Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 maj 2016
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8537, DATË 18.10.1999, “PËR BARRËT SIGURUESE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8537, datë 18.10.1999, “Për barrët siguruese”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
# # #
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8537, DATË 18.10.1999, “PËR BARRËT SIGURUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8537, datë 18.10.1999, “Për barrët siguruese”, të ndryshuar, bëhen disa ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 1 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Përkufizimet: “Barrë siguruese”, “Debitor i llogarisë”, “Ceduesi” dhe “Cesionari” riformulohen, si më poshtë vijon:
– “Barrë siguruese” është një e drejtë reale mbi pasuri të paprekshme ose pasuri të luajtshme të prekshme, si të tashme ashtu dhe të ardhme, që siguron një ose më shumë detyrime që kanë lindur përpara ose pas lidhjes së marrëveshjes siguruese.
– “Debitor i llogarisë” është personi i cili ka apo do të ketë në të ardhmen një detyrim në para ndaj një personi tjetër.
– “Ceduesi” është personi ndaj të cilit debitori i llogarisë ka një borxh dhe i cili e transferon këtë borxh te një person tjetër. Për efekt të këtij ligji, ceduesi trajtohet si barrëdhënës kur cedimi është kryer nëpërmjet barrës siguruese apo shitjes së llogarive.
– “Cesionari” është personi të cilit ceduesi i transferon llogarinë që debitori i llogarisë i detyrohet apo do t’i detyrohet në të ardhmen. Për efekt të këtij ligji, cesionari trajtohet si barrëmarrës kur cedimi është kryer nëpërmjet barrës siguruese apo shitjes së llogarive.
2. Pas përkufizimit të fundit shtohen edhe këto përkufizime:
– “Instrument financiar” është një e drejtë që i jep zotëruesit të saj përfitimin e një vlere në para mbi bazën e një marrëveshjeje të nënshkruar më parë.
– “Tituj apo letra me vlerë” janë instrumente financiare që përfshijnë pa kufizim aksionet, obligacionet e shoqërive tregtare dhe të pushtetit vendor, bonot e thesarit dhe obligacionet e emetuara nga shteti shqiptar, titujt e emetuar nga Banka e Shqipërisë, dëftesat tregtare, aksionet ose kuotat e fondeve të investimit, si dhe instrumente të tjera financiare të krahasueshme me aksionet e obligacionet dhe që vlerësohen e miratohen si të tilla nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Titujt emetohen në lekë ose në monedhë të huaj.
– “Llogari” është detyrimi në para që nuk pasqyrohet në një instrument financiar, titull apo letër me vlerë dhe që ekziston pavarësisht nëse debitori ka përmbushur ose jo detyrimin.
– “Pasuri e paprekshme” është çdolloj pasurie që nuk është send, instrument financiar, titull ose letër me vlerë. Janë pasuri e paprekshme pronësia intelektuale, llogaritë etj.
Neni 2
Në nenin 2 bëhen këto ndryshime:
1. Paragrafi i parë riformulohet, si më poshtë vijon:
“Ky ligj zbatohet për transaksione të çdo forme apo emërtimi, që krijojnë barrë siguruese mbi sende të luajtshme ose pasuri të paprekshme apo mbi të drejtat e pronarit me anë të transferimit të titullit të pronësisë, posedimit me anë pengu apo me çdo mënyrë tjetër.”.
2. Shkronja “b” riformulohet, si më poshtë vijon:
“b) shitja e një apo disa llogarive;”.
3. Dy paragrafët e fundit riformulohen, si më poshtë vijon:
“Rregullat, që zbatohen për barrëmarrësin ose për të drejtat dhe detyrimet e barrëmarrësit, zbatohen njëlloj për shitësin në një kontratë të shitjes me rezervë të mallrave, shitësin e llogarive, porositësin në një kontratë komisioni dhe qiradhënësin në kontratën e qirasë së mallrave me afat mbi një vit.
Rregullat, që zbatohen për barrëdhënësin ose për të drejtat dhe detyrimet e barrëdhënësit, zbatohen njëlloj për blerësin në një kontratë të shitjes me rezervë të mallrave, blerësin e llogarive, komisionerin në një kontratë komisioni dhe qiramarrësin në kontratën e qirasë së mallrave me afat mbi një vit.”.
Neni 3
Shkronjat “b” dhe “d”, të nenit 4, riformulohen, si më poshtë vijon:
“b) shitjen e llogarive si pjesë e shitjes së veprimtarisë tregtare, prej së cilës ato kanë lindur;”.
“d) cedimin e llogarive, që bëhet vetëm për të lehtësuar mbledhjen e llogarive për ceduesin;”.
Neni 4
Në nenin 5 bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “b” riformulohet, si më poshtë vijon:
“b) Barrëdhënësi është pronar i kolateralit ose personi që lidh marrëveshjen siguruese i ka tagrat për ta bërë këtë në emër të pronarit të kolateralit, ose barrëdhënësi është blerës sipas një kontrate shitjeje me rezervë të mallrave, blerës i llogarisë, komisioner dhe qiramarrës në kontratën e qirasë së mallrave me afat mbi një vit;”.
2. Dy paragrafët e parë të shkronjës “c” riformulohen, si më poshtë vijon:
“Barrëmarrësi ka lidhur kontratë me barrëdhënësin për t’i dhënë kredi ose hua këtij të fundit ose një personi tjetër apo për të përmbushur një detyrim për llogari të barrëdhënësit, ose barrëmarrësi i ka dhënë kredi ose hua barrëdhënësit a një pale të tretë përpara lidhjes së marrëveshjes siguruese.
Kur marrëveshja siguruese parashikon vendosjen e një barre siguruese mbi kolateralin që fitohet nga barrëdhënësi pas lidhjes së marrëveshjes, barra siguruese lind në çastin e fitimit të pronësisë nga barrëdhënësi, pa qenë nevoja që barrëmarrësi ose barrëdhënësi të kryejnë ndonjë veprim, ose në rast se barrëdhënësi është blerës në një kontratë shitjeje me rezervë të mallrave, komisioner ose qiramarrës në kontratën e qirasë së mallrave me afat mbi një vit, në çastin e kalimit të posedimit të mallrave te barrëdhënësi, ose kur barrëdhënësi është ceduesi i llogarisë, barra lind në çastin e krijimit të llogarisë.”.
Neni 5
Shkronjat “b” dhe “c”, të nenit 8, riformulohen, si më poshtë vijon:
“b) Barrëmarrësi apo agjenti i tij, që nuk është barrëdhënësi, i posedon fizikisht mallrat, instrumentin financiar, titullin, letrën me vlerë apo paratë, siç është pranuar në marrëveshjen siguruese; ose”.
“c) Kur ka një barrë siguruese mbi mallrat që janë në posedim të depozitarit, ky lëshon një dokument pronësie në emër të barrëmarrësit ose pranon të mbajë mallrat për llogari të barrëmarrësit; ose”.
Neni 6
Pas fjalisë së parë, të nenit 9, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Barra siguruese mbi një instrument financiar, që ka qenë e kompletuar nëpërmjet posedimit nga barrëmarrësi ose agjent i tij, mbetet e kompletuar pa qenë nevoja të regjistrohet për 20 ditë pasi kolaterali të vihet nën kontrollin e barrëdhënësit për qëllim shitjeje, këmbimi, mbledhjeje, përtëritjeje, regjistrimi apo transferimi.”.
Neni 7
Paragrafi i parë, i nenit 10, riformulohet, si më poshtë vijon:
“Kur vihet barrë siguruese mbi një llogari, barrëmarrësi ka kundrejt dorëzanësit të llogarisë të njëjtat të drejta që ka barrëdhënësi.”.
Neni 8
Paragrafi i parafundit, i nenit 11, riformulohet, si më poshtë vijon:
“Barra siguruese për çmimin e blerjes mbi kolateralin ose mbi të ardhurat kolateral të tij, që është pasuri e prekshme dhe jo inventar, që është kompletuar brenda 20 ditëve nga data e posedimit të kolateralit nga barrëdhënësi apo një person tjetër i autorizuar prej tij si dhe barra siguruese për çmimin e blerjes mbi një kolateral të paprekshëm apo mbi të ardhurat kolateral të tij, që është kompletuar jo më vonë se 20 ditë pas datës së lidhjes së saj me kolateralin e paprekshëm, preferohet mbi çdo barrë tjetër siguruese që është dhënë nga barrëdhënësi mbi të njëjtin kolateral.”.
Neni 9
Neni 19 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 19
Preferimi mbi instrumente financiare që parashikohen nga ligje të tjera
Barra siguruese e një personi, i cili fiton instrumente financiare sipas parashikimeve të legjislacionit bankar, preferohet mbi barrën siguruese të kompletuar të mëparshme mbi instrumentet financiare.
Pretendimi i një personi, që blen tituj apo letra me vlerë ose përfiton barrë siguruese mbi to, preferohet mbi një barrë siguruese që është kompletuar me regjistrim, në qoftë se ky person fiton tituj apo letrën me vlerë dhe posedimin mbi të përkundrejt kompensimit pa pasur dijeni për barrën siguruese.
Pretendimi i cesionarit, i cili merr një dokument pronësie, preferohet mbi barrën siguruese mbi mallrat në posedim të lëshuesit të dokumentit të pronësisë nëse:
a) cesionari jep kompensim për dokumentin e pronësisë;
b) cesionari merr posedimin e dokumentit të pronësisë pa pasur dijeni për barrën siguruese;
c) cedimi bëhet në përputhje me kërkesat që përmban dokumenti i pronësisë, të cilat lejojnë transferimin e dokumentit te mbajtësi ose sipas porosisë se tij.
Pretendimi i poseduesit të parave preferohet mbi një barrë siguruese të vënë mbi paratë nëse poseduesi i tyre i ka fituar ato pa pasur dijeni se kanë qenë objekt i kësaj barre. Kur poseduesi i parave i ka këmbyer ato me pasuri me vlerë ose ka marrë përsipër një detyrim, pretendimi i tij preferohet mbi çdo barrë siguruese mbi paratë, pavarësisht nëse në çastin e fitimit të tyre ai ka pasur dijeni apo jo për këtë barrë mbi paratë.
Pretendimi i kreditorit, të cilit i paguhet detyrimi, preferohet mbi një barrë siguruese mbi paratë e paguara për këtë detyrim dhe mbi instrumentin financiar me të cilin është kryer kjo pagesë. Kjo zbatohet pavarësisht nëse kreditori ka pasur ose jo dijeni për një barrë të tillë në kohën e kryerjes së pagesës dhe kur pagesa është kryer nga barrëdhënësi me anë të instrumentit financiar, të një transferte elektronike fondesh, debitimit, transferte të autorizuar prej tij apo një mënyre të ngjashme pagese.”.
Neni 10
Neni 23 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 23
Marrëveshja ndërmjet një debitori llogarie dhe një ceduesi të llogarisë, sipas së cilës debitori i llogarisë merr përsipër të mos ngrejë kundër cesionarit pretendimet që debitori i llogarisë mund të ketë ndaj ceduesit dhe se nuk do të përdorë mjete të tjera ligjore kundër tij, ka fuqi detyruese edhe për cesionarin kundrejt debitorit të llogarisë. Kjo zbatohet vetëm kur cesionari e ka marrë llogarinë me kundërshpërblim, në mirëbesim dhe pa pasur dijeni për marrëveshjen.
Një marrëveshje e tillë është e pavlefshme kur bëhet në kundërshtim me nenin 92, të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë ose kur debitori i llogarisë është mbingarkuar me borxhe ose detyrime apo kur fillojnë procedurat e falimentimit.”.
Neni 11
Neni 24 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 24
Barrëmarrësi mund ta cedojë të drejtën e tij në përputhje me nenin 499, të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë.
Mosnjoftimi i një debitori llogarie për cedimin e një të drejte pagese sjell vetëm pasojat ligjore që parashikohen shprehimisht në këtë nen. Për krijimin, lidhjen, kompletimin apo ekzekutimin e një barre siguruese mbi një llogari nuk kërkohet njoftim.
Nëse debitori i llogarisë nuk ka bërë një marrëveshje të vlefshme për të mos ngritur pretendime ose për të mos përdorur mjete të tjera ligjore kundër cesionarit, të drejtat e cesionarit kundrejt debitorit të llogarisë u nënshtrohen:
a) të gjitha kushteve të marrëveshjes ndërmjet debitorit të llogarisë dhe ceduesit, si edhe çdo pretendimi apo mjeti ligjor që vjen nga transaksioni prej të cilit rrjedh llogaria ose transaksioni tjetër që ka lidhje me të; dhe
b) pretendimeve ose mjeteve ligjore të debitorit të llogarisë kundër ceduesit, që kanë lindur para se debitori i llogarisë të ketë marrë njoftim me shkrim për cedimin dhe që është nënshkruar nga ceduesi apo cesionari.
Debitori i llogarisë ka të drejtë të ngrejë pretendime kundër cesionarit vetëm për të zvogëluar detyrimin që rezulton në llogari.
Në qoftë se ceduesi dhe debitori i llogarisë ndryshojnë kushtet e një marrëveshjeje të lidhur midis tyre, ndryshimet duhet të respektohen edhe nga cesionari, në qoftë se ato janë bërë në mirëbesim dhe në përputhje me normat e arsyeshme tregtare. Cesionari fiton të drejtat e ceduesit që rrjedhin nga kontrata e ndryshuar. Ky paragraf nuk zbatohet kur e drejta sipas një kontrate të ceduar është fituar si rezultat i përmbushjes së plotë të detyrimit dhe kur debitori i llogarisë ka marrë njoftim për cedimin.
Debitori i llogarisë mund ta përmbushë detyrimin duke paguar ceduesin jo më vonë nga data e marrjes së njoftimit që tregon se shuma e kërkuar ose që do të kërkohet është ceduar dhe se pagesa duhet t’i bëhet cesionarit. Pas marrjes së njoftimit, debitori i llogarisë mund të çlirohet nga detyrimi kur paguan cesionarin, por jo kur paguan ceduesin. Lajmërimi është i pavlefshëm nëse nuk përshkruan në mënyrë të arsyeshme llogarinë e ceduar.
Me kërkesë të debitorit të llogarisë, cesionari duhet, brenda një kohe të arsyeshme, të provojë se cedimi është kryer. Nëse cesionari nuk vepron në përputhje me këtë kërkesë, debitori i llogarisë çlirohet nga detyrimi kur paguan ceduesin, edhe sikur të këtë marrë njoftim.
Debitori i llogarisë, që ka marrë lajmërim për cedimin e llogarisë, ka të drejtë të marrë nga cesionari një shënim me anë të të cilit bëhet e ditur se debitori i llogarisë çlirohet nga çdo detyrim i mëtejshëm ndaj cesionarit, në qoftë se nuk ka mbetur pjesë e detyrimit e papaguar dhe cesionari nuk ka detyrim të japë kredi, të marrë përsipër një detyrim të ri ose të paguajë në ndonjë mënyrë tjetër.
Çlirimi nga detyrimi duhet të bëhet brenda një periudhe të arsyeshme, por jo më vonë se 3 ditë pune pasi ceduesi të ketë marrë kërkesën nga debitori i llogarisë. Ky paragraf nuk zbatohet për shitjen e llogarisë.”.
Neni 12
Neni 30 riformulohet:
“Neni 30
Kur kolaterali është llogari, instrument financiar, titull apo letër me vlerë, barrëmarrësi ka të drejtë të njoftojë debitorin e llogarisë ose personin që ka detyrime nga instrumenti financiar, titujt apo letra me vlerë që t’i paguajë barrëmarrësit shumën e llogarisë, të instrumentit financiar, titujve apo të letrës me vlerë dhe, pasi të ketë zbritur shpenzimet e arsyeshme të bëra për arkëtimin, t’i përdorë paratë e arkëtuara për përmbushjen e detyrimit të siguruar nëpërmjet barrës siguruese.”.
Neni 13
Shkronjat “a” dhe “b”, të nenit 41, riformulohen, si më poshtë vijon:
“a) Vlefshmëria, kompletimi dhe preferimi i barrës siguruese mbi kolateralin, që është llogari, instrument financiar ose para dhe që është kompletuar me regjistrim, ose barrës siguruese mbi një automjet, që nuk është mall konsumi, aeroplan apo vagon treni që nuk është inventar, rregullohet nga ligji i vendit ku ndodhet barrëdhënësi në çastin kur barra i lidhet kolateralit. Vendndodhja e barrëdhënësit është vendi kryesor ku ai ushtron veprimtari tregtare ose vendbanimi i tij, në qoftë se nuk zhvillon veprimtari tregtare. Vendndodhja e personit juridik është vendi i selisë së tij.
b) Vlefshmëria, kompletimi dhe preferimi i barrës siguruese mbi një automjet, që është mall konsumi dhe mbi mallra që nuk përmenden në shkronjën “a” të këtij neni, si dhe barrës siguruese mbi një instrument financiar ose mbi para, kur këto janë në posedim të barrëmarrësit, rregullohet nga ligji i vendit në të cilin ndodhet kolaterali në çastin e lidhjes së barrës me kolateralin.”.
Neni 14
Emërtimet “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës” dhe “Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës” zëvendësohen përkatësisht me “Ministria përgjegjëse për ekonominë” dhe “Ministri përgjegjës për ekonominë”.
Neni 15
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR SHKËMBIMIN E INFORMACIONIT PËR VERIFIKIMIN E TERRORIZMIT”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkëmbimin e informacionit për verifikimin e terrorizmit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
# # #
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR SHKËMBIMIN E INFORMACIONIT PËR VERIFIKIMIN E TERRORIZMIT
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkëmbimin e informacionit për verifikimin e terrorizmit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META