Bashkëbisedimi i Kryeministrit Edi Rama me fermerë të Pajovës, Peqin:
Shumë faleminderit që na mikprisni këtu, për një bisedë që ka të bëjë me domosdoshmërinë që t’i japim një shtysë të re bujqësisë dhe një mbështetje edhe më të madhe familjeve që jetojnë me tokën, me prodhimin dhe që janë pa asnjë diskutim aleatët tanë të domosdoshëm në procesin e transformimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Ju keni dëgjuar, me siguri, shumë lidhur me këtë temë. Keni dëgjuar nga ne, nga të tjerët, por keni dëgjuar edhe nga ata që e kundërshtojnë këtë përpjekje.
Ajo që unë dua të them, në radhë të parë, është se ne jemi shumë të vetëdijshëm, unë jam shumë i vetëdijshëm që pavarësisht ndryshimeve të mëdha që ne kemi si qëllimin tonë kryesor dhe që janë rezultati i pritshëm i reformave tona të mëdha, pa asnjë diskutim, jo vetëm që nuk është gjithçka që kemi arritur dhe duam të arrijmë, por nuk është mjaft.
Ne jemi të bindur, të vetëdijshëm dhe unë dua ta ndaj këtë me të gjithë shqiptarët, që rezultatet e padiskutueshme që janë arritur në çdo sektor në këto 3 vite e pak, janë shumë domethënëse, por janë të pamjaftueshme për familjet, komunitetet, për vendin tonë.
Ambicia jonë është shumë më e madhe sesa këto rezultate.
Bindja jonë se këto rezultate janë vetëm fillimi i një procesi të marrjes së fryteve nga reformat e mëdha që kemi bërë, – është e plotë.
Duke ardhur te problematika e fshatit, unë dua ta përsëris edhe këtu që fakti që sot, në vitin 2016, në mes të Europës, në një vend të bekuar si ky për nga pasuritë e veta natyrore, për nga burimet e veta ujore, për nga klima e vet fantastike, ne diskutojmë akoma ujin në parcelë dhe titujt e pronësisë në fshat mbi tokën, – është i mjaftueshëm për të kuptuar se çfarë prapambetje të thellë ne kemi trashëguar dhe se me çfarë pengesash të mëdha të së kaluarës, ne, të gjithë sëbashku, duhet të përballemi.
Të diskutosh: “A ka ujë, a s’ka ujë në parcelë”; “A do mbytem, a s’do mbytem kur të bjerë shi, për shkak se kanalet ujitëse dhe kulluese nuk u pastruan asnjëherë për 25 vjet”, është të vësh duart në kokë.
Por ky është realiteti!
Prandaj ne jemi investuar fuqimisht si askush dhe si asnjëherë më parë që, së pari, të pastrojmë të gjitha kanalet ujitëse dhe kulluese dhe t’i vëmë ato në punë që askujt të mos i mungojë uji për shkak se kanali është i bllokuar nga plehrat e mbledhura për 25 vjet. Së dyti, të investojmë për të rehabilituar segmente, të cilat janë shkatërruar plotësisht.
Nga ana tjetër, që në vitin 1991 të gjitha partitë së bashku votuan me konsensus ligjin e pronës mbi tokën, të famshmin 7501. Sot, ne përballemi me trashëgiminë e rëndë të krijuar nga fakti që ky ligj nuk u zbatua asnjëherë deri në fund, sepse nuk iu dhanë njerëzve që jetojnë me tokën në fshat titujt e pronësisë, por iu dha një copë letër, akti i marrjes në përdorim të tokës, që, faktikisht, nuk krijonte asnjë mundësi për të pasur një treg toke. Nuk i jepte mundësi askujt as ta shiste, – kush e blinte e blinte mbas berihait se e blinte pa letra, – as mund të trashëgohej kjo tokë, as mund të përdorej si kolateral për të shkuar në bankë për të marrë një kredi etj. Pra, zot të një toke që se kanë të vetën, 25 vjet. Pa ujë dhe pa titullin e pronësisë mbi tokën, për çfarë zhvillimi të qëndrueshëm, intensiv bujqësie mund të flasim ne!
Prandaj ne jemi angazhuar fuqimisht edhe në iniciativën e dhënies së titullit të pronësisë mbi tokën. 25 vjet, jo që nuk u zbatua ligji, por u bënë 8 ligje njëri mbi tjetrin për pronën që e ngatërruan pronën më shumë e më shumë.
Ne bëmë një ligj për pronën, i cili është i pari ligj për pronën që përkrahet nga Këshilli i Europës, përkrahet nga Komisioni Europian dhe jep një zgjidhje përfundimtare të kësaj çështjeje.
Ndërkohë po vazhdojmë me intensitet nëpërmjet bashkive të japim titujt e pronësisë mbi tokën. Do të jetë një proces jo i shkurtër, por do të jetë një proces që ne do ta përfundojmë siç e kemi marrë përsipër.
Ashtu sikundër, do të çojmë ujin në çdo parcelë siç e kemi marrë përsipër dhe do ndalojmë që prodhimi të përmbytet për shkaqe krejtësisht të papranueshme, siç janë kanalet e bllokuara dhe infrastruktura që nuk funksionon.
Ne jemi të vetëdijshëm që sado që të shtojmë ne nga buxheti i shtetit nuk mjafton për të mbështetur fshatin, ashtu siç duhet dhe për t’i mbështetur familjet fermere ashtu siç duhet. Prandaj kemi krijuar një Fond Kombëtar të Garancisë për fshatin, për fermerët, që është Fondi që garanton secilin dhe çdo grup fermerësh që ka një projekt për të zbatuar që, nëpërmjet bankave të marrë një kredi me interesa shumë të ulëta, pra shumë të butë, ose me zero interesa, por një kredi që e garanton shteti, nuk e garanton, siç ndodh me një biznes, që kur shkon të marrë një kredi duhet të vendosë garanci para, apo asete.
Në rastin e fermerit, fermeri nuk duhet të vërë garanci asgjë, sepse është shteti që e garanton fermerin. Ky është një ndryshim shumë i madh, sepse normalisht fermerët nuk i drejtohen bankave të nivelit të dytë, pasi nuk i del llogaria dhe s’ka si t’i dalë llogaria. Plus që e kanë të vështirë për shkak të pamundësisë për të vendosur garanci të qëndrueshme. Në këtë rast, ne, faktikisht, bankat e nivelit të dytë i kthejmë në aleate të qeverisë në këtë projekt dhe në aleate të fermerëve, duke iu dhënë ne garancinë.
I keni dëgjuar ata të SHQUP-it që thonë: “Nuk zgjidhet kjo punë me kredi. Nuk zgjidhet kjo punë me banka. Kjo punë nuk zgjidhet duke hequr mbështetjen e shtetit”.
Ne nuk heqim asnjë mbështetje. Ne mbështetjen e buxhetit të shtetit e kemi rritur vit pas viti dhe do vazhdojmë ta rrisim. Kjo nuk është “ose-ose”, kjo është “edhe-edhe”. Pra, edhe këtë, edhe këtë. Jo, hiq këtë, që të kesh këtë.
Është një propagandë komplet e shfrenuar që synon vetëm të përfitojë nga padija e njerëzve, nga mungesa e informacionit, nga mërzia e njerëzve, por që s’ka lidhje fare me të vërtetën.
Këto janë gjërat që doja të thoja unë thjesht në hyrje të këtij bashkëbisedimi, por sigurisht që, është e domosdoshme që edhe ju të merrni pjesë, duke bërë pyetjet tuaja, në mënyrë që ta përmbledhin të gjithë tematikën e fshatit dhe të halleve dhe të problemeve tuaja në këtë bashkëbisedim.
Shumë faleminderit!
-Ju falënderoj Kryeministër për këtë takim. Vetëm dy probleme kam. Reformat tuaja, i dini vetë. I keni marrë, i keni bërë shumë mirë. Jemi të kënaqur. Por vetëm për çështjen e bujqësisë, flas për fushën e Pajovës që po të vish, të vjen zor ta shikosh. Unë kam marrë 70 kuintalë grurë për hektar. Sot nuk marr as 3 kuintalë grurë për hektar, për arsye se janë bllokuar krejtësisht kanalet. Prandaj ju lutemi shumë, ti e the vetë, por që sa më parë ta bëjmë këtu në Pajovë këtë. Kemi një kanal këtu, – dua ta falënderoj Xhevid Plakun, që na pruri ujin parvjet, – sivjet na e bllokuan prapë, se s’qenkan paguar dritat. Nuk morëm prodhim fare këtë vit, se na erdhi uji në muajin korrik uji, ç’e donim më ujin?! Vetëm këto dy gjëra duam për Pajovën. Se nuk është vetëm fshati im, jemi 3-4 fshatra me këtë kanal.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Unë të dëgjova me vëmendje. Është absolutisht e vërtetë që ka ende zona që nuk kanë shpëtuar nga ky tmerr i 25 viteve, për shkak se akoma nuk janë pastruar deri në fund kanalet.
Kemi pastruar afro 1000 km kanale ujitëse dhe kulluese. E kemi filluar këtë punë vetëm këtë vit, për shkak se nuk mund ta bënim këtë histori me 400 bashki e komuna, që ishte një çorap i madh dhe nuk kishte mundësi të organizohej siç duhej.
Tani me bashkitë e reja ne kemi vendosur një partneritet shumë të fortë dhe kemi dhënë paketën më të madhe financiare, në mbështetje të këtij procesi, në historinë e 25 viteve. Një flotë e re ekskavatorësh për bujqësinë është blerë. Pak nga pak, gjatë muajve të ardhshëm, do t’iu jepen bashkive.
Kini parasysh, ekskavatori i fundit për bujqësinë është blerë nga ky shtet në vitin 2005. Nuk ka dashur të dijë njeri fare për këtë histori.
Ne kemi blerë 71 ekskavatorë, 61 janë për pushtetin vendor, për gjithë bashkitë dhe 10 të tjera janë për Bordet e Kullimit. Një flotë e fuqishme, që do të bëjë të mundur që të gjitha bashkitë të fillojnë të krijojnë ndërmarrjet e tyre të infrastrukturës bujqësore. Pra, të kenë ekskavatorët e tyre, të kenë stafet e tyre që këtë punë ta bëjnë rregullisht, çdo muaj, çdo vit, çdo sezon ashtu siç duhet dhe të mos ketë më histori u bllokua këtu, u bllokua atje.
Nga ana tjetër, për çështjen e pompës, unë jam në dijeni dhe është zgjidhur.
Të keni parasysh se e kemi problem të madh, të trashëguar edhe çështjen e borxheve.
Ka patur borxhe të mëdha për atë pompë, nga pikëpamja e energjisë flas.
Është bërë një marrëveshje midis OSHEE-së dhe bashkisë që t’ju lehtësojë juve dhe është zgjidhur çështja. Pra nuk do e keni më problemin e pompimit.
Por, kini parasysh dhe ju e dini më mirë sesa ata që rrinë në kafene, apo ata që rrinë dhe komentojnë nëpër internet, që, puna do kohën e vet, do punën e vet dhe do durimin e vet. Çfarë u bllokua dhe u shkallmua në 25 vjet nuk mund të zhbllokohet dhe të rindërtohet në 3 vjet plotësisht. Besoj që në këtë pikë jemi të qartë. Por, ama, është e sigurtë që do vazhdojmë intensivisht këtë punë.
Të garantoj që vitin e ardhshëm, edhe përsa i përket fushës për të cilën ti flet, problemi i pastrimit të kanaleve do të jetë i zgjidhur.
-Mirëserdhët! Parafolësi shtroi problemin për kanalet. Por ne kemi dhe kodrat me ullinj. Rrugë s’kemi. Treg shitje s’kemi. Këto dy gjëra kisha. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Po i pate këto të dyja, i ke të gjitha. E vërtetë është. Unë jam i vetëdijshëm që sa shumë nevojë ka edhe për rrugët e fshatit, edhe për rrugët e arave, parcelave. Por kini parasysh një gjë, të dashur miq. E dëgjonit Saliun që dilte dhe thoshte: “Rrugë, rrugë, rrugë…”Çfarë bënte Saliu? Saliu bënte tendera dhe bënte kontrata pa lekë. Rruga kushtonte 10 milionë, Saliu vinte 100 mijë, ia jepte firmës, i thoshte: “Vazhdo me lekët e tua, se t’i kam”. Pa pikë turpi, thoshte: “Kemi bërë 10 mijë km rrugë”.
E dëgjova një ditë në Parlament, tha, 11 mijë, se i shtohen rrugët edhe kur ka dalë në pension. I ka shifrat e qametit, o për keq o për mirë. 10 mijë thoshte, kur ishte në pushtet, tani i janë bërë 11 mijë Saliut. “Kemi bërë 11 mijë”, – thotë. Normale, pensionist. Por ka pensionist e pensionist. Të keqen e pensionistit që foli përpara! Vazhdon punon tokën, jo si ai që vazhdon i bën qilizëm rrenave. Çfarë bëri? I vuri kompanitë të shkojnë nëpër banka, të marrin lekë, se s’iu jepte lekë. Popullit i thoshte: “U bë dhe kjo”! Mjaftonte ta priste shiritin Saliu, – “u bë dhe rruga”.
E inauguroi rrugën Tiranë-Elbasan. Erdhëm ne, rrëshqiti gjysma e malit atje, se e kishte bërë pa studim gjeologjik, si punët e Saliut. Morën kompanitë borxhe, se çuan garanci, “e kam kontratën me shtetin, më jepni lekë si m’i ka ai burri”. U bllokuan edhe bankat.
Kur ne morëm qeverinë, na u desh të paguanim mbrapsht 720 milionë dollarë. Me 720 milionë dollarë, borxhet e Saliut, ne i kishim bërë të gjitha rrugët e fshatrave, komplet, edhe atë rrugën tënde atje.
Po të llogarisësh tani, sa lekë ka paguar Saliu për ato rrugë, – se thonë: “Janë rrugët e Saliut, s’po bëni rrugë të reja!” Ç‘rrugë të reja? I ka hapur gjithandej. Puna është t’i mbarosh. Po të llogarisësh lekët që kemi paguar ne. Pra, në fund të fundit, llogaria bëhet: Sa kilometra u ndërtuan realisht kur u paguan, jo kur zhytet dynjaja në borxhe? Llogaria del ndryshe.
Sidoqoftë, i shlyem ato borxhe. Kemi filluar të paguajmë për vazhdimin dhe për përfundimin e rrugëve. Po e ulim dhe borxhin publik. Do rrisim edhe rrogat dhe pensionet. Patjetër që, vit pas viti do të ndërtojmë edhe këto rrugë tretësore, që janë rrugë fshatrash, që janë të domosdoshme.
Për sa iu përket ullinjve, ajo që unë them, miku im, është që, nëse flasim për treg, duhet ndryshuar mënyra e organizmit. Nuk mund të shiten produktet me kokrra. nuk mund të shiten produktet te rruga. Nuk mund të mbeten produktet në mëshirë të fatit. Duhet që njerëzit të bëhen bashkë. Secili në tokën e vet, secili me të vetat, por, ama, të shesin bashkë. Kur njerëzit shesin bashkë, kanë volum. Kur kanë volum, e negociojnë atë dhe ka kush ua u blen. Ata që e marrin produktin dhe e çojnë për eksport, apo në tregun e madh duan volum. Nuk mund të shkojnë t’i mbledhin trastë më trastë.
Patjetër që është shumë e rëndësishme edhe infrastruktura e pikave të grumbullimit. Fondi i Garancisë Kombëtare është pikërisht për këto gjëra.
Nëse ju bëheni bashkë edhe me bashkinë dhe thoni: – “ne kemi nevojë për të bërë një pikë grumbullimi, na duhet kjo sasi lekësh”, – atëherë mund ta merrni këtë mbështetje. Duke patur pikën e grumbullimit dhe sistemin e shitjes bashkë, ndryshon komplet. Nuk po flas për gjëra që janë ëndrra, por flas për gjëra që sot në Shqipëri i bëjnë.
Shiten mollë në Korçë me sukses kur ata shesin bashkë. Kur rrinë veç e veç, ca i shesin, ca nuk i shesin, sepse shkon tregtari vendas apo i huaj dhe i kap veç e veç dhe thotë: – “do ma japësh ti me kaq, se ma jep ai tjetri me kaq”, e në vend që të bashkohen dhe ta shesin me një çmim, i ulin çmimin njëri tjetrit. Ndërkohë që kur janë bashkë, ndryshon.
E njëjta gjë në Divjakë, në Lushnje. Ata shesin bashkë. Kjo është arsyeja pse atyre nuk iu goditet produkti dhe nuk godasin njëri-tjetrin me çmime.
Po kështu edhe në Sarandë, në Konispol, shesin bashkë.
Kjo është logjika që të bën që të jesh i mbrojtur. Jo në formën që të bashkohemi si në kooperativat e dikurshme, por në formën që, “unë kam 3 dynym, unë kam këtë prodhim”. “Ne prodhojmë të njëjtin ulli”. Ti ke 5, ai ka 7. I bashkojmë të gjitha ato që kemi prodhuar dhe negociojmë me një zë. Jo të vijë ai të thotë: “Ma jep ti me kaq, se unë shkoj ia marr komshiut tënd me aq”. Pastaj ti rri dhe bën garë me komshiun kush e ul më shumë, se do ta heqësh prodhimin, normalisht, se ndryshe të ngelet në derë.
-Faleminderit zoti Kryeministër! Problemi im nuk lidhet me bujqësinë, sepse unë nuk zotëroj një tokë. Problemi im i vetëm është punësimi. Unë kam mbaruar studimet e larta për infermieri të përgjithshme, me mesatare 8.5 dhe master shkencor me mesatare 9.2. Zotëroj dhe licencën e punës. Kam dy vite që i drejtohem drejtorisë shëndetësore Elbasan dhe Peqin dhe deri tani, asnjë vend pune për mua. Unë prandaj të jam drejtuar dhe ty zoti Kryeministër edhe me letra. Kam edhe dokumentet e mia me vete…
Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk ka nevojë për dokumente, por një gjë duhet ta dish, që nuk je e vetmja që kërkon një punë si infermiere. Midis dhjetëra e dhjetëra kërkesave, ka plot që kërkojnë të punësohen si infermiere, por vendet e punës nuk janë pa fund. Ajo që kam deklaruar unë nuk është në kontradiktë me këtë që të thashë. Kur kërkon një punë në shtet për infermiere, duhet të kesh parasysh që kërkesat janë të panumërta. Të siguroj që siç je ti një studente e mirë, ka edhe të tjerë që janë studentë të mirë dhe që punësohen, ose që presin. Kjo është situata.
-Përshëndetje! Ne jemi 150 familje këtu në fshatin Pajovë. Na kanë marrë tokën komplet. Tokën e kanë marrë të tjerë…
Kryeministri Edi Rama: Në të gjithë Shqipërinë ka situata të tilla, sepse Shqipëria nuk ka sistem drejtësie. Duke mos pasur një sistem drejtësie, por duke pasur gjykatat si pazar, ku e drejta shitet, e drejta blihet, kjo situatë është tek ju dhe kudo që shfaqet.
Ky është një nga problemet më të rënda që ne kemi trashëguar. Toka u nda me ligj, por nuk u nda në realitet. U tha: “në 91-shin do ta japim në bazë të ligjit 7501”, – por nuk u bë. Jo vetëm nuk u bë, por në 25 vjet vetëm u ngatërrua bashkë me gjykatat dhe me gjykatësit, që, ju e dini më mirë se unë, se çfarë i kanë bërë këtij mileti. E që të vazhdojnë sot e gjithë ditën të rezistojnë, se nuk duan të dorëzohen dhe në bashkëpunim me Partinë Demokratike kanë krijuar një barrikadë për ligjin e pastrimit të gjykatave dhe të prokurorive nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, i kanë bërë këtij vendi hatatë më të mëdha në 25 vjet.
Sidoqoftë, ne, hap pas hapi dhe rast pas rasti, do shikojmë vazhdimisht me shumë vëmendje se si mund t’i zgjidhim këto probleme.
Unë po të qaj hallin dhe po ta kuptoj hallin shumë mirë. Nuk e diskutoj fare dhe s’kam arsye ta diskutoj që ju jeni në të drejtën tuaj. Unë po iu them si është situata, meqë më pyete si shpjegohet. Shpjegohet kështu, që në 25 vjet, jo nuk u bë shtet, por u bë një rrumpallë e paimagjinueshme. Gjykatat, që janë shtylla kryesore e shtetit u kthyen në pazare, ku e drejta shitej e blihej. Sot e gjithë ditën, ne jemi në kushtet kur na ka ngritur barrikadën atje Partia Demokratike bashkë me gjykatësit që nuk duan të dorëzohen dhe duan ta pengojnë reformën në drejtësi dhe as nuk iu hyn fare në sy, se, po kështu bllokojnë edhe rrugën e mëtejshme të integrimit europian të Shqipërisë.
Europa na ka bërë shumë të qartë: “O pastroni sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit, o ne nuk keni pse të ulemi në tavolinë të bëjmë negociata me ju.” Dhe kanë shumë të drejtë, sepse pikërisht, raste të tilla janë pafund në të gjithë Shqipërinë. Do ta shohim konkretisht këtë gjë.
-Ju falenderojmë për vizitën! Përveç problemit të vaditjes, që është problem shqetësues për të gjithë, kam dhe një shqetësim tjetër për cilësinë e farërave, dhe të kimikateve. Ne kemi bërë prova, kemi spërkatur me të njëjtin helm që e marrim nga vendet fqinje, e ka dhënë rezultatin me 100 për qind. Kurse këtu tek ne, nuk e jep rezultatin…
Kryeministri Edi Rama: Absolutisht, ky është një problem më vete, të cilin unë e pranoj. E kam pranuar edhe me tjerët kur jam takuar në fshat. Nuk e kemi zgjidhur dot, kjo është e vërteta. Tani, ne po bëjmë një listë me pikat e grumbullimit dhe me organizata të caktuara që do të jenë të autorizuara. Juve do t’ju themi: “Doni fara dhe inpute cilësore?” Sipas nesh, si shtet, në këto pika kontrolli juve mund të garantoni kontrollin cilësor. Nëse do të shkosh ta blesh diku tjetër, ku tjetri të thotë: – “Hajde se po ta jap unë me çmim të lirë, edhe e ke fiks”, – kjo është pastaj është çështja jote. Por shteti ka për borxh të thotë: – “Aty ku unë garantoj që do ta marrësh me cilësi, jam unë garanti. Në qoftë se të del keq, unë do të dëmshpërblej”. Kjo është e vetmja zgjidhje.
-Do të ngre tre probleme si fermer i këtij fshati dhe i kësaj zone. U diskutua çështja e kullimit të tokave. Ky është problem jo i sotëm e i djeshëm, por ka sot e 25 vjet. kemi problem me sistemin vaditës, kemi stacion pompe, që me të drejtë zoti kryeministër çmimi nuk është atje ku duhet. Po të bëjmë një krahasim, zona të tjera, kanë një çmim shumë të ulët. Zonat e tjera e kanë me ujë të rrjedhshëm vaditjen, kurse ne e kemi me energji elektrike. Të shikohet nga qeveria, nga ministria e bujqësisë çmimi i këtij stacioni pompimi. Diçka tjetër, për një pikë grumbullimi që t’iu shërbejë të gjithëve…
Kryeministri Edi Rama: Për pikën e grumbullimit, mblidhuni bashkë, uluni me bashkinë, bëni projektin bashkë me bashkinë, silleni tek unë dhe unë do t’ju mbështes që të merrni nga Fondi Kombëtar i Garancisë mbështetjen financiare që ta ndërtoni. Por, pikë grumbullimi që të prisni të vijë nga qielli, apo të vijë njëri ta bëjë, mos prisni. Uluni bashkë ta zgjidhni, kjo është nevoja juaj. Shkoni te bashkia, në bashkëpunim me bashkinë thoni: “Ja projekti ynë”. Ne do t’ju mbështesim që ta ndërtoni, juve dhe të gjithë atyre që dëgjojnë, kudo që janë, që duan të ndërtojnë pikë grumbullimi.
-Problematikat e fshatit nuk mbarojnë asnjëherë. Unë kam bërë një pikë grumbullimi këtu, faktikisht kam përfituar nga fondi AZHBR-së. Mua edhe sot e kësaj dite më vijnë limonët me thasë. Unë kërkoj volum, por volum nuk ka nga 2-3 rrënjë për shtëpi, siç e ngrite dhe ti problemin që duhet të bashkohen të gjithë, por duhet ta kuptojnë se vetëm volumi bën punën…
Kryeministri Edi Rama: Që ta kuptojnë ata që volumi bën punën, duhet të bësh ti një gjë. Duhet t’i shkosh përpara të gjithëve, tu thuash: “Unë dua limonët të mi sjellësh mua. Ja ku e ke parapagim një pjesë, pjesën tjetër të pres kur të mi sjellësh. E ke bërë ti këtë? Pra fermerët duhet të bashkohen! Ti duhet të ndikosh që t’i bashkosh.
-Ju uroj mirëseardhjen. Kemi një problem në fshat. U bë ura, e bëri ish-kryetari i Komunës, u shtrembërua. Sivjet u bë jehonë edhe nga mediat. Si përfundim z. Anastas Angjeli dha një fond prej 38.4 milion lekë, por aty nuk u bë punë fare, ura ngeli e shtrembër. I kanë bërë pak beton anash, i kanë vënë blloqe që shton më shumë rrymën e ujit kur vjen, gërryen urën nga poshtë e ajo urë është po e shtrembër.
Kryeministri Edi Rama: Kanë mbaruar punimet?
-Po, po, ka ikur firma
Kryeministri Edi Rama: Mos ki merak. Do merrem unë. Do interesohem personalisht që ta shikoj në qoftë se fondi është dhënë, me siguri do ketë ndonjë problem nga ato historitë që dalin në të tilla raste. Do interesohem unë. Përderisa fondi ka dalë, do bëhet siç është thënë.
Unë ju falënderoj shumë për takimin! Shpresoj shumë që të takohemi përsëri. Por ju siguroj që për çfarë diskutuam janë gjëra të cilat ne i kemi me prioritet dhe do vazhdojmë me shumë këmbëngulje t’i çojmë përpara. Kuptohet që, siç e thashë, punët duan kohën e tyre. Fakti që na duhet të merremi me gjëra që s’duhet të ishin fare problem sot, por duhet të ishin zgjidhur 20 vjet përpara, e bën edhe më të vështirë, por sidoqoftë ne jemi të bindur që do t’i kapërcejmë sëbashku të gjitha vështirësitë.
Shumë faleminderit!