Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë plenare në Kuvend:

Sot do të doja të flisja me gjuhën e fakteve, sepse është mënyra më e mirë për të vlerësuar dhe peshuar opinionet. Dje, qeveria ka kaluar vendimin për rritjen e pensioneve, që hyn në fuqi në muajin mars. Pensionistët, duke filluar nga muaji mars, do të kenë një pension më  të lartë. Nuk them “të lartë”, por “më të lartë”, që do të thotë se më shumë akoma duhet të bëjmë.

Ne morëm një ekonomi që rritej midis 0 dhe 1 %, duke iu referuar shifrave zyrtare, të cilat dhe ato kishin një integritet shumë të diskutueshëm. Sot kemi një ekonomi që rritet në nivelin e 3.5 %. Është kjo më mirë apo është më keq?! Njerëzit janë më të varfër apo më pak të varfër, në një vend që rritet me 3.5 %, krahasuar me një rritje mes 0% dhe 1%?

FMN dhe BB, institucione që kanë gjithë autoritetin për të vlerësuar objektivisht ekonominë dhe që nuk bëjnë ekonomi me gjëegjëza, thonë se rritja ekonomike është mbështetur te investimet e fuqishme private dhe rritja e konsumit. Në një vend që konsumi rritet, ka më shumë varfëri, apo ka më pak varfëri? Gjë që nuk do të thotë se në këtë vend nuk ka varfëri. Përkundrazi, në këtë vend ka ende një problem të madh, siç është varfëria, por një problem, i cili për herë të parë atakohet drejtpërdrejtë dhe jo duke i ardhur rrotull me lëmosha, shtyje ta shtyjmë deri vitin tjetër.

Komisioni Europian është një autoritet që i fut të dridhurat vendeve më të mëdha të Bashkimit Europian, kur vjen puna tek parametrat ekonomikë. KE nuk mund të konsiderohet një institucion që flet siç dëgjojmë të flitet këtu, ku edhe nocionet më elementare, të cilat nuk kanë nevojë për shkollë ekonomike, por për pak muaj eksperiencë parlamentare, nuk u vlejnë atyre që kanë 20 vjet në parlament dhe flasin përçart. Në një përçartje ku nuk kanë asnjë raport me të vërtetën, por vetëm një synim; Të tërheqin prej hunde sa më  shumë njerëz të varfër e të dëshpëruar, me gënjeshtra pas gënjeshtrës, si hiena që jetojnë me kërma.

Trendi pozitiv i konsumit vijon për të pestin tremujor dhe rritja reale e konsumit për vitin 2016 është 3%. Deficiti buxhetor ka zbritur në 2.4 % nga në 5.2 %, që ishte kur ne morëm në dorë qeverinë. Një vend si Shqipëria, me një deficit buxhetor 5.2 % dhe e kërcënuar nga një kolaps financiar si ai që kërcënonte vendin në 2013-n, është më i mirë e më i sigurt ekonomikisht, sesa një vend që e ka sot 2.4 % deficitin dhe ka zgjidhur përfundimisht problemin me rrugën krejtësisht të stabilizuar të financave, duke dalë në momentin e fundit në një kthesë përballë humnerës ku kërcënohej?

Në një vend ku të ardhurat rriten në mënyrë të qëndrueshme dhe shkojnë në 26.3 % të Prodhimit Kombëtar, në raport me një minimum historik ku ishin deri 3 vjet më parë, ka më shumë apo më pak ekonomi, më shumë apo më pak mundësi, më shumë të varfër, apo më pak të varfër?

Të ardhurat këtë vit prekin nivelin e 27% dhe jemi në pikën më të lartë dhe fillojmë i afrohemi normalitetit të vendeve të rajonit, edhe pse krahasimin dhe ambicien do ta kemi për më shumë se kaq. Këto i them për ata që dalin në protestë, jo për ata që i thërrasin në protestë. Këto i them për njerëzit që kanë të drejtën e Zotit që sot të kërkojnë më shumë, për njerëzit që nuk janë vetëm ata që dalin në protestë, por dhe të tjerë që ende nuk kanë mundur ta prekin në jetën e tyre të përditshme efektin e reformave. Pa asnjë diskutim, kur vjen puna për të lexuar atë çka ata ndjejnë, unë jam në krahun e tyre dhe nuk përpiqem e as më shkon mendja të përpiqem, që t’ju them se nuk kanë të drejtë, se duhet të jenë të kënaqur, pasi ja ku janë shifrat, ja ku janë rezultatet dhe ja ku janë dallimet. Të gjitha këto në të vërtetë nuk më vlejnë dhe nuk duhet të na vlejnë për të qenë të kënaqur, por duhet të na vlejnë të gjithëve, për të kuptuar se pas 20 e kusur vitesh me iluzionin e shkopit magjik dhe duke e shtyrë sot për nesër, punën që duhet bërë, më në fund po  bëhet puna e duhur, për të siguruar një të ardhme me shtet.

Dje firmosëm projektin për kadastrën dixhitale, për inventarin e pasurive të patundshme të këtij shteti, pas  25 vitesh, ku gjithë dokumentacioni i pasurisë dhe i pronës, që u trashëgua në emër të së drejtës për të kthyer pronën, u masakrua me mbivendosjet, me ngatërresat, me konfliktet.

Çfarë mund të kërkohet dhe të pretendohet më shumë se kaq, në një kohë kaq të shkurtër! Edhe më shumë mund të kishim bërë dhe mund të bëjmë, por nuk diskutohet që çka kemi bërë, e kemi bërë gjithçka me bindjen që duhet të vendosim bazat për të bërë shtet. Shtet pa inventar, shtet që nuk di ku i ka rrugët, ku i ka pronat e veta, ku janë shtëpitë e njerëzve të tij, nuk ka!

Nuk është barsolete, është realitet. Një familje i drejtohet gjykatës për të marrë pronën. Por, meqenëse pronat janë në lloj-lloj hartash që palosen e shpalosen, vendimi i gjykatës thotë “prona e pretenduar është në vrimë”. E dini në çfarë vrime? Në vrimën që bën letra kur paloset miliona herë! Nuk i gjenin dot pronën, se ishte në vrimë!

Shtet që nuk di ku i ka njerëzit e vet! Shtet ku për herë të parë po bëhet regjistrimi i popullsisë!

“Të votojnë emigrantët”, u tha 25 vjet. Përse nuk e mori përpara njeri përsipër  t’i regjistronte, sepse që të votosh, duhet të regjistrohesh. E jo vetëm për të votuar, por edhe për shumë të tjera, shteti duhet të regjistrojë popullin e vet. Apo jemi një popull kaq i madh, sa kemi luksin që të numërohemi gabim!

Borxhi publik. Si mund të vazhdojë të thuhet “u rrit borxhi”, apo gënje, gënje, derisa të bëhet e vërtet. Borxhi publik në tre mujorin  e 3-të të vitit 2016 ra nën 70% dhe për herë të parë pas 6 vjetësh, Shqipërua rikthehet në një trend normal dhe vë nën kontroll borxhin publik.

Ka dhe një të dhënë tjetër, që është edhe më e rëndësishme sesa shifra e borxhit në vetvete. Në 100 lekë të marra borxh gjatë qeverisjes së kaluar investoheshin vetëm 141 lekë. Në 100 lekë të marra borxh prej nesh investohen 194 lekë. Është një ndryshim themelor. Ashtu sikundër një shqiptar sot, interesat e borxhit i paguan 63 euro në vit. Në 2013-n i paguante 71.

63-shi është i lartë, por a është më i lartë se 71-shi? Ndryshe, nga 71 në 63, do të thotë që jemi më keq apo më mirë?

Këto janë shifra, nuk janë opinione. Këto janë faktet e ekonomisë sonë sot. Unë e di që njerëzit nuk hanë statistika, nuk i veshin fëmijët me raporte ndërkombëtare, nuk i kurojnë njerëzit që kanë nevojë për të shkuar në spital me të dhëna nga INSTAT, FMN, apo nga Banka Botërore. Por këto janë të rëndësishme për të kuptuar nëse rruga ku kemi hyrë, është rruga e duhur; Nëse reformat që po bëjmë, – pasi këto janë rezultati i reformave, nuk erdhën se ndryshoi moti, – janë të duhurat; Nëse sakrificat që iu kërkojnë njerëzve dhe dhimbjet e këtyre reformave janë të duhurat; Nëse ia vlen që prindërit e sotëm, pasi janë tërhequr zvarrë 20 e ca vjet, paguajnë për këto reforma këtë kosto, apo nuk ia vlen.

Këto janë fakte, nuk janë opinione. Siç është fakt që në tre vite janë ofruar 60 lehtësira fiskale, të cilat i kanë dhënë sipërmarrjes mundësi që të ketë në dispozicion 800 milionë dollarë më shumë. Janë 800 milionë që shteti i ka lënë në anën e sipërmarrjes. Flasim për sipërmarrjen që krijon punësim.

Unë nuk e di si mund të vihen në diskutim shifrat e faktet dhe si opinionet mund të pretendojnë jo t’i zëvendësojnë, por t’i rrëzojnë.

Janë 54 mijë biznese aktive më shumë se në vitin 2013. Quhet përkeqësim i ekonomisë, përkeqësim i nivelit të punësimit, përkeqësim i marrëdhënies së sipërmarrjes me shtetin, apo quhet përmirësim? 54 mijë kompani aktive më shumë!

Duke iu referuar shifrave, i referohemi një burimi plotësisht të aksesueshëm dhe të vërtetueshëm nga të gjithë. Nuk bëjmë gjëegjëza. Po flasim për gjëra konkrete, për të cilat flet çdo institucion ndërkombëtar, përfshirë Komisionin Europian, që është gjithçka, por jo zemërgjerë me vendet anëtare apo kandidate, kur vjen puna për të bërë skanerin e ekonomisë.

Kapitulli i ekonomisë në Progres-raportin e vitit të kaluar është kapitulli, absolutisht me diference, më i mirë për ekonominë, që kur është shkruar Progres-raporti i parë. A është kjo gjithçka? Absolutisht nuk është gjithçka!

Të gjitha këto mjaftojnë për të kuptuar se kush është dallimi midis rezultateve dhe daulleve të shiut, që nuk do bjerë. Në qershor është pranverë dhe do jetë pranverë.

Përsërisin “merrni shembull nga Maqedonia” për investimet e huaja. Maqedonia ka absolutisht një bilanc të admirueshëm dhe ka ngritur një model për t’u marrë  shembull, por në klasifikimin e investimeve të huaja, Shqipëria është e dyta, Maqedonia është më pas. “S’ka investime të huaja, po ikin investitorët e huaj”, thonë. Atëherë, edhe kjo është e vërtetueshme, se janë shifra në llogaritë e shtetit. Kemi 2.5 miliardë euro investime të huaja në tre vjet, ndërkohë që në tre vite të plota, qeverisja e shkuar, edhe të shkuara, në rastin më të mirë kanë kapur 2.4. Pastaj dalin e thonë “ishte ajo kontrata që u bë atëherë”. Këto janë barsoleta. Investimet e huaja maten me shifra. Nuk maten me barsoleta, as me gjëegjëza.

Ne jemi vendi i dytë në rajon, pas Malit të Zi dhe Mali i Zi ka një avantazh, që lidhet me reformën në drejtësi këtu tek ne, lidhet me vetting-un. Mali i Zi ka avantazhin që i ka kthyer investimet e huaja në turizëm, në bregdet, në motorin kryesor të gjenerimit të investimeve të huaja. Kush është problemi ynë?

Sapo njëherë i mësuam pas gjithë atyre hatave që ishin dëgjuar, investitorët e mëdhenj, me idenë se mund të investojnë në Shqipëri, se kemi disa kompani të mëdha, pse dhe ku vështirësohet hapi final për të filluar investimin? Tek “lesh e lija” e pronës në bregdet.

Mund t’ju them shumë raste, por marr një. Prona figuron shtetërore. Një investitor kërkon të ndërtojë një marinë me resort, në një zonë të bregdetit. Fillohen procedurat. Punojmë një vit për dokumentacionin, studimin, projektin etj. dhe në momentin kur duhet të bëjmë hapin e fundit, na shfaqet një vendim gjykate në atë zonë, vendim i freskët. Një nga vendimet më spektakolare. Pretenduesit, pasardhësit e një familje të lashtë shkojnë në gjykatë dhe kërkojnë 50 hektarë. Gjykata i jep 500 hektarë. Keni parë në ndonjë vend, gjykatë që të jep me zor 10-fishin e asaj që ti kërkon?!

Këto nuk janë për t’u justifikuar, por për të ndarë me njerëzit arsyet pse kjo fazë kaq e vështirë dhe kaq e ngatërruar nuk është as shaka, as gjëegjëza, as propagandë, por është një fazë shumë serioze, për të vendosur themelet e bërë shtet, për të vendosur disa piketa që të mos kthehet më mbrapsht.

Shqipëria në “Doing Business”, 32 vende më mirë. Shqipëria në konkurrushmërinë globale, 13 vende më mirë. Shqipëria në lirinë ekonomike, 20 vende më mirë. “Standard & Poors” e çon Shqipërinë në B plus. Të gjitha këto tregojnë që ekonomia po “ikën për dreq”, apo që e  ekonomia po përmirësohet?

Kur flasim për ekonominë që po përmirësohet, nuk flasim për një të sëmurë me kancer që po thyen rekordin botëror, por për një mekanizëm që po ripërtërihet dalëngadalë, me vështirësi, por në mënyrë të qëndrueshme. Kjo nuk është gjëegjëze, por është fakt.

Kam dëgjuar e dëgjoj vazhdimisht që reforma në energji ka dështuar. Unë po ju them vetëm kaq, që vetëm këtë vit, me vendim të vitit të kaluar, kompania është në gjendje t’iu falë 155 milionë dollarë, kontribuuesve që kanë detyrime ndaj saj. Kjo sepse kompania nuk ka nevojë më për paratë e buxhetit, për të ndezur dritat në shtëpitë tona.

155 milionë dollarë ishin të barabartë me shumën që çdo vit dilte nga buxheti për të mbushur gropën e vjedhjeve. Kjo tregon që kompania është më mirë, apo është më keq? Kjo është gjëegjëza që ju propozoj.

Ka një rekord të të gjithë viteve, 100 milionë dollarë nga arka e shtetit për të rritur rrogat dhe pensionet. Ndërkohë që qeveria e kaluar në 8 vjet, për rroga dhe pensione ka dhënë 124 milionë dollarë. Kjo është më mirë apo është me keq?

Flasim për një shtet dhe një qeveri që në vitin 2013 duhet të negocionte me FMN për mos uljen e rrogave dhe pensioneve dhe që rrezikonte që në nëntor-dhjetor të 2013-s të mos kishte para për të paguar rrogat dhe pensionet. Nuk na besonte njeri kur u thoshim “na jepni marrëveshjen, se ne do të bëjmë reformën në energji”. E dini përgjigjen e FMN dhe Bankës Botërore? “Këtë çështjen e reformës në energji lëreni mënjane, se këtë e kemi dëgjuar sa herë kemi ardhur në Shqipëri, për të fikur zjarrin. Të gjithë na kanë thënë, na jepni paratë, se do bëjmë këtë” Tani, reformën tonë në energji, ata e kanë një nga shembujt që e përdorin në vende të tjera, që kanë të njëjtën problematikë. E kanë thënë botërisht,  por flasin për njerëz që duan të dëgjojnë dhe që kanë kapacitetin moral që të kuptojnë, jo thjesht psikologjik, por moral.

Vijmë tek taksat dhe historia e problematikës së taksimit. Nëse shteti sot, në  llogaritë e veta ka 440 milionë dollarë më pak si pasojë e uljes së taksave për të gjithë të punësuarit në shtet apo privat, kjo çfarë quhet? Quhet ulje taksash apo rritje taksash? Janë 440 milionë që, po të mos kishim ulur taksat, do të vazhdonim t’i merrnim ne. Ndërkohë që  i marrin  punonjësit e shtetit, i marrin punonjësit privatë. E nëse shtojmë këtu edhe 40 milionë dollarë të tjera, që nga dita e parë e rritjes së rrogave të policisë, bëhen 580 milionë.

580 milionë në një mandat, ne kemi kaluar nga buxheti në xhepat e qytetarëve, 124 milionë në 8 vjet qeveria e kaluar. 124 është më e madhe se 580, apo varet nga e sheh? E sheh nga çadra, apo e sheh nga klasa e hartimit.

Pse çadra lidhet me vetting-un? Për një arsye shumë të thjeshte, elementare, nuk ka nevojë për shkencë. Procedurat e vetting-ut fillojnë javën e ardhshëm në këtë parlament. Protesta mund të vazhdonte normalisht, asgjë nuk e pengonte protestën, madje do ta ndihmonte protestën, sepse në këtë foltore tani do ishte duke folur Saliu, me orë të tëra. Si ka mundësi të heqin dorë nga kjo foltore, pikërisht tani? Sepse nuk duan vetting-un dhe më e bukura është se ata nuk e mohojnë. Ata e thonë shprehimisht se vetting-un do e bëjnë ata, se ata nuk kanë qenë  dakord me këtë vetting. Por nuk ka 2, 3, 5 vetingje dhe kjo është e qartë dhe duhet të jetë e qartë edhe për ne, edhe për partnerët ndërkombëtarë, se ka vetëm një vetting.

Pse krahasimi me tre ligjet është një krahasim i pamend?

Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse me tre ligje, pa tre ligje, Shqipëria nuk e merrte statusin e vendit kandidat, siç nuk e mori. Ne i kishim tre ligjet të votuara, kur në fund të 2013-s na u tha “ka akoma për të bërë”. Tjetra sepse vettingu është kushti i vetëm për të hapur negociatat.

Kam një lajm tjetër për ju dhe për të gjitha ata që teorizojnë mos hapjen e negociatave me kanabisin, me zgjedhjet dhe me histori të tjera si këto. Komisioni Europian ka filluar me ne, me Ministrinë  e integrimit, mot a mot, procesin teknik pas hapjes së negociatave, për të fituar kohë. Qeveria shqiptare dhe Komisioni kanë filluar  punën  së bashku për të kaluar kapitujt 23, 24, që janë  dy kapitujt e parë të negociatave. Ky është një ushtrim  që bëhet në kushtet kur Komisioni ka bindjen që Shqipëria është gati dhe pret vetëm dritën jeshile nga Këshilli Europian. Pas dritës jeshile nga Këshilli Europian, ne s’kemi pse të humbim këtë kohë, por do të jemi në një stad më të avancuar.

Bllokimi i vetting-ut është real, jo në fantazi si tre ligjet, se nuk e ka thënë ndonjëherë Këshilli Europian apo Komisioni Europian “kaloni  tre ligjet që t’ju japim negociatat”. Kurrë se kanë thënë shprehimisht!

Ndërsa Komisioni e ka thënë copë, Këshilli Europian e ka thënë copë; Vettingu! E jo mbarojeni, por filloni vetting-un.

Nuk më ka pëlqyer asnjëherë lidhja që ju jeni në protestë se s’doni Europën, se s’doni këtë e atë. Por po merrem me thelbin. Pa reformën në drejtësi, që fillon me vetting-un dhe pa vetting-un nuk ka mundësi të kemi reformën që kemi projektuar, nuk mund të ketë më shumë ekonomi, më shumë punësim, më shumë investime të huaja, më shumë mirëqenie, për arsyen e thjeshtë; Ekonomia, punësimi, investimet e huaja, mirëqenia, armikun më të madh sot kanë drejtësinë, ose mungesën e drejtësisë, kanë befasitë që bëjnë gjykatat.

Është elementare që ky është epilogu i një mandati, ku qeveria dhe shumica jonë ka bërë çmos për të fituar kohën e humbur. Ndërsa opozita ka humbur të gjithë kohën, duke u kapur pas hijes së vet. Ata që i thërrasin njerëzit në protestë, me gjithë ata që thonë “e dua protestën, por s’jam me protestën, se pres nga protesta që të rrëzojë këtë qeveri, po unë këtë qeveri e rrëzoj edhe vetë”, kanë një gjë të përbashkët, që nuk kanë lidhje fare me misionin tonë dhe qëllimet tona.

Ne nuk jemi engjëj, as nuk jemi të pagabueshëm. Absolutisht nuk kemi asnjë të drejtë të themi se gjithçka e kemi bërë mirë, por mes nesh dhe çfarë janë përballë nesh, nuk ka krahasim. Më mirë se unë dhe të gjithë ne sëbashku këtu, këtë e dinë shqiptarët që, pavarësisht se çfarë e ç’nuk dëgjojnë, në 18 qershor jam i bindur që do të japin përgjigjen e duhur.

Unë nuk di asnjë mënyrë tjetër, edhe nga eksperienca personale, edhe nga ajo e Partisë Socialiste, sesi mund të përmirësohen standardet e zgjedhjeve, kur nuk ulesh në tavolinë për t’i përmirësuar ato. Nuk ka gjë më hipokrite e më të gënjeshtër, sesa të bësh krahasim midis nesh dhe këtyre. Ne kërkonim tavolinë, jo për të marrë pushtetin në tavolinë. Ne nuk thoshim “ik ti, të vij unë”. Ne kërkonim tavolinë vetëm për të hetuar ky parlament, një proces zgjedhor ku ne kishim të gjitha arsyet dhe jo pak fakte, që të besonim se ishte një proces zgjedhor i korruptuar dhe neve na refuzohej tavolina.

Të gjithë e mbajnë mend që ne protestën e mbyllëm, kur u ulëm në tavolinë. Neve na refuzohej ulja në tavolinë. Të mos harrojmë edhe se ne e morëm atë që kërkonim me ligj. Sot mjafton një kërkesë e një konkurrenti, për të hapur të gjithë kutitë e Shqipërisë e të shohë atje, nëse ia kanë numëruar gabim apo mirë votat. Futja në ligj e atij neni ishte rezultat i asaj përpjekjeje. E ne atë kërkonim faktikisht, nuk kërkonim pushtetin. Krahasimet sot janë të gjitha alibi dhe përralla.

Duke mos u nisur nga opinioni, por nga fakti, besoj ju kujtohet që pas zgjedhjeve të vitit 2013, Partia Demokratike shkoi në KQZ e hapi gjithë kutitë e Shkodrës e të Lezhës. A patë ndonjë numërim gabim për Partinë Demokratike, për ne, apo për të tjerët? Kjo për arsyen e thjeshtë se nuk ka numërues që të shkojë në burg për hir të njërit apo tjetrit, sepse hapen kutitë. Po ashtu i dinë shumë mirë deputetët e përfaqësuesit e zonës së Lezhës,  pasojat që patën disa komisionerë në të shkuarën pikërisht për shkak të këtij ligji.

Mbi të gjitha, si ka mundësi që opozita nuk është në tavolinë për reformën zgjedhor, për të bërë ligjin që do! Votimi elektronik, nuk është çështje ka apo jo kohë. E para, ligjet zgjedhore nuk bëhen se e dua unë dhe do e pranosh ti, por bëhen me konsensus. E dyta, pse duhet të bëjë Shqipëria, një ushtrim që nuk e bën asnjë vend në Europë, përveç Estonisë që është rast unikal. Pse duhet të bëhemi ne të dytët? Apo se i kemi fibrat optike të shtrira në çdo fshat.

Pse duhet të bëjmë një votim që Gjermania e ka shpallur antikushtetues? Pse duhet të bëjmë një votim që Holanda e kishte dhe u tërhoq? Pse duhet të bëjmë një votim që të gjitha vendet e zhvilluara e konsiderojnë kërcënim për integritetin e zgjedhjeve, për shkak të ndërhyrjeve të mundshme?

Në Parlamentin Europian qeshin të gjithë, të majtë e të djathtë, me kërkesën për votim elektronik, se është një absurd ta kushtëzosh procesin me votimin elektronik. Ndërsa numërimin elektronik e kemi kërkuar dhe e kemi imponuar ne që të bëhej pilot në zgjedhjet e vitit 2013. Kemi pranuar të bëhet pilot, sepse dëgjuam ekspertet, pasi nuk bëhet dot përnjëherë në gjithë Shqipërinë. Ne donim shumë ta bënim në gjithë vendin, por është i pamundur. E bëmë projektin pilot dhe dështoi. U harxhuan gjithë ato para dhe dështoi. A është e mundur të bëhet? Patjetër është i mundur. Nuk kemi problem. Numërimin elektronik e kompenson 100%, hapja e kutive, sido të vijë puna. Nëse bëhet, shumë mirë, por ju them që dështoi dhe nuk e kanë shumë vende. Numërojnë me elektronikë në Londër e u bë skandal, se u bllokua numërimi, për shkaqe teknike dhe e filluan numërimin me dorë.

Ne kemi respekt për çdo njeri që është i pakënaqur, përveç atyre që pakënaqësinë e të tjerëve duan ta përdorin duke gënjyer, për të kapur prapë ndonjë karrige në parlament, por kjo është kategori tjetër. Flas për ata që janë të pakënaqur për shkak të faktit që rezultatet që ne tregojmë, nuk kanë prekur ende jetën e tyre. Në zgjedhjet në Kolonjë kemi marrë një rezultat të shkëlqyer, më të mirë se çdo herë tjetër, në disa fshatra ku nuk kemi bërë ende dot asgjë. Më mori Niko Peleshi në telefon, përpara zgjedhjeve dhe më kaloi një nga burrat e vjetër atje. E dini çfarë më tha? Asgjë nuk është bërë këtu tek ne, por ne nuk jemi budallenj, kemi sy e shikojmë. Përderisa erdhi dita, tha, që qeveria të mendojë e të ndihmojë bashkinë, që të filloje edhe Kolonja të mbajë pak erë qytet si dikur, atëherë do mbarojë ajo, do fillojë tek ne, kështu ne do votojmë PS-në, koalicionin.

Të jeni të sigurt që sa më shumë t‘i fyeni njerëzit si të shitur, si dele, si të varfër që blihen me kanabis, aq më keq do ta ndjeni veten më 18 qershor!​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.