Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 26 nëntor 2014
V E N D I M
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8652, DATË 31.7.2000, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QEVERISJES VENDORE”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
#
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8652, DATË 31.7.2000, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QEVERISJES VENDORE”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78, 81, pikat 1 e  2, shkronja “a”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
 
Neni 1
 
Kudo në ligj, fjalët “… komunë. ..” dhe “… kryetar komune …” e “… këshilli i komunës …” shfuqizohen.
 
Neni 2
 
Pas pikës 15, të nenit 2, “Përkufizime”, shtohet pika 16, me këtë përmbajtje:
 
“16. “Konsultimi” ndërmjet institucioneve të pushtetit qendror dhe njësive të qeverisjes vendore është një proces institucional, transparent dhe i drejtpërdrejtë për informimin, këshillimin dhe shkëmbimin e opinioneve për politikat, legjislacionin e normat që rregullojnë qeverisjen vendore, i cili zhvillohet rregullisht dhe në mënyrë të vazhdueshme, sipas procedurave dhe një strukture të përcaktuar.”.  
 
Neni 3
 
Pika 2, e nenit 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
 “2.  Marrëdhëniet ndërmjet organeve të njësive të qeverisjes vendore dhe institucioneve të qeverisjes qendrore bazohen në parimin e subsidiaritetit, të konsultimit dhe të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.”.
 
Neni 4
 
Neni 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 5
Përcaktimi: bashki, qark dhe nënndarjet 
 
1. Bashkia është njësi bazë e qeverisjes vendore.
 
2. Bashkia përfaqëson një unitet administrativo-territorial dhe bashkësi banorësh. Bashkitë, shtrirja territoriale, emri dhe qyteti qendër i saj përcaktohen me ligj.
 
3. Bashkia përbëhet nga disa njësi administrative sipas lidhjeve tradicionale, historike, ekonomike dhe sociale. Njësitë administrative në territorin e një bashkie, shtrirja e tyre territoriale dhe emri përcaktohen me ligj. Bashkia e Tiranës përbëhet nga njësitë administrative dhe njësitë bashkiake sipas ligjit nr.115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. 
 
4. Njësitë administrative përbëhen nga qytetet dhe/ose fshatrat. Shtrirja territoriale, emri i qyteteve dhe fshatrave, pjesë e çdo njësie administrative, përcaktohen me ligj. Shpallja e qyteteve të reja bëhet me ligj.
 
5. Qytetet mund të ndahen në njësi më të vogla që quhen lagje. Një lagje mund të krijohet vetëm në territore me mbi 20 mijë banorë. Ndarja e qyteteve në lagje dhe shtrirja e tyre territoriale miratohet me vendim të këshillit bashkiak.
 
6. Qarku është njësi e nivelit të dytë të qeverisjes vendore.
 
7. Qarku përfaqëson një unitet administrativo-territorial të përbërë nga disa bashki me lidhje gjeografike, tradicionale, ekonomike, sociale dhe interesa të përbashkët. Kufijtë e qarkut përputhen me kufijtë e bashkive që e përbëjnë atë. Qendra e qarkut vendoset në një nga bashkitë që përfshihen në të. Shtrirja territoriale, emri dhe qendra e qarkut përcaktohen me ligj.”.
 
Neni 5
 
Në pikën 1, të nenit 8, pas nënndarjes “V” shtohet nënndarja “VI/1”, me këtë përmbajtje:
 
         “VI/1. E drejta e konsultimit
 
a) Njësitë e qeverisjes vendore konsultohen në kohën dhe mënyrën e duhur që u mundëson atyre prezantimin e opinioneve dhe propozimeve të tyre për politikat dhe legjislacionin që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ushtrimin e të drejtave dhe funksioneve të tyre. 
b)  Procesi i konsultimit zhvillohet sipas procedurave dhe brenda kuadrit të një strukture të përcaktuar. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për hartimin e akteve nënligjore që përcaktojnë strukturën, formën, mënyrën e organizimit, funksionimin, natyrën e çështjeve për konsultim dhe frekuencën kohore të procesit të konsultimeve.”.
 
Neni 6
 
Në nenet 15, pika 5, dhe 9, pikat 4, 5, 8 e 9, fjalët “… ligjin nr.8379, datë 29.7.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë”, …” zëvendësohen me “… legjislacionin në fuqi që rregullon menaxhimin e sistemit buxhetor dhe financave vendore në Republikën e Shqipërisë …”.
 
Neni 7
 
Neni 24 ndryshohet, si më poshtë vijon: 
 
“Neni 24
Numri i anëtarëve të këshillit bashkiak
 
1. Numri i anëtarëve të këshillit bashkiak përcaktohet sipas numrit të popullsisë, si më poshtë vijon:
 
– Bashkitë deri në 10000 banorë   15 anëtarë;
– Bashkitë nga 10 001 deri në 20 000 banorë   17 anëtarë;
– Bashkitë nga 20 001 deri në 50 000 banorë    25 anëtarë;
– Bashkitë nga 50 001 deri në 100 000 banorë    35 anëtarë;
– Bashkitë nga 10 0001 deri në 200 000 banorë    45 anëtarë; 
– Bashkitë nga 200 001 deri në 400 000 banorë    55 anëtarë;
– Bashkitë mbi 400 000 banorë               65 anëtarë.
 
2. Në zbatim të këtij neni, prefekti përcakton numrin e anëtarëve të këshillit për çdo bashki nën juridiksionin e tij, mbi bazën e numrit të banorëve sipas evidencave të zyrave të gjendjes civile të datës 1 janar të vitit kur zhvillohen zgjedhjet.”.
 
Neni 8
 
Shkronjat “ç” dhe “dh”, të nenit 32, ndryshohen, si më poshtë vijon:
 
“ç) Miraton nivelin e pagave dhe shpërblimeve të punonjësve e të personave të tjerë të zgjedhur ose të emëruar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
dh) Miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij. Në vendimin për miratimin e buxhetit miraton, gjithashtu, edhe numrin maksimal të punonjësve të bashkisë si dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë.”.
 
Neni 9
 
Pika 3, e nenit 35, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“3. Aktet e këshillit afishohen në vende publike të caktuara nga këshilli, brenda territorit të bashkisë dhe, sipas mundësive, këshilli cakton edhe forma të tjera të publikimit të tyre. Informimi i publikut në çdo bashki bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare dhe rregullat e përcaktuara nga vetë këshilli përkatës për këtë qëllim.”.
 
Neni 10
 
Pika 1, e nenit 39, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
 “1.  Çdo bashki ka kryetarin e saj, të zgjedhur çdo katër vjet në zgjedhje të përgjithshme të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë, sipas mënyrës së parashikuar në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.”.
 
Neni 11
 
Në nenin 44 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
 
1. Shkronja “f” ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
               “f) emëron dhe shkarkon punonjësit e tjerë jodrejtues të strukturave dhe njësive në varësi të bashkisë, përveç kur parashikohet ndryshe në legjislacionin në fuqi për nëpunësit civilë;”.
 
2. Pas shkronjës “h” shtohen shkronjat “i” dhe “j”, me këtë përmbajtje:
 
             “i) Miraton strukturën organizative dhe rregulloret bazë të administratës së bashkisë dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë;
j) Emëron dhe shkarkon administratorët e njësive administrative/njësive bashkiake/lagjeve.”.
 
Neni 12
 
Shkronja “ç”, e nenit 44, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“ç) raporton në këshill për gjendjen ekonomiko-financiare të bashkisë dhe njësive administrative përbërëse, të paktën çdo 6 muaj ose më shpesh, sa herë kërkohet nga këshilli.”.
 
Neni 13
 
Titulli i kreut VIII ndryshohet dhe zëvendësohet me “Drejtimi dhe funksionimi i njësisë administrative dhe njësisë bashkiake”.
 
Neni 14
 
Në fillim të kreut VIII, para nenit 45 shtohen nenet 44/1 dhe 44/2, me këtë përmbajtje: 
 
   “Neni 44/1
Administrata e njësisë administrative dhe njësisë bashkiake
 
1. Në njësitë administrative dhe në njësitë bashkiake të qytetit Tiranë funksionon administrata që drejtohet nga administratori.
 
2. Administratori emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë dhe është përgjegjës para tij për funksionimin dhe veprimtarinë e administratës.
 
3. Struktura dhe organika e administratës së njësive administrative, si dhe njësive bashkiake në qytetin Tiranë janë pjesë e strukturës dhe organikës së administratës së bashkisë.
 
    Neni 44/2
Detyrat e administratës së njësisë administrative/njësisë bashkiake
 
1. Administrata e njësisë administrative/njësisë bashkiake brenda juridiksionit të caktuar territorial kryen këto detyra:
 
a) Është zyrë e shërbimit për të gjitha procedurat administrative në kompetencën e  bashkisë;
b) Mbikëqyr territorin për zbatimin e ligjit në të gjitha fushat në kompetencën e bashkisë dhe njofton strukturat kompetente të bashkisë në rast të konstatimit të veprimeve apo veprimtarive në kundërshtim me ligjin;
c) Mbështet punën e strukturave kompetente të bashkisë; 
ç)  Bazuar në vendimin e këshillit të bashkisë mund të administrojë parqet, lulishtet dhe zonat e gjelbëruara; 
d) Bazuar në vendimin e këshillit të bashkisë mund të administrojë tregjet publike;
dh) Bazuar në vendimin e këshillit të bashkisë mund të administrojë këndet e lojërave, terrenet sportive, bibliotekat, shtëpitë dhe klubet e rinisë; 
e) Përgatit dhe i propozon kryetarit të bashkisë planin për investimet nën juridiksionin e saj territorial si dhe mbikëqyr, pas miratimit,  zbatimin e tyre sipas ligjit; 
ë) Propozon, sipas ligjit, emërtimin e rrugëve, shesheve, institucioneve dhe objekteve që janë nën juridiksionin e saj territorial;
f)  Mbështet, koordinon dhe mbikëqyr veprimtarinë e kryetarëve dhe kryesive të fshatrave;
g) I propozon kryetarit të bashkisë dhënien e titujve të nderit dhe stimujve për personat nën juridiksionin e saj territorial;
gj) Propozon marrjen e nismave në dobi të komunitetit brenda juridiksionit të saj territorial;
h)  Kryen çdo funksion tjetër të deleguar nga kryetari apo këshilli i bashkisë.
 
2.  Administratori i njësisë administrative/njësisë bashkiake është organi kompetent për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, të përcaktuara si të tilla me akte të këshillit bashkiak, brenda juridiksionit të caktuar territorial. 
 
3. Administratori mund t’ua delegojë kompetencën e parashikuar në pikën 2, të këtij neni, nëpunësve të administratës në varësi.”.
 
Neni 15
 
Në nenin 45 bëhen këto ndryshime:
 
1. Titulli i nenit 45 ndryshohet dhe zëvendësohet me “Drejtimi i fshatit”.
 
2. Pikat 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:
 
      “4. Zgjedhjet e kryesisë dhe të kryetarit të fshatit bëhen një herë në katër vjet pas zgjedhjeve për këshillin bashkiak dhe jo më vonë se tre muaj pas këtyre zgjedhjeve.
 
      5. Në rastet e krijimit të vendit vakant për kryetarin e fshatit ose për anëtar të kryesisë zhvillohen procedurat e mësipërme të zgjedhjes për vendin vakant. Mandati i të zgjedhurit të ri vazhdon deri në përfundim të periudhës së mbetur të afatit katërvjeçar.”.
 
Neni 16
 
Në nenin 47 bëhen këto ndryshime:
 
1. Titulli i nenit ndryshohet dhe zëvendësohet me “Administrimi i lagjes”.
 
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
   “1. Në rastin e krijimit të lagjeve, sipas pikës 5, të nenit 5, të këtij ligji, në secilën lagje krijohet dhe funksionon administrata e lagjes që drejtohet nga administratori i lagjes. Administratori i lagjes emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë. Nëpunësit e tjerë të administratës trajtohen sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil.”.
 
Neni 17
 
Neni 48 shfuqizohet. 
 
Neni 18
 
Pikat 1 dhe 2, të nenit 50, ndryshohen, si më poshtë vijon:
 
“1. Numri i përfaqësuesve të bashkive në këshillin e qarkut caktohet në përpjesëtim me numrin e popullsisë, si më poshtë vijon:
 
– Bashkitë me popullsi deri në 10 000 banorë, 2 përfaqësues.
– Bashkitë me popullsi  10 001 deri në 30 000 banorë, 3 përfaqësues.
– Bashkitë me popullsi  30 001 deri në 50 000 banorë, 4 përfaqësues.
– Bashkitë me popullsi  50 001 deri në 100 000 banorë,    5 përfaqësues.
– Bashkitë me popullsi  mbi 100 000 banorë, 5 + nga një përfaqësues shtesë për çdo 1 deri në 50 000 banorë mbi 100 000 banorë.
 
2. Brenda numrit të përfaqësuesve për çdo bashki, sipas pikës 1, përfshihet kryetari i bashkisë si dhe përfaqësuesit e tjerë që zgjidhen nga këshilli i bashkisë.”.
 
Neni 19
 
Pika 1, e nenit 58, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“1. Kryesia e këshillit të qarkut përbëhet nga kryetari, zëvendëskryetari dhe nga 3 deri në 5 anëtarë të tjerë.”.
 
Neni 20
 
Shkronja “dh”, e nenit 60, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“dh) emëron dhe shkarkon personelin e administratës së këshillit të qarkut, përveç rasteve të parashikuara ndryshe në legjislacionin në fuqi për nëpunësit civilë.”.
 
Neni 21
 
Pas pikës 2, të nenit 70, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
 
“3. Procedurat dhe masat për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve, aktiveve të trupëzuara dhe të patrupëzuara, të arkivave dhe çdo dokumentacioni tjetër shtetëror në njësitë e qeverisjes vendore të krijuara ose të prekura nga riorganizimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
 
Neni 22
 
Pas nenit 75 shtohen nenet 75/1 dhe 75/2, me këtë përmbajtje:
 
 
“Neni 75/1
 
Organet e njësive të qeverisjes vendore, të konstituuara pas zgjedhjeve vendore të vitit 2011 dhe me juridiksion territorial sipas ndarjes administrativo-territoriale, të përcaktuar me ligjin nr.8653, datë 31.7.2000, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe me ligjin nr.8654, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës”, vazhdojnë funksionimin e tyre deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore në zgjedhjet e vitit 2015.
 
Neni 75/2
 
Deri në datën 31 dhjetor 2017, në çdo njësi administrative funksionon administrata e njësisë administrative. Nga 1 janari 2018, këshilli i bashkisë ka kompetencën të vendosë për riorganizimin e administratave të njësive administrative/njësive bashkiake, të cilat mund të mbulojnë territorin e një ose më shumë njësive administrative brenda bashkisë, sipas nevojave të komuniteteve vendore dhe efektshmërisë administrative.”.
 
Neni 23
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META
 
***
V E N D I M
 
PËR 
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM  NË AKTIN NORMATIV ME FUQINË E LIGJIT NR.4, DATË 9.7.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PRIVATIZIMIN DHE DHËNIEN NË PËRDORIM SHOQËRIVE TREGTARE DHE INSTITUCIONEVE SHTETËRORE  TË NDËRMARRJEVE APO OBJEKTEVE TË VEÇANTA, MJETEVE KRYESORE DHE MJETEVE TË XHIROS SË KËTYRE NDËRMARRJEVE”, TË MIRATUAR ME LIGJIN NR.9967, DATË 24.7.2008” 
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në aktin normativ me fuqinë e ligjit nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, të miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
 NJË NDRYSHIM NË AKTIN NORMATIV ME FUQINË E LIGJIT NR.4, DATË 9.7.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PRIVATIZIMIN DHE DHËNIEN NË PËRDORIM SHOQËRIVE TREGTARE DHE INSTITUCIONEVE SHTETËRORE TË NDËRMARRJEVE APO OBJEKTEVE TË VEÇANTA, MJETEVE KRYESORE DHE MJETEVE TË XHIROS SË KËTYRE NDËRMARRJEVE”, MIRATUAR ME LIGJIN NR.9967, DATË 24.7.2008 
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Neni 1
 
Neni 4, i aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.4, datë 9.7.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 4
 
Organi, që kryen procedurat e shitjes së pronës shtetërore, që privatizohet, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe me ligj, është struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike në Ministrinë e Financave.”.
 
Neni 2
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META
 
***
 
V E N D I M
 
PER
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË në marrëveshjen shumëpalëshe, ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore, Për zbatimin e Konventës “për vlerësimin e ndikimit mjedisOR në kontekst ndërkufitar”” 
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
 
V e n d o s i: 
 
Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen shumëpalëshe, ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore, për zbatimin e konventës “Për vlerësimin e ndikimit mjedisor në kontekst ndërkufitar””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MARRËVESHJEN SHUMËPALËSHE NDËRMJET VENDEVE TË EVROPËS JUGLINDORE PËR ZBATIMIN E KONVENTËS “PËR VLERËSIMIN          E NDIKIMIT MJEDISOR NË KONTEKST NDËRKUFITAR” 
 
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V e n d o s i: 
 
Neni 1
 
Aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen shumëpalëshe, ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore për zbatimin e konventës “Për vlerësimin e ndikimit mjedisor në kontekst ndërkufitar” (ESPOO).
 
Neni 2
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
ILIR MET

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.