Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projktligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 shtator 2016:

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ZHVILLIMIN E RRJETEVE TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE TË SHPEJTËSISË SË LARTË DHE SIGURIMIN E TË DREJTËS SË KALIMIT”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e të drejtës së kalimit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI

# # #

P R O J E K T L I GJ

PËR 

ZHVILLIMIN E RRJETEVE TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE TË SHPEJTËSISË SË LARTË DHE SIGURIMIN E TË DREJTËS SË KALIMIT

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

1.    Ky ligj ka për qëllim të lehtësojë e nxisë ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, duke promovuar përdorimin e përbashkët të infrastrukturës fizike ekzistuese dhe një zhvillim më efikas të infrastrukturës fizike të re, nëpërmjet reduktimit të kostove të ndërtimit të rrjeteve të shpejtësisë së lartë, reduktimit të procedurave si dhe sigurimit të së drejtës së kalimit për ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë.

2.    Ky ligj përcakton kërkesat minimale në lidhje me punimet civile dhe infrastrukturën fizike, me qëllim harmonizimin e aspekteve ligjore e rregullatore dhe të procedurave administrative në këto fusha.

Neni 2
Fusha e zbatimit

1.    Ky ligj zbatohet për sipërmarrësit që veprojnë në fushën e komunikimeve elektronike, me qëllim ndërtimin e rrjetit të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, si dhe për operatorët e rrjeteve që ofrojnë infrastrukturë fizike, kapacitete në rrjetet e tyre të komunikimit të shpejtësisë së lartë, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

2.    Detyrimet e përcaktuara në këtë ligj për sipërmarrësit, në lidhje me rrjetet e komunikimeve elektronike, në asnjë rast nuk përjashtojnë detyrimet që burojnë nga ligji nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1.    “AKEP”, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”;
2.    “Aksesi”, ka të njëjtin kuptim me atë të dhënë nga ligji nr.9918,  datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”;
3.    “Autoriteti planifikues”, autoriteti kompetent për dhënien e lejeve të ndërtimit, sipas përcaktimeve në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit;
4.    “Autoritete përgjegjëse”, organet dhe institucionet e administratës shtetërore, të ngarkuara për përmbushjen e detyrimeve rregullatore që rrjedhin nga ky ligj, brenda kompetencave të tyre;
5.    “ERE”, “Enti Rregullator i Energjisë”, institucioni rregullator i sektorit të energjisë elektrike dhe gazit natyror, i cili funksionon në përputhje me ligjin për energjinë dhe ligjin për sektorin e gazit natyror;
6.    “ERRU”, “Enti Rregullator i Ujit”, institucioni i rregullimit të sektorit të furnizimit me ujë, të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura, i cili funksionon në përputhje me ligjin për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura;
7.    “E drejta e kalimit”, servituti ligjor, që konsiston në të drejtën e sipërmarrësve që ofrojnë ose janë të autorizuar të ofrojnë rrjet dhe/ose shërbime publike të komunikimeve elektronike për të hyrë në pronën e shtetit ose atë private, me qëllim ndërtimin, ngritjen, ndryshimin dhe riparimin e infrastrukturës së përshtatshme për shtrirjen e rrjetit të komunikimeve elektronike ose për riparimin e kabllove, sistemeve e pajisjeve apo çdo burimi apo elementi tjetër të rrjetit të komunikimeve elektronike;
8.    “Infrastrukturë fizike”, çdo element i një rrjeti, i cili ka për qëllim të hostojë elemente të tjera të një rrjeti, pa u bërë vetë një element aktiv i tij,  siç mund të jenë tubacionet, kanalet/gypat, pusetat, instalimet e antenave, kullat, godinat ose hyrjet në godina. Kabllot, përfshirë fibrat e papërdorura (dark), si dhe elemente të tjera të rrjeteve, të përdorura për furnizimin me ujë të pijshëm, nuk konsiderohen infrastrukturë fizike, sipas këtij ligji;
9.    “Infrastrukturë fizike në godinë”, infrastruktura fizike ose instalimet në vendndodhjen e përdoruesit fundor, duke përfshirë elemente në pronësi të përbashkët, që hostojnë rrjetet kabllore ose pa tel (ëireless), aksesi në të cilat ka aftësinë të shpërndajë shërbimet e komunikimeve elektronike dhe të lidhë pikën e aksesit të godinës me pikën fundore të rrjetit;
10.    “Infrastruktura e godinës, e gatshme për komunikime me shpejtësi të lartë”, infrastruktura fizike e godinës, e destinuar për hostimin e elementeve ose që mundëson shpërndarjen e rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë (broadband);
11.    “Infrastruktura kritike kombëtare”, ato infrastruktura dhe/ose pjesë infrastrukturash, të cilat kanë rëndësi jetike për të siguruar funksione të rëndësishme sociale e ekonomike;
12.    “Leje”, akti i miratimit, lëshuar nga autoriteti kompetent që autorizon një sipërmarrës të kryejë punime inxhinierike civile ose ndërtimi;
13.    “Ministri”, ministri përgjegjës për komunikimet elektronike;
14.    “Operator rrjeti”, një sipërmarrës që ofron ose është i autorizuar të ofrojë rrjete të komunikimeve publike, sipas ligjit për komunikimet elektronike, si dhe çdo sipërmarrës që ofron infrastrukturë fizike të destinuar për ofrimin e:
a)    shërbimit të prodhimit, transportit ose të shpërndarjes së:
i)    gazit;
ii)    energjisë, përfshirë edhe ndriçimin publik;
iii)    ngrohjes;
iv)    furnizimit me ujë, përfshirë kanalizimet ose trajtimin e ujërave të ndotura dhe të zeza si dhe sistemin e drenazhimit.
b)    shërbimeve të transportit, duke përfshirë hekurudhat, rrugët, portet dhe aeroportet.
Operator rrjeti do të konsiderohet bashkia si dhe çdo subjekt juridik publik ose shtetëror që ka në pronësi apo administron infrastrukturë pasive të tubacioneve, që mundësojnë vendosjen e rrjetit të komunikimeve elektronike;
15.    “Pikë e aksesit në godinë”, një pikë fizike, e vendosur brenda ose jashtë godinës, e aksesueshme nga të gjithë sipërmarrësit e autorizuar që të ofrojnë rrjete publike të komunikimit, ku realizohet lidhja e infrastrukturës fizike të godinës me rrjetin e shpejtësisë së lartë;
16.    “Pika e vetme e informacionit”, pika që siguron marrjen e informacionit nga sistemi i përqendruar i informacionit mbi infrastrukturën e operatorëve të rrjetit;
17.    “Pronë e shtetit”, prona e paluajtshme e shtetit, publike dhe jopublike, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar;
18.    “Pronë private”, prona e paluajtshme, që nuk përfshihet te pronat e paluajtshme të shtetit, sipas ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe është në pronësi të një subjekti privat;
19.    “Prona shërbyese”, prona e shtetit ose private, mbi të cilën shtrihet e drejta e kalimit;
20.    “Punime civile”, çdo rezultat i punimeve të ndërtimit ose punime civile inxhinierike të marra në tërësi, të cilat, në vetvete, janë të mjaftueshme për të përmbushur një funksion teknik apo ekonomik dhe që përfshijnë vendosjen e një ose më shumë elementeve të infrastrukturës fizike;
21.    “Rrjeti i komunikimeve elektronike”, ka të njëjtin kuptim me atë të dhënë në ligjin nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”;
22.    “Rrjete të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë (broadband)”, rrjete të komunikimeve elektronike, të cilat kanë kapacitetin të ofrojnë akses në shërbime me brez të gjerë (broadband), me një shpejtësi, të paktën, 30 Mbps;
23.    “Rrjet i komunikimeve publike”, ka të njëjtin kuptim me atë të dhënë nga ligji nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”;
24.    “Sipërmarrës i komunikimeve elektronike”, subjekti fizik apo juridik, që ofron ose është i autorizuar për të ofruar rrjete të komunikimeve elektronike”;
25.    “Sistem i përqendruar i informacionit për rrjetet e komunikimeve elektronike”, portali GIS i infrastrukturës së komunikimeve elektronike, i administruar nga AKEP-i, që siguron publikimin dhe përditësimin elektronik të informacionit për infrastrukturën e komunikimeve elektronike dhe garanton aksesin e sipërmarrësve te ky informacion, në përputhje me këtë ligj.

KREU II
AKSESI NË INFRASTRUKTURËN FIZIKE EKZISTUESE

Neni 4
E drejta për akses në infrastrukturën fizike ekzistuese

1.    Çdo operator rrjeti ka të drejtë t’u ofrojë sipërmarrësve të rrjeteve të komunikimeve elektronike akses në infrastrukturën e tij fizike, me qëllim vendosjen e elementeve të rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë.

2.    Sipërmarrësit e komunikimeve elektronike kanë të drejtë të ofrojnë akses në infrastrukturën e tyre fizike, me qëllim zhvillimin e rrjeteve të ndryshme nga ato të komunikimeve elektronike.

3.    Çdo operator rrjeti duhet të vlerësojë mundësinë e plotësimit të kërkesës për akses në infrastrukturën e tij fizike, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Vlerësimi bëhet mbi bazën e trajtimit në kushte të drejta, duke përfshirë çmimin, me qëllim zhvillimin e elementeve të rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë.

Neni 5
Kërkesa për akses në infrastrukturën fizike ekzistuese

1.    Kërkesa për akses, sipas nenit 4, të këtij ligji, bëhet me shkrim, pranë operatorit të rrjetit. Në kërkesë specifikohen elementet e rrjetit, për të cilin kërkohet aksesi, duke përfshirë dhe periudhën kohore për të cilën kërkohet aksesi, dhe ajo shoqërohet me dokumentacionin e kërkuar e publikuar nga operatori i rrjetit, për këtë qëllim, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

2.    Operatori i rrjetit, me marrjen e kërkesës për akses, duhet të kthejë përgjigje për mundësitë e dhënies ose jo të aksesit në infrastrukturën e tij fizike brenda 15 ditëve, nga marrja e kërkesës, kur kërkesa bëhet te një sipërmarrës i komunikimeve elektronike, dhe jo më vonë se brenda 30 ditve, në rastet e tjera.

Neni 6
Refuzimi i aksesit në infrastrukturën fizike

1.    Në rast refuzimi të aksesit, operatori i rrjetit duhet të bazohet në kritere objektive, transparente dhe proporcionale, sipas parashikimeve ligjore.

2.    Refuzimi i aksesit bëhet vetëm për shkaqe të lidhura me:
a)    parashikimet ligjore përkatëse, që rregullojnë fushën e veprimtarisë së operatorit të rrjetit përkatës;
b)    përshtatshmërinë teknike të infrastrukturës fizike, për të cilën aksesi është kërkuar për të hostuar ndonjë prej elementeve të rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë;
c)    disponueshmërinë e hapësirës për të hostuar elemente të rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë, duke përfshirë nevojat për zhvillime në të ardhmen të vetë operatorit të rrjetit, të cilat duhet të argumentohen nga operatori i rrjetit;
ç) sigurinë dhe çështjet e shëndetit publik;
d)    integritetin dhe sigurinë e çdo rrjeti, në veçanti sigurinë e infrastrukturës kritike kombëtare;
dh)  rrezikun nga interferenca të dëmshme të shërbimeve të komunikimeve elektronike të planifikuara me ato të shërbimeve të tjera të parashikuara mbi të njëjtën infrastrukturë fizike;
e)    disponueshmërinë e mjeteve alternative të zbatueshme të aksesit në infrastrukturën fizike të rrjetit në nivel shumice, të ofruar nga operatori i rrjetit, dhe të përshtatshme për ofrimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë, me kusht që ky akses të jetë ofruar në kushte të drejta;
ë) cenimin e interesave ekonomikë dhe të parimeve të konkurrencës së ndershme të operatorit të rrjetit.

3.    Në rast refuzimi të aksesit, operatori i rrjetit argumenton me shkrim arsyet e refuzimit.

Neni 7
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve në rast refuzimi të së drejtës për akses në infrastrukturë

1.    Në rastet kur aksesi refuzohet ose operatori i rrjetit nuk kthen përgjigje, si edhe në rastin kur marrëveshja mbi termat dhe kushtet specifike, duke përfshirë edhe çmimin, nuk është arritur brenda dy muajve, nga data e marrjes së kërkesës për akses, kërkuesi ka të drejtë t’i drejtohet autoritetit përgjegjës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

2.    Autoriteti përgjegjës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve është, përkatësisht,:
a)    AKEP-i, kur aksesi është kërkuar nga një sipërmarrës i komunikimit elektronik te një sipërmarrës tjetër i komunikimit elektronik;
b)    ERE, kur aksesi është kërkuar nga një sipërmarrës i komunikimit elektronik te një operator rrjeti që vepron në fushën e energjisë apo gazit;
c)    ERRU-ja, kur aksesi është kërkuar nga një sipërmarrës i komunikimit elektronik te një operator rrjeti që vepron në sektorin e furnizimit me ujë, të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura;
ç) autoriteti përgjegjës në nivel qendror ose lokal për rregullimin e transportit, kur aksesi kërkohet nga një sipërmarrës i komunikimit elektronik në infrastrukturën e transportit publik.

3.    Autoriteti përgjegjës, me marrjen e kërkesës, sipas pikës 1, të këtij neni, merr vendim bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe të parimeve të tjera të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative dhe në legjislacionin e posaçëm në fuqi. Autoriteti përgjegjës, në vendimin e tij përfshin vendosjen e termave dhe kushteve të drejta si dhe çmimin e aksesit, kur është e nevojshme dhe në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.

4.    Për rastin e parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij neni, AKEP-i zgjidh mosmarrëveshjen sipas parashikimeve në ligjin për komunikimet elektronike, në rregulloret specifike të miratuara prej tij, në zbatim të ligjit për komunikimet elektronike, si dhe duke mbajtur parasysh përmbushjen e objektivave rregullatore për komunikimet elektronike.

5.    Autoriteti përgjegjës, sipas pikës 2, të këtij neni, duhet të zgjidhë mosmarrëveshjen duke respektuar afatet e përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative dhe ligjeve të posaçme në fuqi, të cilat përcaktojnë veprimtarinë e autoritetit përgjegjës. Palët në proces, kanë të drejtën që ta adresojnë çështjen në gjykatë, në rast të mospërgjigjes nga ana e autoritetit përgjegjës, si dhe kanë të drejtë të ankimojnë në gjykatë çdo vendim të autoritetit përgjegjës, në përputhje me përcaktimet e Kodit të Procedurave Administrative dhe ligjeve të posaçme.

6.    Çmimi i vendosur nga autoriteti përgjegjës, sipas pikës 3, të këtij neni, garanton që ofruesi të ketë mundësinë e mbulimit të kostove të dhënies së aksesit dhe një fitimi të arsyeshëm, duke marrë në konsideratë ndikimin e aksesit të kërkuar mbi planin e biznesit të ofruesit të aksesit dhe duke përfshirë edhe investimet e bëra nga operatori i rrjetit, të cilit i është bërë kërkesa për akses, në veçanti në infrastrukturat fizike të përdorura për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë. Metodologjia e përcaktimit të çmimit dhe çmimet referuese miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës. Çmimet referuese rishikohen periodikisht, por jo më pak se çdo dy vjet.

7.    Autoriteti përgjegjës përcakton çmimin e aksesit sipas metodologjisë së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës, në konsultim me kërkuesin dhe operatorin e rrjetit, në rastet kur ekziston detyrimi mbi sipërmarrësin për aksesin dhe masat rregullatore përkatëse, përfshirë kontrollin dhe mbikëqyrjen e tarifave. Në përcaktimin e çmimit të aksesit mbahet parasysh çmimi i tregut, tarifat mesatare të vendeve të rajonit si dhe respektimi i parimeve të konkurrencës së ndershme dhe efektive. Çmimi i përcaktuar nuk duhet të cenojë dhe të bjerë ndesh me të drejtat dhe interesat ekonomikë të operatorit të rrjetit.

8.    Dhënia e së drejtës për akses, sipas këtij ligji, nuk cënon të drejtat e pronarit të infrastrukturës fizike, për rastet kur operatori i rrjetit nuk është pronari, si dhe të drejtën e pronësisë të çdo pale të tretë, si të pronarëve të tokës apo pronës private ku shtrihet infrastruktura fizike.

KREU III
GARANTIMI I TRANSPARENCËS PËR INFRASTRUKTURËN FIZIKE

Neni 8
Detyrimi për informacionin minimal për infrastrukturën fizike

1.    Çdo sipërmarrës i rrjeteve të komunikimeve elektronike publike të shpejtësisë së lartë, me qëllim aksesin në infrastrukturën fizike të një rrjeti ekzistues, sipas këtij ligji ka të drejtën e aksesit në informacionin minimal për infrastrukturën fizike ekzistuese të një operatori rrjeti, kundrejt kërkesës.

2.    Informacioni minimal për infrastrukturën fizike duhet të përmbajë, të paktën, të dhënat për:
a)    vendndodhjen dhe rrugëzimin e rrjetit (nëse ka infrastrukturë fizike në këtë zonë dhe cilat janë pikat fundore të saj);
b)    llojin dhe përdorimin aktual të infrastrukturës;
c)    një pikë kontakti të operatorit të rrjetit.

3.    Kërkesa për informim, sipas pikës 1, duhet të specifikojë zonën në të cilën do të zhvillohen elementet e rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë. Kërkesa për informacionin minimal mund të përfshijë dhe informacion për zhvillimet e pritshme apo punimet civile të parashikuara për zhvillimin e rrjetit ekzistues.

4.    Dhënia e aksesit në informacionin minimal mund të kufizohet vetëm nëse është e nevojshme, me qëllim sigurinë e rrjeteve dhe integritetin e tyre, sigurinë kombëtare, sigurinë e shëndetit publik, konfidencialitetin ose sekretin tregtar, sipas parashikimeve në legjislacionin në fuqi.

Neni 9
Pika e vetme e informacionit

1.    Autoritetet përgjegjëse, brenda fushës së veprimtarisë përgjegjëse të tyre, mbajnë në format elektronik informacionin minimal, sipas pikës 2, të nenit 8, të infrastrukturës fizike të operatorit/ëve të rrjetit që mbikëqyret prej tyre.

2.    Për aq kohë sa informacioni minimal nuk është i disponueshëm nëpërmjet pikës së vetme të informacionit, autoritetet përgjegjëse, mbi bazën e kërkesës me shkrim, bëjnë të disponueshëm informacionin minimal për sipërmarrësit e rrjeteve të komunikimeve elektronike publike.

3.    Informacioni minimal për infrastrukturën fizike të operatorëve të rrjeteve ofrohet me mjete elektronike, nëpërmjet pikës së vetme të informacionit. Informacioni minimal duhet të jetë i aksesueshëm ndërmjet pikës së vetme të informacionit në format elektronik nën kushtet e proporcionalitetit, mosdiskriminimit dhe transparencës.

4.    Çdo përditësim i informacionit minimal dhe çdo element i ri i tij, i marrë nga autoritetet përgjegjëse, pasqyrohet në pikën e vetme të informacionit brenda një muaji, nga data e marrjes së tij. Afati mund të zgjatet me 1 muaj, kur është i nevojshëm verifikimi i besueshmërisë së informacionit të dhënë nga operatorët e rrjetit.

5.    Kur informacioni minimal nuk është i disponueshëm nëpërmjet pikës së vetme të informacionit, operatorët e rrjeteve duhet të ofrojnë këtë informacion kundrejt kërkesës me shkrim nga sipërmarrësit e rrjeteve të komunikimeve elektronike publike.

6.    Operatori i rrjetit është i detyruar të kthejë përgjigje për informacionin minimal brenda 30 ditëve, nga marrja e kërkesës me shkrim. Në rast të mospërgjigjes nga operatori i rrjetit ose në rast refuzimi të paarsyeshëm prej tij, sipërmarrësi i rrjeteve të komunikimeve elektronike publike ka të drejtë t’i drejtohet autoritetit përgjegjës për zgjidhjen e mosmarrevëshjes, sipas parashikimeve të nenit 7, të këtij ligji.

7.    Autoriteti përgjegjës për krijimin dhe administrimin e pikës së vetme të informacionit, për ofrimin e informacionit minimal për rrjetet e infrastrukturës në nivel kombëtar, sipas këtij ligji, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës.

Neni 10
Verifikimi në vend

1.    Sipërmarrësi i rrjeteve të komunikimeve elektronike publike, pas marrjes së përgjigjes pozitive nga operatori i rrjetit, sipas nenit 5, të këtij ligji, ka të drejtë të paraqesë kërkesën me shkrim tek operatori i rrjetit, për një verifikim në vend të elementeve specifike të infrastrukturës së tij fizike.

2.    Kërkesa me shkrim duhet të specifikojë elementet e rrjetit që lidhen me zhvillimin e elementeve të rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë. Plotësimi i kërkesës për verifikim në vend dhe të elementeve të specifikuara të rrjetit duhet të kryhet në respektim të parimeve të proporcionalitetit, në kushte jodiskriminuese dhe transparente, jo më vonë se 1 muaj nga data e marrjes së kërkesës me shkrim.

3.    Refuzimi i verifikimit në vend bëhet vetëm për shkaqe të lidhura me:
a)    parashikimet ligjore përkatëse, që rregullojnë fushën në të cilën vepron operatori përkatës;
b)    sigurinë dhe çështjet e shëndetit publik;
c)    integritetin dhe sigurinë e çdo rrjeti, në veçanti të infrastrukturës kritike kombëtare;
ç) rrezikun nga interferenca të dëmshme të shërbimeve të komunikimeve elektronike të planifikuara me shërbime të tjera mbi të njëjtën infrastrukturë fizike;
d)    cenimin e sekretit tregtar të operatorit të rrjetit;
dh) cenimin e funksionimit të punës së operatorit të rrjetit.

4.    Në rast të një mosmarrëveshjeje në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e parashikuara në këtë nen, ndiqet e njëjta procedurë e përcaktuar në nenin 7, të këtij ligji.

5.    Detyrimet e parashikuara në këtë nen nuk do të aplikohen në rast se infrastruktura fizike ekzistuese konsiderohet jo e përshtatshme teknikisht për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë, ose në rast të infrastrukturës kritike kombëtare. Këto raste përjashtimore apo refuzimi duhet të arsyetohen, duke iu dhënë palëve të interesuara mundësinë e shprehjes së mendimit brenda një periudhe kohore të arsyeshme, por jo më pak se 30 ditë.

6.    Sipërmarrësit që ofrojnë ose janë të autorizuar të ofrojnë rrjete të komunikimeve publike dhe që përfitojnë akses në informacion, sipas këtij neni, janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin dhe sekretin tregtar.

7.    Shpenzimet që lidhen me procesin e verifikimit në vend, si kosto transporti, kosto e punonjësve të angazhuar për verifikimin në vend, mbulohen nga pala kërkuese.

KREU  IV
SISTEMI I PËRQENDRUAR I INFORMACIONIT PËR RRJETET E KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE

Neni 11
Detyrimi për të krijuar dhe mbajtur të dhënat për rrjetin

1.    Çdo sipërmarrës i rrjeteve të komunikimeve elektronike publike duhet të krijojë, mbajë dhe përditësojë një regjistër me informacion të detajuar për infrastrukturën dhe rrjetin e komunikimeve elektronike të zotëruar prej tij.

2.    Formati i standardizuar dhe përmbajtja e regjistrit, sipas kërkesave të këtij ligji, përcaktohen nga AKEP-i dhe integrohen në sistemin e përqendruar të informacionit për rrjetet e komunikimeve elektronike.

3.    Informacioni i përfshirë në regjistër i përcillet AKEP-it për publikim në faqen e tij zyrtare.

4.    Sipërmarrësit  janë të detyruar të raportojnë tek AKEP-i të gjitha ndryshimet në informacionin e paraqitur gjatë njoftimit, brenda 30 ditëve nga kryerja e tyre.

Neni 12
Sistemi i Përqendruar i Informacionit për rrjetet e komunikimeve elektronike

1.    AKEP-i është institucioni përgjegjës për ngritjen dhe administrimin e Sistemit të Përqëndruar të Informacionit për rrjetet e komunikimeve elektronike, i cili pasqyrohet në Pikën e Vetme të Informacionit, sipas    nenit 9, të këtij ligji.

2.    Sistemi i Përqendruar i Informacionit përfshin regjistrin elektronik, me të dhënat e përcjella nga sipërmarrësit, sipas përcaktimeve të nenit 11, të këtij ligji, dhe përditësohet me informacionin e ri të ardhur prej sipërmarrësve.

3.    AKEP-i kërkon informacion edhe nga organet shtetërore apo entet publike që kanë në pronësi prona të shtetit, të cilat përbëjnë infrastruktura të përshtatshme për shtrirjen e rrjetit të komunikimeve elektronike, dhe e publikon atë.

4.    Faqja zyrtare e internetit e AKEP-it përfshin, por pa u kufizuar në të, informacionin lidhur me:
a)    njoftime për ndërtimet në infrastrukturë të përshtatshme për shtrirjen e rrjeteve të komunikimeve elektronike;
b)    të dhëna për të gjitha infrastrukturat e përshtatshme për shtrirjen e rrjeteve të komunikimeve elektronike;
c) procedurat dhe kushtet që zbatohen për aksesin dhe përdorimin e infrastrukturave të përshkruara në këtë nen;
ç) procedurat dhe kushtet e përfitimit nga rregullat e përdorimit të përbashkët;
d) zhvillimin e procedurave të konsultimit publik;
dh) vendimet e autoriteteve përgjegjëse, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
e) tarifat përkatëse të aplikueshme;
ë) çdo informacion tjetër, lidhur me ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike, që vlerësohet i domosdoshëm për publikim nga AKEP-i.

5.    Sipërmarrësit që kanë përfituar të drejta kalimi kanë detyrimin të përcjellin informacion të përditësuar, në lidhje me rrjetet dhe infrastrukturën e zotëruar prej tyre, sa herë që u kërkohet nga AKEP-i. Informacioni i kërkuar përfshin të gjitha elementet e nevojshme për t’u përfshirë në Sistemin e Përqendruar të Informacionit.

Neni 13
Aksesi në Sistemin e Përqendruar të Informacionit 

1.    Sistemi i Përqendruar i Informacionit mbështetet në parimin e transparencës, shpërndarjes së informacionit, reciprocitetit dhe proporcionalitetit. Sistemi do të jetë i hapur për akses në informim për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike dhe subjektet e tjera të interesuara, sipas rregullave të miratuara për funksionimin e sistemit.

2.    Rregulla më të detajuara për subjektet e autorizuara për akses në sistem përcaktohen me rregullore të AKEP-it.

KREU V
KOORDINIMI I PUNIMEVE CIVILE

Neni 14
Koordinimi i Punimeve Civile

1.    Çdo operator rrjeti ka të drejtë të negociojë dhe lidhë marrëveshje për koordinimin e punimeve civile me sipërmarrësit e rrjeteve të komunikimeve elektronike, me qëllim zhvillimin e elementeve të rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë.

2.    Çdo operator rrjeti, që kryen vetë apo me palë të treta punime civile, të financuara totalisht apo pjesërisht me fonde publike, duhet të plotësojë çdo kërkesë të arsyeshme, sipas nenit 15, të këtij ligji, për koordinim të punimeve civile, me kushte transparente dhe jodiskriminuese, të bërë nga sipërmarrësit që ofrojnë ose janë të autorizuar të ofrojnë rrjete të komunikimeve publike, me qëllim zhvillimin e elementeve të rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë.

Neni 15
Kërkesa për koordinimin e punimeve civile

1.    Kërkesa për koordinimin e punimeve civile, sipas nenit 14, konsiderohet e arsyeshme kur  plotëson këto kushte:
a)    Nuk sjell kosto shtesë apo vonesa për fillimin e punimeve civile dhe nuk rrezikon kryerjen e punimeve sipas afateve të lejes së ndërtimit;
b)    Nuk pengon mbikëqyrjen e punimeve civile të koordinuara;
c)    Kërkesa për koordinim bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, por, në çdo rast, jo më vonë se një muaj nga paraqitja e projektit final pranë autoritetit planifikues për dhënien e lejes së ndërtimit;
ç) Nuk cënon objektivat dhe funksionalitetin e investimit të operatorit të rrjetit;
d)    Është në përputhje me parashikimet e legjislacionit që rregullon fushën e veprimtarisë së operatorit të rrjetit.

2.    Kërkesa për koordinimin e punimeve civile duhet të dorëzohet sa më shpejt të jetë e mundur, me marrjen e informacionit për fillimin e punimeve civile nga një operator rrjeti, por, në çdo rast, jo më vonë se 30 ditë përpara dorëzimit të projektit final tek autoriteti planifikues kompetent për dhënien e lejes për punime civile, sipas ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

3.    Në rast se marrëveshja për koordinimin e punimeve civile, sipas pikës 1, të nenit 14, nuk arrihet brenda 15 ditëve nga data e marrjes së kërkesës formale për të negociuar, çdo palë ka të drejtë t’i drejtohet autoritetit përgjegjës, sipas parashikimeve në nenin 7.

4.    Autoriteti përgjegjës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, sipas pikës 3, bazohet në parimin e proporcionalitetit dhe vendos për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke përcaktuar kushte të drejta dhe jodiskriminuese.

5.    Autoriteti përgjegjës duhet të trajtojë kërkesën, referuar pikës 3, të këtij neni, brenda një afati kohor shumë të shkurtër dhe, në çdo rast, jo më vonë se 30 ditë nga data e marrjes së kërkesës së plotë. Palët në proces kanë të drejtën që ta adresojnë çështjen në gjykatë, në rast të mospërgjigjes nga ana e autoritetit përgjegjës, dhe kanë të drejtë të ankimojnë në gjykatë çdo vendim të autoritetit përgjegjës, në përputhje me përcaktimet e Kodit të Procedurave Administrative dhe ligjeve të posaçme.

6.    Detyrimet e parashikuara në këtë nen nuk aplikohen për punimet civile që nuk janë të një rëndësie të veçantë, bazuar në vlerën, sasinë dhe kohëzgjatjen e punimeve, ose në rastet e punimeve për infrastrukturën kombëtare kritike. Refuzimi i koordinimit të punimeve civile, në këto raste, duhet të arsyetohet, duke u dhënë palëve të interesuara mundësinë e shprehjes së mendimit brenda një periudhe të arsyeshme kohore, por jo më pak se 15 ditë.

7.    Rregullat për shpërndarjen e kostove të lidhura me koordinimin e punimeve civile miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës, sipas llojit dhe kategorisë së punimeve, në përputhje me parimet e transparencës, proporcionalitetit dhe orientimit në kosto.

Neni 16
Transparenca e punimeve civile të planifikuara

1.    Me qëllim koordinimin e punimeve civile, sipas nenit 15, çdo operator i rrjetit bën të disponueshëm, kundrejt kërkesës me shkrim të një sipërmarrësi të rrjeteve të komunikimeve elektronike publike të shpejtësisë së lartë, informacionin minimal lidhur me punimet civile të planifikuara ose në proces, kur ato lidhen me infrastrukturën e tij fizike, për të cilën është dhënë leja, kur procedura për dhënien e lejes është pezull ose kur aplikimi pranë autoriteteve kompetente për dhënien e lejeve do të bëhet brenda 6 muajve.

2.    Informacioni minimal duhet të përmbajë:
a)    Vendndodhjen dhe llojin e punimeve;
b)    Elementet e rrjetit të përfshirë;
c)    Datën e parashikuar për fillimet e punimeve dhe kohëzgjatjen e tyre;
ç) Pikën e kontaktit.

3.    Kërkesa e një sipërmarrësi të rrjeteve të komunikimeve publike të shpejtësisë së lartë duhet të specifikojë zonën në të cilën do të zhvillohen elementet e rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë. Informacioni për elementet e rrjetit kufizohet në të dhënat e nevojshme, për qëllim të koordinimit të punimeve civile, pa cenuar konfidencialitetin dhe sekretin tregtar të operatorit të rrjetit.  Brenda 15 ditëve, nga data e marrjes së kërkesës me shkrim, operatorët e rrjetit duhet të sigurojnë informacionin e kërkuar, i cili duhet të përmbajë informacionin minimal, sipas pikës 2, të nenit 16, në kushte proporcionale, jodiskriminuese, transparente dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

4.    Operatorët e rrjetit mund të kufizojnë aksesin në informacionin minimal, për projektet e zhvillimit të rrjetit apo për punimet civile të lidhura me to, vetëm në rastet kur është e nevojshme për sigurinë dhe integritetin e rrjetit, sigurinë kombëtare, sigurinë e shëndetit publik, konfidencialitetin dhe sekretin tregtar.

5.    Operatori i rrjetit bën të disponueshëm informacionin minimal të kërkuar nëpërmjet Pikës së Vetme të Informacionit.

6.    Operatori i rrjetit refuzon kërkesën për informacionin, sipas pikës 2, nëse:
a)    ka bërë publik, në format elektronik, informacionin e kërkuar;
b)    aksesi në këtë informacion është siguruar ndërmjet Pikës së Vetme të Informacionit;
c)    cënon sigurinë dhe integritetin e rrjetit.

7.    Parashikimet e pikës 6, të nenit 15, për rastet përjashtimore, aplikohen edhe për detyrimet e parashikuara në këtë nen.

Neni 17
Ndërtimi i infrastrukturës publike

1.    Çdo organ shtetëror ose ent publik, që parashikon të kryejë punime ndërtimi ose gërmimi në infrastrukturën e transportit publik, 90 ditë përpara datës së planifikuar për fillimin e punimeve bën publike projektet, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit, nëpërmjet faqes zyrtare të internetit dhe Pikës së Vetme të Informacionit, në sistemin e përqendruar të informacionit, duke specifikuar afatin brenda të cilit sipërmarrësit e interesuar mund të paraqesin kërkesë për të përfituar të drejtën e kalimit në këtë sipërfaqe ose për koordinimin e punimeve civile, me qëllim:
a)    ndërtimin e tubacioneve kabllore;
b)    aksesin në tubacionet kabllore ekzistuese;
c)    shtrirjen e linjave të komunikimeve elektronike.

2. Nëse sipërmarrësi paraqet kërkesë për dhënien e të drejtës së kalimit brenda afatit të njoftuar, sipas pikës 1, atëherë zbatohen rregullat e këtij ligji për të drejtën e kalimit në pronën e shtetit.

3.    Në çdo rast, planifikimet e ndërtimeve të reja në infrastrukturën e transportit publik duhet të shoqërohen me parashikime për ndërtimin e tubacioneve kabllore për rrjetet e komunikimit elektronik. Përfshirja e parashikimeve të hapësirave të nevojshme për ndërtimin e tubacioneve kabllore në ndërtimin e infrastrukturës së transportit publik i nënshtrohet rregullave dhe procedurave të ligjit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Organet kompetente, sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, sigurojnë përmbushjen e detyrimit të përcaktuar në këtë pikë, duke bashkëpunuar, kur çmohet e nevojshme, edhe me autoritetin përgjegjës.

4.    Organet kompetente, sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, i përcjellin autoritetit përgjegjës informacion në lidhje me parashikimet e hapësirave të nevojshme për ndërtimin e tubacioneve kabllore si dhe për ekzistencën e këtyre hapësirave, kur punimet kanë përfunduar, me qëllim publikimin e informacionit në Pikën e Vetme të Informacionit.

5.    Mungesa e parashikimeve për hapësirat e nevojshme për ndërtimin e tubacioneve kabllore në ndërtimin e infrastrukturës së transportit publik, sipas pikës 4, të këtij neni, përbën shkak për mosfillimin e punimeve.

KREU VI
PROCEDURA E DHËNIES SË LEJEVE PËR PUNIME

Neni 18
Dhënia e lejeve

1. Informacioni në lidhje me kushtet dhe procedurat e aplikueshme për dhënien e lejeve për punimet civile, të nevojshme për zhvillimin e elementeve të rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë, ofrohet nëpërmjet zyrave me një ndalesë, sipas legjislacionit në fuqi për zhvillimin dhe planifikimin e territorit.

2.    Procedurat për aplikimin dhe miratimin e lejeve për kryerjen e punimeve civile, të cilat janë të nevojshme për zhvillimin e elementeve të rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë, përcaktohen në legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

3.    Autoritetet e planifikimit, kompetente për dhënien e lejeve, japin ose refuzojnë lejet brenda afateve kohore, në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Çdo refuzim duhet të arsyetohet, bazuar në kriteret e transparencës, objektivitetit, mosdiskriminimit dhe proporcionalitetit.

4.    Çdo sipërmarrës i rrjeteve të komunikimeve elektronike publike, i cili ka pësuar dëme, si pasojë e mosrespektimit të afateve të zbatueshme sipas pikës 3, ka të drejtë të kërkojë kompensim për dëmin e shkaktuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

5.    Ndërtimi i rrjeteve të komunikimeve elektronike duhet të kryhet duke respektuar rregullat për kushtet teknike të miratuara nga AKEP-i.

Neni 19
Infrastruktura e detyrueshme për ndërtimet e reja

1.    Ndërtimet e reja duhet të përmbajnë infrastrukturën dhe pajisjet e nevojshme për shtrirjen e rrjetit të komunikimeve elektronike dhe lidhjen e rrjetit të brendshëm të komunikimeve elektronike me rrjetin e jashtëm, deri në vendndodhjen e përdoruesit fundor. Ndërtimet e reja duhet të pajisen me infrastrukturë fizike deri në pikën fundore të përdoruesit, të gatshme për komunikime me shpejtësi të lartë.

2.    Përfshirja e projektimeve të infrastrukturës dhe pajisjeve të nevojshme për shtrirjen e rrjetit të komunikimeve elektronike dhe lidhjen e rrjetit të brendshëm me atë të jashtëm, i nënshtrohet rregullave dhe procedurave të legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe përbën kusht për miratimin e lejes së ndërtimit. Ky detyrim aplikohet dhe në rastet e miratimit të lejeve për punime të rikonstruksioneve, riparimeve, restaurimeve në një godinë biznesi apo banimi.

3.    Projektimi dhe ndërtimi i infrastrukturës së komunikimeve elektronike duhet të përmbushë të gjitha kërkesat e ligjit për komunikimet elektronike dhe të sigurojë sekretin e komunikimeve, sigurinë si dhe mosndërhyrjen e infrastrukturave kabllore.

4.    Çdo person fizik ose juridik, gjatë paraqitjes së kërkesës për kryerjen e punimeve të ndërtimit apo zhvillimit pranë autoriteteve kompetente, sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, duhet të sigurojë që dokumentacioni i paraqitur të përfshijë edhe të dhëna për projektimin e pajisjes së ndërtimeve të reja me infrastrukturën dhe pajisjet e nevojshme për shtrirjen e rrjetit të komunikimeve elektronike.

5.    Mosparaqitja e planit për infrastrukturën e rrjetit të komunikimeve elektronike, sipas përcaktimeve të këtij neni, përbën shkak për refuzimin e kërkesës për kryerjen e ndërtimit. Kërkesa e refuzuar për këtë shkak mund të riparaqitet me plotësimin e këtyre kërkesave.

Neni 20
Pika e aksesit për infrastrukturën në godinë

1.    Autoriteti planifikues, në momentin e miratimit të lejes së ndërtimit, siguron që të gjitha ndërtesat shumëpërdorimshe, godina me shumë apartamente banimi ose struktura me disa biznese, të jenë të pajisura me pikë aksesi për infrastrukturën e rrjeteve të komunikimeve. I njëjti detyrim do të aplikohet në rastet e miratimit të lejeve të rikonstruksioneve, riparimeve apo rindërtimit, që kërkojnë leje ndërtimi, sipas legjislacionit në fuqi.

2.    Me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës, mund të përcaktohen përjashtime nga detyrimet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, për kategoritë e ndërtesave, në banesa të veçanta, të vetme, ose për punime rinovuese të mëdha, në rastet kur nuk del e nevojshme përmbushja e këtyre detyrimeve.

3.    Përjashtohen nga detyrimi i parashikuar në pikat 1 dhe 2:
a)    shpenzimet e nevojshme për individët ose pronarët;
b)    llojet e ndërtesave, si:
i.    kategori të veçanta të monumenteve;
ii.    ndërtesat historike;
iii.    shtëpitë e pushimit;
iv.    ndërtesat ushtarake;
v.    ndërtesa të tjera, të përdorura për qëllime të sigurisë kombëtare të përbashkët.

4.    Përjashtimet e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas pikave 2 e 3, të këtij neni, duhet të jenë të arsyetuara dhe të konsultohen, paraprakisht, me palët e interesuara, të cilave u jepet mundësia për të dhënë mendimet e tyre për këto përjashtime, në përputhje me ligjin për njoftimin dhe konsultimin publik.

5.    Rregullat dhe kërkesat për infrastrukturën e brendshme të godinave dhe të administrimit të pikës së aksesit në godinë, për rrjetet e komunikimeve elektronike, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës.

Neni 21
Aksesi në infrastrukturën fizike të ndërtesave/godinave

1.    Çdo sipërmarrës, sipas parashikimeve të nenit 20, të këtij ligji, ka të drejtë të ndërtojë, me shpenzimet e veta, rrjetin e tij deri në pikën e aksesit në infrastrukturën fizike në godinë.

2.    Çdo sipërmarrës, sipas parashikimeve të nenit 20, të këtij ligji, ka të drejtën e aksesit në infrastrukturën fizike ekzistuese në godinë, me qëllim ofrimin e rrjetit me shpejtësi të lartë të komunikimeve elektronike, nëse dublikimi është teknikisht i pamundur ose ekonomikisht joefiçent.

3.    Çdo subjekt që administron pikën e aksesit dhe të infrastrukturës fizike të ndërtesës, sipas legjislacionit në fuqi për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit, duhet të plotësojë kërkesat për akses në infrastrukturën fizike të ndërtesës, të bëra nga operatorët e rrjetit të komunikimeve publike, sipas termave dhe kushteve të drejta dhe jodiskriminuese, përfshirë, kur është e përshtatshme, edhe çmimin për përdorim. Termat dhe kushtet e të drejtës së përdorimit përcaktohen në marrëveshje ndërmjet palëve.

4.    Nëse marrëveshja e aksesit, e përmendur në pikën 3, të këtij neni, nuk arrihet brenda 30 ditëve, nga data e kërkesës për akses, sipërmarrësi i komunikimeve elektronike ka të drejtë t’i drejtohet AKEP-it. Për zgjidhjen e mosmarrëveshjes AKEP-i bashkëpunon me ministrin dhe njësinë e qeverisjes vendore përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi.

5.    Në mungesë të infrastrukturës së gatshme në ndërtesë për shërbime me shpejtësi të lartë, çdo operator i rrjetit të komunikimeve publike ka të drejtë të ndërtojë rrjetin e tij deri në ambientet e përdoruesit, mbi bazën e një marrëveshjeje me të, me kusht që ndërtimi i rrjetit deri në pikën fundore të tij të ketë ndikim minimal në pronën private të palëve të treta.

6.    Ky nen nuk cënon të drejtën e pronës së pronarit të ndërtesës, kur mbajtësi i një të drejte përdorimi të infrastrukturës apo pikës së aksesit nuk është pronar i ndërtesës, dhe nuk cënon të drejtat e pronës së palëve të tjera të treta, siç janë pronarët e tokës dhe pronarët e ndërtesës.

7.    Për dëmet që mund të shkaktohen si rezultat i ushtrimit të së drejtave të parashikuara në këtë nen, pronari i tokës apo pronari i ndërtesës ka të drejtën për t’i kërkuar operatorit kompensim të përshtatshëm financiar, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil dhe legjislacionit në fuqi.

8.    Çdo veprim, nga ana e subjektit ndërtues në një godinë të re, apo e administratorit të godinës me bashkëpronësi, që kufizon të drejtën për akses, sipas parashikimeve të këtij neni, të një sipërmarrësi që ofron apo është i autorizuar të ofrojë rrjete dhe/ose shërbime të komunikimeve elektronike, apo të drejtën e çdo përdoruesi, banues në godinë, për të zgjedhur sipërmarrësin e komunikimeve elektronike, është i ndaluar.

Kreu VII
Të drejtat e pronësisë 

Neni 22
Të drejtat e pronësisë të sipërmarrësve të komunikimeve elektronike

1.    Për ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë sipërmarrësit mund të ushtrojnë një ose disa nga këto të drejta mbi pronën:
a)    të drejtën e kalimit;
b)    të drejtën e përdorimit të përkohshëm;
c)    të drejtën e shpronësimit, sipas legjislacionit për shpronësimet.

2.    Në zonat natyrore të mbrojtura, të drejtat e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, jepen me miratimin paraprak të autoritetit përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura. Për zonat që janë në administrim të njësive të qeverisjes vendore nevojitet miratimi paraprak i njësisë përkatëse vendore.

3.    Kur ushtrohen të drejtat sipas pikës 1, të këtij neni, dëmet e shkaktuara pronarit ose përdoruesit të pronës shërbyese i rimbursohen nga sipërmarrësi, në përputhje me Kodin Civil dhe legjislacionin për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik.

4.    Në rastin e përfundimit të të drejtave të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, sipërmarrësi është i detyruar të kthejë pronën e përdorur në gjendjen e mëparshme.

Neni 23
E drejta e kalimit

1.    E drejta e kalimit për ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike mbi pronën e të tretëve u jepet sipërmarrësve të komunikimeve elektronike bazuar në dispozitat e Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit në fuqi, duke garantuar përdorimin  e pronës në përputhje me standardet dhe rregullat e shfrytëzimit dhe të sigurimit teknik të rrjeteve të komunikimeve elektronike.

2.    Në përputhje me të drejtën e kalimit, sipërmarrësi që ofron ose është i autorizuar të ofrojë rrjete të komunikimeve publike mund të kryejë, në pronën e të tretit, këto veprime:
a)    Të instalojë dhe të mbajë rrjetin e komunikimeve elektronike mbi tokë, nëntokë, mbi ujë apo nënujë;
b)    Të ndërtojë dhe të mbajë struktura mbështetëse të linjave, pajisje ndërtuese dhe objekte të tjera të linjës si dhe aksesorë shtesë;
c)    Të vendosë linja kabllore në ndërtesa dhe struktura të tjera;
ç)     Të vërë në punë sistemet e listuara në shkronjat “a”, “b” e “c”, të kësaj pike;
d) Të heqë pemët, shkurret, degët e tyre dhe rrënjët e ndodhura brenda zonës së sigurisë së rrjeteve të komunikimeve elektronike, të cilat cenojnë sigurinë e funksionimit të tyre, duke respektuar dispozitat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit.

3.    Në rast se sipërmarrësi është pajisur me instrumentet e veçanta të lejeve dhe të kontrollit të zhvillimit, në përputhje me ligjin, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, atëherë e drejta e kalimit do të prezumohet e dhënë me këto instrumente dhe nuk do të aplikohet për leje kalimi të veçantë.

4.    Procedurat për sigurimin e së drejtës së kalimit nuk aplikohen në rastet kur ajo cënon:
a)    sigurinë dhe integritetin e rrjetit dhe të pronës;
b)    sigurinë kombëtare;
c)    sigurinë e shëndetit publik

Neni 24
E drejta e përdorimit të përkohshëm

1.    Rrjetet e komunikimeve elektronike si dhe strukturat mbështetëse të tyre mund të ndërtohen apo vendosen, të funksionojnë dhe të mirëmbahen, në pronën e të tretëve, në bazë të së drejtës së përdorimit të përkohshëm, sipas dispozitave të legjislacionit specifik në fuqi.

2.    E drejta e përdorimit të përkohshëm rregullohet sipas legjislacionit për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik.

3.    E drejta e përdorimit të përkohshëm nuk aplikohet në rastet kur ajo cënon:
a)    sigurinë dhe integritetin e rrjetit dhe pronës;
b)    sigurinë kombëtare;
c)    sigurinë e shëndetit publik.

Neni 25
Rastet e kërkesës për shpronësim

1.    Përveç sa parashikon ligji për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik, kërkesa për shpronësim, me qëllim ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë në prona private, mund të bëhet nga sipërmarrësi vetëm në raste të domosdoshme, për projekte madhore dhe kur ndërtimi i rrjetit, për interes publik, nuk ka mundësi tjetër zhvillimi.

2.    Nisja e procedurës së shpronësimit, me qëllim ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë, mund të kërkohet vetëm nëse e drejta e kalimit, sipas nenit 23, të këtij ligji, pengon ose ndërpret, në mënyrë thelbësore, përdorimin e rregullt të pronës.

Kreu VIII
SIGURIMI I TË DREJTËS SË KALIMIT

SEKSIONI 1
E DREJTA E KALIMIT NË PRONA TË SHTETIT

QEVERISJA VENDORE

Neni 26
Kompetencat e organeve të qeverisjes vendore

1.    Bashkia është përgjegjëse për:
a)    shqyrtimin e kërkesës dhe marrjen e vendimeve për pranimin ose refuzimin e dhënies së të drejtës së kalimit kur rrjeti i komunikimeve elektronike shtrihet në pronat e bashkisë;
b)    mbikëqyrjen e ushtrimit të së drejtës së kalimit;
c)    çdo çështje tjetër që lidhet me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të komunikimeve elektronike në kompetencë të tyre, sipas legjislacionit në fuqi.

2.    Bashkitë ushtrojnë veprimtarinë e tyre si autoritet kompetent për miratimin e të drejtës së kalimit dhe lejeve të ndërtimit, në përputhje me këtë ligj, aktet nënligjore të dala në bazë dhe në zbatim të këtij ligji, legjislacionit në fuqi për organet e vetëqeverisjes vendore dhe planifikimin e zhvillimin e territorit.

3.    Në ushtrimin e veprimtarisë së tyre për dhënien e të drejtës së kalimit dhe/ose lejes së ndërtimit, bashkitë udhëhiqen nga parimet e objektivitetit, transparencës dhe mosdiskriminimit.

4.    Rregullat e përgjithshme për procedurat e dhënies së të drejtës së kalimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës.

Neni 27
Veprimet paraprake të shqyrtimit të kërkesës 

1.    Kërkesa për të drejtë kalimi, e shoqëruar me dokumentacionin përkatës, depozitohet on-line ose pranë sportelit të shërbimit me një ndalesë, të ngritur pranë çdo njësie bazë të qeverisjes vendore, sipas parashikimeve të përcaktuara në legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

2.    Autoriteti përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës, brenda 5 ditëve nga paraqitja e saj, verifikon nëse dokumentacioni është i plotë dhe njofton aplikuesin, në rast se aplikimi nuk është i plotë.

Neni 28
Vendimi për miratimin e të drejtës së kalimit

1.    Vendimi për miratimin e të drejtës së kalimit, i cili duhet të jetë i arsyetuar, merret nga autoriteti përgjegjës, sipas kushteve dhe afateve të parashikuara në legjislacionin për organet e vetëqeverisjes vendore.

2.    Në rast refuzimi të miratimit të së drejtës së kalimit, vendimi duhet të jetë i arsyetuar.

3.    Kundër vendimit për refuzimin e të drejtës së kalimit, aplikuesi ka të drejtë të ankohet pranë gjykatës administrative kompetente, në territorin e njësisë vendore përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 29
Miratimi i heshtur i së drejtës së kalimit

Nëse miratimi i së drejtës së kalimit nuk është dhënë brenda afatit të parashikuar në nenin 28, të këtij ligji, miratimi konsiderohet i pranuar në heshtje, sipas parashikimeve në Kodin e Procedurës Administrative.

Neni 30
Lehtësimi i procedurave

1.    Në rastin e aplikimit për ndërtimin e një rrjeti të ri, që shtrihet në pronën e vetëqeverisjes vendore, aplikimi për të drejtën e kalimit dhe për marrjen e lejes së ndërtimit të rrjetit apo të elementeve të tij do të konsiderohen njëherazi.

2.    Bashkia publikon rregullat dhe procedurat për aplikimin e së drejtës së kalimit për rrjetet e komunikimeve elektronike si dhe për lejet e ndërtimit.

3.    Rregullat duhet të jetë objektive, transparente, jodiskriminuese, që garantojnë trajtimin e barabartë të sipërmarrësve dhe respektimin e parimeve të konkurrencës.

SEKSIONI II
QEVERISJA QENDRORE

Neni 31
Kërkesa për të drejtën e kalimit

1.    Kërkesa për të drejtën e kalimit paraqitet pranë entit pronar të rrugës, kur rrjeti do të shtrihet në rrugët shtetërore, apo pranë autoritetit përkatës, që përfaqëson pronarin e pronës shtetërore, kur rrjeti apo pjesë të tij vendosen në godina prona të shtetit, sipas rastit.

2.    Autoriteti është organi përgjegjës për:
a)    shqyrtimin e kërkesës dhe marrjen e vendimeve për pranimin ose refuzimin e dhënies së të drejtës së kalimit;
b)    zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në lidhje me të drejtat e kalimit, si dhe shuarjes së parakohshme të tyre;
c)    mbikëqyrjen e ushtrimit të së drejtës së kalimit;
ç) zbatimin e kuadrit rregullator të vendosur nga ky ligj, të aktetve nënligjore të dala në bazë ose në zbatim të tij dhe politikave të zhvillimit, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, si dhe propozimin e legjislacionit që lidhet me to;
d) çdo çështje tjetër, sipas parashikimit të këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi.

3.    Me marrjen e kërkesës për të drejtën e kalimit, autoriteti ia kalon atë për shqyrtim strukturës përgjegjëse, e cila, brenda 5 ditëve, përgatit dosjen e plotë, me materialet që i bashkëlidhen kërkesës, përgatit një relacion shpjegues për kërkesën si dhe për plotësimin e kritereve ligjore për përfitimin e të drejtës së kalimit dhe ia përcjell ato titullarit të autoritetit.

4.    Në ushtrimin e veprimtarisë së tij, autoriteti udhëhiqet nga parimet e objektivitetit, transparencës dhe mosdiskriminimit. Autoriteti kthen përgjigje për miratimin apo refuzimin e kërkesës jo më vonë se 30 ditë, nga paraqitja e saj.

5.    Në rast refuzimi të kërkesës, autoriteti duhet të japë një vendim të arsyetuar për shkaqet e refuzimit.

6.    Për vendimin e autoritetit, sipërmarrësi ka të drejtë t’i drejtohet ministrit, për të ushtruar të drejtat e parashikuara në nenin 22, të këtij ligji.

Seksioni III
E DREJTA E KALIMIT NË PRONA PRIVATE

Neni 32
Rregulla të përgjithshme

1.    Sipërmarrësi ka të drejtën të ushtrojë të drejtën e kalimit në prona private, sipas legjislacionit në fuqi, me përjashtim të rasteve kur:
a)  cenohet interesi publik;
b) përdorimi i pronës, sipas destinimit, nuk mund të realizohet ose është lehtësisht i kufizuar në mënyrë të qëndrueshme nga një përdorim i tillë;
c) ekziston një e drejtë kalimi mbi pronën, e cila ushtrohet nga një sipërmarrës tjetër, dhe përdorimi i përbashkët i pronës nuk është i mundur ose i praktikueshëm, apo sipërmarrësi, që është duke e ushtruar të drejtën e kalimit, nuk ka detyrimin për të lejuar përdorimin e përbashkët;
ç)  nga ushtrimi i së drejtës së kalimit cenohen karakteristikat dhe vlerat unikale të pronës.

2.    E drejta e kalimit nga pronari i pronës shërbyese duhet të ofrohet në kushte të barabarta, transparente dhe jodiskriminuese.

3.    Nëse ekzistojnë rrjete të tjera të infrastrukturës në pronën shërbyese, sipërmarrësi duhet të garantojë moscenimin e tyre. Çdo dëmtim, i shkaktuar nga ushtrimi i së drejtës së kalimit, zhdëmtohet nga sipërmarrësi apo operatori i rrjetit që e ka shkaktuar.

Neni 33
Fitimi i së drejtës së kalimit me marrëveshje

1.    E drejta e kalimit në prona private përfitohet në marrëveshje me pronarin e pronës.

2.    Sipërmarrësi, i cili në ushtrim të së drejtës së kalimit ka të drejtën të ndërtojë rrjetin e komunikimeve elektronike, duhet të njoftojë, me shkrim, pronarin e pronës, në lidhje me ndërtimet e planifikuara, si dhe të lidhë marrëveshje me të.

3.    Në momentin e propozimit për të lidhur marrëveshjen, sipërmarrësi i njofton pronarit llojin e punimeve që do të kryhen, duke përfshirë edhe projektin për realizimin e këtyre punimeve.

Neni 34
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve për të drejtën e kalimit në pronë private

Mosmarrëveshjet ndërmjet palëve, që lindin nga hyrja në marrëdhënie me njëri-tjetrin, për shkak të ushtrimit të së drejtës së kalimit në pronë private për ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike, zgjidhen me ndërmjetësim, sipas legjislacionit në fuqi për ndërmjetësimin, apo në gjykatë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 35
Tarifat e zbatueshme

1.    Ushtrimi i së drejtës së kalimit në prona të shtetit i nënshtrohet pagesës së tarifës vjetore të zbatuar mbi sipërfaqen ku ushtrohet e drejta e kalimit.

2.    Në vendimin e autoritetit përgjegjës për miratimin e së drejtës së kalimit përcaktohet edhe masa konkrete e tarifës, mënyra dhe afati i pagimit të saj. Tarifa për vitin e parë të fitimit të së drejtës së kalimit përcaktohet në proporcion me kohën vjetore të ushtrimit të kësaj të drejte.

3.    Masa e tarifës për njësi të sipërfaqes, rregullat për mënyrën dhe afatin e pagimit si dhe përcaktimet mbi masën e tarifës së vitit të parë në kohën e fitimit të së drejtës së kalimit, në raport me vitin financiar, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkëpropozimin e ministrit të Financave dhe ministrit përgjegjës për komunikimet elektronike.

4.    Të ardhurat nga këto tarifa për të drejtën e kalimit që ushtrohet në pronën shtetërore derdhen, plotësisht, në buxhetin e shtetit.

 

KREU  IX
MASAT ADMINISTRATIVE

Neni 36
Gjobat

1.    Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, si më poshtë vijon:

a)    Kur operatori i rrjetit refuzon kërkesën për akses në infrastrukturën e tij, me qëllim ndërtimin e elementeve të rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë, në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji, në vlerën nga 100 000 deri në 200 000 lekë;
b)    Kur operatori i rrjetit nuk siguron informacionin minimal për infrastrukturën fizike të tij, sipas parashikimeve të neneve 8 e 9, të këtij ligji, në vlerën nga 200 000 deri në 400 000 lekë;
c)    Kur sipërmarrësi nuk përmbush detyrimin për krijimin e regjistrit me informacionin përkatës, sipas parashikimeve të nenit 11, të këtij ligji, në vlerën nga 200 000 deri në 400 000 lekë;
ç) Kur operatori i rrjetit nuk përmbush  detyrimet që lidhen me koordinimin e punimeve civile, sipas nenit 16, të këtij ligji, në vlerën nga 300 000 deri në 500 000 lekë;
d)    Kur nuk përmbushen detyrimet që rrjedhin nga parashikimet e pikave 3 dhe 8, të nenit 21, të këtij ligji, në vlerën nga 100 000 deri në 500 000 lekë;
dh) Kur nuk përmbushen detyrimet që rrjedhin nga parashikimet e pikave 1, 2 dhe 3, të nenit 39, të këtij ligji, në vlerën nga 100 000 deri në 500 000 lekë.

2. Në vendosjen e gjobave, sipas këtij neni, do të merren parasysh:
a) faktimi i shkeljes;
b) rëndësia dhe kohëzgjatja e kundërvajtjes;
c) rrethanat e kryerjes së kundërvajtjes;
ç) nëse kundërvajtësi rezulton i dënuar administrativisht edhe më parë;
d) pasojat që kanë ardhur nga veprimi apo mosveprimi.

3.    Gjoba është titull ekzekutiv, që vendoset nga autoriteti përgjegjës, i cili mbikëqyr veprimtarinë e subjektit që kryen shkeljen. Si rregull, për të njëjtën shkelje administrative nuk mund të aplikohet më shumë se një gjobë. Gjobat duhet të jenë efektive, proporcionale dhe të arsyetuara. Gjoba mblidhet nga autoriteti që e vendos atë dhe derdhet në buxhetin e shtetit.

4.    Procedura e konstatimit, vendosjes dhe e ekzekutimit të gjobave bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.

Neni 37
Ankimi

1.    Kundër dënimit me gjobë, sipas këtij ligji, bëhet ankim, fillimisht tek autoriteti që e ka vendosur gjobën, brenda 15 ditëve, nga data e dhënies së saj.

2.    Kundër vendimeve të autoritetit, sipas pikës 1, të këtij neni, mund të bëhet ankim në gjykatën përkatëse, brenda 30 ditëve, nga marrja e vendimit.

KREU X
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

Neni 38
Aktet nënligjore

1.    Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të neneve 7, pika 6; 9, pika 7; 15, pika 7; 20, pikat 2 e 5; 26, pika 4, dhe 35, pika 3, të këtij ligji, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

2.    Ngarkohen bashkitë të miratojnë rregullat sipas nenit 30, të këtij ligji, për të drejtën e kalimit, tre muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 39
Dispozita kalimtare 

1.  Të gjithë sipërmarrësit e komunikimeve elektronike, që aktualisht ushtrojnë të drejta kalimi në pronë të shtetit ose në pronë private, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të paraqesin pranë AKEP-it informacion të plotë për infrastrukturën e zotëruar dhe rrjetet e ndërtuara.

2.    Të gjithë sipërmarrësit, që kanë ndërtuar rrjete të komunikimeve elektronike në prona të shtetit apo private, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të regjistrojnë të drejtën e kalimit në regjistrin e pasurive të paluajtshme, sipas legjislacionit në fuqi.

3.    Autoritetet përgjegjëse, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të marrin masa për përcaktimin e strukturës përgjegjëse për të drejtën e kalimit dhe për miratimin e publikimin e rregullave përkatëse.

Neni 40
Sistemimi i rrjeteve kabllore ajrore ekzistuese

1.    Me qëllim minimizimin e gërmimeve dhe punimeve civile në shtrimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike, sistemimi i rrjeteve kabllore ajrore ekzistuese të komunikimeve elektronike në zonat urbane do të kryhet me parimin “Gërmo një herë”, sipas këtyre mënyrave:
a)    Përdorimit të tubacioneve ekzistuese të bashkisë kundrejt pagesës dhe pajisjes së sipërmarrësve me të drejtën e kalimit;
b)    Shtrirjes së tubacioneve të reja nga bashkitë, sipas planeve të investimit dhe pajisjes së sipërmarrësve me të drejtën e kalimit nga bashkitë, kundrejt pagesës;
c)    Investimit të sipërmarrësve për ndërtimin e tubacioneve në zonat e pambuluara nga bashkitë ose nga rrjetet ekzistuese.

2.    Brenda gjashtë muajve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, bashkia publikon situatën e tubacioneve si dhe planet e investimeve për tubacione që shërbejnë për sistemimin e rrjeteve kabllore ajrore të komunikimeve elektronike.

3.    Brenda gjashtë muajve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, në zonat ku ekzistojnë tubacione, bashkia pajis sipërmarrësit me të drejtë kalimi për sistemimin e rrjeteve ekzistuese kabllore lokale në tubacionet nëntokësore të saj, kundrejt pagesës.

4.    Në rastet kur tubacionet mungojnë apo plani i investimeve nuk parashikon kryerjen e investimeve për tubacione të reja në dy vitet e ardhshme, bashkia pajis sipërmarrësit me leje për fillimin e punimeve për shtrirjen e tubacioneve nëntokësore me parimin “Gërmo një herë”.

5.    Leja, sipas pikës 4, i jepet një grupimi operatorësh të rrjeteve dhe/ose një operatori, në raste të justifikuara, kur ajo çon në sistemimin e plotë të rrjeteve kabllore ajrore ekzistuese të komunikimeve elektronike në zonat urbane dhe kundrejt detyrimit për bashkëpërdorim të infrastrukturës e koordinim të punimeve civile.

6.    Leja përcakton afatin maksimal për kryerjen e punimeve, në çdo rast, jo më shumë se 12 muaj.

Neni 41
Krijimi i pikës së vetme të informacionit

1.    Zbatimi i pikës 7, të nenit 9, për rrjetet e infrastrukturës në nivel kombëtar, fillon një vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2.    Sistemi i përqendruar i informacionit për rrjetet e komunikimeve elektronike, i krijuar nga AKEP-i, duhet të përputhet me kërkesat e këtij ligji brenda një viti, nga hyrja në fuqi e tij.

Neni 42
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I 

ILIR META

* * *

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PREFEKTIN E QARKUT”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për prefektin e qarkut”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
# # #

P R O J E K T L I GJ  
PËR
PREFEKTIN E QARKUT

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 114, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi 

Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rolit të prefektit të qarkut, misionit të tij dhe kompetencave në përmbushje të detyrave të tij, si përfaqësues i Këshillit të Ministrave, në nivel qarku.

Neni 2
Objekti

Ky ligj rregullon marrëdhëniet e prefektit të qarkut me organet dhe institucionet e administratës shtetërore, me organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, degët territoriale që veprojnë në qark dhe me institucione të tjera shtetërore.

Neni 3
Misioni

Misioni i prefektit të qarkut është përmbushja e detyrimeve për të garantuar sovranitetin, rendin kushtetues, shëndetin publik, kontrollin mbi territorin dhe mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin ekonomik e social në zbatim të programit politik të qeverisë, në nivel qarku.

Neni 4
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1.    “Akte normative”, aktet që nxirren nga organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” dhe që kanë fuqi vetëm brenda juridiksionit territorial të tyre, që i nënshtrohen verifikimit të ligjshmërisë nga prefekti i qarkut, sipas këtij ligji.

2.    “Degët territoriale”, strukturat administrative të një ministrie ose të një institucioni të varësisë, që krijohen për të ushtruar në territorin e një ose më shumë njësive të qeverisjes vendore detyra administrative, që mund të kryhen më mirë në territor, në përputhje me parimet e ligjit për organizimin dhe funksionimin e e administratës shtetërore.

3.    “Institucione të tjera shtetërore”, institucionet dhe strukturat e Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të organeve të tjera në rastet e parashikuara shprehimisht me ligj, për aq kohë sa kryejnë funksione administrative.

4.    “Ministri”, ministri përgjegjës për veprimtarinë e prefektit të qarkut.

Neni 5
Emërimi dhe lirimi i prefektit

Prefekti i qarkut  emërohet dhe lirohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit ose të Kryeministrit.

Neni 6
Kriteret e emërimit

Për të ushtruar detyrën e prefektit të qarkut, shtetasi duhet të plotësojë këto kritere:
a)    Të jetë shtetas shqiptar;
b)    Të ketë diplomë të arsimit të lartë, sipas përcaktimeve të legjislacionit përkatës;
c)    Të ketë 5 vjet përvojë pune në administratën publike;
ç)     Të mos jetë subjekt i ligjit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.

Neni 7
Papajtueshmëria e funksionit

1.    Prefekti i qarkut nuk mund të jetë anëtar i Këshillit të Ministrave.

2.    Funksioni i prefektit të qarkut është i papajtueshëm me çdo mandat zgjedhor e me çdo funksion tjetër publik, me përjashtim të mësimdhënies me kohë të pjesshme dhe të veprimtarive shkencore.

3.    Prefekti i qarkut nuk mund të jetë drejtues në organizatat fitimprurëse ose anëtar i organeve drejtuese në një shoqëri tregtare ose në një organizatë jofitimprurëse, kur këto ushtrojnë veprimtari në një sferë që përputhet ose pritet me sferën e juridiksionit administrativ të prefektit të qarkut, me përjashtim të partive politike apo të pjesëmarrjes për shkak të funksionit.

4.    Prefekti i qarkut nuk mund të ushtrojë profesionin e avokatit, noterit, ekspertit të licencuar, konsulentit, agjentit, përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në pikën 3, të këtij neni.

5.    Prefekti i qarkut nuk mund të zotërojë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, kur shoqëria ushtron veprimtari në një sferë që përputhet ose pritet me sferën e juridiksionit administrativ të prefektit të qarkut.

Neni 8
Përgjegjësitë kryesore të prefektit të qarkut 

Në ushtrim të funksionit të tij, prefekti i qarkut ka këto përgjegjësi kryesore:

a)    Verifikimin e ligjshmërisë së vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave me karakter normativ të organeve të vetëqeverisjes vendore.
b)    Bashkërendimin e veprimtarisë ndërmjet degëve territoriale, që veprojnë në qark si dhe të këtyre degëve me organet e njësive të vetëqeverisjes vendore.
c)    Raportimin periodik në Këshillin e Ministrave për veprimtarinë e degëve territoriale që veprojnë në qark, sipas urdhrit të Kryeministrit, dhe, për probleme të veçanta, sipas urdhrit të ministrit.
ç) Informimin çdo gjashtë muaj të institucioneve qendrore për veprimtarinë e strukturave të tyre të varësisë, në nivel qarku.
d)    Nxitjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve e të veprimtarive me institucionet homologe sipas marrëveshjeve përkatëse.
dh)    Drejtimin e strukturave për parandalimin, menaxhimin, rehabilitimin e pasojave në rastet e emergjencave civile.
e)    Drejtimin e task-forcave dhe krijimin e organizmave të përkohshëm.
ë) Drejtimin ose pjesëmarrjen në ceremonitë zyrtare shtetërore që zhvillohen në nivel qarku, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
f)    Forcimin e kapaciteteve institucionale në zbatim të programeve të buxhetit të shtetit.
g)    Kontrollin dhe monitorimin e zbatimit, në nivel qarku, të politikave sektoriale të Këshillit të Ministrave në bujqësi, arsim, shëndetësi, mjedis, rend publik, shërbim zjarrfikës, ndihmë dhe përkrahje sociale, turizëm dhe kulturë.
gj)    Bashkërendimin e veprimtarisë së tij me agjencitë dhe inspektoratet që veprojnë në nivel qarku, si dhe monitorimin e veprimtarisë së tyre. Për mosmarrëveshjet që mund të lindin me drejtuesit e këtyre institucioneve, prefekti i i drejtohet ministrit.
h)    Shqyrtimin çdo muaj të veprimtarisë së degëve territoriale që veprojnë në qark dhe bashkërendimin e punës ndërmjet tyre dhe organeve të vetëqeverisjes vendore, në zbatim të programit të qeverisë.
i)    Ushtrimin e përgjegjësive dhe detyrave të tjera që i ngarkohen me akte ligjore ose nënligjore.

KREU II
MARRËDHËNIET E PREFEKTIT TË QARKUT ME ADMINISTRATËN SHTETËRORE

Neni 9
Marrëdhëniet e prefektit të qarkut me Këshillin e Ministrave, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore

1.    Prefekti i qarkut për veprimtarinë e vet përgjigjet përpara Këshillit të Ministrave, Kryeministrit dhe ministrit.

2.    Këshilli i Ministrave, ministrat dhe drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore i dërgojnë prefektit aktet e nxjerra, në të cilat caktohen detyra apo përcaktohen marrëdhënie në fushën e veprimtarisë së degës territoriale që vepron në qark.

3.    Prefekti i qarkut, për veprimtarinë që mbulon, mund të propozojë pranë ministrive projektakte për zgjidhjen e problemeve të veprimtarisë së tyre.

4.    Konfliktet që mund të lindin ndërmjet ministrave dhe prefektit zgjidhen nga Kryeministri.

5.    Mënyra e raportimit të prefektit të qarkut sipas përgjegjësive përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Neni 10
Marrëdhëniet e prefektit të qarkut me degët territoriale

1.    Për kryerjen e funksioneve në marrëdhënie me degët territoriale që veprojnë në qark, prefekti i qarkut ushtron përgjegjësitë e mëposhtme, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe me ligj:

a)    Kontrollon dhe kërkon marrjen e masave për zbatimin e programit të qeverisë, për ushtrimin e funksioneve dhe plotësimin e detyrave të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore, që rregullojnë veprimtarinë e degës përkatëse.
b)    Kërkon hartimin e planeve të zhvillimit dhe të projektbuxhetit vjetor, sipas procedurave të përcaktuara me ligj dhe u paraqet mendimet e tij ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore.
c)    Ndjek kërkesat dhe ankesat e shtetasve deri në zgjidhjen e tyre.
ç)    Kërkon të dhëna dhe informacione nga dega territoriale që vepron në qark, me përjashtim të rasteve kur ndalohet me ligj ose me akte nënligjore, për shkak të klasifikimit të informacionit të kërkuar.
Degët territoriale që veprojnë në qark informojnë prefektin e qarkut për çështje, për të cilat kërkohet informacion.
d)    Harton çdo fund viti raportin e monitorimit të veprimtarisë së degëve territoriale që veprojnë në qark. Raporti bëhet publik dhe i paraqitet Kryeministrit.

2.    Degët territoriale që veprojnë në qark dërgojnë kopje të planit të zhvillimit, të projektbuxhetit, të strukturës dhe të organikës te prefekti i qarkut.

Neni 11
Propozimet për emërim dhe lirim të drejtuesve të degëve territoriale

1.    Emërimi dhe lirimi nga detyra i drejtuesve të degëve territoriale që veprojnë në qark bëhen në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse që rregullojnë marrëdhëniet e punës, me propozim të prefektit të qarkut, përveç rasteve kur ligji i posaçëm që rregullon marrëdhëniet e punës apo mënyrën e emërimit dhe të lirimit të tyre, e parashikon ndryshe. Prefekti i qarkut verifikon ligjshmërinë e emërimit e të lirimit të drejtuesit të degës territoriale që vepron në qark.

2.    Prefekti i qarkut i propozon ministrit përgjegjës ose drejtuesit të institucionit qendror përkatës emërimin ose lirimin e drejtuesit të degës territoriale që vepron në qark.

3.    Propozimet për emërim duhet të bëhen me jo më pak se dy kandidatura.

4.    Ministri ose titullari i institucionit qendror kthen përgjigje brenda 15 ditësh nga data e marrjes së propozimit. Në rast moskthimi të përgjigjes apo refuzimit të propozimit, prefekti i qarkut informon Kryeministrin.

Neni 12
Detyra në lidhje me organet e Policisë së Shtetit

1.    Prefekti i qarkut bashkëpunon me organet e Policisë së Shtetit për marrjen e masave për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, në nivel qarku.

2.    Prefekti i qarkut kërkon zbatimin e masave për ruajtjen e rendit, sipas përgjegjësive dhe detyrave të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore.

3.    Prefekti i qarkut kërkon dhe merr rregullisht informacion nga drejtori i policisë vendore për problemet e rendit.

4.    Prefekti i qarkut bashkërendon veprimtarinë dhe siguron mbështetjen e ndërsjellë të organeve të Policisë së Shtetit, të degëve territoriale që veprojnë në qark dhe të organeve të vetëqeverisjes vendore.

Neni 13
Detyra në lidhje me strukturat e mbrojtjes

1.    Prefekti i qarkut bashkërendon punën me strukturat e Forcave të Armatosura dhe organet e vetëqeverisjes vendore, në nivel qarku, për plotësimin e detyrave në fushën e mbrojtjes.

2.    Në raste të veçanta, në përputhje me legjislacionin përkatës, prefekti i drejtohet ministrit të Mbrojtjes për angazhimin e njësive të Forcave të Armatosura dhe kërkon mbështetje për përballimin e detyrave me karakter civil dhe në veçanti në përballimin e situatave të emergjencave civile e të krizave.

Neni 14
Propozimi dhe drejtimi i task-forcave dhe organizmave të përkohshëm

1.    Prefekti i qarkut drejton task-forcat e ngritura me akte ligjore e nënligjore dhe është përgjegjës për performancën e tyre, në nivel qarku.

2.    Në çdo rast, kur në përbërje të task-forcave ka njësi të Forcave të Armatosura, ato drejtohen nga autoritetet ushtarake nëpërmjet zinxhirit të drejtimit e të komandimit, sipas detyrave që marrin nga drejtuesi i operacionit të shpëtimit.

3.    Prefekti i qarkut i propozon Kryeministrit dhe ministrit ngritjen e task-forcave dhe krijon organizma të përkohshëm në raste të veçanta, në nivel qarku.

5.    Drejtuesit e degëve territoriale që veprojnë në qark dhe kryetarët e njësive të vetëqeverisjes vendore, kur janë anëtarë të një task-force, kanë detyrimin të marrin pjesë dhe të zbatojnë detyrat e caktuara për këtë task-forcë, në zbatim të këtij ligji.

KREU III
MARRËDHËNIET E PREFEKTIT TË QARKUT ME ORGANET E NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE

Neni 15
Marrëdhëniet e prefektit të qarkut dhe organeve të vetëqeverisjes vendore

1.    Ndërmjet prefektit të qarkut dhe organeve të vetëqeverisjes vendore nuk ka marrëdhënie varësie.

2.    Marrëdhëniet ndërmjet prefektit të qarkut dhe organeve të vetëqeverisjes vendore bazohen në parimin e konsultimit dhe të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.

3.    Marrëdhëniet midis prefektit të qarkut dhe organeve të vetëqeverisjes vendore përcaktohen në këtë ligj dhe në ligjin për vetëqeverisjen vendore.

Neni 16
Verifikimi i ligjshmërisë së akteve

1.    Zbatimi i akteve të organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore bëhet në përputhje me përcaktimet e bëra në ligjin për vetëqeverisjen vendore.

2. Prefekti i qarkut bën verifikimin e ligjshmërisë së vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave me karakter normativ të organeve të vetëqeverisjes vendore, pa penguar zbatimin e tyre, duke respektuar procedurën e mëposhtme:

a)    Çdo organ i njësisë së vetëqeverisjes vendore është i detyruar të depozitojë te prefekti i qarkut të gjitha aktet me karakter normativ, brenda 10 ditëve nga data e shpalljes së tyre. Marrja dijeni nga prefekti i qarkut për aktin e depozituar nga organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore vërtetohet me regjistrimin e tij në zyrën e protokollit të prefektit.
b)    Për çdo akt të regjistruar në zyrën e protokollit, prefekti i qarkut detyrohet të shprehet për ligjshmërinë e tij, brenda 10 ditëve nga data e regjistrimit, sipas procedurave të mëposhtme:

i.    Në rastet kur vëren papajtueshmëri ligjore të aktit, prefektit të qarkut i lind e drejta t’ia kthejë atë organit përkatës të njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke argumentuar shkeljet e vërejtura. Në këtë rast, organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore rishqyrton aktin.
ii.    Vendimi i marrë nga organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore, pas rishqyrtimit të aktit të kthyer nga prefekti i qarkut, depozitohet pranë prefektit të qarkut me të njëjtën procedurë dhe afat sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të kësaj pike.
iii.    Në rast se vërehen përsëri papajtueshmëri ligjore në aktin e rishqyrtuar, prefekti i drejtohet gjykatës kompetente për çështjet administrative, nën juridiksionin e së cilës është organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke kërkuar deklarimin e pavlefshëm të këtij akti. Prefekti i qarkut ka të drejtën e kthimit vetëm një herë të një akti.
iv.    Në rastet kur vëren shkelje ligjore në akt dhe vlerëson se kthimi i aktit nga organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore nuk do të jetë i frytshëm, prefektit i lind e drejta që, pa ndjekur procedurën e përcaktuar në shkronjën “b”, nënparagrafi “i”, të kësaj pike, të kërkojë pavlefshmërinë e aktit drejtpërdrejt në gjykatën kompetente për çështjet administrative, nën juridiksionin e së cilës ndodhet organi i njësisë së vetëqeverisjes vendore. Kur kërkon pavlefshmërinë e aktit në gjykatë, prefekti i qarkut njofton organin e njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Neni 17
Verifikimi në vend i ligjshmërisë së akteve

1.    Prefekti i qarkut verifikon ligjshmërinë e akteve me karakter normativ drejtpërdrejt dhe sistematikisht në organin e njësisë së vetëqeverisjes vendore, kur nuk përcaktohet ndryshe në akte të tjera ligjore, jo më pak se një herë në 3 muaj.

2.    Në rast se gjatë verifikimit në vend të ligjshmërisë prefekti i qarkut konstaton akte, të cilat nuk janë depozituar tek ai, sipas procedurës së parashikuar në nenin 16, të këtij ligji, kërkon pavlefshmërinë e tyre në gjykatën kompetente për çështjet administrative.

Neni 18
Verifikimi i përgjegjësive të deleguara

1.    Prefekti i qarkut verifikon realizimin e funksioneve e të përgjegjësive të deleguara nga pushteti qendror dhe përdorimin e fondeve të parashikuara për këto funksione, sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

2.    Prefekti i qarkut verifikon përdorimin e fondeve, donacioneve apo kredive që rrjedhin nga marrëveshje të qeverisë me organizma ndërkombëtarë.

3.    Në rast se gjatë verifikimit konstatohen shkelje ligjore, prefekti i qarkut informon ministrin, ministrin përgjegjës të funksioneve të deleguara, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij neni, si dhe Kryeministrin .

Neni 19
Shqyrtimi i ankesave dhe zgjidhja e konflikteve

1.    Prefekti i qarkut shqyrton ankesat e shtetasve për ligjshmërinë e akteve me karakter normativ të nxjerra nga organet e njësive të vetëqeverisjes vendore.
Në këto raste, i kërkon organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore depozitimin e aktit përkatës te prefekti i qarkut, kur një gjë e tillë nuk është bërë më parë, ose zbaton procedurat e përcaktuara në nenin 16, të këtij ligji.

2.    Ankesat e shtetasve shqyrtohen nga prefekti i qarkut sipas dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.

3.    Prefekti i qarkut informohet për konfliktet që lindin ndërmjet:

a)    institucioneve të ndryshme, në nivel qarku;
b)    institucioneve dhe shtetasve, në nivel qarku.

Në këto raste, prefekti i qarkut ka detyrim të përfshihet në zgjidhjen e tyre, duke adresuar konfliktin pranë institucioneve përgjegjëse.

KREU IV

VENDIMMARRJA  DHE ORGANIZIMI 

Neni 20
Vendimmarrja

1.    Në zbatim të përgjegjësive të tij sipas këtij ligji, prefekti i qarkut nxjerr urdhra dhe udhëzime të detyrueshme për zbatim.

2.    Aktet e prefektit të qarkut bëhen të zbatueshme pas marrjes dijeni të subjekteve të cilave u drejtohen.

3.    Në rastet kur lindin konflikte ndërmjet një ministrie ose drejtuesit të një institucioni qendror dhe prefektit të qarkut për urdhrat ose udhëzimet që ai ka nxjerrë, zgjidhja bëhet sipas përcaktimeve të nenit 9, të këtij ligji.

4.    Për rastet e konflikteve të subjekteve, të papërmendura në pikën 3, të këtij neni, dhe prefektit të qarkut, palës së interesuar i lind e drejta t’i drejtohet gjykatës kompetente për çështjet  administrative.

Neni 21
Administrata e prefektit të qarkut dhe burimet e financimit

1.    Për ushtrimin e funksioneve e të përgjegjësive, prefekti i qarkut ka administratën e vet.

2.    Struktura dhe organika e administratës së prefektit të qarkut miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.

3.    Detyrat e administratës së prefektit të qarkut, me propozim të ministrit, miratohen nga Kryeministri.

4.    Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të administratës së prefektit të qarkut rregullohen, në bazë të legjislacionit për nëpunësin civil.

5.    Marrëdhëniet e punës të punonjësve administrativë të administratës së prefektit të qarkut rregullohen, sipas dispozitave të Kodit të Punës.

6.    Administrata e prefektit të qarkut financohet nga buxheti i shtetit nëpërmjet ministrisë përgjegjëse për veprimtarinë e prefektit të qarkut.

Neni 22

Nënprefekti

1.    Në mbështetje të veprimtarisë së prefektit të qarkut dhe në përbërje të administratës caktohen nënprefektët. Prefekti propozon caktimin e funksionit të nënprefektit për një ose më shumë bashki, në zbatim të ligjit për ndarjen administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë.

2.    Nënprefekti emërohet apo lirohet, me propozim të prefektit të qarkut, nga ministri.

3.    Nënprefekti për veprimtarinë e vet, për bashkinë/bashkitë përgjigjet drejtpërdrejt te prefekti i qarkut.

4.    Pranë nënprefektit funksionojnë zyrat e ankesave të qytetarëve.

Neni 23
Organi këshillues pranë prefektit të qarkut

1.    Pranë prefektit të qarkut funksionon organi këshillues i tij. Përbërja e këtij organi caktohet me urdhër të prefektit të qarkut.

2.    Në organin këshillues marrin pjesë kryetari i këshillit të qarkut, kryetarët e bashkive, drejtori i policisë vendore, drejtuesit e njësisë së Forcave të Armatosura për qarkun, drejtuesit e shërbimit shëndetësor, drejtuesit e drejtorisë arsimore rajonale, drejtuesit e drejtorive rajonale të tatimeve dhe doganave, drejtues të tjerë të degëve territoriale që veprojnë në qark, të caktuar nga prefekti, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Organi këshillues përbëhet nga jo më pak se 15 anëtarë.

3.    Organi këshillues mblidhet një herë në muaj për probleme të përgjegjësive të prefektit të qarkut, ku, për raste të veçanta, mund të thirren edhe specialistë të fushave përkatëse.

4.    Rregullorja e funksionimit të organit këshillues miratohet nga organi këshillues.

Neni 24
Nxjerrja e akteve nënligjore

1.    Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë vendim në zbatim të pikës 1, të nenit 18, të këtij ligji.

2.    Ngarkohet ministri të nxjerrë udhëzim, në zbatim të pikës 5, të nenit 9, të këtij ligji.

Neni 25
Shfuqizime

Ligji nr.8927, datë 25.7.2002, “Për prefektin”, shfuqizohet.

Neni 26
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
ILIR META

* * *
V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME  DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9363, DATË 24.3.2005, “PËR MËNYRËN DHE PROCEDURAT E VENDOSJES DHE KALIMIT TË FORCAVE USHTARAKE TË HUAJA NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, SI DHE PËR DËRGIMIN E FORCAVE USHTARAKE SHQIPTARE JASHTË VENDIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
# # #

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9363, DATË 24.3.2005, “PËR MËNYRËN DHE PROCEDURAT E VENDOSJES DHE KALIMIT TË FORCAVE USHTARAKE TË HUAJA NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, SI DHE PËR DËRGIMIN E FORCAVE USHTARAKE SHQIPTARE JASHTË VENDIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 12, pika 3, 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

Neni 1
Titulli i ligjit ndryshon dhe bëhet:

“Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë.”.

Neni 2

Në nenin 1, fjalët “…parimet e Organizatës së Atlantikut të Veriut…”, ndryshohen dhe bëhen “…Traktatin e Atlantikut të Veriut…”.

Neni 3

Në nenin 2 bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:

a) Në shkronjën “ç”, të pikës 1, pas fjalës “Pjesëmarrjen… ”, shtohen fjalët                 “… e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë…”.

b) Pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:

“d) pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në strukturat e Organizatës së Atlantikut të Veriut, të Bashkimit Evropian, në organizatat ndërkombëtare dhe shtabet ushtarake ndërkombëtare.”.

Neni 4

Në fund të pikës 1, të nenit 3, shtohen fjalët “…si dhe operacionet e vetëmbrojtjes kolektive, në kuadër të nenit 5, të Traktatit të Atlantikut të Veriut.”.

Neni 5

Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 4
Delegimi dhe pranimi i autoritetit të komandimit

1. Autoriteti kompetent, sipas ligjit përkatës për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për qëllime të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar, mund t’i transferojë pjesë të autoritetit të vet komandantit ushtarak të strukturave të Traktatit të Atlantikut të Veriut, të një shteti të huaj ose një organizate ndërkombëtare. Në të njëjtën mënyrë, autoriteti kompetent shqiptar mund të pranojë një autoritet që i jepet nga një komandant ushtarak i strukturave të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i një shteti të huaj ose nga një organizatë ndërkombëtare.

2. Autoriteti kompetent për dërgimin e njësive ushtarake në operacione ushtarake ndërkombëtare, në çdo rast, në aktin e dërgimit duhet të përcaktojë misionin dhe mandatin e këtyre forcave. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, në zbatim të misionit dhe mandatit të përcaktuar, miraton rregullat e angazhimit për këto njësi ushtarake.”.

Neni 6

Pika 5, e nenit 6, ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“5. Këshilli i Ministrave, me vendim, mundëson lidhjen e një kontrate sigurimi në dobi të personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që përmbush qëllimet e përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji, e cila garanton pagesën në rast vdekjeje dhe dëmtimi shëndetësor. Kontrata e sigurimit bëhet edhe për personelin e Forcave të Armatosura pjesëmarrës në stërvitje, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 2, si dhe për personelin e strukturave të përcaktuara në nenin 10, të këtij ligji, për kohën që dislokohet në zonë operacioni ushtarak.”.

Neni 7

Pas nenit 9 shtohet neni 9/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 9/1
Dalja e mjeteve të Forcave të Armatosura jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë

Mjetet fluturuese, mjetet lundruese, mjetet e transportit dhe të blinduara tokësore, që u përkasin Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, dalin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për qëllimet e këtij ligji, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.”.

Neni 8

 Neni 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 10
Emërimi i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në strukturat e Organizatës së Atlantikut të Veriut, të Bashkimit Evropian, në organizatat ndërkombëtare dhe shtabet ushtarake ndërkombëtare

1.    Personeli i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë emërohet në strukturat e Organizatës së Atlantikut të Veriut, të Bashkimit Evropian, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.

2.    Personeli i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i emëruar në strukturat e Organizatës së Atlantikut të Veriut, të Bashkimit Evropian, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, në përmbushje të kërkesave të pozicionit të punës apo të komandës ku është angazhuar, mund të dislokohet në zonë operacioni ushtarak, për periudha kohore jo më shumë se 30 ditë, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.”.

Neni 9

 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

ILIR META

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.