Fjala e Kryeministrit Edi Rama në shpërndarjen e certifikatave të legalizimit dhe titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore falas, në Konispol:
Më vjen shumë mirë që sot çojmë përpara, në mënyrë shumë të ndjeshme, një proces që praktikisht ishte zero, sepse nga viti 2005 deri në vitin 2013, në zonën e Konispoli nuk është bërë asnjë legalizim. Vetëm 8 legalizime janë bërë në Xarrë. Ndërkohë që sot janë 105 leje që i shtohen 72 të mëparshmëve dhe me 350 aplikime që janë bërë këtu, jam besimplotë që deri në vitin tjetër, Konispoli do të jetë një nga bashkitë e para që e mbyll përfundimisht problemin e legalizimeve dhe ku përfundimisht, të gjithë ata që kanë ndërtuar një shtëpi do të jenë pronarë me titull pronësie të regjistruar dhe edhe me titullin e tokës të regjistruar.
Kështu besoj se përmbushet një zotin dhe jo vetëm një zotim, por edhe një domosdoshmëri për gjithë këtë zonë, ku kam kënaqësinë ta nënvizoj, bashkëjetojnë në harmoni edhe shqiptarë, edhe minoritarë.
Minoritarët e kësaj zone marrin një mesazh shumë të qartë, që është mesazhi i qeverisë sonë se për ne nuk ka asnjë dallim, përkundrazi, respekt për të gjitha të drejtat. Të gjithë ata që bëjnë zhurmë të madhe në Tiranë apo gjetkë për të drejtën e pronës së minoritarëve në Shqipëri, ja ku e kanë një shembull kuptimplotë sesi respektohet maksimalisht dhe në mënyrë tërësisht të barabartë çdo qytetar, qoftë me kombësi shqiptare, qoftë me kombësi greke.
Për ne ka qenë e qartë me kohë, por tani jam i bindur se po bëhet e qartë dita-ditës, për të gjithë qytetarët minoritarë, se shtëpia e tyre më e sigurt është Partia Socialiste e Shqipërisë.
Më vjen keq, në fakt, që për arsye vetëm politike, të lidhura me interesa vetëm partiake, ngrihen hera-herës dallgë krejtësisht të panevojshme, në mënyrë artificiale, për t’i fryrë një zjarri që mund të ndizet nëpër media, mund të ndizet nëpër gazeta, mund të ndizet nëpër qarqe politike, por nuk ka asnjë shans të ndizet aty ku shqiptarët dhe minoritarët bashkëjetojnë si vëllezër, si fqinjë, prej kohësh të largëta dhe do të bashkëjetojnë gjithmonë sëbashku. Kjo është në themelet e këtyre komuniteteve dhe këto themele nuk i prek dot politika, sado e mbrapshtë, sado e djallëzuar, sado dinakërisht të përdori situata krejtësisht pa lidhje me qasjen tonë ndaj minoritetit, siç është situata e disa ndërtimeve pa leje në Himarë, pa asnjë lloj lidhjeje.
* * *
Në Konispol është drejt përfundimit procesi i legalizimeve falas, ndërkohë që ka nisur edhe dhënia e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Në një takim sot në fshatin Shkallë, ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, u shpërndanë edhe 105 certifikata të tjera legalizimi dhe procesi është drejt përfundimit.
Ndërsa ka nisur edhe dhënia e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore falas, ku sot u bënë përfitues të tyre edhe banorë të Vrinës. Titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore dhe legalizimet, siç u shprehën fermerët, janë dy zotimet e qeverisë më të mirëpritura prej tyre. “Thatë do t’ju bëjmë me tokë dhe me shtëpi, po i bëni dhe me tokë dhe me shtëpi,” – u shpreh një banor i Vrinës, përfitues i titullit të pronësisë mbi tokën bujqësore.
“Unë dua t’jua se jam shumë i vetëdijshëm që ka akoma shumë për të bërë. Në fakt, në ketë zonë, vihet gjithmonë me një kënaqësi të madhe, sepse është një zonë ku askush nuk ankohet për punë, pasi të gjithë janë në punë. Të gjithë kanë bërë zgjidhjen e tyre me kurajo dhe me ndershmëri, që punën mos ta kërkojmë nga shteti, por ta kërkojnë nga toka e tyre dhe t’ia dalin me sukses, falë vullnetit, këmbënguljes, eksperiencës dhe pasionit të madh për punën me tokën. Unë kudo ku shkoj e përmend si një shembull të shkëlqyer shembullin e kësaj zone, sepse është një shembull shumë kuptimplotë se çfarë mund të bëjmë ne shqiptarët me këtë pasuri të madhe që na ka dhënë Zoti apo natyra dhe sesa shumë akoma kemi për të bërë. Jam shumë i vetëdijshëm, por patjetër që këto që kemi bërë na mjaftojnë për të kuptuar se potenciali i madh është i gjithi në dorën tonë, për ta kthyer në realitet për njerëzit. Unë ju siguroj se kështu siç kemi punuar, do vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, me bindje dhe vendosmëri, por edhe duke korrigjuar të meta dhe gabime që patjetër janë pjesë e punës dhe pa rënë në vetëkënaqësi të kota dhe të panevojshme, sepse realiteti, pavarësisht se po përjeton ndryshime, ka nevojë për ndryshime shumë më të mëdha,” – u shpreh Kryeministri në bashkëbisedim me banorët.
Këto dy procese, theksoi Kryeministri, do të vazhdojnë në të gjithë territorin, falas dhe pa dallime. “Nuk është nder që ua bëjmë ne juve, por është në fakt, nderi që ju i keni bërë edhe vetes, por ia keni bërë edhe atyre që nuk na kanë votuar, sepse po përfitojnë edhe ata. Po japim tapitë, sepse kemi mundësinë ta bëjmë falë votës së njerëzve që na besuam dhe kjo është një arsye, një shembull, për t’ju thënë njerëzve që vota vlen. Ka shumë njerëz që thonë, për çfarë të votoj se nuk ndryshon gjë. Është vota që na keni dhënë që ka bërë të mundur që ne të futemi në këtë proces.”