Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Takim i hapur i Kryeministrit me studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan: 

 

Shumë faleminderit për ftesën!

Prej disa kohësh kisha kërkesën që të vija këtu në këtë universitet dhe më vjen shumë mirë, në radhë të parë, që nga procesi i akreditimit dhe skanimi i bërë prej Agjencisë britanike të Sigurimit të Cilësisë, universiteti juaj e ka kaluar klasën.

Është një lajm vërtetë pozitiv.

Besoj që të gjitha detyrat e lëna nga agjencia do të plotësohen. Sikundër, ne do të bashkëpunojmë me universitetin dhe do të sigurojmë mbështetjen për të garantuar ndërtimin e një godine të re për Fakultetin e Shkencave Humane, që është një nevojë e rëndësishme e universitetit. Nuk e teproj po të themi që e nesërmja e këtij universiteti do të jetë më e mirë sesa e sotmja.

Ne kemi ndërmarrë një reformë të Arsimit të Lartë dhe të Kërkimit Shkencor, që po të ishte ndërmarrë 20 vjet më parë, sot do të ishim duke diskutuar për gjëra krejt të tjera. Pasojat e rënda të mos reformimit real të sistemit nuk do të kishin kushtëzuar, siç kushtëzojnë sot, zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, me boshllëqe të konsiderueshme përsa i përket kapitalit tonë njerëzor.

E ndërmorën reformën e Arsimit të Lartë në kushtet kur gjendeshim në një situatë realisht shumë qesharake, me numrin më të madh të universiteteve për frymë në Europë; Tetë herë më shumë universitete për frymë sesa Britania e Madhe.

Në 20 vite u hartuan 7 Strategji Kombëtare. Një Strategji Kombëtare është minimalisht 10-vjecare. Parafytyroni një vend që në 20 vjet harton 7 Strategji Kombëtare! Një vend ku brenda së njëjtës mazhorancë, brenda të njëjtit mandat, ndërrohen dy ministra arsimi dhe kanë dy Strategji Kombëtare të ndryshme!

Pasoja e gjithë këtij kaosi dhe kësaj mungese të madhe vullneti, përveçse vizioni për të reformuar sistemin, na çuan në vitin 2013 të kemi 59 institucione publike të arsimit të lartë, nga të cilat, 15 publike në kuptimin e financimit të shtetit dhe 44 private.

Ky fakt, që është përtej çdo imagjinate dhe arsyeje, na shtyu në një operacion jashtëzakonisht të vështirë, por të domosdoshëm, si të gjitha operacionet e reformave të vonuara. U detyruam të mbyllim 18 universitete private dhe për 12 të tjera u vendosën sipas ligjit, kushte për plotësimin e të gjitha kritereve për të qenë të hapura. 4 prej tyre u mbyllën, pasi nuk arritën dot t’i plotësonin këto kushte.

Pra, 22 institucione që për vite me radhë thithën para pafund nga investimet e prindërve për t’iu dhënë fëmijëve një të ardhme të sigurt. Por thithën pafund edhe energji vajzash e djemsh, të cilët hynë në ato institucione me idenë se do të merrnin një diplomë dhe mbetën njësoj siç mbetën qytetarët që investuan në piramidat financiare, ku në pamje të parë dukej fort e lehtë të dilje i fituar. Por, në fund, plagët që u hapën ishin të thella dhe të rënda, jo vetëm për familjet që humbën kursimet e tyre, por edhe për ekonominë kombëtare.

Plagët e kësaj historie të dhimbshme të arsimit të lartë nuk janë vetëm plagë për familjet që investuan në këto piramida, por edhe plagë për ekonominë tonë kombëtare. Kemi humbur kapitale të çmuara njerëzore në një proces katastrofik kaosi dhe korrupsioni.

Reforma e Arsimit të Lartë është një reformë e thellë dhe do të kërkojë kohë, për të dhënë rezultatet e veta të qëndrueshme në ekonominë e vendit, përveçse në rritjen e cilësisë së administrimit të kapitalit tonë njerëzor. Por qysh në këtë vit akademik, që nisi me të tjera kritere dhe me një proces tërësisht të ndryshëm nga më parë, shihet qartë se ka përmirësim të ndjeshëm të cilësisë, pasi rruga e konkurrencës nuk kushtëzohet nga paraja, nga partia, nga miku apo kushëriri. Askush që ka më pak pikë nuk i del dot përpara dikujt me më shumë pikë në kërkesën për të shkuar në një fakultet apo në një fakultet tjetër.

Ky është rezultati i parë, shumë domethënës, i kësaj reforme, i cili do të pasohet nga të tjera rezultate. Të gjitha këto rezultate bashkë do të kenë një ndikim të fortë, në dekadën e ardhshme, në rritjen e cilësisë së kapitalit njerëzor dhe në impaktin këtij kapitali njerëzor në ekonominë e vendit. Nuk mund të vazhdonim të ishim vendi me numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në botë, ndërkohë që duhet të kërkosh me qindra kilometra për të gjetur një elektricist, një hidraulik apo një teknolog në çfarëdo fushe.

Edhe në këtë aspekt kemi bërë gjënë e duhur, duke hapur seriozisht rrugën e arsimit profesional për të gjithë ata që nuk kanë mundësi, apo nuk duan të shkojnë në universitet, por duan të ndjekin rrugën e zanatit. Një rrugë që nuk është thjesht rruga për një vend pune përmes zanatit, por është edhe rruga për të hyrë në botën e sipërmarrjes së vogël e pastaj të mesme dhe pse jo, edhe të madhe.

Nëse Gjermania është vendi që e përballoi më mirë se të gjitha vendet e tjera krizën financiare dhe nga pikëpamja e punësimit nuk humbi asnjë vend pune, kjo vjen si rezultat se ekonomia gjermane është shumë e bazuar tek arsimi profesional dhe tek profesionet, në tërësi. Është shumë me rëndësi të kuptohet se ndërmarrjet e vogla në Gjermani, – të vogla për Gjermaninë, por që janë biznese të konsoliduara dhe të konsiderueshme, – në pjesën më të madhe të tyre janë themeluar apo janë administruar dhe administrohen nga individë që kanë mbaruar arsimin profesional. Kjo është fare e natyrshme, sepse janë njerëz që vijnë nga rruga e një zanati dhe hyjnë në ekonominë shërbimeve, duke krijuar ekonomi të vogla, të cilat zgjerohen dhe forcohen në funksion të dhënieve të shërbimeve, por duke krijuar dhe shumë punësim.

Po ashtu, Matura Shtetërore, nga një formalitet korruptiv masiv dhe një proces kopjesh e historish qesharake për një shtet që synon të bëhet anëtar i BE-së, është kthyer në një proces ku administrimi është larg përfitimeve politike, larg korrupsionit dhe fiktivitetit, me një model standard dhe të unifikuar cilësie.

Si kjo reformë, edhe reformat e tjera janë reforma që vërtet ndryshojnë thelbësisht mënyrën e organizmit dhe funksionimit të sektorëve, por të gjitha së bashku janë të mangëta, apo nuk na e japin dot atë që kërkojmë prej zbatimit të tyre, nëse funksionimi i shtetit nuk vihet mbi bazën e një sistemi drejtësie funksional dhe të barabartë me të gjithë.

Prandaj Reforma në Drejtësi është reforma e reformave, është ylli polar në rrugën tonë për të bërë shtet. Në fund fare, të gjitha problematikat dhe kontestimet e natyrshme brenda përbrenda marrëdhënieve tona shoqërore, apo  marrëdhënieve të individëve jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me shtetin, apo të shtetit me individët, përplasen në gjykatë. Janë gjykatat ato që mbajnë një shtet në drejtpeshimin e duhur dhe i japin mundësi individit që të nxjerrë më të mirën nga vetja, i papenguar nga padrejtësitë dhe arbitrariteti që lulëzojnë në mungesë të një sistemi të një drejtësie të drejtë.

Reforma në Drejtësi është një reformë që këtë herë synon të përmbysë sistemin.

Reforma janë bërë vazhdimisht në Shqipëri, por janë quajtur të tilla. Në fakt kanë qenë arnime të sistemit të trashëguar, duke krijuar në çdo sektor sisteme hibride jo funksionale dhe duke bërë që Shqipëria të vazhdojë në rrugën e tranzicionit demokratik, ku peshën kryesore e kanë mbajtur individët; Ata që kanë çuar kursimet e tyre nga emigracioni; Ata që kanë ndërtuar me leje e pa leje, – por kjo është histori tjetër. Nëse heqim nga zërat e ekonomisë shqiptare të 20 e ca viteve kursimet e emigracionit dhe efektin e ndërtimtarisë në ekonomi, do të shikojmë se pjesa tjetër është absolutisht e pamjaftueshme për të mbajtur në këmbë vendin, shoqërinë, shtetin.

Ajo që bën një sistem drejtësie solid është se krijon kushte që të ketë konkurrencë në të gjithë aspektet, të ketë stabilitet të marrëdhënieve të pronës, ku të mund të ndërtohet përmes konkurrencës, një ekonomi shumë më e fortë, me një punësim shumë më të qëndrueshëm. Ajo që bën një sistem drejtësie të drejtë është që të ketë një marrëdhënie krejt tjetër mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve dhe anasjelltas, që të ketë një raport krejt tjetër mes pushtetit të qytetarëve dhe pushtetit të deleguar nga qytetarët tek ata që i përfaqësojnë në Parlament, në qeveri, apo në të gjitha institucionet kushtetuese.

Në këtë aspekt besoj se nuk ka asgjë më të rëndësishme, sesa çuarja përpara e kësaj reforme dhe nuk ka asgjë më të pajustifikueshme sesa vonesa, qoftë dhe një ditë, në zbatimin e saj.

Kush është hapi, i domosdoshëm sot, për të filluar një proces që na jep mundësinë të ndërtojmë një sistem të ri drejtësie?

Vetting-u i prokurorëve dhe gjykatësve!

Vetting-u për të ndarë gjykatësit dhe prokurorët që i kanë të gjitha mundësitë dhe kapacitetet morale, profesionale, qytetare për të shërbyer në funksion të një drejtësie të drejtë, me gjykatësit dhe prokurorët që nuk mund të rrinë asnjë minutë më tepër në pallatin e drejtësisë shqiptare, por duhet të shkojnë të përgjigjen para ligjit.

“Një mollë e kalbur kalb gjithë shportën”, – thotë populli.

Ju siguroj që në sistemin tonë të drejtësisë ka padiskutim personalitete, ka padiskutim kapacitete, por të gjitha këto janë krejtësisht të pafuqishme dhe madje të asfiksuara, për shkak se pushtetin në sistemin e drejtësisë e kanë kriminelët. Unë nuk di si ta quaj ndryshe një gjykatës apo një prokuror që vepron në emër të popullit dhe të Kushtetutës, për të mbrojtur interesat e krimit dhe të kriminelëve!

Pse nuk ka asnjë sekondë për të humbur?

Për faktin e thjeshtë se askush nuk garanton dot se në momentin që ne po flasim, nuk është duke u bërë një “krim” në një gjykatë të vendit, nuk është duke u bërë një padrejtësi ndaj atyre që kërkojnë drejtësi dhe një favor ndaj atyre që, përmes padrejtësisë së gjykatës, i ikin drejtësisë. Janë disa qindra, rastet e personave të arrestuar nga policia për vrasje, për përdhunim, për grabitje me dhunë, të cilët janë liruar në sallë nga gjykatësit. Pasi gjykatësit i kanë liruar, këta persona janë bërë përsëritës të të njëjtave krime, kanë vrarë përsëri, kanë përdhunuar përsëri, kanë grabitur me dhunë përsëri.

Ja sesi gjykatësit, për arsye që nuk kanë lidhje me Kushtetutën dhe ligjin, por që kanë lidhje me marrëdhënien e afërt, me lidhjen e ngushtë me këta kriminelë, janë bërë bashkautorë në krimet e tjera. Kush na garanton se sot që flasim, një vrasës nuk është duke dalë nga salla e gjyqit i lirë; Një përdhunues nuk është duke marrë duartrokitjet e njerëzve që shkojnë atje për ta nxjerrë nga salla të lirë; Një grabitës me dhunë nuk është duke ia bërë me dorë “Mirupafshim!” prokurorit, sepse gjykatësi thotë se nuk ka prova për ta dënuar.

Askush nuk na e garanton dot këtë.

Ky është vetëm një aspekt. Mund të flasim edhe për aspektin tjetër, atë të pronave. Edhe këtu në këtë qytet, mjafton të shikojmë problemet që kanë komunitetet fetare me pronat dhe sesi vendime gjykatash, krejtësisht arbitrare, zhveshin nga e drejta e pronës komunitetet fetare, për të kuptuar se kjo është një histori që nuk mund të vazhdojë dot më tutje.

Me shumë të drejtë, të gjithë kërkojmë një ekonomi shumë më të aftë, për të krijuar më shumë punësim. Nga një ekonomi që tkurrej e rritej vetëm midis 0-1% në vitin 2013, sot kemi një ekonomi që rritet me 3.5%. Por kjo nuk mjafton.

Kemi nevojë për shumë më tepër investime që krijojnë punësim. Në radhë të parë në turizëm. Por problemi themelor që ndeshim dhe që për investitorët e mëdhenj në turizëm përbën shtytjen mbrapsht në sekondë, është problemi i paqëndrueshmërisë së pronës dhe i paparashikueshmërisë së gjykatave.

Përpara pak më shume se dy viteve, ne filluam të punojmë mbi bazën e legjislacionit shqiptar, për të krijuar mundësitë për një investim të madh për një kompleks me 5 yje dhe një marinë. Shqipëria është i vetmi vend në Mesdhe që nuk  ka ende asnjë marinë turistike.  Me një investitor shumë serioz, bazuar në kërkesën e tij filloi bashkëpunimi mbi një truall shtet, ish repart ushtarak që kishte dalë nga lista e aseteve të ushtrisë si i domosdoshëm për ushtrinë. Dy vjet u bënë diskutime, u bë projekti, investitori solli gjitha garancitë e financimit e me radhë. Në momentin kur duhej të firmosej kontrata, marrëveshja për të vazhduar pastaj, sipas procesit ligjor, për të finalizuar kontratën, vjen vendimi i gjykatës. Një nga vendimet më spektakolare, që edhe në film ta shikosh, do thuash regjisori bashkë me skenaristin e kanë ekzagjeruar, se s’ka mundësi.

Siç ndodh zakonisht, disa pretendentë si pasardhës të një familjeje të vjetër shkojnë në gjykatë për të marrë një pronë ku kurrë më parë nuk ka pasur as jetë dhe as kullotë. Ata kërkojnë 50 hektarë dhe gjykata iu jep 500 hektarë. Është si të shkosh të gjykatë për t’u ndarë nga burri dhe të të japin 5 burra, kur del nga gjykata. Apo të shkosh në gjykatë të kërkosh të ndash pronën me prindërit dhe të japin të edhe 5 shtëpi të komshinjve.

Nga vjen kjo çmenduri zemërgjerë?

Shumë e thjeshtë! Nga fakti që shteti, nga gjykata trajtohet si mall pa zot. Në momentin kur gjykatësve iu është shfaqur kjo mundësi, është e natyrshme logjika, si ka mundësi që tjetri kërkon 50 dhe këta i japin 500!  Se u kanë thënë, marrim 500, edhe ti merr më shumë se 50, edhe ne marrim pjesën tonë dhe të bëhemi të gjithë turistë te prona e shtetit.

A mund të rrinë më në sistem këta gjykatës?

Këta gjykatës duhet të ikin nga sistemi. Këta gjykatës mund të ikin nga sistemi jo se duam ne, jo se vendos qeveria, as se bëjnë gjëma kaq të mëdha, sa mjafton që populli të thotë “këta duhet të shkojnë në burg”. Por se sistemi e kërkon këtë gjë. Bazuar në ndryshimet kushtetuese që kemi bërë, ata të gjithë duhet t’i nënshtrohen vetting-ut, që është skanimi i pasurisë së tyre. Duhet të provojnë se pasuria e tyre është vënë me mundin e punës, apo me të ardhura nga trashëgimi të ligjshme, si dhe duhet të skanohet e gjithë veprimtaria e tyre.

Një gjykatës që merr një vendim të tillë nuk ka shans që të mund të pretendojë se është një gjykatës i drejtë, me integritet dhe i zoti. Nëse nuk bëjmë veting-un dhe nëse nuk ka një ndarje që në fillim, të atyre që janë persona me integritet dhe të aftë profesionalisht, të cilët mund të strehohen dhe të punojnë në pallatin e ri të drejtësisë, – siç e parashikon sistemi, jo si ndërtesë, po si strukturë, – por të gjithë të kalojnë nga godina e vjetër që duhet shembur me themel, tek godina e re, atëherë nuk kemi bërë asgjë.

Besoj se më mirë se një leksion, -përveç të tjerave, unë nuk dua ta bëj se këtu ka gjithë këta pedagogë dhe pedagoge dhe jam i bindur që, edhe pse unë kam qenë një ndër këta, prej shumë vitesh kam humbur aftësinë për të qënë konkurrent me ta, – është një bashkëbisedim, edhe për të dëgjuar.

Me vjen keq që ishin disa studentë aty jashtë, që mund të kishin ardhur dhe të diskutonim këtu për çfarë i shtynë ata që të rrinë jashtë. Një grusht i vogël, me disa parulla që nuk pata as mundësinë t’i lexoja. Por rëndësi ka që secili mund ta bëjë lirisht çdo pyetje, çdo kërkesë dhe me sa unë kam mundësi të përgjigjem, do përgjigjem. Duke qenë se nuk i di të gjitha dhe s’ka sesi t’i di të gjitha, kam marrë edhe përforcime, kryetarin e Komisionit parlamentar të Reformës në Drejtësi, i cili ka udhëhequr një proces shumë kompleks, për të shkuar deri tek shkrimi i drafteve të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore dhe ministren e Arsimit, të cilën unë e çmoj shumë, sepse ka një meritë, në këndvështrimit tim, shumë të madhe. Ministrja vjen nga një karriere në arsim si mësuese, si drejtoreshë e një shkolle të mesme dhe si ministre Arsimi ka qenë e aftë të tregojë se një grua me një karrierë si “zyshë” është shumë më e zonja për të bërë ministrin e Arsimit, sesa një karvan burrash me doktoratura, “profesoratura” e “tututura” të tjera, që e bënë arsimin shqiptar një shesh ku secili erdhi, bëri dhe hëngri përshesh dhe iku.

Ne që jemi këtu, por dhe i gjithë opinioni publik shqiptar ishte dëshmitar i atij votimi që u bë më 22 korrik për reformën në drejtësi, një votim unanim nga 140 deputetët. Në distancë pak muaj shikojmë që mazhoranca dhe opozita janë të ndara kur flasim për implementimin e reformës në drejtësi, ajo që kërkohet nga të gjithë shqiptarët. Pse ndodh kjo zoti Kryeministër?

Kryeministri Edi Rama: Unë mund të flas për pjesën tonë. Nuk është një ndarje mes shumicës e pakicës në Parlament, apo mazhorancës dhe opozitës politike, por një ndarje me shumicën në Parlament, partnerëve ndërkombëtarë që janë 100% në të njëjtën linjë me qëndrimin e shumicës dhe mbi 90% të qytetarëve të këtij vendi, që mbrojnë bindjen se reforma në drejtësi është një reformë për të bërë shtet. Shteti nuk është as i socialistëve dhe as i demokratëve, por është i të gjithëve bashkë.

Shqipëria, pa zbatuar këtë reformë, jo thjesht nuk mund të vazhdojë procesin e integrimit europian, por nuk mund të bëhet një shtet modern dhe funksional. Unë nuk dua të përsëris atë këngën që “po pengoni integrimin”, se duket sikur thua “po pengoni udhëtimin”. Integrimi europian, për mua, nuk është udhëtim për të shkuar diku dhe nuk është një proces për t’u dukur bukur, apo për t’u dukur mirë në Bruksel, apo përpara partnerëve tanë ndërkombëtarë. Është një proces për ne, për familjet tona, për fëmijët tanë.

Nëse shikojmë çfarë morën ata që lindën në vitin 1990 dhe sot janë 26-27 vjeç, nga gjithë ky proces tranzicioni, krahasuar me aspiratën tonë, nuk kemi shumë arsye për të qenë pozitivë, për të mos thënë që është një gjeneratë, e cila e pagoi shumë shtrenjtë tranzicionin. Nëse ne nuk i bëjmë këto reforma dhe nëse ne nuk e ndryshojmë sistemin e drejtësisë me themel, edhe ata që sot lindin, do të paguajnë shumë shtrenjtë pasojat e çdo vonese.

Kjo nuk është një reformë, si edhe të gjithë reformat tona, e qeverisë për një palë. Janë reforma për një gjeneratë. Të thuash që “ne nuk e votojmë ngritjen e komisionit të vetting-ut”, pra, “ne nuk e lejojmë fillimin e funksionimit të një sistemi të ri, pastrimin nga pallati i drejtësisë të këtyre mbetjeve të rrezikshme të 20 e ca viteve”, do të thotë të bëhesh mburojë e interesave që gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar përfaqësojnë dhe mbrojnë. Përveçse do të thotë, të kesh frikë nga një drejtësi e drejtë.

Keni dëgjuar, besoj, të thonë “merrni shembull nga populli rumun”. Absurdi është që në Rumani populli doli në shesh, sepse qeveria mori një vendim për të penguar zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Këtu, qeveria i përgjigjet dhe e udhëheq aspiratën e popullit për një reformë në drejtësi dhe opozita del në shesh për të mbrojtur gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Është njësoj si të dalësh në shesh dhe të thuash “popull çohu, më mbro mua, se diçka po më gjen!”

Ajo që ne shohim, është vetëm njëra pjesë e asaj që ndodh. Pjesa tjetër është që këto reforma dhe reforma në drejtësi prekin interesa shumë të forta. Kërcënojnë këputjen e lidhjeve shumë të forta, që prodhojnë përfitime të mëdha dhe jo të ligjshme, jo vetëm financiare, por edhe të tjera. Arsye tjetër unë nuk shoh.

Kemi qenë edhe ne në opozitë dhe jo përpara 100 vjetësh, por para pak vitesh. Kemi bërë edhe ne protesta. Por ne kemi protestuar për të pasur mundësi të ulemi në tavolinë, për të zgjidhur një çështje. Nuk jemi çuar nga tavolina, të ikim me vrap e të protestojmë, ndërkohë që në tavolinë është çështja që na intereson. Kjo është, besoj, përgjigja që e kuptojnë që të gjithë.

Pa llogaritur pjesën taktike, zgjedhjet. Përpjekja për të ndërtuar një alibi për rezultatin etj..

Strategjikisht, kjo është gjëja më problematike që na duhet të votojmë një orë e më parë, ngritjen e komisionit të vetting-ut. Është shumë e thjeshtë për opozitën, që të heqë çdo përshtypje apo çdo hije nga vetja, ta votojë ngritjen e komisionit të vetting-ut. Pastaj do që të bojkotojë parlamentin, do që të rrijë në rrugë, është e drejta e saj. Unë nuk hyj tek ata që thonë se bojkoti është veprimtari armiqësore. Bojkoti është një zgjedhje demokratike, për sa kohë ai përbën largimin nga parlamenti për të protestuar në mënyrë paqësore diku tjetër. Problemi është tek bojkoti pikërisht tani, kur opozita duhet të jetë atje për të zbatuar Kushtetutën, ku mori atë që asnjë opozitë në 25 vjet nuk e ka marrë, 50% të përgjegjësisë. 50% e trupës së komisionit të vetting-ut në nivelin e parë dhe të komisionit të Apelit në nivelin e dytë i zgjedh maxhoranca, 50% i zgjedh opozita. Nëse opozita nuk vjen, praktikisht e bllokon procesin dhe me bllokimin e procesit, gjykatësit vazhdojnë me çekiç në dorë t’iu bien ballit njerëzve, të cilët janë të pafuqishëm për ta blerë drejtësinë, apo që nuk japin dot “ofertën” më të mirë, pavarësisht se mund të kenë të drejtë.

Çfarë mendoni se po e pengon, apo po e ngadalëson reformën në arsim?

Kryeministri Edi Rama: Mendoj se nuk po e pengon asgjë. Nuk është aspak e panatyrshme që reformat të kenë kundërshti, rezistencë, debat. Për sa kohë janë reforma të vërteta, ato prekin interesa, prishin status quo-në. Prishja e status quo-së krijon edhe nervozizëm, tension. Një situatë si të të zgjojnë nga gjumi, kur nuk e ke në plan të zgjohesh. Nuk besoj se ndonjë nga ju, kur e zgjojnë prindërit nga gjumi, në një kohë që ai do të flejë, zgjohet dhe thotë “Faleminderit që më zgjove!” Edhe reformat këtë efekt kanë. Kështu që është normale të ketë debat, aq më tepër që është një proces dhe procesi gjatë zbatimit na mëson gjëra të reja dhe na tregon që diçka duhet ta kishim parë në një mënyrë tjetër, diçka tjetër mund ta korrektojmë në një mënyrë të caktuar.

Reforma nuk është një shëtitje e patrazuar nga era, nga shiu apo bora. Bëhet fjalë për të ndërtuar sisteme të reja që funksionojnë dhe na mundësojnë të kemi shtet. Sisteme ku konkurrenca është konkurrencë, merita është meritë. Një ndihmë në këtë aspekt mund ta japin, – siç, kur nuk e japin, ndihmojnë të kundërtën, – edhe gazetarët, sepse janë ndërmjetës midis politikës dhe opinionit. Nëse gazetarët janë të mirëinformuar, mund të japin një ndihmë. Nëse nuk janë të mirëinformuar, por thjesht bëjnë ritualin, sipas referencave të tyre politike, atëherë e ngatërrojnë më shumë këtë punë.

Pavarësisht debateve për reformën e Arsimit të Lartë, me këta të rinj që do diplomohen, çfarë do bëhet me ta?

Kryeministri Edi Rama: Unë di përgjigjen që u kam dhënë djalit dhe vajzës tonë, kur u diplomuan. U kam thënë “punë në shtet për ju s’ka, shkoni dhe bëhuni të zotët e vetes.” Jetës nuk i dihet dhe nesër mund të thoni ku është babi; Ku është mami?” Siç, për fat të keq, ka jo pak njerëz që e thonë.

Pasi të mbarojmë këtu, ne do shkojmë në mbledhjen e grupit parlamentar tek selia e Partisë Socialiste. Aty ka gjithmonë një grup njerëzish që presin të më takojnë mua, deputetët. Është e paimagjinueshme, por është e vërtetë, që një pjesë e atyre njerëzve janë burra dhe gra mbi 70 vjeç dhe kërkojnë punë për djemtë dhe vajzat 35, 40 vjeç. Dialogu që bëj me ta është:

– Ku është djali?

– Është në shtëpi.

– Pse nuk vjen djali vetë?

– Është shumë i mërzitur.

– Po mirë, ja të flasim dhe të shikojmë se mund t’i gjejmë një punë në sektorin privat.

– Ah, jo të keqën nëna, tek privati jo, se privati të merr shpirtin.

Ne kemi një problem të madh me një psikozë që puna në shtet është punë, puna në privat është skllavëri. Për fat të keq, punën në shtet, shumë njerëz e shikojnë si punën më të lehtë. Ndërkohë që papunësia është një problem i madh, njëkohësisht që ne kemi në Shqipëri, shumë vende pune të lira. Vetëm një shembull; Në autostradën Tiranë-Durrës, nga “Zogu i Zi” deri në Durrës janë gjithë ato godina biznesi. Nëse trokisni tek to, nuk ka një nga ato godina që të mos ketë të paktën një vend të lirë pune. Por problemi nuk është vetëm tek dëshira, por është dhe tek kualifikimi. Një kompani aty, për shembull, që prodhon ndriçues, kërkon frezatorë, elektricistë, axhustatorë, mekanikë, nuk kërkon juristë. Në qoftë se dikush shkon dhe i thotë se ka mbaruar juridikun, ai  realisht nuk ka ç’ti ofrojë. Pra, problemi është kompleks.

Ajo që bën reforma në arsim është një lloj racionalizimi i sasisë së studenteve që shkojnë në një degë apo në një degë tjetër. Në qoftë se njerëzit janë të pirur të thonë unë do bëhem jurist, ekonomist etj. dhe nuk janë të pirur të bëhen mësues, apo të studiojnë matematikë, është shteti që duhet ta sigurojë këtë gjë, në mënyrë që të mos mbetet pa matematikanë dhe pa mësues matematike. Në këtë kuptim, reforma ka krijuar shtratin që të ketë një lloj drejtpeshimi midis numrit të studentëve që diplomohen dhe tregut, në funksion të ndarjes më racionale të diplomave, sipas fushave të jetës dhe sipas sektorëve.

Të tjerat janë gjëra që kanë të bëjnë edhe me këmbënguljen. Një student në BE, pasi mbaron shkollën, për të fituar një vend pune bën mesatarisht 50 intervista, bën mesatarisht 150 aplikime për punë. E kuptoni çfarë përpjekje e madhe! 50 intervista për të fituar tek njëra.

Ne jemi ende në një fazë të ndërmjetme, ku besojmë se puna vjen po të ndërhyjë ky apo ai. Sigurisht që kjo ka një arsye, të cilën ne e shohim me administratën publike. Kemi ngritur një sistem të administratës publike mbi bazë konkursesh.

Nuk është i gjithë shteti mbi bazë konkursesh, por, të paktën, ajo që quhet administratë publike, punonjësit e institucioneve, ministrive, agjencive etj., funksionon mbi bazë konkursesh. Është vërtetë psikologjikisht e vështirë që edhe deputetët ta pranojnë që  funksionon kështu. E kemi vendosur vetë dhe nuk ka një rrugë tjetër për të bërë pak e nga pak shtet. Mund të flasim për shtetin, por, nëse nuk kemi një administratë funksionale, të konsoliduar, për çfarë shteti flasim?

Sigurisht të tjerët e kanë konsoliduar administratën me shekuj. Kur ra nazizmi në Gjermani, kancelari gjerman, i zgjedhur demokratisht, mbajti në punë shefin e kabinetit të paraardhësit. Paraardhësi nuk ishte i partisë tjetër, por ishte përfaqësuesi i ferrit në tokë, Adolf Hitlerit. Shefi i kabinetit vazhdoi punën. Personi që ishte i ngarkuar me administratën, vazhdoi punën. Kur ndryshon qeveria në Britaninë e Madhe, vetëm 44 persona lënë punën dhe 44 persona të rinj vijnë në punë. E gjithë pjesa tjetër është administratë, e cila vazhdon pavarësisht se kush iku e kush erdhi. Ne jemi shumë larg kësaj dhe nuk mund ta bëjmë këtë sot për nesër, por kjo është rruga, nuk ka tjetër.

Duke parë gjithë zhurmën që u krijua për pranimet në universitet të maturantëve në vitin 2016, a mendoni se diçka nuk shkoi siç duhej dhe a do aplikohet përsëri i njëjti sistem?

Kryeministri Edi Rama: Mua më ka bërë shumë përshtypje që baza e reagimit kundër këtij procesi, që përcaktohet nga reforma, ishte se po stresohen të rinjtë.

Tani, pa stres e provuam sa mirë shkoi gjithë ato vite, ku merreshin diplomat duke mos shkuar fare në shkollë. Ndoshta ju ka rënë rasti ta dëgjonit një histori personale timen me një taksist. Kur kam qenë kryetar bashkie, e kisha si ritual që një herë në disa muaj, pas mesnate, hipja në taksi dhe i thosha taksistit “ec dhe vetëm fol”. Në taksi ke gjithë botën dhe sa di një taksist, nuk dinë as gazeta dhe as televizione. Një natë, ai më thotë “sot shef s’të marr lekë” dhe shkëmbejmë pak a shumë këtë bisede:

– Sot shef s’të marr lekë, se kam marr masterin.

– Masterin?

– Po. Kam marrë masterin në drejtësi.

– Po si ia dole, se ti gjithë natën rrugëve?

– Po ja, jam regjistruar në … [një nga këto universitetet private] dhe kam bërë marrëveshje me atë pronarin. I çoj kalamajtë në shkollë. Kur do gruaja e vet të dali për pazar, se ai s’ka mundësi, e çoj unë se ajo s’di me i dhënë makinës.

Kaq dhe e mori masterin. Dhe pastaj më pyeti, si thua, a ta bëj dhe doktoraturën?

Nuk e di si ka shkuar puna e tij. Në qoftë se ka marrë edhe doktoraturën, kushedi mund të jetë dhe gjykatës dhe prokuror tani. Nga ana tjetër më kujtohet vetë, por këtu janë edhe shumë pedagogë që nuk kanë hyrë në universitet me këtë formulën pa stres. Një nga pilulat antistres të këtyre kundërshtarëve apo debatuesve, ishte pse t’u lëmë 10 zgjedhje dhe jo 5 apo 3, se 10 është e lodhshme. Kjo është si ta shohësh mbrapsht. Në fakt, sa më pak  zgjedhje t’u japësh, aq më shumë i pengon që të marrin shkollë. Prandaj bota i ka pa limit, mund të aplikosh në 100 degë nëse po do. Nëse aplikon në tre degë dhe nëse ato tre vende zihen, do të rrish pa shkollë? Me tre zgjedhje ka më pak shanse, sesa me 10. Unë personalisht kam qenë në favor të mos ketë limit.

Ne i kemi ndjekur të gjitha ankesat nga një task-forcë në Kryeministri. Të gjithë ishin me mesatare midis 5 dhe 5.5. Tani u vu mesatarja 6-të si tavan. Ky tavan është një limit i fundmë shumë tolerant dhe në këndvështrimin tim, – por jam shumë në minorancë, në këtë rast, – është t’i marrësh më qafë, sepse i fut në një investim dhe në një rrugë pa krye. Ndërkohë është shumë më mirë t’u sugjerosh të marrin një zanat, me të cilin mund të kesh jo vetëm një punë, por mund të bëhesh nesër edhe sipërmarrës. Nuk është e rastësishme që ka shumë sipërmarrës që kanë mbaruar shkollën me notën 5 apo 6, sepse është çështje natyre, prirjeje, karakteresh dhe njerëzish. Faktori kryesor është rruga që ti merr në fillim. Kështu që në këtë aspekt është komplet normale të ketë debat, të ketë kundërshti. E kundërta, do ishte anormale, që të bëhet një reformë dhe të mos ketë kundërshti.

Duke qenë se një pjesë e mirë e kolegëve janë shkolluar në Europë e në Amerikë, por edhe po të krahasohemi me pagat e pedagogëve të Ballkanit, jemi prapë poshtë. Cila është politika e qeverisë dhe e Ministrisë së Arsimit, që ne të kemi një status siç e meritojmë, për të kontrolluar pjesën e akuzës në lidhje me korrupsionin në universitete?

Kryeministri Edi Rama: Rritja e pagave është diçka shumë e mirë. Kishte që nga viti 2005 që nuk rriteshin pagat për pedagogët Por sigurisht nuk është mjaft. Ajo që nuk është e tepërt këtu e meqë jemi në këtë temë, është lidhja e drejtpërdrejtë që ka ekonomia me reformën në drejtësi dhe vetting-un, sepse mundësia për të rritur pagat vjen drejtpërdrejtë nga të ardhurat që rriten në arkën e shtetit. Të ardhurat në arkën e shtetit rriten falë miradministrimit, por edhe falë investimeve. Sa më shumë investime të kemi në ekonomi, aq më shumë të ardhura mund të mbledhim. Sa më mirë t’i administrojmë këto të ardhura, aq më shumë lekë mund të kemi në dispozicion për të bërë investime publike dhe për të rritur pagat dhe pensionet. Por investimet mundet të rriten më shumë sesa trendi i zakonshëm i rritjes, nëse ne shkurtojmë numrin e pengesave. Tek pengesat për të investuar në Shqipëri, kryesore është paparashikueshmëria që lidhet me kontratën, sepse sistemi, që duhet të garantojnë parashikueshmërinë e marrëdhënieve kontraktuale, është sistemi i drejtësisë dhe ai nuk funksionon.

Mund t’ju jap shumë shembuj dhe të gjithë kanë në thelb faktin sesi mungesa e sigurisë ligjore sjell pengesa për rritjen e investimeve. Ashtu sikundër, mungesa e një sistemi drejtësie të drejtë bën që edhe miradministrimi të mos rritet, siç do të dëshironim në. Po ju jap një shembull shumë të thjeshtë, evazioni fiskal. U bë një zhurmë e madhe kur ne filluam operacionin kundër informalitetit, i cili vazhdon, sepse hapi i parë ishte detyrimisht një hap shumë publik dhe shumë i dukshëm. Pak kohë më parë u bënë kontrolle në të gjithë biznesin dhe duke qenë masa më e madhe e bizneseve, biznes i vogël, pati shumë ndjeshmëri duke na thënë merreni me të vegjlit dhe jo me të mëdhenjtë etj.. Por unë po ju them se ne, jo merremi me të mëdhenjtë, por merremi shumë seriozisht me të mëdhenjtë. Por sigurisht kjo është një punë që bëhet në zyra, duke parë shifrat, duke ndjekur trendet e me radhë. Sot kemi të instaluar një sistem elektronik që ndihmon shumë. Çdo biznes ndiqet përmes kompjuterit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe shikon gjithë trendet dhe nëse ka ndryshime të dukshme të trendit, kupton që aty ka diçka që nuk shkon, në kuptimin e të ardhurave.

Keni dëgjuar deri tani që të dënohet ndonjë kompani për evazion? Në Gjermani u dënua një nga simbolet e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, Presidenti i Bayern Munich. Bayern Munich nuk është një fjalë goje, por një institucion si kishat dhe xhamitë për Gjermaninë. Presidenti i Bayern shkoi në burg për evazion. A keni dëgjuar të hapet një gjyq nga sistemi ynë i drejtësisë për evazion? Dhe në tavolinën e prokurorëve për evazion janë dhjetëra kërkesa nga organet tona tatimore. Janë fakte, nuk janë opinione. Para pak ditësh kanë shkuar të tjera dosje në prokurori për evazion. Nëse këto para, që kompanitë ia detyrojnë shtetit, i marrin prokurorët, i marrin gjykatësit, me përqindjen që kërkojnë në varësi të masës së parave që janë në diskutim, si do rriten më shumë rrogat dhe pensionet?! Është pyetje retorike.

Ky është një aspekt. Aspekti tjetër është ai i investimeve. Na duhen më shumë investime. Ju siguroj që problemi themelor që kanë kompanitë në Shqipëri nuk janë taksat. Nuk është e rastit që vende me taksa shumë të larta, si Gjermania apo vendet nordike, janë vendet ku ka më shumë investime të huaja. Politika e taksave të ulëta maksimalisht është politika që e kanë bërë vende që kanë probleme me këto aspekte të tjera të shtetit.

Për Shqipërinë, dy janë problemet kryesore të kompanive të mëdha që vijnë në Shqipëri, apo që duan të vijnë në Shqipëri. E para, qëndrueshmëria e ligjit;

E dyta, kualifikimi i krahut të punës.

Të dyja pasojë e 25 viteve pa shtet.

Ne e kemi ditur gjithmonë se jemi një vend i pasur me naftë. Por kompanitë e naftës që vijnë, detyrohen t’i marrin inxhinierët nga Kanadaja. Shqiptarë, emigrantë në Kanada, sjellin të punojnë këtu. Edhe kur vjen puna për teknikë të mesëm nuk ka. Sepse nuk është menduar për të pasur një shkollë të arsimit profesional të naftës dhe të gjithë ata djem që rrinë e vënë fatin e tyre në dispozicion të Cristiano Ronaldo-s dhe Messi-t do ishin në punë si teknikë nafte.

Ne nuk e marrim vesh sot që jemi vend i pasur me burime hidroenergjetike. Por shkoni shikoni në kantieret e hidrocentraleve që ndërtohen, sa janë kuadrot e lartë dhe të mesëm shqiptarë. A ka turp më të madh! Ndërkohë themi papunësia, nga ana tjetër krijohen vendet e punës nga investimet dhe nuk ka krahë të kualifikuar pune.

Të mos flasim për projektet. Rruga Tiranë- Elbasan, projekt i bërë me forcat tona, projekti më problematik dhe projekte më problematike se projektet e rrugëve në Shqipëri nuk gjen  në botë. U desh ribërë projekti nga e para, sepse rrëshqiti gjysma e kodrës atje dhe u bllokua i gjithë projekti. Rrëshqet gjysma e kodrës se nuk ka studim gjeologjik, se projekti është bërë me shpejtësi.

Vendet nuk dallohen nga sa kanë, por nga sa dinë. Izraeli nuk ka ujë, nuk ka naftë, por është vendi me sistemin më shembullor të ujësjellësit në botë, është një nga vendet me bujqësinë më të zhvilluar në botë, kur nuk ka tokë, rërë komplet. Sepse zhvillimi është në mendje. Ne kemi ujë plot dhe 25 vjet e kemi pasur vetëm për përmbytje “të suksesshme”. Sikur Shqipëria, me këto pasuri që ka, të kishte dituritë e Izraelit, do ishte sot Izraeli i Europës, nga pikëpamja e zhvillimit.

Investimi në dije bëhet duke mos menduar për zgjedhjet e ardhshme, duke mos menduar për stresin e atyre me 5-sa, por duke iu thënë atyre se mw mirw se të shkoni në universitet dhe nesër të jeni të papunë me diplomë, ndiqni arsimin profesional. Ndërkohë që dikush që është ekselent, me 10-ta në matematikë, bëhet një profesor apo një shkencëtar. Edhe reformat pikwrisht për këtë duhen. Parafytyroni sikur t’i kishim bërë 20 vjet më përpara këto reforma, sot, Shqipëria do t’i kishte teknikët e naftës, teknikët e bujqësisë. Në zonat tona bujqësore, po të ndalosh pjesëmarrjen në punë të agronomëve të formuar 30, 40, 50 vjet përpara, nuk di njeri se çfarë të bëjë atje. Natyrisht, sepse fëmijëve që rriten në fshat kanë tokën atje dhe iu duket toka barrë, nuk ju duket burim fitimi, sepse që të jetë toka burim fitimi, ka 100 histori të tjera.

Të gjitha këto boshllëqe të mëdha, të krijuara nga mungesa e reformave dhe vazhdimi me një makinë hibride, çfarë trashëguam nga regjimi i vjetër, hidhi ujë që të ecë përpara, derisa u shkatërrua fare, bën që sot, ne të paguajmë kosto kaq të mëdha të së shkuarës.

Kështu që, për t’ju përgjigjur profesoreshës, edhe rritja e pagave është rritja më e madhe që është bërë si volum, në 25 vjet. 100 milionë dollarë për paga dhe pensione në një vit nga buxheti i shtetit nuk i ka dhënë asnjë qeveri. E dyta, nuk i ka dhënë asnjë qeveri pa rritur borxhin. Një histori është t’i rrisësh rrogat, duke ua ngarkojmë barrën fëmijëve dhe një histori tjetër është t’i rrisësh, por borxhi publik të vazhdojë të ulet. Nuk mund të jetojmë sot, duke blerë të ardhmen e fëmijëve tanë, pa iu marrë leje atyre.

124 milionë dollarë janë dhënë nga qeveria e mëparshme, në 8 vjet, nga arka e shtetit për rroga dhe pensione. Në vjeshtën e vitit 2013, FMN nuk pranonte të firmoste marrëveshje me ne, sepse ne nuk pranonim t’i ulim rrogat dhe pensionet. Ulini, siç i kanë ulur dhe vendet e tjera, ose nuk firmosim marrëveshjen, na thoshin, sepse ju nuk keni para në fund të nëntorit dhe dhjetorit për të paguar rrogat dhe pensionet. Ne ju thamë na jepni lekët dhe ne do bëjmë reformën në energji. Por reformën në energji, – na përgjigjeshin, – e kemi dëgjuar nga gjithë kryeministrat që kemi takuar këtu, kur kemi bërë marrëveshje dhe nuk mund të na bindni me reformën në energji. Sepse sektorin e energjisë e trajtoni si fushë për të mbjellë dhe për të mbledhur vota. Por ne e bëmë. Tani nga faza që duhet të ulnim rrogat e pensionet, erdhëm në fazën që i rritëm rrogat dhe pensionet.

Profesoresha mori si referencë rajonin. Ne ishim zero në krahasim me rajonin dhe me Kosovën, në të gjitha nivelet. Te paga më e ulët, ishim më keq se të gjithë.

Tek paga mesatare, ishim më keq se të gjithë; Tek paga e lartë ishim më keq se të gjithë. Sot, tek paga më e ulët, minimalja në shtet jemi të parët në rajon. Tek mesatarja jemi në mes. Tek e larta jemi më mbrapa. Do bëjmë çmos që të shkojmë më tutje, por për këtë, kryesore është të fillojë të zbatohet reforma në drejtësi, sepse, nëse dhe thjesht vetting-u, thjesht ndarja e atyre me integritet, me profesionalizëm, që janë asfiksuar komplet brenda sistemit, nga ata që duhet të largohen një orë e më parë, do bëjë që të ketë një frymëmarrje tjetër për qytetarët që shkojnë nëpër dyert e gjykatave. Sepse është bërë kjo histori sikur është vetëm thjeshtë punë politikanësh. Kjo është në radhë të parë, aksesi në drejtësi i qytetarëve, i njeriut të zakonshëm, që sot e ka aksesin në drejtësi minimal. Një roje parkimi gjendet dëshmitar, padashje, në përplasjen mes dy grupe gangosh në një lagje të Tiranës. Një nga gangot plagoset, të tjerët ikin. Policia e merr rojën dëshmitar, i cili kthehet në dëshmitarin e vetëm të procesit. E dini si përfundon procesi? Roja del i vetmi fajtor në gjithë atë histori, për “dëshmi të rreme”. Sepse gangoja që u plagos dëshmon kundër tij. Gjykatësi i jep një gjobë për dëshmi të rreme, më të madhe sesa rroga e një viti e tij si roje parkimi, i cili ishte me diplomë agronom. I ardhur në qyet nga një zonë e largët, me fëmijët.

E keni dëgjuar që thonë “i nxjerr Edi Rama kriminelët nga burgu”. I nxjerrin gjykatësit. Ndaj bëjeni vetting-un, që gjykatësit të marrin atë që meritojnë, meqë qenka Edi Rama. Ku është logjikë këtu; ky i nxjerr me gjykatësit, por ne nuk duam të bëhet vettingu se ky do kapë gjykatësit!! Në qoftë se i kam kapur, për çfarë e dua vetting-un unë!

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.