Fjala e Kryeministrit Edi Rama me mjekë e punonjës të sistemit shëndetësor:
Mirëmbrëma të gjithëve!
Besoj se nuk është e vështirë ta vendosim këtë takim në një kontekst kohor, sepse nuk na duhet të kthehemi 50 vjet mbrapa, por na duhet të kthehemi vetëm 3 vjet mbrapa. Dhe nuk ma do mendja se ka një njeri të arsyeshëm që të mos thotë që dallimi nga 3 vjet në sot, i vlerësimit dhe i respektit të krijuar ndaj figurës së mësuesit, policit dhe të mjekut, nuk është i dukshëm. Pa këto tre figura në vendin e tyre, një shoqëri nuk mund t’i thotë vetes dot as e sigurt, as e mirëqenë dhe as e gatshme për të ardhmen. Faktikisht, ne kemi vënë në fokus vëmendjen ndaj këtyre tre figurave, të cilat u degjeneruan në një periudhë të gjatë rrënimi të përgjithshëm të sensit të shtetit dhe u vendosën raporte shumë të vështira me publikun.
Jam i vetëdijshëm që raporti i sotëm i bluzave të bardha me publikun vazhdon të mbetet i vështirë, edhe pse kush e shikon nga brenda sistemin, nuk e ka të vështirë të konstatojë se pavarësisht problematikës së korrupsionit në këtë sistem janë realisht në shumicë njerëzit, gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë, që bëjnë një punë të përkushtuar dhe shumë më të vështirë sesa kolegët dhe koleget e tyre në Europë. Shumë më të vështirë, pasi ju e dini më mirë se kushdo tjetër, por edhe unë për shkak të detyrës e kam mësuar që kushtet e punës dhe shpërblimi për punën janë larg së qeni në ato nivele, ku pastaj mund të kërkohet shumë herë më tepër cilësi në shërbim.
Dihet botërisht dhe është eksperienca e të gjithë vendeve që e tregon se, nëse përmbysja e perceptimit tek policia mund të jetë shumë më e shpejtë, përmbysja e perceptimit tek arsimi dhe posaçërisht tek shëndetësia është shume më e ngadaltë. Raporti i publikut me këto tre figura është shumë i ndjeshëm, me plot të drejtë. Ju e dini mirë se jetët që ju shpëtoni janë shumë më tepër sesa jetët e humbura, por jetët që ju shpëtoni nuk bëjnë lajm. Një jetë e humbur në një aksident tragjik gjatë procesit të kujdesit shëndetësor përbën lajm dhe lajm tronditës që përfshin menjëherë të gjithë shoqërinë, duke i dhënë një goditje shumë të madhe një pune që mund të jetë bërë me sukses për të përmirësuar shërbimin.
Ju e dini shumë mirë që të gjithë ato raste përkujdesjeje, që ju keni nëpër duar përditë dhe për të cilat nuk i kërkohet pacientit apo njeriut në nevojë për një konsultë të paguajë nën dorë, nuk përbëjnë lajm. Ndërsa rastet kur kjo ndodh, përhapen menjëherë, duke e goditur shumë rëndë gjithë atë pjesë tjetër, që pastaj paguan një kosto shumë të madhe morale në raport me publikun.
Të jesh mjek, mësues, apo punonjës i policisë në këtë vend është vërtet shumë e vështirë, sepse mbart mbi vete një kosto morale të krijuar në shumë vite, e cila është jashtëzakonisht e vështirë për t’u shlyer në një kohë të shpejtë. Por nga ana tjetër është botërisht e njohur që reformat në tërësi i japin rezultatet me “vonesë”, në krahasim me nevojën, me pritshmërinë, me domosdoshmërinë. Reformat në shëndetësi janë ato që kërkojnë kohë të gjatë, ashtu si dhe reformat në arsim.
Më ka bërë shumë përshtypje, – jam interesuar për këtë gjë, – një studim i Bankës Botërore për të promovuar një histori të madhe suksesi të një qeverie dhe një shteti në luftën kundër korrupsionit, në Gjeorgji. Perceptimi i përgjithshëm për të gjithë sektorët ishte jashtëzakonisht pozitiv, ndërsa perceptimi më pak pozitiv ishte për shëndetësinë. Duke i dëgjuar miqtë gjeorgjianë lidhur me këtë dhe duke dëgjuar edhe nga ekspertët që kishin punuar në këtë raport në Bankën Botërore, konkluzioni i të dy palëve ishte që lufta me perceptimin e korrupsionit është më e gjatë, sesa lufta me atë pjesë të fenomenit që e bën një shoqëri jashtëzakonisht shumë të ndjeshme ndaj korrupsionit, por kur vjen puna të shëndetësia, mosbesimi ka një hark kohor shumë herë më të gjatë sesa tek të gjithë sektorët e tjerë. Natyrshëm, sipas tyre, nuk mund të jetë ndryshe, sepse kur vjen puna të shëndetësia nuk është thjesht çështja e një shërbimi publik, por është çështja e një raporti që ka të bëjë me jetën, që ka të bëjë me gjendjen fizike të njeriut.
Ne e gjetëm sektorin në një situatë alarmante. Unë nuk dua të bëj shumë krahasime, por dua të krahasoj vetëm gjendjen e tre spitaleve të Tiranës: QSUT-në, Sanatoriumin dhe Spitalin e Traumës ose Spitalin Ushtarak, ku duhet të jesh tërësisht qorr që të mos shohësh se çfarë ndryshimi ka ndodhur.
Patjetër që jemi në një fazë kur procesi i ndryshimit është larg së qeni i përfunduar. Patjetër që jemi në një fazë kur edhe në QSUT, edhe në Sanatorium, edhe në Spitalin e Traumës ka mangësi të dukshme dhe të ndjeshme. Por nuk ka pikë diskutimi që për herë të parë, në të tre këto spitale ka një strategji ndryshimi, ka prioritete dhe ka një skemë mbështetjeje financiare, e cila është ndërtuar mbi vetëdijen se ne nuk i kemi paratë për t’i bërë të gjitha përnjëherë, por kemi mençurinë që t’i vendosim gjërat në radhën e duhur.
Dyshemetë e korridoreve të këtyre tre spitaleve, në 20 e ca vite u bënë proverbiale. Ju i dini vetë, i keni shkelur vetë. Në çdo kthesë ndryshonin pllakat, sepse në çdo kthesë kishte një tender të një viti të caktuar. Dyshemetë e korridoreve të këtyre spitaleve janë një zonë arkeologjike e korrupsionit në Shqipëri, por edhe e paaftësisë për të administruar këto struktura, që për Shqipërinë janë kaq themelore, sepse, siç e dini dhe ju vetë, bartin përgjegjësinë për një numër shumë më të madh njerëzish në nevojë, sesa çfarë normalisht duhet të mbartë një spital universitar, Sanatoriumi dhe Spitali i Traumës.
Megjithatë, jemi të vetëdijshëm që sado të flasim e çfarëdo të themi, madje dhe sado t’i ballafaqojmë, ata të cilët nuk duan ta pranojnë se ky ndryshim ka ndodhur, përkundrazi, vazhdojnë i bien fyellit jo në të njëjtën vrimë, por në të vetmen vrimë se e kanë vetëm me një vrimë fyellin, për shkak se nuk kanë në një anë, dëshirë për të parë ndryshimin dhe në anën tjetër, durim për ta kuptuar procesin e ndryshimit. Tre vjet më parë ne kishim një situatë SOS në tre spitalet. Nuk ishim pamje të Zimbabves, por ishin pamje të gardhit të QSUT-së, pamjet e turmave të revoltuara të njerëzve që ulërinin para kamerave se nuk kishte më asnjë tabletë aspirinë në spital. Ndërkohë furnizuesit kishin ndaluar së furnizuari spitalet, sepse shteti iu kishte 40 milionë dollarë borxhe. Iu merrte produktet dhe nuk iu jepte lekët. Barnat bazë ishin tërësisht të konsumuara prej muajsh. Pa folur për mjekët specialistë që shkonin të punonin në spitalet rajonale në zona të largëta, për një shtesë page vetëm 4500 lekë në muaj më shumë, sesa paga që mund të merrnin në Tiranë. Pra, duhet të linin familjen, duhet të iknin në zona të largëta dhe për të gjithë këtë spostim nga jeta e tyre familjare merrnin vetëm 45 mijë lekë të vjetra.
Kjo kishte sjellë një refuzim masiv, duke bërë që spitalet e tjera të mbeteshin totalisht në mëshirë të fatit. Nuk e kemi zgjidhur sot akoma problemin e mungesës së mjekëve specialistë në spitalet jashtë Tiranës, por nga 4500 lekë kemi vendosur 1 milionë lekë [të vjetra] plus për ta. Përsëri duam ta rishikojmë këtë shumë, sepse duam që spitalet rajonale minimalisht t’i kemi të gjitha të plotësuara me mjekë specialistë, të cilët për të ikur nga Tirana e për të lënë familjen, apo me gjasë për ta marrë familjen me vete duhet të paguhen edhe pak më shumë se kaq. Faktikisht duhet të kenë rrogën më të lartë që ekziston në Republikën e Shqipërisë, edhe më të lartë se vetë shkëlqesia e tij, Presidenti i Republikës, që jeton në Tiranë, punon në Tiranë dhe del nga Tirana shumë rrallë.
Megjithatë le të vijmë tek pagat. Le të kujtojmë që është e vërtetë që në tre vite, ne nuk kemi bërë asnjë rritje nominale të rrogave. Por ju jeni dëshmitarë që në raport me atë që merrnit dhe ju mbeste në xhep, pas heqjes së taksës së sheshtë mbi rrogën keni marrë më shumë. Rroga e infermierëve është rritur ndjeshëm, sepse u hoq 10-përqindëshi mbi rrogën. Po të bëjmë një krahasim të thjeshtë, pasi e dëgjova kolegun tuaj, mjekun që i është përkushtuar politikës, i cili pretendonte që ka pasur 160% rritje të rrogave të mjekëve dhe infermierëve, – natyrisht, ne e dimë që ai punon me një zero më shumë gjithmonë, – por edhe duke e ulur nga 160% në 16%, prapë nuk del hesapi. Nëse flasim për rritje reale, flasim për paratë që mbeten në xhep, jo për paratë që i ke të regjistruara sikur i merr, por në fakt një pjesë ia lë shtetit për taksë, apo për paratë që i ke të regjistruara sikur i merr, por një pjesë t’i përpin inflacioni. Pra, flasim për fuqi blerëse. Me një kalkulim shumë objektiv, rritja reale e pagës për infermierët ka qenë jo 160, as 16, por vetëm 6,3 %. Ndërsa rritja reale e pagës për mjekët ka qenë jo 160, as 16 por vetëm 5.1%.
Faktikisht, sot jemi në kushtet kur për shkak të reformave, ne mund të vendosim të spostojmë nga buxheti i shtetit në buxhetin familjar të të gjithë punonjësve të këtij shteti, as më shumë e as më pak, por 100 milionë dollarë. Që të bëj një llogari të thjeshtë të parasë, – se të flasësh me shifra me shumë zero është e lehtë dhe mund edhe t’i hutosh njerëzit që kanë dëshirë të të besojnë, – në 8 vjet, qeveria e mëparshme spostoi nga buxheti i shtetit në buxhetet familjare, 126 milionë dollarë. Në 8 vjet, kaq para i hoqën buxhetit dhe iu dhanë njerëzve për paga.
Ne, vetëm me heqjen e taksës së sheshtë dhe vendosjen e taksimit të ndershëm, që kush merr më pak, paguan më pak, kemi hequr dorë nga xhepat tuaj dhe të gjithë punonjësve të shtetit, për një shumë prej 140 milionë dollarësh, të cilat me qeverinë e shkuar nuk do i kishit pasur në xhep këto 3 vjet, sepse do i kishit lënë për të famshmen taksë të sheshtë, që taksonte më shumë sanitaren, sesa Mentor Petrelën, e taksonte më shumë Mentor Petrelën sesa Sali Berishën. Kjo ishte logjika e taksës së sheshtë. Pastruesja e Kryeministrisë paguante taksë më shumë sesa paguante Kryeministri.
Sot, ne shtojmë edhe 100 milionë dollarë të tjera që bëjnë 240 milionë dollarë, vetëm për punonjësit e shtetit. Po të llogarisim që efekti i taksës së sheshtë hiqte nga xhepat e punonjësve në sektorin privat një shumë të konsiderueshme parash dhe po të llogarisim nga çfarë ne kemi hequr dorë për t’ju marrë nga xhepi, e dini sa janë? Janë 300 milionë dollarë, në 4 vjet! Pra, 240 dhe 300 bëjnë 540 milionë dollarë. Gjysmë miliardi dollarë, kjo qeveri i ka hequr nga buxheti dhe i ka lënë e do t’i lëri me këtë shtesë të re në xhepat e familjeve. Nuk është rastësi që konsumi në Shqipëri është rritur, sepse këto para të shtuara janë faktikisht, fuqi e shtuar blerëse për të gjithë ata që përfitojnë nga këto masa.
Por si do arrinim ne këtu?
E si mundet të bënim rritjen nominale më parë, kur ne, 40 milionë dollarë i kishim borxhe vetëm tek shëndetësia, vetëm për barna! Kur ne, 30 milionë dollarë të tjera i kishim borxhe tek arsimi, për banka, për dërrasa të zeza, për godina të riparuara dhe të papaguara. Kur në total, ne kishim 720 milionë dollarë borxh! Si mund të vinim ne këtu, kur 150 milionë dollarë, mesatarisht, çdo vit hiqej nga xhepat tuaj e të gjithë njerëzve normalë, që e kuptonin që energjia nuk vjen nga dielli, por vjen nga një sistem i tërë që e ofron si shërbim e duhet paguar, për të mbushur çdo vit një gropë hajdutërie dhe mos pagesash?! S’mund ta bënim dot! E pikërisht pse bëmë reformën në energji, arritëm që në vitin 2015, për herë të parë të mos ju marrim juve paratë, pra, të mos i themi taksapaguesve “ju e paguani energjinë, por ne nuk jua rrisim dot as rrogën, as cilësinë e shërbimeve të tjera, sepse duhet t’ju marrim paratë që ju takojnë juve nga kontributi juaj dhe të paguajmë për hajdutët e energjisë elektrike, apo për ata që lidhin telin e korrentit tek shtylla e ndriçimit” dhe “jeta osh qejf”.
Kjo histori ka qënë një histori shumë e vështirë, për të ardhur sot tek rritja e pagës së mjekëve dhe të infermierëve, që për ta thënë copë, sot marrin mesatarisht 390 mijë lekë në muaj. Nga 1 marsi, infermierët do marrin mesatarisht 450 mijë lekë në muaj! Ashtu sikundër, mjekët që sot marrin mesatarisht 690 mijë lekë në muaj, nga 1 marsi do marrin 780 mijë lekë në muaj, mesatarisht. Pastaj janë shkallët që i dini ju, por rritja bëhet nga poshtë lartë. Sigurisht që rroga e infermierëve rritet në përqindje, 14.5 % më shumë sesa rroga e profesor Mentorit, – se po e marr si pikë referimi në mënyrë të vazhdueshme, – duke pasur parasysh që ne nuk mund të kemi dot një shërbim dinjitoz, nëse nuk shpërblejmë në mënyrë dinjitoze personelin mbështetës. Rroga për gjithë pjesën nën infermierë, që janë sanitarët etj., rritet me 35%, se për hir të vërtetës janë njerëzit më të vuajtur e më në pikë të hallit në gjithë administratën shtetërore, por konkretisht, edhe nëpër spitale.
Në krahasim me vitet 2009-2013, rroga reale gjithmonë, jo çfarë merr shteti mbrapsht, ajo që mbetet në xhep për infermierët është 2.4 herë më shumë, për mjekët është 1.7 herë më shumë.
Patjetër që shëndetësia – e tha ministri e mund ta thoni ju shumë më tepër se ne, mund ta thonë drejtuesit shumë më tepër se sa ju, – është e nënfinancuar në Shqipëri. Nuk diskutohet. E pikërisht pse shëndetësia është thellësisht e nënfinancuar, unë nuk e kuptoj dot luftën kundër partneritetit me privatin. Do t’ju them diçka shumë të thjeshtë. Ka dy mënyra për të bashkëpunuar me privatin. Dy mënyra, jo 200! Njëra është mënyra që ishte, domethënë, marr privatin për të bërë një shërbim për shtetin dhe i them qytetarit paguaje shërbimin. Marr privatin se medemek do ma rregullojë atë kolaudimin e makinave dhe njerëzit do ta marrin shërbimin me shpejtësi, me cilësi e nuk do mbajnë radhë dhe u them njerëzve “paratë këtij”. Që do të thotë që me paratë e njerëzve, shteti blen një shërbim. Kjo është një mënyrë e papranueshme në këndvështrimin tonë.
Shteti ka detyrë ta japë një shërbim për aq sa përcakton koston e këtij shërbimi. Por, nëse shteti shkon tek privati që të përmirësojë cilësinë e shërbimit, rritjen e cilësisë nuk mund t’ua faturojë njerëzve, duke ia shtuar koston e shërbimit çdo personi. Kjo quhet grabitje! Nuk ka emër tjetër. Sepse qytetari ka të drejtë të thotë se unë e paguaj këtë shërbim, unë e dua këtë shërbim!
Konkretisht, pacienti që ka nevojë për hemodializën thotë se unë paguaj 80 euro për këtë shërbim dhe ti ke detyrë të ma japësh shërbimin pa më torturuar më shumë, seç më torturon sëmundja ime, pa më marrë nga Korça, tre herë në javë, bashkë me një nga familja, duke nxjerrë buxhet për rrugën deri në Tiranë, duke u vënë në radhë atje edhe turni i tretë, sepse unë po ta paguaj këtë shërbim.
Çfarë do të thotë, t’i thuash privatit eja ti tani, se unë nuk e bëj dot, se nuk kam para?
Investimi për ta bërë të mundur këtë shërbim, në të njëjtën kohë, pranë njerëzve, për mua është i pamundur, sepse shkon rreth 40 milionë në 10 vjet. Ne si kemi këto para, por shërbimin ia kemi për detyrë qytetarëve dhe do t’ua bëjmë aty. Që do të thotë se ti si privat do bësh shërbimin për llogarinë time, qytetari do e marrë me cilësinë më të lartë, por nuk do të paguajë 130 euro, do paguajë po 80 euro. Ky është koncepti i bashkëpunimit me privatin, që ndërtohet në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit, pa rritur faturën e qytetarëve. Dhe këtë kemi bërë ne.
Jo vetëm kaq, por në 10 vitet e dhënies së këtij shërbimi nga privati, – ju i keni parë sallat e reja që do vazhdojnë të shtrihen sipas hartës dhe do t’ia japin shërbimin njerëzve në nevojë pranë shtëpive të tyre, – ka një kusht: Tre vjet përpara përfundimit të kontratës së shërbimit, privati do të rinovojë tërësisht gjithë infrastrukturën që, kur pas 10 vitesh, shteti ta marrë gjithë këtë pasuri, pasi do bëhet e shtetit ajo, do ta marrë të re. Ku është problemi!
Më mirë të gjithë në një vrimë këtu në Tiranë, në radhë, të torturuar e të sakatuar për të vrarë veten dhe të paguajnë 80 euro, apo më mirë, shërbimi kudo dhe ata kanë vetëm torturën e sëmundjes, por nuk kanë një torturë ekstra dhe paguajnë po 80 euro dhe këto nuk i paguajnë ata, por i paguan shteti. Asnjë qindarkë nuk nxjerr nga xhepi, qytetari dhe shteti nuk shton asnjë faturë.
Lidhur me partneritetin tjetër, sa vite, ju ka dalë vetja qejfit me pajisjet kirurgjikale?
Sa vite keni kërkuar e keni kërkuar dhe mbetët me biçakun e partizanëve në dorë?
Janë 9 milionë euro investim, të cilat nuk i ka shteti. Në 10 vjet, rreth 70 e ca milionë euro. Ku t’i gjejë? Po të gjendeshin, i kishin gjetur të tjerët përpara. Atëherë, ne i themi privatit, investo 9 milionë euro dhe në 10 vjet do të garantosh që në sallat e ndërhyrjeve, pajisjet do jenë të klasit të parë, të sterilizuara si në bussines class dhe mjekët nuk do kenë më asnjë problem për këtë. Ku është problemi! Në qoftë se do t’i thoshim privatit, investo 9 milionë euro dhe pastaj, kur shkojnë njerëzit për t’u operuar, duhet të paguajnë një tarifë plus se po e bën privati, kjo do të ishte grabitje.
Ka një tjetër koncesion të famshëm, ai i skanerëve në doganë. Skanerat, sipas koncesionit, nuk vendosen në gjithë pikat doganore të Shqipërisë. Por çdokush që fut një mall, jo vetëm që e paguan më shtrenjtë detyrimin aty ku ka skaner, por paguan po njësoj edhe aty ku nuk ka skaner, sepse i duhen dhënë paratë privatit. Skanerat duhet t’i vinte shteti, por shteti s’ka para. E thërret privatin, por nuk duhet t’ia ngarkojë qytetarit. Qytetari duhet të marrë një shërbim më të mirë, por nuk duhet të paguajë më shumë lekë, sepse ky është shërbim publik. Ky është koncepti.
Po pse, budallenj janë gjermanët, të parët, që janë vendi më i zhvilluar i Europës, vendi më i fuqishëm ekonomikisht, që bëjnë Partneritete Publike Private gjithmonë e më shumë, me këtë logjikë?! Në fund të 10 viteve, apo të 7 viteve, sipas rastit, patjetër që privatët që bëjnë këtë shërbim marrin një përqindje fitimi, e cila varion, mund të jetë 8%, mund të jetë 10%, mund të jetë dhe 12%. Këtë përqindje fitimi, ata e marrin dhe ndërkohë i japin shtetit mundësi të bëjë një shërbim publik ekselent. Kjo përqindje paguhet nga shteti. Nuk është para që i jepet privatit, siç thonë këta, pse ia dhanë privatit dhe nuk e bënë vetë. Para që i jepet privatit është ajo tek targat, apo ajo te skanerat, për të mos përmendur edhe të tjera. Madje edhe të kopsitura me parlament, që nuk ke ku shkon pa i respektuar, se mund të shkosh në gjykatë ndërkombëtare dhe gjykata të thotë po, kjo marrëveshje është e padëgjuar, por është e drejta sovrane e parlamentit të një vendi të bëjë marrëveshje të padëgjuara; Të thotë po, kjo marrëveshje shkel qoftë principet e stabilizim-asociimit, qoftë principet e Organizatës Botërore të Tregtisë, por është e drejta sovrane e parlamentit t’i shkelë. Është çmendur parlamenti juaj, s’ka problem Gjykata me privatin. Privati ka gjetur të çmendur dhe ka marrë kontratën. Ndërkohë që këto kontrata garantojnë rritjen e shërbimit pa kosto ekstra për atë që merr shërbimin.
Dëgjova që janë mërzitur laborantët. Është bërë edhe një peticion. Po për çfarë e bëjnë peticionin? Është e njëjta histori. Sot, ne bëjmë 70 lloje analizash. Janë shumë pak! Duhet të bëjmë 160 lloje analizash. Si t’i bëjmë? Sot ne bëjmë 5 milionë analiza në vit. Janë shumë pak! Duhet të bëjmë të paktën 6 milionë që në vitin e parë. Si ti bëjmë dhe me çfarë laboratorësh? Nuk i kemi paratë. Atëherë i themi privatit se do ta bësh ti gjithë investimin dhe laboratorët e shërbimit kombëtar shëndetësor duhet të jenë më të mirët në Republikën e Shqipërisë dhe me standardet më të larta europiane dhe ti do të mirëmbash dhe do të plotësosh të gjitha nevojat që kanë laboratorët për t’u mbajtur në punë, për 10 vjet. Ndërkohë që tre vjet, përpara se të mbyllet kontrata, do të bësh dhe një rinovim të plotë të të gjithë infrastrukturës dhe pas 10 vjetësh, edhe laboratorët, edhe pajisjet, edhe sallat e hemodializës e të tjera akoma, gjithë infrastruktura e check-up-it janë të shtetit.
Patjetër që në 10 vjet, ky që vjen, do bëjë investimin, do bëjë mirëmbajtjen e të gjitha, por do marrë edhe ky, pjesën e vet të fitimit, aq sa është norma e fitimit për një biznes. Por, përsëri, kjo nuk do rrisë çmimin e analizave. Nuk do u themi njerëzve na ka ardhur një laborator modern, kështu që ti duhet të paguash ekstra. Jo! Do të jetë njësoj! Laborantët, me sa kuptoj, kanë frikë se do të ngelen pa punë. Jo, do kenë më shumë punë e ky është ndryshimi! Sepse do duhen bërë më shumë analiza. E kuptoj se është edhe halli i laboratorit privat, kanë hall se do u shkojë investimi dëm. Jo, nuk do t’u shkojë dëm, sepse për të mbrojtur investimet e tyre, ne kemi vendosur kusht që laboratorët e shërbimit kombëtar shëndetësor do bëjnë vetëm shërbim publik. Nuk do shkojë dikush nga jashtë të marrë të bëjë analizat, sepse realisht kjo strukturë do jetë ultramoderne e patjetër që do i mbyllte gjithë laboratorët e tjerë. Por këtë ne nuk do ta lejojmë. E drejtë fare nuk është, sepse kjo është konkurrencë, por ne nuk do ta lejojmë që kjo konkurrencë të ndodhë, për të mos cënuar investimet e të tjerëve. Edhe check-up-i po ashtu. Pyesni kardiologët, pse iu është rritur puna? Sepse kanë më shumë njerëz që iu shkojnë tek dera, sepse ka më shumë njerëz që po marrin vesh që kanë probleme. E ju që jeni të këtij zanati ju ka rënë goja aq shumë, sa nuk ju është ngritur më, duke thënë “parandalim, parandalim, parandalim”. Si bëhet parandalimi ndryshe?
E mbi të gjitha, çfarë politikash afatgjata mund të bëjë një qeveri dhe një shtet për shëndetësinë, nëse nuk e ka haberin e asnjë statistike mbi gjendjen shëndetësore të popullit të vet! Ashtu sikundër ne jemi shumë të vendosur të shkojmë drejt autonomisë së plotë spitalore. Por si mund ta bëjmë autonominë, pa pasur më parë protokollet e përcaktuara për të gjitha llojet e problematikave shëndetësore që trajtohen në shërbimin publik shëndetësor?! Vetëm protokollet standarde garantojnë që fondet e vëna në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor të jenë të pa abuzuara.
Ne e duam autonominë spitalore për një arsye shumë të thjeshtë. Nuk mundet dot që Ministria e Shëndetësisë të jetë vendi ku bëhen tendera. Në fakt, ministritë nuk duhet të bëjnë tendera fare. Por kjo është një çështje e mandatit tjetër. Ajo që duhet, është që çdo spital të ketë buxhetin e vet dhe janë njerëzit e spitalit që pastaj vendosin si do shpenzohet ky buxhet, si do shpërblehen ata që janë më të nevojshëm për spitalin, si do bëhet që të ketë ekuilibra. Jo një profesor që njeh ministrin, shkon e bind ministrin dhe ministri i thotë “dakord, po t’i jap ty këtë vit, po i çoj atje ku do ti” . Një profesor tjetër që nuk e njeh ministrin, nuk merr asgjë. Apo siç ka ndodhur në të shkuarën, – ju e dini shumë mirë, – një person që sjell një ilaç shumë specifik, për të cilin ka një nevojë të caktuar, por jo një nevojë më shumë sesa aq, ta rregullojë që ai lloj ilaçi të blihet masivisht e të ngelet stok se nuk i duhet njeriu. Ndërkohë që një lloj tjetër ilaçi që duhet, vjen një moment që mungon.
Autonomia është vetëqeverisje e spitalit dhe plus, duke i krijuar kushtet mjekëve që të ushtrojnë dhe aktivitet privat pas orës së shërbimit publik në spital. Pra, duke e bërë spitalin, jo vendin ku të kapi ndonjë gjë secili, se këtu është mall pa zot, por duke e bërë mallin që është i lidhur drejtpërdrejtë me karrierën dhe me mirëqenien e të gjithëve atyre që janë aty brenda. E atëherë nuk ka më histori të tipit “kam marrë pjesë në 15 mitingje, meritoj të bëhem infermiere”. Ose “ik ti që ke 20 vjet infermiere, se nuk të kam parë në miting”. Hap pas hapi në këtë rrugë jemi duke shkuar, por do kohë dhe durim.
Kjo rritje pagash, patjetër që nuk është pak, por as nuk diskutohet që nuk është shumë. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për këtë. Vetëm se, – e jua them shumë sinqerisht, – ka qenë çështja që ka mbajtur në fije të perit programin dhe marrëveshjen tonë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Nga pikëpamja e logjikës strikt fiskale, financiare, ekonomike, ne nuk duhet ta kishim bërë këtë rritje pagash këtë vit. Duhet të prisnim vitin e ardhshëm për të pasur një konsolidim më të madh në çdo aspekt. Por, nga ana tjetër, ju dhe të gjithë punonjësit e shtetit nuk jeni thjesht njerëzit që jepni një kontribut në një sektor. Por jeni dhe familjarë që në shtëpi keni disa zëra, që nga fatura e energjisë e të tjera, me të cilat përballeni dhe përballeni si garantët e këtyre reformave. Nuk do bëheshin dot reformat, nëse nuk do kishim pasur gjithë këtë mbështetje që kanë pasur. Ama mbështetja ama mbështetja e dhënë nga shqiptarët, në shumicë, për këto reforma nuk mund të merret gratis, edhe pse njerëzit i kanë mbështetur reformat, sepse e kanë kuptuar që humbëm 25 vjet dhe nuk mund të vazhdohet më kështu, se, siç thonë shumë në një moshë të caktuar, u pa puna ime dhe e gruas time, po çfarë do bëhet me kalamajtë tanë?!
Po të ishin menduar këto gjëra 20 vjet përpara, sot do bënim biseda të tjera në Shqipëri. Sikur 20 vjet përpara, shteti t’iu thoshte njerëzve se llambat nuk i ndez Zoti, por që të ndizen ato, ka disa shpenzime dhe prandaj sa herë që ndez llambat, duhet ta llogarisësh që do e paguash energjinë, e dini sa do ishin kursyer në 20 vjet? Aq sa për të bërë 5 herë nga e para jo këto spitale, por 5-fishin e tyre! Aq shumë para kemi hedhur në lumin e marrëzisë. Sepse nuk deshën e nuk deshën të bënin një reformë të thjeshtë të shtetit dhe të thoshin: Energjia paguhet!
Sikur shteti 20 vjet përpara t’iu kishte thënë njerëzve se nuk mund të ndërtosh ku të duash, sot do ishim një vend më i pasur seç jemi. Shumë njerëzve nuk do ua kishte marrë lumi, investimet e gjakut. A mund ta shpjegojë njeri, si ka mundësi që në kohën e Skënderbeut, shqiptarët që nuk ishin siç janë sot, nuk kishin as dituri për botën, as internet jo e jo, nuk ndërtonin në lumë! Si ka mundësi që nuk shkonin të ndërtonin aty ku ishte toka që iu jepte bukë! Katragjyshërit, stërgjyshërit, gjyshërit, si nuk shkuan të ndërtojnë në lumë! Si doli një forcë, në fund të shekullit XX dhe u tha se ndërtimi është bereqet, kudo ndërtoni, mos lini lumë pa ndërtuar, se do ju vijë lumë e mira!
20 vjet përpara shteti mund t’iu thoshte njerëzve se shumë e mirë është të bëhesh mjek e jurist, por nuk janë vetëm këto dy punë që të bëjnë të pasur, ose të mirëqenë, por ka dhe ca punë të tjera. Mund të bëhesh edhe hidraulik, elektricist, teknik i mesëm bujqësie, teknik i mesëm nafte, etj.. Por jo, të gjithë “me vrap” për t’u bërë juristë.
Sot merrni rrugën nga Zogu i Zi deri në Durrës, ndaloni tek dera e çdo biznesi dhe pyesni: A ka punë? Do të shikoni që ka vende pune nga 2-3 deri në 50-60 vende bosh. Dhe e dini pse janë bosh? Sepse atyre nuk iu duhen juristë, por iu duhen zanatçinj. E kemi ditur që Shqipëria është vend i pasur me naftë. Por kompanitë e naftës vijnë dhe i marrin njerëzit nga jashtë. Shkojnë gjejnë në Kanada, inxhinierë nafte që kanë mbaruar në kohën e Enver Hoxhës dhe i paguajnë që të vijnë në Shqipëri, se këtu ka juristë sa të duash “për të shpuar” sa më thellë, po inxhinierë nafte dhe teknikë nafte, vështirë.
Sikur t’i bëjmë vetes këto pyetje dhe ta llogarisim jo çfarë nuk kemi pasur, por çfarë kemi pasur në dorë dhe çfarë na ka ikur nga dora e na ka marrë lumi, si para, sot Shqipëria do ishte komplet tjetër. 25 vjet i humbëm se nuk bëmë reforma, nuk deshëm t’i themi shtetit-shtet e qytetarit-qytetar. Nuk mund të humbim 25 vite të tjera. Nuk mund të jemi komb juristësh. Aq sa shumë kemi juristë, aq mizerje e kemi drejtësinë. Kjo është tjetër histori, se me gjithë këtë mendim juridik, ne duhet të kishim gjyqtarë në gjithë platformat juridike të botës, duhet të vinin amerikanë të na kërkonin disa. Të paktën të ishim bërë vendi i specializuar për juristë dhe të eksportonim mendim juridik në gjithë botën. Por jo që nuk mund të eksportojmë dot, por duhet të “importojmë” ambasadorë, ekspertë, për të bërë një reformë si të shpëtojmë nga këta që i rritëm vetë në prehrin e nënës Shqipëri dhe iu thamë tek Plepat merr diplomën, merr çekiçin e bjeri kokës kush të del përpara, se jeta është qejf.
Një miku i Mentorit dhe i imi që quhej Vincent Van Gogh thotë një fjalë shumë të bukur dhe me këtë do t’ju përshëndes: ”Mos e harrojmë kurrë, gjërat e mëdha realizohen nga një seri gjërash të vogla, të bëra njëra pas tjetrës dhe gjatë rrugës të mbledhura sëbashku.”
Shumë faleminderit!