Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 9 korrik 2014
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E KONTRATËS FINANCIARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE,  PËR BYPASS-IN E VLORËS”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për bypass-in e Vlorës”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E KONTRATËS FINANCIARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, PËR BYPASS-IN E VLORËS
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për bypass-in e Vlorës, me një kredi në shumën 18 000 000 (tetëmbëdhjetë milionë) euro.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN KOMUNITAR “CREATIVE EUROPE 2014””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin komunitar “Creative Europe 2014””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN KOMUNITAR “CREATIVE EUROPE 2014”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin komunitar “Creative Europe 2014”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
 V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “Për RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIkËS SË SHQIPËRISË DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË BOSNJË – HERCEGOVINËS, PËR MBROJTJEN E NDëRSJELLë TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë – Hercegovinës, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIkËS SË SHQIPËRISË DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË BOSNJË – HERCEGOVINËS, PËR MBROJTJEN E NDëRSJELLë TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR 
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
    
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë – Hercegovinës, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR  META 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR URDHRIN E PUNONJËSVE SOCIALË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

 EDI RAMA

#

P R O J E K T L I GJ
PËR

URDHRIN E PUNONJËSVE SOCIALË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti i ligjit

Objekt i këtij ligji është rregullimi i organizimit dhe funksionimit të Urdhrit të Punonjësve Socialë, si dhe i marrëdhënieve juridike dhe etiko – profesionale të punonjësve socialë sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Neni 2
Qëllimi i ligjit

Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i kritereve për ushtrimin e profesionit të punonjësit social, garantimi i standardeve në ushtrimin e këtij profesioni, në mbrojtjen e interesit publik, të sigurisë publike dhe të shëndetit, duke respektuar parimin e shqyrtimit të pavarur dhe autonominë e profesionit të punonjësit social.

Neni 3
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohen:
1.    “Punë sociale”, veprimtaria profesionale e bazuar te praktika si dhe një disiplinë akademike që promovon ndryshimin, zhvillimin dhe kohezionin social, si dhe fuqizimin dhe pavarësimin e njerëzve.

2.    “Punonjës social”, një profesion i rregulluar që ushtrohet në fushën e punës sociale, në nivel makro, mezo dhe mikro, në shërbim të individëve, familjeve, grupeve, komuniteteve, institucioneve të nivelit qendror e vendor në sistemin publik dhe privat.

3.    “Profil i administratorit shoqëror”, një profil i punës sociale që parashikon një formim dhe kualifikim profesional të veçantë.

Neni 4
Fusha e zbatimit

Ky ligj e shtrin veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e vendit dhe zbatohet për të gjithë punonjësit socialë që ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë në sistemin publik dhe atë privat.

Neni 5
Statusi

Urdhri i Punonjësve Socialë është ent publik jobuxhetor i pavarur, i cili përfaqëson dhe mbron interesat e përbashkët të anëtarëve të Urdhrit dhe rregullon veprimtarinë dhe marrëdhëniet midis tyre, në funksion të publikut.

Neni 6
Misioni

1.  Misioni i Urdhrit është garantimi dhe ruajtja në vazhdimësi e standardeve më të larta dhe praktikave më të mira të ushtrimit të profesionit të punonjësit social dhe mbrojtja e këtyre të fundit nga veprimet arbitrare, joprofesionale dhe joetike të profesionistëve, njohës të fushës së punës sociale.

2.  Për realizimin e misionit të tij, Urdhri i Punonjësve Socialë ushtron këto kompetenca:

a) Krijon Regjistrin e Punonjësve Socialë të Urdhrit dhe e përditëson atë;
b) Krijon Regjistrin e Posaçëm të Administratorit Shoqëror dhe mban përgjegjësi për përditësimin e tij;
c) Miraton standarde etike të detyrueshme për punonjësit socialë si dhe mbikëqyr zbatimin e tyre në praktikën profesionale;
ç) Mbron klientët nga kequshtrimi i mundshëm i profesionit nga ana e punonjësit social, nëpërmjet mbikëqyrjes së vazhdueshme të zbatimit të standardeve etike dhe profesionale për të siguruar integritet moral dhe profesional nga ana e tyre;
d) Mbron të drejtat e punonjësve socialë dhe profesioneve të tjera të punës sociale, si palë e interesuar, nga veprimet arbitrare të administratës publike dhe private, si dhe pavarësinë e ushtrimit të profesionit;
dh) Nxit në vazhdimësi punonjësit socialë në përdorimin e standardeve më të larta dhe të praktikave më të mira në fushën e punës sociale;
e) Kontribuon, si palë e interesuar, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, për sigurimin e standardeve më të larta dhe praktikave më të mira në edukimin dhe formimin etik, profesional dhe shkencor të punonjësit social e të profesioneve të tjera të punës sociale;
ë) Kontribuon, si palë e interesuar, në marrjen e masave të nevojshme e të përshtatshme për mbrojtjen dhe përmirësimin e mbrojtjes e mirëqenies sociale të popullatës;
f) Informon publikun përmes njoftimeve, buletineve periodike, botimeve shkencore dhe botimeve të tjera të veçanta, nëpërmjet mediave elektronike dhe asaj të shkruar;
g) Kontribuon në zbatimin e programeve shtetërore, të enteve dhe organizatave të tjera publike e private, në funksion të interesit publik.

3. Urdhri nëpërmjet organeve të tij jep dhe heq të drejtën e ushtrimit individual të profesionit të punonjësit social nëpërmjet dhënies dhe revokimit të licencës profesionale.

4. Urdhri mund të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare të fushës së punës sociale.

Neni 7
Anëtarësimi dhe regjistrimi në Urdhër

1. Individët, që ushtrojnë profesionin e punonjësit social në sistemin publik apo privat në Republikën e Shqipërisë, regjistrohen si anëtarë të Urdhrit, sipas legjislacionit në fuqi për profesionet e rregulluara.
2. Individët, që ushtrojnë profesionin e administratorit të shërbimeve shoqërore si pjesë e fushës së punës sociale, regjistrohen në regjistrat e posaçëm të Urdhrit.
3. Shtetasit e huaj, për ushtrimin e profesionit të punonjësit social në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të anëtarësohen paraprakisht në Urdhrin e Punonjësve Socialë të Republikës së Shqipërisë dhe të njohin të gjitha aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë profesionin e punonjësit social. Punonjësi social, shtetas i huaj, që të ushtrojë profesionin si rezident në Shqipëri apo i atashuar në një institucion ku vjen periodikisht për ushtrimin e profesionit, duhet të ketë edhe këto dokumente:

a) Lejen e qëndrimit dhe të punës në Republikën e Shqipërisë;
b) Certifikatën e mirësjelljes (Good Standing Certificate) nga Urdhri/Dhoma apo Shoqata e Punonjësve Socialë të vendit të vet, ku vërtetohet se është i regjistruar, e ushtron profesionin dhe se nuk ka marrë masa ndëshkimore;
c) Njohjen e diplomës dhe certifikatave të specializimeve të kryera prej tij/saj;
ç) Një rekomandim nga një specialist vendas i të njëjtës fushë, anëtar i Urdhrit të Punonjësve Sociale.

Për punonjësin social të huaj, i cili nuk njeh gjuhën shqipe, detyrimisht është kusht të punojë me përkthyes.
4. Anëtarët e Urdhrit kanë detyrim të paguajnë rregullisht kuotizacionet e anëtarësisë, tarifat e regjistrimit, të licencimit dhe për shërbime të tjera administrative.
5. Individët e regjistruar në Urdhër, në regjistrat e posaçëm të profesioneve të tjera të punës sociale kanë detyrim të paguajnë tarifat e regjistrimit dhe shërbime të tjera administrative.
6. Kërkesat minimale për formimin dhe kualifikimet profesionale për punonjësit socialë, si dhe administratorin e shërbimeve shoqërore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe propozohen nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale.
7. Individëve të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, që, në momentin e hyrjes në fuqi të legjislacionit për profesionet e rregulluara për punonjësin social, kanë të dokumentuar formimin dhe kualifikimin profesional për ushtrimin e këtij profesioni sipas pikës 6, të këtij neni, u lind e drejta e menjëhershme e anëtarësimit në Urdhër.
8. Punëdhënësve në sistemin publik apo privat u ndalohet në mënyrë kategorike të mbajnë të punësuar apo të punësojnë në institucionet e tyre punonjës socialë ose profesione të tjera të punës sociale, në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji.

Neni 8
Kriteret e anëtarësisë

1. Asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e punonjësit social në sistemin publik apo privat në Republikën e Shqipërisë pa qenë anëtar i Urdhrit.
2. E drejta për të ushtruar profesionin e punonjësit social në Republikën e Shqipërisë njihet nëpërmjet licencës për ushtrimin individual të profesionit, të lëshuar nga Urdhri.
3. Asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesione të tjera të punës sociale në sistemin publik dhe privat në Republikën e Shqipërisë pa qenë i regjistruar në regjistrat e posaçëm të Urdhrit.

Neni 9
Bashkëpunimi

1. Urdhri gjatë kryerjes së detyrave mban lidhje të vazhdueshme me ministritë përgjegjëse për çështjet sociale, arsimin, shëndetësinë, punët e brendshme, drejtësinë dhe institucionet e tyre të varësisë, institucionet e pavarura dhe organizma të tjerë, publikë ose privatë, të krijuar sipas legjislacionit në fuqi.

2. Urdhri i Punonjësve Socialë paraqet një raport vjetor pranë ministrive të sipërpërmendura lidhur me anëtarësimet e punonjësit social, gjykimet disiplinore dhe ecurinë e tyre në të gjitha shkallët e gjykimit profesional, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë.
3. Inspektoratet në fushën e përgjegjësisë shtetërore të ministrive të sipërpërmendura bashkëpunojnë me Urdhrin gjatë ushtrimit të funksionit të tij.
4. Ministritë e sipërpërmendura bashkëpunojnë me Urdhrin për hartimin e projektakteve ligjore dhe nënligjore, si dhe dokumenteve të rëndësishme në fushën e shërbimeve sociale dhe punës sociale.

Neni 10
Buxheti

1. Urdhri i Punonjësve Socialë ka buxhetin e tij, të cilin e miraton Asambleja Kombëtare dhe e administron vetë, në përputhje me rregullat financiare në fuqi dhe me rregulloren e brendshme, të cilën e miraton me vendim të bordit.

2. Burimet financiare të Urdhrit të Punonjësve Socialë janë të ardhurat nga:

a) kuotizacionet e anëtarëve;
b) tarifat e regjistrimit;
c) tarifat e licencimit;
ç) tarifat mbi akte administrative dhe dokumente që lëshon gjatë veprimtarisë;
d) donacione të ndryshme dhe të ardhura të tjera të ligjshme.

3. Të ardhurat që realizohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë, Urdhri i përdor për të përmbushur synimet dhe objektivat e tij, në përputhje me këtë ligj.

KREU III
ORGANIZIMI DHE DREJTIMI

Neni 11
Organet kryesore

1. Organet kryesore të Urdhrit të Punonjësve Socialë janë:

a) Asambleja e Urdhrit;
b) Bordi i Urdhrit;
c) Kryetari i Urdhrit;
ç) Komisioni i Gjykimit Disiplinor Profesional.

2. Në Urdhër funksionojnë edhe komisione të tjera për administrimin e çështjeve të rëndësishme në qendër apo në rajone të caktuara.

3. Organet kryesore të Urdhrit e kanë selinë e veprimtarisë së tyre në Tiranë.

Neni 12
Asambleja e Urdhrit

1. Asambleja e Urdhrit është organi më i lartë i përfaqësimit dhe vendimmarrës i Urdhrit dhe përbëhet nga tërësia e anëtarëve të Urdhrit.

2. Asambleja e Urdhrit emëron dhe shkarkon përfaqësuesit e Bordit të Urdhrit, kryetarin dhe zëvendëskryetarin e Bordit të Urdhrit, me votim të fshehtë nga anëtarësia e Asamblesë së Urdhrit.

3. Asambleja e Urdhrit drejtohet nga kryetari i Asamblesë së Urdhrit që zgjidhet me votë të fshehtë nga anëtarësia e asamblesë. Mandati dhe funksionet e kryetarit të Asamblesë së Urdhrit rregullohen në statutin e Urdhrit.

4. Asambleja e Urdhrit si rregull mblidhet një herë në vit dhe mund të mblidhet në raste të veçanta nga dy anëtarë të Bordit të Urdhrit ose një e pesta e të gjithë anëtarësisë së Asamblesë së Urdhrit.

5. Zgjedhjet për Bordin bëhen për çdo 3 (tre) vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm 1 (një) herë.

6. Asambleja e Urdhrit, bazuar në legjislacionin në fuqi,:

a) miraton statutin e Urdhrit;
b) miraton Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Profesionale;
c) miraton rregulloren për gjykimin disiplinor profesional;
ç) miraton rregulloren për regjistrimin, anëtarësimin dhe licencimin, si dhe regjistrimin në regjistrat e posaçëm në Urdhër;
d) miraton rregulloren për organizimin e praktikës profesionale;
dh) shqyrton dhe miraton projektbuxhetin e Urdhrit, si dhe shqyrton buxhetin faktik të tij;
e) analizon veprimtarinë vjetore të organeve të Urdhrit;
ë) shqyrton raportin e auditit të jashtëm, në intervale trevjeçare.

7. Procedurat e vendimmarrjes dhe funksionimit të Asamblesë së Urdhrit rregullohen në statutin e Urdhrit.

Neni 13
Bordi

1.    Bordi i Urdhrit është organi ekzekutiv i Urdhrit, i cili përbëhet nga 9 (nëntë) anëtarë, si më poshtë vijon:

a) Kryetari i Bordit;
b) Zëvendëskryetari i Bordit;
c) Një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale;
ç) Një përfaqësues me rotacion nga ministritë e përmendura në pikën 1, të nenit 9;
d) Një përfaqësues nga bota akademike e shkencave të punës sociale;
dh) Një përfaqësues nga shoqatat e klientëve/përfitues të shërbimeve;
e) Tre punonjës socialë, përfaqësues të Asamblesë së Urdhrit.

2. Në momentin e zgjedhjes, anëtarët e Bordit, kryetari dhe zëvendëskryetari duhet të jenë jo më shumë se 65 vjeç.

3. Kriteret dhe procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit miratohen nga Asambleja e Urdhrit, si pjesë e statutit të Urdhrit.

4. Bordi i Urdhrit, bazuar në legjislacionin në fuqi, ka këto kompetenca:

a) Thërret Asamblenë e Urdhrit;
b) Administron pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Urdhrit;
c) Përgatit dhe miraton rregulloren e brendshme të Bordit të Urdhrit;
ç) Mban dhe përditëson Regjistrin e Punonjësve Socialë të Urdhrit dhe Regjistrin e Posaçëm të Administratorit Shoqëror;
d) Miraton licencën për anëtarët e Urdhrit dhe lëshon vërtetime për individët e regjistruar në Regjistrin e Posaçëm të Administratorit Shoqëror;
dh) Përgatit dhe paraqet për miratim në Asamblenë e Urdhrit aktet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç” dhe “e”, të kësaj pike;
e) Paraqet për shqyrtim dhe miratim në Asamblenë e Urdhrit projektbuxhetin e Urdhrit, si dhe për shqyrtim buxhetin faktik të tij;
ë) Paraqet për analizë në Asamblenë e Urdhrit raportet vjetore të organeve  të Urdhrit;
f) Paraqet për shqyrtim në Asamblenë e Urdhrit raportin e auditit të jashtëm, në intervale trevjeçare;
g) Emëron anëtarët e Komisionit të Gjykimit Disiplinor Profesional, sipas procedurave, kritereve dhe afateve të miratuara nga Asambleja në statut;
gj) Merr masa për ndjekjen e vazhdueshme të zbatimit të vendimeve të marra nga Asambleja e Urdhrit;
h) Emëron përfaqësuesit e tij pranë komisioneve, enteve dhe organizatave në nivel  kombëtar dhe nivel qarku.

5. Bordi i Urdhrit mund të mbështetet me një strukturë mbështetëse administrative, struktura, organizimi dhe funksionimi i së cilës miratohen me vendim të tij.

6. Bordi i Urdhrit, bazuar në rregulloren e brendshme, përcakton procedurat e funksionimit, detyrat dhe përgjegjësitë e veta të kryetarit të Bordit, zëvendëskryetarit ose strukturës mbështetëse administrative.

7. Vendimet e Bordit të Urdhrit janë të vlefshme kur në mbledhjet e bordit janë të pranishëm dhe votojnë mbi 2/3 (dy të tretat) e anëtarëve.

8. Mandati i anëtarëve të Bordit të Urdhrit është tre vjet dhe mund të ndërpritet në rast:

a) dorëheqjeje me vullnet të plotë;
b) dënimi me vendim gjykate, të formës të prerë, për vepra penale;
c) vërtetimi të mosdeklarimit apo marrjes së vendimeve në kundërshtim më legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit;
ç) të vërtetimit të paaftësisë mendore dhe psikike;
d) vdekjeje.

9. Në rastet e ndërprerjes së mandatit, anëtari i Bordit të Urdhrit zëvendësohet nga kandidatët e renditur në radhë, sipas rezultateve të votimit të Asamblesë së Urdhrit për zgjedhjen e anëtarëve të këtij Bordi.

10. Pika 9, e këtij neni, vlen edhe për rastet e ndërprerjes së mandatit dhe zëvendësimit të zëvendëskryetarit të Urdhrit.

Neni 14
Kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë

1. Kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë është kryetari i Bordit dhe përfaqëson Urdhrin në marrëdhëniet me palët e treta.

2. Kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë zgjidhet me votim të fshehtë nga Asambleja, midis jo më pak se dy kandidaturave alternative, anëtarë të saj.

3. Mandati i kryetarit të Urdhrit është 3 (tre) vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

4. Kandidaturat për kryetar të Urdhrit të Punonjësve Socialë duhet të përmbushin këto kritere:

a) Të jenë shtetas shqiptarë, rezidentë në Shqipëri.
b) Në momentin e zgjedhjes të jenë jo më shumë se 65 vjeç.
c) Të kenë jo më pak se pesë vjet përvojë në profesion, nga të cilat të paktën një vit ta kenë ushtruar gjatë pesë vjetëve të fundit.
ç) Të kenë aftësi komunikuese, organizuese dhe drejtuese.
d) Të mos jenë marrë ndaj tyre masa ndëshkimore disiplinore në 5 (pesë)  vitet e fundit.
dh) Të mos kenë qenë asnjëherë të dënuar me vendim gjykate, të  formës së prerë, për vepra penale.

5. Funksioni i kryetarit të Urdhrit është i papajtueshëm me funksione të tjera administrative shtetërore private apo forume drejtuese politike a funksione të tjera që mund të prodhojnë konflikt interesi të vazhdueshëm, sipas legjislacionit në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave.

6. Mandati i kryetarit të Urdhrit është tre vjet dhe mund të ndërpritet në rast:

a) dorëheqjeje me vullnet të plotë;
b) dënimi me vendim gjykate, të formës së prerë, për vepra penale;
c) vërtetimi të mosdeklarimit apo marrjes së vendimeve në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit;
ç) të vërtetimit të paaftësisë mendore dhe psikike;
d) vdekjeje.

7. Në rastet e ndërprerjes së mandatit, kryetari zëvendësohet nga zëvendëskryetari deri në mbledhjen e posaçme të Asamblesë së Urdhrit për zgjedhjen e kryetarit të ri, mandati i të cilit do të jetë sa koha e mbetur nga mandati i kryetarit paraardhës.

Neni 15
Komisioni i Gjykimit Disiplinor Profesional

1. Pranë Bordit funksionon Komisioni i Gjykimit Disiplinor Profesional, i cili është organ i gjykimit profesional.

2. Komisioni verifikon dhe shqyrton ankesat dhe informacionet apo sinjalizimet e ardhura nga institucione të ndryshme, palë interesi, nga anëtarë të Urdhrit, si dhe nga vetë Bordi për shkelje të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Profesionale si dhe për gabime profesionale nga anëtarët e Urdhrit.

3. Komisioni i Gjykimit Disiplinor Profesional përbëhet nga 15 (pesëmbëdhjetë) anëtarë, prej të cilëve minimalisht tre janë juristë dhe të tjerët profesionistë të Urdhrit.

4. Në gjykim marrin pjesë tre anëtarë profesionistë dhe një jurist. Përzgjedhja e tyre bëhet, rast mbas rasti, me short, sipas rregullores së komisionit disiplinor.

5. Përzgjedhja e Komisionit të Gjykimit Disiplinor Profesional bëhet çdo katër vjet me njoftim publik, sipas statutit të Urdhrit.

6. Anëtarët e Komisionit të Gjykimit Disiplinor Profesional zgjedhin kryetarin e komisionit dhe zëvendëskryetarin sipas rregullores së komisionit.

7. Kandidati  për  anëtar  të  Komisionit  të  Gjykimit  Disiplinor  Profesional duhet të plotësojë këto kritere:

a) Në momentin e zgjedhjes, të jetë jo më shumë se 65 vjeç;
b) Të ketë jo më pak se pesë vjet përvojë në profesion, nga të cilat të paktën një vit ta ketë ushtruar gjatë pesë vjetëve të fundit;
c) Të mos jetë marrë ndaj tij masë ndëshkimore disiplinore në 5 (pesë) vitet e fundit;
ç) Të mos ketë qenë asnjëherë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për vepra penale.

8. Mandati i anëtarëve të Bordit të Urdhrit është tre vjet dhe mund të ndërpritet në rast:

a) dorëheqjeje me vullnet të plotë;
b) dënimi me vendim gjykate, të formës së prerë, për vepra penale;
c) vërtetimi të mosdeklarimit apo marrjes së vendimeve në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit;
ç) të vërtetimit të paaftësisë mendore dhe psikike;
d) vdekjeje.

9. Në rastet e ndërprerjes së mandatit të anëtarëve të komisionit disiplinor, Bordi bën përzgjedhjen për plotësimin e numrit të anëtarëve me njoftim publik, sipas statutit të Urdhrit.

10. Në rastet e ndërprerjes së mandatit të kryetarit ose zëvendëskryetarit të Komisionit të Shqyrtimit Disiplinor Profesional, për arsyet e përcaktuara në pikën 8, bëhet fillimisht plotësimi i numrit të anëtarëve sipas pikës 9, të këtij neni, dhe më pas zgjidhet kryetari ose zëvendëskryetari i këtij komisioni sipas pikës 6, të këtij neni.

11. Në çdo rast, mandati i anëtarëve plotësues të Komisionit të Shqyrtimit Disiplinor Profesional sipas pikës 9, të këtij neni, zgjat sa koha e mbetur nga mandati i anëtarit të zëvendësuar.

Neni 16
Masat disiplinore

1. Komisioni i Shqyrtimit Disiplinor Profesional heton dhe gjykon në bazë të fakteve dhe provave të administruara dhe seancës dëgjimore. Kur vërtetohet se anëtari ka kryer shkelje të etikës, të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Profesionale ose ka bërë gabime teknike, ai jep këto masa:

a) Vërejtje me shkrim;
b) Vërejtje me paralajmërim;
c) Gjobë nga 5 000 deri në 50 000 lekë;
ç) Pezullim nga e drejta e zgjedhjes në organet drejtuese të Urdhrit të Punonjësve Socialë deri në 3 (tre) vjet;
d) Revokimin e licencës individuale profesionale dhe përjashtimin nga Urdhri për një periudhë deri në 3 (tre) vjet;
dh) Propozim për shkarkim nga organet drejtuese.

2. Përveç masave të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, si masë plotësuese Komisioni ka të drejtë t’u caktojë të ndëshkuarve kryerjen e një rikualifikimi ose të studimeve plotësuese të përcaktuara me rregullore.

3. Masat disiplinore të përmendura në pikën 1, të këtij neni, mund të shlyhen në qoftë se, brenda 1 (një) viti nga data e dhënies së tyre, për shkronjat “a” dhe “b”, dhe, brenda 3 (tre) vjetësh nga data e dhënies së tyre, për shkronjat “ç” dhe “d”, ndaj anëtarit nuk është marrë ndonjë masë tjetër disiplinore.

4. Afati i parashkrimit të së drejtës për ankim është 5 (pesë) vjet nga momenti i shkaktimit të dëmit profesional dhe/ose i shkeljes së Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Profesionale.

Neni 17
Ankimimi

1. Ankesat kundër vendimeve për marrjen e masave disiplinore nga Komisioni i Shqyrtimit Disiplinor Profesional paraqiten pranë këtij Komisioni brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e komunikimit me shkrim të vendimit.

2. Komisioni i Shqyrtimit Disiplinor Profesional, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së ankesës, detyrohet të japë vendimin për ankesën e paraqitur. Vendimi i Komisionit të Shqyrtimit Disiplinor Profesional është përfundimtar.

3. Kundër vendimit të Komisionit të Shqyrtimit Disiplinor Profesional individi ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e komunikimit me shkrim të vendimit përfundimtar.

4. Në çdo rast, procedura e ankimimit të masës disiplinore bëhet sipas legjislacionit në fuqi për procedurat administrative.

KREU IV
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 18
Komisioni i përkohshëm për organizimin e zgjedhjeve të para

1.    Ministria përgjegjëse për çështjet sociale ngarkohet të ngrejë një komision të përkohshëm, i cili duhet të organizojë zgjedhjet e para të Urdhrit.

2.    Komisioni i përkohshëm, në bashkëpunim me palët e interesit,:

a) krijon dhe bën publik për palët e interesit regjistrin e përkohshëm të  anëtarësisë së Urdhrit;
b) harton dhe paraqet për miratim te ministri përgjegjës për çështjet sociale rregulloren e përkohshme ku përcaktohen procedurat për mbledhjen e parë të asamblesë;
c) harton dhe paraqet për miratim te ministri përgjegjës për çështjet sociale procedurat dhe kriteret për zgjedhjet e para të anëtarëve të Bordit të Urdhrit, kryetarit dhe zëvendëskryetarit të Urdhrit për zgjedhjet e para të tij;
ç) jep mbështetje teknike për mbledhjen asamblesë dhe bordit të zgjedhur deri në mbledhjen e parë të tyre.

3.    Këto zgjedhje bëhen brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe me mbledhjen e parë të Bordit të Urdhrit, komisioni i përkohshëm shkrihet.

Neni 19
Dispozita kalimtare për individët që ushtrojnë profesionin e punonjësit social dhe profesione të tjera të punës sociale 

1.    Individët, që, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtrojnë ose kanë ushtruar profesionin e punonjësit social ose profesione të tjera në punën sociale për një periudhë të caktuar kohe, por nuk kanë formimin dhe kualifikimin profesional minimal të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave sipas pikës 6, të nenit 7, mund të vazhdojnë ushtrimin e profesionit të punonjësit social dhe administratorit shoqëror për një afat të caktuar, por janë të detyruar të ndjekin programe të formimit dhe kualifikimit/rikualifikimit profesional, të përshtatshme për ushtrimin e profesioneve të tyre.

2.    Procedurat, kriteret dhe afatet për ndjekjen e programeve të formimit dhe kualifikimit/rikualifikimit profesional, si dhe afatet brenda të cilave individët sipas pikës 1, të këtij neni, mund të vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e punonjësit social dhe administratorit shoqëror, së bashku me të drejtat, detyrimet dhe kushtëzimet e mundshme që këta individë mund të kenë në marrëdhënie me administratën publike dhe private, ashtu si dhe me vetë Urdhrin, si pasojë e mangësive të tyre në formimin dhe kualifikimin profesional, si dhe periudha e eksperiencës së punës, e nevojshme për të lindur e drejta për vazhdimin e ushtrimit të profesionit sipas pikës 1, të këtij neni, dhe dokumentacioni i nevojshëm për vërtetimin e saj, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3.    Individët sipas pikës 1, të këtij neni, regjistrohen përkohësisht në një regjistër të posaçëm të Urdhrit deri në përmbushjen e kritereve të nevojshme të anëtarësimit.

Neni 20
Aktet nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 6, të nenit 7, dhe të pikës 2, të nenit 19, të këtij ligji.

Neni 21
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
ILIR META

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MIRATIMIN E BUXHETIT FAKTIK TË SHTETIT PËR VITIN 2013”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 100 e 158, të Kushtetutës, dhe të neneve 62 e 63, të ligjit nr.9936, datë 26.6 2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2013”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit, relacionit dhe raporteve bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

#

P R O J E K T L I GJ

PËR

MIRATIMIN E BUXHETIT FAKTIK TË SHTETIT PËR VITIN 2013

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 158, të Kushtetutës, dhe të nenit 63, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1
Miratimi i buxhetit faktik

Miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2013 së bashku me burimet e tij të financimit, si më poshtë vijon:

Në milionë lekë

1.Buxheti i shtetit                                                                           Në milionë lekë

·    Të ardhurat  gjithsej……………………………                                       268 706;
·    Shpenzimet gjithsej……………………………                                       322 067;

2. Buxheti i sigurimeve shoqërore
·    Të ardhurat ………………………………………                                      95 717;
·    Shpenzimet…………………………………………                                   95 597;

3. Buxheti i sigurimeve shëndetësore
·    Të ardhurat………………………………………………                                   16 448;
·    Shpenzimet………………………………………                                      30 147;

4. Deficiti buxhetor………………………………………                                 -66 940;
5. Financimi i deficitit buxhetor…………………………                                  66 940;
I brendshëm……………………………………………                                56 129;

A.    Me instrumente financiare (kredimarrje e brendshme neto)                  46 298;

1.    Kredimarrje nga pushteti qendror…………………..                                     46 196.

·    Bono thesari………………………………………..                                         -4 586;

·    Obligacione qeveritare 2/3/5/7/10 vjeçare……                                     50 782;

2.    Kredimarrje nga pushteti vendor…………………….                                     102;

B. Të ardhura nga privatizimi…………………………….                                16 703;

B.1.Pagesa e prapambetur e TVSH-së së rimbursueshme  Kurum.      -3.473;

C. Të tjera………………………………………                                         -3,399

·    Ndryshimi i gjendjes së arkës………………………                                        -9,618;
·    Të tjera………………………………………..                                              6,219;

Financimi i jashtëm (neto)………………………………                                 10,811;

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

ILIR META

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.