Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 prill 2016
 
 
P R O J E K T L I GJ
PËR
 
NDËRMARRJET SOCIALE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË 
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
 
Neni 1
Objekti
 
Ky ligj rregullon organizimin dhe funksionimin e ndërmarrjeve sociale dhe përcakton kushtet e kriteret që një subjekt duhet të plotësojë që të përfitojë statusin e ndërmarrjes sociale.
 
Neni 2
Qëllimi
 
Ky ligj ka si qëllim të rregullojë veprimtarinë e ndërmarrjeve sociale, me qëllim mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të grupeve vulnerabël, nëpërmjet:
 
a) punësimit, në kuadër të njohjes së të drejtës themelore të individit për të pasur burime të mjaftueshme jetese, në përputhje me dinjitetin njerëzor, dhe sigurimin e furnizimit me mallra e shërbime plotësuese, në interes të komunitetit; 
b) ofrimit të mundësive të punësimit për personat, të cilëve mosha, shëndeti dhe gjendja familjare nuk u lejon një disponueshmëri aktive në tregun e punës;
c) ofrimit të mallrave dhe shërbimeve në forma të larmishme dhe me cilësi të mirë, duke siguruar mundësi të përshtatshme dhe të arritshme për individët me nevoja të veçanta, si dhe duke shënuar një hap thelbësor drejt barazisë gjinore, pasi këto shërbime lehtësojnë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës;
ç) integrimit ekonomik e social të grupeve në nevojë, duke nxitur frymën e përgjegjshmërisë, solidaritetit dhe kohezionit shoqëror në komunitet.
 
Neni 3
Fusha e zbatimit të ligjit
 
Ky ligj zbatohet për personat juridikë që ushtrojnë veprimtarinë si ndërmarrje sociale, duke krijuar kushte të përshtatshme për punësim të individëve të pafavorizuar në tregun e punës, si pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme e gjithëpërfshirëse kundër përjashtimit social dhe përshtatjes së sistemit të mbrojtjes shoqërore.
 
Neni 4
Parimet
 
Organizimi dhe funksionimi i ndërmarrjeve sociale bazohet në parimet e gjithëpranuara, në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë në dobi të komunitetit, dhe, veçanërisht, në parimin e:
 
a) transparencës: ndërmarrjet sociale dhe organet e tyre vendimmarrëse veprojnë në mënyrë transparente dhe të parashikueshme, duke promovuar pjesëmarrjen dhe llogaridhënien;
b) qëndrueshmërisë: themeluesit e ndërmarrjeve sociale marrin përsipër rrezikun e qëndrueshmërisë financiare dhe planifikojnë me maturi realizimin e të ardhurave, në bashkëpunim me anëtarët dhe punonjësit;
c) autonomisë dhe llogaridhënies: ndërmarrjet sociale e ushtrojnë veprimtarinë e tyre bazuar në vendimet e organeve drejtuese, të cilat i marrin vendimet për organizimin, funksionimin dhe administrimin e subjektit në mënyrë autonome dhe pa u ndikuar nga organet shtetërore, edhe pse përfitojnë subvencione publike. Organet publike kanë të drejtë të mbikëqyrin mënyrën e përdorimit të fondeve që ndërmarrjet sociale përfitojnë nga subvencionet publike;
ç) dimensionit kolektiv: ndërmarrjet sociale ruajnë dhe promovojnë dimensionin kolektiv, duke përfshirë në anëtarësi dhe vendimmarrje aktorë të tjerë, të tillë si punonjësit, vullnetarët, përdoruesit e shërbimeve dhe blerësit e mallrave, organet e qeverisjes vendore dhe çdo aktor tjetër të interesuar për të kontribuar në realizimin e një projekti të zhvillimit lokal; 
d) efektivitetit: ndërmarrjet sociale planifikojnë dhe përdorin me efektivitet burimet financiare, duke siguruar përfitimin maksimal social të mundshëm.
 
Neni 5
Promovimi i ndërmarrjeve sociale nga shteti
 
1. Ndërmarrjet sociale promovohen me anë të zbatimit të masave mbështetëse, të cilat përfshijnë masa financiare e të tjera, dhe nëpërmjet zhvillimit të sistemit të informimit e edukimit për sipërmarrjet sociale.
 
2. Sistemi i informimit dhe edukimit të sipërmarrjes sociale përfshin:
 
a) ofrimin e shërbimeve, në mbështetje të krijimit dhe funksionimit të ndërmarrjeve sociale, përfshirë këshillimin për përgatitjen e dokumentacionit për themelimin e ndërmarrjes sociale;
b) prezantimin e ideve të reja, që rezultojnë nga analizimi i tregut;
c) identifikimin e mundësive për të ofruar shërbime publike.
 
3. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale ngarkohet për hartimin e politikave të promovimit dhe zhvillimit të ndërmarrjeve sociale.
 
Neni 6
Roli i njësive të qeverisjes vendore
 
1. Njësitë e qeverisjes vendore mbështetin dhe zbatojnë politikat e zhvillimit të ndërmarrjeve sociale në territoret brenda juridiksionit të tyre.
 
2. Njësitë e qeverisjes vendore stimulojnë pjesëmarrjen e ndërmarrjeve sociale në procedurat e prokurimit publik, sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
 
KREU II
KRITERET
 
Neni 7
Kriteret
 
1. Një subjekt duhet të plotësojë një mimimum kriteresh për të mbajtur statusin e ndërmarrjes sociale.
 
2. Kriteret janë të natyrës ekonomike dhe sociale.
 
Neni 8
Kriteret ekonomike
 
1. Ndërmarrja sociale duhet të ushtrojë në mënyrë të vazhdueshme një veprimtari në fushën e prodhimit të mallrave dhe/ose ofrimit të shërbimeve.
2. Të paktën, 20% e të ardhurave, pas vitit të dytë të aktivitetit, dhe, të paktën, 30% e të ardhurave, pas vitit të tretë e në vijim të aktivitetit, duhet të realizohen nga veprimtaritë e parashikuara në nenin 10, të këtij ligji.
 
3. Në veprimtarinë e saj ndërmarrja sociale, përveç kontributit të vullnetarëve, duhet të përfshijë domosdoshmërisht edhe, të paktën, 3 (tre) punonjës me pagesë.
 
4. Të ardhurat e realizuara nga veprimtaria ekonomike e ndërmarrjeve sociale i shërbejnë zgjerimit të vazhdueshëm të veprimtarisë së tyre.
 
Neni 9
Kriteret sociale
 
1. Ndërmarrja sociale synon nxitjen e objektivave sociale në një fushë veprimtarie të mirëpërcaktuar.
 
2. Të paktën, 30% e punonjësve të punësuar në ndërmarrjen sociale duhet t’i përkasin kategorisë së grupeve të pafavorizuara nga pikëpamja sociale dhe ekonomike, të parashikuara në nenin 11, të këtij ligji. 
 
Neni 10
Fusha e veprimtarisë
 
1. Ndërmarrjet sociale e ushtrojnë veprimtarinë në këto fusha: 
 
a) Shërbime shoqërore;
b) Ndërmjetësim për punësim;
c) Punësim të të rinjve;
ç) Shërbime shëndetësore;
d) Shërbime në arsim;
dh) Mbrojtje mjedisore;
e) Promovim i turizmit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore;
ë) Veprimtari sportive, me qëllim argëtimin dhe socializimin;
f) Promovim i zhvillimit të komuniteteve lokale.
 
2. Këshilli i Ministrave miraton listën e veprimtarive konkrete që ushtrojnë ndërmarrjet sociale, sipas pikës 1, të këtij neni.
 
Neni 11
Grupet e pafavorizuara
 
1. Ndërmarrjet sociale kontribuojnë në mbrojtjen shoqërore dhe mbështetjen e grupeve të pafavorizuara, nëpërmjet punësimit dhe ofrimit të shërbimeve.
2. Në grupet e pafavorizuara përfshihen grupet me probleme të varfërisë ekstreme, përjashtimit social, pabarazisë, për shkak të vendndodhjes, papunësisë afatgjatë, përjashtimit, për shkak të përkatësisë në minoritete etnike, vështirësive, për shkak të të qenit i proceduar penalisht apo nën varësinë e drogës dhe alkoolit, dhe personat e shpërngulur.
 
3. Kategoritë konkrete të personave të pafavorizuar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.  
 
KREU III
STATUSI 
 
Neni 12
Forma juridike 
 
1. Ndërmarrjet sociale janë organizata jofitimprurëse, me anëtarësi.
 
2. Pas përfitimit të statusit të ndërmarrjes sociale është i detyrueshëm përdorimi i emërtimit “Ndërmarrje sociale” në krah të emrit të organizatës. 
 
3. Ndalohet përdorimi i emërtimit “Ndërmarrje sociale” nga çdo subjekt që nuk mban statusin, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.
 
4. Ndërmarrjet sociale mund të vendosin të formojnë organizata të ndërmarrjeve sociale.
 
Neni 13
Njohja e statusit 
 
1. Njohja e statusit të ndërmarrjes sociale, për një subjekt, bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet sociale, pas verifikimit të dokumenteve.
 
2. Aplikimi për përfitimin e statusit bëhet pas regjistrimit të subjektit në autoritetin kompetent dhe marrjes së licencës, në rast se ndërmarrjet sociale ushtrojnë veprimtari për të cilat nevojitet licencë.
 
3. Procedurat dhe dokumentacioni i nevojshëm për marrjen e statusit të ndërmarrjes sociale përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale.
 
4. Në çdo rast, urdhri i ministrit për njohjen ose refuzimin e statusit lëshohet brenda 30 ditëve, nga data e aplikimit.
 
Neni 14
Refuzimi i statusit
 
Statusi i ndërmarrjes sociale refuzohet në rastet kur subjekti:
 
a) nuk përmbush kushtet ose nuk ka paraqitur dokumentacionin sipas kërkesave të parashikuara në udhëzim;
b) ka paraqitur informacion apo dokumentacion të rremë.
 
Neni 15
Regjistri i ndërmarrjeve sociale
 
1. Ndërmarrjet sociale duhet të regjistrohen si të tilla në regjistrin e mbajtur nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale. 
 
2. Krijimi i regjistrit të ndërmarrjeve sociale, në ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale, dhe rregullat e hollësishme për formatin e përmbajtjen e tij përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. 
 
3.  Regjistri i ndërmarrjve sociale bëhet publik sipas legjislacionit në fuqi.
 
Neni 16
Humbja e statusit
 
1. Statusi i ndërmarrjes sociale humbet nëse:
 
a) ndërmarrja sociale, me inisiativën e vet, i drejtohet me kërkesë të motivuar ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale;
 
b) vërehen parregullsi të rëndësishme dhe/ose të përsëritura në veprimtarinë e ndërmarrjes sociale;
 
c) statusi është fituar nëpërmjet mashtrimit, kanosjes, mitmarrjes, konfliktit të interesit, falsifikimit apo një veprimi tjetër, që përbën vepër penale;
 
ç) ndërmarrja sociale ka ndërprerë veprimtarinë për një periudhë më të gjatë se 6 muaj ose është shpërndarë.
 
2. Rrethanat konkrete për të cilat vendoset ndalimi i veprimtarisë së një ndërmarrjeje sociale dhe heqja e statusit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale. 
 
3. Humbja e statusit shpallet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet sociale.
 
4. Brenda 3 ditëve, urdhëri i ministrit për heqjen e statusit depozitohet në regjistrin kombëtar të ndërmarrjeve sociale, duke sjellë çregjistrimin e saj nga ky regjistër.
 
5. Në rastet e humbjes së statusit të ndërmarrjes sociale, pas likuidimit të kreditorëve, pasuria e krijuar gjatë mbajtjes së statusit duhet të përdoret për interes publik ose duhet t’u kalojë ndërmarrjeve të tjera sociale.
 
KREU III
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I NDËRMARRJEVE SOCIALE
 
Neni 17
Funksionimi
 
1. Veprimtaria e ndërmarrjeve sociale drejtohet nga organet vendimmarrëse dhe organet ekzekutive, duke përfshirë në vendimmarrje edhe aktorë të tjerë, të tillë si punonjësit, vullnetarët, përdoruesit e shërbimeve dhe blerësit e mallrave, autoritetet lokale dhe çdo aktor tjetër të interesuar.
 
2. Ministri përgjegjës për çështjet sociale miraton rregulloren tip të funksionimit të ndërmarrjeve sociale.
 
Neni 18
Mosshpërndarja e fitimit
 
1. Në rast se ndërmarrjet sociale realizojnë fitim nëpërmjet ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, ato duhet të tatohen për fitimin e realizuar, sipas legjislacionit në fuqi për tatimin mbi të ardhurat.
 
2. Ndërmarrja sociale i përdor fitimet për zhvillimin dhe zgjerimin e veprimtarisë së saj.
 
3. Shpërndarja e çdo lloj fitimi, qoftë dhe në formë indirekte, në favor të anëtarëve, punonjësve apo bashkëpunëtorëve të ndërmarrjes sociale është e ndaluar.
 
4. Konsiderohen fitime indirekte:
 
a) shpërblimet e anëtarëve, drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve, në vlera më të mëdha se ato të parashikuara në ndërmarrjet që veprojnë në sektorë dhe kushte të njëjta ose të ngjashme, kur ky shpërblim i kalon me më shumë se 20% shpërblimet e marra si referencë;
b) pagat e punonjësve, në çfarëdolloj pozicioni, i kalojnë me më shumë se 20% pagat e parashikuara nga kontratat apo marrëveshjet për punët e veçanta, në sektorë të ngjashëm, përveç rasteve kur përfitimi lidhet me punë profesionale specifike, që kryhet për një periudhë të caktuar kohe.
 
Neni 19
Të drejtat e punonjësve
 
1. Çdo punëtor ka të drejtë për mbrojtje shoqërore të përshtatshme, cilido qoftë statusi i tij dhe pavarësisht nga madhësia e ndërmarrjes në të cilën ai është i punësuar.
 
2. Punonjësve të ndërmarrjes sociale nuk mund t’u caktohet një trajtim ekonomik dhe ligjor më pak i favorshëm se ai i parashikuar nga kontratat e punës ose marrëveshjet kolektive të zbatueshme, në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. 
 
3. Punonjësit e ndërmarrjes sociale, pavarësisht pozicionit të tyre, kanë të drejtën e informimit, të dhënies së mendimit dhe të pjesëmarrjes në vendimet për drejtimet strategjike.
 
4. Kufijtë dhe mënyrat e realizimit të këtyre të drejtave përcaktohen në rregulloret e brendshme të ndërmarrjeve sociale ose në marrëveshjet e lidhura ndërmjet organeve të administrimit të ndërmarrjes sociale dhe punonjësve apo përfaqësuesve të punonjësve.
 
Neni 20
Pjesëmarrja kolektive në vendimmarrje
 
1. Çdo person fizik apo juridik, vendas ose i huaj, ka të drejtë që të jetë anëtar i ndërmarrjes sociale si dhe të marrë pjesë në organet drejtuese ose në personelin administrativ të saj.
 
2. Rregulloret e funksionimit të ndërmarrjeve duhet të parashikojnë, në vendimet e planifikimit strategjik të ndërmarrjes, forma të pjesëmarrjes së punonjësve apo aktorëve të tjerë të interesuar.
 
3. Pjesëmarrja realizohet edhe nëpërmjet dhënies së informacioneve të nevojshme, të cilat u mundësojnë punonjësve dhe përftuesve të veprimtarive të japin mendimin dhe kontributin e tyre në marrjen e vendimeve që lidhen me drejtimin e përgjithshëm, veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me kushtet e punës, si edhe me sigurimin e cilësisë së mallrave e shërbimeve të ofruara nga ndërmarrja.
 
Neni 21
Anëtarët vullnetarë
 
1. Anëtarë të ndërmarrjes sociale mund të jenë dhe personat që kontribuojnë me punën e tyre në mënyrë vullnetare.
 
2. Aktet e themelimit dhe statutet e ndërmarrjeve sociale mund të parashikojnë dhënien e statusit të anëtarit edhe punonjësve apo personave që ofrojnë shërbime vullnetare.
 
3. Anëtarët vullnetarë regjistrohen, rregullisht, në regjistrin e ndërmarrjeve sociale dhe numri i tyre nuk mund ta kalojë gjysmën e numrit të përgjithshëm të anëtarëve. 
 
4. Për anëtarët vullnetarë nuk zbatohen kontratat kolektive dhe dispozitat ligjore që rregullojnë marrëdhëniet e punës, me përjashtim të dispozitave për mbrojtjen nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale.
 
5. Anëtarët vullnetarë nuk paguhen, por mund të marrin vetëm rimbursim për shpenzimet e kryera e të dokumentuara, sipas rregullave të përcaktuara nga ndërmarrja sociale për anëtarët e tjerë.
 
KREU V
KONTROLLI I NDËRMARRJEVE SOCIALE 
 
Neni 22
Detyrimi për raportim
 
1. Ndërmarrjet sociale paraqesin pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale raporte periodike për veprimtaritë e ushtruara në favor të interesit të përgjithshëm kolektiv dhe kategoritë e personave të punësuar. 
 
2. Format, afatet dhe mënyrat e raportimit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale.
 
Neni 23
Mbikëqyrja dhe kontrolli 
 
1. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale, nëpërmjet strukturave të veta, ushtron kontrolle, me qëllim që të verifikohet respektimi i dispozitave të këtij ligji nga ana e ndërmarrjeve sociale.
 
2. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale, në varësi të natyrës së ndërmarrjes sociale dhe veprimtarive të ushtruara prej saj, gjatë ushtrimit të kontrollit të veprimtarisë së ndërmarrjes sociale, koordinon punën me inspektorate të institucioneve të tjera shtetërore. 
 
3. Procedura e kryerjes së kontrollit, nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale, bashkërendimi i punës me inspektoratet e përmendura në pikën 2, si dhe të drejtat dhe detyrimet e palëve, gjatë kontrollit, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 24
Kundërvajtjet administrative dhe sanksionet
 
1. Në kuptim të këtij ligji, shkeljet e mëposhtme përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon: 
 
a) Në rast se gjatë veprimtarisë së tij subjekti shkel një nga kriteret ekonomike të parashikuara në nenin 8, të këtij ligji, ai dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) lekë deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë;
b) Në rast se gjatë veprimtarisë së tij subjekti shkel një nga kriteret sociale të parashikuara në nenin 9, të këtij ligji, ai dënohet me gjobë nga 30 000 (tridhjetë mijë) lekë deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë.
 
2. Organi kompetent për dënimin e shkeljes administrative është organi që e ka konstatuar.
 
KREU VI
BURIMET E FINANCIMIT DHE MBËSHTETJA SHTETËRORE
 
Neni 25
Burimet e financimit
 
Ndërmarrjet sociale e ushtrojnë veprimtarinë e tyre me mjete financiare që mund t’i sigurojnë nga këto burime:
 
a) Të ardhura të realizuara nga shitja e mallrave dhe tarifat e shërbimeve;
b) Subvencione publike, të lidhura me misionet e tyre të mbështetjes sociale dhe punësimit;
c) Donacione private;
ç)  Të ardhura të tjera, të njohura nga legjislacioni në fuqi.
 
Neni 26
Regjimi fiskal
 
Ndërmarrjet sociale u nënshtrohen zbatimit të legjislacionit fiskal, për kategorinë e tatimpaguesve së cilës ato i përkasin.
 
Neni 27
Format e mbështetjes
 
1. Ndërmarrjet sociale mbështeten nga shteti, nëpërmjet subvencionimit të ndërmarrjeve ose punëmarrësve në këto subjekte.
 
2. Format e mbështetjes, nëpërmjet subvencionit, rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave, pas vlerësimit të bërë nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore.
 
3. Format e tjera të mbështetjes dhe lehtësirave rregullohen nga legjislacioni për ndihmën shtetërore, ai tatimor dhe ai për organizatat jofitimprurëse.
 
Neni 28
Pjesëmarrja në procedurat e prokurimit publik
 
1. Autoritetet kontraktuese u japin të drejtën ndërmarrjeve sociale që të marrin pjesë në procedurat për dhënien e kontratave publike për shërbimet shëndetësore, sociale dhe kulturore.
 
2. Në çdo rast, procedurat e dhënies së këtyre kontratave duhet të bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik dhe të respektojnë parimet e përgjithshme të prokurimeve publike.
 
KREU VII
DISPOZITA TË FUNDIT
 
Neni 29
Rregullime plotësuese
 
Për çështjet që nuk janë të rregulluara në mënyrë të shprehur në këtë ligj do të zbatohen dispozitat e ligjit për organizatat jofitimprurëse. 
 
Neni 30
Hyrja në fuqi
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
 
 
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NDËRMARRJET SOCIALE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E DOKUMENTIT TË NDRYSHIMIT TË MARRËVESHJES SË HUAS, TË RATIFIKUAR ME  LIGJIN NR.89/2013, “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË BURIMEVE UJORE DHE UJITJES”
 
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë 
 
V E N D O S I:
 
Neni 1
 
Ratifikimin e dokumentit të ndryshimit të marrëveshjes së huas, të ratifikuar me ligjin nr.89/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për projektin e burimeve ujore dhe ujitjes”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji dhe pjesëve përbërëse të tij.
 
Neni 2
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
Për
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E DOKUMENTIT TË NDRYSHIMIT TË MARRËVESHJES SË HUAS, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.89/2013, “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË BURIMEVE UJORE DHE UJITJES””
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e dokumentit të ndryshimit të marrëveshjes së huas, të ratifikuar me ligjin nr.89/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për projektin e burimeve ujore dhe ujitjes””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i  bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
*Shënim: Bazuar në nenin 117 të kushtetutës së RSH dhe nenit 29 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e këshillit të ministrave, vendimet e këshillit të ministrave publikohen në fletoren zyrtare dhe hyjnë në fuqi pas botimit të tyre. Drejtoria e Komunikimit pranë Këshillit të Ministrave përpiqet të botojë në kohën më të shpejtë të mundshme vendimet e mbledhjeve të qeverisë, por versioni zyrtar dhe hyrja e tyre në fuqi bëhet vetëm pasi vendimi botohet ne QBZ. Shpeshherë, vendimet e këshillit të ministrave kanë nevojë për zbardhje të mëtejshme, çka e vonon publikimin e tyre në këtë faqe.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.