Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Përshëndetje të gjithëve,

Përfitoj nga rasti që ky aktivitet zhvillohet edhe në sy të opinionit publik për të përgëzuar shumë përzemërsisht drejtoren e agjencisë, e cila ka udhëhequr një proces tmerrësisht të vështirë transformimi të kësaj agjencie nga një magazinë pa inventarë ku bënte hatanë “miu i korrupsionit”, në një institucion i cili sot është i gatshëm t’i presë me dinjitet të gjithë qytetarët që kanë çerek shekulli që zvarriten shkallëve përpjetave, tatëpjetave të një shteti inekzistent dhe hap pas hapi të adresojë me realizëm dhe konkretisht kërkesat e tyre të pambarimta.

E vërteta është që prona ka qenë për çerek shekulli një “mish për top”. Faktikisht e gjithë prapambetja e trashëguar e vendit tonë në çdo aspekt në këto 20 e kusur vite kur mund të kishim bërë, siç e tregojnë tre vitet e fundit shumë e shumë gjëra për të vendosur themelet e një shteti normal, lidhet si prapambetje në radhë të parë me pronën. Me pronën që e dimë të gjithë sesi u abuzua, u transformua, u tjetërsua dhe u propagandua po ashtu në të shkuarën si një arsye për t’i ndarë palët mes atyre që ishin me pronarët, atyre që ishin me pronarët, por që në fakt e vërteta është se kushdo foli në emër të pronarëve e bëri këtë me fjalë ndërsa me vepra i la pronarët në një baltë thithëse vit pas viti.

Ligji për kthimin e pronave i cili u miratua në vitin 2004 pësoi ndryshime të vazhdueshme dhe faktikisht i gjithë legjislacioni i pronës është një truall ku më në fund ne vendosëm piketat e të ardhmes pasi trashëguam një tërësi kontradiktash të panumërta në nene, paragrafë dhe dokumente që kundërshtonin haptazi njëra-tjetrën. Faktikisht, ligjit të parë nuk i mbeti as nam as nishan në rrugën e zbatimit të tij dhe ajo që solli zbatimi ishte më shumë kaos, më shumë pasiguri, më shumë padrejtësi.

Reforma që ne morëm përsipër është një nga reformat më komplekse, më të vështira dhe sigurisht një nga reformat që në pamje të parë nuk jep një zgjidhje mjaftueshmërisht të drejtë për shkak se në 25 vite çështja u kokoleps si s’ka më keq dhe një zgjidhe ideale nuk ekziston në tërësi, por as që mund të mendohet në veçanti në këtë proces, por e vërteta është që ligji që faktikisht fut në procesin e zbatimit reformën tonë të pronës, jep një zgjidhje përfundimtare për të gjithë. Një zgjidhje, e cila ka marrë dhe bekimin, siç tha drejtorja, e Komisionit të Venecias, por që ende ka nevojë për të marrë edhe vulën e Gjykatës Kushtetuese, që në një vendim të hatashëm e cënoi opinionin e Komisionin të Venecias, gjë e pandodhur asnjëherë më parë në Republikën tonë, por një gjë që nuk e gjen në asnjë republikë demokratike që i drejtohet Komisionit të Venecias. E megjithatë ne kemi shpresë që sidoqoftë në zbardhjen e vendimit nuk do ketë shteg për të krijuar paqartësi dhe pasiguri të reja.

Nga ana tjetër, jemi të gjithë të vetëdijshëm që nëse ka një temë që lidhet drejtpërdrejtë me temën e Reformës në Drejtësi, është tema e pronës. Jemi të gjithë dëshmitarë se Reforma në Drejtësi perceptohet në radhë të parë si një instrument për të goditur zyrtarët e lartë që përzihen në kanalet e korrupsionit, por e vërteta është që nëse Reforma në Drejtësi i duhet këtij vendi dëshpërimisht prej 20 e kusur vitesh, A-ja është për t’i dhënë fund përmes një drejtësie të drejtë padrejtësisë të kthyer në sistem në tërësi dhe në veçanti padrejtësisë së kthyer në sistem kur vjen puna tek e drejta e pronës.

Çka i kanë bërë pronës gjykatat e këtij vendi nuk ia ka bërë asnjëherë në shekuj asnjë pushtues këtij vendi. Çfarë kanë arritur t’i bëjnë gjykatësit e korruptuar këtij vendi kur kanë gjykuar pronësi nuk ka arritur t’ia bëjë asnjë armik dhe nuk do mundte t’ia bënte asnjë armik sado i betuar i këtij vendi. Reforma në fushën e pronave është pa diskutim një kusht themelor për të pasur një Shqipëri europiane dhe për t’i thënë vetes që kemi një shtet që funksionon për njerëzit dhe mbi i bazën e ligjit.

Nuk është aspak e rastësishme që në të gjithë progres raportet e Komisionit Europian për Shqipërinë vit pas viti, problemi i pronës mbetet një nga sfidat themelore dhe konstatimet mbeten nga më të hidhurat. Më në fund në progres raportin e këtij viti është nënvizuar progres në këtë aspekt dhe faktikisht ligji i ri i pronave e shkund nga themelet sistemin e kalbur të njohjes së pronësisë. Ky ligj, pra kjo reformë e sanksionuar në këtë ligj, bën të qartë se më në fund kemi një afat në një histori pa afat për t’i mbyllur të gjitha çështjet e pronës dhe për t’i dhënë përgjigje të gjithë atyre që me të drejtën e Zotit dhe me të drejtën e Kushtetutës pretendojnë kthim apo kompensim. Një proces që ishte pa afat, pa rrugëdalje, pa shpresë, sot ka afat, ka rrugëdalje, ka shpresë për të gjithë.

Nga ana tjetër, mbyllet procesi i vlerësimit financiar të të gjitha vendimeve të dhëna për këto 22 vjet për kthim apo për kompensim. Po ashtu në tre vjet, në vetëm në tre vjet, do të përfundojë shqyrtimi i të gjitha kërkesave të patrajtuara që kanë vendim dhe prej 20 e kusur vitesh siç dëshmoi këtu dhe zotëria apo siç mund të dëshmojnë qindra e mijëra të tjerë, i kanë lënë njerëzit në pritje. 6 muaj është afati për publikim e mangësive, teknike dhe ligjore të rreth njëzet e gjashtë mijë vendimeve për kompensim. 6 muaj është po ashtu afati për aplikimin e kërkesave të reja pa i zvarritur qytetarët më në dyert e gjykatave. Ligji i ri e trajton në mënyrë shteruese, të plotë dhe të barabartë të drejtën e të gjitha kategorive të tokës duke përfshirë jo vetëm tokën truall, por edhe tokën bujqësore, tokën kullotë, tokën pyje, tokën livadhe.

Parafytyroni pak se çfarë dallimi themelor ka transformimi që ka sjell ky ligj në krahasim me 25 e vjet. Në 25 vjet nuk është kompensuar asnjë metër katror tokë bujqësore. Në vetëm 8 muaj janë kompensuar 32.5 hektarë tokë bujqësore, për të dhënë një shembull konkret. Po ashtu, për të dhënë një tjetër shembull tjetër konkret, në 8 muaj kjo agjenci ka kompensuar financiarisht me para në dorë, 15.4 hektarë tokë truall që është e barabartë, parafytyrojeni, me 91% të totalit të kompensuar financiarisht nga qeveria e kaluar në 8 vjet. Si asnjë qeveri më parë ne kemi marrë një angazhim të buxhetuar në harkun 10 vjeçar që duam t’i japim fund të gjithë historive pa fund të kthimeve, të kompensimeve, pretendimeve mbi pronën prej 500 milionë dollarësh, që kanë të bëjnë vetëm me kompensimin financiar të pronës. Nëse nga viti 2005 deri në vitin 2013 u shpërnda Zero, Zero metër katror nga fondi i tokës për kompensim fizik që qeveria e kaluar e kishte vënë në dispozicion të pronarëve vetëm në letër, sot kjo situatë është tërësisht ndryshe dhe perspektiva për të gjithë ata që janë në pritje është, të paktën është e qartë.

500 milionë dollarë ne i kemi vënë në dispozicion të këtij procesi dhe në 8 muaj, 20 milionë janë vënë nga buxheti për këtë proces. Ndërkohë që në 8 vjet ishin vetëm 42 milionë gjithsej dhe ato të shpërndara…mos pyet se nuk po i hyjmë asaj bisede. Pa folur pastaj për gjendjen fizike të arkivës, për dosjet pa asnjë inventar, për pronarë që humbisnin në këto labirinte dokumentet e tyre, duhet të ktheheshin përsëri për t’i bërë nga e para dhe historira pa fund që tani kanë marrë fund, sepse gjithçka është e arkivuar në mënyrë dixhitale. Pra, nuk ka më mundësi që dosjet të humbasin fizikisht dhe në rast se një gjë e tillë ndodh për një arsye të paparashikuar është fare e thjeshtë që brenda një minute të zëvendësosh me bazën dixhitale të të dhënave që është edhe rezultat i një investimi financiar të bërë nga qeveria që ditën e parë për t’i dhënë fund këtij kaosi të tmerrshëm referencash dhe mungese e konfuzioni në informacion. Kjo, sigurisht, që sjell edhe diçka tjetër shumë pozitive që iu garanton qytetarëve një shërbim cilësor, por shmang mbivendosjet, ato mbivendosjet e tmerrshme që janë bërë një makth më vete me këtë histori 20 e kusur vjeçare dhe që i kanë zvarritur nëpër gjykatat e vendit për dhjetëra vjet pronarët duke shmangur po ashtu dhe pasigurinë në shpërndarjen e drejtë të fondeve të kompensimit.

Patjetër që çka po them nuk është një arsye për t’i kërkuar pronarëve të brohorasin për qeverinë, është një bazë solide për të ndërtuar gjithë këtë proces që do të kërkojë kohën e vet, që ka sfidat e veta, por që na tregon që me vullnet të mirë dhe me vendosmëri në më pak se tre vjet është bërë ajo që nuk është bërë në 25 vjet të marra bashkë. U janë kursyer njerëzve stërmundime të pashoqe që i kanë shoqëruar për 20 e kusur vite. Sot ka një perspektivë, ka një dritë jeshile për të gjithë ata që për 20 e kusur vite kanë mbetur pa përgjigje dhe ka më në fund rrugëdalje nga ky tunel i tmerrshëm, që nuk është vetëm tuneli i atyre që kanë një pronë për të kompensuar, por është tuneli i ekonomisë sonë, është tuneli i perspektivës së ekonomisë dhe të shoqërisë sonë që pa e zgjidhur një herë e mirë këtë problem nuk mund të synojmë kapërcime të mëdha dhe plotësisht të merituara edhe në aspektin e rritjes së mirëqenies dhe të konsolidimit të qëndrueshëm të rritjes së ekonomisë.

James Madison, një President i Shteteve të Bashkuara ka thënë se të drejtat e pronës janë objektet për mbrojtjen e të cilave u krijua vetë koncepti i qeverisjes. Pa të drejtën e pronës qeverisja vetë është një koncept i pakuptimtë, i zbrazur nga thelbi. Ne jemi krenarë që i kemi dhënë thelb të gjithë kësaj përpjekjeje.

Unë dua që duke iu shprehur të gjithë pronarëve ndjenjën më të fortë të solidaritetit për të gjithë torturat dhe vuajtjet e të gjithë këtyre viteve, t’i garantoj po ashtu se tanimë ka një proces që është garantuar edhe politikisht në kuptimin që nuk ka më rëndësi se qeveris një forcë apo qeveris një forcë tjetër apo i’a do qejfi një partie apo s’ia do qejfi një partie tjetër përsa i përket garantimit të të drejtës tyre dhe përfundimit për secilin të një procesi që bazohet në Kushtetutë, bazohet në ligj dhe bazohet në domosdoshmërinë që brenda këtij harku kohor të përcaktuar ne ta mbyllim një herë e mirë këtë faqe të zezë të historisë së Republikës sonë.

Shumë faleminderit!

 

***

Agjencia e Trajtimit të Pronës sot ka një fytyrë të re, por jo vetëm kaq. Në 8 muaj janë kompensuar financiarisht sa 91% të totalit të aplikimeve të kompensuara financiarisht nga qeveria e kaluar në 8 vjet. Drejtorja e kësaj Agjencie, Sonila Qato në fjalën e saj theksoi vështirësinë e përfundimit të një procesi të stërzgjatur së çështjes së pronës: “Tre vjet më parë Agjencia ishte institucioni ku neglizhenca administrative e pashembullt i përshtatej ekzaktësisht damkës së errët në mënyrën se si është trajtuar çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave në vendin tonë. Sot ATP mban peshën e trashëguar të një barre 25 vjeçare për përfundimin e këtij procesi të tejzagjtur. Në programin e saj qeverisës së këtij mandati qeveria premtoi një zgjidhje të qëndrueshme të çështjes së pronarëve të vjetër përmes fazave të identifikimit të faturës totale të kompensimit të pronarëve dhe krijimit të një skeme efektive për mbylljen e procesit përmes miratimit të një matrice plani masash te miratuara nga qeveria në muajin prill të vitit 2014.”

Dy pronarë ndër pronarët që gjendeshin të pranishëm në këtë event u shprehen se më në fund pas 25 vitesh arritën të marrin kompensimin financiar. “Me të vërtetë kemi vite që iu jemi drejtuar zyrave për të marrë këtë kompensim që na është dhënë që në vitin 94 dhe më në fund u bë realitet.” Ndërsa një tjetër pronar që kishte aplikuar disa herë që prej vitit 94 arriti të marrë pas 20 vitesh kompensim për pronën e tij: “Kemi aplikuar edhe herë tjetër dhe nuk na është dhënë. Aplikuam me skemën e re në muajin tetor dhe falë z. Kryeminsitër dhe stafit të ATP u arrit që të merrnin kompensimin financiar”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.