Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama inspektoi një nga kantieret e rëndësishme të rilindjes urbane në Vlorë, rikonstruksionin e rrugës “Veledin Kollozi” dhe rivitalizimin e hapësirës përreth. Si një nga rrugët kryesore në qendër të qytetit, ajo përbën një arterie kryesore me rëndësi turistike dhe ekonomike. Rikonstruksioni përfshin zgjerimin e rrugës dhe kthimin e hapësirave në anë të saj në hapësira rekreative, me zona pushimi, gjelbërim dhe sistem ndriçimi të ulët e të lartë. Do të bëhet edhe zëvendësimi i pemëve në anë të trotuareve me pemë të reja.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli theksoi rëndësinë e projektit për komunitetin, duke shpjegoi disa nga detajet e tij. “Në të dy krahët do të vendoset gjelbërim i ndryshëm në këto parqe. Këtu dardhë, atje ndonjë manjolë, në parqet e tjera ndonjë bimë tjetër, mimozë ose diçka tjetër që të jenë në variacion. Gjelbërimi në anë të rrugës do të jetë një nga fillimi në fund. Do të bëjmë një stabilizim të të gjithë hapësirës përpara pallateve, tenda të unifikuara, do lyhen fasada.”

Kryeministri Rama inspektoi edhe ecurinë e punimeve për rivitalizimin e hapësirës urbane brenda vijës bregdetare të qytetit të Vlorës, e njohur si Lungomare. Projekti po e shndërron shëtitoren në një zonë këmbësore dhe një destinacion për turistët. Punimet vazhdojnë me intensitet për riorganizimin e plotë të shëtitores, sheshet dhe hapësirat publike, platformës sportive, përmirësimin dhe rehabilitimin e rrugës së bregut dhe parkimeve.

***

Një kompleks muzeal dhe turistik që lidhet përmes Rrugës së Flamurit me shëtitoren bregdetare do jetë në nisje të sezonit veror, pamja e re e qendrës së Sarandës. Në këtë hapësirë prej 6 mijë m2, ku ndodhen godinat administrative, kompleksi muzeal e galeria e artit, ka nisur projekti për rikonceptimin urban të saj dhe kthimin në pedonale të Rrugës së Flamurit. Projekti rreth 103 milionë lekë përfshin edhe restaurimin e fasadave të ndërtesave, gjelbërimin, ndriçimin dekorativ e funksional të rrugës. Për të ndërlidhur të gjitha hapësirat në zonë, sheshe, trotuare, lulishte, do bëhet shtrimi i sipërfaqes me pllaka guri dekorativ.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Sarandës Floriana Koka si dhe ministrat Blendi Klosi dhe Damian Gjiknuri inspektoi kantieret e punës dhe u takua me zbatues të projektit. Rivitalizimi urban i kësaj hapësire i jep më shumë dinamizëm qytetit, i cili mbi trefishohet gjatë sezonit veror, por edhe më shumë mundësi për 80 bizneset e vendosura në qendër.

“Është një investim shumë i fuqishëm për qytetin, që na leverdis e na shërben,” – tha një prej drejtuesve lokal.

“Kjo hapësirë ishte një tmerr. Tani transformohet në një rrugë qytetare, turistike me gurë dhe lidhet me pjesën poshtë të shëtitores, e cila edhe ajo ka nevojë për ca ndërhyrje, sepse edhe kur është bërë, është bërë shkel e shko. I gjithë ky kompleks futet në një tjetër cilësi dhe i jep shumë më tepër dinamizëm qytetit, sidomos në periudhën e turizmit,” – u shpreh Kryeministri.​

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.