Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 qershor 2016
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES KUADËR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT GLOBAL KUNDËR SIDA-S, TUBERKULOZIT DHE MALARIES”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave,
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Global kundër SIDA-s, Tuberkulozit dhe Malaries”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES KUADËR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT GLOBAL KUNDËR SIDA-S, TUBERKULOZIT DHE MALARIES
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Global kundër Sida-s, Tuberkulozit dhe Malaries”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme për individët
1. Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në datën 28 shkurt 2017, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.
2. Ky rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
3. Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të ekspertit.
4. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme llogaritin bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt ekspertim, por jo më e vogël se çmimet minimale fiskale, dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi, si dhe tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim.
5. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, me çmimet minimale fiskale në fuqi, atëherë ky fakt shprehet në formularin që i bashkëlidhet aplikimit të tij për rivlerësim.
6. Në rastin e parashikuar në pikën 5, të këtij neni, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme llogaritin bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi, si dhe tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim.
7. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë, si vlerë regjistrimi, në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë.
8. Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 2% e bazës së tatueshme, që përcaktohet sipas pikave 4 dhe 6, të këtij neni.
9. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, në zbatim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës, në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, me vlerën e rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi.
Neni 2
Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme për personat juridikë
1. Personat juridikë, të cilët kanë të regjistruar në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme me vlerë më të vogël se ajo e tregut, kanë të drejtë të bëjnë, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre pasurive.
2. Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet nga ekspertë të pavarur, të licencuar për vlerësimin e pasurisë nga institucionet përkatëse.
3. Diferenca nga vlera kontabël, e regjistruar në pasqyrat financiare, me vlerën që rezulton nga rivlerësimi, pasqyrohet në pasqyrat financiare të vitit 2016.
4. Personat juridikë, për këtë rivlerësim, paguajnë 3 % të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e paluajtshme. Për qëllime të zbatimit të këtij neni, personi juridik mban një kartelë të pasurisë së paluajtshme, ku evidenton vlerën përkatëse të pasurisë së paluajtshme që nga momenti i njohjes fillestare të aktivit dhe tatimin përkatës, të paguar sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 3
Akte nënligjore
Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për nxjerrjen e një udhëzimi të përbashkët për procedurat e zbatimit të këtij ligji. Në këtë udhëzim përcaktohet edhe tarifa e kryerjes së këtij shërbimi nga ZRPP-ja.
Neni 4
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet deri në datën 28 shkurt 2017.
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pikat 1 e 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.