Projektligje të miratuara në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, 11 shkurt 2015
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, “MARRËSI”, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE FONDIT SHQIPTAR PËR ZHVILLIM, “AGJENCIA ZBATUESE E PROJEKTIT”, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, “KFW”, PËR FONDET IPA TË BASHKIMIT EVROPIAN PËR FURNIZIMIN ME UJË TË ZONAVE RURALE III”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, “Marrësi”, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Fondit Shqiptar për Zhvillim, “Agjencia zbatuese e projektit” dhe KfW Frankfurt am Main, “KfW”, për fondet IPA të Bashkimit Evropian për furnizimin me ujë të zonave rurale III”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, “MARRËSI”, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE FONDIT SHQIPTAR PËR ZHVILLIM, “AGJENCIA ZBATUESE E PROJEKTIT”, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, “KFW”, PËR FONDET IPA TË BASHKIMIT EVROPIAN PËR FURNIZIMIN ME UJË TË ZONAVE RURALE III
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së financimit dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, “Marrësi”, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Fondit Shqiptar për Zhvillim, “Agjencia zbatuese e projektit”, dhe KfW Frankfurt am Main, “KfW”, për fondet IPA të Bashkimit Evropian për furnizimin me ujë të zonave rurale III, me një grant në shumën 9 803 922 euro, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji dhe pjesëve përbërëse të tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, “MARRËSI”, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E FONDIT SHQIPTAR PËR ZHVILLIM, “AGJENCIA ZBATUESE E PROJEKTIT”, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, “KFW”, PËR MASAT SHOQËRUESE PËR FURNIZIMIN ME UJË TË ZONAVE RURALE III”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, “Marrësi”, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Fondit Shqiptar për Zhvillim, “Agjencia zbatuese e projektit”, dhe KfW Frankfurt am Main, “KfW”, për masat shoqëruese për furnizimin me ujë të zonave rurale III”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, “MARRËSI”, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E FONDIT SHQIPTAR PËR ZHVILLIM, “AGJENCIA ZBATUESE E PROJEKTIT”, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, “KFW”, PËR MASAT SHOQËRUESE PËR FURNIZIMIN ME UJË TË ZONAVE RURALE III
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së financimit dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, “Marrësi”, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Fondit Shqiptar për Zhvillim, “Agjencia zbatuese e projektit”, dhe KfW Frankfurt am Main, “KfW”, për masat shoqëruese për furnizimin me ujë të zonave rurale III, me një grant në shumën 1 500 000 euro, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji dhe pjesëve përbërëse të tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9789, DATË 19.7.2007, “PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E ZONAVE EKONOMIKE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9789, DATË 19.7.2007, “PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E ZONAVE EKONOMIKE”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 2 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
Pika 1 riformulohet, si më poshtë:
“1. “Zonë ekonomike” është një territor që ka një status të veçantë ekonomik, që mund të jetë zonë e lirë ose zonë zhvillimore për biznes, sipas përcaktimeve të mëposhtme.”
Pika 3 riformulohet, si më poshtë:
“3. “Zonë zhvillimore për biznes” është një territor i ndarë, në përputhje me një plan të përgjithshëm, i pajisur me infrastrukturën e nevojshme si rrugë, shërbime transporti dhe publike, me ose pa ndërtesa industriale, të ngritura paraprakisht e të destinuara për veprimtari prodhuese, për zhvillim industrial, të tregtimit dhe të shërbimeve.”.
Neni 2
Kudo në ligj fjalët “park industrial” zëvendësohen me “zonë zhvillimore për biznes”.
Neni 3
Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:
a) shkonja “b”, e pikës 3, riformulohet, si më poshtë:
“b) kufijtë e zonës dhe pikat e hyrjes e të daljes;”
b) pika 5 riformulohet, si më poshtë:
“5. Përzgjedhja e zhvilluesit të zonës ekonomike bëhet sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, që rregullojnë procedurat konkurruese në dhënien me koncesion, qira ose enfiteozë të pronës shtet, etj. si dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të këtij ligji.”.
Neni 4
Pas paragrafit të parë, të nenit 9, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“Ndryshimi i sipërfaqes së shtrirjes së zonës ekonomike bëhet në rastet kur kërkohet nga partneriteti privat (zhvilluesi) dhe kur janë paraqitur studimet përkatëse, edhe në aktivitetin e tij, që e justifikojnë këtë ndryshim.”
Neni 5
Neni 10 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 10
Zona ekonomike në truall shtetëror
Në rastin kur trualli ose pasuritë e tjera të paluajtshme janë pronë shtetërore:
a) kandidati zhvillues i nënshtrohet procedurës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) zhvilluesi merr në përdorim truallin ose pasuritë e tjera të paluajtshme, për një periudhë kohore, dhe gëzon të drejtën e dhënies me nënqira të përdoruesit, sipas përcaktimeve të aktit nënligjor të shkronjës “a”, të këtij neni.”.
Neni 6
Në nenin 11, pas pikës 1 shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:
“1.1 Kandidati zhvillues në këto raste nuk i nënshtrohet procedurës së garës.”.
Neni 7
Pas nenit 11 shtohet neni 11/1, më këtë përmbajtje:
“Neni11/1
Format e bashkëpunimit për zhvillimin e zonave ekonomike janë:
1. Zhvilluesi është shteti, i cili merr përsipër ndërtimin e infrastrukturës brenda zonës dhe ndërlidhjen e saj me infrastrukturën e jashtme.
2. Zhvilluesi është një subjekt privat dhe shteti i jep akses në infrastrukturën e ofruar përreth zonës ekonomike, deri në kufijtë e zonës.
3. Zhvilluesi është një subjekt privat dhe shteti. Ndërtimi i infrastrukturës brenda zonës dhe ndërlidhja e saj me infrastrukturën e jashtme bëhet me bashkëpunimin ndërmjet subjektit privat dhe shtetit.”.
Neni 8
Neni 13 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 13
Përjashtimet nga detyrimet doganore dhe/ose tatimore.
1. Zonat ekonomike, me statusin e zonës së lirë, përfitojnë lehtësitë e mëposhtme:
a) Mallrat joshqiptare, që hyjnë në zonën e lirë nga subjektet vendase ose të huaja, përjashtohen nga detyrimet doganore dhe tatimi mbi vlerën e shtuar;
b) Përjashtimi nga detyrimet doganore e tatimore, sipas pikës 1, të këtij neni, fillon nga çasti i hyrjes së mallit në zonën e lirë;
c) Zhvilluesi, përdoruesi dhe operatori, që fillojnë aktivitetin në zonën e lirë, përjashtohen nga pagesa e tatimfitimit për një periudhë 5 (pesë) vjeçare dhe 50% të normës së tatimfitimit për 5 (pesë) vitet pasardhëse.
2. Zonat ekonomike, me statusin e zonës zhvillimore për biznes, përfitojnë lehtësitë e mëposhtme:
a) Furnizimi me lëndë të parë, për ndërtimin e infrastrukturës së kësaj zone, është i përjashtuar nga pagesa e TVSH-së;
b) Makineritë dhe pajisjet, në funksion të realizimit të investimeve në këto zona, përjashtohen nga TVSH-ja, kur plotësojnë kushtet e parashikuara në legjislacionin për TVSH-në;
c) Projekti i zhvilluesit të zonës zhvillimore të biznesit përjashtohet nga taksa e infrastrukturës;
ç) Ndërtimet e realizuara në këtë zonë, sipas projektit të zhvilluesit, përjashtohen nga detyrimet e pasurive të paluajtshme për një periudhë 5- vjeçare.
3. Këshilli i Ministrave miraton procedurat për dhënien e përjashtimeve të lëndëve të para, makinerive dhe pajisjeve, sipas përcaktimeve në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2.”.
Neni 9
Neni 18 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 18
Licencimi
Asnjë person juridik nuk mund të ndërtojë, të zhvillojë, të vërë në funksionim ose të drejtojë një zonë ekonomike pa licencën e zhvilluesit, të lëshuar nga ministri përgjegjës për ekonominë, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj.”.
Neni 10
Në nenin 20 fjalët “…që ka paraqitur kërkesën dhe ka fituar garën…” ndryshohen në “…që ka paraqitur kërkesën dhe/ose ka fituar garën…”.
Neni 11
Dispozita kalimtare
Ky ligj zbatohet edhe për ato raste kur zhvilluesit e zonave ekonomike, të dhëna para hyrjes në fuqi të këtij ligji, plotësojnë kushtet për të marrë statusin “Zonë zhvillimore për biznes”.
Neni 12
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM DHE SHTESË NË LIGJIN NR.8450, DATË 24.2.1999, “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS, TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 81, pika 1, dhe nenit 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË NDRYSHIM DHE SHTESË NË LIGJIN NR.8450, DATË 24.2.1999, “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS, TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, bëhet ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
Neni 1
Nënndarja “v”, e shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 23, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“v. Kontrolli i cilësisë së naftës dhe nënprodukteve të saj, që ofrohet nga subjektet e përcaktuara në nenet 15 e 16, të këtij ligji, për qëllime të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve fundorë, realizohet nga struktura e mbikëqyrjes së tregut, pranë ministrisë përgjegjëse për tregtinë.
Bashkërendimi i veprimtarisë, ndërmjet inspektoratit shtetëror përgjegjës dhe strukturës së mbikëqyrjes së tregut, rregullohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për hidrokarburet dhe ministrit përgjegjës për tregtinë.”.
Neni 2
Në nenin 25.2 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Në shkronjat “j” dhe “m”, të pikës 1, të këtij neni, vetëm për qëllim të cilësisë së produkteve, gjobat vendosen nga struktura e mbikëqyrjes së tregut, pranë ministrisë përgjegjëse për tregtinë. Për çështjet e tjera, gjobat vendosen nga inspektorati shtetëror përgjegjës.”.
Neni 3
Dispozitë kalimtare
Inspektorati shtetëror përgjegjës, në varësi të ministrit përgjegjës për hidrokarburet, kryen funksionet e inspektimit për kontrollin e respektimit të standardeve apo rregullave shtetërore për cilësinë e naftës dhe nënprodukteve të saj, që tregtohen nga subjektet e përcaktuara në nenet 15 e 16, të këtij ligji, për qëllime të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve fundorë, deri në krijimin e strukturës përgjegjëse së mbikëqyrjes së tregut, pranë ministrisë përgjegjëse për tregtinë.
Neni 4
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META