Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të Liceut Artistik “Jordan Misja”:
Mirëmëngjesi dhe faleminderit për mikpritjen!
Në fakt, besoj që, lapsusi që bëri drejtoresha ka lidhje me faktin që, qysh se kam qenë kryetar Bashkie unë kam dashur ta ndryshojmë situatën në këtë shkollë, e cila nga pikëpamja e burimeve njerëzore është ndër vatrat më të çmuara të ekselencës shqiptare, kurse nga pikëpamja e infrastrukturës së saj prej shumë vitesh ka përjetuar një proces rrënimi të vazhdueshëm.
Për fat të keq, shkolla ka përjetuar një rrënim të vazhdueshëm për shkak të mungesës së plotë të vëmendjes. Fatkeqësisht, unë nuk arrita dot të bind njeri lart në qeveri se duhej bërë një investim masiv këtu në këtë shkollë qysh në atë kohë, pasi, që nga pianot që janë instrumenti bazë i shkollës, e deri tek atelietë e arteve vizuale, gjithë lënda e parë me të cilën punojnë nxënësit e mësuesit e Liceut, ishte vërtetë e vjetër, në pikën që nuk krijonte më ato kushte pa të cilat është e pamundur të kërkosh cilësi.
Sidoqoftë, kaluan jo pak vite, por ia dolëm që, më në fund, pas kushedi se sa dekadash, Liceu të ketë pianot e reja, Liceu të ketë klasat dhe atelietë e reja, edhe pse projekti është ende i paplotë, pasi duhet patjetër të plotësohet me sallën e re të koncerteve, të audicioneve, të aktiviteteve që, Liceu i ka të gjitha mundësitë të bëjë edhe për komunitetin jashtë mureve të tij. Projekti ka përfunduar. Është në proces gara për të kontraktuar sipërmarrjen që do ta realizojë.
Unë besoj se Kryetari i Bashkisë, – i cili ka gjithë mbështetjen e qeverisë është me fat sepse ka jo vetëm një qeveri që e mbështet, por ka dhe një qeveri që e kupton; të dyja bashkë janë patjetër domosdoshmëri për të pasur shpejtësi dhe cilësi në punë, – do arrijë që ta përfundojë sallën e koncerteve kur të vijë koha e provimeve në verën e ardhshme.
Kështu, Liceu do të plotësohet përfundimisht si infrastrukturë e pastaj iu mbetet mësuesve e nxënësve që të bëjnë më të mirën për të rritur cilësinë përmes studimit të posaçëm e intensiv që këtu ka qenë gjithmonë traditë.
Dua t’i falenderoj të gjithë mësuesit, mësueset, drejtoreshën patjetër, sepse kanë punuar në kushte jashtëzakonisht të vështira për një periudhë relativisht shumë të gjatë dhe dua t’i siguroj që ne do vazhdojmë të jemi në mbështetje të tyre për çdo përpjekje të re dhe për çdo nevojë që do ketë kjo shkollë që duam me patjetër të bëhet një ndër shkollat e ekselencës shqiptare, pasi dhe për natyrën e saj është “e dënuar” që të jetë e tillë.
Në këto mure dhe në këtë hapësirë, e cila sot është pak më ndryshe se ç’ka qenë në kohërat e vjetra, kanë kaluar të gjithë ata të cilët janë ajka e artit shqiptar dhe që kanë bërë çudira duke dhënë provën e jashtëzakonshme se asgjë nuk është e pamundur për këdo që vjen në këtë shkollë me fuqinë e pasonit dhe të ëndrrës së vet për të arritur majat.
Unë gjithmonë e sjell Ermonela Jahon si shembull, për një fakt që ajo e mishëron dhe jo vetëm ajo, por në rastin e saj është një fakt i njohur nga të gjithë ata që e kanë njohur që kur ishte në këtë Lice. Që kur ishte në këtë Lice, Ermonela thoshte: “Do këndoj në La Scala!” Ishte e vetmja që e besonte, ndërkohë që të tjerët rreth e rrotull mund të mendonin gjithfarë gjërash për të, por që ajo do këndonte në La Scala askush nuk mund ta besonte si një mendim normal.
E sjell shembullin e Ermonela Jahos sepse është një ndër shumë shembujt që mund të merren nga historia e kësaj shkolle, por dhe ndër mijëra e miliona shembuj që mund të merren nga historia e kësaj bote ku jetojmë, se çdo ëndërr që njeriu e shikon me sy hapur është në gjendje ta realizojë përderisa e sheh. Por, ndryshimi mes atyre që ia dalin të realizojnë ëndrrat që shohin me sy hapur dhe të tjerëve, që janë shumica dërrmuese që nuk ia dalin, është se ata që ia dalin kanë një vendosmëri gati-gati të mbinatyrshme për të kaluar detin në këmbë dhe për të bërë të mundur që të njehsohen me ëndrrën e tyre.
Në këtë shkollë është e natyrshme që të vijnë nxënës të vegjël, nxënës më të rritur me shumë ëndrra që i shohin me sy hapur. Ajo që unë mund të them është se ne na takon dhe do bëjmë gjithçka që në përpjekjen për t’i realizuar ëndrrat e tyre me sy hapur asgjë mos mungojë nga pikëpamja e kushteve dhe nga pikëpamja e materialeve që i duhen çdokujt në dispozicion për të sprovuar veten dhe për të përmirësuar hap pas hapi veten në mënyrë që në fund të gjejë veten.
Më vjen mirë që ky transformim i rëndësishëm përkon edhe me rritjen e rrogave të mësueseve dhe mësuesve të Liceut, që besoj janë ndër mësueset e mësuesit që e meritojnë në mënyrë të posaçme që në vazhdimësi t’iu rriten mundësitë financiare, jo se kanë sakrifica të mëdha fizike, siç mund të kenë kolegë të tyre që duhet të shkojnë të japin mësim në zona të largëta, por se kanë një sakrificë të përditshme shpirtërore për të bërë, që është shumë më e posaçme se e çdo mësuesi tjetër, për shkak se nuk i’u duhet të punojnë vetëm me mendjen për të futur në kokën e nxënësve konceptet e matematikës, apo fizikës, por i’u duhet të punojnë edhe me pjesën më delikate të tyre, që është shpirti.
Unë shpresoj shumë që në këtë kontekst të ri ju të jeni edhe më delikatë në trokitjen në shpirtin e gjithë këtyre fëmijëve.
Shumë faleminderit!