Me mbështetjen e Bankës Botërore, në këto vite janë realizuar disa nga reformat jetike për vendin. Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e lamtumirës për Tahseen Sayed, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri, u shpreh se bashkëpunimi me Bankën Botërore gjatë periudhës që ajo u përfaqësua në Shqipëria nga zonja Tahseen Sayed, ishte shumë frytdhënëse.
“Nuk e di nëse marrëdhëniet me Bankën Botërore do të ishin ato që janë sot, pa Tahseen. Ajo që di është se nuk jemi ne që e presim atë krahëhapur, por është ajo që hapi krahët tanë dhe na bëri të besojmë tek Banka Botërore, na bëri të punojmë së bashku, në një mënyrë qё na mësoi shumë. Kur dikujt i duhet të flasë për Bankën Botërore, gjëja e parë dhe e fundit që kujton është paraja. Ndaj dhe unë nuk e mora fjalimin që më kishin përgatitur, sepse fliste vetëm për para; sa para këtu, sa para aty, sa shumë para do hyjnë. Por, për mua, këto vite pune me Tahseen dhe Ellen nuk kishin të bënin mbi të gjitha me paranë, por kishin të bënin mbi të gjitha me dijen dhe me të kuptuarin më shumë, sesi mund të luftohen shumë probleme dhe sesi mund të përballohen disa çështje që u trashëguan nga një qeveri në tjetrën, si një lloj sëmundjeje që u mbart dhe iu kalua tjetrit. Nuk dua të përmend programe, projekte, por dua thjesht të them që rezultati i përgjithshëm i kësaj pune të përbashkët është fantastik. Kemi bërë gjëra, për të cilat në fillim ke qenë ndoshta skeptike që ne do të mund të arrinim t’i bënim së bashku, reforma energjetike para së gjithash, reforma e pensioneve dhe shumë të tjera. Nuk jam i sigurt, nëse do mund të kishim bërë të njëjtat gjëra me të njëjtat rezultate pozitive, nëse nuk do të kishe qenë këtu.”
Duke shprehur mirënjohjen për punën e zonjës Tahseen Sayed dhe angazhimin e Bankës Botërore në programe të rëndësishme në Shqipëri, Kryeministri u shpreh se vijimi i këtij bashkëpunimi do të sjellë përfitime të tjera për Shqipërinë.
“Shpresoj fort që kushdo që do të vijë më pas do të jetë në gjendje të vazhdojë atë që ke ndërtuar dhe do të jetë në gjendje të na japë përsëri, me plot art dhe gatishmëri, dijen dhe përvojën, të cilat, kur njerëzit e Bankës Botërore duan t’i japin, janë të paçmueshme. Faleminderit Ellen për këtë organizmin dhe faleminderit të gjithëve ju që jeni këtu. Shpresoj shumë që festa e anonçuar do të jetë tregojë në mënyrën shqiptare gjithë mirënjohjen dhe gjithë energjinë pozitive që ne kemi për ty. Paç fat dhe jam i sigurt që do të të marri malli për Shqipërinë. Ata që e njohin Shqipërinë, ashtu sikurse edhe ti, e dinë që Shqipëria është diçka që s’mund të zëvendësohet. Ka shumë vende të tjera të bukura, ku ndoshta mund të zbulosh më shumë gjera, por asnjë vend tjetër nuk e ka fuqinë për t’i bërë njerëzit e varur ndaj tij, siç është Shqipëria. Ndaj je e mirëpritur, sa herë do duash të kthehesh.”