Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
V E N D I M
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME  DHE SHTESA NË LIGJIN NR.108/2013, “PËR TË HUAJT””
 
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.108/2013, “Për të huajt””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
 
EDI  RAMA
 
# # #
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.108/2013, “PËR TË HUAJT” 
 
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.108/2013, “Për të huajt”, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon: 
 
Neni 1
 
Në nenin 3 bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 
 
1. Në pikën 3 dhe kudo ku është përdorur në ligj, termi “largim me forcë” zëvendësohen me “largim”;
2. Pika 9 ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“9. “Punëtor stinor” është i huaji, i cili e ka vendbanimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, por, përkohësisht, qëndron ligjërisht në territorin e saj, për të kryer një aktivitet të punës stinore, në bazë të një ose më shumë kontratave të punës, me kohë të përcaktuar, të lidhura ndërmjet të huajit dhe punëdhënësit, i cili ndodhet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.”.
 
3. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“11. “Personeli kyç” janë të huajt sipas kategorive të mëposhtme:
 
a) “Vizitorë biznesi” janë personat fizikë, të cilët punojnë në një pozicion drejtues brenda një personi juridik dhe janë përgjegjës për ngritjen e një aktiviteti tregtar. Ata nuk angazhohen në transaksione të drejtpërdrejta me publikun e gjerë dhe nuk marrin shpërblim nga një burim që ndodhet brenda palës pritëse;
b)  “Të transferuar brenda ndërmarrjes/shoqërisë” janë personat fizikë, të cilët kanë qenë të punësuar nga një person juridik jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ose kanë qenë ortakë të tij për gjashtë muaj të pandërprerë, që paraprijnë menjëherë këtë transferim dhe janë transferuar përkohësisht në një degë të ndërmarrjes/shoqërisë (duke përfshirë departamentet ose sektorët) në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas këtyre nënkategorive: 
i) “menaxher” nënkupton një person, i cili mban një pozicion të lartë dhe drejton menaxhimin e subjektit pritës, merr mbikëqyrje të përgjithshme ose udhëzime kryesisht nga bordi i drejtorëve ose i aksionarëve të biznesit. Ky pozicion përfshin: drejtimin e subjektit pritës, të një departamenti ose nënndarjeje të tij; mbikëqyrjen dhe kontrollin e punës së punonjësve të tjerë, specialistëve apo menaxherëve; autoritetin për të rekomanduar punësimin, shkarkimin ose veprime të tjera në lidhje me personelin;
ii) “specialist” nënkupton një person, i cili punon për grupin e ndërmarrjeve/shoqërive, zotëron njohuri të specializuara, thelbësore për fushat e aktivitetit të njësisë pritëse, teknikave apo menaxhimit. Në vlerësimin e njohurive të tilla duhet të merren parasysh jo vetëm njohuritë specifike për njësinë pritëse, por edhe nëse personi ka një nivel të lartë të kualifikimit, duke përfshirë përvojën e duhur profesionale, referuar një lloji pune ose aktiviteti që kërkon njohuri të veçanta teknike, duke përfshirë edhe mundësinë e pasjes së një profesioni të njohur;
iii) “praktikantët e diplomuar” janë personat fizikë, të cilët kanë qenë të punësuar nga një person juridik jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për të paktën 3 muaj të pandërprerë, që paraprijnë menjëherë këtë transferim, zotërojnë një diplomë universitare dhe janë transferuar përkohësisht në një degë të tij në territorin e Republikës së Shqipërisë, për qëllime të zhvillimit të karrierës apo për t’u trajnuar në metodat/teknikat e biznesit dhe të cilët paguhen gjatë periudhës së transferimit.”.
 
4. Pas pikës 32, shtohen pikat 33, 34, 35, 36, 37 e 38, me këtë përmbajte: 
 
“33. “Ofrues shërbimesh biznesi” janë personat fizikë, përfaqësues të një ofruesi shërbimesh jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilët kërkojnë hyrje të përkohshme në territorin e Republikës së Shqipërisë me qëllim negocimin e shitjes së shërbimeve ose lidhjen e marrëveshjeve për shitjen e shërbimeve, për llogari të ofruesit të shërbimeve. Ata nuk angazhohen në shitje të drejtpërdrejta për publikun e gjerë dhe nuk marrin shpërblim nga një burim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
34. “Ofrues shërbimesh kontraktuale” janë personat fizikë të punësuar nga një person juridik jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i cili ka një kontratë për të ofruar shërbime me një konsumator në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe kërkon praninë e punonjësve të tij, në një degë të përkohshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që të përmbushë kontratën e ofrimit të shërbimeve.
35. “Profesionistë të pavarur” janë personat fizikë të angazhuar në ofrimin e një shërbimi, të cilët janë të regjistruar si të vetëpunësuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe kanë një kontratë, për ofrimin e shërbimeve,  me një përfitues në Republikën e Shqipërisë. 
36. “Person me statusin e mbrojtjes plotësuese” ka kuptimin sipas përkufizimit të bërë në ligjin nr.121/2014, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
37. “Mbrojtja e përkohshme” i jepet të huajit sipas procedurës dhe kritereve të parashikuara në ligjin nr.121/2014, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë.
38. “Ministri” është ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.”.
 
Neni 2
 
Në nenin 4 bëhet ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:
 
1. Në pikën 2, fjalët “…struktura që mbulon çështjet e shtetësisë dhe refugjatët…”, zëvendësohen me “…autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët, sipas përcaktimit të bërë në ligjin nr.121/2014, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë…”.
 
2. Në pikën 5, pas fjalëve “…zyrat konsullore jashtë vendit…” shtohen fjalët “…zyrat konsullore të nderit të Republikës së Shqipërisë si dhe agjentë të tjerë të kontraktuar në shtete të huaja…”.
 
Neni 3
 
Në pikën 1, të nenit 10, bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon: 
 
1. Fjalët “…në nenin 8, të këtij ligji…” zëvendësohen me “…në nenin 6, të këtij ligji…”.
 
2. Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
 
“c) përdor në hyrje një dokument të një personi tjetër ose dokument/vizë të falsifikuar apo një dokument të paautorizuar për të hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë.”.
 
Neni 4
 
Në pikën 2, të nenit 15, pas fjalëve “…që ka lëshuar atë…”, shtohen fjalët “…ose shtetas të huaj me leje qëndrimi në atë shtet…”.
 
Neni 5
 
Në nenin 17 bëhen këto ndryshime:
 
1. Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“a) i revokohet statusi i refugjatit dhe/ose është subjekt i largimit/dëbimit nga territori i Republikës së Shqipërisë.”.
 
2. Pika 2 ndryshohet,  me këtë përmbajtje:
 
“2. Lëshimi i lejes së kalimit për të huajt, të cilët do të kthehen në vendin ku pranohen, në vendin e rezidencës apo të origjinës, bëhet nga autoritetet rajonale për kufirin dhe migracionin në juridiksionin territorial ku i huaji ka pasur së fundmi vendqëndrimin e tij dhe nga autoritetet konsullore të Republikës së Shqipërisë, kur i huaji ndodhet jashtë shtetit.”. 
 
Neni 6
 
Në pikën 3, të nenit 22, pas fjalëve “…mbajtësit e vizave të tipit D/H, lëshuar për motive humanitare…”, shtohen fjalët “…dhe të tipit D/DS, lëshuar për motiv shërbimi…”.
 
Neni 7
 
Pika 6, e nenit 24, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“6. Në rast se nuk ka përfaqësi diplomatike/konsullore shqiptare në shtetin e aplikuesit ose në vendin ku ai është banor, i huaji bën kërkesë me postë në përfaqësinë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në vendin e parashikuar, sipas një liste të miratuar me urdhër të ministrit të Punëve të Jashtme, e cila publikohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Paraqitja personalisht për marrjen e vizës nga i huaji bëhet sipas pikës 4, të këtij neni.”.
 
Neni 8
 
Në pikën 2, të nenit 25, fjalët “…të nenit 21…” zëvendësohen me “…të nenit 23…”.
 
Neni 9
 
Pika 1, e nenit 27, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“1. Autoriteti përgjegjës për kufirin dhe migracionin zgjat afatin e qëndrimit të përcaktuar në vizën e lëshuar apo afatin e lejuar të qëndrimit pa vizë, nëse i huaji kërkon zgjatjen e qëndrimit para përfundimit të afatit të vlefshëm të qëndrimit, vetëm për motive që vlerësohen të një rëndësie të veçantë, të një force madhore ose humanitare, kur nuk ka pasur mundësi të largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë para përfundimit të afatit të lejuar.”.
 
Neni 10
 
Në pikën 2, të nenit 30, pas fjalëve “…90 ditë brenda 180 ditëve nga hyrja…”, hiqet fjala “…e parë…”.
 
Neni 11
 
Në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 33, hiqen fjalët “…jo e ripërtëritshme…”.
 
 
Neni 12
 
Në nenin 35 bëhen këto shtesa:
 
1. Në shkronjën “c”, të pikës 1, pas fjalës “…i huaji…” hiqet fjala “…është…” dhe shtohen fjalët “…përbën kërcënim për rendin dhe sigurinë publike dhe…”.
 
2. Në pikën 2, pas fjalës “…mund të…”, shtohen fjalët “…lëshohet ose…”.
 
Neni 13
 
Pikat 1 dhe 2, në nenin 36, ndryshohen, si më poshtë vijon:
 
“1. Kundër urdhrit të refuzimit të lëshimit, të ripërtëritjes apo të anulimit të lejes së qëndrimit, i huaji ka të drejtën e ankimit administrativ tek autoriteti epror i drejtpërdrejtë i autoritetit që ka nxjerrë urdhrin, sipas afateve të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative.
2. Procedura e shqyrtimit të ankimit administrativ duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga data e depozitimit të ankimit administrativ. Kundër vendimit të organit epror bëhet ankim në gjykatën kompetente për çështjet administrative, sipas legjislacionit në fuqi.”.
 
Neni 14
 
Në pikën 1, të nenit 38, fjalët “…jo më vonë se…” zëvendësohen me “…brenda…”.
 
Neni 15
 
Në shkronjën “a”, të pikës 5, të nenit 40, fjala “…së paku…” zëvendësohet me “…deri në…”.
 
Neni 16
 
Në  shkronjën “a”, të pikës 5, të nenit 42, fjala “…së paku…” zëvendësohet me “…deri në…”.
 
Neni 17
 
Pika 2, e nenit 53, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“2. Leja e qëndrimit, e lëshuar për këtë motiv, shërben vetëm për qëndrimin e të huajit dhe nuk mundëson rihyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë në rast se i huaji del nga territori. Leja e qëndrimit për këtë motiv lëshohet me afat 1-vjeçar dhe rinovohet vetëm në rastet kur:
a) vlerësohet se qëndrimi i saj/tij nuk përbën kërcenim për sigurinë publike dhe atë kombëtare; 
b) vlerësohet se ekziston një vullnet i qartë i personit për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë gjatë hetimit ose procedimit penal;
c)  është në pritje të vlerësimit të statusit nga autoritetet kompetente.”.
 
Neni 18
 
Pika 2, e nenit 65, ndryshohet, më poshtë vijon:
 
“2. Pajiset me leje të përhershme qëndrimi i huaji, familjarët e tij dhe personeli i tij kyç, i cili ka kryer një investim në Republikën e Shqipërisë,  në sektorë strategjikë, në vlerën jo më pak se 2 milionë euro dhe dokumenton se ka krijuar mbi 100 vende pune, minimalisht për një periudhë 1-vjeçare.”.
 
Neni 19
 
Në pikën 1, të nenit 70, hiqen fjalët “…si dhe banori i përkohshëm…”.
 
Neni 20
 
Në nenin 73 bëhet ndryshimet dhe shtesa, si më poshtë vijon:
 
1. Shkronja “b”, e pikës 2, ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“b) ofrues shërbimesh biznesi, të cilët nuk angazhohen në shitje të drejtpërdrejta për publikun e gjerë dhe nuk marrin shpërblim nga një burim që gjendet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë;”.
 
2. Shkronja “c”, e pikës 3, ndryshohet, me këtë përmbajtje:
 
“c) përfaqësuesit dhe stafi i organizatave jofitimprurëse, të njohura dhe të regjistruara në organet përgjegjëse të Republikës së Shqipërisë, të cilët nuk shpërblehen për punën e tyre;”.
 
3. Pas shkronjës “dh”, të pikës 3, shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:
 
“e) Përfaqësuesit dhe stafi i bashkësive fetare, të njohura dhe të regjistruara në organet përgjegjëse të Republikës së Shqipërisë, të cilët kryejnë aktivitete të lidhura ekskluzivisht me shërbimin fetar apo bamirës dhe nuk shpërblehen për punën e tyre.”.
 
Neni 21
 
Në pikën 1, të nenit 80, pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:
 
“e) kur i huaji ndërpret kontratën e punës, për arsye të ndryshme, dhe largohet nga vendi i punës për të cilin ka marrë lejen.
Në këtë rast, punëdhënësi informon, brenda 2 javëve, autoritetet përgjegjëse ku i huaji është pajisur me lejen e punës dhe atë të qëndrimit.”. 
 
Neni 22
 
Në nenin 84, bëhet shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:
 
1. Në pikën 1, pas fjalës “…paraardhës…” shtohen fjalët “…kur subjekti ka aktivitet në vazhdimësi dhe 10 për qind të totalit të të punësuarve në momentin e aplikimit, për subjektet e hapura rishtas…”.
 
2. Pika 2 ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“2. Autoriteti shtetëror përgjegjës për punësim, përpara miratimit të kërkesës së të huajit për plotësimin e një vendi të lirë pune, propozon, brenda afatit kohor të publikimit të vendit të lirë të punës, kandidatë të përshtatshëm, sipas profilit të kërkuar, të gatshëm të punojnë në vendin vakant të punës, si më poshtë:”.
 
Neni 23
 
Pas pikës 2, të nenit 87, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
 
“3. Në  rastet kur i huaji nuk i plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 103, për t’u pajisur me leje pune të përhershme dhe nëse nuk kanë ndryshuar kushtet e punës për të cilat është lëshuar leja e fundit e punës, i huaji pajiset me leje pune të tipit A/P, me afat njëvjeçar, e ripërtëritshme dy herë radhazi me afat dyvjeçar.”.
 
Neni 24
 
Në nenin 88 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
 
1. Në pikën 1 hiqen fjalët “…dhe që të rikthehet në vendin e origjinës pas përfundimit të kontratës së punës…”.
 
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“2. Në rast se kontrata/oferta e punës e të huajit përcakton se aktiviteti që do të ushtrojë është një profesion i rregulluar, i huaji duhet të plotësojë kushtet e përcaktuara në përputhje me të drejtën kombëtare të ushtrimit të profesioneve të rregulluara.”.
 
3. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
 
“5. Pas përfundimit të kontratës së punës, i huaji duhet të rikthehet në vendin e tij të origjinës, me përjashtim të rasteve kur plotëson  kriteret sipas legjislacionit në fuqi për t’u pajisur me leje qëndrimi.”.
 
Neni 25
 
Në nenin 89 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
 
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“1. Të huajt, të cilët transferohen nga një ndërmarrje/shoqëri jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në një degë të saj (duke përfshirë departamentet ose sektorët) në territorin e Republikës së Shqipërisë, duhet të kenë qenë të punësuar për këtë ndërmarrje/shoqëri, për një periudhë:
a) gjashtëmujore të pandërprerë, që paraprin menjëherë këtë transferim, për kategoritë:
i) administrator;
ii) specialistë.
 
b) tremujore të pandërprerë, që paraprin menjëherë këtë transferim. për kategorinë:
i) praktikantë të diplomuar;”.
 
2. Në shkronjën “c”, të pikës 2, fjala “…kompani…” zëvendësohet me  “…ndërmarrje/shoqëri…” dhe shkronja “ç” shfuqizohet.
 
3. Pika 3 shfuqizohet.
 
4. Në pikën 7, fjalët “…personel kryesor…” zëvendësohen me “…administratorë…”.
 
5. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“ 8. Periudha fillestare e vlefshmërisë së lejes së punës për të transferuarit brenda ndërmarrjes/shoqërisë, të cilët bëjnë pjesë në kategoritë administratorë apo specialistë, është e barabartë me kohëzgjatjen e kërkuar për kryerjen e punës së përcaktuar, duke filluar nga koha e transferimit të tij deri në një periudhë maksimale të vlefshmërisë prej pesë vjetësh.”.
 
Neni 26
 
Pas shkronjës “d”, të pikës 1, të nenit 90, shtohet shkronja “dh”, me këtë përmbajtje:
 
“dh) Në rastin e “Praktikantëve të diplomuar”, punëdhënësi paraqet një marrëveshje trajnimi, e cila përmban programin e trajnimit, kohëzgjatjen e tij si dhe kushtet në të cilat praktikanti do të mbikëqyret.”.
 
Neni 27
 
Në nenin 98 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
 
1. Në shkronjën “a”, të pikës 1, fjalët “…së paku 2-vjeçare…” zëvendësohen me “…minimale 1 vit…”.
 
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Leja e punës e tipit “A/KL”, nëse plotësohen kriteret e kërkuara, jepet për herë të parë me një afat jo më pak se 1 vit, ripërtërihet më pas dy herë të tjera, me një afat 2-vjeçar, dhe, më pas, me afat të përhershëm.”.
 
3. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
 
“3. Në rastet kur i huaji nuk i plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 103 për t’u pajisur me leje pune të përhershme dhe nëse nuk kanë ndryshuar kushtet e punës, për të cilat është lëshuar leja e fundit e punës, i huaji pajiset me leje pune të tipit A/KL, me afat 1-vjeçar, e ripërtëritshme dy herë radhazi me afat 2-vjeçar.”.
 
Neni 28
 
Në nenin 100 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
 
1. Në pikën 1, fjala “…trevjeçar…” zëvendësohet me “…dyvjeçar…”.
 
2. Pas pikës 1 shtohen pikat 1/1, 1/2 dhe 1/3, me këtë përmbajtje:
“1/1. Leja e punës për investitorin e huaj është e ripërtëritshme me afat kohor trevjeçar, nëse nuk kanë ndryshuar kushtet për të cilat është dhënë leja e mëparshme, fillestare, e punës.
1/2. Leja e punës është e përhershme, pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së lejes së dytë me afat trevjeçar, nëse nuk kanë ndryshuar kushtet për të cilat është lëshuar leja e fundit e punës.
1/3. Në rastet kur investitori i huaj nuk i plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 103 për t’u pajisur me leje pune të përhershme dhe nëse nuk kanë ndryshuar kushtet e punës për të cilat është lëshuar leja e fundit e punës, i huaji pajiset me leje pune të tipit B/I, me afat dyvjeçar, e ripërtëritshme me afat trevjeçar.”. 
 
Neni 29
 
Në nenin 101 bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 
 
1. Nënparagrafët iv dhe v, të shkronjës “b”, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“iv) punonjës në bazë kontratash, të cilët shpërblehen për punën e tyre në një organizatë të huaj, të regjistruar si një organizatë jofitimprurëse në Republikën e Shqipërisë;
v) përfaqësues dhe anëtarë të bordit drejtues të organizatave jofitimprurëse, të njohura dhe të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, të cilët punojnë në bazë kontratash dhe shpërblehen për punën e tyre.”.
 
2. Pas nënparagrafit “vii”, të shkronjës “b”, shtohet nënparagrafi “viii”, me këtë përmbajtje:
“viii) vizitorë biznesi me qëndrim të përkohshëm.”.
 
3. Shkronjat “c” dhe “ç” ndryshohen, me këtë përmbajtje:  
 
“c) ofrues të shërbimeve të biznesit, të cilët nuk angazhohen në shitje të drejtpërdrejta për publikun e gjerë dhe nuk marrin shpërblim nga një burim që gjendet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë; 
“ç. Refugjati, i huaji në mbrojtje të përkohshme dhe personi me statusin e mbrojtjes plotësuese, në përputhje me ligjin për azilin në Republikën e Shqipërisë.”.
 
Neni 30
 
Pas pikës 2, të nenin 102, shtohen pikat 2/1, 2/2 dhe 2/3, me këtë përmbajtje: 
 
“2/1. Ofruesit e shërbimeve kontraktuese, të cilëve u lejohet hyrja për ofrimin e shërbimeve, do t’u nënshtrohen këtyre kushteve: 
a) Duhet të jenë të angazhuar në ofrimin e një shërbimi në një bazë të përkohshme në Republikën e Shqipërisë.. Gjatë periudhës së shkëputjes duhet të ekzistojë një marrëdhënie pune ndërmjet punonjësit dhe personit juridik jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i cili ka një kontratë shërbimi me subjektin e regjistruar në Republikën e Shqipërisë;
b) Duhet të kenë të paktën dy vjet eksperiencë në fushën e veçantë, objekt i kontratës së shërbimit;
c) Personat fizikë, që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë për të ushtruar një veprimtari në bazë të ligjit, rregulloreve ose kërkesave të palës ku shërbimi ofrohet, duhet të kenë kualifikimet profesionale përkatëse, kur kjo gjë është e nevojshme;
ç) Personat fizikë nuk do të marrin shpërblim për ofrimin e shërbimeve të tjera, përveç shpërblimit të dhënë nga klienti me të cilin punëdhënësi i tij/i saj ka një kontratë për ofrimin e shërbimit;
d) Hyrja e përkohshme dhe qëndrimi i tyre brenda territorit të Republikës së Shqipërisë do të jetë për një periudhë të përgjithshme jo më shumë se dymbëdhjetë muaj ose në përputhje me kohëzgjatjen e kontratës, gjithmonë kur qëndrimi nuk e kalon periudhën dymbëdhjetë mujore;
dh) numri i personave të mbuluar nga kontrata e shërbimit nuk mund të jetë më i madh se sa është e nevojshme për të përmbushur kontratën. Ky numër mund të përcaktohet nga ligjet, rregulloret dhe kërkesat e palës ku shërbimi do të ofrohet.
 
2/2. “Profesionistët e pavarur”, të cilëve u lejohet hyrja për ofrimin e   shërbimeve, do t’u nënshtrohen këtyre kushteve: 
a) Duhet të jenë të angazhuar në ofrimin e një shërbimi në një bazë të përkohshme në Republikën e Shqipërisë, kur ata janë të regjistruar si persona të vetëpunësuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.  Gjithashtu, duhet të kenë një kontratë shërbimi për një periudhë që nuk i kalon dymbëdhjetë muaj;
b) Personat fizikë, që hyjnë për ofrimin e shërbimit, duhet të zotërojnë, së paku, tre vjet përvojë profesionale në fushën e aktivitetit që është objekt i kontratës;
c) Personat fizikë, që hyjnë në Republikën e Shqipërisë për ofrimin e një shërbimi kontraktual, duhet të kenë kualifikime profesionale, kur kjo është e nevojshme, për të ushtruar një veprimtari në bazë të ligjit, rregulloreve ose kërkesave të palës që e merr këtë shërbim.
 
2/3. Hyrja e përkohshme dhe qëndrimi i profesionistëve të pavarur në shërbim të palës së interesuar do të jetë për një periudhë të përgjithshme jo më shumë se dymbëdhjetë muaj ose për kohëzgjatjen e kontratës, cilado qoftë ajo, por, gjithmonë, kur qëndrimi nuk e kalon periudhën dymbëdhjetë mujore.”.
 
Neni 31
 
Pas pikës 1, të  nenit 105, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje: 
 
“1/1. Përjashtohen nga tarifa shtetërore për pajisjen me leje qëndrimi shtetasit e Republikës së Kosovës dhe shtetasit e përkatësive etnike shqiptare të republikave të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, që qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë për qëllime studimi.”.
 
Neni 32
 
Në nenin 119 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
 
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. I huaji ka të drejtë të ankimojë urdhrin e qëndrimit në një territor të caktuar në gjykatën kompetente për çështjet administrative.”.
 
2. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje: 
“5. Fondet për qëndrimin në një territor të caktuar mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mënyra e administrimit të fondeve dhe qëndrimit në një territor të caktuar përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
 
Neni 33
 
Në nenin 141 bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon: 
 
1. Pika 4 ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
“4. Profili vjetor i migracionit miratohet me urdhër të ministrit, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit pasardhës.”.
 
2. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Profili i zgjeruar i migracionit përgatitet në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e të dhënave statistikore për migracionin një herë në katër vjet, brenda  9-mujorit të vitit pasardhës, dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
 
Neni 34
 
Shkronja “a”, e pikës 1, të nenit 145, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“a) Dënohet me gjobë nga 20 000 deri në 30 000 lekë i huaji, i cili:
i. gjendet në territorin e Republikës së Shqipërisë pa dokumentin e kërkuar të udhëtimit, vizën apo lejen e qëndrimit apo nuk përmbush detyrimin për t’u regjistruar apo për të aplikuar për leje qëndrimi;
ii. punësohet me pagesë ose praktikon një zanat, pa të drejtë për punësim fitimprurës;
iii. nuk përmbush, nëse i kërkohet, detyrimin për të raportuar ose kërkesën për t’u paraqitur para autoriteteve për të dhënë informacion.”.
 
Neni 35
Nxjerrja e akteve nënligjore
 
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 6 muajve, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë vendim në zbatim të pikës 2, të nenit 32, të këtij ligji.
 
2. Ngarkohet ministri i Punëve të Jashtme të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të nenit 7, të këtij ligji.
 
Neni 36
Hyrja në fuqi
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META
 
 
 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.