Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 30 korrik 2014
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN KUADËR “HORIZON 2020 -PROGRAMI PËR KËRKIM DHE INOVACION””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin kuadër “Horizon 2020 – programi për kërkim dhe inovacion””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN KUADËR “HORIZON 2020 – PROGRAMI PËR KËRKIM DHE INOVACION”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin kuadër “Horizon 2020 – programi për kërkim dhe inovacion”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.10383, DATË 24.2.2011, “PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA NË LIGJIN NR.10383, DATË 24.2.2011, “PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
Neni 1
Pas shkronjës “e”, të pikës 2, të nenit 5, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) viktimat e trafikimit, sipas identifikimit të bërë nga strukturat e Ministrisë së Brendshme.”.
Neni 2
Pas nenit 29 shtohet neni 29/1, me përmbajtje si më poshtë vijon:
“Neni 29/1
Kontrata me dhënësit e shërbimit shëndetësor të huaj
1. Kur nuk mund të plotësohen nevojat për dhënien e shërbimit shëndetësor nga dhënës privatë dhe publikë brenda vendit, Fondi ka të drejtë të lidhë kontrata me dhënës të huaj për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore.
2. Përzgjedhja e dhënësve të huaj të shërbimeve shëndetësore që do të kontraktojnë me Fondin bëhet në bazë të procedurave dhe të rregullave të përcaktuara nga Këshilli Administrativ i Fondit.
3. Procedurat për paraqitjen e kërkesës për pagesë, të verifikimit të tyre dhe të pagesës së dhënësve të huaj të shërbimeve shëndetësore përcaktohen në rregulloret e miratuara nga Këshilli Administrativ.
4. Regjistrimi i dhënësve të huaj të shërbimit në regjistrin e dhënësve të përzgjedhur të shërbimeve shëndetësore bëhet sipas të njëjtave rregulla të parashikuara në nenin 29, të këtij ligji. ”.
Neni 3
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META