të faktit sesi në Shqipëri u hapën më shumë universitete për frymë, sesa në Britaninë e Madhe apo Gjermani. Kemi pasur 8 herë më shumë universitete se Britania e Madhe për 1 milionë banorë. Quheshin universitete, por rëndom ishin skema financiare, ku paguhej për të marrë një diplomë dhe jo për të marrë dije. Për faktin se këto universitete ishin të licencuara dhe të garantuara nga shteti, shumë prindër i hodhën në lumë investimet për fëmijët e  tyre dhe shumë të rinj shpenzuan vite dhe energji për t’u futur në radhën e madhe e të papunëve, për shkak se diplomat e tyre nuk kanë asnjë vlerë dhe për shkak se ata nuk kanë asnjë zanat.

Ajo që ne bëmë, nga njëra anë është të disiplinojmë sistemin e arsimit të lartë, duke vendosur disa kushte të reja që garantojnë konkurrencën dhe meritën. Mbyllëm 22 universitete, 18 qysh në fillim dhe 4 të tjerë ishin midis 12 universiteteve që nuk i plotësuan kriteret që në bazë të ligjit, Ministria e Arsimit u kërkoi të plotësonin, duke iu dhënë kohë. Sikundër janë mbyllur një sërë  fakultetesh në universitetin publik. Që në fillim, ne e kemi thënë qartë, nuk ka një arsim të lartë për fëmijët e nënave dhe një arsim të lartë për fëmijët e njerkave. Arsimi i Lartë duhet të jetë njësoj për të gjithë, qofshin në universitetet që financohen nga shteti, qofshin në universitetet që financohen nga privati.

Reforma jonë bën të mundur atë që u pa qartësisht që me nisjen e këtij viti akademik. Pavarësisht se shkon në një universitet publik apo në një universitet privat, kriteret që duhen përmbushur dhe rruga nga duhet shkuar është e njëjtë. Sot është e pamundur që me para, me parti, me mik, me kushërinj të mund t’i dalësh përpara dikujt që e meriton më shumë se ty, vendin në auditorin e universitetit. Qoftë ky publik apo privat. U vendos një dysheme e mesatares 6-të. Ky është viti i parë akademik ku nuk ka asnjë student, në universitet publik apo privat, me mesataren nën 6-të. Nëse  këtu ka studentë të vitit të parë akademik, ata e dinë se janë këtu për plotësisht për meritën e tyre në Maturën Shtetërore, për meritën e tyre në procesin e konkurrencës për të marrë një të drejtë studimi në universitet. Askush nga studentët e vitit të parë nuk ka asnjë arsye t’ia dijë për nder askujt tjetër, përveç vetes dhe prindërve të vet, që sot është pjesë e universitetit . Ky është një ndryshim themelor.

Natyrisht procesi ka nevojë për përmirësime. Kur konceptojmë një reformë dhe e shkruajmë  në letër, përpiqemi t’i marrim parasysh të gjitha, por zbatimi na tregon se ku dhe si duhet të korrektojmë. Në vazhdimësi, eksperienca krijon kushte për përmirësime mbi një bazë që është e shkruar në letër, por që konfrontohet me eksperiencën e realitetit.

Reforma në arsim ka bërë që sot, ne të kemi 27 mijë kërkesa për formim profesional në vit, nga 3 mijë që kishim 3 vjet e gjysmë më parë. Ne flasim me të drejtë për punësimin e të rinjve, por si mund të punësohen më shumë të rinj, nëse mungojnë zanatet. Në rrugën për të hyrë në Tiranë, nga Zogu i Zi deri aty ku ktheheni për të ardhur në Shkodër, në të dyja anët e rrugës ka një prani të madhe kompanish. Ajo që unë ju siguroj është se në çdo derë të atyre godinave ka vende të lira pune. Nuk ka asnjë kompani në atë pjesë të autostradës, që nuk ka një vend të lirë pune. Ka kompani që mund të ketë një, dy  vende të lira pune, ka edhe kompani që kanë 40, 50 vende  të lira. Arsyeja pse këto vende pune mbeten në dispozicion dhe nuk plotësohen është se kërkohen zanate. Aty është një nga kompanitë më të bukura shqiptare të ndriçuesve për rrugët, për mjediset e hapura private. Ajo është ndërtuar e gjitha mbi një eksperiencë inxhinierësh shqiptarë. Aty janë mbi 40 vende të lira pune, pasi kërkojnë elektricistë, axhustatorë, tornitorë, frezatorë, nuk kërkojnë juristë.

Shqipëria është e pasur me naftë, është e pasur me burime hidroenergjetike, është absolutisht një platformë e shkëlqyer zhvillimi për turizmin. Por si shpjegohet që mbas 25 vjetësh, ne nuk kemi njerëz që të punësohen në kompanitë e naftës si inxhinierë apo teknikë të mesëm  dhe kompanitë e naftës që operojnë në Shqipëri i marrin ata nga jashtë?! Si shpjegohet që nuk kemi  njerëz që të punësohen me rroga shumë të mira si teknikë në veprat hidroenergjetike?! Si shpjegohet që kompanitë që merren me shfrytëzimin e minierave, teknikët e mesëm vijnë nga jashtë?!

Sepse nuk u mendua asnjëherë të ndërtohet një sistemi i formimit profesional të lidhur me tregun. Turizmi, aty ku është zhvilluar, nuk është zhvilluar vetëm sepse aty ka pasur det, diell, rërë apo male të bukura. Por është zhvilluar se ka pasur një logjistikë të tërë, të mbështetur nga njerëz të arsimuar për industrinë e mikpritjes. Ne nuk i kemi. Ne kemi pasur shkolla profesionale që ishin strehë për ata, të cilët nuk shkonin dot as tek “Vitrina”. Kjo na ka sjellë në kushtet kur kemi një papunësi të lartë të trashëguar dhe kur duhet të luftojmë çdo ditë, për të shtuar kapacitet, duke rritur cilësinë e krahut të punës. Këtë po bëjmë, por, natyrisht, kjo kërkon kohën e vet.

Reforma në arsim është një reformë që rrit kapacitetet e vendit për t’u zhvilluar më shpejt dhe në mënyrë më të qëndrueshme ekonomikisht dhe për të rritur punësimin. Të gjitha reformat tona çojnë energji të reja për zhvillimin ekonomik dhe social, por është e pamundur që ne të marrim në një kohë të arsyeshme, rezultatet që njerëzit me të drejtë duan dhe patjetër meritojnë, nëse nuk ka një sistem drejtësie që garanton qëndrueshmëri të çdo kontrate midis qytetarit dhe shtetit, nga kontrata më elementare e më jetike, që është kontrata e pronës.

Ne duam  dhe na duhet një ekonomi  që rritet më shpejt. Ne rritemi sot me 3.5 % nga 0 % që rriteshim në 2013-n, por 3.5 % plus i Shqipërisë, nuk është 3.5%, as 2 e as 1% i Gjermanisë. Neve na duhet të shkojmë mbi 5 %, që të marrim një impakt direkt në çdo tryezë familjare dhe në punësim më të lartë.

Që të rritemi 5%, ne duhet të rrisim kapacitetin e injektimit të parasë në ekonomi. Ne bëjmë gjithçka mundemi për të injektuar sa më shumë para në ekonomi dhe në konsum me të ardhurat tona, por sado t’i rrisim të ardhurat, nëse nuk rrisim investimet e brendshme dhe të huaja më shumë sesa sot, ne do e kemi shumë të vështirë që të shkojmë tek 5% rritje ekonomike. Rritja e investimeve të huaja, sidomos në sektorët tanë strategjikë, ku turizmi është sektori më i pazhvilluar nga pikëpamja e logjistikës, ka si kusht themelor qëndrueshmërinë e marrëveshjes bazë të një shteti demokratik, që është marrëveshja e pronës dhe qëndrueshmërinë e kontratave. Atëherë, si mund t’i rrisim më tutje investimet e huaja në turizëm, – investimet e brendshme janë rritur dhe po vazhdojnë të rriten.

Ne kemi nevojë në Shqipëri për disa komplekse turistike me 5 yje. Jo yjet që i vënë vetë shqiptarët, me çekanë dhe me gozhdë dhe që ka plot në Shqipëri. Flasim për 5 yje të certifikuara nga agjencitë që certifikojnë hotelet dhe strukturat e mikpritjes. Por, nëse nuk garantojmë qëndrueshmëri dhe qetësi mbi sipërfaqet e tokës që vëmë në dispozicion, si mundet ta arrijmë këtë!

Kemi kaluar të gjithë ligjet e nevojshme dhe e kemi shumë të thjeshtë legjislacionin. Por ajo që nuk kemi të thjeshtë është marrëdhënia e gjykatave me pronën. Sot, në këtë zonë do kishim në ndërtim e sipër, në mos të përfunduar, një kompleks me 5 yje dhe një marinë. Shqipëria është i vetmi vend në Mesdhe që nuk ka ende një marinë turistike. Ne kemi punuar 2 vjet me një kompani që erdhi me kërkesën për të bërë një kompleks turistik me 5 yje dhe një marinë në zonën poshtë bregdetit këtu, të qarkut të Shkodrës. I vumë në dispozicion kompanisë, një pronë shtetërore, ish repart ushtarak në bregdet, ku nuk ka shkelur këmbë njeriu, deri kur kanë ikur ushtarët me repartin e tyre. Në momentin kur po finalizohej gjithë procesi dhe duhet të hapnim procedurën e firmosjes së kontratës, vjen vendimi i gjykatës dhe publiku e kishte humbur atë pronë. Ishte humbur në mënyrën më të paimagjinueshme, që të duket si një barsoletë, por është vendim i gjykatave të Republikës së Shqipërisë.

Një grup pretendentësh shkojnë në gjykatë dhe paraqiten si trashëgimtarët e një familjeje të njohur, por që me Shkodrën nuk kanë asnjë lidhje dhe kërkojnë 50 ha, saktësisht 49.5 ha. Gjykata iu jep 495 ha. Njësoj si të shkosh në gjykatë për të marr pjesën që të takon tek shtëpia e vjehrrit që vdiq dhe gjykata të të japë shtëpitë e gjithë vjehrrave të lagjes!

Ky nuk është i vetmi rast. Një rast tjetër flagrant është në Vlorë. Shkojnë në gjykatë dhe kërkojnë 22.8 ha dhe gjykata i heq pikën dhe u jep 228. Por një pikë e hequr aty ndryshon gjithë situatën. Pa llogaritur vendime gjykatash të paimagjinueshme, që ti e ke pronën jo afër detit dhe gjykata ta sposton në hartë dhe ta jep afër detit.

Konflikte, mbivendosje, ngatërresa, histori 20 e ca viteve. Për këto arsye nuk është një fjalë goje që na duhet një sistem i ri drejtësie, për të qenë të gjithë të barabartë përpara ligjit. Reforma në drejtësi dhe vettingu, që është sot fjala më e përdorur në gjuhën shqipe këtu në Shqipëri, janë instrument i pazëvendësueshëm për të zhvilluar më tutje ekonominë dhe për të rritur punësimin e drejtpërdrejtë. Mali i Zi është në vendin e parë në listën e vendeve të rajonit për investimet e huaja. Të gjithë diferencën me vendet e tjera e bëjnë 3 investime të mëdha në turizëm, për komplekse me 5 yje dhe një i katërt ka filluar tani së fundmi. Çfarë ndryshimi ka bregdeti i Malit të Zi nga bregdeti ynë?

Përkundrazi, ne kemi një potencial turistik shumë më të madh se Mali i Zi, jo vetëm për shkak të sipërfaqes, por dhe për shkak të shumëllojshmërisë. Ne kemi Adriatikun, kemi edhe Jonin. Kemi bregdetin, kemi edhe Alpet, por kemi edhe zona të tjera me potencial turistik shumë të madh.

Ne kemi 3-4 projekte, që i kemi në rrugë dhe i vetmi problem që i pengon investitorët në fund është garancia e pronës. Edhe aty ku prona është shtet, kanë një shqetësim. Janë investime që sjellin 300-400-500, nëse janë të mëdha edhe 1 miliardë. Por si mund të investojë dikush gjithë këtë pasuri, nëse një ditë të bukur i del Leka dhe Gjoleka atje dhe i thonë “jemi ne pronarë këtu”. Kjo e tregon qartësisht pse ky proces është historik për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Nuk ka lidhje me partitë, sepse gjykatat tona janë një ndërmarrje që shet drejtësi dhe nuk pyesin fare a je i majtë apo i djathtë, je me Partinë Socialiste apo Partinë Demokratike, por “sa ke që të paguash për të drejtën tënde”. Qofsh edhe kriminel, fiton ti, nuk fiton gruaja e përdhunuar, nuk fiton familja e djalit që u vra nga ti, nuk fiton familja që u grabit me forcën e   armës nga ty, nuk fiton sipërmarrësi që ti i ke vajtur me maskë dhe i ke marrë lekët në karburant. Fiton ti, mjafton që ti paguan!

Janë qindra raste, jo vetë në këto 3 vjet, por në këto vite, që kriminelë të arrestuar nga policia, të çuar në gjykatë për vrasje, për përdhunim, për grabitje me armë, janë nxjerrë të lirë në sallë të gjyqit për mungesë pronash dhe pastaj kanë përsëritur po atë krim. Këta gjykatës, kush do t’i thërrasë e t’iu thotë jo vetëm s’mund të jesh më në detyrë, por duhet të shkosh të përgjigjesh tek Prokuroria Speciale, sepse ke shfrytëzuar detyrën kushtetuese, për të marrë në qafë njerëz, për të vjedhur në bashkëpunim, njerëz.

Kush do e bëjë këtë?

Këtë e bën procesi i vettingut. Por pse sot, ne jemi në këtë shqetësim?

Në 21 Korrik të vitit të kaluar, ne votuam ndryshimet kushtetuese, me votat e 140 deputetë. Histori tjetër si erdhën deri këtu, por u votuan. Ka një pikë aty, ku, për herë të parë në 25 vjet, opozita ka gjysmë për gjysmë përgjegjësi dhe të drejtë siç ka shumica në zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve të vetting-ut. Janë 12 anëtarë të shkallës së parë, 6 anëtarë të shkallës së dytë dhe komisioneri publik. Kjo është një “gjykatë” që do të gjykojë gjykatësit. 6 anëtarë i zgjedh shumica, 6 anëtarë i zgjedh opozita, për të filluar këtë proces, për t’i thërritur gjykatësit një nga një e për t’iu thënë provo që pasuria jote, ato 7 shtëpitë që ke, i ke bërë me lekët që ke fituar në mënyrë të ndershme, ose që i ke trashëguar në mënyrë të ligjshme.

Gjykatës me 18 apartamente, që thotë këtë apartamentin ma fali motra, këtë ma fali burri i hallës, këtë ma fali gjyshja e kunatit, ky tjetri më erdhi nga Amerika e ky nga Australia. Kjo histori nuk mund të vazhdojë. Ky gjykatës apo gjykatëse, se në këtë rast është gjykatëse, duhet të provojë së pari, nëse këto apartamente i kanë ardhur nga puna. E dyta, duhet të thotë si e ka marrë këtë vendimin, që nga 22.8 ha e ka bërë 228 ha, pronën e shtetit ia ka dhënë “X” apo “Y”. E treta, duhet të provojë që është i aftë.

Këtë gjë do të bëjë vetting-u.

Për të gjithë ata që nuk e kalojnë testin, vendimi është i qartë, nuk keni më punë me çekiçin në dorë, se jeni shoqërisht të rrezikshëm. Pastaj, ata të shkojnë të punojnë çfarë të duan, apo të shkojnë të përgjigjen përpara ligjit.

Kjo nuk ka asnjë lidhje me partitë. Ku hyn këtu, që një parti ka interes, një parti s’ka interes, një forcë apo një krah e do, një krah s’e do. Unë habitem fare kur thonë që vetting-un e do ky që po liron kriminelët. Kriminelët nëse lirohen, i lirojnë gjykatësit. Vetting-u është që gjykatësit të japin llogari. Llogarinë nuk e japin përpara selisë së Partisë Socialiste, por e japin përpara një komisioni dhe komisioni vëzhgohet nga një ekip ndërkombëtar prokurorësh dhe gjykatësish amerikanë dhe europiane, që nuk e lejon komisionin të çmendet.

Duhet vënë një vijë të qartë ndarëse mes botës së krimit dhe botës së ligjit. Botën e ligjit e përfaqësojnë gjykatësit dhe prokurorët dhe këta njerëz duhet të japin llogari. Kjo është një llogari që jepet para publikut shqiptar. Përfaqësuesit e publikut shqiptarë, të majtë e të djathtë, duhet thjesht të zgjedhin këta njerëz, se po nuk u zgjodhën këta njerëz nuk fillon procesi.

Tani që flasim, unë nuk e di çfarë po ndodh në gjykatën e Shkodrës. Nëse ka njeri këtu që mund të thotë “se në gjykatën e Shkodrës sot nuk po shkelet asnjë e drejte”, le të çohet e ta thotë, por unë mendoj që në gjykatën e Shkodrës, tani që po flasim mund të jetë duke u shkelur një e drejtë, mund të jetë duke u grabitur një pronë, mund të jetë duke u liruar në sallë një grabitës, mund të jetë duke u marrë një e drejtë nga një familje e varfër dhe duke jua dhënë një agai në zonë. Çdo gjë mund të jetë duke ndodhur dhe këto janë gjëra që ndodhin përditë.

Kemi të drejtë, ne të zgjedhurit e këtij populli, majtas e djathtas, që kemi detyrë kushtetuese të votojmë për të ngritur këto komisione, të themi jo, se tani kemi një punë tjetër. Çfarë pune kemi më të rëndësishme sesa të drejtat e njerëzve! Të drejtat që mund të jenë duke u shkelur tani në gjykatat tona. Dhe në darkë, viktimat do shkojnë në shtëpi e do dëgjojnë televizor që na duhet një qeveri teknike. Për çfarë na duhet? Neve na duhet vetting-u sot, se me çdo lloj qeverie, këta që bëjnë janë mbi qeveritë.

Para pak ditësh, një person i kapur dhe i larguar për kontrabandë në doganë, me vendim gjykate duhet të kthehet në punë. Një person tjetër, i kapur me video nga një media me ryshfet në doganë, me vendim gjykatë duhet të kthehet në punë. Po ashtu edhe një i tretë, i kapur, i verifikuar që nuk kontrollonte bagazhet e makinave dhe merrte lekë në këmbim të mos regjistrimit të taksës

Këto janë tre raste, por ka dhjetëra e qindra raste të të larguarve nga shërbimi, nga shteti, për korrupsion, që rikthehen nga gjykata dhe duhet ose të rimerren në punë, ose do vazhdohet t’iu paguhet rroga nga taksat e nga prindërve tuaj. Doganieri që kapet me kontrabandë, deri ditën që është kapur e ka mbushur trastën dhe me atë trastë shkon në gjykatë dhe bën pazarin “më kthe atje ku isha që të zëvendësoj këto që po të jap ty.” Sigurisht dogana thotë nuk e marr në punë dhe pastaj duhet t’i mbajmë me rrogë ata. E dini sa njerëz që janë larguar për korrupsion nga administrata shtetërore apo nga policia mbahen me rrogë sot, në Shqipëri dhe nuk po flasim për të tjerë që mund të kenë kontestime administrative? Gjykatësi e kthen në punë se ai i jep atë gjë, që nuk ia jep shteti, ryshfetin. Po nuk i dhamë fund kësaj, nuk arrijmë dot ta bëjmë Shqipërinë, një vend të denjë për gjeneratën tjetër.

Po të ishin bërë të gjitha këto 20 vjet përpara, ata që sot janë 27 vjeç, të cilët lindën si im bir, ditën kur ra regjimi tjetër, do kishin tjetër perspektivë. Nuk e bëmë.

Reforma nuk është për vitin e ardhshëm, as për 3 vitet e ardhshme, por është për një brez.

A po punohet në drejtim të korrigjimit të problematikave që shfaqen në pranimet në universitete?

Kryeministri Edi Rama: Më ka bërë shumë përshtypje, kur filloi regjistrimi në universitet, që plasi një zhurmë e madhe. Natyrisht është e kuptueshme pjesa e zhurmës që ka të bëjë me ankthin e studentëve apo të prindërve, por mua më ka bërë përshtypje, zhurma e politikanëve. Gjëja që më krijonte më shumë mbresë ishte kur dilnin e thoshin, – këtë e kam dëgjuar nga një politikane shkodrane – “po na i stresoni të rinjtë.”

Ne kemi zgjedhur sistemin demokratik të konkurrencës e të meritës, që stresin e ka jetik për të funksionuar. Konkurrencë pa stres, unë nuk di ku gjendet. Këtu ka shumë pedagogë e pedagoge që universitetin e kanë bërë më përpara, sesa të vinte kjo jeta pa stres e universiteteve për qejf. Mund t’i pyesni pedagogët tuaj, se çfarë pritje dhe ankthit ishte për të marrë të drejtën e studimit, – nuk po flas thjesht për faktin që lidhej me biografinë, por për të gjithë. Çfarë konkurrence ishte për t’ia dalë që të merrje atë mesatare, kur e dije se me atë mesatare mund të shkosh në “X” fakultet, por nuk mund të pretendosh një fakultet tjetër. Të jeni të sigurt, asnjë nga pedagogët këtu nuk ka vajtur në universitet me mesatare 6-të.

Të quhet sot mesatarja 6-të diskriminim për ata me mesatare 5 që nuk shkojnë dot në universitet, është t’i marrësh në qafë ata me 5-së. Ata mund të mos jenë për universitet, por mund të jenë shumë të zotë për zanat, për biznes. Gjermania, që është vendi me stabilitetin më të madh përsa i përket punësimit e që e përballoi më mirë nga gjithë vendet e tjera krizën financiare, arsyen themelore të qëndrueshmërisë ekonomike e ka tek fakti që ka një biznes të vogël, – i vogël për Gjermaninë, kuptohet, – jashtëzakonisht kreativ, jashtëzakonisht produktiv. Baza e kësaj është arsimi profesional. Ka sistemin më fantastik të arsimit profesional. Të shkosh në Gjermani dhe kudo, të bësh arsim profesional, nuk do të thotë që je i dënuar gjithë jetën të jesh elektricist që riparon llambat, por e fillon me një zanat dhe mund të bësh një kompani të vogël shërbimesh në fillim për lagjen tënde, pastaj për qytetin tënd. Të jemi realistë edhe mesatarja 6-të është shumë e ulët, por është një hap i parë.

U kundërshtua  gjithashtu pasja e 10 preferencave. E dini sa e ka Europa? Pa limit. Dëgjoj që thonë ta bëjmë 5 ose 3. Po pse 3, ta bëjmë 7, më mirë 2. Lojë kungulleshkash! Kjo është  shumë e thjeshtë. Në sa më shumë alternativa aplikon, aq më shumë mundësi ke. Nëse aplikon në 3 dhe të tria t’i marrin të tjerë që janë më të mirë se ti, mbetesh pa shkollë. Por nëse aplikon në 10 dhe je kaq i mirë sa i fton të dhjeta, do zgjedhësh 1 dhe do lirosh 9 zgjedhjet   tjera. Procesi sigurisht ka stres. Pjesë e stresit është fakti që është transparent, që ti e sheh në çdo hap dhe stresi rritet. Ndërkohë që kur e di datën e shpalljes së rezultateve, rri me mendje të lehtë dhe pret të vijë data. Ndoshta kjo ka pak stres, por ka më shumë pabesi, sepse nuk ke më mundësi as të kuptosh e as të monitorosh, nëse ta zuri dikush radhë përpara dhe as të ankohesh.

Nuk ka një rast të vetëm që dikush nga ju është këtu dhe dikush tjetër që kishte rezultate më të mira donte të vinte këtu dhe nuk ka ardhur dot. Ata që kanë dashur të vijnë këtu dhe nuk kanë ardhur, kanë pasur rezultat më të dobët se secili nga ju që jeni këtu. Kjo është merita. Nuk kanë mundur t’ju parakalojnë me lekë, se kujt t’ia japin lekët, kompjuterit?! Nuk kanë mundur t’ju parakalojnë me parti, sepse të gjithë ju i keni pasur sytë aty. Nuk kanë mundur t’ju kalojnë as me kushëri. Kështu që nga kjo pikëpamje, sistemi është i drejtë dhe i ndershëm.

A ka mundësi të rregullohet më tej procesi? A ka disa faza që janë ndoshta të gjata dhe duhen bërë më të shkurtra? Ka një ankimim dhe duhen bërë dy? Këto janë çështje teknike. Thelbi është me stres, pa stres, në universitet hynë ata që e meritonin.

Sot, cilësinë e kapitalit njerëzor që ka çdo universitet është më e lartë dhe këtë mund ta dëshmojë çdo rektor dhe dekan. Kjo sepse nuk ka pasur kapërcime përmes faktorëve të jashtëm, por ka vendosur rezultati i bazuar tek kriteret. Dhe fillon nga Matura Shtetërore. Matura Shtetërore, dilje apo jo mirë, nuk kishte lidhje me universitetin. Edhe pjesa që nota 10-të në Shkodër është më e fortë se 10-ta në një gjimnaz në periferi të qarkut, u zgjidh. Pavarësisht se dikush mund marrë 10-ën, me të drejtë apo pa të drejtë, në mes të një mjedisi konkurrues ose jo, tek Matura Shtetërore tregon që 10-ta jote ka një peshë dhe 10-ta e dikujt nga një shkollë më e dobët ka një peshë tjetër dhe rezultati balancohet. Nëse ti dhe ai luftoni për të njëjtin vend, fiton ti, sepse ke peshën e 10-ës tënde që del nga provimi, nuk del nga kalkulimi matematik.

Cilat janë faktorët që anë vështirësuar implementimin e reformës në arsimin e  lartë?

Kryeministri Edi Rama: Është normale, madje do të ishte krejtësisht anormale, nëse një reformë reale nuk do të krijonte debat, kundërshti, rezistencë. Çdo reformë që është reale në fund të fundit është prishje e një status quo-je dhe i ngjan atij zgjimit nga gjumi, kur nuk ke dëshirë të zgjohesh.  Ky është efekti që ka çdo reformë që shkund një sistem, ndaj në reagim nuk është vetëm pjesa e atyre që janë për status quo-në, por ka edhe një pjesë tjetër që thotë se ky sistem duhet ndryshuar, por jo kështu. Të gjithë këta faktorë kanë rolin e tyre edhe pozitiv, sepse, për hir të së vërtetës, ne e kishim objektiv reformën në arsim. Por po të shikojmë konceptin fillestar me produktin përfundimtar, parimet nuk kanë ndryshuar. Ndërsa i gjithë artikulimi dhe gjithë ngrehina ka ndryshuar shumë, për shkak të debateve, konsultave, përfshirjes së shumë njerëzve në këtë proces, që kanë sjellë këtë rezultat dhe dëgjimit të kundërshtive më ekstreme. Është shumë e rëndësishme që t’i dëgjosh për të kuptuar sa je në rrugë të drejtë, për të konfirmuar rrugën e drejtë, apo për të kapur midis rreshtave, elementë që mund të të shërbejnë që ta përmirësosh cilësinë e procesit dhe cilësinë e produktit.

Jam prind i një nxënëseje ekselente, me të gjitha notat 10-ta. Ka mbaruar në Universitetin “Epoka”. Kishte probleme me praktikën e punës dhe i jemi drejtuar zotit Kryeministër për të bërë praktikën. Unë ju falënderoj të dyve, si Kryeministrin, edhe zonjën ministre. Tani vazhdon punën tek Instituti i Ndërtimit. Mua më gëzon fakti i kthimit të përgjigjes, i korrektesës. Ndërsa tek paraardhësi juaj nuk më është dhënë përgjigjja asnjëherë. Tre herë i kam bërë letrat dhe asnjë përgjigje. Duke u nisur nga kjo, besimi na shtohet shumë edhe për reformën në arsim dhe reformën në drejtësi, sepse mbi të gjitha është e drejta njerëzore.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! E vërteta është që unë mundohem t’iu kthej përgjigje të gjithë atyre që më drejtohen personalisht. Në të shumtën e herës, kuptohet që duke parë fushën e interesit, ua përcjell ministrave. Ata e dinë që duhet menjëherë të vihen në kontakt me personin dhe pastaj të mundohen të bëjnë zgjidhje. Ka raste kur kërkesa nuk mund të plotësohet objektivisht dhe njerëzit natyrisht nuk janë të lumtur, kur iu thuhet që kjo nuk mund të plotësohet.

Ajo që më shqetëson mua është se ka raste kur kërkesat, pavarësisht se përpiqem t’i ndjek të gjitha, nuk mund të plotësohen subjektivisht. Kjo është pjesa e rëndë. Përpiqem vazhdimisht t’iu them të gjithë ministrave dhe të tjerëve që një kërkesë e paplotësuar, për arsye subjektive, pra, një e drejtë e mohuar, është shumë më e dëmshme, sesa përfitimi moral nga dhjetë të drejta të vëna në vend.

Edhe në këtë aspekt, ne sot kemi një problem të madh historik, që ka të bëjë me mungesën e një tradite shteti në tërësi dhe me mungesën e një tradite që i jep administratës qëndrueshmëri. Nuk mund të bëjmë shtet, nëse administrata varet nga influenca e partive. Gënjejmë veten. Nuk mund të bëjmë shtet, nëse përkatësia në një parti apo në një tjetër lidhet me mundësinë për të marrë një punë. Administrata është palca e shtyllës kurrizore. Shtylla kurrizore është sistemi i drejtësisë. Të gjitha të tjerat janë absolutisht jetike dhe të domosdoshme. Por, nëse këto të dyja nuk funksionojnë si duhet, të gjitha të tjerat nuk mund të na japim atë që duam. Fatkeqësisht në 25 vjet administrata u shkatërrua totalisht. Humbi çdo lloj sensi dhe kuptimi. Nuk po them që sot është e denjë, ju siguroj. Nëse sot ka njerëz që janë të pakënaqur, ose të inatosur me administratën, unë jam me ta. Jam edhe më inatosur dhe më i pakënaqur se ata.

Janë bërë ndryshime të rëndësishme. Kemi vendosur një shtresë të sipërme të administratës në kornizën e shërbimit civil të republikës dhe aty realisht ka konkurse, realisht ka vështirësi për të hyrë, realisht ka vështirësi të mëdha për ta nxjerrë tjetrin nga puna, etj.. Është vendosur një bazë qëndrueshmërie. Por po të shikojmë ekonominë e vendeve, ajo lidhet drejtpërdrejtë me cilësinë e  arsimit, me sistemin e drejtësisë dhe me cilësinë e administratës. Një vend që investon tek këto të treja, investon në të ardhmen e tij. Një vend që nuk investon seriozisht tek këto të treja, e ka shumë të vështirë atë.

Investimet tona në këto drejtime, sot janë investime tek këto reforma dhe nuk është çështja thjesht financiare. Mund të hedhësh para sa të duash në një sistem arsimor që funksiononte ashtu siç funksiononte deri dje. Shtoji fondet sa të duash, nuk merr gjë mbrapa. Nëse sistemi funksionon mbi bazën e konkurrencës dhe të meritës, atëherë merr mbrapa çdo lek që ti investon për godina, për mësues etj.. Është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo gjë.

Ne kemi një program investimesh në arsim që do të na japë mundësi të rindërtojmë  të gjitha shkollat dhe të fillojmë ndërtimin e 58 shkollave të reja aty ku është identifikuar nevoja për to, edhe në Shkodër, edhe kudo tjetër. Sot, kjo ka shumë më tepër impakt dhe kuptim sepse sistemi i ri ka filluar të vihet në lëvizje. Mësuesit kanë filluar të marrin frymë lirisht. Sot nuk mund ndodhë që një mësues ta heqësh se do ti, sepse janë të gjithë të listuar, të akredituar dhe nuk e lëviz dot apo merr një tjetët mësues thjesht se do ti. Ende ka probleme me kontratat e përkohshme, por sot nuk futesh dot mësues se do partia, por vetën nëse fiton konkursin, sipas pikëve qe ke në portalin “Mësues për Shqipërinë“.

Më vjen keq për të gjithë ju që jeni në vit të parë, në vit të dytë këtu, sepse keni kaluar një periudhë katastrofike me tekstet. Alterteksti i famshëm u kthye në një mundësi për kopjo, përkthe gabim, fute në treg me miqësi, me parti dhe hidhe nëpër shkolla. 15 lloj tekstesh! Në një rrugë, tek shkolla në fillim të rrugës, një tekst thotë e Shqipëria u çlirua në 28 Nëntor. Tek shkolla në mes të rrugës teksti thotë se Shqipëria u çlirua në 29 Nëntor dhe tek shkolla në fund të rrugës thuhet se nuk dihet. Të tre nxënësit janë nga një lagje, lozin futboll në ekipin e lagjes dhe kanë në mendje tre data të ndryshme çlirimi. Ky është vetëm një nga shembujt.

Ne nuk kemi nevojë pse të shpikim rrotën. Ne jemi një vend që synon të shkojë përpara, duke u bërë një vend europian, me  një shtet që funksionon si shtet europian dhe me një kapital njerëzor që është konkurrues në hapësirën europiane. Ne nuk kemi pse i shkruajmë vetë  tekstet e biologjisë, e matematikës, e fizikës. Të gjitha këto tekste, ne i marrim aty ku janë më të mirat, nga “Oxford”, “Cambridge”, “Pearson”. Tre alternativa nga Britania e Madhe, tekste që konsiderohen më të mirat në Europë. Ndërsa ne të shkruajmë gjuhën shqipe, historinë e Shqipërisë, që edhe aty si gjen dy bashkë, gjeografinë, letërsinë shqipe. Të tjerat, si nxënësi në Shkodër, si nxënësi në Malësi të Madhe, si nxënësi dhe nxënësja në Theth i marrin, siç i merr nxënësi në mes  të Londrës, apo në një fshat të Skocisë. Heqim edhe korrupsionin, tekstet i këtij apo atij profesori apo doktori. Prindërit investojnë për fëmijët dhe blejnë libra me vlerë dhe mësuesit ndjehen të qetë. Unë kam pasur disa herë rastin që më duhet t’i shpjegoja tim biri tekstet. Mirë unë që nuk kuptoja, po nuk kuptonte mësuesja. Po të ishte bërë kjo 20 vjet më përpara, sot do të ishim duke bërë biseda të tjera.

Si dekane e Fakultetit të Ekonomisë shpreh falënderimet e të gjithë stafit dhe të studentëve të Fakultetit Ekonomik për lajmin shumë të mirë që na dhatë sot. Fakulteti Ekonomik është një ndër universitetet më të mëdha të Universitetit të Shkodrës. Ka një staf të kualifikuar, ka studentë shumë cilësorë. Vitin e ardhshëm festojmë 25 vjetorin e fakultetit dhe nuk ka më bukur, sesa ta festojmë në godinën e re. Cila është strategjia e qeverisë për punësimin e studentëve që janë diplomuar në arsimin e lartë?

Kryeministri Rama: Ne realisht kemi bërë jo pak për punësimin dhe sot ka realisht një rritje të numrit të të punësuarve. Por ne kemi nevojë për dy gjëra. E para, për më shumë vende pune. E dyta, për më shumë vende pune të paguara më mirë. Në të dyja këto kemi nevojë për të krijuar një kulturë të re lidhur me punën dhe sektorin privat, sepse ka një tendencë që e tregojnë edhe të gjitha anketimet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, që puna në shtet konsiderohet e vetmja punë e denjë. Kurse në privat të konsiderohet skllavëri, lodhje, etj.. Kjo është tipike për pjesën më të madhe. Megjithatë ka dhe një arsye të mirëkuptueshme, sepse jo gjithmonë puna në privat shpërblehet aq sa duhet, ose aq sa është ambicia.

Në të gjitha rastet, për të rritur në mënyrë më të ndjeshme punësimin, na duhen më shumë para në ekonomi. Më shumë para në ekonomi mund të injektojë deri në një kufi të caktuar, qeveria dhe ne do ta bëjmë këtë. Do të injektojmë 1 miliardë plus në 3 vitet e ardhshme, duke i dhënë një shtysë shumë të fortë ekonomisë, përmes veprave në infrastrukturë; infrastrukturë rrugore, infrastrukturë arsimore, infrastrukturë shëndetësore. Por ajo që na duhet është që të sigurojmë injektimin e më shumë parave nga sektori privat, që do të thotë investime të brendshme dhe të huaja në radhë të parë, që krijojnë punësim.

Ka dhe një faktor tjetër që lidhet me sistemin tonë arsimor deri sot. Sistemi ynë arsimor i lartë ka patur edhe një problem tjetër shumë të madh, ka qenë komplet i shkëputur totalisht nga tregu. Degë, të cilat mund të ishin sot një ndihmëse e madhe për ata që i kishin kryer, si gjeologjia, hidrologjia, inxhinieria e naftës, janë rrënuar. Apo edhe degë të tjera që janë shumë të rëndësishme, për të cilat nuk ka vend në treg, por i duhen vendit si matematika. Të fundit në listë nga pikëpamja e formimit kanë qenë ata që shkonin për t’u bërë mësues. Ata që duhet t’ja mësonin të tjerëve dhe krijuam atdheun e juristëve. Juristët i keni çdo 100 metra. Merrni taksi, shkoni në restorant, të gjithë i keni juristë. Një ditë, një kamarier më tha të bënim një fotografi dhe më kërkoi t’i gjenim një punë. E pyes çfarë shkolle ke bërë dhe më tha “jurist si gjithë të tjerët”. U bëmë një popull juristësh, me sistemin gjyqësor më skandaloz të planetit.

Ne po bëjmë reformën, do bëjmë vetting-un, por a kemi ne sot kapacitete morale dhe profesionale në sistem që të mund ta bëjnë, se në fund të ditës, sistemin do ta bëjmë që ta administrojnë dhe punojnë njerëzit. A kemi ne prokurorë dhe gjykatës që janë të gatshëm sot që t’i japin një drejtim tjetër, pallatit të drejtësisë, në kuptimin si trajton njerëzit dhe si trajton çështjet? Disa herë e kam ndeshur këtë. Ndoshta ka ardhur si rezultat i faktit që duke folur vazhdimisht vetëm për pjesën kriminale të të inkriminuarit të sistemit, në një farë mënyre kemi bërë atë që bëjnë edhe për ne, kur thonë “të gjithë janë njësoj”.

Në fakt nuk është kështu. Askund, në asnjë fushë nuk janë të gjithë njësoj! Edhe në sistemin e drejtësisë janë kapacitetet. Por, nëse këtu do të ishin 3 veta që do të bënin zhurmë, ne nuk do të bënim dot takim. Nëse. në një klasë dominojnë ngelësat, ata që janë me 10-ta demotivohen, mësuesit demotivohen. E njëjta gjë  vlen edhe për sistemin e drejtësisë. Prania, influenca, forca e elementëve të inkriminuar e ka rrudhur çdo person dhe gjithë atë pjesë të sistemit që mund të funksiononte normalisht. Njësojë si kanceri merr peng gjithë organizmin dhe që duhet operuar e hequr përpara se ta vdesë organizmin. Po nuk e hoqe, nuk funksionon as zemra, aas truri, as syri, snjë organ tjetër, ashtu siç duhet. Por jo të gjitha janë pjesë e problemit. Duhet hequr pjesa e problemit, që të fillojë të energjizohet i gjithë organizmi.

Shpresoj që pedagogët, mësuesit këtu dhe në gjithë Shqipërinë, të cilët kishin që në 2005 pa iu rritur rroga, të jenë të kënaqur që kemi hyrë në muajin e rritjes së pagës. Kështu që ju studentët duhet të kërkoni më shumë prej tyre, se tani paguhen më mirë dhe mbajini më shumë në presion.

Për ta mbyllur këtë argument, mora vesh se këtu studiojnë 300 juristë të ardhshëm në vit të parë. Ju nuk jeni të pashpresë, se do hapen shumë vende pune me vetting-un, por është e rëndësishme që të studioni mirë dhe të fitoni magjistraturën, se pa të nuk bëheni më as gjykatës e as prokurorë. Natyrisht mund të jeni konsulentë juridikë nëpër kompani, në shtet, por kjo është çështje tjetër.

Është gjithmonë diçka që duhet mbajtur parasysh, nuk e korruptojnë njerëzit një sistem, por sistemi korrupton njerëzit. Nëse do që të luftosh korrupsionin, është shumë e rëndësishëm frika nga drejtësia, por edhe mënyra si është i ndërtuar sistemi. Jam i bindur që ata prokurorë dhe gjykatës që nuk kanë bërë krime dhe që do ta kalojnë vetting-un janë absolutisht në gjendje që të na japin në një kohë të shkurtër, shenjat e para të funksionimit të një sistemi të ri drejtësie, ku do kërkohen e do duhen vite për të bërë një sistem deri në fund solid. Por kurajo për të bërë krime ditën për diell, siç ka ndodhur 25 vjet, nuk do ekzistojë më. Ashtu sikundër kurajo për t’ia marrë njërit të drejtën, për t’ia dhënë tjetrit, thjesht dhe vetëm për shkak të ryshfetit, nuk do ekzistojë më.

Kur them sistemi, po ju jap një shembull shumë të thjeshte. Asnjë shqiptar, sado trim, nuk e imagjinon në Gjermani të dalë nga shtëpia dhe t’i japi makinës pa rripin e sigurimit. I njëjti shqiptar kur zbret nga anija në Durrës, gjëja e parë që bën, është heq rripin dhe thotë “atdhe i dashur, mirë se të gjeta!”

Po ashtu hipoteka është një problem i madh, sot e gjithë ditën. Merrni 10 veta nga hipoteka në Shkodër dhe çojini në hipotekën në Gjermani. As do t’u shkojë mendja se mund të kërkojnë lekë. Pasi mënyra si është i ndërtuar sistemi, nëse ata do kërkonin lekë, do i çonin në spital psikiatrik atje, jo në burg. Ndërkohë, merrni 10 gjermanë e sillini në hipotekë në Shkodër. 40 ditë thotë Krishti është rezitenca. Brenda 40 ditësh i keni të gjithë më katolikë se Papa. Që do të thotë se kemi një problem me korrupsionin në hipoteka, duhet të ndryshojmë sistemin. Por sistemin do e ndryshojmë në radhë të parë, duke i vënë në dispozicion njerëzve një bazë të përbashkët gjykimi. Këtu ndodh që njëri ka një hartë, tjetri ka një hartë tjetër dhe dikush tjetër ka një hartë të tretë dhe të tre kanë nga një vendim gjyqi dhe të tre kërkojnë të njëjtën pronë. Atëherë, ky është bulevard për korrupsionin. Kam parë një vendim të tillë gjykatë. Një familje në fshatrat e Tiranës shkon për të marrë pronën. Harta e madhe, e përdorur një milionë herë, nga palosja e keni parë si letra krijon vrima dhe atij i kishte rënë prona pikërisht në vrimë. Vendimi i gjykatës thotë “gjykata nuk merr dot vendim, sepse prona është në vrimë.” Ajo vrima aty në hartë, në të vërtetë është 10 hektarë. Nëse familja kërkuese do kishte lekë për të mbyllur vrimën, do ishte bërë pronare.

Ndërtimi i gjithë sistemit dixhital, që ne po bëjmë, fotografimi ajror i të gjithë situatës aktuale të të gjithë pronave në Shqipëria, pastaj vendosja e tyre në një kadastër dixhitale, do zgjidhi këtë çështje. Dikush në Lezhë e kishte shtëpinë 30 metra nga rruga. Donte të riparonte çatinë, por nuk jepte njeri leje se i thoshin ke ndërtuar në rrugë. Po të shihje hartën, shtëpia e tij ishte mu në mes të rrugës. Kishte 30 metra gabim në matje. Të gjithë gjeoreferencat do të bëjnë që prona e gjithsecilit të jetë aty ku është. Madje shumë vende e kanë marrjen e titullit në hipotekë, online. Siç ndodh me pagesat e energjisë elektrike. Sot nuk ka nevojë që të shkosh në radhë, mund ta paguash me telefon, me kompjuter. Kjo bën që të mos ketë kontakt mes personit që do shërbimin dhe atij që jep shërbimin, duke i hequr mundësinë atij që jep shërbim të kërkojë lekë. Kjo gjë besoj do të vlejë edhe për sistemin e drejtësisë.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.