Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Forumin mbi ligjin për Minoritetet:

Kalimera të gjithëve!

Falenderoj organizatorët që na japin këtë mundësi. Nuk është në këtë rast çështje vlerësimi, është një detyrim që do më kishte pëlqyer të kisha mundur ta plotësoja më parë, por, për fat të keq, kontaktet politike me minoritetin në Tiranë janë katandisur në debate pa asnjë vlerë.

Më vjen shumë mirë që kjo parti organizon këtë forum, jo si një aktivitet politik, por si një stacion të një rruge vazhdimësie, që ka qenë e lidhur me interesimin e vazhdueshëm për të nxitur përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve të minoritetit. Ky është edhe misioni i një partie politike që përfaqëson minoritetin, të bëjë çmos që të ndërtojë një urë sa më të fortë me qeverinë, për të bërë sa më shumë për njerëzit dhe për komunitetin dhe jo të bëhet zëdhënëse politikash “të mëdha”, që në fund të ditës krijojnë vetëm keqkuptime të mëdha.

Më vjen shumë mirë që jemi sot, në këtë qytet, që është një zonë si kurorë e ujdhesave dhe siujdhesave të Jonit, të cilat në fragmentarizimin e tyre gjeografik krijojnë megjithatë, një unitet shumë të fortë njerëzor dhe identitetesh. Një unitet që është tradicional në këtë zonë.

Duke u përgatitur për të ardhur këtu, më shkonte mendja se dëshmia e një fragmentizimi që prodhon unitet është ndoshta vetë jeta dhe vepra e një emri të madh helenik, poetit Dionysios Solomos-it. Familja e tij, nga Kreta, prej luftërave udhëtoi dhe u vendos si emigrante në Zakynthos, ku më pas fitoi të gjitha të drejtat e qytetarisë dhe të fisnikërisë, megjithëse mbeti një “minoritet kretan” në një qytetari ishullore shumë selektive, siç ishte ajo e heptanezit.

Përveç poemës, që siç e di edhe profesor Panajoti dhe siç e dini me të drejtë dhe e admironi me siguri edhe të tjerë nga ju, Himni i Lirisë, që u bë edhe pjesërisht himni i shtetit të lirë grek dhe që ishte e vetmja e vepër e tij e kryer dhe e mbyllur, vepra e tij letrare është një arkipelag shkrimesh të shpërndara, të cilat si nga ana gjuhësore dhe ajo stilistike iu kanë krijuar ekspertëve kokëçarje të mëdha. Kjo shpërndaje, për të gjithë ata që dinë, por dhe duan ta lexojnë Solomosin e pavdekshëm, është një buqetë larmie në një kopsht shumëngjyrësh të letërsisë, që do humbiste shumë nga fuqia e saj tërheqëse, nëse do të ishte një buqetë uniforme dhe monotone.

Nuk besoj se e teproj po të them se minoritetet etnike, si komunitet politik i ndërtuar rreth të mirës së përbashkët dhe të mirës së gjithsecilit brenda një bashkësie kombëtare, janë pikërisht ky lloj fragmentizimi që krijojnë një polifoni identitare, një ndjeshmëri më shumë për të gjithë bashkësinë, krijojnë një pasuri. Një pasuri, e cila hera-herës shfaqet si problem pa qenë problem në vetvete, por për shkak të dikujt apo dikujt tjetër, që duan ta grabisin, ta përvetësojnë e ta kyçin atë pasuri jashtë kontekstit të një bashkëjetese që i jep vlerë të veçantë asaj pasurie dhe ta izolojnë këtë pasuri nga thesari i përbashkët i një trashëgimie që është një vlerë e paçmuar dhe nga urë ta kthejnë në hendek për qëllime që janë shumëçka, por vetëm fisnike nuk janë. Qëllime që paraqiten në shumë forma, por që në asnjë formë nuk kanë provuar asnjëherë se mund ta bëjnë më të mirë jetën e njerëzve të minoritetit, duke e shkëputur me forcë nga konteksti i bashkëjetesës.

Në këndvështrimin tim është me rëndësi të madhe që ne, të gjithë sëbashku, jo thjesht t’i qëndrojmë larg tundimit për të hyrë në këtë rrugë, por të qëndrojmë fort përballë kujtdo që kërkon të na fusë në këtë rrugë.

Apostulli Pal apo Pavlo, siç i thonë nga anët tuaja, ishte hebre për nga gjaku, romak për nga qytetaria dhe grek për nga kultura. Ai e shihte të përkryer një bashkësi njerëzore, jo për hir rivalitetesh apo ndasish, ku njëri thoshte se i përkiste më shumë Pavlos, tjetri më shumë Apollos, tjetri më shumë Petros,  por, sepse përballë idealit më të lartë, që është shpresa e njeriut, hiqte dorë nga çdo ekskluzivizëm që e mbyllte në vetvete dhe e bënte më të varfër. Nëse do t’i kishte munguar një nga këto tre komponentë që përbënin identitetin e tij, ai nuk do ishte ai që ishte. Teksa i drejtohet një bashkësie greqishtfolëse si ajo e galatasve, ai shkruante: “Nuk ka më as hebre, as grek, as skllav e as njerëz të lirë, as burrë e as grua, por vetëm shpresëtarë te Zoti.”

Sigurisht, miqtë e mi, në rendin e gjërave të kësaj bote kishte dhe ka edhe hebrenj dhe grekë dhe largqoftë, se ne jemi këtu, por të jeni të sigurt që ka shumë tani që na shohin e na dëgjojnë dhe ka jo pak që duan të kapin këtu, tani, një fjalë për të bërë një roman kundër kësaj pune të mirë që ne po bëjmë sot. Prandaj dua ta nënvizoj se ajo çka kishte parasysh në qasjen e tij shumë frymëzuese apostulli dhe ajo çka më bëri mua ta sjell këtu shprehjen e tij është se, pavarësisht nëse dikush është shqiptar, dikush tjetër grek e dikush tjetër hebre apo çfarëdo qoftë, ajo që nuk negociohet është dinjiteti i secilit.

Në një bashkësi ku prania e minoritetit është pasuri, dinjiteti i minoritarëve nuk është një çështje e tyre, por është një çështje e shtetit ku ata jetojnë. Kjo është një kredo që na vjen nga historia e thjeshtë dhe e përbashkët e fshatrave ku shqiptarët dhe minoritarët kanë jetuar si vëllezër e si motra, pa pasur probleme dhe ku kanë ndarë barrën e shqetësimeve dhe gëzimet me njëri-tjetrin. Një kredo që ne duam vetëm ta përforcojmë, duke e çuar më tutje cilësinë e legjislacionit tonë.

Shqipëria është një vend që, pavarësisht gjithë problemeve që ka, ka një legjislacion shumë më të përparuar për minoritetet, sesa vendet e tjera në rajon. Kjo është e vërteta.

Por ne nuk jemi dhe nuk do jemi kurrë në një garë se kush bën më pak për tjetrin. Ne do jemi në një garë, sesa më mirë mund të bëjmë për njëri-tjetrin.

Pavarësisht se shteti shqiptar renditet ndër shtetet që janë angazhuar në mënyrë konstante për përmbushje të standardeve ndërkombëtare të mbrojtjes së pakicave dhe Progres-raporti i fundit i Komisionit Europian e nxjerr në pah dhe e vlerëson pozitivisht këtë fakt dhe hapat e ndërmarra për respektimin dhe mbrojtjen e pakicave në tre vitet fundit, duke veçuar punën e nisur për hartimin e një ligji specifik për pakicat, ne jemi të vetëdijshëm që ka ende shumë për të bërë.

Nuk do të thosha të vërtetën dhe nuk do isha i sinqertë deri në fund me ju, nëse do t’i shmangesha faktit që mjerisht nuk ka qënë një fushë me lule për minoritetin në këto 25 vjet. Duhet ta pranojmë po ashtu, se përtej atyre momenteve dramatike të tranzicionit, – që profesor Panajoti i preku me talentin e tij politik, përveçse me diturinë e tij të pakontestueshme, – unë dua që të theksoj aspektin tjetër, atë që është më i padukshëm në sipërfaqen e debatit të madh publik, por që është gërryes për vazhdimësinë e jetës në minoritet, arsimin.

Ministrja e Arsimit solli disa shembuj që tregojnë qartë se situata ka qënë larg së qeni rozë; Mungesë dramatike librash; Lulëzim i një tregu të zi të shitjes së tyre me çmime fajdexhinjsh, 140 mijë lekë një libër gjeografie. Edhe sikur ta kishin shkruar në Athinën e Vjetër, zor se do kishte bërë 140 mijë lekë sot, jo më i shkruar në kuzhinën e Saliut.

Cilësia edukative, didaktike dhe pedagogjike për të gjithë këtë cikël dhe këto materiale ka qënë larg së qeni e pranueshme. Në këtë kuadër, që nga fillimi i vitit 2014m ne filluam një proces të gjerë, ndërinstitucional, vlerësimi të kuadrit ligjor dhe politikave mbi  të drejtat e pakicave në vendin tonë. Për fat të mirë, dëshmitaren nuk e kam shqiptare, e kam greke, pavarësisht se Vangjelit nuk i pëlqen dëshmitarja Konstandina Bezhani, që e kemi këtu të pranishme dhe që drejton me shumë kompetencë, por mbi të gjitha, me një sens shumë qytetar, pozitiviteti dhe mirëkuptimi, përpjekjen për të koordinuar prurjet e shqetësimeve dhe ideve nga minoriteti.

Duke u bazuar në rekomandimet e këtij raporti, të të gjithë kësaj analize që u kthye në një raport, që nga viti i kaluar, institucionet shqiptare, në bashkëpunim me institucione të pavarura apo ekspertë dhe ngushtësisht në ndërveprim me Komitetin Shtetëror të Minoriteteve, duke u mbështetur tek ekspertiza e Këshillit të Europës, kanë punuar intensivisht për të hartuar projektligjin për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Ky angazhim, i mbetur në letër prej vitesh të tëra, kthehet më në fund në një angazhim të përmbushur nga kjo qeveri.

Projektligji, pasi i është nënshtruar një procesi të gjerë diskutimi të hapur në shumë forume, ku janë përfshirë shoqata të pakicave, akademikë, juristë, si dhe komisioneri i lartë i OSBE-së dhe Qendra Europiane për Çështjen e Pakicave të Këshillit të Europës, është gati për të shkuar në Kuvendin e Shqipërisë. Në proceset e konsultimit janë përfshirë me radhë, edhe përfaqësues politikë të komunitetit, ku partia juaj ka luajtur një rol vendimtar.

Unë jam i bindur për efektet pozitive të këtij projektligji. Së pari, do të përkufizohet qartë koncepti i grupeve të pakicave kombëtare, duke shmangur ndarjen në dy kategori, kombëtare dhe etnogjuhësore. Ndarje, të cilat bien në kundërshtim me Konventën e Këshillit të Europës, në të cilin ne jemi pjesë, si dhe me rekomandimet e organizatave ndërkombëtare.

Së dyti, do të kemi një njohje formale të pakicave dhe një përcaktim të qartë të kritereve të njohjes ligjore të tyre. Duke i njohur grupet e pakicave dhe duke vendosur kritere të qarta të njohjes së grupeve të tyre në ligj, – që Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit e 1789-ës e përkufizon si shprehja e vullnetit të përbashkët, – shmanget çdo lloj arbitrariteti i çdo pushteti publik në këtë drejtim dhe i jepet Parlamentit një rol mjaft i rëndësishëm.

Së treti, do të zbatohet një kuadër i përparuar për ndalimin e diskriminimit të pakicave, duke hapur rrugën për krijimin e kushteve efikase zhvillimore për kulturën dhe ruajtjen e fesë, gjuhës dhe të traditave.

Së katërti, do sanksionohet me ligj e drejta e arsimimit dhe krijimi i mundësive për hapjen e klasave, bazuar gjithmonë në legjislacionin vendas.

Pa diskutim, edhe e drejta e informimit dhe aksesit në media.

Këtu dua të vendos një theks shumë të qartë. Avancimi që ne bëjmë me këtë ligj të ri është angazhim publik që e kemi marrë këtu, në vitin 2013. Nuk vjen si rezultat i asgjëje tjetër, përveçse i bindjes tonë të brendshme se ky është detyrimi ynë, jo për fëmijët tuaj, por për fëmijët tuaj dhe fëmijët tanë.

Duke dëgjuar edhe debatin, unë mendoj se do të ishte e udhës të shikonim mundësinë e çeljes së një Zyre të posaçme Arsimore, si zyrat arsimore që janë në rang republike, që të merret specifikisht me ecurinë e punës në shkollat e Dropullit dhe të Finiqit.

Ne sot kemi në masën më të madhe, për fëmijët, libra më të mirë seç kanë në Greqi. E kjo nuk është një konkurrencë e nxitur artificialisht, por vjen nga fakti se ne kemi marrë librat e Pearson, Cambridge dhe Oxford, që janë tekste të cilësisë më të lartë në Europë.

Problemi është jo se ne kemi vonuar, apo nuk kemi dashur t’i përkthejmë ato në greqisht, por duhej marrë autorizimi nga këto shtëpi botuese, se ne nuk përkthejmë në të zezë. Në të zezë përkthente Saliu, kur prodhonte ato altertekstet dhe kur shiste librin e Gjeografisë me 140 mijë lekë.

Futja në sistem e këtyre librave, përveç librave të gjuhës, që janë libra që prodhohen në vend, se librat e Gjuhës Shqipe apo të Gjuhës Greke nuk mund të pretendojmë të na i bëjnë anglezët dhe Historia, Gjeografia, Letërsia apo ndonjë tjetër, të gjithë librat e tjerë do jenë të këtyre tre shtëpive të mëdha.

Fëmijët tanë dhe fëmijët tuaj nuk do jenë më pengje dhe viktima të një sistemi arsimor të degraduar deri në kockë, ku nuk merrej as data e çlirimit, se te njëra shkollë thoshin 28, tek tjetra 29 dhe tek shkolla në fund të rrugës thoshin kjo diskutohet. Tre fëmijë të së njëjtës lagje, në varësi nga ku e kishin shkollën, dinin tre data të ndryshme. Dhe histori të tjera pa fund, të lidhura jo vetëm me Historinë, por dhe me Gjeografinë etj..

Situata ka filluar të ndryshojë, por do të përmbyset plotësisht. Jam i bindur që dhe krijimi i Zyrës Arsimore do jetë një ndihmë shumë e madhe për të krijuar një komunikim konstant mes Ministrisë dhe komunitetit lidhur me këtë aspekt.

Është shumë e rëndësishme të theksohet se për herë të parë do të krijohet një fond i posaçëm për pakicat kombëtare, që do bëjë të mundur funksionimin më të mirë të komitetit të pakicave dhe realizimin e projekteve sociale e kulturore të minoritetit. Kam shumë besim që në këtë fushë, çka është ndërmarrë prej vitit 2014 në një ndërveprim të frytshëm dhe bilateral midis Ministrisë së Arsimit dhe përfaqësuesve të shtetit grek, do të kemi një rrugë të konsoliduar dhe përfitime afatgjata.

Por dua nga ana tjetër të theksoj se është me shumë rëndësi të kuptohet që ne jemi në një varkë dhe kemi në varkë aq sa kemi, që do të thotë se shpesh ka një përpjekje të madhe për të krijuar një keqkuptim të madh, duke treguar situata sigurisht jo të këndshme infrastrukture, shkollash, etj., a thua se këto janë specifike për minoritetin. E kundërta është e vërtetë. Situatat janë të tilla në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nuk ka asgjëkund, në asnjë qelizë të organizmit të kësaj qeverie, ndonjë tendencë për të bërë diskriminim.

Përkundrazi, dua t’ju kujtoj, meqë këtu u prekën edhe disa tema të tjera. Së pari, është kjo qeveri, e cila bëri një reformë administrative, që e bëri zonën e minoritetit me dy bashki të mëdha, për të cilat është kjo qeveri që po financon ndërtimin e bashkisë së e re në Dropull dhe presim të përfundojë projekti për të bërë edhe bashkinë e re të Finiqit. Kjo është shprehja e një vullneti që unë do isha shumë i lumtur ta shikoja rreth e rrotull në rajonin tonë ta bënin të tjerët. Por as e bëjnë, e as nuk presim që ta bëjnë, se t’ua kërkosh është humbje kohe.

E dyta, pronat janë një problem shumë i madh, por janë një problem i madh i gjithë shqiptarëve dhe i minoritarëve. Nuk është se janë grabitur pronat e minoritarëve dhe shqiptarët nuk kanë probleme me pronën. Prandaj Vettingu është për shqiptarët dhe për minoritarët e njëjta nevojë dramatike e të sotmes.

Tani më thoni çfarë bën në çadër Vangjel Dule dhe pse nuk vjen të votojë Vetting-un?

E di që ju nuk ma jepni dot përgjigjen, megjithëse e dini përgjigjen, por unë nuk rrija dot pa e thënë që, nëse duam të trajtojmë çështjen e pronave seriozisht dhe nëse nuk duam të vazhdojmë të shikojmë si na grabitet prona, atëherë duhet të fillojmë zbatimin e reformës në drejtësi, nga Vettingu.

Kjo nuk ka qenë vetëm për minoritarët, por edhe për shqiptarët, njësoj në gjithë zonat, pronarë me stërgjyshër që as nuk e kanë ditur që ekziston kjo zonë, iu kanë dalë dhe iu kanë mbirë përpara syve dhe shqiptarëve dhe minoritarëve të kësaj zone. Kështu që si çamë, si minoritarë, si lebër, si mirditorë këtu janë të tërë viktima të gjykatësve dhe të prokurorëve, që nuk kanë fe dhe nuk kanë atdhe, nuk kanë din e s’kanë as imam.

Shqipëria duhet të shpëtojë njëherë e mirë nga kthetrat e këtyre njerëzve, të cilët i kanë bërë këtij vendi atë që s’ia ka bërë asnjë pushtues. Madje as diktatura, sepse edhe diktatura, letrat e pronave nuk i dogji, por i mbylli nëpër kasaforta. Mund t’i kishte djegur, kush e pengonte? Mbivendosjet, spostimet e trojeve, ngatërresat dhe konfliktet i krijuan këta, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.

Ne sëbashku duhet ta zgjidhim këtë gjë, duke nxitur dhe duke zbatuar reformën në drejtësi.

Patjetër që infrastruktura është një problem. Patjetër që duhen investime. Por le të më tregojnë investimet që janë bërë dhe që po bëhen dhe të bëjmë krahasimin. Ndërkohë të mos flasim për rrjetin elektrik. Si çamë, si minoritarë, si lebër, si mirditorë, si himarjotë, nga maja e Llogarasë deri në fund fare, me shtyllat e drurit të Enver Hoxhës ishit. Me shtyllat e drurit të Enver Hoxhës dhe me telat që një erë frynte dhe të gjitha mbeteshit pa drita. Tani po e shikoni infrastrukturën energjetike si po transformohet. Për herë të parë nuk ju dridhet poçi, sikur e zënë ethet nga tensioni i ulët.

Shumëkush apo pakkush,  -në fakt s’janë shumë, por bëjnë shumë zhurmë dhe duket sikur janë shumë, – kërkon të fusë zjarrin mes nesh dhe përpiqet të shpërdorojë sa të mundet shpirtrat e trazuar të njerëzve të zakonshëm, duke i fryrë armiqësisë dhe duke përdorur qëndrimet e mia për çështjen çame, si argumentin madhor, pse ky është armiku i grekëve.

Unë nuk jam grek dhe nuk jam as antigrek.

Unë jam shqiptar.

Të jeni të sigurt që mes një shqiptari problematik dhe një greku të paqmë, unë zgjedh grekun e paqmë. Sikundër, mes një greku problematik dhe një shqiptari të mirë, unë zgjedh shqiptarin e mirë. Nuk kam pse zgjedh grekun problematik. Ju e kuptoni shumë mirë këtë gjë. Kështu që ju këtu jeni të gjithë të nderuar dhe të respektuar, siç janë të gjithë minoritarët dhe siç është i gjithë minoriteti. Nuk ka asnjë përpjekje, përveçse nuk ka asnjë qëllim për të nxitur asgjë tjetër, përveç mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me Greqinë fqinje dhe patjetër me minoritetin, që për mua është shumë më i afërt se vetë Greqia. Nuk diskutohet, sepse ju jeni qytetarë të këtij vendi dhe denbabaden keni qenë këtu dhe fëmijët, nipërit, mbesat dhe të gjithë do të jenë këtu.

Mbarësia në këtë marrëdhënie nuk është se vjen nga bujaria për fëmijët tuaj, por nga detyrimi ndaj fëmijëve tanë, si të qytetarëve shqiptarë, si të qytetarëve që janë me kombësi greke, është e njëjta gjë. Të ecim sëbashku për të bërë punët e mira, për të bërë ato punët e vogla që për 25 vjet u harruan, se donin të merreshin me ato punët e mëdha të marrëdhënieve ndërkombëtare. I ndritën edhe ato, na futën në sherr sa herë mundën për gjëra komplet të panevojshme dhe të pakuptimta.

Duke respektuar njëri-tjetrin deri në fund, duhet të punojmë që fëmijët tanë, fëmijët tuaj, fëmijët e këtij vendi të kenë një të nesërme sa më të mirë dhe sa më të ndryshme nga e djeshmja dhe po ashtu të ndryshme dhe nga e sotmja, që është një moment i ndërmjetëm midis të djeshmes dhe të nesërmes.

Shumë faleminderit dhe respekt!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.